Rikthehet seriali “Tre gjermanët e trashë”, në këtë ditë fillon transmetimin (VIDEO)

Është një ndër serialet më të ndjekura kosovare dhe humori i këtij seriali nuk ka ngjarë me serialet tjera vendore në Kosovë, shkruan KultPlus.

Me rolin e Ganiut që prezantohet nga Naser Rafuna ky serial shumë shpesh ka thumbuar tema të ndryshme duke mos përjashtuar as ato aktuale.

Ky serial do të nisë të emetohet këtë të dielë në RTK prej orës 20:15, kurse në këtë serial, përpos Naser Rafunës, me rolet e tyre luajnë edhe aktorët: Flutura Zeneli, Kushtrim Sheremti, Ard Islami, Arta Selimi dhe të tjerë. KultPlus ju sjellë edhe videon promocionale të këtij seriali./KultPlus.com

Qendra Kinematografike e Kosovës ka hapur konkursin për subvencionim të projekteve filmike për vitin 2018

Këshilli Drejtues i QKK-së, në mbledhjen e fundit të mbajtur, ka vendosur të hapë këto konkurse: konkursi për film të metrazhit të shkurtër dhe të gjatë artistik dhe dokumentar, konkursi për film të shkurtër të animuar, konkursi për film debutues të metrazhit të gjatë artistik, konkursi për koproduksion minor për film të metrazhit të gjatë artistik, konkursi për postproduksion për film të metrazhit të gjatë artistik si dhe konkursi për zhvillim skenari për film të metrazhit të gjatë.

Afati i fundit për të aplikuar për mbështetjen e projekteve filmike është 4 maj 2018.
Ndërsa afati i fundit për regjistimin e shtëpive filmike në QKK është 1 maj 2018.
Aplikimi është online përmes faqes zyrtare të QKK-së./KultPlus.com

Ermal Meta: Hapat e mi një ditë u ndalën në skenën e drunjt, e kuptova se kjo ishte e vetmja gjë që dija ta bëja

Së fundmi sipas raportimit të mediave italiane, Ermal Meta do të nderohet ditën e nesërme nga kryebashkiaku i Barit, duke i dhënë çelësin e qytetit, për shkak të qëndrimit të tij për shumë kohë në këtë vend, e si shenjë vlerësimi për talentin e jashtëzakonshëm dhe suksesin e merituar.
Nëpërmjet një postimi në profilin e tij në Facebook, Ermal Meta ka shkruar:

“Ishte viti 1994 dhe isha 13 vjeç, erdha në një qytet që nuk e njihja. Kam takuar njerëz që nuk i kisha parë kurrë më parë dhe dëgjoja një gjuhë që nuk e flisja. Gjithmonë shikoja këmbët e mia kur ecja. “Mos merr ndonjë hap të gabuar”, i thosha vetes, gjithmonë shikoja këmbët e mia, dhe isha i kujdesshëm ku i vendosja.
Mësova një gjuhë që nuk e dija dhe ngadalë fytyrat e të huajve u bënë miq. Qoshet e qytetit u bënë gjithnjë e më të njohura. Flisja pak, por ndjeja shumë.
Unë ecja duke parë këmbët e mia, e më dukej sikur në asfalt pasqyrohej qielli dhe vazhdimisht mendoja “çfarë do të bëhet me mua”? Atëherë hapat e mi një ditë u ndalën në dërrasat e drunjta dhe ngrita vështrimin. Isha në një skenë dhe dëgjova se ishte e vetmja gjë që doja të bëja, ky ishte i vetmi vend ku doja të isha. E dija çfarë do të ndodhte me mua , kështu që fillova të fluturoja lart.
Pas gjithë këtyre viteve qyteti i Barit më jep çelësat e tij dhe ndihem i nderuar dhe mirënjohës për t’i marrë ato. Ata nuk hapin dyer, por kujtimet e mia më të thella. Faleminderit shumë.”

Duke e pritë andrrën

Poezi nga Brikena Ceraja Beka

Kam dashtë me të thirrë
në natën që e lamë pa dritë
S’e di si më kish pas marrë andrra
me ty
Eca me hijen tende
Në atë rrugën e vjetër
Thoshin se ka roje nata
Eca bashkë me ankthin
E nuk ta pashë më atë
djellëzim
Që e lëshoje në fund të
Ditës
Kam menduar se je ngritë
nga fundi i tokës
Me më rrëzue në këtë muaj
Pranvere
Ta lash një epitaf e andrra
na u bë akull
Kam mbetë në tokë me ankth
E ti në fund të saj
Duke e pritë andrrën./KultPlus.com

Agron Peni u prezantua edhe me vepra shqiptare në Festivalin Ndërkombëtar të Kitarës Klasike në Bullgari

Në edicionin e 22-të të Festivalit Ndërkombëtar të Kitarës Klasike që po mbahet në Bullgari është prezantuar edhe kitaristi kosovar Agron Peni, shkruan KultPlus.

“Kam qenë i ftuar në këtë festival dhe jam prezantuar me një koncert recital që ka zgjatë për 40 minuta” ka thënë Agron Peni për KultPlus.

Ai ka thënë se performanca e tij është pritur jashtëzakonisht mirë, dhe ai në këtë koncert është prezantuar edhe me këngë shqipe.

“Jam prezantuar edhe me këngë shqipe të aranzhuara për kitarë klasike, sikurse që kam prezantuar dy komponime për herë të parë, vepra këto që u pritën mirë edhe nga kritika por edhe nga publiku” ka thënë Peni, i cili ka bërë të ditur se ky koncert është mbajtur në mbëmjen e së enjetes./KultPlus.com

Sonila Dungaj fituese e garës “10 minuta në instrument solo 2018”

Mbrëmë, në kuadër të hapjes së edicionit të 13-të të Festivalit DAM është bërë edhe ndarja e çmimeve për garën “10 minuta në instrument solo 2018”. Fituese është shpallur violistja Sonila Dungaj nga Tirana, shkruan KultPlus.

Alberina Haxhijaj

Festivali DAM në bashkëpunim me “West Coast Symphony Orchestra” (Vankuver, Kanada), në nderim të 10-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, kishin hapur edicionin e parë të garës “10 minuta në instrument solo 2018”.

Gara e cila është mbajtur më 28 dhe 29 mars 2018 në Prishtinë si pjesë e turneut ballkanik të “West Coast Symphony Orchestra” ka përfshirë edhe dhurimin e disa instrumenteve për institucione të ndryshme arsimore nëKosovë. Instrumente këto të cilat do të ndahen për dy shkolla të muzikës në Prizren dhe për shkollën e muzikës në Prishtinë. Drejtori i Festivalit DAM, Dardan Selimaj ka treguar për KultPlus se ky bashkëpunim ka qenë iniciativë e West Coast Symphony.

“Ne kemi qenë të interesuar që të bashkëpunojmë për disa arsye. Fillimisht, sepse nuk kemi mundësi që me fondet që i kemi të ftojmë ansamble të mëdha e që veprojnë jashtë Kosovës. Pastaj është edhe arsyeja se ata kanë qenë të interesuar që të dhurojnë instrumente nëpër shkolla të muzikës dhe ne gjithmonë kemi nevoje për donacione të tilla të instrumenteve”, ka treguar ai për KulPlus.

Këtë vit në garë kanë qenë dhjetë konkurrentë nga Shqipëria, Maqedonia dhe Kosova, gara ka qenë e hapur edhe për konkurrent nga Mali i Zi, mirëpo nuk ka pasur konkurrent nga ky shtet.
Lirdina Kukaj (Kosovë), Sonila Dungaj (Shqipëri), Entela Qarkagjija (Kosovë) dhe Ardita Osmani (Maqedoni) janë seleksionuar si më të mirat dhe janë kualifikuar për finale. Kurse fituese është zgjedhur Sonila Dungaj nga Tirana.

Gara ka qenëvetëm për violist. Organizatorët e Festivalit DAM po planifikojnë që vitin tjetër të gjejnë edhe donatorë të tjerë, që do të dhurojnë instrumente të ndryshme, në mënyrë që të vazhdohet kjo traditë garuese. Juria e garës është përbërë nga: PaulMcEwen – President i WCSO (Kanada), BarbaraIrschick – violiste (Kanada), BruceIrschick – violist (Kanada), MarkJackson – violist (Kanada)./KultPlus.com

Era Istrefi godet, kënga “Origami” edhe me fjalë shqipe

Era Istrefi ka sjellë sot këngën e saj më të re “Origami” të cilin e ka realizuar në bashkëpunim me Maphorisa. Edhe kjo këngë veçohet nga gërshetimi i gjuhës shqipe me atë angleze, shkruan KultPlus.

“U bo ni kohë e gjatë që të kam n’mend/
Edhe pse kurrë s’të kam thonë sen
Dit e nat ndjenja s’po më len
po e nij që aj momenti po vjen
Po du me ta thirr telefonin
Me ta ni tonin e zonit
Ti n’vend tem unë n’tonin”…,

https://www.youtube.com/watch?v=4XVW5kAJSbA&feature=youtu.be

Është fillimi i këngës së Erës, këngë kjo e cila pastaj vazhdon e tëra në gjuhën angleze.
Kënga e titulluar “Origami” është lansuar vetëm në verzionin audio, kurse për videoklipin e kësaj kënge ende nuk dihet se kur do të publikohet.
Era Istrefi kishte shënuar një sukses të madh me këngën “Bon Bon”, këngë kjo që e bëri të depërtueshme deri në tregun ndërkombëtar./KultPlus.com

Edhe vepra ”Goca e Kaçanikut” u prezantua në hapjen e DAM, Rauf Dhomi i mrekulluar nga “West Coast Symphony Orchestra”

Festivali Ndërkombëtar i Muziktarëve të Rinj (DAM) trembëdhjetë vite më parë, kishte lindur si një dëshirë e studentëve të Fakultetit të Artit për të promovuar punën e tyre. Për këto trembëdhjetë vite ky festival ka bërë që Prishtina , dhe jo vetëm, të kumbojë nga tinguj të ndryshëm të instrumentistëve vendorë dhe të huaj. Festivali ka sjellë emocione, ndërsa Kosova, ky vend i vogël është bërë i dashur dhe i njohur për shumë instrumentistë, pikërisht nga ky festival. Tradita ka vazhduar edhe këtë vit, shkruan KultPlus.

Alberina Haxhijaj

Hapjen e edicionit të 13-të të Festivalit DAM në Prishtinë e bëri orkestra “West Coast Symphony Orchestra”. Dirigjenti Bujar Llapaj i cili që nga viti 2007 është dirigjent permanent i kësaj, orkestre nëVankuver të Kanadasë pati premtuar herën e kaluar kur ishte në Prishtinë se do e sjellë këtë orkestër edhe në Kosovë. Kështu premtimi i tij u realizua këtë vit duke shënuar edhe hapjen e edicionit të 13-të të Festivalit DAM.

“Ideja e tureve tona, duke përfshirë edhe këtë në Prishtinë është që të ketë shkëmbim të kulturave, që publiku shqiptarë të dëgjojë kompozitor kanadez apo amerikanë dhe ne të luajmë vepra të kompozitorëve shqiptarë. Kultura është ura më e mirë që bashkon njerëzit, muzika është një nga gjuhët që nuk ka shumë keqkuptime dhe është universale, nuk ka fjalë që të djegin vetëm tinguj që të japin kënaqësi. Ky ishte koncerti i gjashtë dhe i fundit i turnet. Kemi pasur si pikë kryesore pikërisht festivalin DAM për shkak tëpromovimit të veprave të reja dhe talenteve”, u shpreh dirigjenti për KultPlus.

Në hapje të këtij festivali nuk mungoi as publiku i cili çdo herë po i qëndron besnik festivalit DAM. Një gjë të tillë e ka vënë re edhe dirigjenti por edhe anëtarët e orkestrës. Ai tregoi sesi çdo herë se publiku më i mirë është në Prishtinë dhe është për t’u çuditur interesimi që kanë të rinjtë për muzikën klasike dhe për festivale të tilla. Ndërsa nuk harron që të përgëzon edhe kompozitorët kosovarë duke treguar se mundohet sa më shumë të marrë vepra të kompozitorëve shqiptar dhe ato ti luaj në Kanada.
Kjo mbrëmje filloi me premierën botërore të koncertit për klarinetë dhe trombon, kompozuar nga kompozitori Kreshnik Aliçkaj, që është shkruar tre muaj më parë. Si soliste në klarinetë erdhi Gwynneth Jones, kurse në trombon Jim Hopson. Kurse kompozimi nuk ka qenë i lehtë për kompozitorin Aliçkaj për shkak të formacionit.

“Është një formacion jo shumë i lehtë për me e shkru, pasi që tromboni dhe klarineta janë dy instrumente të ndryshme edhe pse janë frymore, gjithashtu dallojnë edhe për nga ngjyra dhe regjistri dhe si kompozitor është dashur që të kem shumë kujdes në trajtimin e këtyre instrumenteve”, tha ai për KultPlus duke u shprehur i kënaqur për interpretimin që ju bë veprës së tij.
Mbrëmja vazhdoi me “Qyteti” nga suita “WestCoast” pastaj mr koncert për soprano saksofon dhe orkestër, Julia Nolan e cila interpretoi në saksofon u shpreh se kjo performancë në Prishtinë ishte më e mira për të.

“Audienca ishte shumë e ngrohë, qyteti është i bukur dhe çdo gjë ishte e mrekullueshme edhe grupi po ndihet i rehatshëm, dhe duke e ditur që ky ishte koncerti jonë i fundit dhe më pas do të shkojmë në shtëpi ishte edhe më i veçantë. Tashmë jemi duke diskutuar pasi që dëshirojmë që të kthehemi përsëri”, tregoi ajo.

Programi i kësaj mbrëmje përfundoi fuqishëm me interpretimin e uverturës nga opera ”Goca e Kaçanikut”. Kompozitori Rauf Dhomii cili ishte në publik bëri diçka që rrallë herë e bënë kur interpretohen veprat e tij. Ai ju bashkua orkestrës në skenë për t’i falënderuar për interpretimin që i bënë veprës së tij, si dhe për të përgëzuar dirigjentin të cilin ai e konsideron një maestro.

“Kur filluan akordimet e orkestrës në fillim mendova se janë amatorë për faktin se akordimi te profesionistët nuk zgjatë. Kjo ishte hera e parë që kam gabuar. Orkestra me dirigjimin e Bujar Llapaj, pasi që shumica ishin amator, por me dirigjimin e tij këtë tingëllim nuk do ta dëgjoni kurrë në Prishtinë, përveçse me këtë dirigjent. I thash faleminderit shumë që më dhe mundësin të të quaj i çmendur, pasi që vetëm një i çmendur di të lexoj aq mirë partiturën. Nuk ka një frazë që nuk është përpunuar ashtu si unë e kam menduar dhe kjo ishte një nga interpretimet më të mira të veprës sime”, u shpreh ai për KultPlus, duke theksuar se kjo vepër është luajtur edhe nga Filharmonia e Kosovës disa herë, mirëpo nuk kishte pasur një interpretim të tillë.

Por organizimi i këtij festivali nuk është i lehtë asnjëherë për organizatorët. Drejtori i Festivalit Dardan Selimaj u shpreh se financiarisht festivali ka probleme si asnjëherë tjetër.
“Besojmë që vitin e ardhshëm do të kemi mundësi të eksperimentojmë më shumë me hapësirat. Kemi ansamble të niveleve botërore dhe ansamble që nuk janë në këtë nivel.Kjo na jep mundësinë që të krahasojmë vetën. Edhe te ne ka instrumentistë që mund të koncertojnë nëpër skena të ndryshme dhe ka progres në anën kualitative, mirëpo në infrastrukturë jo. Kushtet dhe rrethanat të cilat ne punojmë janë të pakrahasueshme me orkestrat e tjera”, u shpreh ai, duke theksuar se nuk sheh vullnet politik as për ndërtimin e sallës koncertale, pikërisht për faktin se ata që flasin për këtë, asnjëherë nuk marrin pjesë nëpër festivale dhe koncerte. Pra nuk e përjetojnë sesa e vështirë është dëgjimi i koncerteve në salla të tilla alternative.

Mbrëmë fuqishëm filloi një edicion tjetër i suksesshëm i Festivalit DAM edhe përkundër problemeve që hasin organizatorët e të cilat shpesh herë nuk vërehen nga të pranishmit. Ky koncert ishte udhëprijës i koncerteve dhe organizimeve të shumta që do të ketë deri më3 prill, në kuadër të këtij edicioni./KulPlus.com

Është lansuar kënga e re e Era Istrefit (VIDEO)

Era Istrefi tashmë ka lansuar këngën e saj më të re, shkruan KultPlus.

Kjo këngë titulluar “Origami” dhe është lansuar vetëm në verzionin audio, kurse për videoklipin e kësaj kënge ende nuk dihet se kur do të publikohet.

Era istrefi kishte shënuar një sukses të madh me këngën “Bon Bon”, këngë kjo që e bëri të depërtueshme deri në tregun ndërkombëtar.
https://www.youtube.com/watch?v=4XVW5kAJSbA&feature=youtu.be
Mirëpo, suksesi i asaj kënge nuk është kaluar deri më tashti dhe mbetet të shihet nëse “Origami” do të bëjë namin./KultPlus.com

“Shkova fëmi dhe u ktheva plakë… 45 vite në internim… u vesha nuse atje”

Është historia e Klora Merlikës, simboli i mbijetesës në kampet e internimit, atje ku shkoi fëmijë e kaloi 45 vite të jetës, ku pa të vdisnin bashkëmoshatarët e saj. Atje ku dashuroi e veshi fustanin e bardhë të nusërisë, atje ku la nënën e saj përgjithmonë.

Një fustan i bardhë dhe një shëtitje nëpër dyert e familjeve të internuara janë të paktat çaste që mban mend Klora Merlika në ditën e shënuar të jetës së saj, atë të martesës. Ajo ditë nuk do të bënte asnjë ndryshim nga ditët e zakonshme të jetës së saj të mundimshme në kampet e internimit nga Berati në Tepelenë e deri në Savër… Kishte mbërritur në kampet e internimit, kur kishte ende përparsen e shkollës fillore dhe është larguar prej andej 45 vite më vonë. E kanë quajtur simbol të mbijetesës, pasi e kanë degdisur thuajse në të gjitha kampet e internimit të Shqipërisë. Është Klora Merlika, nusja e djalit të ish-kryeministrit Mustafa Merlika. Është një ndër ato që ka vuajtur më së shumti terrorin komunist, që kur ishte fëmijë.

Ja si e kujton ajo fëmijërinë në kampet e internimit, atje ku shumë bashkëmoshatarë të saj humbën jetën në mënyrë tragjike.

“Duke qenë pjesë e familjeve të mëdha, në fillim dhe në fund të kampit ishin banjot, dhe ne të Mirakajve (gruaja e xhaxhait, ishte grua ministri) bashkë me Bardha Markagjonin na vendosën në fund, në një hapësirë jashtë çdo kushti normal… As mbijetesë nuk e quaje dot. U desh shumë mund nga nëna ime e nuset e xhaxhallarëve për ta pastruar vendin rrotull, deri sa mori një pamje të pranueshme. Në Berat ne qëndruam nga viti 1944 deri 1949-n, gati pesë vjet. Shumë herë aty në kamp ra sëmundja e malaries, tifoja, dhe fëmijët e vegjël vdisnin njëri pas tjetrit. Brenda një nate kanë vdekur mbi 20 fëmijë, dhe unë nuk kam për ta harruar kurrë një grua shtatlartë shkodrane, Cuklina e quanin, së cilës i vdiqën të dy foshnjat binjake nga tifoja. Buzët e thara të atyre fëmijëve i kam përpara syve (qan). Unë gjithë kohës rrija pranë nënës e familjarëve të mi, ndërsa mamaja bëri të pamundurën që të më regjistronte në klasë të katërt, në një shkollë pranë kampit, sa për të kaluar disa orë të ditës. Mbaj mend që disa herë rresht e kam shoqëruar time ëmë në Burgun e Kuçovës, sepse aty pranë po ndërtohej nga të burgosurit kanali Kozarë-Kosovë, ndërkohë që ata merrnin edhe njerëz nga kampe të tjera internimi”, thotë Klora.

Po, në internim Klora përjetoi edhe momentin më solemn në jetën e njeriut, atë që praktikisht duhet të ishte çasti më i paharruar: fustani i bardhë dhe nusërimi, deri edhe lindja e nipërve dhe mbesave. Martesa me Fatosin, të birin e ish-kryeministrit Mustafa Merlika, do t’ia rëndonte dënimin, sidomos edhe pas kërcënimit që vetë Mehmet Shehu i kish bërë në burg të shoqit. Janë 45 vite internim, dhe sot 80 vjeçarja Klora Merlika (Mirakaj) ka shumë për të rrëfyer…

“Nuk ishte dasmë ajo imja! Unë u vesha me fustan të bardhë dhe bëra një xhiro rrotull kampit, nëpër dyert e familjeve bashkëvuajtëse aty. Të nesërmen direkt u kthyem në punë dhe vetëm një ditë pas martesës Fatosin e detyruan që të shkonte për të punuar në kënetën e Gradishtit. Gjatë ditës troket një oficer i Sigurimit dhe i kënaqur nga vendimi për të degdisur tim shoq, më pyet nëse do e lija apo do e ndiqja kudo, ku shteti do ta transferonte. Unë isha martuar me Fatosin, dhe kisha vendosur që ta ndiqja në çdo vend ku atë do ta caktonin. Në kampet e internimit kam kaluar momentet më të bukura dhe më të trishta të jetës. Martesa është vetëm një kapitull… Në kamp më vdiq ime më, e varrosëm aty. Në kamp më lindi vajza dhe vendosëm me Fatosin që të kishim vetëm një fëmijë, për të mos i hyrë në hak jetës, vuajtjeve… Nuk mund të torturoje veten dhe fëmijën në ato kushte në të cilat jetonim”, thotë Klora.

Intervista është realizuar nga Ermira Isufaj, gazeta “Panorama”

Ermal Meta nderohet me “Çelësin e Qytetit” të Barit

Bashkia e qytetit të Barit ka nderuar me “Çelësin e Qytetit” kant-autorin Ermal Meta. Artisti shqiptar mbërriti në qytetin jugor të Italisë në moshën 13-vjeçare dhe atje hodhi hapat e parë në botën e muzikës.

Këngëtari me origjinë shqiptare, Ermal Meta do të nderohet me “Çelësin e Qytetit” të Barit. Çmimi do t’i dorëzohet atij të shtunën, në një ceremoni të posaçme që do të mbahet në bashkinë e qytetit jugor të Italisë.

Meta, i cili u shpall fitues në festivalin e Sanremos, ka jetuar gjatë në Bari, ku ka mbërritur në moshë të vogël. Ky çmim i shkon atij për talentin e jashtëzakonshëm dhe suksesin e merituar që ka arritur falë personalitetit dhe stilit të tij të veçantë, thuhet në motivacionin e bashkisë.

Objekti i jepet kantautorit edhe në shenjë mirënjohjeje, pasi pikërisht në Bari ai bëri hapat e parë në botën e muzikës, ku trajton tema të aktualitetit.

“Të flasësh për dhunën në familje apo për frikën nga atentatet terroriste nuk është e lehtë, por Ermali e bëri duke u dhënë zë ndjenjave me të cilat përballemi të gjithë e që na kujtojnë se i vetmi besim që nuk njeh kufij është ai i të qenët human”, thuhet në motivacion.

Vetë Meta ka reaguar përmes një statusi në Facebook, ku është shprehur i nderuar, i prekur dhe natyrisht mirënjohës për këtë vlerësim.

“Ky çelës nuk hap dyer, por kujtimet e mia më të ëmbla e më të thella. Ju falënderoj nga zemra”, ka thënë këngëtari.

Ëndërr

Poezi nga Federico García Lorca

Zemra ime çlodhet ndanë burimit të cemtë
(Mbuloje me fijet e tua,
Merimangë e harresës.)

Uji i pëshpëriste ulët një kantilenë të ëmbël
(Mbuloje me fijet e tua
Merimangë e harresës.)

Zemra ime që u zgjua, pikëllimet e saj ia rrëfeu
(Fshihe mirëbesimin e saj,
Merimangë e heshtjes.)

Ja, zemra ime po rrëshqet në burimin e cemtë
(O duar të bardha, të largëta
Mbajeni ujin e lehtë.)

Dhe, duke kënduar me gaz, uji e tërheq
(O duar të bardha, të largëta,
Uji mbeti i shkretë!)/KultPlus.com

Cameron Diaz konfirmon pensionimin

Nuk është parë në ekranin e madh që në vitin 2014, me filmin “Annie”. Po flasim për Cameron Diaz, e cila ka njoftuar se është tërhequr nga aktrimi.

Lajmi kishte qarkulluar prej kohësh, kur një shoqja e saj deklaroi se aktorja e famshme kishte vendosur që të dilte në pension. Por, këto deklarata ajo i përgënjeshtroi në Twitter disa ditë më vonë, transmeton tch.

Tani, është vetë Diaz ajo që është shprehur fare qartë: “Unë kam dalë në pension. Aktualisht, nuk po bëj asgjë. Kam vite që nuk punoj. Jam mama, kjo është puna ime”./KultPlus.com

Cameron Diaz
joins TAG Heuer to raise money for UN Women and New York Cares’ Hurricane Sandy Relief Effort, benefit held at the Museum of Natural History
Featuring: Cameron Diaz
Where: New York City, United States
When: 10 Nov 2012
Credit: WENN

Betohem se prej sot e tutje, burrë kam me u ba me rrnu si burrë, e me dekë si burrë

Në nëntor të vitit 2016, aktorja Albana Agaj udhëtoi për në Shqipëri, ku intervistoi Dranden, një “burrneshë”. Më 1 maj në “Schlachthaus Bern” jepet premiera e “Swor Virgin – Burrnesha”.

“Betohem se prej sot e tutje, burrë kam me u ba me rrnu si burrë, e me dekë si burrë“. Ky është betimi i një ish gruaje e cila diku në malësitë e veriiut të Shqipërisë vendos, sipas një tradite të lashtë, të “bëhet” burrë. Një betim me tension kaq dramatik nuk lë gjakftohtë askë. Aq më pak një artiste, grua si Albana Agaj.

Në nëntor të vitit 2016, aktorja Albana Agaj udhëtoi për në Shqipëri, ku intervistoi Dranden, një “burrneshë”. Nga kjo intervistë dhe pas hulumtimeve intensive të bëra për këtë temë nga Jeton Neziraj, u krijua baza për dramën ”Sworn Virgin – Burrnesha”, tregon Agaj historinë e lidhjes së saj me “Burrneshat”.

Albana me një burrneshë të vërtetë, Dranden, në vitin 2016 në Shqipëri
Ndërsa lidhur me motivin që e ka shtyrë të realizojë shfaqjen më të re, atë për “burrneshat” Albana Agaj thotë për albinfo.ch se “ky projekt realizohet pasi Burrneshat si fenomen gjithmonë më kanë fascinuar. Por shfaqja nuk ka asgjë të bëjë me filmin…”, ka sqaruar ajo duke iu referuar filmit të njohur “Sworn Virgin” të regjisores italiane Laura Bispuri. “Madje as që e kam parë fare atë film sepse nuk dua të ndikohem shumë, duke qenë se unë, në këtë dramë që ka autor Jeton Nezirajn, e luaj pikërisht rolin e Burrneshës”, thotë ajo.

Përse “Burrneshat”?

Me shfaqjen e radhës, Albana me ekipin e saj i “Forever Productions” i rreket një fenomeni i cili në shikim të parë duket sikur qëndron shumë larg nga kultura evropiane perëndimore, shkruan albinfo.ch. “Por në shikim të dytë ne mund të mësojmë nga ky. Sepse Burrneshat nuk janë fenomen ekskluzivisht shqiptar. Të tilla ka edhe në perëndim por ekzistimi i tyre kushtëzohet nga tjera shkaqe kulturore dhe ato jetojnë një identitet të brendshëm e të jashtëm i cili duket se nuk ngjan më me atë të Burrneshave”, thotë veç tjerash Albana Agaj në prezantimin e shfaqjes së pritshme.
Ndërsa subjekti i shfaqjes me pak fjalë është ky: Zonja Durham, një angleze blogiste me gjendje te mirë, ndodhet në një udhëtim eksplorues në Shqipëri, ku përpiqet të hulumtojë rolet e gjinive në sfondin e kushtëzimeve me bazë kulturore. Në këtë e sipër ajo takon një Burrneshë të re e cila jeton në një fshat malor të Shqipërisë dhe në komunitetin e atjeshëm ushtron funksionin e një burri. Ndërkohë paraqitet Julian Eodd, një burrë transvestit dhe regjiosor ambicioz teatri. Ai është në kërkim të aktorëve të përshtatshëm të performancës së tij me të cilën dëshiron të bëjë revolucion në skenat teatrore të Londrës. Ai është fascinuar nga ajo që ka parë në tekstet e zonjës Durham dhe dëshiron që të angazhojë patjetër nje burrneshë në shfaqjen e tij. Dhe, ai e arrin këtë por, në saje të kërkesave të tij jorealiste, shfaqja përfundon me një fiasko…

Kush është Albana Agaj

Pas dramës “Kosovo for Dummies”, është kjo pjesa e dytë e përbashkët e autorit kosovar me produksionin “Forever Productions”, që udhëhiqet nga Albana Agaj. Agaj është aktore e diplomuar e teatrit, e cila prej disa vitesh krijon artin e saj në teatro të ndryshme në Zvicër në Gjermani, Austri e gjetiu. Ka afër dy vjet që drejton edhe një trupë teatrore që mban emrin “forever productions” (foreverproductions.ch).

E lindur në vitin 1982 në Prishtinë dhe e ardhur në Zvicër me familjen në moshën 11 vjeçare, Albana në vitin 2007 ka mbaruar studimet për aktrim në Shkollën e Lartë të arteve në Bernë. Nga viti 2008 deri në vitin 2012 ajo është angazhuar si aktore në teatrin “Theater an der Ruhr” (Mühlheim, Gjermani).

Para dhe pas kësaj ka luajtur me sukses një numër shfaqjesh në disa projekte teatrore në Vjenë, Bernë, Mynih, etj. Në vitin 2006 ajo ka marrë çmimin e parë “Max-Reinhardt dhe çmimin e publikut në takimet e studentëve gjermanishtfolës të aktrimit. Ndërsa në periudhën si aktore në “Theater an der Ruhr”, ajo ka pasur angazhim të rregullt dhe në role të rëndësishme në shumë shfaqje të inskenuara në këtë teatër.

Në vitin 2013 Albana ka themeluar trupën teatrore “Forever Productions”, me të cilën ka realizuar edhe shfqaje që lidhen me Kosovën dhe me shqiptarët. Motivin që e ka shtyrë për të realizuar projekte të tilla ajo e shpjegon kështu: “Si kosovare dhe zvicerane, unë përmes profesionit tim si aktore kam pasur shansin e madh të punoj me dallimet kulturore. Që kësaj nevoje t`i jap më shumë zë, në vitin 2013 kam krijuar trupën teatrore “forever productions”. Kjo trupë e konsideron veten si një sizmograf të fenomeneve dhe konflikteve kulturore. Detyrën tone e shohim në nxitjen, promovimin e një dialogu ndërkulturor”.

Premiera, më 1 maj në “Schlachthaus Theater” Bern

Premiera do të jepet në “Schlachthaus Theater” Bern, më 1 maj 2018, me fillim në orën 19.00. disa shfaqje tjera në po këtë teatër jepen edhe më 3,4,5 maj, secilën herë në orën 20.30 ndërsa e fundit do të jetë shfaqja më 8 maj, me fillim në orën 19.00. Infos & Tickets: www.schlachthaus.ch.

Në teatrot tjerë, që janë pjesë e koproduksionit, shfaqjet do të jepen: Në teatrin “Kleintheater, Luzern më 14, 16 dhe 17 nëntor 2018. Në “Kellertheater” Winterthur më 23, 24, 25, 28 dhe 30 nëntor 2018, nga ora 20.00. ndërsa në “Theater Winkelwiese” të Cyrihut shfaqja “Burrneshat” do të jepet vitine ardhshëm, gjegjësisht më 7, 9, 14, 15 dhe 16 mars 2019, me fillim nga ora 20.00.

Ekipazhi

Ideja dhe koncepti: “Forever Productions”; teksti: Jeton Neziraj; -Regjia: Johannes Mager. Aktorët: Albana Agaj, Gunther Kaindl, Johanna Dähler etj. Shfaqja do të jetë një koproduksion në mes të teatrove: “Schlachthaus Theater” Bern, “Theater Winkelwiese”, Zürich, “Kleintheater”, Luzern dhe “Kellertheater”, Winterthur./albinfo.ch

“Ëndrrat e Hamletit” po vjen me premierë në Dodona

Kjo shfaqje është e bazuar në veprën e Shekspirit “Hamleti, Princi i Danimarkës”, me tekst të Nina Mazur dhe regji e interpretim të Mentor Zymberaj, shkruan KultPlus.

Premiera e kësaj shfaqje është më 31 mars në Teatrin “Dodona”, kurse skenografinë dhe kostumet i ka bërë Zeni Ballazhi, me muzikë të Andin Randobrava, dizajni i dritave, Skënder Latifi, udhëheqës teknik- Albert Gashi, me koordinatorë Kaltrinë Zeneli dhe Mirak Zymberaj.

Zërat: Selman Lokaj, Igballe Qena, Veton Osmani, Dora Xhemajli, Edlir Gashi, Ermal Sadiku, Andin Randobrava, Valmir Krasniqi e Mikel Markaj.

“Ëndrrat e Hamletit” është realizim i Shtëpisë Teatrore Filmike AKT & ITI-Qendra në Kosovë, në bashkëpunim të teatrit Dodona dhe Komunës së Prishtinës./KultPlus.com

Thëniet e mrekullueshme të Orhan Pamuk

Rrallëherë më ka ndodhur të kem një libër në dorë e të nënvijëzoj me laps thënie të bukura që kalonin ndonjëherë edhe paragrafë të tërë. Çdo libër i Orhan Pamuk, që nga kryevepra “Muzeu i pafajësisë” që e bëri fitues të çmimit “Nobel” në letërsi, e deri tek vepra të tjera të tij, si “Bora”, “Unë jam e kuqja” etj, më kanë lënë mbresa të veçanta jo vetëm për subjektin që trajtojnë, por edhe për filozofinë dhe thëniet e paharrueshme të këtij autori të madh. Më poshtë mund të lexoni disa nga thëniet më të bukura të tij.

“Dikur lexova një libër dhe e gjithë jeta ime ndryshoi”.

“Lumturia është të mbash dikë në krahë dhe të mendosh se je duke mbajtur botën”.

“Unë s’dua të jem një pemë. Unë dua të jem kuptimi i saj”.

“Çdo person inteligjent e di se jeta është diçka e bukur dhe qëllimi i saj është të jesh i lumtur”.

“Njerëzit thonë gënjeshtra, vetëm atëherë kur ka diçka që tremben se mund ta humbasin”.

“Kur humbasim njerëzit që duam, nuk duhet t’i shqetësojmë shpirtrat e tyre, të gjallë apo të vdekur. Përkundrazi, duhet të gjejmë ngushëllim në një objekt që na kujton diçka për ta”.

“- Cila është gjëja që pëlqen më shumë tek unë? Çfarë duhet të bëj unë për të më dashur?
– Ji vetvetja, – tha Ipeku”.

“Lumturi do të thotë të jesh pranë personit që dashuron”.

“Jeta nuk ka lidhje me parimet, por me lumturinë”.

“Përpiqu që në fund të jetës, t’i lësh të gjithëve të kuptojnë se jetove një jetë të lumtur”. / Bota.al

Koha si frymëzim poetik

(Demë Topalli: “Sytë që dinë me pa”, botoi “Faik Konica”, Prishtinë, 2016)

Fjolla Gashi

Poezia e Demë Topallit, shfaqet si një botë e përvojës njerëzore, ku brenda saj shpaloset fati i njeriut në situata të kohës, harrimit e kuptimit. Topalli zgjedh të krijojë një raport të afërt me poezinë duke shfaqur një marrëdhënie poetike. Prandaj, mund të themi se poezia e tij buron nga gjendja shpirtërore, që del si emocion, mendim, e rritet me fjalë e figura të zgjedhura.

“Sytë që dinë me pa”, është vëllimi ku gërshetohen shumë funksione, mbizotëron ai emotiv, por nuk përjashtohet as funksioni referencial e poetik, ku poeti i drejtohet fillimisht vetes, pastaj lexuesit.
Topalli, nuk stagnon në të tashmen, ai bën shëtitje nëpër kohë duke u kthyer madje edhe tek filozofët e periudhës së para erës sonë, për t’u kthyer në dëshirat e tij të flakta për ikje dhe harresë, dëshira këto të shprehura me shumë emocion, për ikjen që dot s’u bë.

“Sytë që dinë me pa”, qysh në këtë emërtim vihet në pah dialekti i përdorur, i cili anon nga gegërishtja, e cila është e shpërfaqur në shumë tituj dhe vargje të këtij vëllimi dhe po ashtu poeti na njofton me formën e paskajores, e cila do haset edhe në vazhdim të këtij vëllimi, që del të jetë një formë e dashur për poetin. Poeti , me këtë lloj krijimi, arrin të krijojë një simbiozë mes dy dialekteve.

Titulli i veprës shkon më tepër kah figura e metonimisë, në variantin tjetër më të standardizuar, do tingëllonte kështu : Sytë që dinë të shohin, por që në variantin e dhënëështë fjali më auditive për dëgjuesin, dhe më e fuqishme, ndonëse nuk i qaset krejtësisht gjuhës standarde. Ndryshe, titulli i vëllimit poetik, nuk gjen prehje tek ndonjë poezi, me po të njejtin titull, por është një titull i përgjithshëm për përmbajtjen që e disponojnë poezitë. “Sytë që dinë me pa”, i adresohet individit apo kolektivit që kanë një semiosis të mprehtë , njëaftësi dalluese dhe përceptuese.
Pas paratekstit , poeti shfaq pjesën tjetër, brumin e asaj që reprezentohet me këtë titull, në të cilin ka ekspresivitet fjalësh, që burojnë nga situata të ndryshme, të cilat i thur në ndarjet e këtij vëllimi, me titujt: “Shtëpia e bërë prej harrese”, “Tundimi i parë”, “Fjalët”, “Heshti”, “Për një lule të paemër” dhe me pjesën e fundit të titulluar“Ndoshta”, i shprehur me këtë pjesëz dyshuese e cila e përforcon skepticizmin e autorit, që tërë kohën është në tentativë të dalë në sipërfaqe.
Tendenca e tij e përhershme për t’i fuqizuar dëshirat, vërehet qysh kur ai në fillim e identifikon dëshirën e parëpër kontaktin me dritën, në kuptim konotativ, drita e aluduar në jetë më të mirë. Në rastin e poezisë “Rënia e parë”:

“Po ti e di, o Zot
Se shumë, shumë kisha dashtë
Nga këto humbësira fillesash
Në dritë përgjithmonë me dalë”.

Këtë traditën e dëshirave, të shprehura me ndajfoljen e sasisë “shumë”, poeti e përdorë gati në të gjitha poezitë e tij, herë-herë duke i dhënë kuptime të ndryshme, herë e kërkon dritën, herë faljen, herë largimin, e më së shumti është në kërkim tëlirimit të shpirtit e trupit.
Për shembull, në vargjet e poezisë tjetër, me titull, “Kafaz”, thotë kështu:

“Shumë të falem, o Zot i mirë
Po muzg i vonë të më zërë këtu
Njëmend s’kisha me dëshirue.

Ku autori kalon direkt tek kodi religjioz, që e hasim shumë shpesh, të shprehur me Zotin dhe epitete të ndryshme për të,Zot i mirë, Zot i urtë, madje te poezia “Koha”, e dedikuar për Shën Agustinin, poeti mbron idenë e ekzistimit të Zotit.

Mbaresa ue, pastaj edhe parafjala me, janë të pranishme në poezinë e poetit, me shkue, me ra, me shpëtue, me u lirue, me dëshirue etj, janë disa prej foljeve që i ikin gjuhës standarde, por që kur i qëndrojnë besnike gëgërishtes së përzier, dalin akoma më të fuqishme si vargje.
Pastaj, për të vazhduar me poezinë tjetër, ku si titull e ka vendosur “Shumë kisha dashtë”, dhe në kuadër tëkësaj poezie shtrohen dëshirat personale tëpoetit, herë për të dalë në dritë dhe herë për ta parë botën si një hënë të plotë.

Poeti nuk thotë “dua” por “kisha dashtë” dhe referenca e tij është kundrejt të ardhmes, botës së plotë dhe atij kopshti lumturie, që shpesh e kërkon, që po ashtu i jep formën e vet, kopsht lumnie.
Pastaj, ka edhe vargje nga poezi tjera që e kanë të shprehur dëshirën, mallin, të gjitha në vetën e parë dhe të shoqëruara prapë me ndajfoljen shumë. Nëvazhdim janë disa prej vargjeve nga i tërë vëllimi që tingëllojnë njejtë dhe që mund të konsiderohen si karakteristikë e stilit të autorit, ku përsëritja është mjaft e pranishme.

Kam mall, shumë mall kam, oh sa mall kam.
Të falem shumë të falem, Mnemozina
Ndoshta gjatë, përnjëmend shumë gjatë
Ndoshta vonë, shumë vonë
Ndoshta krejt, krejt çka ti ke bërë
Të lutem , shumë të lutem O Zot
Shumë kisha dashtë me t’pa edhe njëherë
Shumë, shumë kisha dashtë
Me ikë, e në një hapësirë tjetër
Përgjithmonë me shkue etj.

Poeti, ka edhe një filozofi brenda vargjeve të tij, ku shpesh ai motivi meditativ shpërthen nga pakënaqësitë e jetës dhe kontrasti i së kaluarës me të tashmen. E në poezinë me po këtë motiv, “Po fjala nuk çilej, vdiste”, karakterizohet dufi i poetit për Platonin, për përjashtimin e poetëve në shtetin e tij ideal, për të cilin pohon:

Një grusht zjarr Herakliti
Këtë botë të vogël le ta shërojë
Se formulë e Platonit çdo gjë rrënoi.

Për të kaluar pastaj tek teknika “një poezi në dy pjesë”, e cila zhvillohet me poezinë, “Një takim ish-gjimnazistësh”, të cilën e gjejmë në dy pjesët e vëllimit, “Tundimi i parë” dhe “Për një lule të paemër”, ku në pjesën e parë duket se i drejtohet tempullit të dijes (shkollës) dhe në pjesën e dytë i drejtohet vdekjes, ku sipas autorit, të gjithë presin para një dere.
l
kam ardhur sot këtu, ku këta sy
për herë të parë kanë mësuar me pa
me pa e nga gëzimi e malli me qa.
ll
Ka me hy e ka me dalë,
e ndoshta ma kurrë këtu s’ka me u kthy,
se, midis të gjallëve e të vdekurve ,
i trishtë dhe i hollë qenka ky kufi.

Kjo poezi përcillet me rimën zingjirore dhe atë të ndërprerë, siç e aplikon edhe në poezitë e tjera, por duke shtuar edhe skema të tjera të rimimit.
Filozofia e tij vazhdon edhe në poezi të tjera, për shembull tek poezia, “Shumë të falem, Mnemozina”, me falënderimin e tij kundrejt perëndeshës Mnemosina, për muzën që poeti e posedon.
“të falem, shumë të falem, Mnemozina, që sonte munda me pa fort mirë, se mbi të gjitha mrekullitë mbi dhe qenka: me dashtë e me qenë i lirë”.

Në radhën e karakteristikave stilistike të poetit, është edhe përdorimi i vargjeve, renditja e tyre, ndodh që poezia e tij të fillojëme një varg, pastaj të vazhdojë më një ose dy tercina, për tëpërfunduar me një distik, ose strofat tëjenë të gjtha tercina dhe në disa raste gjen përdorim edhe soneti.
Me të drejtë, shkrimtari Kujtim Rrahmani, në rolin e kritikut, për veprën “Sytë që dinë me pa”, e quan atë njeriu gojëzanë, i cili në disa prej poezive të tij, ka përdorur këtë fjalë të përbërë, që del si metaforë, e cila mund të zëvendësohet me kuptimin “ krijues”, e poeti e shpreh në këto forma: mjeshtri gojëzanë, Zot gojëzanë dhe çasti gojëzanë në poezinë “Heshti”, që ndonëse titull i shkruar si folje e diatezës veprore, ka kuptimin e heshtjes. Heshti – heshtje, që është zëvendësimi më i përafërt.
Kështu, mund të themi se poeti e njohu frymëzimin dhe gjuhën poetike aq mirë, sa edhe gjetjet e tij dëshmojnë se ai ka komunikuar me të gjitha kohët, prandaj edhe poezia e tij flet si një botë e figuruar që ruan vlera të veçanta për lexuesin e kohëve të ndryshme, sepse Topalli poezinë e thur me një të folur të lehtë, prej njeriu gojëzanë.

Poezia e poetit edhe pse ngjan në një ikje në tentativë, ajo përfundon me një dëshirë të flaktë për jetë, për një mijë palë sy e një jetë të re: Me ardh e me hy sërish në ty dhe me pa zjarrin e parë.
(Autorja është studente e nivelit Master në Fakultetin e Filologjisë, në Degën e Letërsisë shqipe. Punimi është paraqitur në lëndën “Letërsi aktuale shqipe” dhe botohet për herë të parë)./KultPlus.com

Shqipja, gjuha e pestë në Zvicër, pjesë e projektit artistik Zvicër-Kosovë

Grupi i poetëve dhe instrumentistëve zviceranë nga Berna «Bern ist überall» është “shndërruar” përkohësisht në «Kosovë is everywhere», pasi që në kuadër të një projekti i janë bashkuar edhe poetë instrumentistë nga Kosova. Pika fillestare e bashkëpunimit ka qenë shpërblimi për kulturë i Bashkisë së qytetit të Bernës 2015. Një pjesë të shpërblimit, grupi i autorëve i përbërë edhe nga Pedro Lenz dhe Guy Krneta, i ka investuar në këtë projekt. Me dekada të tëra, marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Zvicrës janë përafruar, në ndërkohë që në Zvicër jetojnë një çerek milioni banorë me prejardhje nga Kosova. Gjuha shqipe llogaritet pothuajse si gjuha e pestë zyrtare në Zvicër, shkruan “Der Bund”, përcjellë Albinfo.ch.

Në kryeqendërn kosovare, në Prishtinë ishte huazuar një banesë dhe në pranverë të vitit të kaluar kanë filluar takimet dhe provat e para. Partner produksioni në Kosovë ka qenë Qendra-Multimedia, e cila menaxhohet nga dramaturgu, Jeton Neziraj. Në rolin e trajnerit të kombëtares, Jetoni ka bërë përzgjedhjen e artistëve, në mesin e të cilëve emra prominentë të radios dhe teatrit. Vjeshtën e kaluar, ata shfaqën disa paraqitje të përbashkëta në qytetet të ndryshëm të Kosovës.

Tani, projekti është nëpër turne zvicerane në forma dhe përbërje të ndryshme; në muajin maj do të dalë në dritë një audio CD. «Paraqitjet tona në Kosovë kanë funksionuar shumë mirë», ka pohuar dramaturgu zviceran Gerhard Meister, “gjithkund kishim një auditorium të vëmendshëm”. Kontributet e dialekteve ishin secila me titull në shqip, me shfaqjet në Zvicër do të jetë anasjelltas. “Por, në skenë janë gjithsej katër gjuhë,” thotë Meister. «Përveç dialektit do të interpretohen edhe në shqip, anglisht dhe frëngjisht”.

Gjatë paraqitjeve formohet një duet prej një muzicienti shqiptar dhe një zvicerani. “Kjo formë sjellë momente magjepse”, nënvizon Meister, duke theksuar se në këto eksperimente nuk ka pasur vështirësi. Humori i përbashkët ka mundësuar që të tejkalohen barrierat e projektit.

Teatri Schlachthaus, e mërkurë, 04 prill, ora20.30 Uhr. www.aprillen.ch

Forcë e venitur

Poezi nga Bujar Meholli

Dikur ecje gjithë krenari, gjë s’të mungonte,
notoje në famë dhe pushtet,
s’e çaje kokën për njerëzit
që donin të të afroheshin.

I injoroje dhe bëheshe sikur asfare s’i dëgjoje…
Mbrëmjeve dilje për ta ngrënë darkën në restaurantet luksoze,
qejfi të bëhej kur kamarierët shihnin nga ti me drojë, e për ty
ishin në shërbim, njëzet e katër orë…

Nervat t’i ngrinin leckamanët kur në xhamat e sates zyrë,
kacavirreshin dhe prej teje ndihmë e çare kërkonin.
Bah!

Pikërisht atëherë ti rrufisje kafenë e mëngjesit,
dhe ta njomnin shpirtin tingujt e Shubertit.

Veçse, shëndeti i mallkuar lozi keqas me ty,
ta ligështoi trupin dhe t’i pështjelloi mendimet,
e tash s’je në gjendje të bësh më asgjë,
anipse një grup vashash derën ta kanë zënë.

Atyre s’iu bën fare për ty, të bëjnë lloj-lloj lajkash,
dhe kartën bankare ta kërkojnë,
por ti s’mund t’iu bësh gjë,
veç t’i aprovosh kërkesat e tyre,
pastaj t’i shash nëpër dhëmbë këto dhembje e sëmbime, që
shpirtin ngadalë po ta pakësojnë dhe drejt mbarimit
po ta çojnë!

Si e ndien veten, tani?
Kur e sheh se fjala s’po të shkon,
pushteti krejtësisht të ka lënë,
dhe tani je veç një shpend në kafaz, i zënë!

Prishtinë, mars 2018

Ibrahim Rugova në një fotografi të vjetër me artistët shqiptarë (FOTO)

Një fotografi e vjetër për të cilën kërkohen më shumë informacione, duket se i sjellë disa emra të njohur për shqiptarët.

Afër Ibrahim Rugovës – Presidentit Historik të Kosovës, janë artistët Adelina Ismaili, BB Poqi, Violeta Rexhepagiqi, Dukagjin Lipa dhe artistë të tjerë.

Fotografia është marrë nga Benet Kaçi, moderator i njohur dikur në Radio Televizionin e Kosovës, i cili edhe vetë është pjesë e fotografisë.

Në fotografi është edhe nëna e Adelina Ismailit, Genc Salihu e Sabri Fejzullahu, ndërsa ka shanse që fotografia daton që nga viti 1997. / KultPlus.com

Kroacia kërkon nga Serbia t`ia kthejë materialet arkivore

Duke u bazuar në Marrëveshjen për Vazhdimësi në Republikën Socialiste Federative të Jugosllavisë, Kroacia po i kërkon materialet arkivore nga Serbia, të cilat i takojnë asaj.

Sipas burimeve në Ministrinë Kroate të Punëve të Jashtme dhe Kulturës, “këto materiale ishin marrë herë pas herë dhe pa bazë nga institucionet në Beograd” dhe Serbia është e detyruar ti kthejë ato në Kroaci, aty ku edhe duhet të jenë.

“Ky veprim i represionit politik u krye në mënyrë jashtëzakonisht jo profesionale, duke kompromentuar integritetin e fondeve arkivore të Kroacisë. Dhe në bazë të marrëveshjes kërkohet kthimi i njësive arkivore të cilat ishin formuar përmes punës së institucioneve të përbashkëta federale ( gjatë kohë së Jugosllavisë) dhe që i takojnë Kroacisë”, shkruan Total Croatia News.

Kroacia po kërkon që t’i ketë të gjitha materialet të cilat lidhen me territorin e saj duke mos marrë parasysh kohën se kur janë krijuar ato. Këto dokumente pasi që të kthehen është bërë e ditur se do të bëhen të qasshme për të gjithë publikun. Zyrtarë të Kroacisë thonë se Serbia duhet që të zbatojë marrëveshjen si shtet kandidat për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian, shkruan KultPlus.

Në anën tjetër gazeta e përditshme serbe Večernje Novosti ka raportuar se përmes këtij veprimi Kroacia dëshiron që ti shfrytëzojë këto materiale që ta shtrembërojë të vërtetën.

Kjo marrëveshje ishte ratifikuar në vitin 2004 nga Parlamenti i Kroacisë dhe ishte nënshkruar edhe nga Serbia. / KultPlus.com

Shkarkohet prorektorja Teuta Pustina-Krasniqi

Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se ka marrë vendim që ta shkarkojë nga posti i prorektores Teuta Pustina-Krasniqin.

Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës thotë se në mbledhjen e jashtëzakonshme të mbajtur më 29. 03. 2018 diskutoi mbi situatën e krijuar pas deklaratave të prorektores për marrëdhënie me jashtë prof. ass. dr. Teuta Pustina-Krasniqi lidhur me çështjen e ngacmimeve seksuale në Universitetin e Prishtinës.

Këshilli Drejtues distancohet nga deklaratat individuale të prorektores Pustina-Krasniqi, të cilat edhe pse sipas saj të paqëllimshme kanë zgjuar reagimin e segmenteve të shoqërisë civile dhe kërkesave për përgjegjësi nga Parlamenti Studentor i UP-së.

Këshilli Drejtues i UP-së thotë se mbetet i përkushtuar thellë në luftimin e të gjitha dukurive negative në UP duke zbatuar ligjin dhe respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut.

“Në një situatë të tillë, Këshilli Drejtues i UP-së në suaza të përgjegjësive të veta statutare, respektivisht nenit 15 të Rregullores së punës së Këshillit Drejtues të UP-së, me votim të fshehtë vendosi për shkarkimin nga detyra të prorektores prof. ass. dr. Teuta Pustina-Krasniqi. Këshilli Drejtues shpreh vlerësimin e vet për punën e deritanishme të prof. Pustina-Krasniqi”, thuhet në komunikatë. / KultPlus.com

Drejtues të orkestrave nga Kosova, Bullgaria e Kanadaja diskutuan para fillimit të Festivalit DAM

Gili Hoxhaj

Festivali DAM dhe EUICC – Qendra Informative dhe Kulturore e Bashkimit Evropian në Prishtinë, sot kanë organizuar diskutim me temën ‘Menaxhimi i orkestrës: A kemi nevojë për orkestra të financuara nga shteti?’

Para fillimit të diskutimit, Dardan Noka Selimaj – themelues dhe drejtor artistik i DAM Festivalit tregoi se ky edicion i DAM Festivalit do të sjellë një program të larmishëm dhe voluminoz i cili ka kërkuar shumë angazhim për ta kuruar në formatin që do të vijë këtë vit. Ai tha se ky festival do të mbledhë një numër të madh muzikantësh, gjë që nuk është arritur më parë.

“Në këtë edicion do të kemi diku mbi 300 muzikantë që do të parakalojnë në koncertet dhe ngjarjet e festivalit , kjo është një shifër që nuk e kemi arritur më parë dhe për këtë jemi shumë të gëzuar. Në mesin e tyre ka muzikantë që kanë karrierë të suksesshme”, u shpreh Selimaj, mbi DAM Festivalin që nisë sonte.

Në panelin e këtij diskutimi të ftuar ishin Momchill Georgiev – Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës së Punonjësve të Kulturës në Sofje, pastaj Paul McEwen – Drejtor i “Orkestrës Simfonike të Bregut Perëndimor” Vancouver, Kanada si dhe Baki Jashari – Drejtori i Filharmonisë së Kosovës.

Për të treguar për funksionimin e orkestrave në Bullgari, para të pranishmëve foli Momchill Georgiev – Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës së Punonjësve të Kulturës në Sofje. Ai fillimisht tregoi një historik të shkurtër për orkestrat në Bullgari që nga periudha e mbarimit të pushtimit nga forcat otomane në vitin 1878, atëherë kur edhe filloi edukimi profesional lidhur me zhvillimin e orkestrës. Pas Luftës së Dytë Botërore në Bullgari ekzistonin 7 shtëpi të operës , 2 teatro të muzikës dhe 18 orkestra të ndryshme.

“Pas vitit 2010 ka qenë një reduktim i madh i muzikantëve dhe stafit teknik, për shkak se mungesa e parave ka qenë shumë e pranishme në atë kohë”, u shpreh Georgiev.

Ai prezantoi edhe një hartë që tregonte vendet e Bullgarisë të cilat kishin orkestër,

Ai po ashtu tregoi për problemet kryesore me të cilat përballen orkestrat atje, e që janë mungesa e të hollave, rrogat e vogla të cilat lëvizin nga 300 euro deri në 800 euro, muzikantët lëvizin në vende të tjera për të kërkuar rroga më të mira, mungesa e interesimit për disa instrumente si korno, tromboni etj.

Lidhur me gjendjen e “Orkestrës Simfonike të Bregut Perëndimor” Vancouver, në Kanada, para të pranishmëve foli edhe drejtori i kësaj orkestre, Paul McEwen. Ai tregoi se kjo orkestër u krijuar në vitin 1992 ndërsa shtoi se është një praktikë tjetër nga atje. Ky është tashmë viti i dytë që ai është në krye të kësaj orkestre, ku më parë ka pasur rolin e arkatarit. Ai tregoi se pjesa më e madhe e të ardhurave vijnë nga publiku, e një pjesë tjetër nga qeveria ndërsa shtoi se edhe anëtarët e Orkestrës paguajnë për anëtarësim.

“Ne si “Orkestrës Simfonike e Bregut Perëndimor” kërkojmë donacione nga publiku, nga 40 deri në 60 për qind e të ardhurave vijnë nga publiku i cili dhuron aq sa dëshiron kurse agjencitë qeveritare që vendosin ta përkrahin orkestrën tonë, para se t’i japin paratë duan ta dinë se a je i rëndësishëm në komunitetin tënd, se a kontribuon ti në komunitetin tënd, ti duhet t’ua dëshmosh këtë me pjesëmarrjen e të pranishmëve”, u shpreh McMwen.
Krejt në fund foli Drejtori i Filharmonisë së Kosovës – Baki Jashari, i cili tregoi disa nga problemet me të cilat përballet Filharmonia e Kosovës. Ai fillimisht tregoi për rrugëtimin e Filharmonisë së Kosovës dhe për mbylljen e dhunshme në kohën e regjimit serb.

Jashari, mes tjerash tha se në Kosovë mungon vullneti politik për t’u zhvilluar edhe orkestra të reja për të cilat Kosova ka nevojë.

“Pas viteve të luftës në Kosovë, duhet ta pranojmë faktin se ka pasur vazhdimisht rritje edhe nga aspekti financiar nga MKRS dhe ne e kemi vetëm këtë orkestër profesionale dhe s’kemi as si të mburremi në krahasim me shtetet e tjera dhe sa i përket aspektit financiar tani në këtë moment që ne po flasim në Ministri të Kulturës është në finalizim një rregullore e re për përditësimin e këtyre pagave të ulëta që janë edhe tek ne 300 e që shkojnë deri në 400, jo deri në 800”, u shpreh Jashari.

Gjithnjë e më shumë sallat e mbushura në koncertet e Filharmonisë dëshmojnë interesimin e publikut. Kjo vetëm se hapë edhe një horizont të ri për hapjen e temave të reja pasi që në Kosovë duhet të ndërtohen edhe institucione të reja, të ndërtohet opera siç i ka çdo shtet i rajonit.

Sonte do të mbahet koncerti i parë i DAM Festivalit.
Hapjen e këtij koncerti do ta bëjë “West Coast Symphony” nga Kanadaja ndërsa do të interpretojë Julia Nolan në saksofon. Dirigjenti i këtij koncerti është Bujar Llapaj. Koncerti do të fillojë sonte në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare, duke filluar nga ora 20:00. / KultPlus.com

Pse Shqipëria nuk bëhet dot me Kosovën?!

Shkruan: Ben Andoni

Jemi dy vende, me gati përbërje popullsie të njëjtë, me histori deri diku të ngjashme, por gjithmonë e më shumë larg me njëra-tjetrën. Për ta afruar këtë realitet ka takime qeverie, konferenca dhe punë burokratësh, por dy njësitë gjithnjë shtyhen kundrejt vetes. Ka shumë arsye, por në mënyrë të thjeshtë mund të rendisim pak syresh.

Shqipëria me Kosovën e ka shumë të vështirë të bashkëpunojnë, sepse shqiptarët asnjëherë nuk e kanë parë Kosovën si pjesë të natyrshme të Shqipërisë. Në historinë e tyre moderne, Kosova ka qenë nën autoritetin administrativ shqiptar në kohën e fashizmit, porse koha e pakët e bashkëpunimit, diferencat e thella të mënyrave të jetesës, kulturës dhe predispozitës nuk është se lanë aq gjurmë. Përjashtim bëri iniciativa e ish-Ministrit shqiptar të Arsimit Ernest Koliqi që dërgoi në Kosovë shumë arsimtarë nga Shqipëria, një pjesë e të cilëve edhe mbetën në vend. Sa i përket disa dhjetëra komunistëve, që u çuan nga Tirana zyrtare, ata nuk mundën të përcillnin dot më shumë sesa ideologjinë dhe përpjekjen që Kosova t’i dedikohej më shumë antifashizmit dhe ku ta dish, në të ardhmen t’i bashkohej Shqipërisë. Kjo nuk funksionoi ashtu si nuk funksionoi vetë komunizmi alla shqiptar në Kosovë. Ndërkohë përfshirja e njësive kosovare dhe e ministrave të saj në qeveritë kuislinge shqiptare ka qenë e hidhur. Më e hidhur akoma kujtesa që lanë ata.

Nga ana tjetër, veç episodeve, Kosova ka qenë e pareshtur sa i përket kontributit patriotik ndaj Shqipërisë. Jo vetëm individualisht, por një grup i madh luftëtarësh kanë qenë të përfshirë në historinë e vendit tonë, si edhe janë flijuar për Shqipërinë. Shqipëria ka qenë një idil që ka mbajtur ëndrrat e njerëzve në kohë të ndryshme në Kosovë, kurse prosperiteti i saj i imagjinuar kulturor-ekonomik ishte një ëndërr për kosovarët për të ardhmen e tyre në një mundësi hipotetike. Vetëm se kur e kanë prekur këtë realitet shikimi i kosovarëve ka qenë gati patologjik. Lufta më e madhe e brendshme e jo pak individëve mbeti përkthimi i këtij realiteti të zymtë në vendin e tyre. Një pjesë jo e vogël e njerëzve të rezistencës së vërtetë kosovare kundër Titos, Rankoviçit dhe pastaj Millosheviçit janë ushqyer nga Shqipëria, moralisht, ideologjikisht, madje ka evidenca dhe financiarisht. Ky është ende një lëmi ku do të duhet të punojnë në të ardhmen historianët kur të fashitet pak zelli nacionalist.

Por të kthehemi në argumentin bazë: Shqipëria kurrë se ka parë Kosovën si qendër kulturore. Që do të thotë, shumë individëve u ka pëlqyer që i kanë botuar autorët e këtej kufirit, që i nderojnë, porse kurrë nuk e kanë vlerësuar poezinë, prozën, dramën, pikturën dhe skulpturën kosovare në lartësitë që i takon. Sot e kësaj dite, kultura kosovare nuk llogaritet në sistemet e kulturës shqiptare, pothuaj ata si janë art i huaj për ne. Kur neve na duhet të shpallim elementët modernistë të kulturës në disiplina të ndryshme, që në Kosovë kanë qenë organikisht, neve nuk i pranojmë si tonat. Për letërsinë dhe artin kosovar ne flasim njësoj si për vendet e tjera të Ballkanit.

Në ditët tona, Shqipëria i ka vendosur barriera vazhdimisht nga ana ekonomike, kurse kuota e fundit e pagesës në Udhën e Kombit është gati vrastare. Aq e fortë sa e bëri Haradinajn kryeministrin kosovar të apelonte dhe t’ia thoshte hapur zotit Rama se duhet ta mirëmbante më parë rrugën dhe pastaj të kërkonte këtë tarifë.

Sa i përket politikës, Shqipëria asnjëherë nuk ka qenë një faktor, që mund të thuhet se ka fashitur problematika në Kosovë, kurse përfaqësimi ynë diplomatik dhe anasjelltas shpesh ka qenë shumë i dobët. Megjithatë, edhe në pak raste, janë vlerësuar ndërhyrjet e Shqipërisë dhe artikulimi i çështjes së Kosovës para Beogradit. Ndërkohë nga deklaratat e shumë deputetëve në Kosovë, kuptohet gjithnjë e më shumë se politika shqiptare nuk honepset në Kosovë për nivelin e ulët, ashtu si ajo kosovare gati përçmohet në Tiranë.

Problemet shtyhen në arsim dhe kontributet e përbashkëta që megjithëse ekzistojnë marrëveshje, ato duket se nuk funksionojnë, pasi elementi kryesor gjuha standarde është e panegociueshme për Shqiptarët e Shqipërisë ndërsa shpërfillet natyrshëm dhe nuk kultivohet në Kosovë.

Mbi të gjitha, Shqipëria s’ka qenë kurrë e sinqertë me Kosovën. I premtoi me bujë se do “t’i dhuronte” portin e Shëngjinit dhe kjo nuk u bë asnjëherë dhe me sa duket zvarritje do ketë dhe atributet që duan t’i japin Portit të Durrësit. Mbi të gjitha, me morinë e mbledhjeve që bënë dy qeveritë respektive duket se i kanë shtyrë më larg vendet e tyre, shumë më larg sesa ishin në kohët e para kur Kosova filloi edhe zyrtarisht mëvetësinë e saj. E mbi të gjitha fare, mënyra e jetesës së kosovarëve dhe ajo e shqiptarëve është krejt e kundërt dhe për fat të keq nuk po afrohet, sepse janë një grup maskarenjsh që nuk e duan dhe ta inkurajojnë tregun e përbashkët, që pengojnë integrimet dhe kanë përcjellë këtë imazh jo të mirë. Me pak fjalë: Armiku i shqiptarit është vetë shqiptari. / Homo Albanicus. / Gazeta Shqiptare