Kosova nuk ka trashëguar arkitekturë me të cilën mund të krenohet

Tetor 6, 2017 - 8:51 pm

Ndue Ukaj
Shkrimtari gjenial, F. M. Dostojevski, te romani “Te fyer e te poshtëruar”, ka një moment kur thotë: “në banesa të ngushta, edhe mendime janë të ngushta.”

Dostojevski, po të shihte katrahurën tonë urbanistike, disharmoninë e plotë, rrugët e trotuaret e ngushta, sheshet e pakta, kaosin urbanistik, betonin e pafund, ndërtimet pa shije estetike, do të thoshte se këtu formohen njerëz me mendime të ngushta.

Po, sepse arkitektura madhështore na flet dhe na fisnikëron, ashtu siç na flet një roman i mirë, një vjershë e bukur, një operë madhështore apo një pikturë tërheqëse. Me një fjalë, arkitektura ka fuqi të jashtëzakonshme estetike për edukimin dhe formimin e njeriut. Sidomos për formimin e ndjenjave estetike.

Përpara një objekti madhështor, qëndrojmë të stepur, meditojmë, flasim me të, marrim mesazhe.
Qytetari i Kosovës, i topitur nga mungesa e gjatë e lirisë, i trullosur nga barra e rëndë politike që mban tash e sa vite mbi supe, nga ligjërimi i pështirë publik, po ballafaqohet për ditë edhe me një fenomen tjetër shëmtues: kaosin urbanistik në rritje.

Një mik i imi, i dëshpëruar nga ky kaos, më tha: si nuk arritëm së paku të estetizojmë këtë kaos?
Kjo pyetje, për mua jetike, deri tani ka qenë një kambanë që ka ra për veshët e shurdhër.
Arkitektura humane, me hapësira, sheshe, tempuj bukurie, ndikon te njerëzit që ata të jenë më të qetë, më mendjehapur dhe më të lumtur. Në fakt, arkitektura nxit edhe ndjenjat e lirisë dhe të madhështisë.
Kosova nuk ka trashëguar arkitekturë me të cilën mund të krenohet.

Krahasuar me vendet tjera europiane, ku arkitektura ka një traditë të pasur dhe përbën vlerë të jashtëzakonshme, arkitektura në vendin tonë vazhdon të mbetet e shkretë. Na mungojnë ndërtimet madhështore, tempujt e bukurisë, sheshet, parqet, rrugët e bukura.
Por, askush nuk na pengon që të bëjmë një planimetri më të mirë për të ardhmen, përpos shpirtngushtësia dhe mungesa e kreativitetit që e zotërojnë jetën tonë.

Për rëndësinë dhe dimensionin simbolik të arkitekturës, ka shkruar semiologu dhe shkrimtari Umberto Eco. Ai ka thënë se përdorimi i kodeve nuk është i brendshëm për arkitekturën, sepse shumë kode arkitekturore, janë në fakt të një natyre simbolike, kulturore, shoqërore dhe politike, dhe për këtë arsye, arkitekti duhet të futë punën e tij në kontekste më të gjera dhe multidisiplinare, dhe shton se, arkitekti është një semiotik, antropolog, sociolog dhe politikan në të njëjtën kohë. Më tej Eco flet edhe për funksionet e arkitekturës, duke mos u ndalë të ai primari, por edhe te mesazhi që ajo jep.
Arkitektura e Kosovës, sot për sot, përçon mesazhin e kaosit./KultPlus.com

Të ngjajshme