Dashuri e vështirë

2 Janar, 2018 - 4:30 pm

Poezi e shkruar nga Dritëro Agolli.

Ti në kanape tani dremit
Ndofta gjumi ende s’të ka zënë,
Abazhuri mbi qerpikë ndrit
Libri nga gishtërinjtë të ka rënë.

Para teje ndal mendimi im:
Jemi dashuruar edhe sharë
Jemi ndarë shpesh në udhëtim,
Por drejt njëri tjetrit kemi ngarë.

Dhoma hesht e rruga larg gjëmon
Ti sheh ëndrra kaltëroshe shumë
Unë, ndonëse pi dhe mogadon,
Mezi fle, se jam njeri pa gjumë.

Të kam pasur ëndërr çast e orë,
Ëndërr të trishtuar dhe të mirë
Po të jem vërtetë një Pitagorë
Ti je teorema më e vështirë…

Të ngjajshme