Martin Garrix i befasuar me energjinë në Kosovë

Gusht 12, 2018 - 7:30 pm

Një ndër DJ më të njohur në botë, Martin Garrix sonte do të pushtojë skenën e “Sunny Hill Festival” që po mbahet në qytetin e Prishtinës, në Gërmi.

Ai në konferencë për media ka thënë se është shumë i lumtur që gjendet në Kosovë, transmeton Koha.net.

“Jam shumë i emocionuar të jem këtu, pjesë e kësaj ngjarje të mrekullueshme. Ekipi im ka punuar shumë për të bërë gati gjithçka në skenë. Dhe jam shumë shumë i emocionuar për performancën e sotme dhe besoj se do iu pëlqejë”, është shprehur Martin Garrix.

Ai thotë se ndjehet shumë krenar që ka pasur rastin të bashkëpunojë me dy këngëtaret shqiptare, Dua Lipën e Bebe Rexhën, me të cilat kishte sjellë këngët “Scared to be Lonely”, përkatësisht “In The Name of Love”.

“Jam vërtet shumë krenar për të dy këngët e bëra, me Dua Lipën dhe Bebe Rexhën, dhe ende kur i shfaq e shoh se janë këngë të çmendura me zërat e mrekullueshëm të Duas e Bebes”, është shprehur DJ nga Holanda.

Garrix thotë se është befasuar nga energjia e mirë që ka parë në Kosovë.

“Më parë nuk kam ditur shumë për Kosovën. Por, jam befasuar nga ajo që kam parë këtu, e dua energjinë që ka. Që në momentin kur kam ardhur këtu e kam parë se njerëzit janë shumë miqësor, e për mua gjithçka ka të bëjë me energjinë, vërtet jam shumë shumë i lumtur të jem këtu”, ka thënë ai.

22 vjeçari nuk ka lënë pa e komplementuar Dua Lipën, për të cilën tha se është gjeniale.

“Dua është gjeniale. Kam punuar me shumë njerëz, dhe për mua është e rëndësishme që të lidhem me dikë dhe pasi të bashkëpunoni do të jeni bashkë në turne të ndryshëm rreth botës. Unë dhe Dua tanimë jemi bërë miq të mirë”, shprehet ai.

Martin Garrix ishte kurioz të mësonte edhe disa fjalë në gjuhën shqipe, dhe të parën e mësoi “faleminderit”./ KultPlus.com

Të ngjajshme