Kodi i fshehur i shllimit poetik- refleksiv të Ndue Ukajt

26 Tetor, 2017 - 1:17 pm

Remzi Salihu
Ne sofrën e festivalit ‘’Ditët e Naimit, poeti Ndue Ukaj, vjen edhe njëherë me një shllim (përfytyrim) të koduar e të veçantë artistik.

Autori Ndue Ukaj dhe libri më i ri, i ardhur nga opusi tërësor i krijimtarisë së tij të deritanishme, që titullohet ‘’Krijimi i dashurisë’’, përforcon edhe njëherë bindshëm vendqëndrimin e tij të besueshëm dhe kriterin e artit të standardizuar në letërsinë bashkëkohore shqiptare.

Ai me kujdesin më të madh ruan veçantinë kreative të të shprehurit imagjinativ, sa për t’u dalluar tanimë bindshëm edhe me stilin e tij të veçantë nga shumë autorë të tjerë të kohës sonë. Autori nuk shkruan sa për të thënë diçka, por kujdesin e përqendron te fjala dhe vargu i mendimit, për të thënë diçka të veçantë.

Akordet e ndjeshme simbolike dhe gjuha poetike refleksive e vargjeve të këtij poeti, hyjnë e dalin lirshëm në tempullin e dashurisë së krijuar njerëzore, që ka rrënjët e saja të thella në një përfytyrim gjuhësor kozmik të bindshëm, ku lashtësia dhe e sotmja gërshetohen nyje në trungun e bukur të pranisë qenësore.
Kështu, kujtesa e dalë me shije dhe kriter të veçuar, nga gërmadhat e gjetura letrare, stilistike, dhe sidomos me ato të dhënat simbolike të kërkuara gjithandej labirinteve estetike moderne, e ka vënë artin shkrimor të këtij poeti në vlerë kreative të pakontestueshme, për të salduar diçka të qëndrueshme e jetësore në kreativitetin e kësaj shoqërie.

Motivet e shumta që lidhen me qenien njerëzore dhe qëndresa kolektive, kështu siç është e universalizuar nëpër vargje e perceptim të autorit, janë ngasje shkrimore të dallueshme, që me efektin e tyre ndikues ironik, ndriçojnë kthjellët peshën e pranisë njerëzore nëpër rrjedhat e kohës. Poeti me flakën e qiririt dritëdhënës, bënë kërkimin e dritës dhe dashurisë së sinqertë të qenies.

Kjo bindje sakrifikuese arrihet në jetë me vendosmëri arti, kryesisht duke zbardhur vëmendshëm gurët e qëndresës shoqërore nëpër rrjedhat e guximshme të lashtësisë. Këtë rrugë të ashpër e të pakalueshme, që sjell vështirësi të madhe jetësore, autori e hap guximshëm me lumin e fjalëve simbolike, të cilat fjalë nga efekti kumbueshëm i brendshëm dhe nga domethënia ironike, kuptimore, që kanë zënë vend poetik të qëndrueshëm në shtratin e pritjes së përhershme të shpresës, qëndresës dhe dashurisë intime, për ta parë më qartë të vërtetën e kohës dhe jetës.

Atmosfera e dialogut të brendshëm poetik në përmbledhjen e sa po botuar ‘Krijimi i dashurisë’’ ngjall emocion dhe dimension të dyfishtë njerëzor, sidomos të krijimit bërthamës dhe të pranishmes së lashtë dhe asaj ëndrre të sotme të imagjinuar, që asimilohet drejt një realitetit jetësor të ri, por që qëndron si mister gjuhësor filozofik, apo si kod mallëngjimi i thellë, në pritje të fitores së kërkuar me vite.

Përshkrimi epik i detajeve brendshme të ndjenjës së poetit, ndërlidh dhe faneps guximshëm besimin dhe besnikërinë e pritjes reale të subjektit, mu në nyje të fjalës së dhënë e të forcuar nga mitet dhe legjendat.

Tanimë ato fjalë e sintagma të përdorura, me motivet e shumta, rreth e përqark figurave të gjetur apoetike, dendësohen rrjedhshëm në kuptim dhe tillat tregojnë në mënyrë të zhdërvjelltë vazhdimësinë kronologjike të simbolikës autoktone. Krejt kjo prurje mjeshtërore qëndron si fryt i përhershëm i posedimit të dijes, guximit dhe trimërisë së mbështetur në sprovë jetësore të gjatë.

Poeti duke u angazhuar në rrethanat e kohës dhe të jetës kolektive, e cila në realitet shfaqet me plot peripeci e sakrifica, nuk lë pa ia shkruar kohës dhe njerëzve një të vërtetë historike, të përjetuar, e cila si e tillë që është me të keqen dhe të mirën e saj, krijon rrëmbyeshëm ironinë e jetës kolektive për ndodhitë strehuara në qenie, që me vetëdije apo pa vetëdije, sot sjellin situata të tmerrshme, makabre, dritën dhe errësirën, të shëmtuarën dhe të bukurën, që pastaj me pasojat e saja tjetërson vendin, njeriun dhe shoqërinë.

Ndaj jo rastësisht poeti në një varg të tij thotë: ‘’Nëpër xhepat e ndotur me nostalgji të betonuar’’, e cila nostalgji, gjithsesi se ka peshë pikëllimi e shqetësimi, dhe vraga e saj e errët mbetet e përhershme deri në përjetësi. Kështu derdhja e kumtit social, njeriun e përcjell gjithnjë në jetë, ku shihet një nostalgji e prekur thellë, nga drejtpeshimi i brishtë ekzistencial, për kohën dhe hapësirën e humbur përjetësisht në jetë.

Ndue Ukaj me këtë vëllim poetik ‘’Kthimi dashurisë’’ i afrohet lexuesit me një gjuhë të veçantë refleksive, ku potenciali dyshues, provokativ artistik, i perceptimit të rrethanave jetësore nuk fshihet lehtë vetëm në lirizëm melankolik, mallëngjyes, por aty shihet edhe elementi i latuar epik i qëndresës dhe pritjes stoike të unit të njeriut nëpër situata edhe të paparashikueshme shoqërore.

Pa dyshim se ky refleks poetik ndërlidhet thellësisht me ndjenja të forta lirike dhe vargu i tij përçon një porosi kozmogenike, të qëndrueshme, ndaj dhe kjo veçanti përçuese shihet qartë në filozofemat e adaptuara rrjedhshëm nëpër vargje poetike kuptimore

Autori përmes një kështjelle të fortë gjuhësore figurative, që rrënjët i ka në lashtësinë e qenësisë, krijon ‘’Tempullin e dashurisë’’ së re, për vlerat ekzistuese dhe të trashëguara njerëzore, për të zbukuruar dhe mos harruar, sadopak rrethin, vendin, natyrën dhe gjithçka që është e mrekullueshme, në dobi të ekzistencës së njeriut të kësaj ane.

Poezia moderne e Ndue Ukajt është perceptim universal i temës, motiveve dhe idesë së gërshetuar në një qëllim stilistik të veçantë, ku shfaqet dhembshuria, dashuria dhe pa kuptimësia individuale e shoqërore, e cila në fokus të pranisë së qenies ekzistuese, ka kryesisht çlirimin nga vetmia, inferioriteti dhe nga getoja e improvizuar e së keqes, që prodhon dhe mban peng një përfytyrim filozofik skeptik, e cila në suaza estetike kohore, jep porosinë kreative të qëndrueshme e dyshuese, për të dalluar apo vënë në baraspeshë gjykimi artistik, gjërat që nga lashtësia e deri më sot. Poezia e Ndue Ukajt mund të themi se është e ndërtuar mbi një fundamend energjik të librave të lexuar dhe sipas kësaj baze kulturore të përthithur me afinitet, ndërton universin e vet kreativ të dallueshëm.

Duke qenë studiues i letërsisë, autori në fjalë, ka kujdesin e posaçëm të mbarështimit të ideve dhe fjalëve artistike. Simbolikën e tij e bartë nga libri në libër dhe akordon një kontinuitet figurash të përzgjedhura individuale./KultPlus.com

Të ngjajshme