Ministri Gashi prezantoi prioritetet e MKRS-së në Këshillin Kombëtar për Investime

Dhjetor 18, 2017 - 1:35 pm

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, mori pjesë në takimin e Këshillit Kombëtar për Investime, ku në kuadër të Listës Prioritare për Projekte në Sektorin Social, foli për projektet prioritare të sektorëve që udhëheq MKRS-ja.

Në këtë takim të rëndësishëm u vlerësua në përgjithësi se Duke pasur parasysh se investimi në projekte infrastrukturore është qenësor për mirëqenien e qytetarëve të Kosovës. Gjithashtu, në kuadër të takimi u tha se investimi në projekte infrastrukturore nacionale e rajonale do ta shkurtojnë dukshëm rrugën e anëtarësimit në BE dhe rrjedhimisht do të jemi në shërbim të mirëqenies së qytetarëve tanë.

“Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në kuadër të Listës Prioritare të Projekteve në Sektorin Social ka të përfshira tre projekte të rëndësishme infrastrukturore sikurse ndërtimi i Stadiumit Kombëtar të Futbollit; Shenjëzimi i Trashëgimisë Kulturore dhe Përmirësimi i infrastrukturës në Sektorin e Trashëgimisë Kulturore. Projektet e lartcekura janë pjesë e Programit të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe njëherazi prioritete të përcaktuara dhe me dokumentet tjera strategjike sektoriale”, tha ministri Gashi.

Ai më tutje shtoi se ndërtimi i Stadiumit Kombëtar i cili është paraparë të ketë vlerën e 65 milion eurove, do të ndërtohet në Sankoc, Komuna e Drenasit. “Ndërtimi i stadiumit kombëtar do ta përmirësonte dukshëm gjendjen e përgjithshme të infrastrukturës së sportit e në veçanti të futbollit. Ky është një projekt me rëndësi për zhvillimin e sportit në Kosovë, marrë parasysh anëtarësimin e Kosovës në FIFA dhe UEFA tashmë dhe njëherazi plotësimin e standardeve dhe kritereve të parapara në organizatat ndërkombëtare të sportit. Gjithashtu do të kontribuonte kësisoj dhe në promovim e shtetit dhe talentëve të rinj, në arenën ndërkombëtare me pjesëmarrje në garat Evropiane dhe Botërore”, tha ministri, duke vlerësuar se ky projekt kapital do të ketë ndikimi edhe në gjenerimin e vendeve të reja të punës dhe të hyrave buxhetore për vendin.

Ndër prioritetet tjera, ministri përmendi edhe ato që kanë të bëjnë me shenjëzimin e trashëgimisë kulturore dhe përmirësimin e infrastrukturës në fushën e trashëgimisë. Projektet në fjalë do të kenë koston e 3,5 milionë euro respektivisht 16,5 milionë. Ky projekt parasheh shënjimin e aseteve të trashëgimisë që gjenden Listën e Trashëgimisë Kulturore nën Mbrojtje të Përkohshme dhe përmirësimin e qasjes (infrastrukturës rrugore) në asetet e Trashëgimisë Kulturore anekënd Kosovës në përputhje edhe me standardet e përcaktuara nga konventat dhe kartat ndërkombëtare.

Ndërkaq, në kuadër të përmirësimit të infrastrukturës në fushën e Trashëgimisë Kulturore, ministri Gashi prezantoi disa projekte ku parashihen ndërtimet e muzeut arkeologjik, atij të paqes, ndërtimin e laboratorit për konservim – restaurim.

“Ky projekt do të ndikojë në përmirësimin e ruajtjes, mbrojtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore, që njëherazi janë dhe objektivat kryesore të MKRS-së në këtë fushë si dhe është në përputhje me kodin etik të ICOM-it, legjislacionin dhe kriteret tjera ndërkombëtare, siç janë Konventat dhe Kartat Ndërkombëtare të ICOMOS-it dhe UNESCO-së e që kanë të bëjnë me fushën e Konservimit dhe Promovimit të Trashëgimisë Kulturore”, nënvizoi ministri Gashi./KultPlus.com

Të ngjajshme