Në një të ardhme, mbase asnjëherë

18 Korrik, 2018 - 8:50 pm

Nga Endrit Krasniqi

E di se do e lexosh këtë poezi, mbase do jesh duke shfletuar rrafshe të bardha
në vendin ku jo çdo njeri përket,
kokën e rënduar do ta kesh, gishterinjtë e tu do zgjaten nga dora jote e vogël dhe do prekin magjinë e cila nuk i jepet për barrë çdokujt,
mbase do të ç’lodhesh,
ndoshta do tërbohesh nga gëzimi
apo nga iluzionet e asaj që dikur ke mundur të jesh
Por mos e mallko veten,
ndoshta kjo është arsyeja pse po e lexon këtë poezi.

Gjithçka do ketë ndryshuar, do jenë shkruar libra për gjërat që nuk kishin përgjigje,
gjatë procesit mbase është deshifruar gjithçka
Apo ndoshta çmenduria do ketë arritur kulminacionin ku çdo gjëje do i jepet përgjigje pa e shkruar,
do flasin për dashurinë, pasionin, jetën pa e shijuar atë.

E di se do e lexosh këtë poezi kur do jesh në urat apo tunelet e labirintit të quajtur kohë,
kur asgjë nuk do ta bëj zemrën tënde të rrahë fort
nuk do e bëj as kjo poezi.
Mbase copëzat e tij janë shpërndarë, hidhu në aventura në kërkim të asaj që mungon, të nevoitet
E vetëm ti mund ta gjeshë.

E di se do e lexosh këtë poezi në zyrën tënde
duke sharë mëngjeset pse janë të hershme
Duke pyetur veten pse perëndimet janë të bukura dhe pse shfaqen vonë, duke menduar arsyet pse s’ke takuar disa persona,
pse ke hequr shikimin nga ajo që ke dashur dikur, mbase akoma vazhdon,
t’i mendosh dhe njëherë arsyet pse s’ka njeri të t’pres në shtëpi
dhe pse shtëpia e jote nuk është tamam e definuar.

Derisa përkëdhel qenin tënd do kuptosh se disa gjëra dashurojmë pa arsye, dhe se nuk do t’i kuptosh asnjëherë fjalët që nuk u thanë
Ndoshta as çmendurinë time.
Në rubinetin e kuzhinës tënde do rrjedhë ujë,
do kuptosh se asgjë nuk kthehet si dikur,
por nuk do arrishë t‘i kuptosh arsyet e ikjes.

E di se do e lexosh këtë poezi duke menduar për personat që ke dashur, disa nga të cilet mbase vazhdon t’i dashurosh akoma,
por në vende sekrete sa vet universi do kishte vend dhe për të tjerë që hapsirë s’ju dhe,
mbase do jesh bërë pishman për udhëtimet që s’ke nisur, dashurinë që s’ke falur, vërenjtjen
që nuk lejove të ta heqin nga sytë
Duke u frikësuar se njerëzit shkatërrojnë gjërat e bukura.
Të mendosh akoma ashtu më tmerron dhe pse nuk të njohë
Ngase e di se je duke e lexuar këtë poezi.

Në parkun përballë do shafqen kujtimet si meteorët, nuk ke pse frikësohesh,
me siguri ke krijuar yjet e tu,
nga lumturia e tyre do harrosh gjithçka; premtimet që ke dhënë për bifurkacionin
së bashku me dizajnin e shtëpisë që do ndërtonit në hënë.
Kështjella e qelqit do jetë thyer
Ndoshta fillimi i saj fillin nuk e gjeti kurrë.

E di se do e lexosh këtë poezi ngase njerzit harrojnë
Ose bëjnë sikur, ti vazhdon t’i përseritësh gjërat e vogla që kanë kuptim për ty, mos u mbyll në kullla harrimi.

Kur rrugët nuk bashkojnë më mos mendoni se çdo gjë ka marrë fund,
do mësoheni pa njëri-tjetrin sikur dallëndyshet kur ua shkatërruam strofullat, ato gjetën shtëpi të re.
Fjala e nisur shpejt mund të vras gjithçka në sekonda, mund të ndërtoj dhe harqe bashkimi.

E di se do e lexosh këtë poezi
se s’do kesh gjë tjetër për të bërë ndoshta,
qielli nuk do jetë i purpurt më
Gjithçka do jetë e metalt sikur ky shi,
në qetësi do kërkosh të strehohesh diku
për t’ia mbyllur dyert botës së marrë
dhe gjërave që zotëroje dikur
Të cilat përfunduan duke të t’zotëruar ty.

Kur larg ëndrrave të jesh dhe ta kuptosh se ke bërë luftën e gabuar,
Dhe një herë gishterinjtë e tu nga dora jote e vogël do zgjaten për në raftin e ëndrrave
Unë e di; do jesh duke lexuar këtë poezi.

Të ngjajshme