Kur isha i ri kisha dashuri

23 Prill, 2018 - 7:30 pm

Poezi e shkruar nga William Shakespeare
Përktheu: Fan Noli

Kur isha i ri kisha dashuri,

ah dashuri,

E kisha zëmrën plot me lumtëri,

Me nuse e me dasm’ e me kurorë,

Isha si dash me brir’ e me këmborë,

Po e pabesa pleqëri më theu,

ah më theu,

Me pançën e me thonjtë më mbërtheu,

Më çthuri, m’arratisi në kurbete,

ah kurbete,

Në male, në shkëmbinj, në pronj e dete.

Një bel, një bel, një kaz’m e një lopatë,

ah lopatë,

Dhe një savan i gjërë dhe i gjatë;

Një grop’ e thellë dhe përsipër baltë,

ah moj baltë,

Kështu e do kjo mysafir’ e naltë.

Të ngjajshme