Muzika dhe dasmat e çoroditura që po marrin jetë njerëzish

Gusht 6, 2017 - 10:56 am

Shkruan: Mr.sc. Elizabetë Qarri, Pedagoge e muzikës, ligjëruese universitare

Në kulturën shqiptare muzika tradicionalisht ka qenë pjesë e jetës njerëzore si refleksion i proceseve të ndryshme kulturore e historike. Ajo pasqyron gjendjen shpirtërore të popullit si pjesë e identitetit historik kombëtar. Shqiptarët historikisht i kanë kënduar si gëzimit ashtu edhe vuajtjes, i kanë kënduar trimave e dëshmorëve, krenarisë e sakrificës kombëtare.

Krijuesit dhe artistët kanë qenë gjithmonë ata që me krijimtarinë dhe artin e tyre, kanë nxjerrë edhe heronjtë e mëdhenj kombëtar të dalë nga luftërat shtypëse ndaj shqiptarëve. Pra, si në ditët e gëzimit edhe në ditët e trishta të jetës, ngushëllimin e gjejmë te kënga. Te shqiptarët po këtë kulturë e hasim edhe në vallet tona, e tillë është “ Vallja me shpata” por edhe shumë të tjera. Të gjitha këto, janë vetëm një pjesë e realitetit të trashëgimisë sonë, ndaj edhe janë ngritur sintagma të shumta te shqiptarët për muzikën dhe këngën në veçanti. Por, mjerisht një pjesë e kulturës dhe traditës sonë e përcjellë tashmë në dasmat tona, kohëve të fundit po krijon deformitete të mëdha, përmasa këto që festat familjare po i shndërron në kob familjar.

Është bërë lajm i zakontë që paku një herë në javë të dëgjojmë se si nga të shtënat e armëve në dasmat shqiptare gjithandej, plagosen e humbin jetën burra, gra e fëmijë. Rituali i shtënies me armë dikur paralajmëronte ardhjen e krushqve, kishte kuptimin e “kushtrimit” pra njoftimit apo lajmërimit. Sot është ndryshe, ritualet e çmendura të gjuajtjes me armë në festa të rëndësishme, pasqyrojnë agresivitet dhe mentalitet arkaik e primitiv, ku nevoja për tu çliruar nga komplekset e thella njerëzore dominon edhe mbi jetët e njerëzve. Euforia e dasmave është shndërruar në një fenomen shoqëror, ku shtresa të caktuara të shoqërisë po krijojnë madje edhe modele absurde që imponojnë jo vetëm mënyrën e të festuarit, por tashmë edhe mënyrën e shpenzimit të parasë.

Dikur, dasmat pasqyronin identitetin kulturor të një treve të caktuar, ndërkaq sot diferencën e përbëjnë shtresat shoqërore si refleksion i mentalitetit kulturor, të cilat pasqyrojnë nivelin social e intelektual të tyre. Euforia e dasmave shqiptare po ndikohet edhe nga modelet krijuara që shfaqen çdo ditë të publikuara në rrjetet sociale, ku në raste të caktuara shpenzimi i shumave marramendëse që arrin deri në dhjetëra mijëra euro për një natë, lë të kuptosh anomalitë dhe problemet e shumta që ka shoqëria jonë. Madje, dëgjojmë edhe rrëfime të ndryshme se si merren edhe kredi me mijëra euro euro, që shpenzohen për një natë ani pse kthehen për dhjetë a më shumë vite. Pra, në një farë forme, kriteri që përcakton nivelin e dasmës është bërë shpenzimi enorm i parasë. Kjo çoroditje mbase mund të duket normale për njerëz që nuk e kanë provuar skamjen, por jo edhe për një familje të kapluar nga varfëria e cila preokupimin e vetëm ditor e ka sigurimin e ushqimit për fëmijët e tyre. Ky është kontrasti më i dhembshëm i shoqërisë sonë, e të tilla në familjet tona shqiptare ka shumë. Ndoshta do ti trajtonim më me gjentilesë të gjitha këto, sikur të mos na impononin e bënin publike, por kjo situatë pa dashje të shtyn të mendosh në repartet e spitaleve të mbushura me fëmijë e pleq të cilët ditët e fundit të jetës i shtyejnë me shpresë se sëmundja e tyre mund të gjejë shërim jashtë vendit. Për ta, lajmi më i gëzueshëm mund të jetë një dorë e zgjatur e një zemër humane, që i bën ata ta shohin diellin përsëri. Por, ne shqiptarët raportin me gëzimin dhe hidhërimin e kemi disi të cuditshëm. Herë pas here humbim sensin e ruajtjes së ekulibrave të kësaj marrëdhënieje dhe si rezultat përfundojmë lehtësisht të palumtur apo edhe në tragjedi.

Një makth tjetër që këto ditë po krijon çoroditja e dasmave, është ai urban. Në rrugët kryesore të kryeqytetit këto ditë vere shohim se dasmat janë shpeshtuar. Është e çuditshme se si ne e konceptojmë lumturinë. Po s’ia imponuam të tjerëve, disi nuk e shijojmë, e bëjmë me çdo kusht dhe shfrytëzojmë çdo mjet për ta bërë, madje edhe kur shijojmë ushqimet e preferuara, i publikojmë me fotografi, sepse na shijojnë më shumë. Në të vërtetë, është shumë bukur të gëzohesh dhe çdokush ka të drejtë të jetë i lumtur, por çuditërisht kemi dëshirë që gjërat ti bëjmë më shumë për të tjerët sesa pë vete. P.sh. cfarë kuptimi ka kur në kolonat me dasmorë sheh gra e fëmijë të ulur në xhamat e hapur të automjeteve duke goditur me grushta kulmin e automjetit, e duke komunikuar me eufori, ndërkohë muzika gumëzhin deri në qiell?

Habitem se si arrijnë ta bëjnë. Madje, kur sheh në njërën anë flamurin kombëtar e në anën tjetër muzikën e përzier me elementë orientalë, sllavë, e shumëçka tjetër, atëherë fillon e mendon se aty diçka nuk shkon, ose flamuri me muzikën ose muzika me flamurin, jo pse kam kundërshti për njërën apo tjetrën kulturë, por kundërshtoj fortësisht pretendimet se kështu ruhet tradita. Fundja, ti qëndrosh në ballë flamurit kuq e zi, do të thotë të qëndrosh “shqip” me gjithë karakteristikat e tij. Epo, kështu i bën pyetje vetes se athua si do ta përjetonte e komentonte këtë situatë një individ joshqiptar, jo pse të tjerët janë më të mirë se ne, por cili është modeli që ne duam?! Por ka edhe më keq.

A duhet menduar dikush se në këtë kaos dikush mund të bie nga xhami e të përfundojë nën rrotat e automjetit? Apo tjetra, se si do të ndjehej një njeri që në po atë minutë mund ta ketë humbur një të dashur nga familja e tij? A do të duhej që edhe ai të ulërijë jashtë nga xhamat e automjetit, që ta kuptojë bota hidhërimin e tij? Si gëzimi, edhe trishtimi janë pjesë të jetës, por nuk kuptoj pse duhet t’ia imponojmë të tjerëve, pa na e kërkuar. Në botë, në një minutë lindin rreth dyqindepesëdhjetë dhe vdesin rreth njëqindepesëdhjetë njerëz. Pra, drama njerëzore në të njëjtin moment mund të jetë e ndryshme për secilin nga ne. Ritualet kanë edhe vendin edhe kohën e duhur. Për më tepër, kultura e ruajtjes së traditës nënkupton nivelin e civilizimit të një populli, për ta përcjellur dhe ruajtur ndër breza atë. Ndërkaq, euforia si në gëzim ashtu edhe në trishtim mund të sjell kob të ri, këtë që armët po na e sjellin në dasmat tona! T’i largojmë ato e të provojmë virtytin e madh të maturisë, në gëzim e trishtim!

Të ngjajshme