“Ku i kishe sytë moj të plaçin sytë, ti që nuk ruan djalin”

19 Gusht, 2018 - 12:30 pm

Shkruan Lira Gjika.

“Ku i kishe sytë moj, të plaçin sytë. Moj ti që nuk ruan djalin. Po i ndodhi gjë djali, gjej vrimë ku të futesh”.

Ky dialog makabër vazhdon të jetë prezent në bisedat burrë grua, kur fëmija djalë, jo për fëmijën vajzë pëson ndonjë dëmtim apo sëmuret. Edhe pse janë shtuar baballarët që i duan vajzat e tyre si dritën e syve, prapë baballarët që bëjnë të tilla skena vazhdojnë të jenë shumicë.

Këto shprehje, babai i “përvëluar” ja drejton nënës së djalit . Ky njeri dhe baba, mos kujtoni se është nga fshati apo ndonjë injorant, përkundrazi është me shkollë të lartë, me specializime jashtë shtetit, punon në vende drejtuese në shtet, jep mësim në fakultet dhe është kudo në këtë vendin tonë. Ky lloj babai vetëm baba nuk është, sepse po të ishte i tillë nuk do të sillej kështu me nënën e fëmijës së tij dhe nuk do ta çorientonte në këtë mënyrë ekstreme fëmijën e tij djalë.

Këtij tip babai as i shkon në mëndje që djali i tij nuk mund të bëhet i rritur i sigurt, pa besimin tek nëna. Këta të rritur vijnë vetë nga eksperienca të tilla, ku baballarët e tyre me sjelljet e ashpra ndaj gruas, nënës së fëmijës, i kanë katandisur këta të rritur të paaftë për të dashur e besuar te gruaja. Ata kanë nevojë për gruan, por nuk mund të sillen mirë me të. Ata janë konfuz për shkak të pasigurisë dhe mosbesimit. Deri diku nuk dinë të jenë as të dhimbsur.

Ajo që është më e keqja, këta individë dinë të mësojnë, por janë të cunguar për ta përdorur njohurinë për të përmirësuar veten dhe kështu të mund të ndërpritet kjo mënyrë makabre komunikimi, që vetëm gjymton të rritur e të parritur. Këtij diskriminimi duhet ti vijë fundi sepse në radhë të parë dëmtohen vetë meshkujt, pra djemtë dhe burrat.

Duam apo nuk duam, na pëlqen apo jo, besim dhe siguria i kanë rrënjët tek nëna./ KultPlus.com

Të ngjajshme