Jennifer Aniston dhe Reese Witherspoon bashkë në një seri televizive

Jennifer Aniston dhe Reese Witherspoon do të bashkëpunojnë për një projekt televiziv.

Bëhet fjalë për një seri televizive , që ende nuk ka një titull dhe që do të flasë për mediat dhe programet e mëngjesit të New Yorkut, shkruan Tgcom24.

Dy aktoret dhe miket kanë punuar edhe më parë bashkë, edhe pse për pak episode, në telefilimin “Friends”, ku Witherspoon ka interpretuar rolin e motrës së vogël të protagonistes Rachel Green, (të interpretuar nga Aniston).

Jay Carson, producent i “House of Cards” seri për të cilën është nominuar dy herë për çmimet Emmy, do të jetë skenaristi dhe producenti ekzekutiv së bashku me dy aktoret, edhe ato në rolin e producentes, përveçse protagoniste, transmeton ATSH.
Ideja mbërrin nga ish presidenti i divizionit të dramës të HBO Michael Ellenberg, dhe do të jetë ndoshta pikërisht HBO që do të merret me transmetimin.

Për Aniston do të ishte roli i parë televiziv pas “Friends”, seria kult për të cilën u nominua pesë herë në çmimet Emmy.
Së fundmi aktorja ka deklaruar për Variety se dëshironte të kthehej në tv sa më shpejt : “E kam menduar shumë: në televizion është puna dhe aty është cilësia. Në këtë pikë të karrierës sime dua të jem pjesë e historive të mrekullueshme, personazheve interesante dhe të zbavitem”./ KultPlus.com

Zjarr në festivalin ‘Tomorrowland’, evakuohen rreth 22 mijë njerëz (VIDEO)

Më shumë se 22 mijë njerëz u evakuan pasi një zjarr kishte kapluar skenën në festivalin e muzikës “Tomorrowland” në Spanjë.

Fotot dhe videot e postuara në mediet sociale tregojnë mjaft qartë kaosin që shpërtheu, pasi zjarri pushtoi skenën dhe bëri që me mijëra t’ia mbathin.

Flakët e fuqishme përfshinë pjesën më të madhe të skenës kryesore, por fatmirësisht, asnjë person nuk është lënduar.

“Askush nuk vdiq sepse njerëzit u evakuuan duke ecur. Nëse ndokush vraponte, të tjerët i thoshin të mos e bënte sepse mund të formonte ndonjë tollovi dhe të shtypte njerëzit”, tregoi një pjesëmarrës i festivalit për CNN, përcjell Insajderi.

Organizatorët e “Tomorrowland” përmes një postimi në webfaqen zyrtare thanë se zjarri u shkaktua nga një defekt teknik. Hetimet për zjarrin vazhdojnë.

Ndërkohë, fansat e shumtë të koncertit shprehën zhgënjimin e tyre për shfaqjen e humbur, ku do të dëgjonin artistë si DJ Steve Aoki, DJ Ingrosso dhe Afrojack.
“Tomorrowland” ka filluar të mbahet që nga viti 2005 dhe që nga ajo kohë është rritur për nga popullariteti. Në vitin 2013 biletat ishin shitur për një sekondë. /KultPlus.com
https://www.youtube.com/watch?v=JZJz0InuuGk

Hapet ekspozita “Himara përmes dokumenteve dhe fotografive”

Himara në dokumentet e Arkivit Qendror Shtetëror, është prezantuar në një ekspozitë dokumentare dhe fotografike”.

Kryetari i Bashkisë Jorgo Goro ka hapur ekspozitën dhe ka falënderuar Drejtorin e Përgjithshëm të Arkivave, Ardit Bido për bashkëpunimin, sepse Himara është e mbushur me dokumente dhe histori.

“Kjo ekspozitë është shumë interesante për vendasit dhe pushuesit për të treguar historinë e kësaj treve, që nëpërmjet atdhedashurisë arriti të ndërtoj këtë realitet”, tha Goro.

Gjithashtu edhe Drejtori i Arkivave Bido falënderoi kryetarin e Bashkisë Himare.

“Himara është shumë e bukur, ka një histori të gjallë. Në këtë mënyrë ne i promovojmë këto vlera të veçanta të cilat gjenden në Arkivin Qendror të Shtetit, si arkivi unik nga lloji vet në Shqipëri, në mënyrë që të gjithë të shohin paraardhësit e tyre, ku jetonin, si jetonin dhe si frymëzim për të tashmen”, u shpreh Bido.

Kjo ekspozitë pritet të jetë një nga asetet më të rëndësishme dhe një ndër pikat kulturore më të vizituara në Himarë pasi kjo ekspozitë do i shërbejë shumë turistëve vendas dhe të huaj në njohjen e kulturës dhe historisë mijëravjeçare të Himarës./ KultPlus.com

Transmetimi i dokumentarit për princeshën Diana shkakton indinjatë

Vëllai i princeshës Diana është përpjekur të pengojë transmetimin për herë të parë të një dokumentari, në të cilin flitet për jetën sentimentale të saj dhe dështimin e martesës me princin Charles, konfirmoi sot e përjavshmja “Mail on Sunday”.

Stacioni televiziv “Channel 4” konfirmoi se konti Charles Spencer, vëllai i Dianës, kishte qenë në kontakt të vazhdueshëm, duke nënvizuar se do ta transmetonte ashtu si ishte parashikuar dokumentarin të dielën e ardhshme, raporton AFP.

Dokumentari “Diana: In her own words” përmban imazhe të regjistruara në vitet 1992 dhe 1993 nga Peter Settelen, profesor për diksionin i princeshës, e cila vdiq më 31 gusht 1997 në një aksident me veturë në Paris.

Video ishte transmetuar në vitin 2004 nga stacioni televiziv amerikan NBC pas një beteje të gjatë gjyqësore, por ende nuk ishte shfaqur në televizionin britanik, edhe pse është e mundur të shihet në çdo moment në platforma si YouTube.

Në afrim të 20-vjetorit të vdekjes së Lady Di, shtypi britanik konkurron me tituj të mëdhenj mbi zbulimet e dala nga ky dokumentar.

Princesha tregon aty në mënyrë të veçantë se si ajo kishte menduar të largohej nga pallati i Buckinghamit që prej viteve 80 me truprojën e saj, Barry Mannakee, me të cilin ajo kishte rënë në dashuri dhe i cili vdiq në vitin 1987 në një aksident me motor. Më vonë, në video, ajo hedh hipoteza se i dashuri i saj mund të ishte vrarë.

Diana tregon vuajtjet nga martesa e saj me princin Charles, të cilin e kishte takuar vetëm 13 herë para ditës së madhe dhe me të cilin marrëdhëniet seksuale ishin reduktuar në minimum.

Në këtë dokumentar, ajo kritikon gjithashtu familjen mbretërore dhe afrimitetin e paktë që mund të gjente tek mbretëresha Elizabeth II.

Motivi pse këto pjesë janë transmetuar tashmë në një stacion të madh kombëtar televiziv në Britaninë e Madhe, ka irrituar të afërmit e princeshës si Rosa Monckton, një prej mikeve më të mira të Dianës, që e ka gjykuar projektin çnjerëzor.

“Imagjinoni vuajtjen që i shkaktoni familjes së saj, djemve, princat William dhe Harry”, është shprehur ajo për “Daily Mail”.

Për t’u vetëmbrojtur, stacioni televiz “Channel 4” ka këmbëngulur në dimensionin historik të dokumentarit.

William dhe Harry janë shfaqur gjithashtu në një tjetër dokumentar të transmetuar në stacionin televiziv “ITV”, në të cilin ata zbulojnë se kanë folur shumë pak me mamanë e tyre ditën e vdekjes dhe se kjo bisedë e shkurtër iu kishte mbetur akoma në mëndje, 20 vjet më pas./ KultPlus.com

Poetja Irma Kurti nderohet me çmim të parë në Itali (FOTO)

Poetja dhe shkrimtarja shqiptare Irma Kurti nderohet me çmimin e parë në Edicionin e XXIII-të të Konkursit Ndërkombëtar të Poezisë: “Poseidonia- Paestum” në (Salerno) të Italisë, në seksionin e autorëve të huaj me librin “Senza patria”(Pa atdhe).

Juria e konkursit drejtohej nga gazetari dhe shkrimtari i njohur Ermanno Corsi si dhe personalitete të tjera të botës letrare italiane.

Ky çmim i cili i është ndarë Kurtit më 8 korrik, e ka gëzuar edhe vetë poeten shqiptare, e cila përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, është shprehur krenare dhe e gëzuar që po ndanë me bashkëvendasit e saj këtë sukses, shkruan KultPlus.

“Jam krenare dhe e gëzuar të ndaj me ju suksesin tim më të ri: Çmimin e parë në seksionin e poetëve të huaj në Edicionin e XXIII të Konkursit Ndërkombëtar të Poezisë: “Posedonia-Paestum” për librin me poezi: “Senza patria”(Pa atdhe). Ceremonia e dorëzimit të çmimeve u zhvillua në datën 8 Korrik 2017, në Paestum(Salerno)”, shkruan Irma Kurti.


Irma Kurti ka nisur të shkruajë e të botojë poezi që në moshë të vogël. Në publikun shqiptar ajo njihet si krijuese e talentuar dhe e suksesshme e teksteve të këngëve të muzikës së lehtë. Është pjesëmarrëse në dhjetëra anketa muzikore, festivale kombëtare në RTSH e në koncerte pranvere dhe plot krijime të saj janë nderuar me çmime.


Irma Kurti ka botuar 15 libra në gjuhën shqipe si dhe nëntë në gjuhën italiane. Librat e saj janë përkthyer në disa gjuhë të botës: në anglisht, frëngjisht, spanjisht dhe gjermanisht. Në vitin 2013 fitoi çmimin ndërkombëtar “Universum Donna” për letërsinë dhe emërtimin “Ambasadore e Paqes” nga Universum Academy dhe Universiteti i Paqes në Lugano, Zvicër./ KultPlus.com

‘Film n’park’ nesër tek Biblioteka Kombëtare e Kosovës

‘Film n’park’ është një organizim i të rinjve të Prishtinës që ka për qëllim shfaqjen e filmave, aktivizimin dhe emancipimin e të rinjve, shkruan KultPlus.

Përveç filmave çdo të shtunë organizohen edhe aktivitete tjera si: Muzikë (DJ) & Karaoke, pikturim, poezi dhe lojëra të ndryshme sociale.

‘Film n’park’ sjellë kësaj here filmin ‘Straight Outta Compton’ por jo në Parkun e Qytetit por në Parkun tek Biblioteka Kombëtare e Kosovës, shkruan KultPlus. Filmi do të shfaqet me fillim nga ora 19:00 ndërsa sjellë një ngjarje të vërtetë ku bënë fjalë për pesë djemtë të rinj në vitit 1987 të cilët duke përdorur rima brutale dhe rrahje hardcore, treguan frustrimin dhe zemërimin e tyre për jetën në vendin më të rrezikshëm në Amerikë me armën më të fuqishme që kishin: muzikën e tyre.

Duke na kthyer prapa aty ku filloi të gjitha, “Straight Outta Compton” tregon historinë e vërtetë se si këta rebelë kulturorë të armatosur vetëm me lirinë e tyre, shkeljet, guximin dhe talentin e papërpunuar u paraqitën tek autoritetet që kishin për qëllim t’i mbanin poshtë dhe formuan botën Grupi më te rrezikshëm, NWA. Dhe ndërsa flisnin të vërtetën që askush nuk e kishte, zëri i tyre ndezi një revolucion shoqëror që ende po nderohet edhe sot./ KultPlus.com

Fotografi e rrallë e Mbretëreshës Geraldine (FOTO)

Gazetari shqiptar Ilir Ikonomi, sot në rrjetin social Facebook, ka publikuar një foto të rrallë në Tiranë të konteshës hungareze Geraldine Appony, e cila më vonë do të bëhej Mbretëresha e Shqiptarëve, shkruan KultPlus.

Përveç kësaj fotografie të mrekullueshme të Mbretëreshës Geraldine, Ikonomi, ka bashkëngjitur edhe një rrëfim interesant të marrë nga libri i Gwen Robyns “Geraldine of the Albanians”.

Po e sjellim të plotë këtë tregim për Mbretëreshën e Shqiptarëve:

“Një foto e rrallë në Tiranë e konteshës hungareze Geraldine Appony, që do të bëhej më vonë Mbretëresha e Shqiptarëve.

Geraldina 22-vjeçare arriti në Shqipëri në fund të vitit 1937 dhe pas një njohjeje të shkurtër me Mbretin Zog, ditën e vitit të ri ai e pyeti:

– A thua se mund të më duash përgjithmonë, pavarësisht çfarë ndodh në jetën tonë?

– Po unë të dua tashmë, – u përgjigj ajo.

Pastaj ata folën për dallimet e tyre fetare.

– Unë do të të dua përgjithmonë, – tha Geraldina, – por ti je mysliman dhe unë katolike. Si do ta rregullojmë këtë punë? Asgjë në botë nuk mund të më detyrojë mua ta ndryshoj fenë. Ashtu siç shohim hënën dhe diellin, ashtu edhe unë kam fenë time dhe nuk mund ta ndryshoj.

Mbreti qeshi:

– Edhe unë e kam menduar këtë dhe nuk bëhet fjalë që ti të ndryshosh fenë. Ne jemi myslimanë evropianë dhe unë kam shumë respekt për kishën tuaj. Falë Kishës Katolike dhe manastireve në Shqipëri ne ia arritëm ta mbajmë gjallë gjuhën tonë. Nën Perandorinë Osmane ishte e ndaluar të flisje shqip, vetëm turqishtja lejohej. Por nëpër manastire ishte ndryshe, prandaj ne u kemi atyre një borxh të madh që e mbajtën gjallë gjuhën tonë. A dëshiron ta mësosh shqipen?

– Më jep një mësues qysh nesër, – tha Geraldina.

(Nga libri i Gwen Robyns “Geraldine of the Albanians”)”, ka publikuar gazetari Ilir Ikonomi./ KultPlus.com

Ngrihet për herë të dytë flamuri i Kosovës në Rusi (VIDEO)

Dje është mbajtur festivali muzikor “Evropa Plus”, në të cilin kanë performuar yjet botërore të muzikës.

Në mesin e tyre, kanë marrë pjesë edhe yjet e njohura shqiptare si Dua Lipa, Bebe Rexha e Arilena Ara, të cilat kanë bërë performanca të shkëlqyera.

Dua Lipa, përveç performancës, është shpërblyer edhe me një “pllakë ari” nga organizatorët e festivalit.

Performanca e Lipës është publikuar në kanalin YouTube dhe gjatë performancës, në publik shihet se ka pasur edhe kosovarë. Në këtë video, nga publiku shihet se një fans ka ngritur flamurin e Republikës së Kosovës dhe lirisht mund të themi se kjo është hera e dytë që flamuri kosovar ngrihet në Rusi.

Kujtojmë se për herë të parë, flamuri i Kosovës në Federatën Ruse u ngrit kur xhudistja Majlinda Kelmendi fitoi medaljen e Artë në Kampionatin Botëror të Xhudos, që u mbajt vitin e kaluar në Rusi, shkruan Koha.net.

Për ta vërtetuar këtë, shikoni videon më poshtë, saktësisht në minutën 01:02-03 sekonda./ KultPlus.com
https://www.youtube.com/watch?v=57rLvvqT1_Y

U mbajt Festivali i Poezisë ‘Guri i Plakës’, Shqipe Hasani merr vendin e parë

Edicioni filloi me ekspozitën retrospektive të piktorit Fatmir Caraku.

Në organizim të Asociacionit të Letrarëve dhe Artistëve ART CLUB ‘Rifat Kukaj’ në Drenas, u mbajt edicionin e II-të i manifestimit letrar Festivali i Poezisë ‘Guri i Plakës’ me mbështetje financiare të Ministrisë së Diasporës.

Edicioni filloi me ekspozitën retrospektive me piktura, peizazhe, portrete e grafika të piktorit Fatmir Caraku, në ambient të hapur pranë Gurit të Plakës. Për vlerat e kësaj ekspozite foli piktori Visar Sylaj.

Festivali vazhdoi me orën poetike “Guri i Plakës”, e cila kishte karakter garues, me ç’rast juria e festivalit në përbërje nga Adem Gashi, Nexhmije Kastrati dhe Xheladin Mjeku, ndanë tri çmime për krijimet më të mira: çmimi parë i takoi poetes Shqipe Hasani, çmimi dytë poetes Djella Çitaku dhe çmimi i tretë poetit Bedri Zyberaj.

Ndërkaq çmimi special për krijuesin e diasporës kësaj radhe iu nda Hysen Ibrahimit kryetar i shoqatës së shkrimtarëve shqiptarë në Suedi Papa Kelementi XI Albani, shkruan 21 media. Manifestimi u përmbyll me përurimin e librave “Thesari Kombëtar 7-8” dhe “Arsimi shqip në Suedi” botime të Shoqatës së shkrimtarëve shqiptarë në Suedi.

Manifestimin në emër të Ministrisë së Diasporës e përshëndeti Shani Hamitaga i cili vlerësoi lart organizimin e këtij festivali i cili është edhe urë lidhëse në mes krijuesve në mërgatë dhe krijuesve vendor./ KultPlus.com

Artisti shqiptar ‘Miloti’, hapë ekspozitën me vepra të guximshme në Itali

Artisti shqiptar Alfred Mirashi ‘Miloti’ ka hapur ekspozitën “Know” “E di” në Bashkinë e qytetit Pietrasanta.

Me këtë ekspozitë artisti që prej vitesh jeton në Itali, ka hyrë edhe në guidën e artit të këtij qyteti me një vepër të guximshme “Primatus Petri” që është vendosur në hyrje të ndërtesës së bashkisë.

Ekspozita e artistit italo-shqiptar Miloti është çelur të premten më 28 korrik në hollin e bashkisë së qytetit dhe do të qëndrojë e hapur deri më 10 shtator. Kjo ekspozitë u çel në hollin e bashkisë së qytetit në prani të kryebashkiakut të Pietrasanta-s, Massimo Mallegni dhe artistëve të njohur italianë. Ekspozita e Alfred Mirashit Miloti përuron në mënyrë eksperimentale, një hapësirë të re ekspozuese në brendësi të ndërtesës publike të Pietrasanta-s.
Kryebashkiaku Mallegni është i interesuar për të zgjeruar hapësirat e ekspozitës, shprehet Alfred Mirashi, shkruan Shqiptarja.com. Ai ndihet i lumtur që vepra e tij është vendosur në brendësi dhe në pjesën e jashtme të këtij pallati që ka strehuar ndërkohë vepra të bukura e origjinale të realizuara nga Romano Cosci, Bozzetti di Botero, e më gjerë si dhe statuja e Shën Lucia-s, vepra që i administron vetë institucioni.

“Nuk është e lehtë të gjesh fjalë për të falënderuar kryetarin e bashkisë së Pietrasanta, Massimo Mallegni-n dhe stafin e tij në bashkinë e Pietrasanta-s, si dhe kuratoren e ekspozitës Fiammetta Galleni, artiste e lirë bashkëkohore. Kam shumë falënderime për këtë mikpritje të madhe dhe marrëveshje të rëndësishme, që të ekspozohen punët e mia më të fundit, në sallën e qytetit, ku janë ekspozuar edhe mjeshtrit e ‘900 –s. Një falënderim për të gjithë”, -thotë Miloti.
Kjo është hera e parë për artistin shqiptar që përmes ekspozitës të bëjë hapjen e dyerve të korridoreve madhështore të pallatit të qytetit Pietrasanta./ KultPlus.com

Një humbje e madhe për Arbëreshët e Italisë dhe për Albanologjinë

Me rastin e vdekjes së arbëreshit, prof. Antonio Guzzetta

Pak ditë më parë në Horën e Arbëreshëve (afër Palermos) në Itali ndërroi jetë një nga intelektualët më të shquar të botës arbëreshe, prof. Antonio Guzzetta (Guxeta), titullar shumëvjeçar i Katedrës së gjuhës dhe letërsisë shqipe në Universitetin e Palermos.

Gjatë veprimtarisë së tij të vijueshme intelektuale dhe pedagogjike, për shumë vjet udhëhoqi Katedrën e gjuhës dhe letërsisë shqipe albanologjisë të Universitetit të Palermos dhe studimet dhe botimet shkencore që u bënë aty. Nga viti 1968 drejtoi Qendrën Ndërkombëtare të Studimeve Shqiptare “Rosolino Petrotta” (Centro Internazionale di Studi Albanesi “Rosolino Petrotta”) që zhvilloi një veprimtari të pasur në ngritjen e studimeve arbëreshe – shqiptare në Itali dhe në Evropë. Një çështjet e qenësishme e veprimtarisë së prof. Guxetës qe puna pedagogjike arsimore në Universitetin e Palermos dhe përgatitja e një varg brezash arbëreshë.

Profesor Guxeta qe vazhdues i denjë i traditës së intelektualëve arbëreshë në Itali, sidomos në Sicili dhe në Kalabri, për zgjimin e vetëdijes për prejardhjen e tyre dhe për ruajtjen e trashëgimisë së tyre kulturore dhe shpirtërore.

Më 1974 u emërua profesor i rregullt i gjuhës dhe i letërsisë shqipe pranë Institutit Oriental të Napolit (themeluar më 1900). Pas një viti kaloi në Universitetin e Palermos, ku kreu detyrën e udhëheqësit të Katedrës së gjuhës dhe letërsisë shqipe në Fakultetin e letërsisë dhe të filozofisë. Në vitet 1987-1990, me daljen në pension të mikut të tij, prof. Francesco Solano, prof. Guxeta dha mësim në Universitetin e Kalabrisë, duke siguruar vazhdimësinë didaktike dhe shkencore të njërës prej katedrave albanologjike më të vlerësuara në Evropë.


Midis viteve 1973-1997 prof. Guxeta organizoi 23 kongrese ndërkombëtare të studimeve shqiptare, ku morën pjesë studiuesit dhe albanologët më të shquar nga Evropa dhe SHBA- të. Nga viti 1991 në këto kongrese morën pjesë edhe studiues nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia.

Prof. Guxeta është autor i disa veprave të rëndësishme dhe fitues i disa mirënjohjeve ndërkombëtare, duke përfshirë këtu dhe çmimin Naim Frashëri (më 1992).

Për rëndësinë e veprimtarisë së prof. Guxetës, prof. Françesko Altimari, ndër intelektualët sot më të shquar të botës arbëreshe, në letrën ngushëlluese që më dërgoi me rastin e vdekjes së arbëreshit të madh nga Hora, shkruante sa vijon:

“Me të shuhet një ndër shtyllat e albanologjisë në Itali, i cili siç di shumë mirë edhe ti në kohë për ne shumë të vështira – kishte mbetur i vetmi titullar katedre në Itali pas vdekjes së Ernest Koliqit në pjesën e dytë të viteve ’70 – arriti me urtësi dhe me largpamësi jo vetëm ta mbronte hapësirën tonë të vogël akademike që ishte në rrezik, por arriti edhe ta fuqizonte me lidhjet e tij të shumta dhe të forta që kishte me studiuesit më të shquar, gjuhëtarë dhe albanologë, italianë dhe të huaj. Kujtojmë edhe lidhjet e veçanta që krijoi me Universitetin tonë (të Kalabrisë – v. ime), duke favorizuar krijimin e katedrës albanologjike të drejtuar nga prof. Solano dhe kontributin e madh që i dha botës arbëreshe duke e lansuar atë në panoramën shkencore, kombëtare dhe ndërkombëtare, dhe duke e bërë të njohur nëpërmjet kongreseve ndërkombëtare albanologjike që organizoi çdo vit në Palermo pothuajse për 20 vjet me radhë!”

Prof. Guxetën e njoha në nëntor të vitit 1993, kur mora pjesë në Kongresin ndërkombëtar të studimeve albanologjike në Palermo, që ai i organizonte çdo vit. Sa kisha filluar punën e pedagogut në Universitetin e Kalabrisë. Ishte një njeri i afër dhe i dashur, fort i përzemërt, gjallërik, jashtëzakonisht komunikues dhe kishte një aftësi të parëndomtë të organizimit të takimeve të tilla shkencore që kërkojnë një zotim të vijueshëm e të mundimshëm. I nderonte studiuesit e moshuar, po kishte një qëndrim të ngrohët e dashamirës sidomos për të rinjtë.

Me vdekjen e prof. Guxetës bota arbëreshe dhe albanologjia në përgjithësi pësuan një humbje të madhe. Emri i tij tashmë është amëzuar në një varg të mbërrimesh arbëreshe dhe do të shërbejë shembull se si duhet flijuar për botën arbëreshe dhe për pasurimin e saj.
Anton Nikë Berisha

Arian Spasse: Busti i Skënderbeut në Hungari do të ndryshohet

“Është vetëm maket, do të pësojë ndryshime e do të marrë tiparet, me të cilat janë familjarizuar shqiptarët”.

Kështu është shprehur Ambasadori shqiptar në Hungari, Arian Spasse, pas reagimit që ka shkaktuar publikimi në faqen e Ambasadës në Facebook, të dy fotografive që paraqisnin shtatoren e Skënderbeut që do të vendoset në Budapest.

Reagime të ashpra, për shkak se Skënderbeu i realizuar nga skulptori hungarez, Mihaly Gabor, nuk kishte asnjë ngjashmëri me portretin e heroit. Pas kësaj, ambasadori Spasse ka nxituar të sqarojë përmes një statusi, po në faqen e Ambasadës në Facebook.

“Duke marrë shkas nga disa reagime të miqve në FB lidhur me fizionominë e bustit të Skënderbeut që planifikohet të vendoset në Budapest, dëshiroj të sqaroj se maketi i paraqitur në foto është vetëm maket. Ai do të pësojë ndryshime deri sa të marrë tiparet me të cilat shqiptarët janë familjarizuar. Faleminderit për mirëkuptimin”, shkruan ambasadori Arian Spasse. Madje edhe dy fotografitë e mëparshme janë hequr nga faqja.

REAGIMET

Disa ditë më parë, Ambasada shqiptare në Budapest, njoftoi vendosjen e një shtatoreje të Heroit tonë Kombëtar në Budapest, pranë monumentit të heroit hungarez, Janosh Huniadi. Skulptura është realizuar nga Mihaly Gabor. Për ta konkretizuar lajmin, ishin postuar edhe dy fotografi që tregonin ambasadorin Spasse me skulptorin përpara shtatores dhe një tjetër të monumentit, i cili, përveç përkrenares me brirë dhie, nuk kishte ndonjë ngjashmëri me imazhin e heroit, me të cilin jemi rritur.

Reagimi më i ashpër ndaj kësaj vepre erdhi nga Dekani i Fakultetit të Arteve Pamore, Ardian Isufi, i cili e quajti një “mynxyrë artistike”, skulpturën hungareze. Ajo çka e irriton më së shumti artistin është sipas tij “injoranca” e institucioneve shqiptare, që pranojnë një “denigrim’ të tillë të figurës së Heroit tonë Kombëtar.

Në një intervistë për “Panoramën”, Isufi u shpreh se “në Arkivin e Vatikanit ka dhjetëra gravura, në të cilat shquhen disa tipare karakteristike të fizionomisë së Skënderbeut, si hunda si shkabë, vetullat me kënd. Elementë, mbi të cilët është mbështetur edhe Odhise Paskali, edhe pse ai e ka interpretuar figurën artistikisht”.

Ai u sugjeroi institucioneve shqiptare që të këshillojnë skulptorin e huaj, por edhe ata shqiptarë, që të shfrytëzojnë arkivat e Vatikanit. Madje ai u shpreh pesimist, se fjala e tij do të shkonte në vesh të shurdhër, por me sa duket, nuk ndodhi kështu./ KultPlus.com

Mentor Zymberaj mori çmimin ”TEATROPIS” në Maqedoni

Mentor Zymberaj, aktor dhe producent i njohur, mbrëmë në Shkup mori çmimi “TEATROPIS” nga Asociacioni i Kritikës dhe Teatrologëve të Maqedonisë për shfaqjet e realizuara dhe te prezantuara në konkurrencë ndërkombëtare, shkruan KultPlus.

Për këtë gjë nëpërmjet rrjetit social Facebook, ka njoftuar vetë aktori Zymberaj me ç’rast është shprehur mjaft i lumtur.

“Është një sukses i madh jo vetëm i imi si krijues artistik, po i Artit skenik të Kosovës dhe më gjerë”, ka shkruar Mentor Zymberaj./ KultPlus.com

Dua Lipa kthehet me ‘pllakën e artë’ nga Rusia (FOTO)

Këngëtarja me prejardhje shqiptare Dua Lipa, ishte një nga yjet shqiptare që ka performuar në festivalin “Evropa Plus” në Rusi.

Para performancës, Dua Lipa është shpërblyer me një “pllakë ari” nga organizatorët për kontributin e dhënë në botën muzikore dhe me rastin e nxjerrje në shitje të albumit të parë.

Këtë e ka bërë të ditur vet Dua përmes një fotografie të publikuar në rrjetin social Facebook.

“E artë në Rusi. Dua Lipa 1. Faleminderit”, ka shkruar ajo./ KultPlus.com

Vepra e re e Memli Kelmendit premierë në Francë

Kompozitori i njohur kosovar Memli Kelmendi, po vazhdon suksesshëm punën e tij, ku veprat të cilat ai i kompozon jepen premierë nëpër vende të ndryshme të Evropës dhe jo vetëm, shkruan KultPlus.

Kësisoj është edhe vepra e tij e sapo kompozuar ‘Silentium Est Pax’ (për SSMsTB), e cila së shpejti do të interpretohet premierë në Francë nga ‘Sottovoce Ensemble’. Këtë gjë e ka bërë publike vetë kompozitori Kelmendi, nëpërmjet rrjetit social Facebook, ku është shprehur mjaft i lumtur për këtë gjë.

“Dua të ndaj lajmin me ju që vepra ime e sapo kompozuar “Silentium Est Pax” (për SSMsTB) së shpejti do të interpretohet Premierë në Francë nga “Sottovoce Ensemble”, vepër e cila është kompozuar enkas për këtë ansambël dhe këtë formacion vokal”, ka shkruar Kelmendi./ KultPlus.com

Anija që transportoi bombën e parë atomike

Mjeti ushtarak luftoi edhe me peshkaqenët

Transportonte një armë sekrete që sipas krijuesve të saj, mund të kishte dhënë një pikë kthese – përfundimtare – në fund të Luftës së Dytë Botërore. Duke i lënë një ultimatum, të qartë, mesazh (edhe për pak) aleatit sovjetik.
Ngarkesa e anijes ishte e përbërë nga disa komponentë të super armës së re amerikane, bombës atomike që do të kishte shpërthyer më 6 gusht 1945 në qytetin japonez të Hiroshimës (reportazhi jonë “Dita që dielli ra në tokë”). Kryqëzori i rëndë USS Indianopolis komandohej nga një marinar i zoti dhe me përvojë, kapiteni Charles Butler McVay III (historia rishfaqet me ardhjen në kinema të filmit të interpretuar nga Nicolas Cage, i cili është një nga autorët që ka shkruar këtu).

Rudyard Kipling do ta kishte quajtur ‘Kapiteni i guximshëm’ duke marrë shkas nga romani i tij i famshëm në 1897.
Çfarë ndodhi? Më 26 korrik 1945 pasi kishte dorëzuar zorrën dhe ngarkesën e uranit të atomikes së parë në bazë të USA të Tinianit, në Marianne, lundroi drejt Leyte, në Arkipelagun e Filipineve për t’u bashkuar në një task forcë që kalonte në këto ujëra ende të rrahura nga nëndetëset japoneze.
Një mision rutinë i transportit që u shndërrua në një nga tragjeditë më të mëdha të detit. Natën e 30 korrikut 1945, anija kthjellohet nga nëndetësja japoneze I-58 e komandantit Mochitsura Hashimoto dhe fundoset nga nisja e dy silurëve. Për ekuipazhin filloi një dramë për një javë, një odise i vërtetë. Vetëm me 8 gusht rekuperohen të mbijetuarit.

Lufta kundër detit dhe peshkaqenëve – menjëherë pas fundosjes rreth 900 ishin marinarë që shpëtuan duke u hedhur në det. Por, për ta lufta për mbijetesë sapo kishte filluar. Pastaj lufta për mbijetesë vjen me peshkaqenët. Vetëm 316 marinarë janë marrë për t’u shpëtuar nga anijet dhe avionët amerikanë. Të gjithë të tjerët gjetën vdekjen nga mbytja, dehidratimi dhe nga plagët e marra. Gus Kay, një ndër të mbijetuarit, kujton: peshkaqenët “afroheshin dhe talleshin për orë të tëra. Nuk shqetësoheshim t’i mbanim larg, por vinin direkt në grup: e kalonin artin e marinarëve, uji ishte i përgjakshëm. (këtu është dëshmia e Leal Dean Cox)
Procesi për fundosje (armik) – Për komandantin McVay filloi një kalvar i ri. Gjyqi ushtarak e akuzoi si përgjegjës për humbjen e anijes.
Ishte hera e parë që Judge Advocate General (JAG, ky i famshmi i serialeve televizive) gjykonte një oficer për shkak të fundosjes së anijes së tij në kohën e luftës në duart e armikut. Iu tha që nuk lundronte zig-zag, një manovër e përdorur për t’iu larguar sulmeve të nëndetëseve armike. Në të vërtetë, marina militare amerikane donte të mbulonte fajet e saj: e la të lundronte USS Indianopolis pa një skortë të përshtatshme, njofton Gazeta-Shqip.

I nisën kërkimet për të mbyturit 5 ditë me vonesë dhe mbi të gjitha pa e informuar McVay që në rrugën që ishte për ta mbuluar ishte regjistruar tashmë një aktivitet armik. Vetëm në 2001 McVai u shfajësua nga të gjitha akuzat (këtu lajmi nga Neë York Times); por ishte tepër vonë: më 9 nëntor 1968, në kopshtin e shtëpisë së tij në Litchfield, në Connectinut ishte qëlluar me një të shtënë në kokë.
Historia e gjatë e një anijeje – nisur më 1931 USS Indianopolis shpëtoi mrekullisht nga sulmi japonez i Peal Harbuor më 7 dhjetor 1941 (këtu po kujtojmë 75 vitet e sulmit), sepse u përfshi në një stërvitje detare. Me hyrjen në luftë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, më 20 shkurt 1942, përfshihet në përballjen e parë kundër forcave ajrore dhe detare në jug të Rabulit, në Britaninë e Madhe. Mori pjesë në operacionin në Oqeanin Paqësor, nga beteja e Taraëa në atë të Peleliut, deri në atë finalen e Iëo Jima e Okinawa./ KultPlus.com

‘Shqipëria destinacioni i ri për italianët’ (FOTO)

Me ndonjë fotografi nga Shqipëria, ndonjë përkujtim nga e kaluara kryeministri shqiptar Edi Rama, mëngjesin e secilës ditë ua uron të gjithë shqiptarëve kudo që janë, shkruan KultPlus.

Ndërsa sot urimi i tij vjen pak më ndryshe. Rama, në rrjetin social Facebook, ka publikuar një artikull nga mediet italiane, i cili flet për turizmin dhe bukuritë e Shqipërisë.

“MIRËMËNGJES
dhe ju uroj një ditë të mbarë me këtë artikull të radhës për bukuritë e Shqipërisë dhe turizmin tonë”, ka shkruar Edi Rama ndërkohë që ka publikuar në origjinal dhe të përkthyer gjithë artikullin nga Virgilio.

Sjellim më poshtë artikullin ‘Shqipëria destinacioni i ri për italianët’:

* * *
Shqipëria po bëhet destinacioni alternativ i pushimeve italiane. Me hapjen e resorteve dhe fluturime të reja nga Italia, Shqipëria është padyshim destinacioni më parësor i verës 2017.
Në mesin e plazheve ku të ngelet syri, siç janë Vlora dhe Saranda, dhe kur faqja zyrtare e turizmit albaniatravel.com të jetë online, kërkesat do të shumëfishohen në mënyrë dramatike.
Sipas raporteve nga ANSA, numrat e verës së kaluar kanë patur tashmë një kapërcim. Në vitin 2016 pati bum turistësh: 4,3 milion, 15% më shumë se në vitin 2015. Sektori i turizmit është një nga më të rëndësishme në vend, me një qarkullim prej 1.5 milionë Euro, 7% të PBB-së kombëtare.

Vjen në rritje fluksi nga vendet fqinje me Shqipërinë si Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia, por kështu po rriten edhe udhëtarët nga Gjermania (gjermanët ishin të parët që braktisin plazhet Romanje për zbuluar anën tjetër të bregdetit), Polonia, Rusia dhe tani edhe nga Italia.
Turistëve, Shqipëria u ofron natyrën e pacenuar, plazhet e bukura, rrënojat e lashta, ushqim të mirë dhe njerëzit miqësore. Më mirë se kaq …

ATTA (Adventure Travel Association Trade) e ka përfshirë atë midis tre destinacioneve kryesore për ata që duan një pushim aventure së bashku në Kubën dhe Portugalinë, falë shtigjeve panoramike ku mund të udhëtosh, si rruga e lashtë Egnatia që lidhte Romën me Bizantin si edhe ‘Via Dinarica’, një nga gjurmët më të mira të vitit 2017 sipas National Geographic, dhe falë kanioneve ku mund të bëhet Rafting.
Por pika më të fortë janë plazhet, të tilla si Ksamili pranë Sarandës, plazhit Dhërmi në jug të Vlorës, plazhi i Karaburunit, në Parkun Kombëtar Karaburun-Sazan dhe ai i Gjipesë, ndoshta më i bukui i vendit.
Kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian që prej vitit 2014, Shqipëria është një kantier i madh. Kudo ndërtohen rrugë, pallate, spitale dhe shkolla, edhe me ndihmën e të huajve, përfshi shumë italianë të tërhequr nga stimuj të tillë si reduktimi i TVSH-së nga 20 në 6% për industrinë e shërbimit të hoteleresië.
Me pak fjalë, Shqipëria është e gatshme për të nisur sfidën e saj për t’u kthyer në një mbretëreshë e turizmit. Më të zgjuarit shkojnë tani, kur ne ende kostot janë relativisht më të ulëta dhe nuk është sulmuar nga turizmi masiv./ KultPlus.com

Nga Strasburgu në Tiranë, hapet ekspozita për kështjellën e Rozafës ‘The legend is back home’

Ekspozita më e re e çelur këtë sezon vere është “The legend is back home” kushtuar dhe frymëzuar nga legjenda e Kështjellës së Shkodrës, “Rozafës”, e cila gjithmonë i ka bërë njerëzit kureshtarë rreth historisë së saj.

Në galerinë e artit “Kalo” në Tiranë në ekspozitën me piktura “The legend is back home” (Legjenda është kthyer në shtëpi) janë punë të artistëve të njohur shqiptarë. Veprat e tyre si pjesë e kësaj ekspozite janë para viteve ’90 për të vijuar me punë, që nga artistë të njohur deri në ditët e sotme. Në galerinë “Kalo” janë prezantuar vepra të autorëve si Kol Idromeno, Danish Jukniu, Sytki Brahimaj, Edi Hila, Artan Draçini, Merita Selimi, Gjon Jon Kraja, Andi Hila, Sidi Kanani, Eros Dibra, Pjerin Kolnikaj, etj. Më herët veprat e autorëve shkodranë u prezantuan dhe në Strasburg e më gjerë. Në ekspozitë prezantohet me veprën e tij dhe piktori shkodran Andi Hila. Piktori e vlerëson pjesëmarrjen në ekspozitën, e cila këto ditë vere do të qëndrojë për publikun në galerinë “Kalo” deri më datë 20 gusht.

“Kam një punim në pikturë me dy dritare të murosura. Ajo pikturë është realizuar pas një vizite, ku vura re një mori dritaresh, të cilat ishin mbyllur me mure dhe këtu u frymëzova për këtë punim. Kjo ekspozitë ka shëtitur në disa vende dhe se fundi është kthyer në galeri, ku tani qëndron e hapur për publikun. Unë nuk di të flas shumë për punimet e tjera, por boshti është ngujimi dhe murosja”, pohon piktori shkodran Andi Hila, i cili është pjesë me veprën e tij në ekspozitën “The legend is back home”, shkruan SotNews.

Udhëtimi i ekspozitës si fillim nisi me titull “Legjenda e një kështjelle / Legende de la Citadelle”, që filloi në Strasburg. Por tani ajo vjen me titullin “The legend is back home” këto ditë vere për publikun, i cili mund të njihet me veprat e autorëve të njohur, por dhe të rinj shkodranë.

Historia dhe legjenda

Ekspozita tregon ndikimin e historisë së qytetit dhe legjendës së kështjellës, e ndërtuar në sajë të sakrificës së gruas e nënës së re Rozafës- në formimin e artistëve, që e kanë bërë këtë qytet të ketë një rol udhëheqës në mbajtjen dhe zhvillimin e mëtejshëm të kulturës, artit dhe sportit në të gjithë Shqipërinë. Përzgjedhja e veprave është frymëzuar nga ideja se artistët që e kanë origjinën nga qytete e kështjella të rrethuara me mister dhe legjendë, e reflektojnë frymën e legjendave edhe në artin e tyre. Shkodra ka edhe një numër të madh heronjsh që janë në qendër të legjendave dhe historive, si Gjergj Elez Alia, Muji e Halili, Kostandini etj. Për ata që e njohin legjendën e Rozafës, e kanë të qartë se në muret e saj prehet një trup i gjallë nëne. Gruaja ‘Rozafë’ lutet që t’ia lënë njërin gji jashtë, për të ushqyer me qumësht djalin e saj të vogël. Me trupin e saj, Rozafa i dha jetë një fëmije, me sinqeritetin dhe vetë-flijimin e saj, ajo i dha jetë një qyteti. Mbi të u ngrit një kala, tre vëllezërit e legjendës gjetën mirëkuptim mbi murosjen e kësaj gruaje. Si gjithmonë, dikush flijohet që diçka më e madhe të jetojë. Dhe Shkodra jetoi në shekuj mbi flijimin legjendar. Legjenda e Rozafës është një legjendë e përcjellë brez pas brezi. Ajo është trashëguar dhe përshtatur më së miri nga penda e prozatorit të njohur Mitrush Kuteli për të gjithë lexuesit në librin “Tregime të Moçme Shqiptare”./ KultPlus.com

Festivali Ndërkombëtar i Animacionit “Anibar” me tur rreth Kosovës

Festivali Ndërkombëtar i Animacionit “Anibar” është nisur sërish në turin e tij rreth Kosovës.

Një pjesë e stafit të Anibar prej datës 23 Korrik kanë filluar turin e tyre në Kosovë, për të shkuar në qytetet e Kosovës dhe të thërrasin sa më shumë njerëz për t’ju bashkuar festivalit.

Duke filluan me qytetin e Prizrenit ku të Dielën (23 korrik) në Kinon Lumbardhi u shfaqë një program i kuruar posaçërisht nga organizatorët e festivalit për këtë ngjarje. Qyteti pasues ishte Gjakova, ku në Parkun e Kulturës ‘Ali Podrimja’, në një atmosferë shumë të ngrohtë rinore u shfaq program dhe një punëtori për fëmijë.

Përveç programit, para dhe pas shfaqjes së filmave shikuesit kanë pasur mundësinë të marrin direkt informata prej stafit dhe vullnetarëve të Anibar dhe të marrin fletushka me informata për programin, transportin nga qyteti i tyre përkatës për në Pejë në datat e festivalit, për akomodim e në përgjithësi për programin.

Qyteti i radhës do të jetë Prishtina, ku sot më 29 Korrik, do të shfaqet programi në hapësirën e Termokissit.
Pas Prishtinës, vazhdon në Mitrovicën më 30 Korrik dhe Gjilanin me 31 Korrik e parashihet që gjatë këtyre ditëve të zhvillohet edhe në Tiranë, ndërsa në fund i gjithë stafi kthehet në vendin e nisjes – në Pejë, për të filluar me programin e paraparë. ‘RECLAIM THE CITY’ është tema e edicionit të tetë të festivalit për këtë vit, që ka të bëjë me faktin që qyteti është i qytetarëve dhe duan t’u kthehet prapë atyre. Por kjo nuk nënkupton që tema është e përkufizuar vetëm për qytetin e Pejës – vendin ku do të zhvillohet ky festival.

Kjo temë prekë secilin person të cilitdo vend të cilit i cenohet e drejta për të shfrytëzuar hapësirat publike, dhe në linjë me temën e këtij edicioni, vendet ku janë shfaqur dhe do të shfaqen filmat janë hapësira publike.
Festivali Ndërkombëtarë i Animacionit Anibar, edicionin e tij të 8-të e fillon më datën 14 Gusht dhe zgjatë plotë 7 ditë, me 315 filma, 11 programe speciale, 6 punëtori, coffee and talks, prezantime, dhe afterparty çdo natë./ KultPlus.com

‘Dokufest’ sjellë edhe një risi për adhuruesit e filmit

Në Kej, buzë lumit, do të jetë e vendosur një nga 10-të kinematë e këtij edicioni të festivali më të madh të filmit dhe dokumentarit në Kosovë ‘Dokufest’.

Kjo kinema pritet të jetë unike sepse audienca aty do të ketë mundësi të shikoj filma me VR (realitet virtual) dhe të përjetoi ndjesinë e udhëtimit në të ardhmen.

Kinemaja “GjirafaVideo VR” do shtoi edhe më tepër kuptimin e temës së këtij edicioni-FUTURE. Secili do të mund të përfshihet tërësisht në realitetin virtual përmes tre filmave: ”Chasin Coral ”, ” Notes on Blindness” dhe “A history of Cuban Dance”.

Kinemaja do të jetë e hapur çdo ditë të festivalit nga ora 10:00 deri në orën 23:00.

Hyrja është falas dhe të gjithë interesuarit do të kenë mundësi të përjetojnë eksperiencën e filmave të së ardhmes. Dokufest fillon më datë 4 gushtë në Prizren. / KultPlus.com

Arilena Ara këndon shqip në Rusi (VIDEO)

Katër këngëtare shqiptare ishin të ftuara për të kënduar live në njërin prej festivaleve më moderne të muzikës “Evropa Plus” në Moskë, por vetëm tri prej tyre kanë arritur të udhëtojnë atje sepse Era Istrefi pas kërcënimeve që mori nga shteti Rus, anuloi pjesëmarrjen në këtë festival, shkruan KultPlus.

Dua Lipa, Bebe Rexha, e Arilena Ara, pritet të performojnë sonte live në festival. Ara tashmë ka publikuar një video në Instagram ku shihet duke e kënduar këngën ‘Nëntori’ në gjuhën shqipe. Ndonëse u tha që Era Istrefi është kërcënuar pikërisht për faktin se do të këndonte në gjuhën shqipe.

Pritet ti shohim sonte performancat e artisteve shqiptare në Rusi. / KultPlus.com

Rehearsal! Europa Plus Live, tonight! 🎉

A post shared by Arilena Ara (@arilenaaraa) on

Përparim Rama i hyn garës botërore me një dizajn mahnitës restauranti (FOTO)

Arkitekti me famë botërore, Përparim Rama i është futur edhe një gare për të triumfuar.

Rama pati fituar titullin botëror me projektin e tij në Hammam Jazz Bar në Prishtinë dhe ai tash është pjesë e garës në International Design Aëards 2017 me një tjetër dizajn.

Projekti me të cilin ai dhe kompania e tij 4M Group garon është një restaurant në Perth të Australisë “Ku De TA Perth”. Nga ajo që shihet në fotografitë e restaurantit gjithçka është për një frazë “wow”.

Në këtë garë nevojitet vota juaj për të mbështetur arkitektin shqiptar, Përparim Rama. / KultPlus.com

Klikoni në linkun poshtë për të votuar

http://www.internationaldesignexcellenceawards.com/finalist/ku-de-ta/#vote-form-27406


Riekspozohen armët e periudhës otomane në kalanë e Gjirokastrës (FOTO)

Topat e luftës që i përkasin periudhës otomane, janë riekspozuar në aneksin anësor të Kështjellës së Gjirokastrës me një formë tjetër dekorative.

Atyre u janë përshtatur shtretër të drunjtë dhe janë rikalcifikuar duke u dhënë një pamje tjetër krejt ndryshe nga ajo e para disa kohëve më parë. Investimi kap vlerën e gati 800 mijë lekëve prej një fondi të dhënë nga Korpusi Amerikan i Paqes, Organizata Kulturore pa Kufij, si dhe Ministria e Kulturës.

Për kreun e Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare Gjirokastër, Albert Kasi, rehabilitimi i kësaj hapësire në brendësi të kështjellës, erdhi si domosdoshmëri për të riintegruar trofetë e periudhës otomane dhe prezantimin e tyre në një formë dinjitoze në shërbim të turizmit.

“Ideja ka qenë për riorganizimin e kësaj hapësire të blertë dhe riekspozimin e topave të periudhës otomane në një situatë estetike shumë më të këndshme dhe siç shikoni kjo është një vlerë e shtuar e trashëgimisë kulturore dhe një vlerë e shtuar e një nga monumenteve më kryesore që ka Gjirokastra siç është kalaja e saj”, shprehet Albert Kasi, drejtor i DRKK në Gjirokastër.

Kështjella e Gjirokastrës, është objekti më i vizitueshëm nga turistët vendas apo të huaj. Mjaft mjedise brenda hapësirës së kalasë, qëndrojnë ende të pavlerësuara dhe të lëna pas dore, ndërkohë që DRKK Gjirokastër, ka mundur përmes disa projekteve të vogla, të rikuperojë ato pjesë të dukshme dhe të prekshme nga vizitorët.

I tillë është edhe aneksi në të majtë të korridorit hyrës në kështjellë i cili më parë, ka qenë territor i lënë pas dore, ndërsa prej pak ditësh është shndërruar në një zonë të vizitueshme. / KultPlus.com