Ansambli “Shota” shpreh ngushëllime për Çelikun: Po të ishte dhimbja një objekt që do ndahej, juve nuk do t’ju ngelej asnjë thërrime

Janar 12, 2018 - 3:15 pm

Lajmi për vdekjen e valltarit të njohur, Rexhep Çelikut ka tronditur gjithë publikun shqiptar, ndërsa me dhimbje e krenari këtë humbje e ka përjetuar edhe Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe i Valleve “Shota”, shkruan KultPlus.

Me anë të telegrami të shkruar nga drejtori i Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe i Valleve “Shota”, ShefqetGjocaj ka shprehur ngushëllimet për familjen Çeliku, ndërsa humbjen e valltarit e ka konsideruar të pakompensueshme për artin shqiptar në përgjithësi dhe në veçanti për atë koreografik.
KultPlus ju sjellë të plotë këtë shkrim:

E nderuara familje Çeliku,
Shumë të nderuar kolegë të Ansamblit Popullor të Këngëve dhe Valleve dhe të TKOB,
Me hidhërim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të Korifeut të valles shqipe, Rexhep Çeliku, “Mjeshtër i madh” dhe “Nder i Kombit”. Duke e konsideruar si një humbje tepër të madhe dhe të pa kompensueshme për artin shqiptar në përgjithësi dhe atë koreografik, në veçanti, me lejoni që nëpërmes kësaj letre të shpreh ngushëllimet më të thella, në emër të punëtorëve të Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota” dhe në emrin tim personal. Më besoni, të dashurit e mij, se po të ishte dhimbja një objekt që do ndahej në pjesë, juve nuk do t’ju ngelej asnjë thërrime. Sepse “Xhepi” ishte i të gjithëve dhe ashtu siç jemi mburrur më të, të gjithë, ashtu ndjejmë edhe dhimbjen për shkuarjen e tij në amshim. Gjithsesi, ai ishte njeri me fat! Duke arritur të realizohej në nivelin më të lartë të mundshëm, në artin e tij, ai u bë i gjithëkoh’shëm: Edhe sa ishte gjallë, ishte sinonim dhe frymëzim! Dhe i tillë do të jetë përgjithmonë, gjithnjë përderisa përmendet dhe luhet vallja shqipe. Gjithnjëpërderisa kujtohen dhe nderohen Korifenjtë!
Pusho në paqe artisti i kombit tim!
LAVDI!
ShefqetGjocaj, drejtor./KultPlus.com

Të ngjajshme