‘Moti i madh’ i Skënderbeut në letërsinë shqipe

Lexuar nga Flamur Maloku në Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare.

Nuk ka ndonjë periudhë të letërsisë, që evidenton historia e letërsisë shqiptare, që heroi kombëtar – Gjergj Kastrioti (Skënderbeu), të mos ketë qenë protagonist i ngjarjeve historike të kohës së tij. Me këtë figurë kombëtare shkrimtarë shqiptarë, por dhe të huaj, kanë identifikuar, në pjesën më të madhe, kulturën dhe qytetërimin shqiptar. Së këndejmi, një pjesë e madhe e autorëve shqiptarë, prej atyre që janë në programe të shkollave e të fakulteteve, të mos ketë shkruar për Skënderbeun, të paktën, një poezi, një poemë, një tregim, një roman, a një shkrim publicistik a një tjetër artistik për strategjinë dhe të bëmat e tij. Udhëtimi i këtij heroi nacional në letrat shqipe zë fill në veprat historiografike, tek ato të letërsisë së vjetër, kryesisht në të Frangut, të Barletit dhe të Bardhit, duke vazhduar bujshëm në veprat e shkrimtarëve të Rilindjes Kombëtare, të De Radës,të Naimit, të Çajupit etj., të cilët himnizuan “motin e madh” të Skënderbeut. Po kaq sa rilindësit, për heroin kombëtar dhe për çështjen kombëtare në letërsi, shkruan edhe klasikët dhe modernët shqiptarë: Noli, Godoja, Kadareja, të cilët, nëpërmjet depërtimit të madh dhe të shpejtë në letërsinë e huaj, qytetërimin shqiptar e bartën dhe e treguan jashtë kufijve shqiptarë, me vepra poetike, romanore dhe publicistike.

Rreth “Fjalorit të arbëreshëve të Italisë” të Emanuele Giordanos

Idriz Metani

“Fjalori i arbëreshëve të Italisë” i Emanuele Giordanos, edhe pse një vepër konsultimi e pazëvendësueshme për leximin e teksteve letrare e të tjera të shkruara nga arbëreshët në të kaluarën, por edhe në ditët e sotme, ka mbetur pak e përmendur dhe e vlerësuar në studimet tona gjuhësore.

Ka aty-këtu ndonjë artikull të vecantë që bën fjalë për vlerat dhe rolin e tij në ruajtjen dhe njohjen e arbërishtes, por, me sa dime dëri tani, nuk ka një studim të plotë për të si një vepër shkencore përfaqësuese e leksikut arbëresh dhe të zhvillimit të tij historik.

Një gjë të tillë mëton ta bëjë sadopak kumtesa jonë duke bërë object studimi: a) tipin dhe përmbajtjen e fjalorit; b) shtresat leksikore më të përfaqësuara në të; c) trajtimin leksikografik të fjalëve dhe kriteret e ndjekura për hartimin e kësaj vepre; d) vlerat shkencore e praktike të fjalorit./ KultPlus.com

Tre vjet pa ilirologun e madh Aleksandar Stipçeviq

(Autor i këtij shkrimi, Prof. Dr. Naser Ferri, është punonjës i Institutit Albanologjik në Prishtinë, Dega e historisë)

Më 30 gusht 2015 në Zagreb ndërroi jetë arkeologu, historiani, ilirologu, bibliologu dhe mbi te gjitha patrioti dhe njeriu i madh akademiku Aleksandar Stipçeviq. Ai merrej me kulturën ilire (posaçërisht me besime religjioze dhe mitologji), histori, bibliografi, enciklopedistikë dhe sociologji të librit, por ka dhënë kontribut të rëndësishëm në fushën e ilirologjisë dhe të kulturës shqiptare në përgjithësi..

Aleksandar Stipceviq u lind në fshatin Arbanasi te Zarës ne Kroaci më 10 tetor të vitit 1930.

Është njëri nga pasardhësit e arbëreshëve te rrethit te Shkodrës të cilët 300 vjet më parë u shpërngulen në rrethin e Zarës. Ka studiuar arkeologjinë dhe ka drejtuar një varg institucionesh e projektesh që lidhen me bibliotekat, historinë e librit, botimet enciklopedike etj. në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Jugosllavisë (JAZU) e më vonë të Kroacisë (HAZU) në Zagreb.

Në vitin 1954 kishte diplomuar në Fakultetin Filozofik të Zagrebit në Degën e Arkeologjisë, ndërsa në vitin 1977 e kishte mbrojtur tezën e doktoratës me titull „Simbolizmi religjioz tek ilirët“ në Fakultetin Filozofik të Zarës. Një kohë të caktuar kishte punuar në Muzeun Arkeologjik të Zarës, kurse nga viti 1957 ishte shpërngulur në Zagreb dhe kishte filluar punën në Bibliotekën Kombëtare e Universitare të Zagrebit. Në vitin 1974 kishte marr postin e drejtorit në Bibliotekën e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Jugosllavisë (JAZU) në Zagreb, ndërsa prej vitit 1983 kishte kaluar me punë në Entin Leksikografik Jugosllav (JLZ) „Mirosllav Kërllezha „ (Miroslav Krleža), po ashtu në Zagreb.

Që nga viti 1987 e deri në vitin 1997 ishte profesor ordinar në Fakultetin Filozofik, Dega e Bibliotekarisë, të Universitetit të Zagrebit ku mbante kursin e historisë së librit, sociologjisë së librit dhe bibliografisë për ilirët, censurën në biblioteka etj. Për më shumë së 50 vjet emri i tij identifikohej me rezultatet me të reja te studimeve ilire.

Veprimtaria shkencore e Aleksandar Stipçeviqit, zhvillohej në disa drejtime, ndërsa dy prej tyre mbesin kryesore: arkeologjia dhe bibliologjia, kurse gjatë karrierës së vet shkencore kujdes të veçantë i kishte kushtuar studimeve në fushën e ilirologjisë.

Veprimtaria e tij shkencore-hulumtuese është e pasur me vlera edhe e gjerë për nga vëllimi meqë prof. Stipçeviq, kishte publikuar disa qindra punimesh shkencore e profesionale, në gjuhën kroate, italiane, angleze, shqipe dhe një varg monografish shkencore e bibliografike siç ishin,:”Arte degli Illiri“(Arti ilir) Milano 1963. (i përkthyer në gjuhën angleze në vitin 1963), „Gli Illiri“(Ilirët), Milano 1966. (i përkthyer në gjuhën shqipe në vitin 1967), „Bibliographia Illyrica“, Sarajevo 1967, „Iliri – povijest, kultura, život“(Ilirët-historia, kultura, jeta), Zagreb 1974, 1989 dhe 1991. (i përkthyer në gjuhën angleze në vitin 1977. dhe në gjuhën shqipe në vitet 1980, 1990. dhe 2002), „Bibliografija antičke arheologije u Jugoslaviji 1-2“(Bibliografia e arkeologjisë antike në Jugosllavi), Sarajevo 1977, „Kultni simboli kod Ilira“(Simbolet e kultit te ilirët), Sarajevo 1981. (i përkthyer në gjuhën shqipe në vitet 1983., 1990. dhe 2002), „Povijest knjige“(Historia e librit), Zagreb 1985. (i përkthyer në gjuhën shqipe në vitin 1988. i 2000, në gjuhën arabe në vitin 1993 në Kuvajt, në persishte në vitin 1994, dhe i ribotuar në gjuhën arabe në vitin 2013 në Aman), „Cenzura u knjižnicama“(Censura nëper biblioteka), Zagreb 1992., „O savršenom cenzoru“(Mbi censorin e përkryer), Zagreb 1994. (i përkthyer në gjuhën shqipe në vitin 2002), „Interpretime albanologjike“, Shkup 1994., „Kulturno povijesni spomenici u Arbanasima“(Monumentet kulturo historike në Arbanasi), Zadar 1977, „Tradicijska kultura zadarskih Arbanasa“(Kultura tradicionale e arbneshëve të Zarës), Zagreb 2011 (i përkthyer në gjuhën shqipe në vitin 2012).

Veprat e tij u përkthyen në shumë gjuhë botërore, ndërsa disa nga këto së fundi u përkthyen edhe në gjuhën shqipe, atë arabe dhe persishte.

Në vitin 1983 profesori Stipçeviq ishte zgjedhur anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave e Arteve të Kosovës (ASHAK) kurse prej vitit 2001 ishte anëtar i huaj (Socio straniero) i akademisë prestigjioze Accademia Marchigiana di Scienze, Lettere ed Arti në Ankona të Italisë.

Deri në qershor të vitit 2014 profesori Stipçeviç ishte aktiv në jetë e shkencë, ndërkaq në qershor 2014 i kishte pësuar disa sulme të njëpasnjëshme në tru dhe disa muaj pas kësaj gjendja e tij shëndetësore shkonte duke iu përkeqësuar dhe për diç më shumë se një vit ai gjendej i vendosur në institucione përkatëse nën mbikqyrjen e mjekëve.

Për shkaqe të problemeve shëndetësore që nga fundi i vitit 2014 ishte thuajse i palëvizshëm.

Në shenjë respekti dhe falënderimi për punën e tij shkencore, në vitin 2001 ishte dekoruar nga ana e Presidentit të atëhershëm të Shqipërisë z.Rexhep Mejdani me dekoratën e artë “Naim Frashëri” për kontributin në “ndriçimin e historisë së ilirëve”, ndërsa në fillim të vitit 2015, respektivisht më 3 shkurt, profesori Stipçeviq ishte nderuar edhe me dekoratën “Skënderbeu” nga presidenti i Republikës së Shqipërisë. Ceremonia solemne e ndarjes së kësaj dekorate ishte organizuar ne Ambasadën Shqiptare në Zagreb.

Mirënjohjen “Skënderbeu” kryetari i Shqipërisë e jep për shqiptarët më të njohur dhe për miqtë shqiptarë për kontribut të madh në promovimin e kulturës shqiptare dhe në përparimin e shtetit shqiptar në botë.

Për fat të keq, mirënjohja dhe i medalja, “Skënderbeu“ e kryetarit z.Bujar Nishani, nuk i është dorëzuar personalisht profesorit Aleksandar Stipçeviq, për shkak të gjendjes tejet të rëndë të tij shëndetësore por bashkëshortes së tij prof.Angjelka Stipçeviq, në prani të tre djemve: Ennio, profesor i muzikologjisë, Mario, profesor i fizikës dhe Branimir Stipçeviqit, udhëheqës i përpunimit kompjuterik në Bibliotekën Universitare në Zagreb.

Nderimi i jetës dhe i veprës së profesorit Stipçeviq nga ana e Kryetarit Nishani dhe nga ana e Ambasadës së Republikës së Shqipërisë sado i vonuar ishte një satisfaksion moral për familjen Stipçeviq, ndërsa mosbërja të asgjëje nga ana e institucioneve të Republikës së Kosovës për një shkencëtar të kalibrit të tij, i cili kishte kontribuar shumë në lëmin e arkeologjisë, ilirologjisë dhe kulturës shqipëtare është e pakuptueshme, aq më tepër kur dihet se prof.Stipçeviq për dekada të tëra ishte promovues dhe ambasador i kulturës shqiptare jo vetëm në Kroaci dhe rajon, por edhe në tërë botën.

Profesorin Stipçeviq e pata nderin ta njoftoj në vitin 1974, kur isha student në Zagreb, dhe edhe pse nuk e pata profesor kurrë, prej asaj kohe e kisha koleg e mik të shtrenjtë.

Akademiku Aleksandar Stipçeviq ka qenë dhe ka mbetur një personazh i madh si shkencëtar, por mbi te gjitha si njeri i cili i kishte nderuar rrënjët e veta arbëreshe, kishte ruajtur gjuhën amë-arbëreshe, ishte mburrur me origjinën e tij dhe me punën e vete e ka nderuar mbarë kombin shqiptar.Akademiku Aleksandar Stipçeviq ka dhënë kontribut të rëndësishëm ne fushën e ilirologjisë (librat e tij “Arti ilir” dhe “Ilirët” nuk kanë qenë të parët në këtë fushë, por ishin të parët të cilët i kishin promovuar ilirologjinë dhe ilirët jashtë botës shqiptare dhe ballkanike).Gjatë shumë viteve prof.Stipëeviq kishte punuar në sajimin e bibliografisë ilire (Bibliographia Illyrica) në të cilën është përmbledhur çdo gjë që ishte shkruar për ilirët deri në momentin e botimit të këtij libri.Po ashtu është marrë edhe me traditën e të parëve të vet-arbëreshve të Zarës dhe me shumë çështje të tjera me interes për ilirologjinë dhe për kombin shqiptar.

Vdekja e profesorit Stipçeviq është humbje e madhe jo vetëm për shqiptarët por për shkencën në përgjithësi, e posaçërisht për ilirologjinë.Një shkencëtar i kalibrit të Stipçeviqit lind një herë dhe nuk përsëritët. Ajo që është e dhimbshme është se ne, shqiptarët e kemi çmuar pak, ose më mirë të themi nuk e kemi vlerësuar sa duhet.Për të gjitha çka ka bërë Stipçeviqi për kulturën shqiptare ne i kemi mbetur borxh.Ç’është e vërteta profesori për një kohë ka ligjëruar në UP (1970-1973), pastaj në vitin 2002 redaksia e revistës “Dardania Sacra” (prof.Engjell Sedaj, kryeredaktor dhe autori i këtyre rreshtave, Sekretar i redaksisë) e ka ftuar në Prishtinë ku i ka mbajtur dy ligjërata: në Fakultet Filozofik dhe në Institut Albanologjik dhe po ashtu, me rastin e 70 vjetorit të jetës, atij iu ishte kushtuar një numër tematik i revistës “Dardania Sacra”(nr.2/2002).Disa vite më vonë, respektivisht më 2009, ishte ftuar në Prishtinë në Konferencën Ndërkombëtare Shkencore “Iliria dhe Ilirët” të cilën e kishte organizuar Kolegji „Iliria“ me ç’rast ishte nderuar me çmimin e veçantë: “Anëtar Nderi i Bordit të Kolegjit ILIRIA”.Në vitin 2012 Instituti Albanologjik ia kishte përkthyer dhe botuar në gjuhën shqipe librin “Kultura tradicionale e arbneshëve të Zarës“.Këto, së bashku me përkthimin e disa veprave të tjera të tij në gjuhën shqipe (Ilirët, Simbolet e kultit te ilirët, Historia e librit) disa recensione të shkruara për veprat e tij (Ilirët, Simbolet e kultit te ilirët) nga autori i këtyre rreshtave dhe një emision dokumentar mbi jetën e veprën e tij të përgatitur dhe emituar në mars të vitit 2015 nga TV Dukagjini të Pejës, ishin të tëra çka kishin bërë Kosova dhe kosovarët për profesorin Stipçeviq.

Në nëntor të vitit 2014 e pata vizituar Profesorin në shtëpi të pleqve në Zagreb, dhe ia solla nga Doha e Katarit veprën e tij “Historia e librit” që ishte ribotuar në gjuhën arabe në Aman në vitin 2013 e përkthyer nga Prof.Muhamet Mufaku Arnauti.Ky ishte edhe takimi ynë i fundit.

Duhet theksuar arritjet njerëzore të profesorit Stipçeviq: ai ishte lindur dhe jetonte në Kroaci, për një kohë të gjatë i përndjekur nga regjimi komunist, por asnjëherë nuk e kishte harruar gjuhën arbëreshe dhe origjinën e vet shqiptare.Aq sa ka bërë me pendë, profesori Stipçeviq ka bërë duke u ndihmuar profesionalisht dhe në çdo aspekt tjetër shumë shqiptarëve kur ata kishin nevojë, dhe ky është një nga gurët në monumentin që ai ia ngriti vetës për së gjalli.

Akademiku Stipçeviq ishte edhe ambasador dhe promotor i kulturës kombëtare shqiptare meqë i tubonte te gjitha botimet dhe të gjitha të dhënat (audio, video, materiale të shkruara e tjera) lidhur me arkeologjinë, historinë, etnologjinë, folklorin dhe kulturën shqiptare në përgjithësi.dhe çdo shkencëtar që interesohej për çështje të ndryshme të kulturës ilire e shqiptare i referohej profesorit Stipçeviq, i cili pos njohjes së madhe të arkeologjisë dhe të kulturës ilire e shqiptare në përgjithësi, kishte grumbulluar në banesën e tij edhe një fond tejet të pasur të literaturës përkatëse lidhur me kulturën ilire dhe shqiptare në përgjithësi për çka për shumë vite edhe ishte persekutuar nga regjimi monist sllav dhe për një kohë të gjatë nuk i ishte lejuar puna në Universitet. Për këtë arsye edhe të gjithë shkencëtarët e huaj, gazetaret apo kushdo tjetër që interesohej për të kaluarën dhe kulturën shqiptare i referohej profesorit Stipçeviq.

E çka kanë bërë institucionet shtetërore të Kosovës për te?Asgjë !

Pjesa më tragjike e jetës së tij ishin vitet 2014 dhe 2015, kur Profesori është sëmurë dhe ishte detyruar të qëndronte në shtëpi të pleqve (fillimisht në fshatin Odra afër Zagrebit e së fundi në Zagreb), ndërsa për shkak të shpenzimeve të larta rreth qëndrimit në këto institucione dhe të shërimit bashkëshortja e tij ishte detyruar ta shiste bibliotekën e tij të vlefshme (të cilën ai e kishte tubuar tërë jetën) për ti siguruar mjetet e nevojshme për varrimin e të ndjerit.

E asnjë qeveri shtetërore, as ajo e Shqipërisë, as ajo e Kosovës, nuk e bënë as gjënë më të vogël për t’i ndihmuar këtij njeriu dhe miku të madh sa ishte i sëmurë, madje nuk e organizuan asnjë mbledhje komemorative me rastin e vdekjes së tij !!!

Dua Lipa: Tani na lejohet që të jemi cilat të duam

Dua Lipa po lufton për të thyer mitin se këngëtaret janë të paafta për të prodhuar hitet e tyre.

Këngëtarja 23-vjeçare e ndjen veten se është pjesë e një brezi të ri, të fokusuar në thyerjen e barrierave.

“Gjithmonë ka qenë kjo stigmë prapa yjeve të Pop muzikës”, tha ajo në një prononcim për Free Metro. “Kur një zë i mashkullit vjen në skenë, njerëzit menjëherë besojnë se ata i shkruajnë këngët e tyre, drejtojnë videot e tyre. Nëse je një artiste femër dhe nuk je ulur në një piano ose kitarë, ose nuk luan në ndonjë instrument dhe po performon një këngë, njerëzit menjëherë mendojnë se gjithçka është e përgatitur për ju dhe nuk jeni autentike”, tha më tutje këngëtarja.

Lipa thotë më tej se gjërat kanë ndryshuar për mirë dhe se femrat po marrin vendin e merituar në skenën botërore muzikore. “Gratë duhet të luftojnë pak më shumë për të marrë njohjet që i meritojnë. Tani mendoj se ka ardhur koha kur ne ndjehemi të sigurta dhe na lejohet që të jemi cilat të duam”, shtoi ajo./ KultPlus.com

Rikthehet Tony Montana

Vazhdojnë thashethemet për rikthimin e filmit “Njeriu me shenjë”.

Regjisori Antoine Fuqua, është shprehur se po vijon punën me hartimin e skenarit dhe përshtatjen në një histori të ditëve të sotme.

“Skenari është i thjeshtë. Një burrë i varfër që do të ketë gjithçka. Dhe nuk ndalet në asnjë moment, pavarësisht kush i del përpara”, ka thënë regjisori.

Por pyetja kryesore që i mundon të gjithë fansat e këtij filmi, është kush do të jetë zëvendësuesi i aktorit “Al Pacino” nën petkun e Toni Montanës? Prej kohësh është përfolur se roli i është propozuar Denzel Washington. Ky i fundit mësohet se ka thënë “Atë rol e ka vulosur Al Pacino dhe s’diskutohet më”.

Filmi në versionin e ri do të flasë për një gangster që bëhet bos droge dhe shkon në Los Anxhelos. Xhirimet pritet të nisin në fillim të vitit 2019./ KultPlus.com

Artisti shndërron liqenet në tavolina të bilardos

Artisti Otto Vincze nga Hungaria po merret me një projekt të pazakontë.

Ai ka transformuar liqenet në tavolina të bilardos.


Projekti i Ottos është ekspozuar në lagunën e Venedikut dhe në Szentendre, një nga degët e Danubit afër Budapestit.


“Fusha” mbulohet me balona për pishina./ KultPlus.com

Kemi vetëm 18 vera që mund të kalojmë me fëmijët tanë

Aferdita Bano

Pak ditë na ndajnë nga përfundimi i verës dhe mendimeve që na kanë shoqëruar gjatë këtyre muajve të nxehtë.Kush është nënë më kupton,mendimet qe mbizoteronin ishin se si do mbushnim ditët e fëmijëve tanë?Te cila gjyshe do ti linim gjatë orarit të punës?Por vera dhe pushimet janë tepër të rëndësishme sidomos për prindërit e fëmijëve të vegjël. Mu desh një verë e gjatë pa pushime për të menduar. Një shoqe mbrëmë më tha dicka që më ngriu zemrën.

–Nëse e mendon mirë kemi vetëm 18 vera qe mund të kalojmë me fëmijët tanë. Në atë moment më shtrëngoi dicka në kraharor mendova se vajza ime e madhe është 11 vjec dhe na ngelen vec 7 per te qënë të gjithë së bashku.

Edhe 7 vera të tjera për të zhytur këmbët në rërën e nxehtë e për të bërë gara noti.Edhe 7 vera të tjera për të qëndruar shtrirë mbi tapet për të parë të gjithë sëbashku filmin e mesditës , ku do ndajmë të gjithë sëbashku të njëjtën cati, do krijojmë kujtime të cilat shpresoj do ti ruajmë me dashuri.

Edhe 7 vera kanë mbetur për të eksploruar vende të reja,të përjetojmë ndjesi të reja edhe nëse nuk udhëtojmë larg qytetit tonë.7 vera kanë mbetur për tu zhytur në pishina e për të rrëshkitur në akuaparqe,për të parë filma në kinema e për të udhëtuar me anije,avione pa harruar të marrim me vete kremin e diellit dhe atë kundër mushkonjave.

Edhe 7 vera para se te më dërgojë foto nga udhetimet e saj nepër botë larg nesh me miqtë e rinj që jeta do ta përballë. Sigurisht që pavarsia e saj vec do më lumturojë por këto 7 vite e vera që do vijnë do përpiqem ti mbush plot kujtime të lumtura, sepse koha fluturon shpejt…shumë shpejt./KultPlus.com

Zëvendësohen 70 harta ku Kosova figuron pjesë e Serbisë, zviceranët kërkojnë falje

Rreth 70 harta të reja të murit duhet të zëvendësohen për shkak të një gabimi, në shkollat e Gjenevës. Në to, Kosova shfaqet si një krahinë serbe e jo si një shtet i pavarur.
Rreth 70 harta të reja të murit nëpër shkollat ​​e Gjenevës, duhet të zëvendësohen për shkak të një gabimi. Në to, Kosova shfaqet si një krahinë serbe e jo si një shtet i pavarur.

Kantoni i Gjenevës ka anuluar urdhrin për kompaninë “Michelin”. “Ky është një gabim për të ardhur keq”, ka deklaruar Pierre-Antoine Preti, zëdhënës i Drejtorisë Arsimore të Gjenevës të mërkurën. Ai e ka konfirmuar një informatë përkatëse të gazetës “Le Temps”, përcjell Albinfo.ch.

Çdo vit, kantoni i Gjenevës i ndryshon pjesët e hartave të cilat janë të varura nëpër klasa. Kohët e fundit, Drejtoria Arsimore bleu 73 harta nga prodhuesi prestigjioz francez Clermont-Ferrand.

“Michelin” u zgjodh si furnizues sepse është kompania e vetme që ofron harta të plastifikuara. Kantoni i Gjenevës tani do të marrë harta nga prodhuesit e tjerë dhe do t’i plastifikojë me shpenzimet e veta, tha Preti. Kopjet me të meta janë kthyer.

Zvicra ishte një nga shtetet e para që në vitin 2008 e njohu Pavarësinë e Kosovës. Sot, më shumë se 110 shtete nga një total prej 193 shtetesh anëtare të OKB-së, Kosovën e konsiderojnë si një shtet sovran – por jo edhe Serbia, nga e cila u nda. Gjithashtu, 5 nga 28 shtetet Anëtare të BE-së refuzojnë të njohin Kosovën: Spanja, Sllovakia, Rumania, Greqia dhe Qiproja.

Miqtë

TIMO FLLOKO

Kot e ke, më tha ndërgjegja,
Njerëzit s’janë përherë miq.
Ti pandeh se ata të duan,
Por në fakt i ke “armiq”!

I them vetes, pse, s’kanë shkak,
S’kam pushtet, as ofiq…
Nuk urrej askënd në jetë,
S’ndaj të mirë dhe të liq!

S’ka të bëjë, ata s’të duan,
Afërmendsh i ke “miq”!
(Dashuri. ti s’fal. thotë Krishti.
Po s’i deshe dhe armiqtë!)

S’është çudi në këtë jetë.
Midis miqsh ka dhe “armiq”.
Helm i egos i ngërthen…
Dhe i bën, oh sa të liq!

Mos u lig, mos u mpak.
Thotë vetvetja, je një hiç.
I pavlerë në këtë botë,
Po nuk pate dhe “armiq”I

Nesër hapet ‘data: mars – aktivizmi i harruar i grave në Kosovë – mars 1998’

forumZFD programi në Kosovë dhe Programi për Studime dhe Hulumtime Gjinore – UP ju ftojnë të merrni pjesë në hapjen e ekspozitës data: mars.

Ekspozita ‘data: mars – aktivizmi i harruar i grave në Kosovë – mars 1998’ është një përpjekje kuratoriale kolektive me bazë në hulumtim për të kujtuar aktivizmin dhe mobilizimin politik të grave gjatë viteve të nëntëdhjeta në Kosovë. Përmes gjurmimit në arkiva dhe kujtesës personale të grave pjesëmarrëse, me anë të intervenimeve artistike, kjo ekspozitë nënvizon simbolikat e përdorura në protestat e grave në mars 1998.

Hapja është me 30 gusht 2018, e enjte, në orën 19:00, në hapësirën e Muzeut të Kosovës.

Kjo ekspozitë realizohet nga forumZFD programi në Kosovë dhe Programi për Studime dhe Hulumtime Gjinore – UP, në bashkëpunim me Muzeun e Kosovës dhe mbështetje të Ministrisë Federale për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik të Gjermanisë (BMZ).

Era Istrefi lirohet nga spitali

Këngëtarja shqiptare Era Istrefi, parmes imazheve të publikuara, njoftoi për lirimin e saj nga spitali.

Ajo u operua nga apendisiti, dhe tani gjendja e saj duket tejet stabile.

Këtë e konfirmon vetëm pamja e këngëtares, në fotografitë e fundit.

Kujtojmë se, Era ishte tejet e angazhuar, falë sukseseve të njëpasnjëshme që pati, të cilat e ngritën mjaft në arenën ndërkombëtare. / KultPlus.com

Tollumbat e Lulit të vocërr kanë me e hangër mësuesin

Migjeni

Askush s’e njef Lulin.
As shokët e tij, që përpara tij lozin, nuk e njofin.
Ma mire me thanë se e njofin, por ata lozin për hesap të vet, e Luli i shikon për hesap te vet.
Sot gjithkush ka punet dhe telashet e veta, ashtu dhe fëmijtë, ashtu dhe Luli.
More Lul!
Shumë heret ke fillue me shikue punën tande!
Kur Luli hyn n’oborr të shkollës, buza i qeshet nga pak, por askuj, asnji fjalë s’i thotë.
Ecë ngadale, tue shikue djathtas e majtas, po gjithnji tue ecë deri sa të mbrrijë në cak të vet.
Aty, te dera e rruginës shkollore, shumë i pëlqen të qëndrojë.
Aty asht caku i tij, i praruem me rrezet e ngrofta të diellit në këto ditët e vjeshtës.
Mbështetet Luli për mur, grushtat e vogjël i shtje ndër xhepa, hundën picrroke të kuqun nga të ftoftit e mëngjesit ja sjell diellit dhe…shikon.
Gjaja që ma tepër tërhjek vëmendjen janë çizmet që i kanë të veshun disa shokë të tij.

Sa te bukura janë!
Si shkëlqejnë! – mendon Luli dhe pa dashtje i shkojnë sytë ndër tullumbat e veta, nëpër të cilat shifen fare mirë të pesë gishtat e kambëve të zbathuna.
Nga kurreshta i afrohet nji shokut që ka çizmet ma të reja.
Ulet dhe shef në lustrin e çizmes kambët e veta të zbathuna – aq shumë shkëlqejshin çizmet!!!
Mbasi shoku me çizme fluturoi, Luli ngadalë shkoi te caku i vet, në diell, t’i ngrohi kambët.
– Por kur s’ka diell, si ia ban i shkreti Lul?
Ndoshta ia bajnë hallin apostujt e mëshirës dhe të dashunis…
Ndoshta, ndoshta…
Nganjiher i afrohet mësuesi Lulit.
Dhe kur Luli e ka ftyrën e dlirë dhe pa puça, mësuesi ia ledhaton faqet, gushën, e Luli i afrohet, ja merr dorën, e shikon me sy pëllumbi, dhe kishte me dashtë t’i falë diçka mësuesit.
Por vjollca nuk ka.
Veç në i faltë tollumbat e veta, që kanë hapun gojën si me dashtë me e hanger mësuesin.
Po, po, tollumbat e Lulit të vocërr kanë me e hangër mësuesin.

Berisha: “Paradox” nuk po promovohet nga disa medie, gazetarët e kulturës po promovojnë antivlerat për një pizza

Dikur ishte vetëm këngëtar dhe i këndonte vetëm dashurisë, dhe këngët e tij në vitet e hershme të viteve të 90-ta ishin hite të mëdha, e tashti, pos që është edhe aktivist partiak ai ka sjellë edhe një këngë rebeluese që përkon me zhvillimet në Kosovë.

Një rebelim i tillë vjen si pasojë e zhvillimeve politike në Kosovë, por edhe si rezultat i anëtarsimit të tij në partinë më të zhurmshme në Kosovë, në Vetëvendosje. Është kënga “Paradox” që ka risjellë Naser Berishën përsëri në botën e muzikës, teksti i së cilës ka mjaftë mllef për cdo pore të jetës.
Vetë ai është i kënaqur që ka ardhur me një këngë të tillë, një këngë që trajton problemet sociale, por jo të njëjtën kënaqësi ka edhe me promovimin e këngës. Ai në një intervistë për KultPlus ka treguar se si ka një ndjesi se kënga po i bllokohet nga mediet dhe nuk po promovohet aq sa duhet, duke pas parasysh fuqinë e këngës.

“Fatkeqësisht, gazetarët dhe redaktorët e kulturës po i promovojnë antivlerat për një kafe dhe për një pizza. Kurse artistët e mirëfilltë shumë pak po gjejnë hapësirë nëpër mediet kosovare”, ka thënë Berisha, i cili për këngën Paradox ka thënë se si ide i ka lindë para rreth tre viteve, por sipas tij, kjo verë ishte periudha më e mirë që të plasohet.

“Kurrë nuk kam besuar se edhe pas 19/20 viteve kur edhe ka përfunduar lufta në Kosovë, të shkruaj një këngë të tillë. Kam shpresuar se Kosova këto probleme do të duhej ti zgjidhte shumë më herët, tranzicioni kam menduar që do të ekzistonte, dhe kam pritë që duhet të kalonin pesë deri në dhjetë vite, por kurrsesi nuk kam menduar që do të kalojnë 19 deri 20 vjet”, ka thënë Berisha, i cili një këngë të tillë pat publikuar edhe në vitin 2003 me titullin “Hajt shko”, këngë e cila pat pasë një jehonë të madhe për kohën kur edhe u pat lansuar.

“Paradox”, ka ardhë në një momnet mjaftë delikat sa i përket zhvillimeve politike kur kemi parasysh zhurmën e madhe për veteranët e luftës, shqyrtimi i kufijve dhe shumë zhvillimeve politike, dhe sipas Berishës, tema që trajton kjo këngë mjaftueshëm flet për situatën në Kosovë.

Berisha thotë se kjo këngë edhe pse nuk po përcillet shumë nga mediet, ai ka thënë se është shumë i vetëdijshëm që kjo këngë nuk është lansuar me qëllim të shndërrimit të një hiti vere, pasi që beson se kjo këngë do të gjejë audiencën e vetë me kohë.

Naser Berisha që ka tash e sa vite si aktivist i Vetëvendosjes ka thënë për KultPlus se nuk e beson se mund ta dëmtojë karrierën e tij muzikore rreshtimi në politikë, pasi që, një qasje e tillë mund të ndodhë vetëm në Ballkan, pasi që, artistët në të gjitha anë e botës kanë rreshtimin e tyre politik, por në anën tjetër vazhdojnë punën në të cilën edhe e bëjnë.

Berisha që njihet për hitin e madh “Do të doja” ka treguar se shumë më vështirë është ti këndohet temave sociale se sa dashurisë, dhe i njëjti ka konfirmuar se një baladë dashurie do ta sjellë në fund të këtij viti. Ai ka treguar se asnjëherë nuk do të nxjerrë një album, por beson se cdo vit do të prezantohet me nga dy këngë./KultPlus.com

Të rinjtë danezë vuajnë nga lumturia e tepërt

Danimarka është renditur vazhdimisht në krye të klasifikimeve si vendi më i lumtur i botës. Qeveria e qëndrueshme e saj, përfitimet e majme nga sigurimet shoqërore dhe pabarazia relativisht e ulët e të ardhurave janë ato që përvijojnë imazhin e perfeksionit, të bashkëngjitur vendit nordik.

Por së fundi, të rinjtë danezë kanë ndierë një trysni të pazakontë për ta: nevojën për të qenë edhe më të lumtur.

Autori danez, Svend Brinkmann argumenton se gjëja më e mirë që rinia mund të bëjë në këtë rast është të përpiqet t’i rezistojë presionit për të qenë të gëzuar e të kënaqur gjithë kohën dhe të praktikojnë edhe “Jo”-në, sepse u bën mirë.
“Të jesh gjithë kohën i lumtur, – shprehet ai, – në mënyrë paradoksale mund të të bëjë të mjeruar”.

“Jeta nuk është gjithmonë shumë mirë, sepse nuk mund të jetë ashtu pambarishmisht”, vazhdon shkrimtari.
Danimarka është kthyer në simbolin e lumturisë dhe paqes. Por, Brinkmann sjell edhe një tjetër këndvështrim.
“Vazhdimisht nëpër sondazhe rezultojmë kështu, – thotë ai, – por kemi edhe një lloj presioni që ta themi, sepse po të ankohemi ne me gjithë këto të mira, çfarë duhet të thonë të tjerët pastaj?”.

Së bashku me Finlandën, Norvegjinë dhe Islandën, vendi sërish pushtoi renditjen e raportit botëror të lumturisë për vitin 2018, ku Suedia zuri vendin e nëntë.

Por, një raport i Instutit Kërkimor të Kopenhagenit tregoi se, në të pesta vendet nordike, mesatarisht 12.3% e popullsisë është në vështirësi ose përjeton vuajtje, e kjo vihet re më së shumti te të rinjtë.

Ca pëlqejnë poezinë

Wisława Szymborska

Ca –
që domethënë jo të gjithë.
Madje as shumica e atyre të gjithëve, veç pakica.
Pa përfshirë këtu shkollat, se aty duhet,
si dhe poetët dora vetë,
në tërësi mbeten nja dy në njëmijë vetë.

Pëlqejnë –
por dikujt i pëlqen makar dhe supa e pulës,
dikujt i pëlqejnë përgëzimet dhe ngjyra blu,
dikujt i pëlqen një shall i vjetër,
dikujt i pëlqen të ketë në dorë dikë tjetër,
dikujt i pëlqen të kujdeset për një qen.

Poezinë –
ore, po ç’na është vallë kjo poezia?
Më tepër se një përgjigje tërthorazi
ka marrë një pyetje e tillë.
Por s’e di që s’e di dhe mbahem fort pas saj
si pas një parmaku.

(shqip – e.q.)

Inva Mula, pjesë e festivalit të njohur në Ulqin

Ulqini do të mirëpresë sopranon me famë ndërkombëtare, Inva Mula, në Festivalin Ndërkombëtar “Belcanto Dolcinio”.
Festivali do të mbahet në Ulqin në datat 7-9 shtator.

Sopranoja do të performojë së bashku me pianistin virtuoz Genc Tukiçi, në pjesën e vjetër të qytetit turistik, aty ku edhe do të kenë mundësi shumë qytetarë ta përcjellin koncertin e Inva Mulës.

Sopranoja do të koncertojë me 9 shtator, në ora 20:00.

Mula ka lindur në vitin 1963 ndërsa ka fituar disa konkurse të rëndësishme, përfshirë Operalia, Butterfly në Barcelonë dhe çmimin “Këngëtarja Shqiptare” në fund të viteve 80-të.

Jeta e saj është e ndarë më së shumti mes Francës dhe Shqipërisë. / KultlPlus.com

Zotimi i Ramush Haradinajt në takimin me Leonora Jakupin

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, është zotuar sot para këngëtares, Leonora Jakupi se eshtrat e babait të saj, Qazim Milazim Jakupi, do të kthehen në vendlindje.

“Pas përfundimit të suksesshëm të rivarrimit të dëshmorëve dhe heronjve nga Polaci në Marinë, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për kthimin e eshtrave të Kolonel Ahmet Krasniqit në vendlindje. Duke qenë se, dëshmori Qazim Milazim Jakupi, është i varrosur me Kolonel Krasniqin, të bijën, këngëtarën e mirënjohur Leonora Jakupi e sigurova se edhe babai i saj do të prehet në vendlindje, sipas amanetit të tij dhe dëshirës së familjes”, ka shkruar Haradinaj në Facebook. / KultPlus.com

“Vjen një ditë që gjithçka mbaron”

Nga: Stieg Larsson
Përktheu: Elona Caslli

Gazetari dhe shkrimtari i njohur suedez, Stieg Larsson, e shkroi këtë letër në vitin 1977, para se të nisej për një udhëtim në Afrikë, për të dashurën e tij Eva Gabrielsson.

Mbi zarf shkruhej “Të hapet pas vdekjes sime”. Ai u kthye shëndoshë e mirë nga udhëtimi në Afrikë. Kjo letër ra në duart e Evës 27 vite më pas, në vitin 2004, kur Larsson vdiq.

Eva, Dashuria Ime.

Erdhi fundi. Fundi vjen për gjithçka, herët a vonë. Vjen një ditë që gjithçka mbaron.
Dhe ndoshta kjo është një nga të vërtetat më magjepsëse që dimë për Universin.
Yjet vdesin, galaksitë vdesin, planetet vdesin. Edhe njerëzit vdesin.
Kurrë nuk kam qenë besimtar, por ditën që fillova të lexoja për astronominë, më iku edhe ajo pak frikë që kisha nga vdekja.
Kuptova se krahasuar me Universin, një qenie njerëzore, një qenie e vetme njerëzore si unë, është shumë e vogël.
Nuk po e shkruaj këtë letër për të të dhënë një leksion të plotë për filozofinë apo për fenë.
Të shkruaj sepse dua të të them “Lamtumirë”.
Sapo e mbylla telefonin me ty. Ende e dëgjoj tingullin e zërit tënd.
Të përfytyroj pranë meje, një imazh i bukur, një kujtim i shtrenjtë që do ta ruaj deri në fund.
Në këto çaste, teksa po e lexon këtë letër, ti e di se unë kam vdekur.
Dua që t’i dish ca gjëra. Unë e di se ç’më pret në Afrikë. E ndiej se ky udhëtim mund të më vrasë, por megjithatë duhet të nisem.
Nuk kam lindur për të ndenjur duarkryq .
Nuk jam i tillë. Duhet të bëj një korrigjim- Nuk isha i tillë.
Në Afrikë nuk shkoj vetëm si gazetar. Shkoj me një qëllim politik dhe për këtë arsye mendoj se udhëtimi mund të më vrasë.

Është hera e parë që të shkruaj dhe e di se ç’dua të them: të dua.. të dua… të dua…
Dua që ta dish. Dua që ti ta dish se të dua, siç nuk kam dashur kurrë njeri më parë.
Dhe dua që ta dish se jam shumë serioz kur ta them këtë.
Dua që të më kujtosh, por nuk dua që të qash.
Nëse jam i shtrenjtë për ty dhe e di që jam, do vuash kur ta mësosh që kam vdekur.
Por, nëse jam me të vërtetë i shtrenjtë për ty, mos vuaj. Nuk dua që të vuash.
Mos më harro, por vazhdo të jetosh. Jetoje jetën.
Koha do të ta lehtësojë dhimbjen edhe pse tani e ke të vështirë ta besosh.
Jeto me paqen dashuria ime; jeto; dashuro; urre dhe vazhdo luftën.
Kisha shumë të meta, e di, por shpresoj të kem patur edhe ca gjëra të mira.
Por, ti Eva, më frymëzon me një dashuri të tillë, që kurrë nuk kam qenë në gjendje të ta shpreh.
Vishu, mbaji drejt shpatullat dhe kokën mbaje lart. Kujdesu për veten, Eva.
Shko të pish një kafe.
Fundi erdhi.
Të falenderoj për çastet e mrekullueshme që kemi kaluar bashkë. Më ke bërë të lumtur.
Lamtumirë
Të përqafoj.
Me dashuri
Stieg

Shqiptarja e cila këndoi në 25-vjetorin e një gazete gjermane

Gazeta gjermane PrimaSonntag, festoi para dy ditësh 25-vjetorin e themelimit. Me këtë rast, u organizua një festë për shënimin e këtij jubileu ku në skenë janë ngjitur bende të njohura gjermane.

Në skenën e kësaj feste që u mbajt në qytetin e Aschaffenburgut, u ngjit edhe një shqiptare. Arta Selimi, e njohur për publikun nga X Factor Albania 2012-të, këndoi para audiencës gjermane dy këngë, atë “Rolling in the deep” dhe “Price tag”.

Arta, për KultPlus tregoi se ishte kënaqësi e madhe që pas disa vitesh të këndoi para një publiku e po ashtu kënaqësi se ai publik ishte nga Gjermania.

“Rastësisht jam takuar me organizatorin Holger, dhe atij i ka pëlqyer zëri im. Kështu më ka ftuar që të jem pjesë e kësaj feste. Kam qenë në prova dhe gjithçka ka qenë mahnitëse”, ka thënë ajo për KultPlus.

Në këtë link gjeni informata më të gjera rreth këtij organizimi./ KultPlus.com

Sot kujtohet Michael Jackson në 60-vjetorin e lindjes

Michael Joseph Jackson, lindi më 29 gusht 1958 në Gary, Indiana.

Ai ishte muzikant, këngëtar, autor, producent, kompozitor, koreograf, prodhues, valltar amerikan.

I pagëzuar si Mbreti i Popit, apo siç kanë dëshirë ta quajnë adhuruesit e kësaj muzike, King of Pop, ai njihet si një nga artistët më të mëdhenj të të gjitha kohërave.

Kontributet e Jackson në muzikë, kërcim, modë, e kanë bërë atë një figurë globale në kulturën botërore për më shumë se katër dekada.

Michael Joseph Jackson vdiq më 25 qershor 2009 në Los Anxhelos, Kaliforni./ KultPlus.com

Studentë të Akademisë Detare vizitojnë Muzeun Arkeologjik

Studentë të Akademisë Detare “Mirça çel Bëtrën” (Mircea cel Bătrân), pjesë e ekuipazhit të anijes “Mirça”, që ndodhet prej së hënës në Durrës vizituan sot Muzeun Arkologjik të qytetit bregdetar.

Studentët u njohën nga afër me pavijonet e muzeut ku janë të ekspozuara objekte me vlera të rralla, që i përkasin katër periudhave të ndryshme historike dhe parahistorike.

Anija-shkollë ushtarake rumune “Mircea” ka mbërritur të hënën paradite në portin detar të Durrësit, në kuadër të një vizite miqësore që po zhvillon kjo anije edhe në porte të tjera të Mesdheut.

Anija përbëhet nga një ekuipazh ndërkombëtar prej 182 persona, përfshirë 38 studentë të Akademisë Detare “Mirça çel Bëtrën”, 43 kursantë dhe 13 instruktorë nga Gjermania, si dhe 12 kursantë nga Bullgaria, Kina, Britania e Madhe, Polonia, Turqi dhe Ukraina.

Anija do të të vazhdojë sot lundrimin drejt Kroacisë dhe Greqisë./KultPlus.com

Nënë Tereza: Dua të bëhem motër misionare për t’i shërbyer të varfërit e botës

Si e mori rrugën e misionares Nëna Tereze

Thirrja apo ftesa për jetën rregulltare dhe misionare është para së gjithash nisje, plan dhe vepër e Zotit, por kërkon doemos edhe bashkëpunimin e njeriut.

Së pari familja e Gonxhe Bojaxhiut, pastaj famullia e “Zemrës së Krishtit” në Shkup, kanë pasur ndikim të madh në historinë e thirrjes, të jetës rregulltare dhe misionare të Nënës Tereze, shkruan Don Lush Gjergji.

Lazër Bojaxhiu dëshmonte kështu: “Kishte diçka që për ne ishte më me rëndësi nga çdo gjë tjetër, kisha. Ne jetonim shumë afër kishës katolike në Shkup dhe kur ishim të vegjël, prifti i famullisë ishte shqiptar…Këndimi fetar, liturgjia, si dhe rrëfimet për misionarët përbënin botën në të cilën jetonim.

Sa ishte gjallë babai im, shtëpia jonë ngjante një vatre politike. Pas vdekjes së tij, na mbante gjallë feja. Nëna dhe bijat iu përkushtuan organizimit dhe mbështetjes së aktiviteteve fetare pa u lodhur asnjëherë…

Ajo qysh atëherë ishte shumë e interesuar për punën e misionarëve. Sa herë vinin nga vendet e largëta, ajo kishte dëshirë t’i takonte dhe fliste me to”.

Gonxhe Bojaxhiu ishte shumë aktive në çdo lëmi, në shtëpi, në shkollë, në kishë, në teatër, në kor, mbi të gjitha në shkrim-lexim dhe në uratë. Kërkimi, këshillimi, urata, bisedimi me “Nënën Loke”, me meshtarët e Shkupit, me Lorenc Antonin dhe shumë të tjerë, zgjati plotë gjashtë vjet.

Lorenc Anton e kujton: “Para se të arrinte deri te vendimi përfundimtar, se a do të bëhej murgeshë misionare apo jo, ajo më tha: Do të shkoj në Letnicë dhe do të qëndroj atje nja dy muaj. Ishte viti 1927. Në Letnicë ajo bëri ushtrimet shpirtërore.

Këtë përvojë e përsëriti edhe në vitin 1928. Edhe vetë ne gjendeshim atje, kori dhe anëtarët e rinisë katolike të famullisë së Shkupit, bashkë me të rinj të tjerë nga famulli të tjera.

Ajo dukej shumë e shëndoshë, e qetë, e dëlirë, madje mund të shtonim edhe mjaft entuziaste. Ajo nuk më tha gjë në Letnicë, por mua më ra në sy se diçka kishte ndodhur.

Duke u kthyer në Shkup nga Letnica, mendoj se ishte 20 gushti 1928, ajo më tha në besë: “Lorenc, ajo si më quante ajo Lenci, më në fund kam vendosur para Zonjës sonë të Cërnagores, do të shkoj në mision dhe do t’i përkushtohem tërësisht Zotit dhe shpëtimit të shpirtrave…

Ne të gjithë ishim paksa të befasuar, pas një vendimi të tillë të prerë, paksa të pikëlluar, por në të njëjtën kohë edhe krenarë se një mike jonë e shtrenjtë do të bëhej murgeshë…”.

Duke i përkujtuar këto vite të kërkimit, uratës, këshillimeve, ajo më pati thënë: “Isha ende shumë e re, pa i mbushur dymbëdhjetë vjet, në rrethin familjar kur e ndjeva dëshirën e parë për t’iu kushtuar tërësisht Zotit.

Gashtë vite kam menduar dhe jam lutur shumë, mos të them se kam “luftuar” me Zotin. Nganjëherë më dukej se isha liruar nga kjo, se kjo nuk ishte thirrje për mua, por më në fund u binda së isha e thirrur nga vetë Zoti.

Zoja e Letnicës më ka ndihmuar shumë për të arritur te një vendim i tillë…”.

Në këtë kërkim e kishte ndihmuar mjaft edhe ati shpirtëror, rrëfyesi i saj në Shkup, të cilin Gonxhja e kishte pyetur se si mund ta dinte me siguri se a po e thërret Zoti apo jo.

Ai ia kishte pas dhënë këtë përgjigje: “Nëse je e lumtur kur të mendosh se Zoti të ka thirrur për t’i shërbyer Atij dhe njeriut, atëherë kjo është dëshmia më e mirë e thirrjes tënde. Gëzimi i thellë është si një kompas që tregon rrugën tënde në jetë…”

Dëshmia e Nënës Tereze vazhdonte kështu: “Natën e Zojës së Madhe në Letnicë e kam ndezur qiriun dhe jam gjunjëzuar para trupores së “Zojës Cërnagore” dhe iu kam kushtuar Zotit me këtë vendim: “Dua të bëhem motër misionare për t’i shërbyer të varfëritë e botës…Ne festën e të Ngriturit e Zojës në qiell / 15 gusht 1928/ kam kërkuar bekim amnor nga Zoja jonë e Letnicës: “Nëna e Shenjtë, më ndihmo t’i realizoj qëllimet dha ta plotësoj vullnetin e Zotit, siç ke bërë ti. Qëndro me mua në këtë udhëtim të gjatë dhe të panjohur!…”.

Ja edhe përshkrimi i Nënës Tereze për këtë ngjarje: “Fillimisht, në mes viteve të dymbëdhjeta dhe të tetëmbëdhjeta, nuk dëshiroja të bëhesha murgeshë…”

Në arkivin e “Motrave të Loretos” gjendet lutja e Gonxhe Bojaxhiut drejtuar nënës Eprore të kësaj bashkësie në Irlandë, ku ndër të tjera shkruante kështu: “Ju lutem që të jeni e dashur dhe ta dëgjoni dëshirën time të sinqertë. Dua të hyj në Kongregatën tuaj për t’u bërë një ditë motër misionare e për të punuar për Jezusin i cili ka vdekur për të gjithë ne.

Kam përfunduar vitin e pestë të shkollës së lartë; prej gjuhëve njoh gjuhën shqipe, e cila është gjuha ime amë, serbo-kroatishten /gjuhën e cila mësohet në shkollë/ dhe pak gjuhën frëngjishte. Nuk e njoh aspak gjuhën anglishte, por shpresoj se Zoti i Mirë do të më ndihmojë që ta mësoj aq sa më duhet, dhe mu këto ditë kam filluar ta mësoj këtë gjuhë.

Nuk shtroj kurrfarë kushti të veçantë, dua që të jem në misione, dhe për çdo gjë tjetër, lëshohem tërësisht në vullnetin e Zotit të Mirë”. Shkup, 28 korrik 1928”.

Duke gjurmuar në kujtime Nëna Tereze “kthehej” shpesh në këto ngjarje. Në letrën drejtuar Imzot Fernand Perierit, arqipeshkvit të Kalkutës, më 25 janar 1947, ajo ndër të tjera shkruante gati tërësisht me të njëjtat fjalë, si në kërkesën për ta pranuar te “Motrat e Loretos”: ”Qysh nga mosha 5 vjeçare e gjysmë, kur e pranova Atë (Jezusin) për herë të parë, dashuria për shpirtra kishte depërtuar në brendinë time. Kjo dashuri ishte rritur gjatë viteve deri sa nuk arrita në Indi, me shpresë që të shpëtoja shumë shpirtra…”.

Për bindjen e saj të thellë se ishte thirrja e Zotit ajo dëshmonte: “Ishim një familje shumë e lumtur. Kur isha 18-vjeçare vendosa ta lëshoja shtëpinë time dhe të bëhesha murgeshë, dhe qysh nga atëherë, gjatë këtyre 40 viteve, nuk kam dyshuar në asnjë moment se e kam bërë zgjidhjen e mirë. Ishte vullneti i Zotit. Ishte zgjidhja e tij…”.

Lorenc Antoni ma kishte treguar këtë ndodhi për të dëshmuar zellin, kujdesin dhe interesin e Gonxhes për misione. “Unë i mësoja tri vajza për të bërë muzikë me mandolinë. Ato deshën të më paguanin. Unë ju pata thënë se nuk kishte nevojë, sepse e bëja këtë punë me zemër dhe me shumë kënaqësi”.

Gonxhja më tha: “Lenc i dashur, merri se ato para’ mund t’i dërgosh për misione në Indi…” /Shkup, pranvera e vitit 1927/.

Kur Gonxhja e kishte informuar nënën Drane për qëllimin e saj për jetën rregulltare, ajo në fillim i kishte kundërshtuar, jo pse ishte kundër kësaj zgjidhjeje, por për ta vërtetuar bindjen dhe përcaktimin e bijës së saj.

Pastaj Dranja u mbyll në një dhomë dhe nuk doli për 24 orë. Së fundi, jo pa flijim të madh personal, ia dha bijës bekimin me një vërejtje që do të duhej t’i kushtohej tërësisht dhe me fe Zotit.

Pas shumë viteve, duke e përkujtuar këtë çast vendimtar, Nëna Tereze e përkujtonte se si nëna i saj i kishte thënë këto fjalë kaq të prekshme dhe kuptimplote.

Dhe vazhdonte kështu: “Po të mos kisha qenë besnike thirrjes sime rregulltare, ajo do të më kishte gjykuar… Një ditë do të më kishte pyetur: “Bija ime, a ke jetuar vetëm dhe tërësisht për Zotin?”. .

Sipas disa burimeve fjalët e Dranes pas kësaj dite në lutje dhe në vetmi ishin të thella dhe vendimtare për tërë jetën e mëvonshme të Gonxhe Bojaxhiut. “Nëna Loke” e kishte porositur bijën e vogël kështu: “Vëre dorën në dorën Tij, (mendohet të Jezusit, vr. Ime), dhe ec gjatë gjithë rrugës me Të”.

Dy mësuesit e parë në shkollën fillore pranë famullisë së “Zemrës së Krishtit” ishin Engjëll Nocaj nga Shkodëra dhe më vonë edhe NdueVorfi. Ata ishin po ashtu mësimdhënësit dhe edukatorët e Gonxhe Bojaxhiut, sidomos për atdhedashuri, për gjuhën shqipe, historinë, traditën dhe kulturën shekullore kombëtare shqiptare./ KultPlus.com

NA dhe BB Poqi vijnë me “Nuk guxoj”

Grupi NA dhe BB Poqi, sot publikuan këngën e re “Nuk guxoj”, shkruan KultPlus.

Kënga është publikuar në SoundCloud para pak minutash.

BB Poqi, është këngëtar i njohur i muzikës rok ndërsa NA u krijua në fund të vitit 1999 , në Gjakovë.

Pjesë e grupit janë: Kreshnik Koshi vokal dhe Bass, Bekim Kepuska drums, Blerat Kepuska kitarë, Klodian Rexhepaj piano keyboards./ KultPlus.com

Gati për edicionin e 17-të të “Hardh Fest”

Me moton “Me pamje kah Vneshta”, do të fillojë edicioni i 17-të i festivalit të vjeljes së rrushit “Hardh Fest” në Komunën e Rahovecit.

Festivali ka për qëllim promovimin e rajonit vjeshtar në këtë Komunë. “Hardh Fest” ka për qëllim të ruajë traditat dhe zakonet e vreshtarisë, verës, si dhe mundësinë për promovimin e turizmit të kësaj Komune.

Në një konferencë për media drejtori artistik i këtij festivali, Gardalin Shtavica, ka thënë se origjinaliteti që ka “Hardh Fest” është muzika rock.“Hardh Festi njihet për muzik të mirë posacerisht muzika rock dhe është një prej origjinaliteteve që ka “Hardh Festi”.

DJ-të që do të përformojnë janë DJ Marvil nga Rahoveci, DJ Melo, DJ Fisnik Kuqi, DJ Gruda dhe kryesor është DJ Nouveaubeast. Hapja e festivalit bëhet nga grupi “Rahoveci oldstar”.Ai poashtu tha se grupi “Troja” do të jetë pjesmarrës në këtë festival.

“Emri më i përfolur i këtij viti është Eugen Bushpepaj dhe ekskluzivisht për herë të parë vjen në një festival madhështorë siç është “Hardh Festi. Befasia e këtij festivali, që për here të parë vjen në Kosovë, është “Kee Marcello””, tha Shtavica. Dea Luma, përgjegjëse për marrëdhënie me publikun, ka thënë së të gjitha përgatitjet për festival kanë përfunduar. Luma tregoi për aktivitetet që do të zhvillohen për gjatë tri ditëve të festivalit dhe po ashtu tha se në këtë edicion presin që të ketë më shumë vizitorë, sesa në edicionin e kaluar që ishin mbi 50 mijë.

“Vitin e kaluar Hardh Fest ka pasur 50 mijë vizitorë, ndërsa këtë vit presim edhe më shumë. Hardh festi është komplet origjinal ku ka rrushin dhe verën e saj që e bënë me dallu nga festivalet tjera”, theksoi Luma.Ylber Bajraktari, përfaqësues nga “Stone Castle”, tha se kompania do të përkrahë vazhdimisht këtë festival e sidomos në infrastrukturë.

“Kompania “Stone Castle” është përkrahës kryesorë dhe promtor i këtij festivali dhe si çdo here do të përkrahë në insfrastrukturë me te gjitha që i nevojiten këtij festivali duke filluar nga kampingu, parkingu dhe çdo gjë nga infrastruktura”, tha Bajraktari.

Nora Boshnjaku, përfaqësuese nga Komuna e Rahovecit, tha se po mundohen që të japin kontributin e tyre për këtë festival.“Me vendim të kryetarit, është fromuar një këshill organizativ i “Hardh Festit” dhe po mundohemi të japim kontributin tonë maksimalisht, shkruan EO.

Janë përmbi 20 përfaqësues për vjeljen e rrushit” deklaroi ajo.Festivali do të fillojë me datën 7 shtator dhe do të zgjasë tri ditë. Organizatorët ftuan të gjithë që të jenë pjesë e këtij edicioni./ KultPlus.com