“Problemi me botën është se budallenjtë janë të sigurtë dhe të mençurit janë plot dyshime”

Bertrand Arthur William Russell ishte një filozof britanik, logjist, matematikan, historian, shkrimtar, kritik socialist, aktivist politik dhe fitues i çmimit Nobel. Në momente të ndryshme të jetës së tij ai e konsideroi veten liberal, socialist dhe pacifist, por gjithashtu pranoi se “asnjëherë nuk ka qenë asnjë nga këto gjëra, në asnjë kuptim të thellë”, shkruan bota.al.

Më poshtë po rendisim disa prej thënieve të tij më të mençura, që gjithmonë nxisin reflektim.

Ligji në origjinë ishte thjesht një kodifikim i fuqisë së grupeve mbizotëruese dhe nuk synonte ndonjë gjë, që një njeriu modern do i dukej si drejtësi.

Është një humbje e energjisë që të zemërohesh me një njeri që sillet keq, ashtu siç është të zemërohesh me një makinë që nuk do të ndizet.

Një nga problemet në lidhje me vanitetin, është se ai rritet me atë që ushqen. Sa më shumë të flitet për ju, aq më shumë do të dëshironi të flitet për ju.

Është e lehtë të biesh në dashuri. Pjesa e vështirë është të gjesh dikë që të të kapë.

Frika është burimi kryesor i bestytnive dhe një nga burimet kryesore të mizorive. Pushtimi i frikës është fillimi i mençurisë.

Liria në përgjithësi mund të përcaktohet si mungesë e pengesave për realizimin e dëshirave.

Një nga simptomat e një shkatërrimi nervor që po të afrohet, është besimi se puna jote është tmerrësisht e rëndësishme.

Duhet të kujdesemi për një botë që kurrë nuk do ta shohim.
Shkaku më i madh i problemeve në botën e sotme është se njerëzit budallenj janë aq të sigurt për gjërat dhe njerëzit inteligjentë janë kaq të mbushur me dyshime.

Shumica e njerëzve do të vdisnin para sesa të fillonin të mendonin. Në fakt – ashtu ndodh.

Asnjë arritje e madhe nuk është e mundur pa një punë të vazhdueshme.

Shumë njerëz do të kenë guximin të vdesin me trimëri, por nuk do të kenë guximin të thonë ose madje të mendojnë, se shkaku për të cilin u kërkohet të vdesin është i padenjë.

Jeta e mirë, siç e konceptoj, është një jetë e lumtur. Nuk dua të them që nëse je i mirë, do të jesh i lumtur; Dua të them se nëse je i lumtur, do të jesh i mirë.

Të jemi pa disa nga gjërat që duam: kjo është një pjesë e domosdoshme e lumturisë.

Dy modele shqiptare përkrah Jeniffer Lopez (FOTO)

Një event nga brendi i njohur “Foreo” ka bërë bashkië shumë fytyra të njohura, shkruan KultPlus.

Dhe pkërisht në këtë event ishte e pranishme ylli botëror Jennifer Lopez. Dhe me këtë yll duket të jenë takuar edhe dy modele shqiptare.

Që të dyja tashmë kanë publikuar fotografitë me Jennifer Lopez, dhe ato janë Adrola Dushi dhe Xhesika Berberi./KultPlus.com

Armend Baloku: Në shenjë proteste sonte nuk do të interpretoj në shfaqjen “Bordel Ballkan”

Për dike teatri është vend që siguron pagën, për dikë teatri është vetvetja

Nga Armend Baloku – aktor i TKK-së

Ka kohe që kam reaguar përbrenda institucionit teatrorë më të lartë në vend, lidhur me nivelin e ultë, qoftë të organizimit nga ana e menaxhmentit, qoftë nga ana artistike, e fatkeqësisht asgjë nuk ka ndryshuar. Fatkeqësisht nuk ka ec para shtëpia jonë e përbashkët, por ka ngelur aty ku ka qenë që një kohë të gjatë. Improvizim pas improvizimi, klan pas klani, pas premierave dhe shkëlqimeve të rrejshme, të cilat për konkurrencë kanë vetveten, duke mos u ballafaquar asnjëherë me ndonjë kritikë serioze profesionale, por me një kritikë të emocionit të rrëmbyeshëm të momentit.

Aty ku personalja është e fuqishme, profesionalja nuk dallohet as nga stratosfera. A ka personale? Ka sepse në province nëse nuk ke ambicie për tu zhvilluar profesionalisht, është normale që ambicia për të manipuluar është e fuqishme, sepse energjia duhet të kanalizohet diku, ndërsa tema rreth kulturës, në këtë rast rreth teatrit, pra profesionit që ndoshta e kemi zgjedh me “vullnet”, asnjëherë nuk kanë zënë vend në diskutime. Pyes pse? Se e njohim fort dhe s’ka më se çka të mësohet, apo se mungojnë informatat më elementare, të cilat do të duhej ti kishte një profesionist i vërtetë? E kur ky nivel zë vend në udhëheqje të institucionit kulturorë të shtetit, siç është teatri, atëherë e kemi të garantuar dështimin e produktit nga i cili rrezikon shoqëria të ngelet prapa, sikur që është përcaktuar paraprakisht udhëheqja e teatrit që ta lë prapa trurin e vet. Kur ky nivel udhëheqë me institucionin më të lartë teatrorë në vend, sigurojmë premiera apo shkëlqime të rreme, të cilat siç e thash më lartë, kanë veten konkurrencë.

E si mundet njeriu ta konkurrojë vetveten? E si mundet njeriu të ketë këtë nivel e të jetë i kënaqur? Jemi të kënaqur? E duam këtë nivel të kulturës që ti futet në palcë fëmijëve tanë, për çka do të na akuzojnë nesër? E duam këtë nivel për frytin tonë? Për pasardhësit tanë? Është ky perëndimi? Unë jam i bindur me tërë qenien time se jo. Nuk besoj që as juve ju pëlqen.

Edukata varet nga prindërit, e gjatë jetës kultura imponohet edhe nga të tjerët. Cilat elemente kulturore do të na imponohen nga teatri ynë? E duam teatrin i cili përqafon tabunë? Tabunë që të bënë të mos guxosh të diskutosh sepse është e ndaluar. Mungesa e dijes ta ndalon diskutimin. ( shih 12 Angry Men 1957).

Teatri Kombëtar i Kosovës ka obligim që përbrenda të ketë fuqi mendimi, e jo fuqi grushtash. Teatri Kombëtar i Kosovës ka nevojë për thellim në studim, për të inskenuar e shërbyer para publikut atë produkt për të cilin është shkrire mund e është derdhur djersë, për të shtyrë qytetarin të mendoj, e jo që e shtyn të zgërdhihet bashkë me aktorin në skenë. (Pa e përmendur Stanislavskin, ju kujtohet monologu i Hamletit mbi lojen e aktorit?).

Teatri Kombëtar i Kosovës me që është i popullit, ka obligim kombëtar, shtetëror, njerëzor, që të prodhoj atë që e fisnikëron shoqërinë, mbi bazën e analizës dhe zbërthimit, në të kundërtën pse duhet të shkojmë në shkollë për të nxënë mbi aktrimin? Mos ndoshta udhëheqja e TKK-së mendon së shkolla është rrugë e gabuar? Nëse po, atëherë e kanë obligim, mbi të gjitha qytetar, që ta ngritin zërin, e jo ta ndalin hovin, i cili është i pandalshëm për zhvillimin e kualitetit përbrenda. TKK ka obligim që talentin dhe punëtorin ta mbështes dhe ta shtyjë me çdo kusht përpara, që artin e tij ta qoj edhe më larg, duke i krijuar mundësi për thëllim në studim, e jo ta ngulfat e ta vështirësoj zhvillimin. Duke ngulfat, një ditë ngulfatet ardhmëria e vendit. E ngulfatja e vendit d.m.th. mungesë patriotizmi. Zef Pllumi thot “Atdheu nuk janë malet, fushat e prrojet kot: atdheu është e drejta jote, nderi yt, puna e djersa jote. Kush nuk vdes për to, nuk vdes për kurrgjë tjetër”.

Teatri Kombëtarë i Kosovës nuk mund ta ndal punëtorin i cili punën e ka besim, e ka pjesë të edukatës. Puna njeriun e fisnikëron, e lartëson, e jo lloji provincial që e do skenën për të marr një copë page, për lavdi, shkëlqim të rrejshëm dhe që ja ka frikën punëtorit të zellshëm përbrenda.
Teatri është mendim. Është thirrje. Jo vend ku mbahet shpina me dorë dhe thuhet “Piii erdhi koha për të dal në skenë”. Për të tillë nuk ka vend askund në një shoqëri të zhvilluar, ndërsa në provincë (siç po ndodh) marrin edhe institucionin teatror në dorë.

Kam reaguar shumë përbrenda institucionit teatrorë, sepse jam i edukuar që teatrin ta trajtoj si fytyrën dhe frymën time, por kotë. Kam reaguar edhe atëherë kur shfaqjet prezantohen para publikut si gjysmake, pa pjesët përbërëse, por kam hasur në vesh të shurdhër. Na është dashur vet nga grupi(gjatë shfaqjes) të mbulojmë elemente të cilat nuk munden lehtë të mbulohen, por talenti i bashkëpunëtorit tonë (aktor) vije deri aty, sa që gjatë shfaqjes, të bëjë muzikën vet, vetëm sa për të dhënë sado pak atmosfere të shfaqjes së dikurshme kur ishte e kompletuar. Ai është vullneti shembullor për një dashamirë arti apo interpretuesi teatror.

Kam reaguar se shfaqjet prezantohen pa bërë analizat e duhura. Shfaqen ashtu të pa fuqishme për të bërë thirrje. Sa për të mbushur letrat dhe arsyetuar shpenzimet. E bënë këtë një artist? E bënë një njeri normal? Bëni me të hollat tuaja ashtu, apo ndoshta kjo është më lehtë sepse janë të shoqërisë. Popullit. E dini se në shekullin 21 shfaqjet e dështuara konsiderohen grup njerëzisht të dështuar? E dini se shfaqja e dështuar nënkupton mungesë mendimi? Prandaj duhet angazhimi i ekipes përbrenda për ta ngritur më lartë shfaqjen, rrjedhimisht mendimin e vet. Ansambli i aktorëve ka vetëm një arsye pse ndonjëherë nuk shkëlqen: Udhëheqja.

Sot në provincë lartësohesh me lajme të rreme, por në një vend të zhvilluar është tema e debatit ajo që e bënë dallimin. Prandaj çdo shfaqje tregon nivelin tonë. “Serioziteti” i udhëheqjes së teatrit, (menagjment e artistik) ka bërë te mundur, që regjisorët e huaj të marrin të hollat duke mos dhënë asnjë përgjegjësi për rezultatin e shfaqjes, sepse që në fillim nga qasja e udhëheqjes e kuptojnë, se ky vend është provincial dhe i krijohet automatikisht regjisorit përshtypja, se edhe ekipa teatrore është brum ( nivel) i saj.

Kjo është tërësisht e zakonshme sepse ndodh pothuajse rregullisht. I rregullt është edhe presioni që u bëhet regjisorëve për të angazhuar aktorët që i rrinë prapa udhëheqjes. Presione për të zgjedhur filan aktorin, për filan rolin, përkundër faktit që regjisori ka bërë filan përzgjedhjen më herët. Kjo na ndodh përbrenda neve që punojmë aty, paramendojeni se çfarë ndodh me aktorët e jashtëm, të cilët nuk janë pjesë e ansamblit. Unë jam argumenti për këtë. Kjo mua personalisht me ka ndodhur, edhe pse paraprakisht me vullnetin e regjisorit jam përzgjedhur edhe aktor edhe asistent njëkohësisht, për shkak të nevojave të tij dhe lehtësimit për teatrin, për të pasur informata më të detajuara rreth tekstit, gjë që na obligon profesioni që e kemi, e që unë i kisha mundësitë që ti prezantoj. Për të kapur nivelin më të lartë, duhet gjithsesi analiza, mundi e djersa që të na jap shkëlqimin e vërtetë. Sepse na duhet thëllim në zbërthim për ta zhdukur shprehjen tabu. E kur bëhemi analitik, tabuja ligësohet dhe s’ka më asnjë kuptim. Kur thellimi në analizë është serioz atëherë edhe zhveshja në skenë behet pjesë normale, sepse është normale dhe njerëzore. Sepse ashtu na ka lindur nëna.

Kjo udhëheqje a ka sjell nivelin aty, sa artistët që janë jashtë TKK-së as mos ta mendojnë angazhimin e tyre në këtë institucion, përpos kur të brendshmit refuzojnë kategorikisht që të luajnë! Ju them, kurrë nuk do të vini në shprehje deri sa kjo udhëheqje është në krye të këtij institucioni. E dini pse? Sepse nuk kanë vizion për teatrin. Sepse nuk jetojnë me teatrin. Sepse e duan pagën ose ndihen mirë kur lagjja i thërret drejtor. ( Kjo thirrje e vjetër që nuk zë vend më në perëndim, pos në vende anadollake) Pra jo, nuk kanë vizion. Doni dëshmi? Argumente? Ju jap plot. Sa të doni. Pa ndërprerje. Por fillimisht po ju siguroj se nuk kam ambicie për ta udhëhequr teatrin. (Para një viti e gjysmë jam ftuar që të drejtoj bordin e teatrit dhe s’kam pranuar). Dua ta ndihmoj shoqërinë nëpërmjet profesionit tim. Po ua thot aktori i cili nga institucioni me i lartë teatrorë në vend (TKK) është vlerësuar për angazhimin e tij me notën më të larte, te cilin vlerësim mund ta gjeni edhe në TKK edhe në Ministri të Kulturës, e me falni për mungesën e modestisë, por është e vërtetë, këto vlersime me kanë ndjekur që nga dita e parë kur e kam regjistruar aktrimin si student.

Janë po këta drejtues që ikën dhe i lan aktorët në institucion vetëm , kur e kuptuan se dikush po u vjen në zyrë i revoltuar për shkak te shfaqjes “Bordel Ballkan”. Pra e lëshuan institucionin nga frika. E lëshuan detyrën shtetërorë. Pse kishin frike? U fshehën nga diçka që ne aktorët nuk e dimë? Po të ishim në luftë i bie që komandantet dezertuan. Nga ai moment ata më nuk do të duhej të ishin udhëheqës. Të paktën po të kishin ndërgjegje që i vret, por më poshtë se provinca çka mund të ketë? E kur e shfrytëzon udhëheqjen për të krijuar servil, atëherë udhëheqja behet e rrezikshme për zhvillimin e shoqërisë. Por jo të gjithë janë të interesuar për të luajtur servilin. Servili prodhon servil. Vizionari shpërndan siguri, fuqi, integritet dhe ndikon që edhe të tjerët ti kenë ato virtyte.
Çka shpërndau udhëheqja e teatrit? Cilat virtyte? Cilat kualitete? Ato në teatër nuk po vërehen. Pos tym duhani e aromë urine, që e kanë mbështjell teatrin nga zyrat e deri në qendër të skenës, gjë e cila i prishë hundët kolegëve dhe mua, bashkërisht, çdo natë kur dalim në skenë. (Të mos flas edhe për punëtorët teknik të cilët i kanë ankesat e veta serioze). E skena, për ata që nuk e dinë, është vendi i barabartë me vendet e kultit, qendrën e faltores, si xhamia për muhamedanet, kisha për kristianet e sinagoga për hebretë. Si gjiri i nënës ku merr fuqi fëmija. Ashtu është skena për aktorin, për çka udhëheqja nuk e di ose as që do t’ia di. Por praktika e vazhdueshme e ka dëshmuar që nuk e ka në plan, sepse arti në vend të vogël sipas tyre nuk ja vlen. Me gjithë atë udhëheqin. E me gjithë atë, ka te tjerë që besojnë për dallim prej tyre. Çka do të arrijë shteti, rrjedhimisht shoqëria, nga ky teatër me një udhëheqje që ka dyshime? /KultPlus.com

Liridon Mulaj në mesin e dhjetë finalistëve të “KultStrofa”

Juria profesionale e edicionit të dytë të konkursit të poezisë “KultStrofa”, të organizuar nga KultPlus, nga 150 poezitë sa kanë konkurruar për këtë edicion, tashmë ka përzgjedhë edhe dhjetë finalistët e këtij edicioni.

Në mesin e dhjetë finalistëve është edhe Liridon Mulaj, i cili në këtë konkurs ka konkurruar me poezinë “Në natën e qytetit”

KultPlus do të shpalosë një nga një dhjetë finalistët, sikurse që do të bëjë publike edhe jurinë profesionale të këtij edicioni.

Sponsor gjeneral i këtij edicioni është ProCreditBank. Kurse tre çmimet e para nga dhjetë finalistët do të kumtohen në orën letrare që do të organizohet së shpejti nga KultPlus./KultPlus.com

Khalil Gibran: Duajeni njëri-tjetrin por mos e bëni dashurinë obligim

Artisti, poeti dhe shkrimtari libanez Khalil Gibran njihet për stilin e tij të vecantë të shkrimit, shkruan KultPlus.

Stili i tij romantik ishte zemra e rilindjes në letërsinë moderne arabike, sidomos proza poetike. Në Liban, ai njihet ende si një hero i letrave. KultPlus ju sjellë një pjesë nga romani i tij i njohur “Profeti”.

“Le të ketë hapësirë në bashkimin tuaj dhe lëreni frymën e qiejve të vallëzojë mes jush. Duajeni njëri – tjetrin por mos e bëni dashurinë një obligim: lëreni atë më shumë të jetë një Det i lëvizshëm mes brigjeve të shpirtrave tuaj.

Mbusheni gotën e njëri – tjetrit por mos pini nga gota e njëjtë. Këndoni dhe vallëzoni bashkë dhe bëhuni gazmorë, por lëreni njëri – tjetrin të jetë vetëm. Edhe telat e lahutës qëndrojnë të vetëm edhe pse dridhen me të njëjtën muzikë. Jepeni zemrën tuaj, por jo në zotërimin e njëri – tjetrit, sepse vetëm dora e jetës mund ta nxë zemrën tënde. Dhe, qëndroni bashkë, por jo shumë afër njëri – tjetrit: sepse edhe shtyllat e tempullit qëndrojnë të ndara. Lisi dhe Bredhi nuk mund të rriten në hijen e njëri – tjetrit”./KultPlus.com

Pianistja Lule Elezi u prezantua me koncert recital në Berlin

Ambasadors Club e.V. në Berlin ka organizuar një mbrëmje koncertale me pianisten kosovare Lule Elezi në Berlin, shkruan KultPlus.

Kjo mbrëmje është hapur nga presidentja e Ambasadors Club, Mania Feilcke- Dierck ku të pranishëm ishin edhe shumë ambasadorë të shteteve të huaja në Gjermani, duke përfshirë edhe ambasadorin e Kosovës në Gjermani, Skender Xhakaliu dhe atë të Shqipërisë, Artur Kuko.

Pianistja Lule Elezi ka thënë për KultPlus se në këtë mbrëmje ka qenë e ftuar nga Mania Feilcke- Dierck ku është prezantuar me një koncert, e cila ka performuar vepra të njohura botërore. Ndërkohë, kjo mbrëmje është shënuar edhe si mbrëmje lamtumirëse për ambasadorin e Kosovës në Gjermani, Skënder Xhakaliu, i cili tashmë ka përfunduar misionin e tij si ambasador në shtetin gjerman./KultPlus.com

Kënga arbëreshe “Lule lule” nën interpretimin e një grupi spanjoll (VIDEO)

Kënga “Lule lule”, është një këngë mjaft e njohur e dëgjuar tek publiku shqiptarë, ndërsa kjo këngë ka kaluar edhe nën interpretimin e grupit muzikor spanjoll, Barcelona Gipsy balKan Orchestra, shkruan KultPlus.

Kjo këngë është pothuajse 600 vite e vjetër ndërsa është krijuar nga arbëreshët e Italisë, që janë larguar nga Shqipëria gjatë pushtimit osman në shekullin e 15.

Përveç interpretimit ky grup kësaj këngë ia kanë shoqëruar edhe një videoklip ndërsa videoja ka mbledhur mjaft shumë shikues./ KultPlus.com

Konferencë shkencore, kur Shqipëria ndërtohej nga austro-hungarezët (FOTO)

Ajo ishte një konferencë shkencore dyditore dhe padyshim shumë e rëndësishme jo vetëm nga pjesëmarrja e lektorëve, por mbi të gjitha për atë se çfarë solli fryma e kumtesave. Gjithçka u organizua në kuadër të çeljes së vitit kulturor Austri -Shqipëri 2018.

Ndaj dhe në datat 26-27 janar 2018 pranë Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë u organizua një konferencë dhe një ekspozitë me temë: “Monarkia Austro-Hungareze dhe Shqipëria 1916-1918”, shkruan Gazeta Shqiptare.

Në konferencën për shtyp të mbajtura me rastin e çeljes së vitit kulturor Austri-Shqipëri 2018, ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro e vlerësoi si një rastësi të bukur e ndoshta të parastësishme përkimin e këtij viti kulturor të Austrisë në Shqipëri, me vitin e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit Skënderbeut, kremtimet e të cilit nisën veç disa ditë më parë.

Nga ana e tij Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi vlerësoi se aktivitetet për vitin kulturor shqiptaro-austriak u çelën me ekspozitën dhe konferencën shkencore, që u organizua në sajë të bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Kulturës, Muzeut Historik Kombëtar, Akademisë së Studimeve Albanologjike dhe Ambasadës së Austrisë në Tiranë.

Konferenca shkencore solli në kujtesë periudhën e viteve 1916-1918, periudhë në të cilën Austro-Hungaria administroi më tepër se gjysmën e territorit të Shqipërisë. Akademikë nga Austria dhe Shqipëria kujtuan ngjarjet e asaj kohe, të cilat kanë ndikuar drejtpërdrejt në formimin dhe influencimin e marrëdhënieve mes dy vendeve prej Luftës së Parë Botërore e deri në ditët e sotme. Konferenca shkencore trajtoi gjithashtu tema të tilla si: “Aneksim ose protektorat” dhe ndikimin austriak në infrastrukturë, politikë, administratë, ekonomi, kulturë dhe arsim. Thelluan këndveshtrimin historik me kumtesat e tyre: Prof. Dr. Paskal Milo, Dr. Tamara Scheer, Dr. Dorian Koçi, Dr. Marenglen Kasmi, Prof. Dr. Valentina Duka, Dr. Kurt Gostentschnigg, Prof. Dr. Proletar Hasani, Prof. Dr. Beqir Meta, Prof. As. Dr. Ledia Dushku, Dr. Erwin Schmidl, Dr. Gentiana Kera, Dr. Enriketa Pandelejmoni (Papa), Prof. Dr. Anila Omari, Prof. Dr. Aljula Jubani Prof. As. Dr. Bendis Kraja, Prof. As. Dr. Izer Maksuti, Dr. Rovena Vata, Prof. Dr. Luan Përzhita dhe Dr. Skënder Bushi.

Padyshim, arti dhe kultura kanë treguar se shërbejnë si ura komunikimi mes popujve dhe njerëzve dhe si instrumentet më të mirë për t´i bërë bashkë ata. Bashkëpunimi kulturor dhe ekonomik mes Shqipërisë dhe Austrisë ka një traditë të gjatë dhe mund të cilësohet si një ndër pjesët më të rëndësishme të marrëdhënieve të shkëlqyera mes dy vendeve.

E veç kësaj dokumentet historike dhe imazhet fotografike të Shqipërisë dhe monarkisë austro-hungareze gjatë viteve 1916-1918, u prezantuan në një ekspozite fotografike. Ekspozita në fjalë përmban foto të Shqipërisë së asaj kohe realizuar nga ushtarët dhe regjentët austriakë në vendin tonë. Në ekspozitë bëhen të njohura për publikun imazhe të ndryshme, të cilat të rikujtojnë një marrëdhënie, e cila ka lënë gjurmë në kujtesën e atij brezi që e ka përjetuar, por dhe brezi i ri, i cili me anë të këtij organizimi, mëson shumë nga ajo periudhë. Ndër fotot më interesante të ekspozuara ishin fotografitë e grave dhe burrave shqiptarë me veshjet karakteristike popullore, në të cilat ndërthuret tradita dhe folklori. Gjithashtu e veçanta tjetër në këtë ekspozitë mbeten dhe imazhet e disa prej qyteteve si Tirana, Durrësi, Elbasan etj, gjatë ndikimit të monarkisë Austro-Hungareze në periudhën mes viteve 1916-1918.

Ndërkohë mes seancave të konferencës shkencore u shfaqën dhe pamje filmike austriake, të marra nga Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit. Pamjet filmike përmbanin: Mbërritjen e Princ Vidit në Durrës; Shqipëria gjatë vitit 1914; Pamje nga jeta në Durrës; Pamje nga Shqipëria e viteve 1920 -1928./ KultPlus.com

Mbërrin me një shekull vonesë kartolina e vitit 1917

Një kartolinë e postuar nga një ushtar gjatë Luftës së Parë Botërore ka mbërritur më në fund në destinacion, vetëm se me pothuajse 100 vite vonesë.

Ajo mbante një vulë të gjelbër me kokën e Mbretit George V, gjyshi i Mbretëreshës Elizabeth II dhe ishte postuar në nëntorin e vitit 1917, transmeton tch.

Kartolina u dërgua nga një ushtar i quajtur Ted, i cili po i shkruante mikeshës së tij Miss Tomkins në lidhje me një punë. Tomkins duket dëshironte të punësohej si shërbyese nga Sir William dhe Lady Gundry, pronarët e një shtëpie në North Lodge, dhe Tedi po përpiqej ta ndihmonte duke shkruar një lloj rekomandimi në favorin e saj.

Kartolina iu dorëzua më në fund drejtorit të shkollës “St John”, Andrew Tardios, bashkë me postën e përditshme. Godina e shkollës, dikur institut riedukimi, ngrihet mbi shtëpinë e dikurshme të çiftit të pasur.

Kur Tardios e kuptoi se nuk bëhej fjalë për një kartolinë normale, e pyeti postierin se nga vinte ajo. Por mori përgjigjen e thjeshtë se ishte pjesë e dorëzimit të përditshëm të letrave dhe se nuk dinte t’i thoshte asgjë më shumë.

Episodi e ka bërë aq kurioz drejtorin e shkollës, sa e shtyu t’i hyjë verifikimeve me shpresën se do të arrijë të bjerë në gjurmët e personit që e dërgoi e të mësojë se çfarë ndodhi me të./ KultPlus.com

Lugina e Valbonës, mrekullia në stinën e dimrit (VIDEO)

Lugina e Valbonës, pranë qytetit të Bajram Currit, është një destinacion shumë i vizituar edhe në stinën e dimrit.
Kjo Luginë shtrihet mes majash të larta e të thepisura të mbuluara me një kolorit fantastik ngjyrash në çdo stinë, duke dhënë kështu imazhin e një lugine plot labirinte e të papritura, duke u cilësuar dhe konsideruar si mrekullia e Alpeve Shqiptare.

Tani e veshur krejt në të bardha, mund të sodisësh më mirë njerëzit dhe kafshët e egra që lëvizin në të.

Të bësh një udhëtim në dimër në Luginën e Valbonës, është një mrekulli shpirtërore për sa u përket emocioneve që të ofrojnë peizazhet e saj.

Në mbrëmjet e bujtinës, mitet e zonës do t’i kesh këmbëkryq pranë të zotit të shtëpisë apo kujtdo që është i atyre anëve, shkruan ata. Gatimet e veçanta tradicionale, ku vendin kryesor e zë mishi i pjekur, turshitë vendase, gështenja mbretëresha e zonës, si dhe zjarri në oxhakët e bujtinave private, sigurisht dhe çifteli me këngë epike e lirike.

Të pasionuarit pas turizmit malor mund të bëjnë një udhëtim të mrekullueshëm në këtë sezon në Parkun Kombëtar të Luginës së Valbonës, që të magjeps me pasurinë natyrore.

Tashmë është shumë i vizituar jo vetëm nga të huajt, por edhe nga mjaft shqiptarë, të etur për aventurë dhe që duan të eksplorojnë bukurinë malore deri në Majën e Hekurave. Por, në këtë stinë, në Luginën e Valbonës,mund të ushtrosh edhe turizmin e vëzhgimit të kafshëve të egra të zonës që lëvizin në fushën e bardhë të borës.

Rojet Mjedisore të kësaj zone Nardi dhe Erndi, sjellin vazhdimisht pamje mahnitëse të shpateve malorë ku lëvizin alpinist apo aventurier lartësish, por ku lëvizin edhe kafshë e shpend të rrallë…

Dhia e egër si në “shtëpinë” e saj, në Logun e Valit, rrëzë majës së Poplukës në Parkun Kombëtar të Valbonës, e filmuar nga këta djem, ka tërhequr vëmendjen e Ministrit të Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi, që e ka shpërndarë në rrjetet sociale./ KultPlus.com

Rotarakët e rinj dorëzojnë librat me alfabetin “brail” për fëmijët e verbër

Kryesuesja e Kuvendit Komunal, Shpresa Kurteshi – Emini, ka inkurajuar të rinjtë për iniciativa të tilla.

Me mbështetjen e Komunës së Gjilanit dhe me iniciativë të “Rotary Club Anamorava”, përkatësisht rotarakët e rinj, i kanë dorëzuar sot Bibliotekës së Qytetit libra me alfabetin “brail”, dedikuar personave me mungesë në të pamur.

Rotarakët e rinj tash e një kohë përmes aktiviteteve të ndryshme kanë grumbulluar mjete, për t’i sjellë në Bibliotekën e Gjilanit librat me alfabet brail, projekt ky që u mbështet nga kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, UNICEF-Innovation Lab Kosovo dhe biznese të ndryshme nga Gjilani. Ky projekt u vlerësua si i mirëseardhur dhe i veçantë nga kryesuesja e Kuvendit Komunal, Shpresa Kurteshi – Emini, e cila, duke i inkurajuar të rinjtë për iniciativa të tilla, tha se do të kenë mbështetjen e vazhdueshme të kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri.

“Në këto momente patjetër se është e vështirë të gjinden edhe fjalët e veçanta. E vlerësoj edhe aktivizimin e nxënësve për të qenë në krahë të fëmijëve me mungesë të të pamurit. Komuna e Gjilanit dhe kryetari Lutfi Haziri patjetër që gjithmonë i ka mbështetur dhe do të vazhdoj tutje të jetë në krahë të aktiviteteve të tilla. Ju konfirmojmë edhe njëherë mbështetjen tonë në çdo aspekt dhe i mirëpresim gjithmonë këto çështje të tilla që kanë të bëjnë me të rinjtë e sidomos me fëmijët në veçanti”, ka thënë kryesuesja e kuvendit, Shpresa Kurteshi-Emini.

Kurse nga ana e tij, Zijadin Hasani, kryetar i Rotary Club Gjilani, tha se ky klub do i mbështet gjithmonë Rotarakët e rinj, duke i falënderuar ata dhe mentorin Muhamet Halili, i cili, sipas tij, i ka dhënë përkrahje dhe mban gjallë këtë klub.

Ndërsa, Kryetari i Shoqatës së të Verbërve në Gjilan, Bajram Spahiu, e vlerësoi nevojë të domosdoshme këtë ekzemplar me libra, të cilat mundësojnë komunikim dhe edukim për fëmijët./ KultPlus.com

Fotografi e rrallë me mësues e nxënës të mësonjëtores së parë shqipe (FOTO)

Mësonjëtorja e Korçës është shkolla e parë shqipe që u hap më 7 mars të vitit 1887 në Korçë nga ana e mësuesit patriot Pandeli Sotiri, ndërsa ndër vite cilësohet si një qendër e rëndësishme e edukimit të nxënësve, shkruan KultPlus.

Hapja e kësaj shkolle konsiderohet si një nga momentet më të rëndësishme në historinë kombëtare shqiptare, pasi që deri atëherë mësimi mbahej në shtëpi private. KultPlus po ju sjellë një fotografi të nxehësve dhe mësuesve të kësaj shkolle në Korçë./ KultPlus.com

Së shpejti seriali më i ri “Schengen Visa” (VIDEO)

Schengen Visa është seriali më i ri që do të transmetohet në Kosovë, shkruan KultPlus.

Në këtë serial, që tashmë është lansuar një pjesë e një episodi, shihet të luajnë aktorët: Arta Selimi, Lulzim Bucolli, Safete Rogova, Fisnik Ademi e aktorë të tjerë. Mësohet se ky serial ka 22 episode./KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=LC7BCV1sAbU&feature=youtu.be%5C


Dy aktorët e mëdhenj shqiptarë

Në këtë fotografi shihen dy aktorët e mëdhenj shqiptarë: Abdurrahman Shala e Shani Pallaska, të dy të njohur për shumë role në teatër e në film, shkruan KultPlus.

Abdurrahman Shala ka qenë pothuajse figura kryesore e filmave të realizuar në kohën e ish Jugosllavisë, sikurse që Shani Pallaska vlerësohet për rolet e shumta në teatër, ku kontributi i tyre vlerësohet të jetë i madh për teatrin dhe kinematografinë shqiptare./KultPlus.com

Penelope Cruz nderohet me çmimin Cesar

Penelope vitin e kaluar ishte pjesë e dy filmave, “Loving Pablo”, dhe “Murder on Orient Express”.

Aktorja spanjolle Penelope Cruz do të marrë shpërblimin Cesar më 2 mars në Paris, në përvjetorin e 43-të të ceremonisë së çmimit të kinematografisë franceze, njoftoi Akademia Franceze e Shkencave të Filmit dhe Arteve.

Ndarja e 43-të e çmimit Cesar do t’i kushtohet aktores franceze Jeanne Moreau, e cila vdiq në korrik 2017. Mbrëmja do të hapet nga aktorja franceze dhe këngëtarja Vanessa Paradis./ KultPlus.com

The Sun: Kush është Eugent Bushpepa që do të përfaqësojë Shqipërinë me “Mall”

Në edicionin e këtij viti të festivalit europian, Shqipëria do të shpresojë të sigurojë fitoren me këngëtarin Eugent Bushpepa, por a do t’ia dalë?

Kështu e nis tabloidi ‘The Sun’, materialin që i kushton këngëtarit shqiptar, i cili do të përfaqësojë Shqipërinë në kompeticionin ndërkombëtar me këngën Mall, përcjellë konica.al.

Eugent Bushpepa, i njohur me shkurtimin Gent, lindi në Rrëshen të Shqipërisë, në 2 korrik të vitit 1984, shkruan tabloidi. Ai nisi të këndonte në moshë të re dhe në mënyrë që të përmbushte ëndrrën e tij, në 2006-ën iu bashkua një programi ‘Talk show’, në Top Channel, si këngëtar.

Që atëherë, Eugenti ka qenë pjesë e skenës muzikore, duke u bërë një prej këngëtarëve më popullorë në vend, vijon më tej ‘The Sun’. Tablodi kujton se Bushpepa ka performuar me legjendën e ‘Guns n roses’, Ron Thal. Pavarësisht se është pjesë e industrisë që prej 2006-s, Eugenti nuk ka publikuar ende një album të plotë, por vetëm një numër këngësh.

E përditshmja britanike shkruan se Bushpepa u shpall fitues i edicionit të 56 të këngës në Shqipëri, nga një juri profesionale duke mundur një sërë këngëtarësh të tjerë të suksesshëm.

Në festivalin europian të këngës do të paraqitet me këngën Mall, e shkruar posaçërisht për Eurovizion. Shqipëria ka marrë pjesë 14 herë në Eurovision, që prej debutimit në vitin 2004, duke përmendur Rona Nishliun si përfaqësuesen shqiptare të renditur më mirë në klasifikim./KultPlus.com

Brikenë Ceraja Beka në mesin e dhjetë finalistëve të “KultStrofa”

Juria profesionale e edicionit të dytë të konkursit të poezisë “KultStrofa”, të organizuar nga KultPlus, nga 150 poezitë sa kanë konkurruar për këtë edicion, tashmë ka përzgjedhë edhe dhjetë finalistët e këtij edicioni.

Në mesin e dhjetë finalistëve është edhe Brikenë Ceraja Beka, e cila në këtë konkurs ka konkurruar me poezinë “Paqe e harruar”

KultPlus do të shpalosë një nga një dhjetë finalistët, sikurse që do të bëjë publike edhe jurinë profesionale të këtij edicioni.

Sponsor gjeneral i këtij edicioni është ProCreditBank. Kurse tre çmimet e para nga dhjetë finalistët do të kumtohen në orën letrare që do të organizohet së shpejti nga KultPlus./ KultPlus.com

Burim Myftiu me ligjëratë në “Balkan Photo Award” të Sarajevës

Sapo janë ndarë çmimet në Festivalin më të madh të fotografisë në Ballkan, “Balkan Photo Award”, ngjarje kjo kulturore që është mbajtur në Galerinë Kombëtare të Sarajevës, ku çmimi Grand Prix i është ndarë fotografit Željko Budimir Keko, për fotografinë “Daily life”.

Në këtë garë të madhe të fotografisë, fotografitë janë vlerësuar nga një juri 13 anëtarëshe, në mesin e të cilëve ishte edhe fotografi shqiptar Burim Myftiu.

Burim Myftiu ka njoftuar për KultPlus se përpos vlerësimit të fotografive në “Balkan Photo Award” ai është prezantuar edhe me një ligjëratë në Galerinë Kombëtare të Sarajevës, ku para të pranishmëve është prezantuar me temën “Street Photography”./KultPlus.com

Filharmonia e Kosovës, solli lojë bindëse në koncertin e parë për këtë vit (FOTO)

Gili Hoxhaj

Filharmonia e Kosovës edhe këtë vit duket dukshëm se do të vazhdoi traditën për të mbledhur më shumë vizitorë se sa Salla e Kuqe ka hapësirë. Vepra të Jean Sibelius, e Bohuslav Martinu ishin ato që nisën rrugëtimin muzikor të koncertit të parë për këtë vit nga Filharmonia e Kosovës.

Ishte kompozitori amerikan Gregory Charette , ai që u prit me shumë duartrokitje nga të pranishmit, e me ritëm edhe më të fuqishëm të duartrokitjeve u përcoll gjatë lojës, e në përfundim të saj. Ai qëndronte para e orkestrës së Filharmonisë që tashmë kishte zënë vend para publikut. Gregory Charette, është aktualisht dirigjent muzikor në Oerknal ndërsa me mjaft përkushtim kishte marrë rolin e dirigjentit të koncertit të mbrëmshëm. Komunikimi i tij me orkestrën vërehej dukshëm në çdo lëvizje të duarve të tij, që herë shtriheshin në të dy anët, e herë në vetëm njërën anë të orkestrës. Ai po vinte për herë të dytë në Kosovë, ndërsa tha se mes Kosovës e Holandës ku ai edhe punon, duhet të ketë vazhdimisht shkëmbime.

Përmes Filharmonisë së Kosovës dhe ansamblit që ai drejton, oboisti i Filharmonisë së Kosovës, Albin Abazi kishte ndarë një eksperiencë më ta, andaj së bashku me oboistin holandez Arthur Klaassens, sollën një interpretim të mahnitshëm për publikun.

Tek Gregory Charette, nuk mungonte as komunikimi me publikun, ai mes veprave u drejtohej atyre për t’u treguar më shumë rreth përmbajtjes së asaj që ata po i shijonin.

Vepra e Dimitri Shostakovich, ishte ajo që shënoi kulmin e kësaj mbrëmje. Kjo vepër nga kompozitori sovjetik ishte kompozuar në vitin 1937, por për ta kapur më lehtë kontekstin e kësaj vepre duhet të preken ngjarjet e një viti më herët. Gjatë kohës kur kjo vepër po përgatitej ishte përballur me presion e censurë, gazeta zyrtare sovjetike e kishte cilësuar atë si një vepër vulgare, formaliste dhe jo e përshtatshme. Kompozitori ndodhej në një presion psikologjik deri në finalizimin e saj, ai i gjendej në një situatë ku ishte në rrezik për tu futur në burg vetëm për shkak të punës së tij artistike. Pas këtij shpjegimi, dirigjenti Charette, i ftoi të gjithë të pranishmit ta shijojnë këtë simfoni në mënyra të ndryshme, qoftë si një vepër arti e shkëputur nga konteksti i kohës, me një përjetim tejet personal apo si një protestë intime kundër censurës artistike.

“Muzika është gjuhë dhe çdo shoqëri që beson në lirinë e fjalës, beson dhe ne muzikë dhe në art. Institucionet të cilat përkrahin artin janë jashtëzakonisht të rëndësishme në një shoqëri demokratike”, u shpreh Charette. Këtu ai krejt në fund të fjalëve të tij kishte edhe një mesazh për ta mbështetur më fuqishëm këtë orkestër.

“Ju si një shtet, si një kryeqytet, shoqëri dhe komunitet duhet të jeni shumë krenar për këtë orkestër prapa meje. Kjo orkestër meriton përkrahjen e juaj dhe përkrahjen institucionale”, ka thënë kompozitori.

Ishte oboisti Arthu Klaasens, ai që publikut i dha një interpretim solistik që rrallë herë përjetohet në këtë sallë. Ndonjëherë e gjithë orkestra pushonte lëvizjet e tyre, për t’i dhënë kështu mundësinë publikut të shijoi magjinë e këtij tingulli. Kur tingujt e tij zgjateshin, duart e dirigjentit me ngadalësi ngriheshin, e orkestra vetëm zbatonte rrugën e kësaj melodie. Ai mbrëmë përjetoi eksperiencën e parë të interpretimit para publikut prishtinas, këtë përjetim ai e cilëson si tejet të veçantë.

“Është e mahnitshme ta shohësh këtë sallë të mbushur më kaq shumë njerëz, më shumë se sa që do duhej të zinte kjo sallë, kjo është një ndjenjë shumë e mirë për mua si solist. Publiku me të vërtetë donte të dëgjonte, unë e ndjeva këtë dhe kjo e bëri shumë më të lehtë interpretimin tim”, u shpreh oboisti Klaassens për KultPlus, lidhur me bashkëpunimin me orkestrën, ai i quajti si ndjekës shumë të mirë dhe në harmoni me interpretimin e tij e të dirigjentit.

Drejtori i Filharmonisë së Kosovës, Baki Jashari tregoi për KultPlus se bashkëpunimi i mëparshëm i Filharmonisë me këtë dirigjent, kishte nxitur orkestrën që të kërkoi përsëri ardhjen e këtij dirigjenti në Prishtinë, pasi që ai kishte gjetur një gjuhë të fuqishme artistike me orkestrën.

“Ky dirigjent tashmë e dëshmoi veten për herë të dytë, andaj duke i ditur kualitetet e tij ne kemi vendosur ta kemi më shpesh meqë ai me punën e tij është duke e ngritur në nivel më të lartë orkestrën, andaj edhe ky program voluminoz është kërkesë e tij dhe sonte orkestra i ka provuar limitet interpretative që ndoshta me ndonjë dirigjent tjetër nuk do të kishim pas edhe guxim”, u shpreh drejtori Jashari, i cili shtoi se programe të tilla duhet të vazhdojnë t’i ofrohen publikut i cili ka po ashtu kërkesa të larta artistike, pasi që edhe pas pushimit mes veprave publiku vazhdoi të qëndroj në sallë, madje disa prej tyre në këmbë, e ata ulur kishin ardhur rreth një orë më herët për t’i zënë ulëset.

Këtu drejtori Jashari, u shpreh tejet entuziast për praninë e publikut ndërsa tejet i dëshpëruar që Filharmonia e Kosovës ende përballet me mungesën e një sallë adekuate, ku edhe kualiteti i interpretimit do të ishte një nivel edhe më të lart.

Megjithatë ai ndihet tejet i kënaqur që me interpretimin e solistit holandez Klaasens i mundësuan publikut të dëgjojnë tingujt e një instrumenti të rrallë, siç është oboa, i cili kërkon shumë profesionalizëm e trajtim delikat ndërsa shtoi se në Filharmoninë e Kosovës janë bërë pothuajse dhjetë vite që kur nuk ka pasur solo oboist.

Lidhur me planet e këtij viti ai tha se do të ketë edhe udhëtime jashtë vendit, kori do të udhëtoj në muajin maj për në Londër, ndërsa shtoi se ekziston mundësia e shkëmbimit edhe me Indonezinë. Për të gjithë publikun e Filharmonisë, ai tha se edhe ky vit do të jetë mjaft i ngjeshur me koncerte ndërsa paralajmëroi se Filharmonia e Kosovës muajin tjetër do t’u sjellë përsëri një koncert./ KultPlus.com

Bebe Rexha pjesë e performancës së mahnitshme të Keshës në Grammy (VIDEO)

Performanca e këngëtares Kesha ka bërë një jehonë mjaft të madhe për interpretimin e këngës “Praying” në Grammy Awards 2018 , ndërsa pjesë e këtij interpretimi ka qenë edhe këngëtarja shqiptare Beba Rexha me Cyndi Lauper, Julia Michaels, Andra Day, Camila Cabelle, përcjellë KultPlus.

Interpretimi i kësaj këngë u cilësua si mjaft emocionues për këtë ngjarje. Pas performancës së saj, Kesha ka cituar disa pjesë të tekstit të këngës së saj, ndërsa në këtë postim ka shprehur edhe një mesazh mirënjohjeje.

“” Pas gjithçkaje që keni bërë unë mund t’ju falënderoj për atë se sa e fortë jam bërë “, ka shkruar ajo në Twitter. “Faleminderit @RecordingAcad, dhe grave që ishin me mua në skenë sonte po ashtu faleminderit të gjithë atyre që më kanë mbështetur gjatë gjithë këtij udhëtimi”, ka shkruar këngëtarja në postimin e saj./KultPlus.com
https://www.youtube.com/watch?v=vlOT2N3O6ZI

Rita Ora përmes Vogue konfirmon ardhjen në Kosovë (FOTO)

Rita para një mbrëmje ka mahnitur publikun me dukjen e saj në tapetin e kuq në Grammy, ndërsa revista Vogue e ka ndjekur shkuarjen e saj atje, shkruan KultPlus.

Revista Vogue ka përgatitur një storje gjatë rrugës së saj për në këtë ceremoni. Gjatë bisedës për këtë revistë, ajo ka konfirmuar ardhjen në Kosovë, për ditën e Pavarësisë së Kosovës.

Ajo ka treguar edhe për projektet e saj të sapopublikuara ,edhe për turnet e saj në këtë vit. Duke folur për udhëtimet e saj në Amerikë dhe Evropë, këngëtarja shqiptare ka treguar edhe për udhëtimin e saj misionar drejt shtëpisë së saj, Kosovës. /KultPlus.com

Flaka e Janarit sjellë në skenë “Matin” nga Burreli

Manifestimi kulturor mbarëkombëtar “Flaka e Janarit 2018”, po e vazhdon rrugëtimin me sukses, ndërsa aktiviteti i radhës mbrëmë ka qenë koncerti i shfaqur nga Ansambli “Mati”, që vije nga Burreli i Shqipërisë, që me këngë, valle e melodi instrumentale, ngrohu zemrat e publikut të pranishëm, i disponuar për gjithë kohën sa zgjati programi artistik i trupës së këtij Ansambli.

Ky aktivitet erdhi për publikun gjilanas si bashkëpunim i Komunës së Gjilanit, ambasadës së Shqipërisë në Kosovë dhe Bashkisë Mat.

Koncertin që u mbajt në shkollën “Don Bosko”, është përcjellë kreu i Gjilanit, Lutfi Haziri, ambasadori i Shqipërisë, Qemal Minxhozi, deputetja Valentina Bunjaku- Rexhepi e personalitete tjera.

“Flaka e Janarit” do të vazhdojë tutje me Orën e Madhe Letrare më 31 janar, në orën 16:00 dhe për të kulmuar me Festivalin e Muzikës Shqipe “Fest Flaka”, në orën 17:30./ KultPlus.com

Tym

Poezi nga Ndue Ukaj.

Është mëngjes.
Lajmet e mira nuk vijnë si melodia e zogjve:
Na ishte njëherë pranvera, shpresa,
Dhe ideja se liria është mungesë e robërisë.

Tani ka tym e gaz,
Dhe pranvera i ngjan vjeshtës.

Mbi kokat tona valëvit pikëllimi,
Ky flamur morti që si një kortezh trishtimi
Bredh prej dore në dorë.

Lajmet e mira nuk u ngjajnë ëndrrave.
Shkruhen tuneleve ku mungon drita,
Aty ku terri shtrin pushtetshëm fuqinë
Mbi rojet e fatit-
Ata njerëz që luajnë në teatrin e demokracisë.

Qyteti fle i trazuar
Zgjohet i trazuar
Qan e qesh i trazuar.

Kafet janë mbushë më fantazma
Dhe kukurisje lajmesh që mbllaçiten keq.

Ka tym dhe një flamur pikëllimi
Që është shtri si shall dhimbjesh
Në qafën e rënduar të një populli
Që kërkon të pëlcasë nga trishtimi.

E unë mora me vete një thes ëndrra
Dhe dola rrugëve pa shpresa.
Pashë njerëz të shndërruar në hije
Dhe një pallat të vetmisë me rekuizita trishtuese, me mbishkrimin:
“Liria është mashtrim i madh.”

Rrugës shkelmova gurë të hedhur pikëllimi.
“Sa shumë marrëzi mban qyteti im mbi supe”-
Më tha vajza me shallin e bukur rreth qafës saj të ambël.
Dhe një çantë të zezë trishtimi që e mbante me vete.

(Nga libri, Gjithmonë diçka mungon, OM, 2017 © )