Nëpërmjet rebelizmit të Medeas, shfaqja iraniane solli historinë e grave të vuajtura

20 Tetor, 2017 - 1:25 pm

Nata e katërt e Festivalit Ndërkombëtar të Teatrove në Kosovë, “Prishtina International Theater Festival 2017″ (PITF 2017), solli ekipin iranian me shfaqjen “Speak Medea” në AAB Teatrin ‘Faruk Begolli” , shkruan KultPlus.

Kjo shfaqje e cila synon njërin nga çmimet e festivalit erdhi nën regji të Mehdi Sheikhvand dhe në lojën e aktorëve: Clara Corona, Darya Nazari, Fatemeh Abrishami Movahed dhe Vida Gharagozlou.
Medea, është personazhi kryesor e cila mbi vete barte historinë e grave të vuajtura, por që nuk i reshtin përpjekjet për të mos u nënshtruar. Brenda skenës, e varur rrinte një kurorë mbretërish e cila i nxirrte në pah idealizimin e ndjenjës për të udhëhequr, e pak më larg saj rrinte i varur një litër i cili shfaqej si ngushëllim i ikjes nga frika e tërbimi.

Historia e personazhit Medea flet fuqishëm për zërin e munguar të grave, e shpresën e shuar për të fluturuar drejt ëndrrave të veta. Rruga e saj mbahet në një litar të hollë, i cili s’i mban gjallë asnjë shpresë. Ajo derisa përshkohet nga ndjenja e nënçmimit që i vjen, e sheh hakmarrjen si të vetmen rrugë ndaj burrit të saj Jason, për të cilën kishte bërë gjithçka gjatë jetës se saj.

Jason kur paraqitet në skenë e sheh vetën si një burrë dhe baba ideal, mirëpo dëshira për pushtet e mban larg këtyre tipareve derisa dhe vetë shfaq frikë për t’i mbrojtur gratë. Medea, e kapluar nga dhimbja e tërbimi dëshmon se asgjë nuk i përket asaj, madje thotë se as gjaku, e as trupi s’është i imi. Në martesë gratë janë pronë e bashkëshortëve të tyre, ato duhet të durojnë dhimbjet e lindjes e kur braktisen nga shtëpia, mbesin pa asgjë, ishin fjalët vajtuese pas të cilave fshehte mllefin.
Përmes fjalimeve të saj ajo kërkon që dhimbjen e saj ta bart në hakmarrje për Jasonin. Pas këtyre fjalëve sundimtari i vendit, Creoni një burrë hijerëndë vjen me urdhëresën për ta larguar nga vendi pasi që ai e ndjenë rrezikun se ajo mund të përdorë zgjuarsinë e saj për t’u hakmarrë ndaj tij, Jasonit dhe vajzës së tij Galuce, dorën e të cilit Jason e kishte kërkuar për martesë. Ndërsa në anën tjetër Medea lutet vetëm edhe për një ditë qëndrimi, për hir të fëmijëve të saj. Mbi të gjitha Medea nuk i rresht përpjekjet për të sjellë hakmarrjen në botën e burrave, në një shoqëri ku gratë mbesin të nënshtruara dhe larg pjesëmarrjes në jetën publike.

Kanë mbetur edhe dy netë për të përfunduar edicioni i parë Festivalit Ndërkombëtar të Teatrove në Kosovë, ndërsa nesër pritet që në skenën e teatrit të vijnë edhe ekipi maqedonas me shfaqjen “Darka e Thërrimeve” nga Maqedonia dhe “Armiku i Popullit” nga Kosova./KultPlus.com

Të ngjajshme