Tri “Gratë e Guximshme” të Kosovës

22 Mars, 2018 - 2:15 pm

Valdete Idrizi, Arbana Xharra dhe tashmë edhe Feride Rushiti janë tri gra të fuqishme nga Kosova që kanë marrë çmimin prestigjioz ndërkombëtar për “Gra të Guximshme” i cili ndahet nga Departamenti Amerikan i Shtetit, shkruan KultPlus.

Drejtoreshës Ekzekutive të QKRMT-së, Feride Rushiti, do t’i ndahet Çmimi Ndërkombëtar për Gratë e Guximshme, të premten më 23 mars. Kjo është hera e tretë që një grua nga Kosova është fituese e këtij çmimi.

Në vitin 2015, këtë çmim e kishte fituar Arbana Xharra, ish kryeredaktore e gazetës “Zëri” në Prishtinë për “Raportimet e saj mbi ekstremizmin fetar dhe ndikimin e tij në shoqëri”.

Në vitin 2008, këtë çmim e kishte fituar Valdete Idrizi, veprimtare nga Kosova, për projektet që drejtonte në Mitrovicë, me synim për të nxitur ripajtimin dhe paqen ndërmjet komuniteteve të ndryshme etnike.

Këtë vit së bashku me Feride Rushitin do të nderohen edhe Roya Sadat nga Afganistani, Aura Elena Farfan nga Guatemala, Julissa Villanueva nga Hondurasi, Aliyah Khalaf Saleh nga Iraku, Maria Elena Berini nga Italia. Aiman Umarova nga Kazakistani, L’Malouma Said nga Mauritania, Godelive Mukasarasi nga Ruanda dhe Sirikan Charoensiri nga Tailanda.

Në arsyetimin për ndarjen e çmimit për Drejtoreshën Ekzekutive të Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), thuhet se “Për gati dy dekada të punës së saj, ajo ka siguruar qasje në shëndetësi dhe drejtësi për të mbijetuarit civil të luftës. Ajo ishte ndër doktorët e parë që njohu nevojën për trajtimin e traumave psikologjike për refugjatët që ikën nga dhuna, posaçërisht të grave dhe grupeve të pakicave. Angazhimi i saj ka çuar në disa fitore ligjore”.

Ky Çmim ndahet nga Departamenti Amerikan i Shtetit, për gratë të cilat kanë dëshmuar lidership dhe guxim të jashtëzakonshëm në avokimin për paqe, drejtësi, të drejtat e njeriut, barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave./ KultPlus.com

Të ngjajshme