Frymëzimi gjysmë shekullor

15 Prill, 2018 - 9:33 am

(Recension mbi Veprën poetike në një vëllim të Ismail Kadaresë)

Shkruan Veron Dobroshi.

Poezia është zhanër që e ka përcjellë Ismail Kadarenë që nga fillet e para të krijimtarisë së tij, qysh nga koha kur ai ishte nxënës në bankat shkollore. Pikërisht është poezia ajo që e bën të njohur së pari Kadarenë si shkrimtar para se të vijnë shkrimet e ndryshme në prozë që e bëjnë këtë autor njërin nga autorët më të shquar të letërsisë shqipe si dhe të njohur ndërkombëtarisht. Vëllimi me poezitë e zgjedhura nga Ismail Kadare përmbledh poezi të shumta të përzgjedhura nga vetë autori që i takojnë periudhës mes viteve 1957 – 2005. Një fazë që përfshin një gjysmë shekulli, faza të ndryshme nëpër të cilat zhvillohet krijimtaria poetike e Kadaresë. Në këtë përmbledhje kemi poezitë dhe poemat që janë nxjerrë nga përmbledhjet e mëhershme ndërvite të autorit, si “Ëndërrimet”, “Shekulli im”, “Përse mendohen këto male”, “Motive me Diell” si dhe poezi tjera të marra nga vëllimi i shtatë i veprës së plotë të Kadaresë, si dhe disa poezi të botuara për herë të parë. Në këtë vëllim me poezi të përzgjedhura janë të renditura në formë kronologjike për nga data kur janë shkruar. Ato fillojnë me poezitë e shkruara në kohën e studimeve të autorit në Moskë e deri te poezitë e shkruara në Paris gjatë viteve 90. Shumë prej poezive të Kadaresë burimin e kanë tek romanet e tij, mirëpo ndodh edhe e kundërta. Poezia si motiv i pare derivon në formë prozaike dhe shndërrohet në tregim e më vonë edhe në roman. Kjo ndodh me disa poezi të viteve studentore të Kadaresë në Rusi, kryesisht poezitë e viteve 1957-1959, motive të cilat pastaj i gjejmë edhe në tregimin Një verë në Dubulti që më vonë do të bëhet edhe roman me titullin Muzgu i Perëndive të Stepës. Ndërlidhja e poezive të Kadaresë me prozën e tij nuk mbaron me kaq. Janë edhe shumë poezi tjera të këtij vëllimi që formojnë një lloj transtekstualiteti ndërmjet vete. Për shembull, poezia Laookonti me romanin Përbindëshi, Piramida e Keopsit me romanin Piramida, Ali Pashë Tepelena me romanin Pashallëqet e mëdha (Kamarja e Turpit) etj. Për lexuesin shumica e poezive të këtij vëllimi tanimë janë veçse të njohura pasi janë botuar e ribotuar vazhdimisht në botime të ndryshme. Por përzgjedhja e autorit dhe përcaktimi i tij për këto poezi medoemos zgjon kureshtjen dhe dëshirën për t’i rilexuar
poezitë në mënyrë kronologjike duke pasur mundësi që të shihet edhe evoluimi artistiko-letrar ndër vite i Kadaresë në fushën e poezisë. Duke filluar nga poezitë si student në Moskë, pastaj jeta në Shqipëri dhe periudha nën diktaturën komuniste e gjer në mbarim të saj dhe vitet kur autori zhvendoset në Paris. Krijimtaria poetike e Kadaresë ndahet në dy periudha, periudha nën diktaturë dhe jashtë saj, prandaj ky vëllim poetik mbetet unik edhe për faktin që përfshin të gjitha periudhat e krijimtarisë së tij poetike, me poezi të kohëve dhe motiveve të ndryshme që determinojnë vetë stilin kadarean. Poezitë dhe poemat janë të larmishme dhe trajtojnë tema të ndryshme si: historinë, dashurinë, ideologjinë, mitin, peisazhin, udhëtimet etj. poezitë e përzgjedhura në këtë vëllim mund të ndahen në tipe të ndryshme për nga motivi. Kemi poezi me tematikë historike, lirikat e dashurisë, motivet nga vitet studentore në Moskë, motivet ideologjike, motivet mitike, poezitë e çasteve të caktuara, udhëtimet etj. Poezitë që bazohen në realitetin që ka ndodhur medoemos janë referenciale. Poezitë e shkruara në kohën e studimeve në Institutin Gorki janë poezi të tilla që paraqesin rrethana dhe ngjarje të caktuara nga jeta e autorit gjatë qëndrimit të tij në Rusi si dhe në vende tjera si në Rigë, Jaltë etj. Në këtë poezi, Kadare flet kryesisht për kujtimet, çastet nostalgjike, vendet e caktuara, takimet dhe ndarjet me vajzat, vështirësitë e këtyre çasteve dhe dimensione tjera nëpër të cilat ka kaluar rinia e tij në këto vite. Disa prej këtyre poezive janë: Stoli në kopshtin e Institutit “Gorki”, Ndarja në stacion, Zhana B., Baltiku i ftohtë, Të dy, Në gjirin e Rigës, Edhe kur kujtesa, Kthimi në Moskë, Mbrëmja e fundit në Moskë, Rrugëve të Moskës, Llora etj. Kur i lexojmë këto poezi të Kadaresë dhe e krahasojmë me prozën e tij, vërejmë se ai përmes një brikolazhi përmbledh copëza të kujtimeve të tij dhe pastaj me to krijon edhe romanin. Poema Llora është një nga më të bukurat që ka për motiv kujtimin për vajzën me emrin Larisa që autori ka njohur në Rusi e për të cilën flet me një dashuri të madhe, por që në thelb dominon kujtimi për çastet me të. Ndarja me të ka sjellë tronditje të rëndë tek autori, i cili në një rast shprehet kështu:

Ndarja… Një fjalë goje // Por ndarja është e rëndë, shpirtin ta qit. Të ndërtosh një ndarje për të qenë // Është më e zorshme se të ngresh një piramidë.

Si yjet janë vërtet dashuritë // Kërkojnë hapësira të mëdha e po aq mund. Por jetë e njeriut s’është galaktikë // Që të nxerë kaq yje e katastrofa e shkrumb.1

Diçka e tillë ndodh edhe tek poezia Edhe kur kujtesa që i kushtohet një tjetër vajze, Tanja Vilenskajas. Edhe këtu Kadare flet për ndarjen dhe kujtimin për të. Citojmë vargjet:

Ndarja erdhi // Po iki larg prej teje. Asgjë e jashtëzakonshme // Veç ndonjë natë Gishtat e dikujt do pleksen në flokët e tu // Me të largëtit gishtat e mi, me kilometra të gjatë.

Se Moska ka qenë një vend frymëzimi për Kadarenë kjo është shumë e qartë kur lexohen poezitë që i kushtohen Moskës si qytet, bukurive të saj, monumenteve, sheshit Pushkin, rrugët, stacionet, kinematë e shumë gjëra të tjera, për të cilat Kadare flet në shumë prej poezive të tij e veçanërisht në poezinë e gjatë “Rrugëve të Moskës”. Tematika e historisë së popullit shqiptar është e njohur në prozën e Kadaresë gjë e cila nuk mungon as në poezi. Në këtë vëllim pavarësisht që ato nuk janë dominuese, nuk mungojnë. Disa prej tyre janë: Ali pashë Tepelena, Kënga e ushtarëve të vjetër, Mundja e ballkanasve nga turqit në Fushën e Kosovës më 1389, Marshimi i ushtrisë osmane në Shqipëri, Shqiponja dhe gjysmëhëna, Ikja e Moisi Golemit etj. Siç ndodh në prozën e këtij autori, edhe në poezi manifestohet lufta dhe rezistenca shqiptare ndaj osmanëve. Në poezinë Shqiponja dhe Gjysmëhëna përmes pesë vargjeve të poezisë, Kadare flet paraqet këtë luftë krenare dhe triumfuese të shqiptarëve pas pesë shekujsh lufte.

Për pesë shekuj luftuan ato rresht // Mbi qiell të Shqipërisë në rrebesh. Por gjithsesi një ditë do të fitonte // Kundër një hëne gjysmë një shqipe me dy kokë 2

Nuk mungojnë as poezitë e shkruara për heroin kombëtar, Skënderbeun. Portreti i Skënderbeut dhe Vdekja e Skënderbeut janë dy poezitë që i kushtohen veçanërisht figurës së tij. Ikja e Mojsi Golemit është një nga poezitë më të bukura në të cilën Kadare prek temën e tradhtisë së Mojsi Golemit ndaj Skënderbeut. Përmes rimave dhe një ritmi tingullor mjaft të veçantë, kjo poezi mbetet si njëra nga poezitë më të njohura të Kadaresë. Temën e dashurisë e hasim në disa poezi të këtij vëllimi, por në disa prej tyre Kadare kamuflon çështja më të thella përmes elementit të dashurisë duke lënë mundësi të shumta interpretimi. Vëllimi përmban edhe poezitë shumë të populluara si poezitë “Mall” dhe “Në parkun që mbuluan fletët”. Janë edhe disa poezi që autori ia kushton bashkëshortes së tij, Helena Kadaresë. Dashurinë si fenomen Kadare e universalizon në poezinë “Dashuria”, duke e vënë në pozitën e një qenieje të gjallë që qëndron rezistente ndaj dukurive të ndryshme duke i bërë ballë të gjitha gjërave. Në të njëjtën kohë dashurinë e paraqet si një dukuri që është shkatare e shumë gjërave në jetë, qofshin ato edhe fatale ndonjëherë. Shkaktare për shumë gjëra është dashuria, kjo forcë e magjishme. Këtë lë të nënkuptojë Kadare në këtë poezi. Fakti që Kadare një pjesë të madhe të krijimtarisë së tij e ka zhvilluar nën diktaturë bën që edhe poezitë me motive ideologjike të zënë një pjesë të rëndësishme në krijimtarinë e tij. Poezia “Në mesditë byroja politike u mblodh” është një nga poezitë me tipare të pastra ideologjike për të cilën është përfolur shumë. Me një shkrim kritik ndaj sistemit që kalon deri tek propaganda, Kadare hyn thellësisht në problemet e sistemit duke përmendur klasat, komitetin qendror, revolucionin, partinë, Enver Hoxhën, duke mbërritur gjer tek akuza ndaj burokratëve për të cilët shprehet se kanë duar të përgjakura. Ambienti urban zë një vend të rëndësishëm në poezinë e Kadaresë. Kemi shumë poezi ku autori shkruan për kujtimet dhe çastet e caktuara në udhëtimet e tij të ndryshme rreth e rreth botës. Element tjetër i rëndësishëm është edhe çështja e mitit. Kadare është një autor i njohur që mitin e shtjellon në forma të ndryshme në krijimtarinë e tij. Në poezi Kadare merret posaçërisht me mitet e njohura të njerëzimit që tanimë janë universalizuar. Disa nga poezitë e tilla në këtë vëllim janë: Laookonti, Sapuni “Ledi Makbeth”, Te Kështjella e Hamletit në Danimarkë, Piramida e Keopsit etj. Laookonti është padyshim një nga poezitë më të bukura të Kadaresë. Kadare përmes kësaj poezie rikthen mitin e Laookontit që burimin e ka te lufta greko-trojane. Sipas mitologjisë, Laookonti vdes pas sulmi nga gjarpërinjtë që i dërgohen nga zotërat. Kadare në formë poetike flet përmes Laokoontit, përmes mundimit të tij që e tundon gjersa ndodhet tashmë si një vepër arti nëpër muzet e njohura të Evropës. Citojmë vargjet:

Një të fshehtë të madhe ndrydh brenda gjoksit // Para syve tuaj, në Paris, në Madrid. Ah, do doja gjarpërinjtë dyfish të m’i shtonit // Veç sekretin e madh ta shkarkoja një ditë. 3
Subjekti lirik i shndërruar në trajtë të një skulpture arti dëshiron të çlirohet nga një e fshehtë që e mundon prej shekujsh, të vërtetën se atë e kanë mbytur trojanët, e jo gjarpërinjtë. Këtë e pasqyron më së miri strofa:

Si çdo gjë e tmerrshme, është i thjeshtë sekreti // Që brenda boshllëku i gjoksit tim mban. Afroni, pra, kokat të dëgjoni të vërtetën // Mua s’më mbytën gjarpërinjtë, po trojanët më vranë.4

Përmes kësaj poezie simbolike, Kadare jo vetëm që rikthen mitin e famshëm, por e pasqyron gjithë atë histori, duke u rikthyer në luftën greko-trojane për ta aktualizuar këtë ngjarje të rëndësishme. Dëshira e autorit konsiston jo në ndryshimin e mitit si dukuri por si funksion për ta rifunksionalizuar atë, për ta shtjelluar më thellë të vërtetën rreth mitit grek, mit i cili në sytë e njeriut të sotëm shihet me një indiferencë të thellë sepse sipas poezisë së Kadaresë, mungesa e informacionit të vërtetë për Laokoontin përbën rrezik për zhdukjen e skulpturës së tij nga muzetë e famshme të botën, gjë të cilën ai e pasqyron mjeshtërisht nën unin e Laokoontit të vdekur. Përveç mitit grek, Kadare trajton edhe mitin egjiptian të Piramidës së Keopsit dhe faraonëve. Në këtë poezi miti nuk trajtohet gjerësisht por preket përmes një perspektive të lehtë duke shfaqur Keopsin që ngriti piramidën historike.

Një nga elementet më të rëndësishme në poezitë e Kadaresë është edhe tendenca peisazhiste, përshkrimet e dendura të natyrës dhe lidhja e pashkëputshme me dukuritë atmosferike. Siç ndodh në romanet e Kadaresë, edhe në poezi ky motiv gjen një hapësirë të madhe, madje dominante. Këtë e dëshmojnë edhe vetë titujt e poezive dhe poemave e të mos përmendim edhe faktin që këto dukuri përdoren dendur edhe në poezitë që kanë tematika tjera, mirëpo në formë të figurave
stilistike Kadare shpalos qëllimin e vet për ta pasqyruar një fenomen të caktuar përmes shiut, bores, stinëve dhe elementeve tjera. Janë gjithsej 12 tituj të këtij vëllimi që në titull përmbajnë emrin dimër. Pushime Dimri, Qiell Dimri, Dimri, Pamje Dimri, Plazhet në dimer, Mëngjes dimri, Afrim dimri, Në studion dimërore, Ky dimër, Dimëri në Evropën e Bashkuar.., Tiranë në dimer janë titujt që Kadare i përzgjedh për këtë vëllim. Nuk mungojnë as ato që kanë titullin me vjeshtën si Vjeshtë Tiranase, Ardhja e vjeshtës, Poemë vjeshte. Ka shumë poezi me motivin e vjeshtës dhe të dimrit që njëherësh simbolizojnë edhe regjimin komunist, ecin në një vijë paralele duke lënë interpretime të ndryshme të poezive. Edhe në poemën e tij të hershme e cila gjithashtu bën pjesë edhe në këtë vëllim “Përse mendohen këto male”, figura e malit bart simbolikë në të cilën gërshetohen malësori, pushka dhe krenaria e njeriut shqiptar. Në këtë poemë fokusimi është tek dukuritë e ndryshme në rrethin shqiptar përgjatë shekujve. Këto plagë, vuajtje dhe situata trishtuese, Kadare i përmbledh mjeshtërisht në njërën nga strofat e kësaj poeme:

Bijtë që dërgove qyteteve të Europës // Që njohën gëzimet e huaja, Erdhën një nga një // Duke gjetur n’atdhe trishtime, Re të ngarkuara me shi të verdhë // Monarkia si gurëthyese u thyente ëndërrimet Erdhën. Me valixhe plot iluzione // Nën hije të minareve, të manastireve, U endën në vjeshtra deziluzionesh // Gjersa në gji toka i mori prapë, I kalbi nën këmbët monotone të shirave.5

Përmes metaforave e simboleve, Kadare jep imazhin e një tabloje reale të Shqipërisë dhe fatit të njerëzve të saj. Në shumë raste përmes krahasimeve vjeshtën e paraqet si një sfond të ngjarjeve dhe kujtimeve të caktuara me të cilat krijon muzikalitetin e vargut, i jep ritëm dhe në shumë raste vargu fiton edhe rimë. Tek Poemë vjeshte kemi një strofë të tillë:

Kështu të çrregulluar qiellin e lanë Muajt e verës // Që na shkuan pranë. Së shpejti shiu do të qullë dhenë // Me një monolog të gjatë, si në romanet modernë.6

Ose krahasimi i dimrit me perandorin kinez tek poezia “Dimri”

Dhe vjeshta shkoi, fletët e saj // I vërtit era, i përpjek. Dimri si perandor kinez // Ngjyrën e verdhë kudo e ndjek. 7

Një poezi që ka titullin Antena, e shkruar më 1963 ndërtohet në formë të një personifikimi ku Kadare ia mvesh objektit abstrakt tiparet njerëzore për ta shfaqur realitetin e vendit, politikën, pushtetin, njerëzit, jetën e fenomene tjera. Shekulli XX është tjetër krijim artistik shumë i veçantë, kjo për faktin se permes gradacionit, Kadare shpreh admirimin për shekullin, duke e vënë edhe këtu në rolin e një qenieje të gjallë, duke e krahasuar me shekujt e mëparshëm dhe relacionin mes tyre. Konkretisht, citojmë vargjet:

Je i madh // Po shpesh qëllon që ti, Pranë paraardhësve të tu, tek rri // Veshur me një pullover Apo këmishë të thjeshtë // Koktej tek pi, Nis e tallesh me gjyshërit e tu hijerëndë // Me mjekrat e tyre, Me armët dhe veshjet // Tallesh, dhe ata para teje rrinë Të ngrysur // Të hutuar, Të pafuqishëm // Helm e pikë,

Dhe ti shqyhesh gazit me qeshje homerike // Dhe si djalë kapriçioz Si lodër tund në dorë para tyre // Bombën atomike.8

Duke të puthur pa të dashur është një nga poezitë e bukura të këtij vëllimi të përzgjedhur ku jepet realiteti i kohës që në sfond ka femrën si viktimë të shoqërisë. Poezia në variantin e mëhershëm mban titullin “Një vajzë”. Në këtë vëllim gjithashtu nuk mungojnë as poezitë për Kosovën. Kosova dhe Terrori në Kosovë janë dy poezi të bukura që krijojnë një lidhshmëri me romanin Krushqit janë të ngrirë, roman që flet për demonstratat e studentëve në Kosovë. Poezi interesante është edhe poezia me titull “Atje larg në veri”, poezi që permes metaforës së shiut pasqyron qytetin e Gjakovës, që e cilëson si qytet të përgjakshëm, gjak të cilin nuk mund t’ia shlyejë as shiu. Shikuar në hollësi, Kadare në poezitë e tij në përgjithësi përdorë stilema dhe ngjyrime stilistike, figura të ndryshme dhe sintagma të reja, duke e bërë stilin e tij unik në letërsinë shqipe. Këto elemente që u cekën bëjnë që poezitë e përzgjedhura nga vetë autori të lexohen e të rilexohen në vazhdimësi. Vëllimi me poezi të përzgjedhura i Ismail Kadaresë sjellë para lexuesit edhe një herë poezinë e këtij autori përgjatë viteve, duke përçuar simbolika dhe tema të shumta në sfera të ndryshme multidimensionale, gjë që e bëjnë Kadarenë të pavdekshëm edhe në fushën e poezisë pas prozës.

(Autori është student i nivelit Master në Fakultetin e Filologjisë, Dega e Letërsisë Shqipe. Punimi është paraqitur në lëndën “Letërsi aktuale shqipe” dhe botohet për herë të parë).

Të ngjajshme