“Kosovatrans” për orientimin e timonit të një Kosove në tranzicion

23 Janar, 2018 - 11:49 am

Teatri i Podujevës “Avdush Hasani”, mbrëmë u ngjit në skenën e Teatrit të “Dodona” me shfaqjen teatrore “KosovaTrans” të autorit Naser Shatrolli, shkruan KultPlus.

Gili Hoxhaj
Fotografitë: Blend Cakolli

Flamuri, një burrë flokë lëshuar me hijen e një komandanti erdhi mbrëmë në lojën e aktorit Ismet Azemi. Dikur e quanin Tarzan dhe mbi kokë mbante kapelën e komandantit të luftës, e sot mban kapelën e një punëtori të ndërtimtarisë. Edhe në rrobat e tij të një punëtori, ai ende në veshjen e tij mban simbolikën e asaj çfarë e karakterizoi kontributin e tij, në një dekadë më parë. Lavdia që e gëzonte dikur nga kolegët, sot i është kthyer në përbuzje e injorim, ai madje e ndjente dëshirën e tyre për ta parë atë prapa grilave. Aty edhe pret që dikur të vijnë ta marrin.

Arafati, i cili vjen përmes lojës së aktorit Faris Berisha, mban në duar një top basketbolli, e me hapa të ngadaltë ngjitet për të ndjekur punën e Flamurit. I rritur në mërgim, i biri i një gazetari të “Rilindjes”, raportimi i të cilit prekte edhe Palestinën, e vetmja trashëgimi e pikëpamjeve të babait është emri që ai e mban, e për të cilin nuk ndan asnjë ndjenjë te veçantë. Patriotizmi i babait si mërgimtar, e i këtij njeriu përballë i duket tejet patetik. Për Arafatin i cili është rritur në Zvicër është e pazakontë ta shoh Flamurin, teksa punon edhe në këtë ditë të diele. Ai vjen e gjen këtë vend plot përmendore, e fotografi heronjsh në figurën e të cilëve shpesh ngrit dyshime.

A luftuat për të uzurpuar prona apo për të çliruar prona? pyet i riu heroin e gjallë?, i cili tashmë po ndërton një hotel të cilin thotë se do t’ua lë fëmijëve, ndërsa në shtëpinë e tij nuk numëron asnjë anëtarë të familjes. A jeni heronj siç dukeni në fotografi apo tinëzi fotoshopi?, është pyetja tjetër e cila duket sikur e tund qenien e komandantit, i cili nxjerrë ofshamë të lehtë për t’i treguar këtij të riu rreziqet që ai ka ndjekur për të parë këtë ditë. Derisa komandanti nxjerrë të pestën pije të birrës për ta pirë pa asnjë ndalesë, i riu i ofron realitetin e jetës moderne të cilën e jeton në Zvicër, në një kulm me djalin, ish-gruan, e burrin e ish-gruas i cili ishte një izraelit. Ky realitet i largët e i trishtë, komandantit shpesh ia ngrys vetullat.

Dramaturgu Naser Shatrolli tregoi për KultPlus se kjo shfaqje artikulon një metaforë të një Kosove në tranzicion, e cila dëshmon se kush është ai i vërteti që duhet ta ketë timonin e Kosovatransit në të ardhmen e afërt dhe të largët.

“Kjo shfaqje tregon se ky është destinacioni i Kosovës në të ardhmen, se a do të ngelet vetëm në një rreth vicioz i cili sillet në rrota dhe nuk po mund të qëndronte në bazamentin e tij”, tha Shatrolli, i cili shtoi se për ta plotësuar këtë, ai ka dashur që shfaqja të ketë një skenografi në funksion të veprimit të aktorëve. Ai tha se përmes kësaj ideje është përpjekur që të prek dy segmente të luftës së Kosovës, duke e paraqitur përmes njërit personazh Flamurit, luftën e brendshme të Kosovës, ndërsa përmes personazhit të Farisit simbolikën e përpjekjeve globale për një liri të vërtetë, ndërsa përmes këtij personazhi autori ndërthur edhe korrelacionin me ndodhitë e botës arabe. Shatrolli tha për KultPlus se ndihet i kënaqur me lojën brilante të aktorëve.

“Janë të dy shumë të ndryshëm por të ngjizur dhe të mishëruar shumë për njëri- tjetrin dhe sikur njëri vjen dhe e çliron tjetrin nga prangat e brendshme që i ka në shpirt, për të vazhduar tutje ngritjen e asaj ndërtese. Çelësat e asaj ngrehine aktori i gjuan në popull që të mbetet në duart e shoqërisë”, është shprehur Shatrolli, i cili shtoi se kjo shfaqje e ka bazamentin dhe çelësin e Kosovës të cilin ne kërkojmë në supet e këtyre dy aktorëve.

Në lojën e aktorit Ismet Azemi vërehej ndjenja dhe përkushtimi në personazhin e komandantit të harruar. Ai i tha se ky rol i dha gjithçka të mirë dhe njerëzore. “Rolin e komandantit e desha shumë, shumë më dhimbti derisa e luajta atë botë, shumë më bëri krenar, shumë më kënaqi, më dha gjithçka të mirë, gjithçka njerëzore, edhe dhembjen ma dha njerëzore”, tha përplot emocion aktori Ismet Azemi, derisa tregoi për KultPlus, përjetimet që i kishte dhënë përjetësimi i këtij roli në skenë.

Aktori Azemi shpjegoi tutje se për ta sjellë deri në këtë pikë rolin e komandantit, është dashur angazhim dhe informacion për ta ndërtuar të tillë këtë personazh. “Nuk ka qenë lehtë për ta sjellë në këtë shfaqje shpirtin e komandantit të rrethanave në të cilat jemi ne. Drama ka pasur një material të mirë dhe koncepti regjisorial na ka bërë ndërtues dhe kreativ për të sjellë rolet tona këtu ku i patë sonte. Kemi qenë bashkëpunëtor jashtëzakonisht të mirë, e kemi ndërtuar këtë lojë saktë në kërkesat tona artistike për të sjellë mesazhin e kësaj shfaqje”, tha aktori Azemi.

Po ashtu, ekipi i kësaj shfaqje përbehet edhe nga Ermal Gërdovci- asistent, Drinor Zymberi- kompozitor, Flutura Dedinja- kostumografe, Zeni Ballazhi- skenograf, Robert Nuha- koreografi, Ekrem Xhaka ka bërë dekorimin e përgjithshëm të shfaqjes, ndërsa ndriçimi i shfaqjes u bë nga Albert Gashi dhe Skender Latifi. Kosovatransi vazhdon destinacionin drejt Flakës së Janarit, ku sot do të shfaqet në Festivalin e Dramës Shqipe “Talia e Flakës” në Gjilan. /KultPlus.com

Të ngjajshme