Këmisha e qëndisur nga Sabiha Kasimati në Muzeun Historik Kombëtar

25 Gusht, 2017 - 3:12 pm

Një këmishë e qëndisur nga duart e Sabiha Kasimatit është ekspozuar në Muzeun Historik Kombëtar me rastin e Ditës Europiane të Përkujtimit të Viktimave të Nazizmit e të Stalinizimit, 23 gushtit, shpallur si dita që dënon çdo formë të totalitarizmit nga Parlamenti Evropian.

Me këtë rast Muzeu Historik Kombëtar ka çelur një ekspozitë ku përveç këmishës së shkencëtares Sabiha Kasmiatit janë ekspozuar edhe disa objekte të tjera të viktimave të terrorit nazistit e komunizmit stalinist shqiptar. Të bëjnë përshtypje veshjet e shpuara nga plumbat të masakrës gjermane të Borovës në vitin 1943, ku nazistët gjermanë i mblodhën në një shtëpi e i pushkatuan pothuajse të gjithë burrat e djemtë e kij fshati.

Veshjet e arnuara me flokët e nënës

Jo më pak gjurmë të dhimbshme ruajnë edhe objekte e ekspozuara nga viktimat në kampet e internimit komunist, ku duket këto pantallona të armuar të të internuarit Gjon Vutnikaj, ta arnuara me flokët e nënës së tij. Një pamje që transmeton shumë dhimbje.

Njollat e gjakut të djemve të rinj të pushkatuar në kufi në vitet ‘90, nga sigurimi i shtetit janë një detaj edhe me ekstrem i dhimbjes kur sheh këtë ekspozitë.

Këtu janë bluza me njolla gjaku e Pëllumb Pëllumbit dhe këmisha e një të riu tjetër që ka tentuar të kalojë kufirin.

Ndërsa këmisha e Sabiha Kasimatit e qëndisur me mjeshtëri nga duart e saj, na sjell një copëz nga jeta e saj. Ko është një këmishë tradicionale që vajzat e merrnin në pajën e martesës. Duart e Sabihasë kanë lënë këto gjurmë jete e dashurie në këtë këmishë. Diktatura komuniste ka kryer një nga aktet kriminale me vrasjen e shkencëtares së njohur Sabiha Kasimati.

Ajo u pushkatua në natën e 26 shkurtit 1951, e lidhur me tela me gjemba me 22 burra të tjerë, dorë më dorë. U pushkatuan një nga një diku pranë urës së Beshirit dhe trupat e tyre u hodhën të gjithë në një gropë të madhe, shkruan shqiptarja.com.

Fatkeqësisht Sabiha Kasimati ishte e vetmja që nuk e kapi plumbi direkt në zemër dhe u varros mizorisht e gjallë bashkë me viktimat e tjera duke vuajtur orë të tëra tmerri derisa dha frymën e fundit./ KultPlus.com

Të ngjajshme