Poezia fituese e KultStrofa “Po të due unë” vjen edhe me videoperformancë (VIDEO)

5 Mars, 2018 - 9:30 pm

Poezia fituese e edicionit të dytë të “KultStrofa”, që u mbajt së fundi në Prishtinë, nën organizimin e KultPlus, ka ardhë edhe nëpërmjet një videoperformance, shkruan KultPlus.

“Po të due unë”, është poezia fituese e autores Arjola Zadrima, por kjo poezi së fundi është sjellë edhe nëpërmjet videoperformancës. KultPlus ju sjellë edhe poezinë e plotë, por edhe videon, video që tashmë është lansuar edhe në YouTube. Kjo videoperformancë është realizuar në Scriptum n Sonus, kurse ideja për realizimin e kësaj videoje është nga Liridon Mulaj, sikurse që është lexuar poezia po nga ai, kurse koncepti i videos është realizuar nga Altin Sulaj.

Arjola Zadrima

Po të due unë

Ba me dashtë unë
pranvera zgjohet në mes të dimnit.
Andrrat jargaviten si lule kacavjerrese
ndër muret tuej të naltë.
Ba me dashtë unë liria jote
del prej guackës
e shndrit perlë në qafën teme
të bardhë.
Ba me të dashtë fort unë
jehona e stuhisë tonë
ndihet deri në agim.
Dielli lind në gojën tande
e vdes në gjinjtë e mi.
Por unë nuk due
se poetja në mue, fle nën borën e trishtimit
e të rrëshqet shpinës
veç kur ti e shkrin./KultPlus.com

Të ngjajshme