Anulohet logoja e kontestuar e 10 vjetorit të pavarësisë, kjo është logoja e re (FOTO)

11 Janar, 2018 - 1:26 pm

Këshilli Organizativ për Shënimin e 10 Vjetorit të Pavarësisë ka përzgjedhur një logo të re, pas shqetësimeve të shfaqura në publik, se logoja e parë ishte plagjiaturë, gjë që kishte nxitur edhe reagimin e krijuesve të saj, të cilët për të dëshmuar autenticitetin kishin bërë publike tërë punën praktike sesi kishin ardhur deri te versioni final i saj.

“Më vjen mirë që Këshilli Organizativ u është përgjigjur pozitivisht shqetësimeve të ngritura në publik rreth ngjashmërisë së logos së dhjetëvjetorit të pavarësisë së Kosovës me një logo tjetër dhe ka vendosur që të ndryshojë atë. Logoja e re do të përdoret për të gjitha organizimet festive dhe për Medaljen Presidenciale Jubilare. #Kosova10”, ka shkruar presidenti Thaçi në Facebook.

Përmes një komunikate dërguar medieve, Këshilli Organizativ për Shënimin e Dhjetëvjetorit të Pavarësisë së Kosovës, thotë se duke pasur mirëkuptimin e autorëve, Këshilli Organizativ ka vendosur që të ndryshojë logon e dhjetëvjetorit të pavarësisë dhe ka prezantuar logon e re, autor i së cilës është Zeni Ballazhi, njëherësh autor edhe i logos së 100 Vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.

Logo e re

Kjo logo ishte përzgjedhur si dizajn për Medaljen Presidenciale të Dhjetëvjetorit të Pavarësisë, por Këshilli Organizativ ka vendosur që ajo jetë edhe logoja zyrtare e tërë manifestimeve.

“Jemi të vetëdijshëm se nga miliona logo që ekzistojnë në botë, ngjashmëritë rastësore janë shumë të mundshme. Por, e kuptojmë edhe shqetësimin e qytetarëve të Kosovës dhe të institucioneve që përfaqësojmë, që një feste siç është dhjetëvjetori i pavarësisë nuk duhet t’i bie asnjë hije e keqe, sado e vogël që ajo mund të jetë”, thuhet në komunikatën e tyre.

Kjo është komunikata e plotë e Këshillit Organizativ:

Këshilli Organizativ për 10 Vjetorin e Pavarësisë përzgjedhë një logo të re, anulon të parën

Këshilli Organizativ për Shënimin e Dhjetëvjetorit të Pavarësisë së Kosovës i ka pranuar me shqetësim reagimet e publikut për ngjashmërinë e logos së dhjetëvjetorit të pavarësisë me logon e një kompanie gjermane, si dhe i ka shqyrtuar me kujdes të gjitha mundësitë për të vazhduar sa më mirë me organizimet për këtë ditë të rëndësishme për shtetin dhe qytetarët tanë.

Ne i falënderojmë autorët e logos për gatishmërinë e tyre që të japin sqarime deri në detaje për procesin e dizajnimit të logos dhe e vlerësojmë kontaktin që kanë krijuar me kompaninë gjermane për të hequr çdo dyshim se logoja e prezantuar është autentike, përkundër ngjashmërive që kishin këto dy logo.

Jemi të vetëdijshëm se nga miliona logo që ekzistojnë në botë, ngjashmëritë rastësore janë shumë të mundshme. Por, e kuptojmë edhe shqetësimin e qytetarëve të Kosovës dhe të institucioneve që përfaqësojmë, që një feste siç është dhjetëvjetori i pavarësisë nuk duhet t’i bie asnjë hije e keqe, sado e vogël që ajo mund të jetë.

Duke pasur mirëkuptimin e autorëve të asaj logoje, Këshilli Organizativ ka vendosur që të ndryshojë logon e dhjetëvjetorit të pavarësisë dhe të prezantojë logon e re.

I falënderojmë të gjithë ata që kanë konkurruar në konkursin e hapur publik, kurse fituesin e ri, Zeni Ballazhi, i cili ishte përzgjedhur edhe fitues i propozimit për dizajnin e Medaljes Presidenciale për 10 Vjetorin e Pavarësisë, e urojmë për punën e tij dhe e falënderojmë për bashkëpunimin./ KultPlus.com

Të ngjajshme