Nëna, thelbi i poetit të madh shqiptar

25 Dhjetor, 2017 - 2:30 pm

Kam shkruar edhe më parë për poetin e madh Frederik Rreshpja. Në disa krahasime e epitete kam provuar, tejet modësisht, të vendos figurën e tij në atë piedestal që meriton, duke u mbështetur në studiues e lexues të tjerë të veprës së tij.

Sot, kur festat kanë ardhur (të gjithë themi “festat po afrohen” dhe askush nuk thotë më pas “po largohen!), dëshiroj që nëpërmjet disa kujtimeve të njerëzve të tij të afërt dhe poezisë së tij, të tregoj atë anë të Fredit që duhet të njihet patjetër nga çdokush.

Frederiku jo vetëm shkroi poezi, por e jetoi jetën si një poezi.

Nisur nga kjo, njeriu qendror i jetës së tij, nëna, shfaqet ashtu si ishte në poezinë e Fredit. Në nënën e Rreshpjes, mendoj se gjithkush (pardon për klishenë!) gjen pak nga nëna e vet. Në poezinë e tij, gjithkush gjen disa vargje që do të donte t’ia kushtonte së ëmës.
Personalisht, nënën në poezi (në poezinë serioze e kam fjalën, jo në poezinë e mahallave!) e kam njohur nëpërmjet të madhit Esenini. Me hijeshinë e vargut të tij dhe me forcën e tij shprehëse, Esenini jep raportin amë e bir në dimensionin tokësor, por duke shkaktuar ndjesi mbitokësore. Kësaj nëne, Rreshpja i kushton edhe një poezi në të cilën përshkruan atë në varrimin e të birit.

Në një artikull të Myftar Gjanës botuar pak ditë pas vdekjes së poetit në gazetën “Dita”, tregohen disa fjalë që Rreshpja thotë në një moshë të madhe, shumë pak ditë para se të vdiste “Si do t’i bëhet hallit tim? Askush nuk më do tanimë. Nëna më ka vdekur, ka kohë.” çka tregon se Rreshpja, as në kujtimet e tij, nuk kishte dikë tjetër që mund t’i kërkonte t’i rrinte pranë, përveç së ëmës.

Poezia e parë që Rreshpja i kushton së ëmës (ai vetë thotë në këtë poezi se e ëma e shihte duke shkruar, por asnjëherë nuk e pyeste përse nuk i shkruante asaj!) është poezia “Nëna”.

Ka filluar të plaket nëna. Fytyra e saj po mbulohet me rrudha.
Po mbulohet me një pleqëri të bukur.
Ç’është kjo rrjetë që hedh koha mbi nënën time?

Dhe duart që më mbanin mua tani janë rënduar.
Po s’ka gjë, nga shpirti i saj
Zgjaten duar të tjera që më mbajnë pezull.

Ecën ngadalë nëpër dhomë.
Nganjëherë më pyet për librat që po shkruaj
Por s’më ka pyetur ndonjëherë nëse po shkruaj për të.

Se nëna e di:
Fjalën e parë në botë ia kam thënë asaj
Dhe fjalën e fundit asaj do t’ia them.

Kjo poezi, mjaft e bukur kur e lexon si të ndarë nga poezitë e tjera që i kushtohen po nënës, e humbet shkëlqimin kur shihet si gjeneza e sa e sa poezive të tjera. Sepse duket qartë: Rreshpja shkruan për atë që i mungon! Në këtë poezi, ai i shkruan nënës që ka, ndërsa në të tjerat, nënës që kishte!

Elegji për nënën
Një avion ikën tutje përmes mjegullave
Si fatkeq i përzënë nga selia e zotave.
Ah, ku ke rënë kështu, ku je tretur!
Ka mbirë bari nga sytë e ty,
Ka mbirë bari nga zëri yt.

Nga kodrat po vjen nata duke u lutur për ty,
Është ora kur hijet bien në gjunjë.
E ti rrin aty nën tokë
Te mermeri i rrëzuar i perëndive…

Tani që ti nuk je, dafina nuk gjelbëron më
Vetëm zëri im i djalërisë jehon mbi gjethet e verdha
E dafina vendos kurora mbi lavdinë e muzgut.
Ishte një botë e tërë kur ishe ti
Po erdhi kjo vetmi e madhe që fshiu gjithçka.
Tani vetëm diku në horizont
Bëjnë kryq vetëtimat e nxjerrin thikat.

Ah, ku ke rënë kështu, ku je tretur!
Nënë, Nënë! do të vinë dëborat,
Do të bien mbi barin që ka mbirë nga zëri yt.

Por kjo nuk është gjithçka. Për Fredin, nëna ishte shumë më shumë se kaq. Ishte hyjnore aq sa e krahason me Shën Mërinë dhe i drejtohet njëlloj si asaj:

Ave, nëna ime
Rri në shi. Kjo gjë është e vetmja gjë që dua.
Ç’është ky? pyesnin pikat e shiut mbi ballin tim.
Kështu kam dëgjuar zërin e shiut,
Një ditë vere rrëzë lisit plak
Te porta lënë hapur për zogjtë.

Ah, kur isha i ri dhe i bukur, kujtoja
Se tërë shirat e botës binin për mua.
Po tani kanë kaluar kaq shumë vite
E di se s’ka asnjë kuptim që bie shi.

Iku dhe nëna ime nën një shi prej mermeri
Nga arkeologjia e perëndive që rrëzoheshin.

Ave, nëna ime!
Vetëm tek ti kam besuar,
Zot tjetër nuk kam pasur kurrë, Amen!

Në fund të këtij prezantimi modest të bërë për një ndër përbërësit kryesorë të poezisë së jetës së Rreshpjes, dua të vendos diçka tjetër që ai thotë, skalitur për të mos u tretur në harresë nga Petrit Palushi në librin “Frederik Rreshpja që s’e kuptuam kurrë”:

Piva ilaçet – më tha [Frederiku]. I pi vetë. S’ka kush m’i jep në kohë se nëna më ka vdekur. Një ditë m’u duk sikur po më thirrte nëna: Fredi, mos harro ilaçet…
Fredit i rrodhën lotët.

© Andreas Dushi | Konica.al
*Poezitë janë marrë nga libri “Duke kërkuar Itakën”, shtëpia botuese “Princ”, 2016.

Të ngjajshme