Gjobë deri në 3 mijë euro nëse merrni guaska apo gurë në bregdet

24 Gusht, 2017 - 10:10 am

I famshëm për plazhet e saj të kristalta, ishulli mesdhetar i Sardenjës, ka vendosur rregulla të ashpra për pushuesit që mund t’u shkojë ndër mend që të marrin me vete në shtëpi ndonjë grusht rërë prej tij.

Sipas një ligji të hyrë në fuqi nga 1 gushti, katër turistë janë dënuar me gjoba prej 1 mijë eurosh, sepse janë përpjekur të marrin me vete rërë, gurë apo guaska deti. Ata janë zbuluar nëpërmjet rrezeve X ndërsa largoheshin përmes aeroportit Elmas.

E gjithë kjo mund të duket e ekzagjeruar, por prej vitesh, banorët e ishullit ankohen për grabitjen që po u bëhet aseteve të tyre natyrore. Në 1994, aksesi në plazhin e rinovuar ngjyrë rozë, në ishullin Budelli, në veri lindje të Sardenjës, u ndalua për shkak të shqetësimeve për të ardhmen e tij.
Vetëm në tre muajt e verës së 2015, rreth 5 tonë rërë ka kaluar nga aeroporti Elmas, thonë raportet lokale.

Rërë është konfiskuar po ashtu edhe në aeroportet e tjera të ishullit, Alghero dhe Olbia. Një faqe në facebook është hapur, nën titullin Sardenja e grabitur dhe e plaçkitur, ku njerëzit postonin foto të shisheve plastike apo çantave të mbushura me suvenire plazhi.

Vjedhja e rërës u bë krim pas presionit mbi autoritetet lokale dhe politikanët për të reaguar ndaj asaj që konsiderohej si emergjencë ambientaliste. Sipas ligjit, tani, kushdo merr, mban apo shet sasi të vogla pa leje, përballet me gjoba që variojnë nga 500 deri në 3 mijë euro.

Në fund të fundit, marrja e një shisheje të vogël me rërë nga plazhet e Sardenjës mund të mos duket diçka e madhe, por nëse miliona turistët që e vizitojnë atë, bëjnë të njëjtën gjë, atëherë qindra e mijëra tonë rërë do të zhdukeshin çdo vit./KultPlus.com

Të ngjajshme