Përtej dashurisë

9 Shtator, 2017 - 9:50 pm

Poezi e shkruar nga Rumiu.

Në qoftë se nuk di të duash,
Mëso të duash,
Patjetër përpiqu të duash
Çdo gjë që të sheh syri,
Çdo gjë që percepton,
Çdo gjë që mund të imagjinosh
Duaje, duaje,
Të duash mëso
Edhe çdo gjë që dëgjon,
Çdo gjë që ndodhet në këtë univers…
Asgjë të shëmtuar s’ka në këtë botë,
Asgjë, pale sa e rëndomtë të të duket,
Një insekt sa i vogël po as ai
i shëmtuar nuk është,
Një fije bar merre në dorë
Sa e brishtë a nuk e sheh?
Duaj lulet, gurët, retë,
Çdo gjë me formën, ngjyrën, kuptimin e saj,
Duaje, duaje,
Mëso të duash,
Përpiqu të duash,
Bota për dashurinë tënde është krijuar,
Më parë mëso dashurinë,
Shiko një vogëlush,
Sa i mrekullueshëm,
Mendo dhe ata që e sollën atë në jetë,
Sepse kjo botë është krijuar për dashuri,
Duaji njerëzit,
Ata për të mos qenë vetëm
Pranë teje të jenë
Për këtë, vërtetë për këtë,
Janë krijuar,
I gjithë universi
Me zinxhirë të dashurisë është lidhur,
Prandaj edhe ti,
Të japësh dashuri mëso!
Sepse dije, në shpirtin tënd,
Për të gjitha këto paska vend,
Mos harro,
Bota vetë trembet nga njerëzit
Pa dashuri,
Dhe nga frika,
Prej tyre largohet,
Apo më e keqja, ju bëhet armike,
Prej vetes i largon,
Duaje edhe vdekjen,
Mëso ta duash që të dish se ka një Përjetësi…
Dhe nëse të duash mësove,
Edhe të tjerëve duhet t’ua mësosh,
Që me sekretin e mrekullueshëm të kësaj bote,
Njerëzimit t’i shërbesh…

Të ngjajshme