Borxhet e mia

30 Qershor, 2018 - 8:22 pm

Xhevahir Spahiu

Do të vdes,
do të vdes i mbytur në borxhe,
s’është asgjë mbytja në lumë
a në dhomat e gazit,
i kam borxhe nënës
që s’ia ngrita varrin,
i kam borxhe lisit
qe s’ja hodha pjergullën,
i kam borxhe dashurisë
që i vodha të dielën,
i kam borxhe krimit
që si vura emër.

Do të vdes,
do të vdes i mbytur në borxhe,
i kam borxhe fjalës
që s’e pashë në ëndërr,
i kam borxhe korbit
që s’ia zbardha pendët,
i kam borxhe vitit ’13
që s’ia mbylla plagët,
i kam borxhe ardhmërisë
që e lashë te pragu
terrin e një kohe të largët.

Do të vdes,
do të vdes i mbytur në borxhe.
U kam borxhe të gjallëve,
u kam borxh të vdekurve,
gurin e varrit do ta shes,
të laj borxhet.

Dhe vë pikën këtu.

Tani mund të flisni për borxhet që më keni ju.

Të ngjajshme