Myshketa: Tinka Kurti do të jetë pjesë e shfaqjes operistike “Carmen”

26 Janar, 2018 - 10:00 am

Shfaqja operistike “Carmen”, që do të ngjitet me premierë në Tiranë, me regji të Gëzim Myshketës, ka të përfshirë edhe aktoren e madhe shqiptare Tinka Kurti, shkruan KultPlus.

Mirëpo,pas disa problemeve shëndetësore të aktores Kurti, e cila tashmë është e shtrirë edhe në spital, kjo shfaqje gjithsesi do të ketë të përfshirë aktoren në këtë premierë, pikërisht më 30 janar.

Regjizori i veprës Gëzim Myshketa ka thënë për KultPlus se roli i aktores së madhe që në krye të herës ka qënë i konceptuar në disa extracte audio dhe video tashmë të realizuara.

“Kjo ide ishte e tillë, sepse pata menduar të realizoj një version për të mos ta munduar çdo natë të shfaqjeve artisten e madhe”, ka thënë ai, duke potencuar se gjëja më e rëndësishme mbetet rehabilitimi i plotë i shëndetit të artistes me të cilën është në kontakt të vazdueshëm nëpërmjet vizitave dhe telefonatave te përditshme.

“Dëshiroj të falenderoj ekipin e mrekullueshëm të spitalit Amerikan dhe doktor Adrian Jorgji në veçanti për dedikimin e veçantë si dhe shpresoj dhe uroj që Tinkën Kombëtare ta kemi në sallë në ditën e premierës”, ka thënë ai.

I pyetur për vijimin e provave, Myshketa shprehet se po bëhet një punë gjigante e drejtuar nga Zana Çela dhe bashkëpunëtorët e saj të cilët i falenderon pa masë.

“Carmen” vjen me regji të baritonit të njohur shqiptar Gëzim Myshketa e nën dirigjimin e Ricardo Casero. Kjo operë që vjen premierë më 30 janar, sjellë në skenë aktoren Tinka Kurti, pastaj i ftuari special, koreografi me famë ndërkombëtare Gheorghe Iancu, të ftuar special janë edhe balerinët: Anbeta Toromani dhe Alesandro Macario ndërsa Carmen vjen nën interpretimin e Vikena Kamenica dhe Ivana Hoxha. /KultPlus.com

Të ngjajshme