Po të ishim pa’ me veten sy më sy, a ishim puth’, a ishim pshty’

4 Janar, 2018 - 4:00 pm

Nga Kozeta Kurti

Jam aq e guximshme për të thënë që e kisha marrë veten me shpulla, sepse jam e pafuqishme dhe e vetme për ta mbajtur larg dorën e gjakatarit që të vret natën e ndërrimit të viteve, ku mes mijëra hallesh, edhe më i pafati, edhe më i varfri, edhe më i vobekti, edhe më i diskriminuari, edhe më i dhunuari, kërkon të festojë, ashtu sipas mundësive të veta.

Jam aq e guximshme për të thënë që e kisha marrë veten me shpulla, sepse jam e pafuqishme dhe e vetme për t’i kërkuar llogari një grupi njerëzish që s’i zgjodha me emra, por u zgjodhën me numra e që tani kanë në dorë fatin e jetës sime e vendosin për shkollimin tim, për kurimin tim, për urinë time, për etjen time…

Jam aq e guximshme për të thënë që e kisha marrë veten me shpulla, sepse jam e pafuqishme dhe e vetme për ta nxitur forcën time të reagimit e për t’u zgjuar nga letargjia e pafundme.

Do të doja të kisha të drejtë kur e lë fëmijën tim me orë në duar çerdhesh, kopshtesh, shkollash e dadosh, duke humbur magjinë e rritjes së tij, por jam e pafuqishme për ta bërë, sepse herë nevoja, herë rutina, herë makutëria, herë papjekuria, herë egoizmi, ma kanë mbyllur shpirtin me dryn.

Do të doja të kisha të drejtë kur i mbyll prindërit në shtëpi të moshuarish, sepse nusja e vëllait nuk i duron dot të mitë e unë nuk duroj dot ata të bashkëshortit, por s’kam e ndaj me veten s’puthem dot.

Do të doja të kisha të drejtë ndërsa kam harruar dyert e gjyshes, dajës, hallës, tezes, xhaxhait e kujtohem për to për angari dasmash e vdekjesh që dreqi e mori, tani e gjetën, se kemi pasur shumë shpenzime për darkën, fustanin, fishekzjarrët e Viti të Ri, por jam aq e guximshme sa të them: je e pistë për të të puthur.

Do të doja të kisha të drejtë kur u nisa mesazh të njëjtë të gjithë kontakteve që kam në telefon, duke e ditur që njerëzit ose nuk duhen, ose duhen me dashuri të ndryshme, por s’kam të drejtë dhe jam aq e guximshme për të thënë se e bëra sa për sy e faqe, ndaj s’të puth dot vete, se ti ke harruar të duash, madje ke harruar edhe nevojën që ke për t’u dashur.

Do të doja të kisha të drejtë kur zhyta dikë për të dalë në sipërfaqe vetë, se fundja në lojë shkon për të fituar dhe nuk ka rëndësi mjeti, por qëllimi, por e di që s’kam, sepse lumturia ime nuk mund të ndërtohet mbi fatkeqësinë e tjetrit, ndaj si të të puth moj vete?

Do të doja të ishte e vërtetë që pas flokëve të stiluar në parukieri, kostumit fringo, takave spilë e bizhuve plot dritë, pjatave me dekor e shampanjës së shtrenjtë, të mos fshihej një shpirt bosh, sy pa jetë e një përpjekje e dëshpëruar për të kapur lumturinë, por e di që është shkëlqim i rremë, ndaj si të të puth moj vetja ime e pavërtetë?

Do të puth vete, kur të mësosh e të kuptosh ç’është dashuria; ajo që lind nga gjestet e vogla ose shqetësimet e mëdha. Vetëm ajo të udhëheq drejt zgjidhjes; të tjerat janë stërmundime për të fshehur e manipuluar mungesën e saj. Nuk ka rëndësi sa merr e sa jep, por të marrësh e të japësh.

Unë jam aq e guximshme sa të them: “Vete! Eja në vete!” Po ti?

Të ngjajshme