Era Istrefi për ‘Forbes’: Dua të bëhem si Beyonce

18 Korrik, 2017 - 2:43 pm

Era Istrefi është një nga këngëtaret shqiptare më me famë në botë, momentalisht. Hiti i yllit “BonBon” ka realizuar të premten një intervistë me revistën e famshme amerikane “Forbes”.

“Njihuni me yllin e ardhshëm të muzikës pop”, shkruhet në titullin e artikullit të publikuar nga “Forbes”, ku në brendësi përmban intervistën me Era Istrefin.

“Forbes” shkruan se Era Istrefi ishte e famshme edhe më parë në vendin e saj në Kosovë dhe në Evropë, por sipas revistës amerikane, këngëtarja nga Prishtina mori vëmendje edhe përtej oqeanit Atlantik, kur publikoi këngën “BonBon”.

Kjo këngë e Istrefit ka arritur në më shumë se 400 milionë shikime në kanalin e internetit, Youtube.

Pjesë nga intervista e “Forbes” me Era Istrefin:

“Forbes”: Çfarë keni vërejtur nga performanca në Coachella që keni dëshirë të përmirësoni?

Istrefi: Dua të jem në gjendje të kërcej më shumë, sepse e dua shumë vallëzimin, por më mbaron frymëmarrja. Unë vetëm dua të bëj më shumë kërcim. Kështu që, unë dua të bëhem Beyonce.

“Forbes”: Pra, në një shkallë nga 1 deri në 100 – 100 duke qenë Beyonce, ku e vendosni vetën tani? Çfarë duhet të bëni për të arritur Beyoncen?

Istrefi: (Qesh) Në fakt unë po qesh sepse nuk dua ta marr aq seriozisht jetën. Sinqerisht, unë dua të jem Rihanna sepse ajo nuk e merr jetën seriozisht, ajo e shijon jetën e saj si një person normal. E përsosura të lëndon.

“Forbes”: Pra, ku qëndroni ju në “nivelin e Rihannas”?

Istrefi: Ndihem sikur jam në kapitullin e dytë dhe ajo është në kapitullin e 20-të, kështu që nuk mund ta krahasoj veten time me të. Audienca dhe fansat më krahasojnë me të, duke thënë se kemi zëra dhe ndjenja të ngjashme, të cilat me të vërtetë i dua, sepse ajo ka qenë një ndikuese e madhe në mbarë botën dhe unë u rrita duke e dëgjuar atë. Por unë kam më shumë për të bërë, ju nuk mund ta mposhtni përvojën. Kjo do të marrë kohë. / KultPlus.com

Të ngjajshme