Sislej Xhafa dhe Imer Kutllovci sollën rrëfime interesante në ‘Ta zbardhi ftyrën’ organizuar nga KultPlus

4 Gusht, 2017 - 5:50 pm

Jeta Zymberi
Fotografitë: Armend Nimani

Së fundi, ajo që po i bën krenarë të gjithë shqiptarët është pikërisht depërtimi i madh i artistëve shqiptarë në botë. Arti i tyre flet më shumë dhe më mirë se gjithçka tjetër për këtë vend që ndoshta për shumë njerëz në botë është i panjohur. Falë punës së artistëve tanë, Shqipëria dhe Kosova kanë zënë vend në faqet e gazetave kulturore më prestigjioze në botë. Shumë artistë shqiptarë nga fusha të ndryshme të artit, duke filluar nga muzika, arti pamor, filmi, kanë treguar se ky vend i vogël ka talent të mëdhenj.

Të gjithë shqiptarët kudo në botë, po ndihen tejet krenarë me arritjet e tyre, e padyshim që ardhja e këtyre artistëve në Kosovë është kënaqësi dhe mirëpritet tejet mirë nga qytetarët. Andaj duke menduar që këta artistë të jenë sa më afër publikut shqiptar, KultPlus në bashkëpunim me Ministrinë e Diasporës, organizuan mbrëmë natën e parë të ciklit të rrëfimeve ‘Ta zbardhi ftyrën’, i cili erdhi në Hamam Bar Prishtina. KultPlus, me këtë cikël të rrëfimeve pretendon të prekë artin në të gjitha pikat kyçe.

Kjo mbrëmje solli për publikun shqipfolës tregimet e dy prej artistëve që tashmë kanë arritur famë ndërkombëtare.
Sislej Xhafa, artisti bashkëkohor i cili së fundmi përfaqësoi Republikën e Kosovës në Bienalen e Venedikut me instalacionin ‘Lost and Found’, fituesi i disa çmimeve ndërkombëtare, ai i cili pushtoi galeritë më të njohura të Evropës dhe jo vetëm, i ftuar në këtë cikël rrëfimesh të organizuar nga KultPlus shpalosi më shumë mbi karrierën e tij dhe për udhëtimin që sigurisht nuk ishte një rrugë e lehtë. Ai udhëtoi drejt vendeve ku arti është një fuqi e madhe dhe depërtimi është një punë e vështirë, por artistët e mëdhenj si Xhafa, arrijnë t`ia dalin kudo, dhe këto momente, sfida e gjithçka tjetër, ai i shpalosi për të ftuarit e këtij eventi special.

Në ‘Ta zbardhi ftyrën’ i ftuar ishte edhe aktori nga Kosova Imer Kutllovci, i cili bëri një karrierë të suksesshme në Paris dhe po e mban atë me role të ndryshme në vendin ku ka lindur arti e kultura. Imeri, është aktor i dhjetëra roleve në Paris, ndërsa është edhe aktor rezident në një nga teatrot e Parisit.
Në mesin e shumë artistëve, e njerëzve të institucioneve, në një ambient shumë të ngrohtë, filloi gjithçka. Udhëhequr nga gazetari Arbër Selmani, ‘Ta zbardhi ftyrën’ filloi me këmbë të mbarë nga këta dy artistë. Fillimisht fjalën e mori artisti Sislej Xhafa i cili gjithçka e nisi duke folur për fillimin e tij jashtë Kosovës, fillimisht drejt Italisë e tutje drejt Amerikës e vendeve të tjera.

“Unë nuk jam i vetëdijshëm as çfarë bëj. E kam zgjedhur formën e artit si shprehje. Kur kam qenë 11 vjeçar kam jetuar në Prishtinë. Udhëtimi në Londër ka qenë i shkëlqyeshëm sepse na ka krijuar atë dimensionin e Evropës, sepse ne jemi një shoqëri e një kulture bashkëkohore fshatare. Firence ka qenë një përvojë tjetër, sepse kur jam pranuar në Fakultetin e Arteve e kam kuptuar këtë fuqinë individuale. Kam shkuar në Firence në vitin 1999, atëherë kur kam fituar një shpërblim atje dhe përnjëherë aty kam fituar të holla dhe e kam pyetur veten çfarë të bëj me to. Mandej e kam zgjedhur Amerikën si destinacion të radhës. New York, një ndër vendet e jashtëzakonshme, një shtet multietnik, i vetmi vend ku e kam gjetur veten”, tha ndër të tjera Sislej.

Ndryshe nga Sislej, aktorin Imer Kutllovci, fillimisht drejt Francës, atje ku po ndërton karrierën e aktorit, e ka dërguar dashuria e mandej ka filluar të kërkojë dyer për zhvillimin e artit të tij, duke pasur parasysh që Imeri tashmë ishte i ndërtuar si artist në Kosovë, duke qenë kështu pjesë e disa shfaqjeve dhe filmave.

“Kur më është bërë ftesa për këtë natë artistike, fillova të mendoj sinqerisht për të kaluarën, sepse sidomos ne shqiptarët nuk e kemi në qejf të kaluarën sepse e kemi pasur të vështirë. Duke menduar se si u nisa nga Prishtina drejt Francës për tu sfiduar me art dhe për tu martuar, thashë me vete kjo ishte e rëndë. Por, jo rastësisht thonë që artistët janë pak të ‘çmendur’. Unë kam shkuar në vitin 2003 në Paris bashkë me bashkëshorten dhe me të arritur atje i kam kërkuar asaj të mi japë dy vite kohë për të kërkuar rrugët drejt suksesit në profesionin tim. Vështirësia e parë që e kam hasë padyshim që ka qenë gjuha, unë isha shumë larg gjuhës frënge. I dhashë vetes 1 vit kohë, e mësova gjuhën e pastaj fillova të interesohesha për profesionin tim, sepse pa e ditur gjuhën nuk mund të merresha me aktrim. Pas një viti unë u integrova dhe kërkova stazh në profesionin tim, pas një kohë një regjisore më ka ftuar në shfaqjen e saj, dhe kështu që nga atëherë nisi rrugëtimi im nëpër shfaqje e seriale në Francë”, tregoi fillimet e veta Kutllovci.

Emri i këtij organizimi ishte ‘Ta zbardhi ftyrën’, por sa e marrin si obligim këta artistë që përmes veprave të tyre t’ia zbardhin ftyrën vendin të vet, këtë nuk e shihnin të domosdoshme këta artistë sepse sipas tyre roli i artistit nuk është që të ja zbardhin fytyrën askujt, por të bëjnë një punë të mirë dhe të freskët dhe të tjerët të jenë krenarë me punën e tyre.

“Artisti nuk e ka për detyrë të ja zbardhë fytyrën dikujt. Artisti e ka një rol, të sfidojë veten me kohën”, tha ndër të tjera Xhafa.

Gjatë këtij rrugëtimi, artistët padyshim që kishin edhe vështirësi, këto vështirësi ata i shpalosën për publikun e pranishëm të cilët po i dëgjonin me shumë kureshtje.

Sislej tregoi se ka pasur momente të tilla padyshim, dhe një ndër këto momente ishte një kritikë në një gazete e cila kishte folur negativisht rreth punës së tij.
“Kjo gazetë kishte shkruar për Bienalen në të cilën unë merrja pjesë dhe aty kishin shkruar që një ndër kryeveprat ka qenë nga shqiptari më i varfër, i cili është refugjat dhe ka folur shumë keq, por kjo kritikë më ka shtyrë t’i jap rëndësi vetvetes dhe të kem një qëndrim të ri ndaj artit në përgjithësi”, tha tutje Xhafa.

Ndërsa Kutllovci tregoi se si vështirësi të parë e ka pasur ballafaqimin me gjuhën.
“Për një artist vështirësitë veç janë në rritje. Mësimi i gjuhës ka qenë vështirësi për mua, që më ka penguar fillimisht, por me kohë kjo vështirësi ka kaluar. Sa më shumë që po punoj, po më duket që po rriten edhe vështirësitë”, tha Kutllovci.

Të ndërtosh karrierë në një vend të huaj, padyshim që është e vështirë për secilin artist, por kur talenti, puna e madhe dhe vullneti për të arritur atë që do bashkëdyzohen, edhe sukseset nuk mungojnë. Të pajtimit për një gjë të tillë ishin edhe dy artistët e pranishëm.
“Një shtet na ka përqafu, por nuk na ka përqafu pse na do, ata na kanë përqafu sepse ne i kemi sfiduar, edhe kohën edhe sistemin, perceptimin e artit bashkëkohor në atë periudhë kohore. Ata e kanë parë një freski te ne. Përndryshe nuk është e lehtë të depërtosh në vend të huaj, është shumë më e vështirë se këtu. Por unë ngado që shkoj adaptohem shpejt, e luaj lojën e tradhtarit, ama tradhtarit të mirë”, tha Sislej.

Dy artistët e pranishëm në këtë event, nuk harruar të flisnin edhe për rëndësinë e kthimit të tyre në vendlindje, kohë pas kohe. Sipas tyre një gjë e tillë është shumë e rëndësishme, sepse ata thanë që shpesh i merr malli edhe për “lloçin” e vendlindjes.
Ndërsa për të gjithë ata artistë që dëshirojnë të provojnë tregun e huaj konkurrues të artit, Kutllovci u mundu t’i këshillojë. Ai tha se “gjithmonë është e rëndësishme të qëllosh në kohë sepse talentë ka gjithkund në botë”.

Artisti Sislej Xhafa kishte një këshillë shumë interesante për artistët e rinj, ai i këshilloi që të ‘rrejnë’ sa më shumë, duke e konsideruar kështu gënjeshtrën si pjesë të imagjinatës. “Artisti nuk duhet të pres nga të tjerët”, këshilloi Xhafa artistët e rinj.

Pas rrëfimeve mjaft interesante nga të dy artistët të cilët në dy fusha të artit po shkëlqejnë, të pranishmit patën rastin të bëjnë pyetje për artistët, e ku interesimi nuk mungoi. Pas përgjigjeve që artistët i dhanë për të pranishmit, eventi vazhdoi me takimin e artistëve me të pranishmit dhe me një koktej rasti.
‘Ta zbardhi ftyrën’ organizohet nga KultPlus, gazeta e parë dhe e vetme online për kulturë në rajon, projekt ky me mbështetje të Ministrisë së Diasporës së Republikës së Kosovës./ KultPlus.com

Të ngjajshme