Mitrush Kuteli, një shkollë e përhershme kundër batakçinjve

13 Shtator, 2017 - 11:40 am

Shkruan Ndue Ukaj

Sot është ditëlindja e kolosit të letërsisë shqipe, Mitrush Kutelit, të cilin duhet ta kujtojmë dhe nderojmë me pietet e admirim të thellë.

Sepse, një popull që di t’i vlerësojë heronjtë e vetë të kulturës, atë vështirë e mbërthen plogështia, nuk bëhet preh e gjithfarë ideologjish e të vërtetash të shpifura politike, nuk ndjek udhën e batakçinjve, por të heronjve të vërtetë të dijes e të kulturës. Veprat e mëdha, siç është ajo e Mitrush Kutelit, janë pasuri kombëtare dhe ndihmojnë shëndetin e shoqërisë.

Pa dyshim, një popull që di t’i nderojë heronjtë e vërtetë të kulturës, ai qëndron stoik përballë të këqijave që e godasin dhe ka imunitet të mbrohet nga murtaja e gjuhës. Ai nuk lejon që para syve të tij të krijohen profetë të rremë, ashtu siç ngjet me ne.
Mitrush Kuteli është nga ata personalitete që kanë merita të jashtëzakonshme në formimin e ndërgjegjes sonë kombëtare e kulturore.

Jeta dhe vepra e tij, janë një rrëfim që prek deri në palcë ndërgjegjen e njeriut.
Në momentet dridhmuese të jetës së tij, në testament drejtuar gruas Efterpit, ai shkroi: “Profesionismi në letërsi, në vëndin tonë, është, hë për hë, një rrugë vuajtjesh, buka e tij është e hidhur. E hidhur, them, për atë që s’di marifete dhe hipokrizira. Tereni i letërsisë është një tokë tek gëlojnë gjerprinjtë. Të vrasin shokët, se ju bën hije. Dhe kur nuk u bën hije do të thotë se nuk je i zoti për letërsi.”

Pas kaq vitesh, ky profetizim i tij tingëllon tmerrues. Sepse letërsia shqipe vazhdon të jetë po kjo që na e përshkruan Kuteli.

Kuteli, ky mjeshtër i madh i rrëfimit, e gjeti rrugën e madhe të letërsisë dhe i dha kulturës shqiptare një vepër të pasur për jetë e mote. Një monument dije e arti, një vepër që na bën nder dhe na lartëson. Po, ai la një vepër që nuk mund ta trandin kohët, politikat e ideologjitë, sepse ajo ka fituar pakohësinë.
Kuteli, si pakkush, tregoi një dashuri krejtësisht të veçantë për atdheun. Testamenti i tij për fëmijët e tij është testament për secilin shqiptar që e do vendin e vet. Ai i porosit fëmijët që “ta duan vendin dhe gjuhën tonë gjer në vuajtje. Të mos u shqasë zemra kundër Shqipërisë as kur do të vuajnë pa faj. Atdheu është atdhe, bile edhe atëhere kur të vret. Këtu kanë lindur, këtu të rrojnë me mish e shpirt, qoftë edhe me dhembje.”

Kuteli shkroi në mënyrë të veçantë edhe për Kosovën, për të cilën tregoi një dashuri të pashoq poetike.
E Kosova është e mbushur me gjithfarë përmendoresh e monumentesh, me vlerë e pa vlerë, me heronj të gjithfarshëm, por jo me heronj të kulturës. Kosova deri sot nuk i bëri një vend këtij kolosi, ashtu siç nuk u bëri vend dy personaliteteve shumë meritore, Ernest Koliqit dhe Martin Camajt.
Duke e nderuar dhe lartësuar Kutelin, ne e nderojmë dhe lartësojmë vetveten./ KultPlus.com

Të ngjajshme