Ferrparajsa

Mars 12, 2018 - 7:00 pm

Poezi e shkruar nga Xhevahir Spahiu

Pa pikë pezmi vdes qysh nesër
po fundja fatit pse t’ia prish
Pushtoma shpirtin, verë e vjetër,
më lidh me pranga perëndish.

Shkëlqen parajsa përmatanë,
s’ka ferr e terr e tmerr pa fre,
se nga të gjithë qe shkuan e vanë
asnjë s’u kthye prapë mbi dhe.

Por cfarë mërzie e përzishme
rrafshirë e botës n’ameshim!
Pa pabesi të befasishme,
Pa një përplasje, një tundim.

M’u ndiz në deje zjarr i are,
me prush e afsh më përkëdhel.
Njëmijë demonë ta heqin zvarrë,
I zmbraps ky dufi yt rrebel!

Me yjet flet kur pret vetëm
në ferrparajsa gjithësish.
Plugoma shpirtin, verë e vjetër,
të thyej pranga perëndish.

Të ngjajshme