Në PITF, Shqipëria solli rrëfimin për një vend të çrrënjosur

19 Tetor, 2017 - 12:05 pm

Nata e tretë e Festivalit Ndërkombëtar të Teatrove në Kosovë, “Prishtina International Theater Festival 2017″ (PITF 2017), solli shfaqjen e ekipit të Shqipërisë “Vdes siç vdes një vend”, në AAB, në Teatrin ‘Faruk Begolli”, shkruan KultPlus.

Kjo shfaqje e cila është në programin garues të këtij festivali erdhi me regji të Rozi Kostani dhe të aktorëve: Alfred Trebicka, Rozi Kostani, Violeta Trebicka, Ina Morinaj, Benada Mulla, Silvio Goskova, Lejda Celi, Artan Skenderasi, Kesina Lami, Arild Stafa, Jona Hoxha, Armando Mehmeti.

Kjo dramë në thelb synon të nxjerrë marrëdhënien njerëzore me vendin, përmes zhgënjimit, urrejtjes dhe frikës për një identitet të zhdukur, ku më i riu s’kujton asgjë nga i vjetri. Ajo filloi nën tingujt e violinës, për të vazhduar më pas me një gjuhë e cila bëhet çdo here e më e drejtpërdrejtë. Shfaqja rrëfen për tmerret e luftës, për përndjekjen dhe robërinë, për fushat , në të cilat digjet mundi i një brezi të terë, për vajzat e dhunuara nga ushtarët, e foshnjat e vdekura në prehrin e nënës. Mbi të gjithë mllefin, ajo sjellë shpresën dhe ngazëllimin e fundit të luftës, derisa aktorë të veshur në kostume që kanë elemente tradicionale orvaten për të ndjellë fundin e saj, ku me “fundi i luftës është në favorin tonë”, brohoritej në korin e shfaqjes.

Kjo dramë edhe pse nuk e përcakton hapësirën gjeografike dhe kohore, flet për një vend emri i të cilit tjetërsohet vazhdimit dhe i cili përballet me rrezikun që të humb farën e saj nga kjo gjendje që po zgjaste me shekuj.

Përveç që prek kontekstin social, gjithnjë thumbimi i kësaj shfaqje bie mbi kontekstin politik të një vendi me institucione të përmbysura, një politikë të korruptuar, qeveri të cilat trashëgojnë njëra-tjetrën dhe ku ministrat dhe politikanët veprojnë vetëm për ambicie personale dhe familjare. Në një vend, ku krimi është i legalizuar me vrasje e varreza masive, ndërsa njerëzit zhduken brenda natës e “Kryemadhi vret kryevoglin”. Përgjatë shfaqjes, në skenë e fuqishme vjen edhe një zonjë e veshur me të kuqe, e cila në skenë hyn dhe del duke lëvizur nga personazhet e tjera dhe gjatë parakalimit të saj sjellë të qeshura, të cilat më shumë tingëllojnë ironike,e herë ndodh që të kaplohet nga mërzia derisa nxjerrë syzet dhe lexon letrën në të cilën shkruhet për një vend me armiqësi të stërzgjatur, e ku kanë mbetur vetëm të sëmuret dhe pleqtë, të cilët të mirën e presin vetëm nga armiqtë.
Duke qenë se e gjithë kjo shfaqje solli një revoltë ndaj këtij sistemi, ajo krejt në fund ngriti në këmbë publikun derisa përfundoi mes vallëzimit dhe nën përcjellje të këngës “System of a down” të Chop Suey.

Shfaqja “Vdes siç vdes një vend”, është vepër e autorit grek, Dimitris Dimitriadis, e kthyer në kontekstin shqiptar nga regjisorja Rozi Kostani. “Vdes siç vdes një vend”, është inskenuar në shumë skena teatrore të Evropës, duke filluar nga Parisi pastaj në Itali, Gjermani, së fundmi në Spanjë etj.
Edicioni i parë i këtij festivali do të vazhdoj nesër natën e katërt me shfaqjen garuese “SPEAK MEDEA” nga Irani, për të vazhduar deri më 21 tetor me “Darka e Thërrimeve” nga Maqedonia dhe “Armiku i Popullit” nga Kosova./ KultPlus.com

Të ngjajshme