Logoja e 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës nuk është kopjuar (VIDEO)

5 Janar, 2018 - 9:32 pm

Arbër Racaj dhe Egzon Çaka dy krijuesit e logos për 10 vjetorin e pavarësisë i kanë dalë në mbrojtje punës së tyre, duke thënë se logoja e tyre është origjinale e nuk është e kopjuar.

“Ne, krijuesit e logos së 10 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, Arbër Racaj dhe Egzon Çaka, fitues të konkursit publik për hartimin e logos së 10 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, sot padrejtësisht jemi sulmuar nga konkurrentë tanë gjoja logoja e krijuar nga ne ishte plagjiaturë”, kanë shkruar në Facebook.

Me tej ata kanë dhënë disa dëshmi duke thënë se logo e krijuar nga ta dhe se nuk është kopjuar.

“Forma e hapjes së duarve, ngjashmëria e vetme rastësore, e cila në rastin tonë ndërlidhet me 10 gishtat – 10 vjetorin e shtetësisë, nuk është shpikur as në Kosovë, as në Gjermani dhe as nuk është e patentuar nga askush dhe vetë forma abstrakte e gishtave shpjegon që ne kemi dashur që të përçojmë sa më shumë mesazhin festiv të këtij viti jubilar”, thuhet në reagimin e tyre.

https://www.youtube.com/watch?v=CUnPgSLugss

Më tutje përmes një video të shkurtër dhe një fotografie kanë ofruar dëshmi duke thënë se logoja është krijuar nga ta.

“Si krijues të kësaj logoje, ne e ndjejmë obligim moral dhe profesional, që t’ua dëshmojmë të gjithë qytetarëve autenticitetin e punës sonë. Prandaj, duke shpresuar në mirëkuptim tuaj, dëshmitë e punës sonë përmes së cilës kemi ardhur deri te versioni final i logos, po ua dërgojmë edhe juve”, thuhej në reagimin e tyre. / KultPlus.com

Të ngjajshme