Bekim Lumi emblema e teatrit modern shqiptar, mbrëmë me “Arturo Ui” përmbushi ëndrrën e tij përgjatë 20 vitesh karrierë

15 Qershor, 2018 - 2:04 pm

Sarandë Selimi

“Arturo Ui”, është gjakim i çdo regjisori dhe ëndërr e çdo aktori”, këto ishin fjalët e para që regjisori Bekim Lumi, i pati thënë në një intervistë për KultPlus, asokohe kur teksti i Bertolt Brecht, ishte vetëm në sallën e leximit në Teatrin Kombëtar të Kosovës.

Pas plotë 1 viti prova “Arturo Ui”, u punua nga Bekim Lumi dhe realizoi ëndrrën e aktorëve në skenën e madhe të Teatrit Kombëtar të Kosovës, aty ku mbrëmë erdhi në jetë kjo shfaqje përpara një audience jashtëzakonisht të madhe.

Për 2 orë e disa minuta, kasta e aktorëve në përbërje të: Bujar Ahmeti, Afrim Kasapolli, Afrim Muçaj, Labinot Raci, Faris Berisha, Ylber Bardhi, Ismet Azemi, Edon Shileku, Valmir Krasniqi, Shpëtim Kastrati, Kushtrim Qerimi, Muhamed Arifi dhe Alban Rexhaj, sollën në çdo cep të skenës frymën e Bekim Lumit. Ata sollën teatrin modern, ashtu siç di vetëm Bekim Lumi ta bëjë. Sollën gegnishtën e toskërishten e pastër ashtu siç Bekim Lumi flet. Sollën lëvizjet, lojën e thellë e të fuqishme dhe shpirtin artistik e të madh, që kush më shumë se Bekim Lumi e ka.

Bekimi mbrëmë nuk ishte vetëm fizikisht në premierën e “Arturo Ui”-së, të cilën e punoi përgjatë 1 viti, duke sjellë një perlë që do mbetet gjatë në memorien e artdashësve.

“Bekimi ishte aty ne çdo sekondë, ishte ne çdo finesë dhe në çdo moment të shfaqjes. Mendoj që kjo shfaqje do të jetë shumë gjatë në repertor dhe mendoj që është një nga kryeveprat e historisë së artit shqiptarë. Është një vepër e jashtëzakonshme që korrespondon dhe e bënë një biopsi të realitetit të rëndë në të cilën kalon Kosova në realitetin e pasluftës. E trajtime me finesë, thellësi, guxim të jashtëzakonshëm dhe art të rafinum”, tha menjëherë pas shfaqje regjisori Fadil Hysaj, duke vazhduar të thotë se ndihet mirë që po e sheh këtë shfaqje pikërisht nga Bekim Lumi, të cilin ai e sheh si një zë të fuqishëm të skenës shqiptare.

“Lirisht mund të them që është një emblemë e teatrit modern shqiptar”, theksoi Hysaj, për KultPlus.

“Arturo Ui” është një dramë e shkruar në vitin 1941 nga dramaturgu i shquar gjerman dhe botëror Bertolt Brecht (1898 – 1956), gjatë kohës së ekzilit të tij trejavësh në Helsinki (Finlandë), përderisa ai, për shkak të përndjekjes nga fashizmi, po e priste vizën për emigrim në SHBA. Me formën, me përmbajtjen dhe me personazhet e saj, kjo dramë, në mënyrë simbolike, përshkruan, tematizon dhe portretizon historinë e dhunshme të uzurpimit të pushtetit politik dhe ekonomik nga gangsteri Arturo Ui (alias Adolf Hitler) dhe pasuesit e tij në vitet ‘30 të shekullit 20. Edhe pse ngjarjet janë të përqendruara në Çikago dhe në Cicero të SHBA-së, ato, në të vërtetë janë një aludim metaforik për ndodhitë dramatike të kësaj kohe në Austri dhe në Gjermani. Dhuna fizike, plaçkitjet, djegiet, grabitjet, haraçi, korruptimi dhe kërcënimet ndaj tregtarëve e politikanëve, deri edhe vrasjet e tyre e, më tutje, edhe gjyqet farsë përmes presioneve dhe shantazheve ndaj dëshmitarëve të krimit, janë vetëm disa nga tablotë e kësaj drame me 17 pamje, e cila, për shkak të temës që e trajton dhe për shkak të aktualitetit të saj të vazhdueshëm, vlerësohet si një nga satirat më të mira politike dhe historike të shekullit ’20. Për shkak të disa ngjashmërive dhe përkimeve të qëllimshme, “Arturo Ui”, me përmbajtjen, me disa nga motivet dhe me kryepersonazhin e saj, nga kritikët, krijuesit dhe njohësit e teatrit vlerësohet edhe si kipci bashkëkohor i tragjedisë “Rikardi III” të William Shakespeare-it.

Ky ishte “Arturo ui” luajtur nga aktori kosovar Bujar Ahmeti, që solli krejt këtë rrëfim mbrëmë në TKK. Për çudi, mbrëmë në këtë teatër u panë edhe shumë njerëz që jo shpesh i shohim mes artit kosovar. Padyshim që ishte një mbledhi e madhe, sepse, përveç premierës dhe 120 vjetorit të lindjes së autorit që shkroi këtë dramë, mbrëmë ishte edhe 20 vjetori i krijimtarisë së regjisorit Bekim Lumi.

Sëmundja e rëndë me të cilën po përballet tash e sa kohë, pikërisht në ditën e premierës e shtriu në spital. E duartrokitjet e audiencës dhe fjalët e kolegëve të Lumit, e dëshmonin që presin edhe shumë krijimtari të tjera nga ai. Ata thanë që mbrëmë festuan për Bekën, sepse ishte festë.

“Ajo çka është e bukur është që shfaqja e pati premierën pas një kohe të gjatë që është punuar duke i ditur edhe ne problemet shëndetësore të Bekimit. Në punën e Bekimit të gjithë e njohim, stilin e tij por unë pres ende nga Bekimi. Ai sonte nuk ishte këtu por jam i bindur që ne do të shohim edhe shfaqje të tjera nga ai. Duhet të jemi të gëzuar që e kemi”, u shpreh për KultPlus regjisori Fatos Berisha, duke vazhduar të thotë se ishte një trupë e mirë e aktorëve, të cilët sipas tij funksiononin shumë mirë si grup.

Një lojë e fuqishme erdhi nga aktori Bujar Ahmeti, aktor ky të cilit Bekim Lumi, ia ka besuar rolet e mëdha, siç janë edhe Hamleti dhe Nëna dhe Fëmija. Bujari, është aktori më i ri që luajti “Arturo Ui”-n. Ai me shumë emocione e me lot në sy, për KultPlus, u shpreh shumë i lumtur për gjithë këtë, por njëkohësisht, tha se po ndihet i zbrazët.

“Sikur të ishte këtu, padyshim që do të na kritikonte për diçka”, tha Bujari, i cili duke qeshur u shpreh se beson që gjithçka ka shkuar mirë.

“Po ndihem pak i zbrazët, pasi që, prezenca e Bekës e kish bërë edhe më të veçantë këtë natë, por nganjëherë kur nuk është kapiteni lojtarët luajnë edhe më mirë. Besoj shumë që ka shku mirë, ishte një periudhë e gjatë e provave por mendoj që ia dolëm. Ishte eksperiencë shumë e mirë, jam shumë me fat që Bekimi më ka thirrë mua dhe më ka ofruar role të mëdha, pasi që, me Bekën mund të bësh vetëm role të mëdha”, tha për KultPlus Bujar Ahmeti.

“Arturo Ui”, riktheu në skenën e madhe të Teatrit Kombëtar të Kosovës, pas dy vitesh Bekim Lumin. Ndërsa ai njihet për shfaqjet e tij me karakter minimalist e eksperimental. Ai e ka përfaqësuar Kosovën në disa festivale teatrore ndërkombëtare, në të cilat është nderuar me çmime të ndryshme. Para dy vitesh, ai, në Teatrin Kombëtar të Kosovës ka krijuar shfaqjen “Nana dhe fëmija”, ndërkaq në Teatrin Laborator “Loja” shfaqjen “John Cage’s Hamlet”.

Rikujtojmë se shfaqja do të jetë në repertorin e Teatrit Kombëtar të Kosovës, që nga muaji shtator i këtij viti./ KultPlus.com

Të ngjajshme