Uta Ibrahimi: Të ngjitesh në majën e botës është një ndjesi sikurse po të prekë Zoti me dorë

31 Dhjetor, 2017 - 4:00 pm

Flutura. E fuqishmja Flutur. Flutura e Kosovës, e njohur si Uta, zbardhi zemrat e qytetarëve të vendit të saj ashtu siç është e bardhë Maja e Himalajës. Flamujt nuk i munguan, kuq e zi ishte ai me të cilin është rritur, ndërsa bardhë, kaltër e verdhë është flamuri me të cilin e prezanton shtetin. Uta Ibrahimi, gruaja e parë shqiptare që pushtoi Majën më të lartë në botë Everest (8848m), vjen me një rrëfim ndryshe për KultPlus. Uta me plotë dashni, në intervistën e fundvitit për KultPlus, shpalosi emocionet e ngjitjes së majës së Everesiti, që nga entuziazmi, vdekja e deri te dashuria që ka ndjerë kur ka pushtuar këtë majë. Uta, me flokët e bardhë, sytë e kaltër e buzëqeshje që nuk i ndahet asnjëherë nga fytyra, tregoi për të rejat që do sjellë në vitin 2018-të, dhe qëllimin e saj në pushtimin edhe të 14 majeve të tjera të larta në botë gjerë në vitin 2023.

Sarandë Selimi

KultPlus: Ju jeni gruaja shqiptare që keni bërë historinë me ngjitjen në majën e Everestit, cila është më e rëndësishme për ju, që jeni gruaja e parë shqiptare që jeni ngjitur në këtë maje, apo vetë pushtimi i kësaj maje?
Uta Ibrahimi:
Ngjitja në majën më të lartë të tokës, Everest 8848m, për mua dhe gjithë popullin shqiptar, është ngjitje historike. Është fakt që për të gjithë alpinistët, ngjitja nëpër maje të larta të Himalayave është shumë e rëndësishme, jo veç për faktin e ngjitjes, por edhe për faktin e shënimit të historisë dhe kthimit shëndoshë e mirë në vend. Do të isha edhe më shumë e lumtur nëse në majën e botës do të kishte mbërri dikush nga gjeneratat e gjyshes apo nënës … mirëpo, si në shumë fusha të tjera edhe në alpinizëm jemi të vonuar, dhe tani ne jemi ata që po shënojmë histori për kombin dhe shtetin. Krenaria për sakrificën dhe mundin gjatë gjithë këtyre viteve, po vlerësohet shumë e më shumë, e sidomos nga populli nëpër të gjitha trojet tona shqiptare.

KultPlus: Nëse mund të krahasohet emocioni i ngjitjes në një ndër majet më të larta të botës me ndonjë emocion tjetër, më cilin do ta krahasoje?
Uta Ibrahimi:
Është ndjenjë e pakrahasueshme … është edhe ndjenjë vështirë që mund të përshkruhet, ishte… ishte… sikur me të prekë dora e Zotit e me të përndritë .. kurrë në jetë nuk do ti harrojë momentet e para të lindjes së diellit të datës 22 Maj 2017 … Ndihem shumë mirë që kam qenë e vetëdijshme dhe çdo moment të kësaj ngjitje e kam përjetuar maksimalisht.
KultPlus: Çfarë keni menduar në ato momente drejt ngjitjes?
Uta Ibrahimi: Nuk mund të them se kam pas shumë momente që kam menduar për tema të caktuara … më shumë kam kujtuar njerëzit e dashur, njerëzit e familjes dhe shoqërinë të cilët bashkë me mua, kemi kaluar një fazë me sfida dhe sakrifica. Një moment që do ta veoja, ëshë kur arrita në maje, edhe gjatë kohës kur pushoja dhe shihja atë mrekulli, me shkoi mendja te njerëzit e vendit tim, sa të vogla e sa të parëndësishme m’u dukën krejt grindjet, inatet, kacafytjet mes njerëzve. Toka prej atje lartë, ishte shumë e bukur e qetë e me shumë dashni.

KultPlus: Përgjatë rrugëtimit drejt majës së Everestit, a ka pasë raste kur i ke thënë vetes se pse i ke hyrë kësaj rruge?
Uta Ibrahimi:
Ka pas shpesh momente të tilla, sidomos kur lodhja ishte shumë e madhe .. mirëpo asnjëherë aq serioze sa të më kthente poshtë … ose ndoshta pse dashnia për ngjitje në maje ka qenë shumëfish më e madhe se sa mendimet për lodhjen.

KultPlus: Në anën tjetër edhe rreziqet nuk mungojnë drejt këtij rrugëtimi, pikërisht brenda asaj periudhe, kjo majë i mori jetën afro 16 alpinistëve nga vende të ndryshme të botës, keni menduar për vdekjen?
Uta Ibrahimi:
Po është e vërtetë. Numri i vdekjeve në Everest është shumë i lartë për shumë arsye. Para se të filloja ekspeditën, ndonjëherë shikoja video në youtube, edhe pse refuzoja të shihja video e dokumentar, tmerrohesha kur i shihja këto video … atje, kam parë njerëz që kanë qenë të sëmurë, njerëz që kanë qenë afër vdekjes, kam parë edhe trupa të njerëzve të vdekur … Momentin e parë që jam përballë me një alpinist sllovak, i cili veç ishte afër vdekjes ka qenë e tmerrshme. Ishte zona mes kampit 4 dhe majës, diku në 8400-8500 metra ku edhe ish një pjesë shumë e pjerrët dhe ishte kombinim i gurit dhe akullit, dhe me këtë rast ngjitja ishte edhe më e vështirë … dhe për ta tejkaluar këtë alpinist duhej që të afroheshe dhe të zhvendosje siguresat prej njërës anë në tjetrën, dhe në këto raste ishe fizikisht shumë afër njerëzve dhe kishe mundësi që të kuptoje më mirë gjendjen e të tjerëve…Më kujtohet që jam ndal dhe kam dashur ti jap diçka prej ushqimeve të pakta që i kisha në njërin xhep … dhe në ato momente kanë filluar disa alpinistë nga mbrapa të bërtasin, dukë më thënë që të vazhdoja me ecje.
E kam kuptuar që në momente të tilla duhet të ecësh, sepse nuk ke asnjë mundësi që të ndihmosh njëri tjetrin. Pas kësaj, kam parë edhe disa trupa të cilët kishin vdekur disa ditë përpara … edhe ajo në momentet e para ishte e tmerrshme, dhe më pas .. sikur gjithçka normalizohej dhe ëndrra drejt majës vazhdonte të mbetej prioritet.

KultPlus: Dhe pavarësisht rreziqeve, suksesi i Everestit duket se ju magjepsi, ju po brenda këtij viti pushtuat edhe majën tjetër, atë të Nepalit, cilën përvojë e konsideroni më të veçantë?
Uta Ibrahimi:
Për herë të parë në Himalaya kam qenë në dhjetor të vitit 2016 .. ku u magjepsa me mrekullinë që ka ditur nëna natyrë të krijojë. U mahnita me kulturën, malet e sidomos me njerëzit dhe dashninë e pasionin e tyre për malet. Krejt kjo ka ndikuar në mënyrë madhështorë në Utën e maleve. U ktheva me plot jetë dhe ëndrra. E fillova ëndrrën e 14 Majeve të Tokës. Gjithsej janë 14 maje më të lartat në rruzullin tokë, e të cilat janë mbi 8000 metra lartësi mbidetare. Kjo ëshë ëndrra të cilën do ta ndjek edhe për 6 vitet e ardhshme (2023) ku do të provoj ngjitjen edhe në 12 Maje të tjera … 2 prej tyre tani veç i kam realizuar me sukses, Everestin 8848 dhe Manaslu 8163. Më e veçanta në krejt këto ngjitje ëshë maja më e lartë e tokës! Fakti që s’ka më më lartë, të bën të ndihesh si njeriu me më shumë fat në këtë tokë.

KultPlus: Pavarësisht këtyre sukseseve, udhëheqësve të Kosovës duket se nuk iu bëri shumë përshtypje ky fakt, ata nuk organizuan ndonjë pritje për këtë sukses, edhe përkundër asaj se ju vendosët flamurin e Kosovës në të dy majet, të ka zhgënjyer ky fakt?
Uta Ibrahimi:
Kam vendos që këto ngjitje ti bëj me 2 flamujt, atë me të cilin u rrita dhe atë me të cilin shtet prezantoj. Udhëheqësit na nderuan duke shkruar nga një status në FB, ashtu sikurse shumë organizata të tjera në Kosovë dhe Shqipëri. Nuk u bë asgjë tjetër më shumë … përveç nderit që më bëri presidenti i Shqipërisë Ilir Meta. Do të vazhdoj ngjitjet e mia bashkë me përkrahjen e popullit shqiptarë, gjithandej nëpër trojet shqiptare, ndërsa politika dhe njerëzit në krye, sot janë dhe nesër nuk janë … e kur nuk janë më, janë të pavlerë. E ne jemi këtu gjithmonë.

KultPlus: Por në anën tjetër populli u entuziazmua nga guximi i juaj, është më e fuqishme kjo dashuri e njerëzve se sa vetë injoranca e udhëheqësve?
Uta Ibrahimi:
Populli ka qenë dhe vazhdon të jetë motivi im kryesor i ngjitjeve të mia. Pa dashninë e popullit, këto ngjitje do të ishin të pamundura. I kam falënderuar prej zemrës shumë herë e vazhdoj ta bëj sa herë ta kem mundësinë.

KultPlus: Dhe emri i juaj zyrtar është Flutura, një emër që simbolizonë lirinë, mu sikurse pasioni i juaj, të vjen keq që tashmë nuk njiheni me emrin Flutura por Uta?
Uta Ibrahimi:
Flutura është emri që ma ka vënë gjyshja, e Uta është emri që ma kanë lënë mbesat, e që dy emrat janë të lidhur shumë me mua, dhe nuk më vjen keq cila do që përdoret.

KultPlus: Dhe për fund, Uta Ibrahimi u shndërrua brenda një viti në një alpiniste tejet të shkëlqyer duke pushtuar dy maje shumë të rëndësishme, çfarë sfida keni vënë para vetës për vitin 2018?
Uta Ibrahimi:
Viti 2018 do të jetë po ashtu me plot ngjitje dhe aktivitete në Kosovë dhe më gjerë. Do të vazhdojë prezantimet nëpër shkolla fillore, universitete, organizata etj. për të ndarë eksperiencën time me të rinjtë e kësaj toke, me qëllimin e inspirimit të gjeneratave të reja dhe ndjekjes së ëndrrave. Do të vazhdoj promovimin e Kosovës dhe Shqipërisë si destinacion për turizëm nëpërmjet organizimit të toureve për turistët e huaj nëpërmjet kompanisë time, Butterfly Outdoor Adventure. Si dhe qysh edhe e ceka më lart, përveç ngjitjeve të mia nëpër Kosovë dhe rajon, plani kryesor është të ngjiten në 12 maja të tjera të Himalayave, 2 prej tyre do ti kem në 2018 … më shumë informata do ti lancojmë në Janar 2018.
Për fund, të gjithë njerëzve të kësaj toke ua uroj Vitin e Ri, duke ua kujtuar që jeta është shumë më e bukur kur jemi një me natyrën, kur e ruajmë ambientin ku jetojmë, kur e përkrahim njëri tjetrin e kur japim dashni te njëri tjetri.
Gëzuar 2018. Utalaya Himalaya!/KultPlus.com

Të ngjajshme