Hoteli “Union”, aty ku u fol për heqjen e çarçafit

3 Janar, 2018 - 6:49 pm

Hoteli “Union”, objekt ky i bukur i Prishtinës, që me pamjen dhe pozitën e tij i jepte një pasqyrë dekorative qytetit, është ndërtuar në vitin 1927, sipas stilit barok perëndimor, projektuar nga një arkitekt austriak. Fillimisht do të funksionojë si hotel “Pallas”, mirëpo më pastaj do të ndërrojë disa funksione. Si është ndërtuar ky objekt, kush e ka shfrytëzuar, mësojmë nga vendësi Sabit Haxhikurteshi:

– Unioni ka qenë kafene e njëfarë Çika Zakos, kështu i thoshim, ai e pati nisur ndërtimin e me kredi, mirëpo, nuk arriti ta kryente, kështu që e morën dhe e përfunduan kredidhënësit. Në atë kafene nuk ka mund të hynte gjithkush dhe dosido i veshur, ose pa kravatë. Shkonin efenditë e qytetit, nga tanët mund të hynin 5-6 veta. Në mbrëmje kishte muzikës, shkruan KultPlus.

Kur erdhën gjermanët, më 1941, Malush Kosova u kthye nga Shqipëria dhe e morri “Unionin”, si kafene. Po nuk i eci puna dhe e bëri kinema, që njihej si Kinemaja e Malush Kosovës. Edhe Abdurrahman Shala e ka pasur kinemanë e tij, ai e hapi më vonë, më 1943. Malushi, sipas prishtinasit Rexhep Abdullahu, ishte një njeri i pasur. E shquante veshja dhe sjellja e tij në stilin perëndimor.

Veçse kur jemi te “Unioni”, ta përmendim edhe një të dhënë, që tregon se pikërisht në atë lokal, në vitin 1947, është mbajtur Konferenca, dedikuar heqjes së çarçafit.

– Unë vetë kam qenë i pranishëm aty, sikurse edhe shumë prishtinas të tjerë, tregon z.Sabit. Shpesh më bie ndër mend kjo. Çështja e heqjes së çarçafit zgjati deri në vitin 1950.

Burimi: Sanije Gashi – “Prishtina e fëmijërisë sime”

Të ngjajshme