“Teatri vazhdimisht rilind nga hiri i vet”, porosia në Ditën Botërore të Teatrit

27 Mars, 2018 - 10:29 am

Shkruan: Isabelle Huppert
Përktheu: Anita Latifi

Ja ku jemi edhe një herë. U mblodhëm sërish në pranverë, 55 vjet pas takimit tonë inaugurues, të shënojmë Ditën Botërore të Teatrit. Vetëm një ditë, 24 orë, i janë dedikuar kremtes së teatrit kudo nëpër botë. Nga Parisi mund të bartemi në Japoni të përjetojmë teatrin No dhe Bunraku; të projektojmë linjën e mendimeve dhe shprehjes aq diverse si Opera e Pekingut dhe Kathakali; të ndalemi mes Greqisë dhe Skandinavisë duke u mbështjellë me Eskilin dhe Ibzenin, Sofoklenë dhe Strindbergun; të fluturojmë mes Britanisë dhe Italisë, mes Sarah Kejn dhe Prinadellos. Brenda këtyre 24 orëve ne mund të shkojmë nga Franca në Rusi, nga Rasini dhe Molieri tek Çehovi, të kalojmë Atlantikun dhe në një kamp në Kaliformi, ku të rinjtë sërish zbulojnë teatrin.

Sepse teatri vazhdimisht rilind nga hiri i vet. Ai është një konventë të cilën duhet shembur vazhdimisht. Në këtë mënyrë ai ngelet i gjallë. Teatri ka jetë të begatshme të nxitur nga hapësira dhe koha. Pjesët bashkëkohore ushqehen nga shekujt e të kaluarës, repertorët më klasik shndërrohen në modern sa herë që rivihen.

Dita Botërore e Teatrit gjithsesi nuk është një ditë në kuptimin e zakonshëm të përditshmërisë tonë. Ai sërish ngjall një hapsirë-kohë gjigante, dhe që të flas për hapsirë-kohë do të desha të kujtoj një dramaturg francez, sa gjenial aq edhe diskret, Zhan Tardje. Sa i përket hapësirës, ai pyet “cila është rruga më e gjatë nga një pikë në tjetrën…” Sa i përket kohës, ai sugjeron “të matet me të dhjetat e sekondës koha e nevojshme për të thënë fjalën ‘përjetësi’.” Për nocionin hapsirë-kohë ai e thotë edhe këtë: “Para se të bini në gjumë, imagjinoni dy pika në hapësirë dhe kalkuloni sa kohë ju duhet, në ëndërr, të arrini nga njëra deri te tjetra.” Do ta ruaj frazën “në ëndërr”. Duket sikur janë takuar Zhan Tardje dhe Bob Uillson. Mund të rezymojmë Ditën tonë Botërore të Teatrit duke kujtuar fjalët e Samjuell Beket, i cili bën personazhin e Uinit të shprehet në stilin e tij të rrufeshëm: “Oh, sa ditë e bukur do të kishte qenë.”

Duke menduar për porosinë që duhet të përcjell, kujtova të gjitha ato ëndrra nga gjithë ato skena. Andaj, më duhet të them që unë nuk kam ardhur vet në këtë sallë të UNESCO-s; të gjitha personazhet që i kam interpretuar janë me mua dhe të gjitha rolet që duket sikur ikin në momentin që lëshohet perdja, por të cilët vazhdojnë të bëjnë një jetë nëntokësore brenda meje, duke pritur të ndihmojnë ose të shkatërrojnë rolet që do të vijnë pas tyre; Fedra, Araminta, Orlando, Heda Gabler, Medea, Mertej, Blansh Diboa…. Më ndjekin edhe të gjitha personazhet të cilat i kam dashur dhe u kam duartrokitur si spektatore. Andaj unë i takoj mbarë botës. Unë jam greke, afrikane, siriane, venedikase, ruse, braziliane, persiane, romake, japoneze, njujorkase, filipine, argjentinase, norvegjeze, koreane, gjermane, austriake, angleze – një qytetare e vërtetë e Botës.

Në Ditën Botërore të Teatrit më 1964, Lorens Olivie deklaroi se pas përpjekjeve mbi një shekullore, në Mbretërinë e bashkuar u themelua Teatri Kombëtar, për të cilin ai shpresonte se do të jetë një teatër ndërkombëtar, së paku sa i përket repertoarit. Ai e dinte mirë që Shekspiri i takon botës. Duke bërë hulumtime për të shkruar këtë mesazh, mësova që në vitin 1962 në inaugurimin e Ditës Botërore të Teatrit, përcjellja e mesazhit iu besua shkrimtarit Zhan Koktou, autorit të librit ‘Rreth botës përsëri për 80 ditë’. Kjo më bëri të kuptoj që unë kam udhëtuar nëpër botë në një mënyrë ndryshe, përmes 80 shfaqjeve apo 80 filmave. Po e përmendi filmin sepse për mua nuk ka dallim aktrimi në teatër dhe ai në film, dhe sa here që e them këtë nxis habi, por është e vërtetë. Unë nuk shoh dallim mes tyre.

Derisa flas tani, unë nuk jam vetja, unë nuk jam aktore, unë jam vetëm një nga shumë njerëz të cilët teatri i shfrytëzon që të vazhdoj të ekzistojë. Dhe kjo është detyra ime. Dhe nevoja ime. Teatri nuk ka nevojë për ne, më shumë mund të thuhet se ne ekzistojmë falë tij. Teatri është shumë i fuqishëm. Ai i reziston gjithçkaje, mbijeton mbi gjithçka: luftërat, cenzurat dhe mungesën e mjeteve.
Mjafton të thuhet se “skena është bosh, koha e pacaktuar” – dhe të hyj aktori në skenë. Ose aktorja. Çka do të bëjnë ata? Çka do të thonë? A do të bisedojnë? Publiku po pret, do ta kuptojë së shpejti – publiku pa të cilin nuk ka teatër – kurrë mos e harroni këtë. Një person i vetëm në sallë është publik. Por, të shpresojmë që nuk do të ketë shumë ulëse boshe në sallë! Shfaqjet e Ioneskut janë gjithmonë plot. Në fund të një pjese të shkruar nga ai, një zonjë e moshura thotë: “Po, po, të vdesim në lavdi. Le të vdesim që të hyjmë në legjendë…. Së paku do të kemi rrugët që do të mbajnë emrat tanë …”

Dita Botërore e Teatrit ekziston tani më 55 vjet. Brenda këtyre 55 viteve unë jam gruaja e tetë e ftuar të dërgoj porosinë – nëse fjala porosi është me adekuatja. Paraardhësit e mi (oh, si imponohet bota mashkullore) flasin për teatrin e imagjinatës, lirisë dhe origjinalitetin duke evokuuar të bukurën, multikulturalizmin dhe duke parashtruar pyetje që s’kanë përgjigje. Në vitin 2013, vetëm para 4 viteve, Dario Fo tha: “Zgjidhje e vetme për krizën ngelet shpresa që kundër nesh dhe në veçanti kundër të rinjve të cilët dëshirojnë të mësojnë mjeshtërinë e teatrit, të ndërmerret një përndjekje e madhe: një diaporë e re artistësh të teatrit, të cilët, prej këtij përjashtimi, pa dyshim, do të nxjerrin përfitime të paimagjinueshme në favor të një rishfaqjeje të re.” Përfitime të Paimagjinueshme – tingëllon si një formulim i bukur, që meriton të përfshihet në retorikën politike, apo jo?

Pasi që gjendem në Paris në prag të zgjedhjeve presidenciale, u apeloj atyre që do të marrin pushtetin të jenë koshient për përfitimet e paimagjinueshme që sjell teatri. Por, kujdes, pa përndjekje të shtrigave!
Teatri për mua paraqet atë Tjetrin, ai është dialog, mungesë urrejtjeje. “Miqësi mes popujve” – nuk jam shumë e sigurte çka nënkupton kjo, por unë besoj në bashkësi, në miqësi mes publikut dhe aktorëve, në unitetin e të gjithë atyre që teatri i bashkon – atyre që e shkruajnë, atyre që e përkthejnë, atyre që e ndriçojnë, veshin, dekorojnë, atyre që interpretojnë dhe publikut. Teatri na mbron; na strehon… Besoj që teatri na don… aq sa ne e duam atë….
Kujtoj një regjisor me të cilin kam punuar, i cili para se të hapej perdja në mbrëmje, uluriste ‘Hapni rrugë për teatrin!’ – dhe këto do të jenë fjalët e mia për fund./ KultPlus.com

Të ngjajshme