Çyçavica shpallet interes nacional

22 Mars, 2018 - 2:37 pm

Kryetarët e Skenderajt, Drenasit, Vushtrrisë e Obiliqit janë pajtuar që zona e Çyçavicës të shpallet zonë me interes nacional, shkruan KultPlus.

Kryetarët Bekim Jashari, Ramiz Lladrovci, Xhafer Tahiri dhe Xhafer Gashi, në takimin e sotëm, u zotuan për thellimin e bashkëpunimit në mes të katër komunave, të lidhura me kufijtë ndërkomunal, por edhe me bjeshkët e Çyçavicës, të njohur gjatë historisë.

Në këtë takim kryetarët u dakorduan që zona rrëzë Çyçavicës të shpallet si vend me interes të përgjithshëm, në mënyrë që në të ardhmen të shërbejë si urë lidhëse mes këtyre komunave.

“Rruga në Çyçavicë shtrihet në një hapësirë prej 18 kilometra dhe me shpalljen e saj në interes të përgjithshëm nacional, do të krijohej një zonë turistike”, thuhet në njoftimin e Komunës së Skenderajt.

Bashkëpunimi ndërkomunal sipas kryetarëve konsiston në lëmin e infrastrukturës, shërbimeve publike, arsimit, kulturës, sportit dhe ekonomisë, por edhe turizmit, terreneve rekreative dhe biznesore. Rëndësi në këtë bashkëpunim do të ketë edhe ruajtja e ambientit, kujdesi ndaj ujërave si dhe sipërfaqeve të gjelbëruara.

“Drejtoritë përkatëse, inspektorat si dhe organet tjera komunale, do të këmbejnë përvojat e veta si dhe do të parashtrojnë aktivitetet si dhe strategjitë, ashtu që ky bashkëpunim të sjellë dobi për qytetarët dhe katër komunat me këtë nismë të re të bashkëpunimit”, thuhet në njoftimin e komunës./ KultPlus.com

Të ngjajshme