Mirela Kumbaro: Në Butrint nuk po ndërtojmë, po restaurojmë

18 Nëntor, 2017 - 3:30 pm

Gazetari Lutfi Dervshi ka biseduar të premten në mbrëmje me ministren e kulturës Mirela Kumbaro për trashëgiminë kulturore dhe mënyrën se si do të duhej të kultivohej ajo.

Përpara rasteve të betonit që po hidhet në Butrint, tek Veliera në Durrës apo në hyrjen e Voskopojës, ministrja e kulturës mbron idenë se nuk jane prekur elemente të trashëgimisë kulturore. “Betoni në vetvete nuk është një material i dënuar me vdekje në kohët moderne”, tha zonja Kumbaro. Ajo kujtoi se prania e tij është në të gjitha vendet, por, “Gjella me kripë e kripa me karar” tha ministrja e kulturës.

Ndonëse në Butrint punimet për ngritjen e një pike shërbimi pranë një barake të ndërtuar që prej vitit 1975 janë pezulluar, për ministren Kumbaro, duket se rifillimi i tyre do të jetë thjeshtë çështje kohe. “Ne nuk donim të ndërtonim asgjë të re. Ajo që ju shikoni është një rehabilitim, restaurim i një pike egzistuese. Parku pëfiton shërbimin që u ofrohet gjithë vizitorëve, por përfitohet edhe qeraja” sqaroi zonja Kumbao.

Por një qëndrim tjetër për betonizimin mban ministrja Kumbaro për rastin e hidrocentraleve në Valbonë, ndonëse e sheh të vështirë që ndërtimi i tyre të pengohet. “Mua nuk më pëlqen dhe unë nuk jam dakord. Por duhet të dini një gjë. Ne gjetëm një numër të madh koncesionesh të cilat janë jo thjesht vullnete politike të qeverisë që shkoi, por akte juridike kontraktuale me pasoja shumë të rënda, qoftë për kostot e taksapaguesve, qoftë për shtetin, qoftë për institucionet. Shteti vazhdon, qeveritë ndërrohen ” tha zonja Kumbaro. “Ne kemi bërë maksimumin që brenda kuadrit dhe hapësirave kontraktuale të prishim sa më shumë prej tyre” tha ajo.

Ministrja e Kulturës bëri me dije se javën e ardhshme qeverisë do t’i paraqitet ligji për trashëgiminë kulturore, i integruar me direktivat evropiane dhe ku për herë të parë propozohen edhe forma të reja administrimi përmes partneritetit publik-privat, shkruan rtsh./ KultPlus.com

Të ngjajshme