Ngritja e pandalshme e Bekim Lumit

15 Qershor, 2018 - 10:41 pm

Stefan Çapaliku

Unë zuna vend diku në mes, nga fundi i sallës së Teatrit Kombëtar të Prishtinës, bri një burri të madh e të veshun me kostum të zi. Zotnia qe mjaft i bashem në trup, por në fakt jo edhe aq sa të mos më lironte të pakten tre-katër centrimetra katrorë te mbështetsja e përbashkët e krahut. Por hajt! Shfaqja filloi dhe unë bana disa herë tentativa të llojllojshme për të zaptue territorin tim të humbun që në krye të herës, por më kot. Atëhere u struka, u zhyta mbështjellë ndër gjymtyrët e mia dhe dalëngadalë e pashë veten të fundosun në përformancën e Bekim Lumit, që si duket po më merrte me vete pa mëshirë.
Më duhet të jua them që në krye të herës se gjithmonë ka qenë një privilegj i madh për mue të merrja pjesë në performancat e Bekim Lumit, këtij regjisori qe nuk i pushoi njëherë kërkimet në laboratorin e vet teatror, si të jetë duke kërkue prodhimin e arit 24 karatësh, nëpërmjet përzgjedhjes dhe bashkimit të disa trupave njerëzorë në marrëdhe të defamiljarizueme me njeni-tjetrin dhe ndër funksione të deautomatizueme të qenies.
Dhe me të vertetë që kështu kaloi edhe darka e mbramshme në Prishtinë. Një darkë e shoqnueme me katarsin e e atyne që kishin agjërue, që prej një mueji dhe me katarsin e qiellit që nuk e rreshti shiun përgjatë gjithë kohës.
Performanca e “Arturo Ui” të Bertold Brehtit, ma aktuale se kurrë dhe ma e rrënqethshme se anjëherë, nisi dhe u shoqnue për gjatë gjithë kohës prej dy elementësh bazikë të perceptimit të realitetit: një perdeje të hekurt e të përbamë prej “bishtalecash” metalikë, të pakëputshëm, që të rrinin gjithë kohës para syve dhe prej saundit, tingullimit, të një kitarre elektrike, që përcillte te ne të përkthyeme aspektet formale të fjalëve, përtej dhe matanë kutimeve të veta.
Regjisori Bekim Lumi, që i ka ndenjë pranë procesit prej ma pak se një viti ia kishte dalë që ta shndërrojë këtë vepër në një ngjarje të madhe e historike të teatrit shqiptar.
Duhet ta dimë se nga kritika “Arturo Ui” shpesh konsiderohej si një vepër “e vogël” nga ana e Bertolt Brecht sepse në asnjë rast ai nuk e krahasonte me tekste të tjera të vetat, si”Nëna Kurajë” apo “Galileo Galilei” apo me më të njohurën “Opera për tre groshë”. Megjithatë, fati i dramës “Arturo Ui” krahasuar me atë që gjermanët e quajnë Ëirkungsgeschichte, (që mund të përkthehet si “histori e efektivitetit”) nuk ishte kurrë i varfër apo i parëndësishëm. Edhe rasti i mbrëmshëm e vertetoi këtë.

Shkatërrimi i murit të katërt, adresimi i batutave, kalimi nga dialogje në monologje të shkurtëra e agresive, kërcënuese dhe të frikshme për spektatorin e aktualizon deri në pamphlet veprën teatrore të Bekim Lumit.
Nga ana tjetër, referencat që vetë teksti ka ndaj tragjedive klasike është konfirmuar nga një seri prej katër citateve të qarta që aktorët e Bekim Lumit me organicitetin e vet përpiqen ti fshehin në procesin e këtij aktualizimi.
Nga pikpamja estetike, minimalizmi, konceptualja dhe natyralizmi fotografik e çojnë performancën e Bekim Lumit në ujërat e artit bashkëkohor, duke e shpallë artistin në mënyrë organike si të tillë.
Dhe duke mendue të gjitha këto sende në mënyrë kështu spontane e të rrëmujshme vuna re pa pritë se krahu im ishte hapë dhe e kishte zaptue të gjithë mbështetësen e përbashkët me “mikun tim” me kostum të zi, që nuk di pse qe zvogëlu e zvogëlue aq sa mos me ia vue mendjen.

Të falemi nderës Bekim Lumi!

Të ngjajshme