Një kujtim më i vonë i Çun Lajçit për Bubën

16 Janar, 2018 - 6:03 pm

Nga Çun Lajçi

“I ligu për men” po luhej atë natë, premierë e Fishtës me rexhizor Altin Bashën, të cilën komedi në asnji variant skenik pa s’e kisha, e atë natë po shfaqej ne Teatrin tim, ku unë e kisha lanë rininë e latua aktrimin për 45 vite. Për dreq isha ulë në rendin e parë, edhe pse kurrë zakon s’e pata, por ishte ardhë nga Shkupi Bajrush Mjaku e meqë edhe ai kishte dal ato ditë n’pension, vendosa me shoqnua n’premierë mbas shumë vitësh.

Isha thellua krejtësisht në ngjarjet e viteve të largëta e m’dukej se jam n’Shkodër, aq fort po me pelqente shfaqja, kur më vjen nji SMS nga ti: babë eja n’ Shkup me merr, se mbeta!
M’iku gjaku.
More Zot i thash vetës, po ajo u nis për Tiranë, pse n’Shkup tash?
Dhe derisa po mundohesha me zgjidhë enigmen e me kuptua çfarë mund t’ketë ndodhë, cingëroi telefoni.
I turpnuem që po e prishja atmosferën e premierës u ngrita me rreptim e tue folë të vogël me ty, dola nga shfaqja.

Vetëm Bajrushi u shqetësua sepse ai e dinte hallin tim e dhimbjen tande dhe e luhati kokën, sikur deshti t’me thoshte a ka nevojë të vi me ty.
Atij iu kujtua siduket ajo nata kur po ktheheshim me “Tartufin” nga Tirana e kur mami m’telefonoj e m’tha: Buba po pret sonte m’u nisë për Beograd, n’Klinikën Lorien m’u shtrua!
E kishte vrejt hijën e keqe që m’kishte ra ftyrës e t’vogël n’vesh m’tha: çka ke?
I thashë po m’pret çika m’u nisë urgjent për Beograd e ai me shumë dhimbje m’tha:
Je i rraskapitun more, nuk mundësh me vozitë edhe 400 km.
M’duhet i thash, se vetëm ajo mund ta kuptoj dhimbjen e vet, e unë jam babë e fëmiu prej kujt mund ta pret shpëtimin nëse jo nga baba. S’kam zgjidhje tjetër!
Dhe pa i pi ato kafe që vet Bajrushi na i kishte porositë aty “n’ Aktiva” n’hymje të Shkupit, ku ti e unë ndaleshim shpesh kohëve të fundit, urdhnoj m’u çua: Çuni ka urgjencë tha, andaj duhet sa ma parë me mbrri n’Prishtinë.

Kjo siduket iu kujtua kur m’pa të hallakatun tue dal nga shfaqja e mbet gojëhapun
Dola para Teatrit e folem e folem, u përlamë aç shumë sa kisha përshtypjen se po çuditej edhe Gjergji që rrinte mbi kal aty përball Teatrit.
Të përcolla për Tiranë e ti ke përfundua në Shkup…Ora asht 21 e natës… lek n’xhep s’ke, as autobus m’u kthy, e mua me nxjerrë nga premiera e m’urdhnon me ardhë me t’marrë.
Ç’po ndodhë me Ty?
O nisu babë nisu, po t’pres n’stacion, edhe merri 300 euro me veti se duhesh me m’çua n’Tiranë.
Dhe ma mbylle telefonin!
Ç’asht kjo urgjencë?
Pse këto pare dhe pse natën me udhëtua trup e tërthor Maqedonisë për Tiranë.
Nuk mujsha me ta kuptua hallin, andaj shkova shpejt n’Postë me i vu kredit telefonit tim e tandit e pastaj si i marrë vrapova drejt Dardanisë.
Shkova n’banesë dhe e mora çelsin e veturës dhe shpejt u nisa. Për fatin tand aç pare kisha e vetura ishte plot karburant. Bile thash me veti, shihe more çfar nafake ka thinesha.
Mamit i telefonova, i tregova fill e për pe.
A je n’vete m’tha, qysh doni me shkua n’Shqipni natën dhe pse me i dhanë pare.
Nuk e përfilla fare kundërshtimin e saj, po si i çmendun vozita tue i blua miliona mendime që m’vishin n’kokë.

Erdha e t’gjeta me nji çantë n’shpinë e me atë aparatin muzikor të Digjejve n’dorë që e pate ble n’Tiranë, e që kurrë s’ia mësova emnin. M’thojshe dua mu ba “Digjej” e me punua se s’jetohet pa punë!
Tani po ta them, se kurrë ma t’mjerueshme s’të pata pa moj e mira ime që tretësh n’dhé!
Ishe e lodhune, e unët, e humbun, e zbeht dhe menxi i tërhiqje kamtë zvarrë.
Ku po e çon aparatin t’bërtita, e ti vetëm m’the, merre kët mut se m’këputi e ami do pare t’ha diçka se vdiqa unit.
Unë dojsha me pelcit inatit që t’gjeta n’at gjendje, isha përgaditë me t’ba paçavër e s’pata zemër as me të trua, por t’i dhash 10 euro e ti shpejt e more sendviçin nji Fanta e nji paqetë cigare.
Medet sa shumë u grindem kur u futëm n’veturë. Shumë herë i rashë grusht xhamit e kokës time tue t’sha e ti qajte e tue dënesë u struke n’karrikë e the:
Me ço n’Tiranë dhe ruju po t’pelcet zemra, se n’oren 23 m’duhet atje me qenë!
A ban me fjet sonte n’Prishtinë e nesër heret m’u nisë t’thash.
O çom sonte dhe mos u vono po t’them se sonte m’presin, a merr vesh ti!
Heshta dhe i dhash turr veturës,por s’ia fala vetës që s’mendova para se të nisesha Mavrovës përpjetë. Mujta me u kthye për Kosovë e rrugës Kombit me shkua n’Tiranë, e jo rretherrotull.Nata s’ka ispatë thonë as kerri siguri.

Para se me hi n’Strugë u dhezen do drita të kuqe në ekranin e veturës dhe krejt u tmerova.
-U prish kerri t‘thash. A po e sheh çka m’bane.
Dhe prap ia nisem m’u hangër si qentë.
U ndala nji pikë karburanti dhe u afrova të nji autobus. E luta shoferin e ai erdh me pa se çka janë ato drita t’kuqe. Frejt t’u kan harxhu m’tha dhe mos gabo m’u lëshua Qafës Thanës teposhtë.
I telefonova Leartit dhe i tregova.
-Flej sonte n’Strugë babë e nesër ndreqe kerrin e vazhdo, mos gabo sonte me rrezikua.
Po me çka m’e ndreq kerrin more i mjer i thojsha vetës kur n’xhep i ke vetëm ato eurot që po i duhen Bubës.
Ku me i marrë paret për hotel e qysh me fjet n’veturë kur nata ishte e ftoftë.
U futa n’Strugë dhe nisa me kërkua hotele t’lira. Ti rrishe n’kerr e unë hisha n’hotel e delsha.
-S’paskan vende t’lira t’thojsha!
-Më këputi gjumi bre babë m’thojshe ti!
-Çka me t’ba unë, ke lyp me t’çua natën n’Tiranë. Duro tash. S’ka vende s’ka, a merr vesh!

Dy orë u solla qytetit të Strugës tue hi e tue dal nga hotelet e tue rrejt vajzën time,tue i thanë nuk paska vende t’lira e hotelet ishin bosh se Pranverë e hershme ishte, por unë s’kisha pare e s’dojsha m’u dorzu.
S’dojsha moj të raftë pika m’e dijtë Ti se baba e kishte prekë fundin e skamjës, e s’dojsha me t’deshpërua.
Po mundohesha me qenë n’sytë tu i pasun veç me ta ruej at grimë ymyd jete që t’kishte mbet.
Si me pagua hotelin kur ti m’thojshe m’duhet me e pagua borxhin, e unë ato t’shkretat euro po i rujsha për Ty.
Vonë dikur m’kërkove falje.
-Gabuam babë që u nisem,
kemi mujt me fjet të shpia e nesër m’u nisë!
Kështu m’the kur nisën sytë me tu mbyllë. Kishte fillua me t’lodhë gjumi moj rrita ime që s’prite m’u rritë!
-Po flejmë n’veturë të thash dhe u afrova të nji mekanik kerrësh e u pshteta n’karrikë. Ti u shtrine mbrapa, por duhej herë pas herë m’e dhezë kerrin se bante ftoft.
Kur duel dielli prap bamë xhiro qytetit tue kërkua me pi kafe.
Pritem deri sa erdhi mekaniku.
E kontrolloi veturën e tha: ec se mundesh edhe 500 km më shkua me këta frej.
U nisem Bubë n’at mengjes Pranveror, pa m’shkua mendja se do t’jetë udhëtimi i fundit me ty Qafë Thanë -Tiranë.

Kafen e mengjezit e pimë n’hotel Rogner. Fati e deshti ta takojmë aty Agim Doçin dhe s’na la m’u koritë. Pagoi kafet e parkingun e veturës, sikur ta dinte se Çuni s’e kishte asnji metelik.
Ti shkove e pagove borxhin dhe u ktheve e foto bane me Agimin dhe u nisem për Prishtinë.
Unë gjith’ natën vozita e gjithë ditën të pyeta e ti kurrë s’me tregove: kuj i pate borxh n’Tiranë dhe pse?

Por as unë kurrë s’të tregova se at natë n’Strugë kishte vende të lira me qinda, por baba s’kishte pare e Ty s’donte me të deshpërua.
Hej, qe nga ajo natë, tre muaj rresht kam lut miqë e shokë me ta pagua Klinikën n’Ashkelon!
Por s’ishte thanë prej Zoti m’u sherua. Ai t’fali dhe Ai t’mori.
Mua ma la dhimbjen e sikur m’tha:
“Jeto n’dish me jetua me vajin e parë të 1983 dhe kujtoj ato 33 vitet e bukura të engjullit tand. Nëse dorëzohesh, s’ke me mujt kujt me i tregua se sa e pafajshme ishte jote bijë e sa e pamëshirshme shoqnia demokratike që solli liri”
Unë i ligu për men që t’humba Ty e që kurrë s’e pashë shfaqjen, tani eci i humbun rrugëve tue shkrua letra kujtimi.
Amen!

Të ngjajshme