‘Një Muaj’ premierë botërore në Cairo International Film Festival

Filmi i shkurtër ‘Një Muaj’ me skenar dhe regji nga Zgjim Terziqi dhe producent Agon Syla është pranuar në konkurrencën zyrtare të filmave të shkurtër – International Cinema of Tomorrow Competition në festivalin e kategorisë ‘A’ ku do të garoj për çmimin ‘Filmi më i mirë i shkurtër’ dhe për çmimin special të jurisë.

Cairo International Film Festival është themeluar në vitin 1976 dhe njihet si festivali më i vjetër në Arabi, Afrikë dhe Lindjen e Mesme dhe gjithashtu bën pjesë në mesin e 15 festivaleve garuese të kategorisë A, sipas Federatës Ndërkombëtare të Shoqatave të Producentëve të Filmit (FIAFP). Edicioni i këtij viti fillon me 21 deri 30 nëntor 2017.

‘Një Muaj’ është film i bazuar në ngjarje të vërtetë dhe flet për Anën një 40 vjeçare e verbër, e pa martuar, e cila jeton sipas marrëveshjes së katër motrave të saj. Pakti i tyre përmban përkujdesjen e saj secila me rend nga një muaj.

Në këtë film luajnë: Makfire Miftari, Luan Jaha, May-Linda Kosumovic, Shengyl Ismajli, Irena Cahani, Fatmir Spahiu, Rinesa Qeriqi, Era Balaj, Dardane Mehmeti, Zog Zeqiri Berisha, Blerina Krasniqi, Nata Zeqiri Berisha, Lis Spahiu.

Filmi është prodhim i shtëpisë filmike ‘Broken Branch Production’, i subvencionuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe me mbështetje nga Swiss Cooperation Office Kosova dhe Komuna e Prishtinës./ KultPlus.com

50 vjet

Kosova ishte një dashuri imja që s’më solli asgjë përpos shqetësimeve. U desh shumë dashuri për ta urryer kaq shumë. Dhe janë vetë shqiptarët shkaktarët e kësaj gjendjeje të trazuar shpirtërore.
Besova se tetëmbëdhjetë vitet e fundit të pasluftës në Kosovë qe e pamundur të përmblidheshin në një shkrim të vetëm, por kur e mendova që shumë e thjeshtë, madje përmblidheshin në një fjalë të vetme – TURP.
****
Unë rroj në vendin që ka mungesë të qartësisë. Unë rroj në vendin me aftësi të kufizuara. Njeriu i vendit e kohës sime, lëngon më shumë nga realiteti se sa dhimbjet e shkaktuara nga sëmundjet. Ndonjëherë, nevojitet ajo që të vetmen kemi – kohën, që t’na i shëroj plagët e shkaktuara nga koha.
Kosova, me statusin e saj gjysmak, as-as (as Europë, as Arabi), ka hyrë në shekullin e dytë të robërisë. Pasi pavarësia ishte – Hyrje në injorancë. Këtë shekull e karakterizon pushtimi nga vetvetja. Dhe në këtë shekull, më shumë se për çdo gjë, Kosova ka nevojë për cmitizues. Dhe instalim të ndëshkueshmërisë.
Ka kohë që alfabeti i gjuhës shqipe është reduktuar në tridhjetë shkronja. Ka kohë që fjalori i gjuhës shqipe është reduktuar në dyqind fjalë. Ka kohë që ne jemi shndërruar i tëri në popull intelektual. Ka kohë që jemi shndërruar në popull ekspertësh, pa klase punëtore. Ka kohë që gjenitë janë ndaluar me ligj. Duhet ti kundërvihemi varfërisë së kulturës sonë. Nuk mund të lejojmë kthimin e edukimit në privilegj.
****
Ndërkohë që gjysma e shqiptarëve po vdesin nga infarktet, në pritje të rezultateve finale të ndeshjeve futbollistike nëpër bastore, në Kosovë vetëm këndohet në duete dhe bëhen spote, ma ndryshe. Dhe koalicione, të panatyrshme. Dhe “krijohet Art”?!!!
Me fjalën Art, sot, abuzohet më shumë se me pushtetin. Fjala art dhe artist, sot, shërben për t’u etiketuar njeriu me ves. Unë nuk kam fjalë t’a përshkruaj artin. Por s’kam fjalë as t’a përshkruaj artin – sot. Dhe si i pafjalë, në të dyja rastet, më mbetet të hesht dhe të shikoj se ç’po ngjet. Paqartësitë i kam me veten. Kam besuar se i takoj një komuniteti të privilegjuar, siç është vetë arti, por paskam qene i gabuar.
Artistët e keqtrajtuan artin më shume se politikanët. Le të më falin pak, fare pak artistë të dinjitetshëm dhe meritor për punën që bëjnë, por pjesa tjetër shumicë, janë keqbërësit më të mëdhenj të krijimit. Ata abuzuan me artin. E shëmtuan. E sollën në nivele komprometuese. Në të tilla nivele, që të kesh turp të identifikohesh me ata, si ushtrues të të njëjtit profesion. Krijimi i tyre i vetëm ishte dhe mbetet – Persiflazha.
Fatkeqësisht, shqiptarët asnjëherë nuk kanë pasur nevojë për marri. Është e vetmja gjë që e kanë pasur me tepri.
****
Philip Roth thoshte: “Diktatura nuk krijon kryevepra, ajo nxit sulme në zemër, pezmatim të lëkurës, astme, krijon alkoolistë, depresion, dështim si dhe sëmundje mendore”. Aristoteli thoshte se meritore për krijimin e kryeveprave është talenti që nuk mund të shtypet.
Në këtë vend, ku Aristoteli me siguri është emër fellnesh, Artit dhe Kulturës i bëhet trajtim grotesk. Ose thënë më mire, Arti nuk ekziston më si profesion. Është shndërruar në amatorizëm. Është shndërruar në dhimbje. Ekziston vetëm kultura materialiste.
****
Artistët sa vete e pakësohen. (Edhe pse sa vete e më shumë “shkollohen” dhe shtohen). Por, fatkeqësisht, dallimi qëndron në ambicie. Të paktë janë ata që duan të krijojnë. Shumica dërmuese dëshirojnë të krijojnë famë.
Prandaj, natyrshëm më lind pyetja: a duhet të vazhdoj të krijoj? Për kë të krijoj? A ia vlen të krijosh në standardet e vëna?
Vendi ku rroj, atdhe që nuk ka vend për artistë (edhe pse fare të paktë në numër), si politikisht ashtu edhe artistikisht më ngjanë me dëftimin në vazhdim. Një aktor po interpretonte Hamletin e Shekspirit në një skenë teatri. Interpretimi i aktorit ishte shume i dobët. Publiku po e vërshëllente në vazhdimësi. Kur i erdhi radha monologut të famshëm të Hamletit: “Të rrosh apo të mos rrosh, kjo është pyetja”, publiku filloi ta hudhte me gjësende në skenë. Aktorit që iu lëndua sedra, ndaloi. U kthye nga publiku dhe ju tha: ç’faj kam unë që autori s’di të shkruaj…
Më mbetet ti jetoj vitet e mbetura duke vegjetuar (dinjitetshëm), me dëshirën e madhe që t’mos ju takoj, përjetësisht.
Urime ditëlindjen e 50-të, Arben I. Kastrati./KultPlus.com

Flutura Açka promovon romanin e ri “Të ftuar në rrethin e dhjetë”


Mes të ftuarve të shumtë, miq e dashamirës të letrave, shkrimtarë dhe artistë, edhe të ardhur enkas nga Holanda, u bë paraqita e romanit më të ri të shkrimtares Flutura Açka, “Të ftuar në Rrethin e Dhjetë”, romani i gjashtë i autores.

Botuesi Richard van den Brink kopjen e parë të librit ia dhuroi autorit të Skanderbeg Books, por edhe një nga shkrimtarët që jeton jashtë Shqipërisë, shkrimtarit Arbër Ahmetaj, i cili, si lexues në dorëshkrim i veprës, foli për impresionet e tij pas leximit të saj. Sipas Ahmetajt, çdo autor shqiptar pasi ta lexonte këtë libër do të dëshironte ta zëvendësonte emrin e tij me të autores.

Aktorja Tinka Kurti, recitoi dy poezi të miat nga vëllimi i fundit “Ftesë për flirt”.

Për të ftuarit vetë autorja Flutura Açka bëri një lexim publik të një pjese nga romani i saj më i ri. Mbrëmja u përmbyll me një bisedë me publicistin e njohur Mustafa Nano mbi temat e librit dhe çështjet e Shqipërisë së sotme, mbi raportin me besimin, politikën shqiptare, raportin me të shkuarën komuniste dhe panorama e Shqipërisë sot, emigrimin e mijëra shqiptarëve në dhjetëvjeçarët e fundit dhe identitetin shqiptar përballë atij evropian.

Romani “Të ftuar në Rrethin e Dhjetë” ndërtohet në të njëjtën shtjellë me rrathët e Ferrit të Dantes, citime të të cilit në vepër janë të shpeshta. Vepra ndërtohet mbi digresionin në 50 vitet e fundit të historisë shqiptare, e përçuar përmes jetës së tre personazheve themelorë të romanit.

“Rrethi i Dhjetë” është rrethi metaforik mbi shumësinë dhe kompleksitetin e mëkateve të atyre që drejtuan Shqipërinë në 50 vitet e fundit, një vend në askundin e harresës dhe të gjykimit.

Romani ka linja të shumta dhe është pasqyrimi i rrugëtimit të përbashkët të mijëra shqiptarëve që e lanë Shqipërinë pas rënies së diktaturës. “Romani ka në qendër tre personazhe, miq fëmijërie e që vendosin të takohen pas shumë vitesh, për të festuar një përvjetor. I strukturuar në dhjetë kapituj, të thirrur “rrathë, si reminishencë e rrathëve të Ferrit të Dantes, lexuesi njihet me jetën e tyre, me jetët e tyre, me të shkuarën dhe tashmen e vendit nga vijnë dhe atdheut të cilin kanë zgjedhur për të jetuar. Përmes tyre edhe dhjetëra personazhe të tjerë hyjnë në shtjellë duke sjellë mikrodramëzat, historitë e tyre të vogla e të mëdha. Romani përshkruan njeriun e sotëm shqiptar, por edhe atë europian, me të gjithë kompleksitetin e tij, dyzimet, luhatjet, arritjet, brengat, dhimbjet, tonet e shpirtit, shpërthimet e ndjenjave e të mendimeve. Dhurata për lexuesin është e magjishme. Pakkush mbetet pa e gjetur vetveten në këtë roman. Që nga ata që na drejtuan e na drejtojnë, ata që u shuan përfundimisht përmes vrasjeve e burgimeve të pashpirta, ata që mbijetuan duke u përballur apo gjunjëzuar, ata që ikën, duke mbetur me kokë të kthyer pas, ata që na pritën, na i hapën apo mbyllën dyert e shtëpive të tyre në Europë. Drama e personazheve zbulohet ngadalë, në një mbrëmje fiorentinase, në atdheun e Dantes. Po ashtu si dhe bota e tyre e brendshme, psikologjia, shpresat, arritjet dhe dështimet e tyre”, është shprehur shkrimtari Arbër Ahmetaj.

Romani
Firence, qershor 2016. Tre miq të vjetër qysh nga fëmijëria, të cilët e kanë lënë Shqipërinë në rrethana dhe në kohë të ndryshme pas kapërcyellit të 1990-ës, vendosin të festojnë së bashku 50-vjetorin e lindjes. Por në jetëshkrimin e tyre prej shqiptarësh tashmë në emigrim, përzihen gjurmët e së shkuarës nën diktaturë, rrugëtimet e vejevijës së shpeshtë në vitet e lirisë mes dy atdheve të tyre dhe shenjat e përpjekjes për ta mbrojtur thelbin e tyre mes identitetit etnik të lindur dhe atij europian të fituar. A janë ata të përgatitur ta fshijnë të shkuarën shqiptare, e cila befas ende ua dikton dhe ua helmon ndonjëherë jetën? A do të munden ata të mbeten miq edhe pas shqyrtimit që ky takim i pafajshëm do t’u kërkojë, shqyrtim që shpesh nuk lidhet me ata vetë, por që kryqëzohet dhe ndikon në jetët e tyre? Kjo rrëfenjë që shtrihet në gjysmëshekullin e fundit shqiptar dhe që merret me shtegtimin e viteve të fundit të mijëra shqiptarëve nëpër botë, është një sagë mirëfilli shqiptare e luajtur në Europën e sotme. Ky rrëfim është një kushtim për dashurinë njerëzore, për dashurinë si sublimim që nuk e zhbën koha dhe një triumf për atdhedashurinë, të tretura në gjakun shqiptar nga substanca më e bekuar e kësaj bote: Liria./ KultPlus.com

Sonte hapet ekspozita “Bukuritë përmes fotografisë” e fëmijëve me Sindromën Down

Në kuadër të muajit tetor, muaji i ndërgjegjësimit për Sindromën Down, Down Syndrome Kosova prezanton ekspozitën “Bukuritë përmes fotografisë”, përcjellë KultPlus.

Fotografitë janë realizuara në vende të ndryshme të Kosovës nga të rinjtë e Shoqatës Down Syndrome Kosova dhe janë vendosur në dru dhe në gurë nga fotografi Ridvan Slivova.

Kjo ekspozitë shitëse për ju do të thotë pak, mirëpo për shoqatën Down Syndrome Kosova do të thotë shumë.
Ekspozita do të hapet sonte më 30 tetor, në ora 19:00, në Muzeun Kombëtar të Kosovës. /KultPlus.com

Bëhet gati platoja për kremtimin e 40 vjetorit të teatrit ‘Hadi Shehu’ në Gjakovë (FOTO)

Kjo është pamja që ka marrë platoja e Pallatit të Kulturës “Asim Vokshi” në Gjakovë.

Aty po bëhen përgatitje për kremtimin e 40 vjetorit të teatrit që mban emrin e aktorit të shquar nga Gjakova, tashmë i ndjerë Hadi Shehu.

Ndërhyrjen në këtë pjesë e kanë bërë artistët Almir Meqa, Alban Kupa e Fisnik Caka. Mbështetjen financiare për sigurimin e ngjyrave e ka bërë një Qendër Tregtare në këtë qytet./ KultPlus.com


Medalje për Charles Aznavour për ndihmën ndaj hebrenjve gjatë Holokaustit

Këngëtari i famshëm franko-armen, Charles Aznavour (93 vjeç) kaloi ditë të mbushura me emocion në Izrael, kur gjatë një vizite të shkurtër u nderua nga presidenti izraelit, Reuven Rivlin, dhe nga një fshat izraelito-palestinez për ndihmën e dhënë hebrenjve të kërkuar nga nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Ai mori edhe duartrokitje të zjarrta nga admiruesit e tij gjatë një koncerti në Tel Aviv.

Gjatë fundjavës, Aznavour u prit në Jeruzalem, në rezidencën zyrtare të Rivlin dhe mori medaljen e vlerësimit “Wallenberg” për kurajon e treguar nga ai dhe e motra, Aida, gjatë luftës në Paris, kur familja Aznavourian mikpriti, duke rrezikuar mjaft, shumë hebrenj, armenë dhe aktivistë politikë të ndjekur nga nazistët.

Ndërkohë, fshati Neve’ Shalom i dedikoi një pemë ulliri në kujtim të prindërve të tij, Micha dhe Knar Aznavourian./ KultPlus.com

Domethënia e kurorës së dyfishtë të Egjiptit

Faraonët e lashtë egjiptianë zakonisht përshkruhen me një kurorë mbi kokë, apo një rrobë. Më e rëndësishmja nga këto ishte kurora e dyfishtë, e cila simbolizon unifikimin e Egjiptit të Epërm dhe të Poshtëm dhe mbahej nga faraonët duke filluar me Dinastinë e Parë rreth vitit 3000 pes. Emri i saj i lashtë egjiptian është pschent.

Kurora e dyfishtë ishte një shkrirje e kurorës së bardhë (emri i lashtë Egjiptian ‘hedjet’) të Egjiptit të Epërm dhe kurorës së kuqe (emri i lashtë Egjiptian ‘deshret’) të Egjiptit të Poshtëm.

Një tjetër emër për të është shmty, që do të thotë “dy të fuqishmit”, ose sekhemti.

Kurora shihet vetëm në vepra arti dhe asnjë model nuk është ruajtur dhe zbuluar. Përveç faraonëve, zotat Horus dhe Atum përshkruhen me kurorë të dyfishtë. Këto janë perëndi që janë të lidhura ngushtë me faraonët.

SIMBOLET E KURORËS SË DYFISHTË

Kombinimi i dy kurorave në një të vetme, përfaqësonte sundimin e faraonit mbi mbretërinë e tij të bashkuar. Deshret e kuqe të Egjiptit të Poshtëm është pjesa e jashtme e kurorës me prerje rreth veshëve. Ajo ka një projeksion të përdredhur përpara që përfaqëson kërthizën e një blete, dhe një majucë dhe shtrirje në pjesën e prapme të qafës. Emri deshret përdoret edhe për bletën. Ngjyra e kuqe përfaqëson tokën pjellore të deltës së Nilit. Mendohej se ishte dhuruar nga Horusi, dhe faraonët ishin pasuesit e Horusit.
Kurora e bardhë është kurora e brendshme, e cila ishte më konike, me prerje sipas formës së veshëve. Mund të jetë asimiluar nga sundimtarët nubianë para se të mbahej nga sundimtarët e Egjiptit të Epërm.

Figura kafshësh vendoseshin në pjesën e përparme të kurorave, me një kobër në pozicion sulmi për perëndeshën e Egjiptit të Poshtëm Vadjet dhe një kokë hute, për perëndeshën Nekhbet të Egjiptit të Epërm.

Nuk dihet se nga çfarë ishin bërë kurorat, mund të ishin bërë prej rrobe, prej lëkure, xunkthi, madje edhe prej metali. Për shkak se asnjë kurorë nuk është gjetur në varre, madje edhe në ato që ishin të paprekur, disa historianë spekulojnë se ato kaloheshin, nga faraoni në faraon.

HISTORIA E KURORËS SË DYFISHTË TË EGJIPTIT

Egjipti i Epërm dhe i Poshtëm ishin të bashkuar rreth vitit 3150 B.C. me disa historianë që caktojnë Menesin si faraonin e parë dhe thonë se ishte ai që krijoi pschent. Por kurora e dyfishtë u pa për herë të parë në Horusin e faraonit Djet të dinastisë së parë, rreth vitit 2980 pes.

Kurora e dyfishtë gjendet në Tekstet Piramidale. Pothuajse çdo faraon nga 2700 deri në 750 pes përshkruhej duke mbajtur pschent në hieroglifet e ruajtur në varre. Guri Rosetta dhe lista e mbretit në gurin e Palermos janë burime të tjera që tregojnë kurorën e dyfishtë të lidhur me faraonët. Statujat e Senusret II dhe Amenhotep III janë ndër të shumtat që tregojnë kurorën e dyfishtë.

Sundimtarët e Ptolemeut mbanin kurorën e dyfishtë kur ishin në Egjipt, por kur ata u larguan nga vendi, mbanin një diademë./ KultPlus.com

ISIS kërcënon princin George

Ekstremistët mbështetës të ISIS kanë kërcënuar se do të sulmojnë princin George në shkollën e tij në Londër, duke paralajmëruar se: “Edhe familja mbretërore nuk do të mbetet pa u prekur”.

Ekstremistët dyshohet se postuan mesazhin së bashku me një foto të mbretit të ardhshëm duke hyrë në shkollën e tij Battersea në Telegram, një aplikacion i koduar i mesazheve.

Mesazhi përfshiu adresën e shkollës Battersea të Thomas-it , dhe në përshkrim kishin shkruar se ‘shkolla fillon herët’.

Banorët që jetojnë pranë shkollës së princit Xhorxh, si dhe prindërit e nxënësve të tjerë, kishin ngritur shqetësime rreth sigurisë në Battersea të Thomas dhe jetën e fëmijëve të tyre.

Një hetim nga Daily Star zbuloi mesazhet në Telegraph, të cilat spiunët britanikë tani po monitorojnë vazhdimisht për të parandaluar sulmet e mundshme të ISIS.

Vetëm katër ditë para se Xhorxhi të niste shkollën, një grua ka filmuar veten duke ecur nëpër korridoret e shkollës e pakontrolluar, duke u shprehur e habitshme për mungesën e sigurisë që ekzistonte në atë shkollë. Ndërkohë në shtator, një grua u arrestua në shkollë pasi u përpoq të hynte në të dy herë brenda 24 orëve. Shkolla private po punon me Komitetin e Mbrojtjes së të Drejtave të Mbretërisë dhe të Mbrojtjes Diplomatike të Metit në lidhje me të gjitha çështjet e sigurisë./ KultPlus.com

Blendi Fevziu në ‘Letërsi në nxitim’, komenton fyerjet e Edi Ramës ndaj gazetarëve (VIDEO)

I ftuar për të folur për “Letërsi në nxitim” në Festivalin Ndërkombëtar të Letërsisë të zhvilluar në Tiranë, gazetari Blendi Fevziu, interesit të bashkëbiseduesve për polemikat e shkaktuara nga sulmi i Kryeministrit Edi Rama ndaj gazetarëve iu përgjigj kështu:

“Nuk Besoj se i ka fyer, sepse që të të fyejë duhet të jetë njeri shumë i rëndësishëm. Unë mendoj se Rama më shumë se sa në raport me mediat, ka tentuar të tërheqë vëmendjen nga skandalet e radhës dhe ka tentuar të tërheqë furtunën mbi vete dhe kjo është një strategji PR-i në të cilën për hir të së vërtetës Rama është shumë i mirë”, ka thënë Fevziu.

Si autor i dy librave biografik ai për Enver Hoxhën dhe Ahmet Zogun, ai vlerëson se politikani që mund të jetë në të ardhmen personazh i librave të tij është Sali Berisha.

“Është shumë interesant. Pas vitit 1990, por edhe tani vazhdon të ketë një ndikim, Berisha ka qenë ndoshta personazhi më influent i historisë së Shqipërisë”, thotë tutje ai.

I mendimit se çdokush që angazhohet të shkruajë, pavarësisht vlerave letrare, jep një kontribut për vendin e tij, Blendi Fevziu e ka një kritikë edhe për historianët, qofshin ata të vjetër apo të rinj.

“Kanë një paaftësi totale të reagimit ndaj shikimit serioz të historisë. Në qoftë se ne kemi një fushë që e kemi sot më problematike dhe gati-gati qesharake, ajo është historiografia.”

Cili është roli i medias?

“Po mund të kishe pyetur Edi Ramën më mirë për këtë sepse këto ditë është edhe më në formë për këtë çështje.”
Në bashkëbisedimin me të rinjtë dhe nën moderimin e gazetares Alda Bardhyli, Blendi Fevziu foli për poezinë e tij të parë të shkruar në klasë të shtatë për Arbëreshët e Italisë, për dy kritikët që i beson krijimtarinë e tij, Aurel Plasari dhe Pirro Misha, për interesin e momentit ndaj librave historikë dhe shkrimtarin e fundit që lidhet me luftën në Kosovë.(Marrë nga KlanTV)./ KultPlus.com

Esma Rexhepova dhe magjia që sjellë me këngën ‘Caje Sukarije’ (VIDEO)

Pak muaj para se t’i mbush plotë 1 vit nga ndarja nga jeta, KultPlus, po e kujtojnë sot këngëtaren Esma Rexhepova, me këngën ‘Caje Sukarije’.

Këtë këngë Esma e pati kënduar në televizionin Klan të Shqipërisë në kuadër të Këngëve të Shekullit në vitin 2011.

Rexhepova e quajtur Mbretëresha e muzikës rome në nivel botëror, ishte zgjedhur artiste nacionale në vitin 2013, ndërsa gjatë jetës së saj është përkujdesur për 47 fëmijë dhe ka mbajtur shumë koncerte humanitare./ KultPlus.com

Një “Dritare e hapur” në mes të poezisë dhe integrimit

Jeton në Zvicër, në kanton Schwyz ndërsa sivjet ka botuar një libër me poezi, në gjuhën shqipe. Ardiana ka provuar veten edhe me shkrime në gjuhën gjermane.

Ardiana Avdiu Memeti është një krijuese e re nga Ferizaj që jeton në kanton Schwyz të Zvicrës. Ajo këtë vit ka botuar një libër me poezi, në gjuhën shqipe. “Dritarja e hapur” quhet libri i saj, redaktore e të cilit është shkrimtarja e njohur Dije Demiri Frangu. Është një libër i arrirë dhe i pasur me mesazhe artistike.

Ardiana ka studiuar në drejtimin sociologji në Fakultetin Filozofik në Prishtinë, ndërsa në Zvicër ka vazhduar trajnimet në institutin zviceran për fëmijë dhe media, SIKJM, Zürich.

Krahas angazhimit me shkrime Ardiana, që është nënë e tre fëmijëve, punon edhe si pedagoge dhe moderatore e grave, e përkushtuar në projektet e shumta integruese.

Pyetjes sonë se prej nga e merr motivin për punë, ajo i përgjigjet: “Motivi im i jetës dhe i krijimtarisë janë fëmijët e mi. Atyre ua kam kushtuar edhe librin e sapobotuar, ata janë dashuria dhe energjia ime. Falë tyre unë sot ia dal të jem një shembull i mirë i menaxhimit të jetës sociale: jam ndërmjetësuese kulture, animatore, moderatore dhe pedagoge. Dhe, krahas të gjitha këtyre, gjej kohë për t`i ndihmuar në mësime e për t`i mbështetur fëmijët e mi në sportin e tyre të dashur futbollin. Pra, të ardhmen e fëmijëve të mi mundohem ta organizoj si një prind e si një shembëlltyrë për ta”.

Ndërsa lidhur me pasionin e saj për letërsinë ajo thotë se me shkrime ka filluar të merrej që nga shkolla fillore. “Atëherë nisa t`i botoja vjershat e para në revisten për fëmijë “Zog Mëngjesi”. Isha shumë aktive në aktivitete të lira si në grupin letrar të shkollës “Gjon Sereci” ku shkrimet e mia janë vlerësuar me çmime të larta në garat që organizoheshin për krijuesit e rinj”, shprehet Ardiana Mehmeti, shkruan albinfo.ch.

Duke folur rreth punës si moderuese e projekteve të shumta integruese, Ardiana thotë për albinfo.ch se ende nuk është e kënaqur. “Sepse akoma nuk vizitohen sa duhet këto projekte kaq të vlefshme nga të cilat mund të përfitojnë sa prindërit po aq edhe fëmijët. Por për fat të keq femra shqiptare është rrallëherë pjesëmarrëse në jetën shoqërore. Duke qenë e angazhuar në punët e shtëpis prore ajo mbetet e pa integruar sa duhet, ngase nuk ia arrin të angazhohet në mësimin e gjuhës. Por shpresojmë që e ardhmja do të ndrijë më mirë edhe për femrat e diasporës”.

Ardiana së fundmi është e angazhuar në një projekt shkrimi me autorë zviceranë. “Në këtë projekt shkrimi, ne me talentin tonë thumbojmë dukuritë e shëmtuara shoqërore, pra padrejtësitë që bëhen, kryesisht varfërinë e cila sado që vërehet pak në Zvicren e pasur, ekziston. E vërtetë, jam shumë e vlerësuar në këtë projekt, dhe ndihem si në familjen time në mesin e autorëve të huaj”, thotë ajo.

E pyetur se cili është libri i radhës, dhe në cilën gjuhë do të jetë ai. Ardiana thotë: “është befasi, unë po shkruaj, nuk e kam ndërmend të ndalem. Po jetoj në Zvicër dhe kohëve të fundit po shkruaj shumë në gjuhën gjermane por kurrë pa e harruar gjuhën tonë të bukur shqipe”.

Për këtë vit Ardiana është e ftuar në disa lexime nga institucionet e ndryshme zvicerane.
“Do të mundohem që sa më mirë të prezantoj kulturën tonë shqiptare, sepse ne këtu të gjith jemi ambasadorë të kombit tonë”, premton Ardiana duke na falënderuar për vizitën që i bëmë në zyrën ku ajo krijon./ KultPlus.com

Gjiko sjellë këngën e re, Vedat Bajrami pjesë e videoklipit (VIDEO)

Reperi Gjiko, sapo ka publikuar këngën e tij më të re ‘Papuqe Gucci’, shkruan KultPlus.

Kjo këngën vjen me tekst nga vetë reperi ndërsa për videoklipin është përkujdesur REDBOX Entertainment.

Gjiko videoklipin e kësaj kënge e ka sjellë me skena mjaft interesante, ku përveç kolegëve të tij në videoklip është edhe aktori Vedat Bajrami me personazhin e tij të njohur Sahit Plisi./ KultPlus.com

Regjisori kosovar sjellë film për vendin ku ndalohet liria e fjalës (FOTO)

“‘Lugina e lumtur’ mund të them që do të jetë një film i suksesshëm. Premiera e tij në Winterthur, shënon rastin për të folur më shumë për mundësitë e pakufizuara dhe pa kufij që ofron kinemaja”, pohoi Maxhuni.

Sarandë Selimi

Fisnik Maxhuni është regjisori me prejardhje nga Kosova, i cili karrierën e tij po e ndërton jashtë kufijve shqipfolës por duke mos lënë anash prejardhjen ku prekë tema të ndjeshme nga Kosova në filmat e tij. Kësisoj ishte filmi i cili pati një rrugëtim goxha të suksesshëm nëpër festivale të ndryshme ndërkombëtare e që ishte bërë pikërisht për Kosovën, në Kosovë e me kastë aktorësh nga Kosova ‘Lost Exile’, shkruan KultPlus.

Pas Kosovës, Fisniku udhëton në Iran. Ai bashkë me producentin Benoît Goncerut, po sjellin filmin e radhës me titullin ‘La Vallée Heureuse’ apo në shqip ‘Lugina e lumtur’, me skenar të Fisnik Maxhunit i cili premierën e tij botërore do ta ketë në Winterthur Kurzfilmtage, në Zvicër më 9 nëntor.

Në lidhje me filmin e ri, Fisnik Maxhuni, shpalosi detaje në një rrëfim ekskluzivisht për KultPlus.

‘Lugina e lumtur’ tregon një përrallë universale në Iranin bashkëkohorë.

“Xhirimet e filmit kanë zgjatë rreth 20 ditë, në vende si Teheran, Siahkal dhe në qytetet kufitare të Detit Kaspik. Unë e bëra këtë film në këtë rajon që ende mbetet një mister për shumë njerëz”, tha për KultPlus regjisori Fisnik Maxhuni.

Fisnik Maxhuni bashkë me produksionin Visceral Film, morën rrugën sfiduese për të bërë këtë film në Iran, një vend që është i njohur për mjedisin e tij të vështirë kur është fjala për filmim, lirinë e fjalës dhe liritë artistike.

“ ‘Lugina e lumtur’ mund të them që do të jetë një film i suksesshëm. Premiera e tij në Winterthur, shënon rastin për të folur më shumë për mundësitë e pakufizuara dhe pa kufij që ofron kinemaja”, pohoi Maxhuni.

‘La Vallee Heureuse’, premierën do ta ketë në Winterthur Kurzfilmtage më 9 nëntor me fillim nga ora 22:00 në Kazino 1. Të pranishëm në premierë do të jenë regjisori, producenti, kompozitori…, të cilët do të jenë në dispozicion jo vetëm gjatë festivalit por gjatë gjithë kohës të flasin më shumë rreth këtij krijimi të ri kinematografik nga një shqiptar për botën./ KultPlus.com

Ka vdekur gazetarja Adelajda Xhamani

Adelajda Xhamani është ndarë nga jeta mëngjesin e kësaj të diele, në moshën 31 – vjeçare. Gazetarja ka ndërruar jetë në shtëpinë e saj, orët e para të mëngjesit, si pasojë e një ataku kardiak.

Adelajda Xhamani u bë e njohur për publikun shqiptar në vitin 2009, pasi ishte pjesë e një reality show, ku ajo doli e dyta. 31 – vjeçarja tërhoqi vëmendjen jo vetëm për thjeshtësinë që e karakterizonte, por mbi të gjitha për pamjen tërheqëse, duke u cilësuar si një ndër vajzat më të bukura shqiptare.

Xhamani mbaroi studimet për Gjuhë Letërsi dhe pasi u bë pjesë e botës televizive, ndoqi pasionin e saj për letërsinë e shkrimin, duke u bërë pjesë e gazetarisë. Prej vitesh Adelajda punonte në shtypin rozë. Ajo mbante aktualisht postin e kryeredaktores në një revistë, ndërsa ishte shpesh e ftuar në studiot televizive për të folur rreth botës së showbizit./ KultPlus.com

Mall

Poezi e shkruar nga Ismail Kadare.

Ca pika shiu rane mbi qelq.
Per ty une befas ndjeva mall.
Jetojme te dy ne nje qytet,
Dhe rralle shihemi sa rralle.

Edhe m’u duk pak e çuditshme
Si erdh kjo vjeshte, ky mengjes.
Qiejt e ngrysur pa lejleke
Dhe shirat pa ylber ne mes.

Dhe thenia e vjeter e Heraklitit
Seç m’u kujtua sot per dreq:
“Te zgjuarit jane bashke ne bote,
Kurse te fjeturit jane veç”.

Ne ç’enderr kemi rene kaq keq,
Qe dot s’po zgjohemi valle?…
Ca pika shiu rane mbi qelq
Dhe une per ty seç ndjeva mall

Shfaqja nga Shkupi fituese e edicionit të 47-të të Festivalit të Teatrove në Ferizaj

Festivali i Teatrove në Ferizaj, përfundoi mbrëmë edicionin e tij të 47-të, me ndarjen e cmimeve, shkruan KultPlus.

Në festivalin i cili nisi më 21 tetor, parakaluan shfaqje nga rajone të ndryshme shqiptare, ndërsa ajo që mori edhe çmimin shfaqja më e mirë ishte shfaqja “G” me regji të Sulejman Rushitit e që ishte nga Teatri Shqiptar i Shkupit. Shfaqja “G”, rrëmbeu edhe çmimin e aktorit më të mirë në rol dytësor mashkull që shkoi për Fisnik Zeqirin.

Çmimi për regjinë më të mirë i takoi regjisorit Kushtrim Bekteshi për regjinë e shfaqjes “Tartufi” nga teatri ‘Migjeni’ në Shkodër. Aktori më i mire, çmimi “Ismail Rama” i takoi aktorit Shpëtim Selmani, për rolin e DR. Stokman në shfaqjen, “Armiku i Popullit”, teatri “Bekim Fehmiu” Prizren.

Aktorja më e mirë, çmimi “Adriana” ishte për Rita Gjeka, për rolin e Dorinës në shfaqjen “Tartufi”, teatri “Migjeni”, Shkodër. Roli dytësor më i mirë femër shkoi për Donikë Ahmeti, për rolin në shfaqjen “Per Gynti nga Kosova” të Qendrës Multimedia, Prishtinë. Roli episodik më i mirë iu dha Afrim Kasapollit, për rolin episodik në shfaqjen “Armiku i Popullit”, teatri “Bekim Fehmiu”, Prizren. Skenografia më e mirë ishte për Petrit Bakallin, për skenografinë e shfaqjes, “Armiku i Popullit”, teatri “Bekim Fehmiu”, Prizren.

Kostumografia më e mirë shkoi për Samka Ferrin për kostumet në shfaqjen “Tartufi”, teatri “Migjeni”, Shkodër. ndërsa Shpërblimi i medieve iu dha Shpëtim Selmanit, për rolin e DR. Stokman në shfaqjen, “Armiku i Popullit”, teatri “Bekim Fehmiu”, Prizren./ KultPlus.com

Kur Marcel Proust bënte atasheun e shtypit për veten

Ekziston një kopje shumë e rrallë e romanit “Du côté de chez Swann” (”Kur dashuronte Suani – shën. i përkth.) që shtëpia e ankandeve ”Sotheby’s” do të nxjerrë të hënën në shitje.

Së bashku me këtë thesar për bibliografët, ajo do të nxjerrë në shitje edhe disa letra të Marcel Proustit, në të cilat shkrimtari shfaqet si atasheu më i mirë i shtypit për veten.
Libri, i vlerësuar rreth deri në 600 000 euro, është një prej pesë kopjeve origjinal të romanit “Du côté de chez Swann”, të cilin disa e konsiderojnë si volumin më të bukur në botë.

Tri kopje të këtyre librave të rrallë dhe të çmuar i posedojnë pronarë privatë dhe një i katërt ka humbur gjatë Luftës së Dytë Botërore pa u rishfaqur kurrë.
Libri, i nxjerrë në shitje nga shtëpia e ankandeve “Sotheby’s” nuk ishte rishfaqur për publikun që prej vitit 1942, me rastin e një shitjeje në ankand tek “Drouot”.

Ai u ofrua fillimisht nga Marcel Proust për Louis Brun, një prej zyrtarëve të shtëpisë së ankandeve “Grasset”, në mirënjohje të mbështetjes së tij, ashtu si kujton shkrimtari në dedikimin e tij.
Bibliografi i madh, Louis Brun ka shtuar edhe kopje e tij të dorëshkrimeve të Marcel Proust, që i ka lidhur në fund të volumit.

Këto dokumente, tetë në total, zbulojnë një Marcel Proust të paparashikueshëm.

Për të mbrojtur librin e tij, shkrimtari propozonte për miqtë e tij të shtypit parizian të publikonin në gazetat e tyre respektive kritikat rreth romanit të tij.
“Të gjitha mënyrat janë të mira për shkrimtarin. Ai u propozonte para’ gazetarëve dhe i shkruante vetë artikujt që dëshironte t’i shikonte të publikuara”, shprehet Brun.
“Në të njëjtën kohë romancieri kujdesej që të mos zbulohej. Artikujt që ai shkruante duhej të mbeteshin anonimë”, nënvizon Brun.
Ai i kërkonte Louis Brun dërgimin çdo ditë të një versioni daktilografik të shkrimeve të tij, që askush të mos mundej ta njihte shkrimin e tij.
Kur ai flet për librin e tij, Prust shkruan që romani “Du côté de chez Swann” është një vepër e vogël.
Ai flet për veten në vetën e tretë. “Ajo që Prust shikon, ndjen është plotësisht origjinale”…
Kjo vepër e panënshkruar do të publikohej në faqen e parë të “Journal des Débats” në prill 1914.
Kjo do t’i kushtonte shkrimtarit 660 franga në atë kohë, rreth 2 000 euro.
Një përmbledhje, e publikuar në të përditshmen franceze “Le Figaro”, më 18 aprill 1914 do të vlerësohej 300 franga (1 000 euro) për shkrimtarin.

Në një letër për Brunin, Proust ankohej se gazeta i kishte fshirë mbiemrin “éminent” (i shquar) me anë të të cilit dallohej.
Romani “Du côté de chez Swann (1913) u refuzua nga shumë shtëpi botuese të rëndësishme.
Prusti pranoi që të paguante vetë koston e publikimit. Kur u publikua, u reklamua si pjesa e parë e një romani me tre vëllime.
Ishte koha kur Marcel Proust bënte atasheun e shtypit për veten./ Nga Alain Jean-Robert /ec/ a.jor./ KultPlus.com

Rikthehet West Side Family me një projekt të ri (VIDEO)

Grupi West Side Family ishte një nga grupet më të famshme në Shqipëri. Landi, Miri dhe Dr. Flori sollën për publikun shqiptar këngë të paharrueshme.

Por shumë vite pas shpërbërjes së grupit dhe vdekjes së këngëtarit Dr. Flori, anëtarët e tjerë të West Side Family, Landi dhe Miri kanë vendosur të ribashkohen në një projekt të ri.

Dy këngëtarët po punojnë për nxjerrjen e një kënge të re. Të ftuar në emisionin ‘Mos i fol shoferit’ në taksinë Rudina Dembacaj, ata treguan se po punojnë prej 6-7 muajsh për realizimin e këngës , që do vijë së bashku me një videoklip, raporton Ora News.

Ky projekt ka qenë pikërisht edhe arsyeja e kthimit të Armir Shahinit në Shqipëri, i cili jeton në Gjermani së bashku me bashkëshorten e tij dhe vajzën 5-vjeçe./ KultPlus.com

Në kujtim të baballarëve, me një përjetim të veçantë muzikor në KamerFest

“Në kujtim të baballarëve tanë” u titullua koncerti i tetë i KamerFest Kosova ndërsa me mjaft emocion e përkushtim erdhi përmes violinistes nga Kosova, Sihana Badivuku dhe pianistit nga SHBA, Derek Han, shkruan KultPlus.

Një homazh për Hysen Badivukun dhe Lit Sien Han, u përmblodh me një koncert prej tri sonatave të kompozitorëve Schubertë, Bethovenit dhe Griegut. Një reflektim muzikor për një lidhje të veçantë shpirtërore, vije përmes një programi të pasur muzikor kur Sihana Badivuku e Derek Han zënë vendet e tyre në skenë. Sihana Badivuku vendosur në mes të saj, me lëvizjen e harkut të violinës dukej si me një shpejtësi sillte tinguj të pasur përmes saj. Ajo lëvizte herë një hap prapa, e herë para duke i përcjellë në përpikëshmëri notat e partiturës.

Sihana Badivuku e cila njëherësh është edhe drejtoreshë artistike e këtij festivali, tregoi për KultPlus, që gjatë interpretimit erdhi më një përgjegjësi e të madhe ndaj publikut dhe kompozitorëve.
“Ishte përgjegjësi e madhe të performoje pranë këtij publiku dhe ta kryesh obligimin ndaj kompozitorëve veçmas dalja në skenë si një artiste/soliste pas të gjitha atyre organizimeve si drejtoreshë artistike” u shpreh Badivuku.

Biografia e saj ka një pikënisje që e lidh tërë veprimtarinë e saj me babanë duke qenë se mësimet e para i kishin nisur së bashku. Ndërsa mbrëmë ajo dukej që përmes këtij dedikimi, i falte dhe një shpërblim atij, të cilin e quan meritor të punës së saj. Ndjeshmëria që ajo e përktheu në interpretimin e veprave, e solli po ashtu edhe me fuqishëm përmes syve të mbushur me lot, teksa flet për KultPlus.

“Krejt këto çfarë i dëgjuat sot janë meritë e tij, është puna dhe angazhimi i tij që ka hulumtuar në atë kohë profesorët më eminent në ish- Jugosllavi, profesorët rus dhe ka paguar nga gjepi i tij për këto orë private për ngritur një violiniste të re në një violiniste të zhvilluar’, tha Sihana për KultPlus.

Derek Han,i cili po ashtu këtë vit kishte përjetuar të njëjtën humbje, këtë dedikim muzikor e reflektonte me një dedikim shpirtëror derisa lëvizte duart herë në njërin skaj, e herë në tjetrin, e që e përcillte me lëvizje të këmbeve një harmoni me tingujt që shpërndante. Për Derek Han,interpretimi i mbrëmshëm ishte një rrjedhë e natyrshme e tingujve, ndërsa vepra ishte më shumë se një dedikim, ishte një lutje për baballarët që nuk jetonin më.

“Është e jashtëzakonshme të luash më Sihanën, në muzikën e saj u demonstrua jo vetëm si një person i cili punon shumë , ajo është edhe një shembull shumë i mirë jo vetëm për këtë vend por për tërë botën muzikore. Ishte sugjerimi i saj që të luajmë në nderim të baballarëve tanë. Në veprën e fundit vërehej veçmas dedikimi i Sihanës që po luante për babanë e saj, por njëjtë edhe për mua vepra e fundit ishte si një lutje për baballarët tanë”

Të mrekullueshëm dhe emocional e cilësoj këtë program edhe profesoresha Besa Luzha, e cila për KultPlus tha se këto kryevepra të dy instrumentistet i sollën më mjaft mjeshtëri.

“Sihana këndon me violinën e saj, sonte koncerti ishte me një përkushtim të mahnitshëm duke qenë se ishte dedikim ndaj baballarëve të tyre që ishte mjaft emocionuese. Edhe vepra e parë dhe e dytë janë kryevepra të cilat mjeshtërit si Sihana dhe Dereku e luajtën jashtëzakonisht bukur edhe sonata e Greigut ishte tamam një këngë për piano dhe violinë”, u shpreh Luzha për KultPlus.

Festivali KamerFest Kosova do të vazhdoi të hënën nga ora 20:00 në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare ku do të sjellë koncertin e nëntë me radhë “Vetëm Harkorë” me instrumentist nga Kosova, Greqia, Maqedonia dhe SHBA-ja. G.H./ KultPlus.

Artpolis sjellë “Stigma – Kërko të drejtën tënde”

Forum Teatër “Stigma – Kërko të drejtën tënde” është një ndër shfaqjet e para në Kosovë organizuar nga Qendra për Art dhe Komunitet – ARTPOLIS, ku adresohet stigma e shoqërisë kosovare dhe ballafaqimet e të mbijetuarave të dhunës seksuale. Nevoja që zëri i tyre të dëgjohet dhe të mbështeten nga komuniteti për ta vazhduar jetën si çdo njeri tjetër, përcjell KultPlus.

Pasi që zbulon se biri i saj Dreni është dashuruar me një vajzë nga Prishtina, Mira kthehet Kosovë për herë të parë pas 18 viteve të kaluara në Angli. Edhe pse e përgatitur të ballafaqohet me të kaluarën ajo befasohet nga një takim i planifikuar që merr një kahje tjetër nga qëllimi fillestar. Ky është pak a shumë sinopsisi i këtij forum teatri i cili është shfaqur si premierë më 26 tetor në Shërbimin korrektues të Lipjanit, ndërkaq tani vazhdon reprizat nëpër qytetet e Kosovës.

Regjisor dhe moderator i diskutimeve është Lulzim Bucolli ndërsa në kastën e aktorëve vijnë: Anisa Ismajli, Kushtrim Qerimi, Qendresa Kajtazi, Gani Rrahmani.

Pas performancës personazhet e shfaqjes do të diskutojnë me publikun çështjet që adresohen në shfaqje si dhe do të kenë mundësinë të angazhohen direkt gjatë ndonjë segmenti të caktuar.

“Stigma – Kërko të drejtën tënde” zbatohet në partneritet me Zyrën e Avokatit të Popullit dhe do të shfaqet në shtatë komuna të Kosovës sipas orarit:

Shfaqjet e radhës:

30.10.2017 – Pejë;
03.11.2017 – Mitrovicë;
08.11.2017- Gjilan;
14.11.2017 – Prizren;
05.12.2017 – Gjakovë;
06.12.2017 – Prishtinë.

Kjo shfaqje është krijuar në kuadër të projektit “Mbrojtja dhe Promovimi i të Drejtave të Njeriut në Kosovë Përmes Shoqërisë Civile Aktive”, projekt i financuar nga BE-ja dhe i menaxhuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, nën Instrumentin Evropian për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut, zbatuar nga Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillim të Politikave (KIPRED), Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) dhe Artpolis./ KultPlus.com

Trupa e Shkodrës sjell në Eksperimental dramën “Kandili i Argjandit” të Martin Camajt

Drama “Kandili i Argjandit”, shkruar nga Martin Camaj dhe vënë në skenë nga regjisori shkodran, Fatbardh Smaja erdhi për publikun nga trupa e teatrit “Migjeni” të Shkodrës në Teatrin Eksperimental “Kujtim Spahivogli”.

Një vepër që përcjell jo pak mesazhe për publikun. Në dramë interpretojnë Nana- Rita Gjeka; Leka -Jozef Shiroka; Besa- Merita Smaja; shkrimtari- Agron Dizdari; Dora-Eliona Shkreli; Prendi- Enver Hyseni; Njeriu i huaj- Nikolin Ferketa; Katundari- Simon Shkreli. Si aktore Rita Gjeka vlerëson jo pak dramën dhe mesazhin që përcjell përmes saj Martin Camaj.

“Ne mendojmë vetëm me shkelë tjetrin, por Camaj nuk shkelet dot. Martin Camaj është super aktual dhe sot me verën e tij”, pohon mes të tjerave aktorja Rita Gjeka njëkohësisht dhe drejtorie e teatrit “Migjeni” në Shkodër.

Aktorja Rita Gjeka risjell sërish në vëmendje punën e regjisorit Smaja për veprën. “Bardhi me besoi rolin e nënës dhe vazhdimisht më thoshte: Është një nënë me N të madhe dhe është e vërtetë, sepse personazhi im është aq kompleks sa gjatë punës kam pasur shumë kontradikta me veten, shumë dyshime, shumë frikë, por me Bardhin mbi krye mendoj se ja kam dalë”, vijon aktorja.

Në vepër aktorja Merita Smaja pohon se ka qenë një nga projektet për të cilin është punuar jo pak nga artistët dhe regjisori Smaja, i cili fatkeqësisht u nda nga jeta në kohën kur premiera erdhi në teatër. “Flasim për Martin Camaj, për një poet i cili si dramaturg pak është lançuar në Shqipëri. Por më vjen keq që më parë u vu në Tiranë, sepse erdh si një vepër që nuk tingëllon gëgnisht. Me trupën e teatrit tonë vepra ka marr vlerësime. Ka qenë projekt i Fatbardhit, i cili e deshti shumë dhe e punoi me gjithë shpirt, pavarësisht se nuk e pa fundin, nuk pa shfaqjen por ai jetoi me të. Që kur bëri zgjedhjen e veprës ai tha është vepra ime unike dhe më e dashur. Vërtetë që ndodhi ashtu si tha ai”, pohon aktorja Merita Smaja.

Më tej aktorja tregon se edhe pse e shkruar në vitin 1945 vepra i flet shumë dhe kohës sot. “Një vepër që i thotë shumë publikut, sepse nuk është shkruar shumë për atë periudhë pas çlirimit. Ajo që ndodhi me familjet pasura shqiptare pas çlirimit, të cilët u ndjenë nën trysninë e një pushteti diktatorial që i bëri të ndjeheshin jo vetëm keq, por të fuste dhe në grindje midis një familje. Kjo ndodh kur diktati është i madh dhe dhuna po ashtu”, tregon aktorja Smaja për veprën që mbrëmë erdhi në skenën e Tiranës.

Drama

“Kandili i Argjandit” është një dramë social-politike që mund të vetëkuptohet arsyeja pse i ka munguar lexuesit dhe spektatorit gjatë periudhës së diktatorit, por nuk mund të justifikohet tërësisht arsyeja e mungesës së saj në skenë për dy dekada. Ama vlen për t’u theksuar se regjisori Smaja pati mprehtësinë e duhur që, pikërisht në këtë situatë aspak shpresëdhënëse për spektatorin, të sjellë dritën e “Kandilit të Argjandit” në kohën më të volitshme të tij. “Kandili, dritëpërҫuesi i një jete të dalë nga errësira e kohës së territ e tmerrit, na jep tabllonë e frustrimit psikologjik që kanë kaluar mijëra familje shqiptare në periudhën e parë të vendosjes së regjimit komunist. Drama u shkruajt rreth viteve ’50, por tingëllon e afërt në kohë edhe pas kaq dekadash” thotë studiuesi Behar Gjoka. Arsyet sociale dhe politike duket sikur po përsëriten Fatbardh Smaja i solli publikut dramën e Camajt. Ai e plotësoi misionin e tij. Camaj dhe Smaja e thanë të vetën me dritën që sollën përmes “Kandilit të Argjandit”. (Marrë nga SotNews)./ KultPlus.com

Ministri Kujtim Gashi vizitoi punimet në Kalanë e Korishës

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka qëndruar sot në Kalanë e Korishës, lokacion i cili ndodhet mbi këtë fshat të rrethinës së Prizrenit, në një lartësi mbidetare prej 728 m, përcjellë KultPlus.

Ministri pa nga afër punimet dhe gërmimet arkeologjike që po bëhen në këtë lokalitet të rëndësishëm të trashëgimisë kulturore, që vlerësohet se kjo kala është ndërtuar në periudhën e antikitetit të vonë, respektivisht në shek. V-VI-të para erës sonë.

Ministri Gashi tha se ky lokacion do të ketë vëmendjen e duhur të dikasterit që ai drejton. Po ashtu, ministri nënvizoi se ky vend mund të shndërrohet në një atraksion të rëndësishëm për turizmin në këtë rajon, andaj do ta ketë vëmendjen e shtuar të institucioneve shtetërore.

MKRS-ja ka ndarë 50 mijë euro për gërmimet arkeologjike në Kalanë e Korishës. Gërmimet e para arkeologjike janë bërë në vitin 2002, ndërsa vitin e kaluar këto gërmime janë intensifikuar, duke nxjerrë në pah konturet në brendi të arealit të kësaj fortese. / KultPlus.com

Marka JH prezanton në Dubai parfumin ‘Ilir’ dhe çantat ‘Teuta’ (FOTO)

Marka JH nga vajza shqiptare Jola Hasimi, prezantoni sot në Dubai koleksionin e parë të çantave e dhe rripave të luksit, linjën e parë kozmetike prej 5 produktesh dhe parfumin e ri të meshkujve, shkruan KultPlus.

“Sot në Dubai Fashion Week u lansua çdo gjë për të vazhduar më vonë në një tur në të gjithë Emiratet Arabe dhe për tu mbyllur në Turqi. Natyrisht nuk mund të mungoj tributi jonë ndaj Shqipërisë i reflektuar më së miri tek koleksioni i çantave”, ka treguar Jola Hasimi për KultPlus.

Çantat që u prezantuan janë 2 lloje, ato me lëkurë krokodili dhe ato me lëkurë struci. Çanta me lëkurë krokodili gjendet në 12 ngjyra, lloji i krokodilit quhet Niloticus ose corcodili i Nilit dhe është 100 % i prerë, lyer dhe qepur me dorë. Kjo çantë quhet ‘Teuta’, tribut mbretëreshës ilire dhe kushton 16.000€.

Çanta strucit gjendet gjithashtu e disponueshme në 10 ngjyra sërish 100% puna e realizuar me dorë. Çanta quhet Aairah, tribut Emirateve Arabe, sepse sipas Joles, Aairah është emri i parë arab për femra dhe do të thotë: e para dhe më e respektuara. Çanta Aairah kushton diku 7.500€.

Rripat për meshkuj dhe femra gjenden në të gjitha variacionet e ngjyrave të çantave, janë vetëm me lëkurë krokodili por vijnë me 3 toka të ndryshme të përshtatshme për çdo stil.

Ndërsa prfumi “Ilir” Free the scent, është parfum vajor. “Për këtë parfum kemi gati 1 vit e gjysmë që punojmë, vjen në shishe kristali të punuar tërësisht me dorë dhe të prerë në diamant, përmban 620 pika dhe kushton gati 2000€”, ka treguar tutje Jola për KultPlus.

Çdo produkt që u lansua sot, përmban 2 certifikata. “Një certifikatë autenticiteti të kodifikuar, dhe një dokument të firmosur me dore nga unë dhe im shoq Nertil Boraj që dëshmon datën e prodhimit, detajet e përdorura dhe inspirimin në emër apo historinë përkatëse dhe datën e blerjes njëkohësisht”, ka thënë ajo.

Emiratet Arabe i kanë dhënë besim dhe rëndësi absolute punës së tyre. Çdo produkt i lansuar këtë javë në UAE , në faqen e tyre online lansohen javën e parë të nëntorit. / KultPlus.com

Kur Dritëro Agolli frymëzohej nga kërcimi i valltares turke për të shkruar poezinë ‘Trëndafilat e turkeshës’ (FOTO)

Përjetimet e momentit mund të jenë frymëzuese për të sjellë një poezi të mrekullueshme. Një moment i tillë si duket i ka ndodhur edhe Dritëro Agollit i cili për poezinë “Trëndafilat e turkeshës” qenka frymëzuar nga kërcimi i turkeshave.

E bija e tij Elona ka bërë publike një foto, ku ai shfaqet në një bar i rrethuar nga miq, teksa shohin një kërcimtare turke të vallëzojë para tyre.

Më poshtë po botojmë poezinë që Agolli i ka kushtuar kësaj mbrëmjeje:

“Trëndafilat e turkeshës”

Në “Xhenet Bahçe ” turkeshat
Hidhen turçe hula-hup,
I fryn trompës dhe gërnetës
Turku Abdullah Jakup.

I bie frëngçe tamburasë turkja
Selime Hashef ,
Po turkeshat turçe hidhen,
Tundin siskat me sedef.

(Dy strofa nga “Trëndafilat e turkeshës”, poezi nga Dritëro Agolli). / KultPlus.com