Mitet e Pashkut

Tetor 5, 2017 - 3:18 pm

Fatbardha Hasi

Krijimtaria letrare e Anton Pashkut është studiuar dhe vlerësuar nga studiues të ndryshëm. Një pjesë e kritikës e ka pasur vështirë perceptimin e kësaj letërsie, janë dhënë mendime të pamatura për të vetmen arsyeje se, nuk ishin ballafaquar me herët me një letërsi të atij lloji. Ndërsa pjesa tjetër e kritikës e cila është marrë konkretisht më deshifrimin e shenjave të tekstit ka arritur të vërejë veçantinë dhe vlerën në krijimtarinë e Pashkut.

Pikëveshtrim ynë do të përqendrohet në identifikimin e mitit brenda veprës, konkretisht në roman dhe tregime.
Te romani “Oh” miti është i përfshirë në mënyra dhe gërshetime të ndryshme. Në fillim na shfaqet Plaku i cili rrëfen. Përmes rrëfimeve të tij shenjat e mitit bëhen më të pranishme dhe shkojnë kah lashtësia. Plaku kapërcen kohën e rrëfimit, ai del nga mali dhe i kthehet malit. Rrëfimi i tij është alegorik, mirëpo, nëse bëjmë lidhjen më shenjën tjetër siç është, barka-çifteli, shohim se ajo barkë që rri gjithmonë në ujë dhe nuk kalbet e as nuk mbytet, është vetë gjuha e plakut, e cila përcjell mençuritë dhe pleqëritë brez pas brezi, qoftë duke u rrëfyer apo duke u kënduar në çifteli.
Pashku, barkën e lidh edhe me mitologjinë hebraike, kur ai thotë: ajo nuk kalbet as kur bie shi katërdhet ditë e katërdhet net. Numri katërdhjetë na lidhet me barkën e Noas e cila për aq kohë u ka shpëtuar përmbytjeve nga shirat.

Simbolikë në vete janë edhe numrat si: treshi, shtatëshi dhe dymbëdhjetëshi, numra këta identifikues të traditës popullore. Numri tre është i përfshirë në të gjitha shtresimet e tekstit te romani. Më pas në tregimin Floçka, personazhit i duhet të udhëtojë për shtatë ditë e shtatë net e të kalojë shtatë bjeshkë, vetëm për ta takuar Floçkën e bukur (floçka ishte figurë e besimeve popullore shqiptare, që përfytyrohej si një vajzë e bukur me flokë të gjatë, e cila rrinte në liqene e në lumenj dhe dilte nganjëherë në breg për t’u krehur) që sheh në ëndërr.
Pashku mitizon kur cek lisat e mëdhenj në malin e plakut, gjerësia e të cilëve është aq e madhe sa zë në sgurë dymbëdhjetë ujqër e dymbëdhjetë desh të cilët nuk mund të takohen mes vete për shkak të asaj gjerësie. Figura e gjarprit që është simbol i besimit pagan tek ilirët, në traditën popullore njihet edhe si roja e shtëpisë, te romani Oh na del si roje brenda sgurës që u pamundëson ujqve gllabërimin e deshëve.
Përmes rrëfimit të Plakut thellohemi deri te lashtësia ilire. Aty ceken tri fiset e mëdha ilire, gjithashtu shfaqet trimëria e tyre e mitizuar, njëherësh Pashku e çmitizon atë trimëri me tradhtinë që bëjnë fiset ndër vete. Paganizmi dhe miti i besimit në diell i krijuar si Qerrja e diellit asocion tek ilirët që i faleshin dhe i luteshin diellit. Por kur Iliria bie nën pushtim romak për shkak të shkeljes së besës atëherë edhe Qerrjra e diellit shpërbëhet dhe mbesin vetë copëzat e saj, alegori kjo që ndërfutet në vepër e që aludon te shpërbërja e kombit apo shtetit.
Pashku çmitizon mbretin ilir Gentin, dështimet e tradhtitë e të cilit bëhën nga epshi dhe etja për pushtet.
Anton Pashku në veprimtarinë e tij ka të përfshira edhe mite astronomike që lidhen me yjesinë konkretisht. Në romanin Oh mizogami kërcen nga një yll në tjetrin duke ikur nga shtëpia e babait dhe e kaluara e tij e duke u drejtuar kah galaksia e pafund. Por, në tregimin Kitara, autori ka marrë përrallën për Diellin e Hënën dhe e ka përfshirë për efekte semantike në tregim. Sipas përrallës Dielli i prishë Hënës fytyrën e bukur pasi ajo e ka tradhtuar me një yll tjetër. Hëna është në linearitet me Vashën në tregim, e cila dëgjon rrëfimin nga djali. Naiviteti është lidhja që i bashkon Hënën e përrallës me Vashën e tregimit.

Koncepti i ëndrrës të Pashku si dysi, nëse në roman kemi Vashën e cila ëndërron një ardhmëri të lumtur zgjuar dhe vepron në favor të asaj ëndrre, te tregimi kemi Djalin i cili si pasojë e një ëndrre në gjumë fillon rrugëtimin e tij përplot me sfida, në tregimin Floçka.

Po të nisemi nga mënyra e rrëfimit, krijimi i stilit dhe gërshetimi i elementeve të reales me fantastiken, Floçka na del tregimi më fantastik i Pashkut që shkon kah lloj i miteve popullore siç ishin: martesat e dashuria e djemëve me Orët e Zanat e malit. Pashku qëllimisht vë në dukje lidhjen e tregimit me fantastiken. Ai që në fillim ndërtoi tekstin me frazën: Kur kishte zënë të ngjitet nëpër atë përpjetze – thotë përralla për të, përralla për të dhe tërë atë dashurinë e tij jo të rëndomtë – kishte pasë rënë terri. Në të njëjtën mënyrë kemi edhe përfundimin e tregimit i cili kap fantastiken dhe bëhet i tejkohshëm: Kurse nga liqeni i asaj bjeshke – thotë përralla mandej – kishte buruar diçka, që dukej si grusht drite. Dhe kishte bërë një hark të shkurtër nëpër qiell e kishte rënë pranë atij lisi qindvjeçar.

Këtu tregimi del i mbushur me situata të çuditshme si, bie fjala, djaloshi vrapon pas një vajze ireale vetem duke u bazuar në fjalët që vajza ia thotë në ëndërr?
Kur jemi te përralla, një shtresim të tillë e merr edhe tregimi, Nën qarr po rrinte vasha, ku bëhet realitet dashuria e ndaluar. Brenda këtij tregimi (si në përrallë) janë të gërshetuara e mrekullueshmja dhe e çuditshmja si rrjedhojë e të cilave realizohet dashuria. Ky është ndoshta i vetmi tregim ku Pashku na del më i kapshëm edhe për lexuesin e thjeshtë.

Në tregimtari Anton Pashku kryesisht bën rimarrje nga folklori dhe tradita popullore. Ai merr Kullën si shenjë që është simbolikë e qëndresës shqiptare. Kulla është në qendër e goditur dhe e sulmuar nga të gjitha anët, por ajo qëndron. Plaka shfaqet si Ora e Kullës, vdes në fillim të tregimit, por hija e saj na shoqëron deri në fund. Ajo lë pasuesin e saj që mundëson vazhdimin e qëndresës së Kullës.
Gërmadhat brenda kullës kanë simbolikën e tyre. Mbishkrimi në ato gërmadha prej të cilave vetem disa fjalë mund të lexohen meqenëse të tjerat i ka brejtur moti tregon për jetëgjatësinë e kullave. Ajo qëndron gjithmonë e pamposhtur, pra, është e kundërta e romanit ku vashës ia rrafshon era Piramidën e saj pavarësisht përpjekjeve që bën ajo për ta mbrojtur.

Kur kthehemi në fillim të punimit dhe kemi parasysh objektin punues që ishte: mitet dhe mitizimet në veprat e Pashkut, shohim që, ai merr mite e futë në tekst, krijon mite e po ashtu edhe çmitizon.
Ajo që vërehet qartë është lidhja me traditën dhe folklorin shqiptar, me gojëdhënën, këngën e përrallën, me besën e zakonin, që në shumë raste na vijnë të fuqizuara për efekte estetike e stilistike. Por, përfundimisht, vlen të theksohet se vepra e Anton Pashkut është shumë komunikuese dhe lë mundësi interpretimi dhe analizimi shumështresor./KultPlus.com

Të ngjajshme