Komuna në bashkëpunim me Asociacionin e Arkitektëve, për Sallën Koncertale

Komuna e Prishtinës bashkë me Asociacionin e Arkitektëve të Kosovës nënshkruan sot Memorandum Mirëkuptimi për bashkëpunim të ndërsjellë në përgatitjen e konkursit ndërkombëtar për konceptet ideore që ndërlidhen me projektin e Sallës Koncertale në qendër të Prishtinës.

Përmes këtij Memorandumi, Asociacioni i Arkitektëve të Kosovës ka përgjegjësi që të ofrojë ekspertizë në fushë e arkitekturës për konkursin ndërkombëtar; do të ofrojë ekspertizë teknike në realizimin e projektit; të mbledhë materiale dhe të dhëna profesionale të nevojshme për aplikuesit; të përpilojë termat e referencës dhe detyrën projektuese për konkursin ndërkombëtar; të respektojë afatet kohore të parapara për përfundim të shërbimeve; si dhe të bashkëpunojë me Komunën gjatë gjithë implementimit të aktiviteteve.

Në anën tjetër, Komuna e Prishtinës do të ofrojë mbështetje institucionale me qëllim të arritjes së synimeve të kësaj marrëveshjeje, si dhe do të ofrojë mbështetje financiare për Asociacionin e Arkitektëve të Kosovës. / KultPlus.com

Tragjedi në Brazil, merr flakë Muzeu Kombëtar në Rio

Muzeu Nacional në Brazil të dielën mbrëma ka marrë flakë.

Institucioni ku ruhen 200 vite histori është shkatërruar nga flakët. Brenda tij ka pasur atefakte nga Greqia, koha romake, Egjipti dhe të parat fosile që janë gjetur në Brazil.

Nuk ka të lënduar por dëmi që i është shkaktuar trashëgimisë brenda Muzeut është humbje e madhe.
Bëhet fjalë për 200 vite edukim, 200 vite shkencë, kulturë, kujtesë.

Disa prej zjarrëfikësve nuk kanë pasur mjetet e nevojshme për të shuar zjarrin që nisi të dielën mbrëma. Ende nuk dihet shkaku i nisjes së zjarrit.

Presidenti i Brazilit ka shkruar se kjo është ditë tragjike për të gjithë brazilianët. Disa prej punëve brenda në Muze janë ruajtur por një pjesë e mirë duket se është shkatërruar.

Siç shkruajnë mediat e huaja, hidrantët afër Muzeut nuk kanë punuar dhe për këtë po kritikohen organet përgjegjëse, pasi është dashur sasi e nevojshme e ujit nga larg për ta shuar zjarrin brenda ndërtesës.

Brenda ndërtesës është ruajtur edhe skeleti 12 mijë vite i vjetër i gruas me emrin “Luiza”. / KultPlus.com

Të kam dashur

Teodor Keko

Të kam dashur, të kam dashur
zemra ime zog i brishtë
nëpër erëra të kërkon.
Fishkëllen motiv’n e hershëm
një përgjigje merr të trishtë
heshtje varri që heshton.

Të kam dashur, të kam dashur
m’u lodh zemra në kërkim
krahëkëputur ra mbi breg.
Peshkatari që e gjeti
vetë u mbyt në një trishtim
gjakspërkatur si një shegë.

Të kam dashur, të kam dashur
me aromë të ndoqi zemra
nëpër erëra e murlane.
Era fryu jug-veri,
nga të shkoj, klithi e shkreta
unë pa zemër jam kësaj ane

Të kam dashur, të kam dashur
i vetmuar zemrën pres
mal trishtimi në këtë glob
Era fryn, aroma bie
zemra ime nuk po vjen
oh, ka ngrirë në një pol.

Të kam dashur, të kam dashur
mirë, mos eja, nëse s’do
veç një diell ngri në skaj.
Të çlirohet zemra ime
lidhur akujsh nëpër lot,
zemra ime e pafaj…

1996

‘Me pasë fëmijë në moshën shkollore, sot i kisha refuzue disa gjana’

Rushit Rimanishta / Facebook

Urime viti i ri shkollor për të gjith nxënësat dhe mësuesat.
Me pasë fëmijë në moshën shkollore apo edhe me pas qenë vet nxanës, disa gjana kisha refuzue në mënyrë kategorike me i “mësue”:

– Kurr nuk e kisha harrgjue as një minut me mësue vjerrsha përmendsh. Nuk ka asnjë studim kredibil në botë që tregon se të mësuemit përmendësh zhvillon diçka të dobishme. Mësimi përmendësh vetëm merr energji edhe shkakton stres krejt pa nevojë.

– Kurr nuk e kisha mësue as një datë përmendësh. Në vend se me mësue ekzakt kur është zbulue penicillini, duhesh me ditë se si është zbulue dhe qyshë ndikon tek bakteriet dhe qyshë reagojnë bakteriet në të.
– Nuk kisha hargjue fort energji me i mësue përmendësh as kryeqytetet e vendeve të ndryshme në botë. Nese të nevoiten, hyn në google.
– Nuk ma kish nie për notë. Me rëndësi është me ditë. Notat nepër shkolla e zhvendosin fokusin në konkurrencë mes nxënësve se cili ka notë ma të madhe dhe jo në dijen faktike. Notat shpeshhere kan shkaktue deshprime e trauma tek shumë nxënës.

– Një shkollë e cila nuk zhvillon dhe lejon kreativitet dhe mendim kritik, në at shkollë, kisha ba çmos qe mos me i dërgue fëmijtë e mi. Në at shkollë ku nxënësi nuk guxon me kundërshtue mësuesin, nuk zhvillohet as kreativiteti e as të menduarit kritik.
…….
Lista kish me vazhdue kogja gjat por kto jan kryesoret.

Elvis Naçi kritikohet për gjuhën seksiste dhe urrejtjen ndaj grave (VIDEO)

Një video që po qarkullon në internet po tingëllon si seksiste dhe si një fjalim që nxitë urrejtje.

Faqja “Shqiptarët laikë” e ka shpërndarë një pjesë të fjalimit të personazhit Elvis Naçi, një nga hoxhallarët më aktivë dhe më të përfolur në Shqipëri.

Në një predikim ai shpërtheu me objektifikime seksuale dhe me retorikë seksiste të shfrenuar ndaj grave.

Ai në këtë video me tërë mlleh i paraqet gratë (“femrat”) si nxitëse të imoralitetit, kriminalitetit, shkatërrimit të familjes, shkatërrimit të vetëvetes si dhe të burimit të sëmundjeve.

Komentuesit në faqe kanë qenë të shpejtë duke e kritikuar e madje edhe duke e përkrahur këtë diskurs të Naçit, një emër i njohur në predikimin e tij fetar dhe fjalimet e tij të shumta të cilat i shpërndanë edhe në faqen e tij në Facebook. / KultPlus.com

Ka nisur Festivali Ndërkombëtar i Filmit ‘Dea Open Air’

Në datat 2 deri më 8 shtator 2018, Festivali Ndërkombëtar i Filmit DEA OPEN AIR do të zhvillojë edicionin e tij të pestë. Festivali vijon traditën e të qenit vizitor në stolinë e rivierës shqiptare, Sarandë.

Shfaqjet Open Air do të organizohen në Kinema Limani dhe Kinema Bougainville. Në Kinema Limani është planifikuar të organizohet Ceremonia zyrtare e Hapjes së Edicionit V të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dea Open Air Sarandë – 2018. Po aty do të ofrohen edhe dy programet kryesore të festivalit: programi i Filmit me Metrazh të Gjatë dhe programi i Filmit të Shkurtër. Në Kinema Bougainville do të organizohet edhe këtë vit programi “Miqtë e Kinemasë”, me shfaqje speciale filmash jashtë konkurrimit si edhe Ceremonia e Ndarjes së Çmimeve të Edicionit V të Dea Open Air Festival Sarandë – 2018.

Numri i aplikantëve të DEA OPEN AIR ka ardhur në rritje nga viti në vit. Edhe edicioni i sivjetmë konfirmon të njëjtën tendencë rritëse. Të gjithë aplikuesit dhe pjesëmarrësit e përzgjedhur kanë aplikuar në platformat Film Freeway dhe Festhome ose në rrugë të drejtpërdrejtë në adresën e Festivalit. Ata vijnë jo vetëm nga vendet evropiane, por edhe më gjerë, çka i jep pjesëmarrjes një gjeografi ndërkontinentale.

Juria e filmit me metrazh të gjatë, e përbërë nga: Clemens Erbach (regjisor – Gjermani), Isabelle Welter ( producente – Austri), Rusomir Bogdanovski (Skenarist dhe pedagog i skenarit – Maqedoni), Genc Përmeti (skenarist dhe producent – Shqipëri), Luan Kryeziu (regjisor dhe skenarist – Kosovë) do të ndjekë programin e filmit me metrazh të gjatë si edhe do të akordojë çmimet DEA për: Aktorin/Aktoren më të mirë në rol kryesor; Fotografinë/ Kamerën më të mirë; Skenarin më të mirë, Regjinë më të mirë dhe Filmin më të mirë në konkurrimin e filmit të gjatë. / KultPlus.com

Bill Gates: Tregohu i mirë me ata që mësojnë, mund të përfundosh duke punuar për ta

Më poshtë mund të gjeni disa thënie nga Bill Gates të cilat sipas tij nuk mund t’i mësoni në shkollë..

1. Jeta nuk është e drejtë, mësohuni me të.
Mjaft pritët që jeta “t’ju sjellë” gjërat që ju mendoni se “i meritoni”.
2. Botës nuk i bëhet vonë për vetëvlerësimin tuaj.
Filloni të bëni diçka me veten dhe për veten tuaj sot. Tani!
3. Nuk do të kesh një pagë me gjashtë shifra menjëherë pas shkollës.
Do të duhet të punosh fort për të arritur atë që dëshiron.
4. Nëse mendon se mësuesi është i ashpër, prit të shohësh si do të jetë shefi.
Në vend të të “hajë me dhëmbë” përpara klasës, tani do të jetë përpara një zyre të tërë.
5. Gatimi i hamburgerëve nuk është “përtej dinjitetit tënd”.
Gëlltite atë krenari idiote dhe merre atë punë që tani mendon se është nën nivelin që ti meriton.
6. Nëse i çon gjërat për dreq, nuk është faji i prindërve.
Mjaft shpërndave fajësime dhe fillo të marrësh përgjegjësi për dështimet e tua.
7. Prindërit dinë diçka që ti nuk e di.
Ndoshta, para se të lindje ti, prindërit e tu nuk kanë qenë aq të mërzitshëm sa janë sot.
8. Shkolla mund të ketë hequr fituesit dhe humbësit, por jeta jo.
Rezultati i një provimi nuk justifikon mjetet. Nuk ka as edhe ngjashmërinë më të vogël me atë që ndodh në jetën reale.
9. Jeta nuk është e ndarë në semestra.
Një herë që fillon, jeta vazhdon e vazhdon, pa fund. Kështu që shpenzoje kohën tënde duke bërë një gjë që vlen.
10. Ajo që sheh në televizor nuk është jetë reale.
Në jetën reale, njerëzit duhet ta lënë kafenenë dhe të shkojnë në punë.
11. Tregohu i mirë me ata që vetëm mësojnë.
Shanset janë që do të përfundosh të punosh për një prej tyre. / Bota.al/ KultPlus.com

Shkodran Mustafi mund të dënohet për shqiponjën

Mbrojtësi i Arsenalit, Shkodër Mustafi mund të gjobitet nga Federata Angleze pas festimit të golit në minutën e 11-të, duke e bërë formën e shqiponjën kundër Cardiff City.

Independent shkruan se Mustafi mund të gjobitet nëse vendoset se gjesti i tij ka pasur pikëpamje politike. Kjo pasi që ligjet e FIFA-se kundërshtojnë çdo deklarim politik gjatë ndeshjeve. FA pastaj do të vendosë për dënimin dhe mund të sanksionojë lojtarin ose ekipin nëse ata vendosin se një vepër e tillë është kryer.

Muaj më parë FIFA dënoi me gjobë futbollistët Granit Xhaka e Xherdan Shaqiri pas shqiponjës që bënë në ndeshjen e Zvicrës kundër Serbisë. /KultPlus.com

Në qofsh grua!

Poezi nga Donika Gashi.

Në qofsh grua,
Fol!
Fol me gjithë shpirt e mendje
Nuk ka kush nga ata të llojit tand
i lindun me të drejtën,
Fjalën të t’a mbajë peng
të thellësisë së egos.

Në qofsh grua,
Ti ke zemër të madhe si hana dritë-plotë
Mendje të kthjellët rrjedhë-freskët
Det-qetë zemra yte,
Nganjiherë uragan i tmerrshëm.

Ti i falë zemrën
Bukës së pjekun, aromës së kafesë
Tek përhapet vrullshëm damarëve të folesë.
Përqafimi i butë i mëngjesit
Lodhshëm të zdirgjet trupit ngadalë
mbramjes tek bie e rraskapitun.

Bukur të rri çdo gjë,
E bame me duart plot dashni!
Hijeshia jote dhe drunit e cungut
I jep nji gjethe lumtuni.
Në qofsh grua,
Dinjiteti asht buzëqeshja jote e përhershme.
Dhimta jote mal i pakalueshëm,
Fshehun në hiret tua
Mbretni e panënshtrueshme.

Ti që përditë fuqishëm grimosë
vështirësitë e të qenit,
Veshun me mrekullinë e ylberit,
Yllëzon sytë e errët e nganjiherë
dashunon dhe të padenjin.

Grua thuaje me za,
Të vërtetën tande!
Fjala jote nuk asht peng i egos së tjetrit./ KultPlus.com

“Mala” filmi që sjellë efektin e pseudo-gjykatave

Sot kanë filluar xhirimet për filmin “Mala” të metrazhit të gjatë me skenarë të Faton Bajraktarit dhe Trim Musliut, shkruan KultPlus.

Filmi sipas skenaristëve bazohet në ngjarje të vërteta të cilat kanë ndodhur gjatë luftës së fundi në Ballkan, asaj të Kosovës. Filmi në qendër të tij ka Malën, një dëshmitar i gjallë i tmerrit që ka përjetuar, masakrës por edhe gjykimit të padrejtë të tij nga ndërkombëtarët.

Ky film po realizohet mbi vullnetin e mirë të disa aktorëve profesionist dhe ekipit të filmit pa asnjë përfitim financiar, ka treguar skenaristi Trim Musliu. Sipas tij realizimi i këtij filmi po bëhet pasi që është përgjegjësi e të gjithëve që të rrëfehet e vërteta mbi drejtësinë.

“Një këndvështrim real mbi efektin ‘gjykatë speciale’ dhe pasojat e pseudo-gjykatave të ngjashme. Ne duhet ti paraqesim botës të vërtetën tonë si popull, çka kemi përjetuar, me çka po ballafaqohemi çdo ditë si pasojë e padrejtësive politike dhe si këto padrejtësi po mveshën me petkun e gjykatave të ndryshme që po marrin frymë dhe jetë vetëm tek ne në Kosovë. Deri kur zëri ynë do të shuhet nga zërat e padrejtë që marrin jehone nga një drejtësi e bazuar në të padrejtën , manipulimin dhe shtypjen”, është shprehur ai.

Regjinë e filmit e ka bërë Faton Bajraktari. Disa nga aktorët të cilët do të jenë pjesë e këtij filmi janë Abdullah Gjikokaj, Shkumbin Istrefi, Besim Ajeti dhe Esela Pasqyli. Drejtor i fotografisë është Isal Duraku./ KultPlus.com

Bebe Rexha vishet si plakë dhe flet shqip për të bërë shaka (VIDEO)

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Bebe Rexha ka publikuar një video qesharake në Instagram, përmes së cilës tregon se si e kalon kohën e lirë, shkruan KultPlus.

Në këtë video ajo është e veshur si plakë, përderisa flet shqip.

“Ja çfarë bëj në kohën time të lirë. Po, kjo jam unë e veshur si plakë dhe duke folur shqip”, ka shkruar ajo në Instagram./ KultPlus.com

A post shared by Bebe Rexha (@beberexha) on

Shpellën e Gadimes, në 8 muaj, e vizituan rreth 20 mijë turistë

Rreth 20 mijë vizitorë ka pasur deri në këtë fazë të vitit Shpella e Gadimes.

10 mijë prej tyre llogaritet të kenë frekuentuar brendësinë e kësaj shpelle të rrallë vetëm gjatë muajve të verës, raporton koha.net

Në mesin e shumë bashkatdhetarëve që vizitojnë këtë monument natyror, është edhe Rami Osmani nga Melburni i Australisë, që ka ardhur për të parë sërish shpellën pas 15 vjetësh.

“Vij nga Melburni për të vizituar Kosovën, në pushime. Kam qenë në këtë shpellë më 2003, është një atraksion shumë i mirë, të bën të kthehesh përsëri e përsëri për ta vizituar. E mrekullueshme!Shumë ndryshime mbaj mend nga 2003-ta, është kujtim i mirë nga ajo që mbaj mend. Ende nuk kam hyrë brenda, por besoj që do të jetë një përvojë e mrekullueshme”, ka thënë Osmani

Të kënaqur me shifrat, janë drejtuesit e shpellës. Por, thonë se ky numër do të mund të ishte edhe më i madh sikur Shpella e Gadimes të promovohej edhe përmes guidave shtetërore. Pos kësaj, shpella që menaxhohet nga Ministria e Mjedisit, ka nevojë edhe për investime. Rrjeti i ri i ndriçimit në Shpellën e Gadimes është një investim i domosdoshëm, pasi në të vjetrin, që daton nga vitet e ’70-ta, që atëherë janë bërë vetëm investime të pjesshme, por që janë të pamjaftueshme. Përderisa në Divizionin për Turizëm të Ministrisë së Tregtisë, nuk kanë dhënë asnjë përgjigje, në Ministrinë e Mjedisit kanë thënë se do t’i investojnë 25 mijë euro për ndriçim.

“Kemi në projekt, fazën e fundit të ndërrimit të lidhjeve, kabllove dhe instalimeve të nevojshme me një vlerë rreth 25 mijë euro, të cilat do ta rregullojnë sistemin përfundimisht për 10-20 vjetët e ardhshëm. Specifikimi dhe para-masat e projektit janë përgatitur; mjetet ka gjasa që t’i sigurojmë brenda dy javëve dhe ta publikojmë tenderin”, ka thënë Bajram Kadriu, zyrtar për informim në MMPH.

Rreth 40 mijë llogaritet të ketë qenë numri i vizitorëve të këtij atraksioni natyror gjatë vitit të kaluar./ KultPlus.com

Thënie nga Dostojevski: Kur ndaloni së lexuari libra, ju pushoni së menduari

Fjodor Dostojevski është një prej shkrimtarëve më të famshëm në letërsinë botërore. Veprat e tij madhështore ngrenë mjeshtërisht pikëpyetje mbi tema të rëndësishme të jetës dhe vdekjes.

Më poshtë janë disa thënie të këtij shkrimtari.

1. Duhet ta duash jetën, më shumë se sa vetë kuptimin e jetës.
2. Hedhja e një hapi të ri, nxjerrja nga goja e një fjale të re. Këto janë gjërat të cilave njerëzit u druhen më shumë.
3. Në mendjen e gjithsecilit prej nesh ka një kufi, përtej të cilit është e rrezikshme të shkosh. Pasi e ke kaluar atë kufi, është e pamundur të kthehesh mbrapa.
4. Lumturia nuk qëndron në vetë lumturinë, por në arritjen e saj.
5. Kur ndaloni së lexuari libra, ju pushoni së menduari.
6. Liria nuk gjendet në kufizimin, por në kontrollin e vetvetes.
7. Lumturia nuk vjen nga rahatitë tokësore, por fitohet përmes vuajtjes.
8. Në një zemër që dashuron vërtetë, ose xhelozia vret dashurinë, ose dashuria vret xhelozinë.
9. Nuk duhet shumë për të shkatërruar një person. Gjithë sa do ju duhet të bëni është ta bindni se puna që ai bën është krejt e padobishme dhe e pakuptimtë.
10. Heshtja është gjithmonë e bukur dhe një person i heshtur është gjithmonë më i bukur se një që flet.
11. Një person mund të jetë i mençur, por që të veprojë mençurish, vetëm inteligjenca nuk mjafton.
12. Kurrë nuk do të mbërrini në destinacionin tuaj, në qoftë se ndaleni dhe qëlloni me gur çdo qen që leh.
13. Unë dua të flas për çdo gjë me të paktën një person, ashtu si unë flas për gjërat, me veten time.
14. Është e pabesueshme se çfarë mund të bëjë vetëm një rreze dielli, për shpirtin tënd.
15. Njeriu duhet të flasë hapur me të tjerët, në një mënyrë që zbulon mendimet e veta të brendshme përmes fytyrës së tij, që zbulon hallet e tij, direkt përmes fjalëve. Një fjalë e thënë me bindje, me sinqeritet të plotë dhe pa hezitim, ndërkohë që e sheh tjetrin në sy, ka më shumë kuptim se dhjetëra faqe nga një libër.
16. Pa një objektiv në jetë, njeriu ndihet i mbytur.
17. Shpirti shërohet duke ndenjur me fëmijë.
18. Edhe një njeri që i ka duart e lidhura mund të bëjë shumë mirë, nëse do.
19. Bukuria do ta shpëtojë botën.
20. Njerëzit flasin ndonjëherë me një mizori kafshërore, por kjo është një padrejtësi e madhe dhe fyerje për kafshët; një kafshë nuk mund të jetë aq mizore sa një njeri, kaq artistikisht mizore.
21. Të rriturit nuk e dinë që një fëmijë mund të japë këshilla jashtëzakonisht të mira, edhe në rastet më të vështira.
22. Mos e mbushni kujtesën tuaj me të gjitha herët që jeni ndjerë të fyer; mund të përfundoni duke mos lënë asnjë hapësirë për momentet e mrekullueshme që keni përjetuar.
23. Një njeri, i cili e di se si të përqafojë një tjetër, është një njeri i mirë.
/bota.al/KultPlus.com

Inis Neziri nga Shqipëria, fituese e çmimit të madh “Dreri i Artë”

Inis Neziri nga Shqipëria, ka fituar çmimin e madh të Festivalit Ndërkombëtar “Dreri i Artë” 2018, shkruan KultPlus.

Çmimi ju dha nga fituesja e parë e këtij trofeu Luminica Dobresku. Inisi në këtë konkurs këndoi këngën rumune “Jap jetën për dashurinë”.

Inis Neziri, filloi të këndonte që kur mësoi të fliste, por karriera e saj muzikore filloi zyrtarisht kur ishte 12 vjeç. Inisi mori pjesë në garën “Gjeniu i Vogël 5” dhe fitoi çmimin e parë.

Bukuroshja shqiptare së fundmi fitoi edhe çmimin e parë në festivalin ndërkombëtar “Golden Stag” që u mbajt në Rumani. Inisi la pas shumë shtete, duke u bërë fituese edhe e çmimit të madh prej 25 mijë eurosh.
“Deri më tani ky çmim është hapi më i rëndësishëm që kam bërë”- u shpreh Inisi pasi mori çmimin e rëndësishëm./ KultPlus.com

Letër nga fundi i detit

Poezi nga Nizar Qabbani.

Nëse je mikja ime
më ndihmo… të më lësh
nëse je e dashura ime
më ndihmo… si të shërohem prej teje
Po unë e di
ky det është shumë i thellë dhe unë nuk di të notoj
e marr me mend si mund të jetë fundi
dhe nuk dua t’ia filloj

Unë të dashuroj… më mëso si të mos dashuroj
më mëso
si të këput rrënjët e dashurisë sonë gjer në fund
më mëso
që lotët të vdesin në sy e mi
dhe dashuria të bëjë vetëvrasje

Nëse je profete
më pastro nga kjo magji
më shpeto nga ateizmi
dashuria jonë është si ateizmi..më pastro nga ateizmi

Nëse je e fortë
më shpëto nga ky det
sepse unë nuk di të notoj
dallgët në sytë e tu më tërheqin drejt thellësive
blu
blu
asgjë tjetër veç blu
dhe unë s’kam përvojë në dashuri
s’kam as barkë që të lundroj

Nëse ende më do
më jep dorën
unë jam mbushur me dashuri për ty
nga koka te këmbët

Ende marr frymë nën ujë
unë jam duke u mbytur
duke u mbytur
duke u mbytur.

Përktheu Roland Gjoza./ KultPlus.com

Hysen Matoshi për Bislim Pirevën, arkivi që ecën

Nga Hysen Matoshi

Mr. Bislim Pireva, Dhuna shekullore në Gallap 2, botoi Asociacioni për Zhvillimin e Gallapit, Prishtinë, 2014.

Ka pasur studiues të së kaluarës sonë, të cilët nuk janë mjaftuar me dimensionin aksiomatik që kanë marrë konstatimet lidhur me dhunën shekullore serbe ndaj shqiptarëve. Faktin tashmë të pranuar botërisht (madje edhe në qarqe të cilat nuk rrezatojnë me ndonjë përcaktim të drejtë ndaj të vërtetës shkencore) ka pasur autorë që janë përpjekur ta përforcojnë vazhdimisht me të dhëna dokumentare, me nxjerrjen në dritë të burimeve të panjohura arkivore, me qëmtimin e bazës së gjerë të literaturës në plan kombëtar e ndërkombëtar, me interpretimin e duhur metodologjik e shkencor të tyre dhe veçmas me vjeljen e kujtesës sonë historike lidhur me ngjarje, jehona e të cilave është ende prezente në hapësirën tonë deri në ditët e sotme.

Qëndrimi paragjykues ndaj asaj që njihet si histori orale ka bërë që një gamë e gjerë të dhënash të mos trajtohen si të mirëfillta, si të verifikueshme dhe të qëndrueshme në raport me burimet e tjera historiografike. Me këtë nuk dua të them se kujtesa historike mund ta zëvendësojë lëndën arkivore, por e them me bindjen e plotë se edhe kujtesa kolektive e ka hisen e saj në të shkruarit e historisë. Fakti se si është ruajtur, se si është transmetuar, se si ka arritur deri në ditët e sotme, mund edhe ta shtrojë për diskutim çështjen e saktësisë faktografike, që lidhet me kohë ndodhjen, ose me përmasat reale të ngjarjes, por në asnjë rast nuk mund të lihet anash karakteri i saj sintetizues, që nxjerr në pah esencën e fakteve historike. Kujtesa historike e trevës së Gallapit saktëson, në mënyrë aksiomatike, esencën e materies së trajtuar: ekzistimin e vazhdueshëm të dhunës shekullore serbe, kuptohet pa pretenduar se çdo trajtë, ose çdo viktimë e saj,të jetë faktuar në vëllimet e punës disavjeçare të Bislim Pirevës, njohësit më të kompletuar të së kaluarës së Gallapit, qoftë si material burimor arkivor e i literaturës, qoftë si kujtesë e transmetuar nga brezi në brez.

Studiues me interesime të gjera

Studiues me interesime të gjera albanologjike nga fusha e gjuhësisë, saktësisht dialektologjisë, ku shfaqet si autor që studion një të folme të Gallapit, atë të Jabllanicës së Epërme, pastaj nga fusha e leksikologjisë, si autor fjalorësh, autor i dy monografive për historikun e arsimit shqip të trevës së Medvegjës dhe të trevës së Tygjecit, zë kundërshtues ndaj të pavërtetave që thuhen për shqiptarët, tani së fundmi edhe autor i një libri polemizues me tezat e vjetruara e falsifikuese të historiografisë serbe, por edhe mbledhës dhe botues i trashëgimisë folklorike të Malësisë së Dardanës i monografive e shkrimeve për çështje të ndryshme të trevës, të arsimit, të kulturës etj., Bislim Pireva i ka hyrë realizimit të projektit më madhor të të gjithë veprimtarisë së tij intelektuale e profesionale që lidhet me të kaluarën e dhimbshme të Gallapit, njërës ndër krahinat etnografike shqiptare, e cila pati fatin të përballej me dhunën e pandalshme shekullore që vinte nga ambiciet serbe për të mbizotëruar në këtë hapësirë etnike shqiptare.

Përmasat e pësimeve të drejtpërdrejta, por edhe të atyre indirekte, dhe vijueshmëria konstante e kësaj dhune e kanë tërhequr vëmendjen e autorit, i cili ka filluar, para shumë vitesh, të mbledhë të dhënat nga kujtesa e banorëve të moshuar, për të ndërtuar prej tyre versionin që ishte përjetuar për më shumë se një shekull histori. Fillimisht, autori ynë më 2010, botoi vëllimin e parë, në të cilin gjetën vend të dhënat për dhunën serbe të ushtruar mbi shqiptarët e katër fshatrave që u ndodhën në vijën e parë të mbrojtjes nga mësymjet serbe për të depërtuar në territorin e Kosovës së sotme, përkatësisht të dhënat për të vrarët, të burgosurit dhe të dëbuarit nga vatrat stërgjyshore të banorëve të fshatrave Tygjec, Svircë, Gmicë dhe Zajqec. Numri i të vrarëve vetëm nga këto fshatra për periudhën e pushtimit, sipas të dhënave të mbledhura, ishte 241 sish. Historitë zyrtare nuk e njohin përmasën e kësaj tragjedie: nuk e njihnin dje, e besa nuk e njohin as sot. Kjo për faktin se shpesh janë shkruar nën diktatin censurës të politikës sllavo-komuniste, por edhe nën ndikimin e konstatimeve të njëanshme të historiografisë zyrtare serbe.

Plaga e dytë e Gallapit

Vëllimi i dytë i projektit “Dhuna shekullore në Gallap” është në vazhdën e prezantimit të të dhënave të këtij krahu tematik, të mbledhura nga më se 40 fshatra të tjera të Gallapit, në një shtrirje të disa komunave, duke filluar nga Prishtina, për të vijuar me Gjilanin, Artanën, Dardanën, Bujanocin dhe Medvegjën. Një terren i gjerë, krahas një hapësire kohore me një shtrirje përtejshekullore, nuk kanë qenë pengesë e pakalueshme që Bislim Pireva të sigurojë të dhëna edhe për 832 shqiptarë të tjerë, jetët e të cilëve u shuan në ndërmarrjet vrastare të pushtuesve serbë.

Përgjithësisht, në të dy vëllimet e deritanishme, autori ka siguruar të dhëna për 1073 shqiptarë të kësaj treve, të cilët në një hark kohor prej më shumë se një shekulli, ose janë ekzekutuar si robër dhe popullsi e pambrojtur nga ekspeditat ndëshkuese serbe, ose kanë rënë në përballje me to, duke mbrojtur kufirin e atdheut etnik. Me këtë rast, gjithsesi, duhet theksuar edhe faktin se një numër i konsiderueshëm i tyre kanë përfunduar si të zhdukur, pa mbetur prapa tyre as edhe një gjurmë fizike. E vetmja gjurmë që kishte mbetur prej tyre ishte kujtesa e familjarëve dhe e bashkëvendësve, një kujtesë plot dhimbje e mallëngjim. Mbi bazën e saj,autori Bislim Pireva ua ka ngritur, le të themi, një lapidar të vogël, por shumë vezullues në ndërgjegjen tonë, një gjurmë të patretshme, e cila, brezat e ardhshëm të studiuesve tanë mund t’i shpjerë edhe në rrugën e kërkimit të faktografisë dokumentare arkivore.

Dimensioni i dhunës së pushtuesit nuk ka të bëjë vetëm me jetët e shuara të shqiptarëve të kësaj treve. Në përmasa edhe më të gjera dhuna shfaqet nëpërmjet torturave fizike e psikike, keqtrajtimeve të rënda e burgosjes, deri te dëbimet masive për në Turqi dhe vise të tjera shqiptare, gjithnjë me qëllimin që potenciali rezistues kombëtar shqiptar në Gallap të dobësohej, të thyhej kjo barrierë kompakte etnike që ishte bërë pengesë e sllavizmit të Kosovës. Prandaj, autori me kujdes të madh ka mbledhur të dhëna për zhvendosjen e popullsisë dhe për llojetë tjera të dhunës. Këto metoda aplikoheshin nga organet shtetërore serbe qëllimisht, si zëvendësim për vrasjet, ngase jo rrallë fati i të keqtrajtuarve ose i të burgosurve bënte më shumë efekt dekurajues popullsia vendëse, madje më shumë edhe se vetë vrasjet ndaj saj. Autori e ka identifikuar qëllimin themelor të kësaj dhune të zbatuar në vijimësi nga Serbia, që mund të përmblidhet në sintagmën: sundimi i tokave shqiptare, por gjithsesi pa shqiptarë.

Secili prej nesh ka një qëllim jetësor, ka një formulë me të cilën e drejton jetën e vet. Formula jetësore e Bislim Pirevës është puna e pandalshme për të dëshmuar historinë e pësimeve të trevës së Gallapit nën dhunën e egër e sistematike serbe. Kjo punë e deritashme e tij dhe e ndonjë autori tjetër, sikundër është fjala vjen Ramadan Ibrahimi, i cili gjithashtu ka bërë një punë të mirë në këtë drejtim, është rezultat i përcaktimit jetësor dhe i vullnetit sakrifikues, i realizuar pa ndonjë mbështetje të duhur dhe pothuajse pa asnjë mbështetje institucionale. Është koha e fundit që kapacitetet e këtilla të mbështeten për ta njohur më mirë të djeshmen tonë, për ta ndërtuar më mirë të sotmen tonë dhe për të ecur më të sigurt në projektin tonë të ardhmërisë si një komb i lirë.

Ky tekst është lexuar në përurimin e njërit ndër librat e fundit të mr. Bislim Pirevës. Publikohet si homazh nga Hysen Matoshi, për ndarjen e tij nga jeta. / KultPlus.com

Edon Shileku, student i aktrimit tregon si u largua nga “Traffic Gallery”

Edon Shileku 21 vjeçar ka treguar sesi është larguar nga lokali “Traffic Gallery” me arsyetimin se nuk pranojnë persona që i takojnë komuniteti LGBT. Traffic Gallery është një kafene por edhe një galeri arti në qendër të Prishtinës.

Ishte nisur me miqtë e tij për të pirë një kafe në një nga lokalet në qendër të kryeqytetit të Kosovës, Prishtinë. Edon Shileku, 21 vjeçar dhe student i aktrimit, bashkë me një shok dhe dy shoqe kishin zgjedhur lokalin “Traffic Gallery”, që gjendet në rrugën “Qamil Hoxha” në Prishtinë, por kur kishin shkuar aty, kamerieri jo vetëm që nuk ia kishte shërbyer kafenë por me urdhër të pronarit të lokalit edhe i kishte larguar nga aty, me arsyetimin se “nuk i shërbejnë personave të komunitetit LGBT”.

Ai në një intervistë të dhënë për KosovaPress ka treguar në detaje ngjarjen dhe sesi janë larguar nga lokali “Traffic Gallery”.

Pronari i lokalit Burim Berisha nuk ka pranuar që të flasë para kamerave për KosovaPress mirëpo ka njoftuar se e gjithë kjo është një keqkuptim dhe ka për qëllim që të dëmtojë imazhin e lokalit edhe pse nuk ka mohuar largimin e Edonit dhe miqve të tij.

Në lidhje më këtë pati reaguar edhe një faqja e njohur si Dylberizimi e cila ka për qëllim që të ngrit vetëdijen e qytetarëve në lidhje me komunitetin LGBT.

Kafeneja Traffic Gallery e largon arsyetimin pse nxorri jashtë të rinjtë e komunitetit LGBT

Ura e Tamarës në Kelmend drejt restaurimit

Instituti i Monumenteve të Kulturës njoftoi se Këshilli Kombëtar i Restaurimeve ka miratuar projektin për: “Restaurimin e Urës së Tamarës”, Kelmend.

Projekti i hartuar nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulture Shkodër parashikon ndërhyrje konsoliduese – restauruese në urë.

Instituti i Monumenteve të Kulturës mirëpret çdo bashkëpunim dhe mbështetje e cila kontribuon në ruajtjen e trashëgimisë sonë kulturore.

Vermoshi gjendet në një distancë prej 95 km nga qyteti I Shkodrës. E gjithë kjo zonë quhet krahina e Kelmendit. Mbasi udhëtohet në një rrugë spektakolare malore nga Shkodra për në Vermosh, duke kaluar objekte të tilla si qafën e Rrapshit dhe urën e Tamarës mbi lumin e Cemit, udhëtari mbërrin në fshat, i cili është ngritur mbi një fushë malore të krijuar nga lumi i Vermoshit, apo siç quhet ndryshe lumi i Limit.

Kjo luginë me origjinë akullnajore është vendosur në lartësinë 1.100 metra mbi nivelin e detit. Në të dy anët e luginës ngrihen shpate malesh me pjerrësi të konsiderueshme dhe të veshura me pyje dhe kullota. Bimësia drunore përbëhet kryesisht nga ahu dhe halorët. Vermoshi shquhet për panoramën e tij si dhe për reshjet e dëborës që zgjasin afro 100 ditë në vit./ KultPlus.com

‘Ma zor mblidhen dy shqyptarë, sesa mblidhet nji thes me pleshta’

Gjergj Fishta

Kishin hyp nji rreze dilli,
Ai Shën Pjetri e ai Shën Mhilli,
E po flisnin për i hall t’vjetër,
Ai Shën Mhill me njat Shën Pjetër

Se Shqypnia u rrudh e vogël,
Për shqyptart, sa një gogël.
Lene t’shejt e mos ta zgjasim,
Zbresin n’tokë Shqypnin ta masin.

Morën tshejt nji lamsh t’mashit
Nisen matjen n’Preveze t’tashit.
Mirëpo lamshi u ka mej,
Sa arritën t’Shejtit n’Qafë-Pejë.

Edhe nejse, mos me u zgjat,
Si me mat Shqypnin e ngratë,
Peni i mashit asht mbaru…
Vrik, kalon dreqi i mallku!

I kanë pre kryet, lekurën i kanë rru,
E me atë lesh kanë ba nji dredhë t’Djallit.
Qysh se u mat me lesh t’Djallit,
Asnji punë s’na shkon për s’marit.

Sesa nisim nji pune t’re,
Të parët që e prishim, jemi ne!

Troç, dy fjalë, kombit mbarë,
Sy me sy me ja thanë deshta:
Ma zor mblidhen dy shqyptarë,
Sesa mblidhet nji thes me pleshta.

Shtatori e ka vetëm një emër, ‘La Casa de Papel’

Nuk duhet në asnjë mënyrë t`ju ikë nga vëmendja një serial i ri.

“La casa de papel”, në gjuhën spanjolle, po mërr famë nëpër botë me realizimin e tij perfekt dhe transmetimin në platformën Netflix.

Dy sezone të serialit tanimë janë kritikuar pozitivisht. Në prillin e 2019-tës pritet të dalë edhe sezoni i tretë.
Nuk po zbulojmë shumë. Një grup bashkohet për të marrë pengje brenda Bankës Mbretërore të Spanjës. Një profesor dirigjon gjithçka, por ndoshta nuk ka kontroll gjithë çka ai mendon.

https://www.youtube.com/watch?v=EBKdrzaVmVk

Tetë personazhe që nuk kanë asgjë për të humbur futen në këtë eksperiment, që përfundon të mos jetë i tillë.
Netflix ka zbuluar se seriali, në sezonin e tretë, do të jetë edhe më i zjarrtë në trajtim. Versioni në anglisht i serialit e ka titullin “Money Heist” ndërsa episodi i parë u lansua më 2 maj të vitit të kaluar.

https://www.youtube.com/watch?v=rLTD_AD91uE

Një dramë që nuk duhet ta humbisni. Shikoni dy sezonet e para të serialit dhe do të bindeni për suksesin e tij absolut, edhe pse në gjuhën spanjolle.

Për fund, po zbulojmë se pjesë e serialit dhe identitetit të tij është kënga “Bella Ciao” – kënga e njohur antifashiste italiane. / KultPlus.com

Grupi Elita 5 me koncert madhështor në Tiranë

Nga Tetova vjen një grup muzikor që nuk e humb shkëlqimin prej 30 vitesh. Ata janë Elita 5, pionerët e rokut shqiptar, këngët e të cilëve i njohin të gjithë. Djemtë e Elita 5 po përgatisin një koncert që do të mbahet në Amfiteatrin e Tiranës për të festuar 30-vjetorin e bashkimit të tyre si dhe të prezantojnë albumin e ri “Tornado”. Me solistin e grupit, Arif Zyberi, Besim Ibrahimin dhe Nexhat Mujovin bisedoi Jetona Koçibelli.

Askush nuk mund të mos ketë ngelur i prekur nga emocioni që shkakton Elita 5. Me muzikën e tyre të ndierë, me stilin “rock” dhe me magjinë e sharmin e tyre, kur vjen puna tek legjendarët ne i përulemi suksesit të tyre. Elitarët janë pesë, ashtu siç e filluan para 30 vitesh. Me Al Capone, Sajzezën, E urrej shiun, Udhëtari i natës, e deri tek më të fundit, Nuk jam unë diktator, Çmendem e së fundmi Tornado.

Koncerti vjen me 7 shtator në Amfiteatrin e Tiranës.

Artifi, Mevaipi, Besimi, Agroni, Valoni e Nexhati si producent erdhën në Tiranë për të filluar përgatitjen për koncertin e madh të 30-vjetorit të tyre, në Amfiteatrin e Liqenit, organizuar nga Bashkia Tiranë.

Pse në Shqipëri?

“Duhet ta pranojmë për gjithë shqiptarët që jemi jashtë kufijve të Shqipërisë, kryeqendra e shqiptarisë ka qenë Shqipëria dhe Tirana. Dhe jo rastësisht ky koncert do të zhvillohet në Tiranë”, thotë vokalisti.

Grupi është krijuar në 1988. Si ishit atëherë? Të njëjtë apo me ëndrra më të mëdha?

Ëndrrat e atëhershme janë bërë realitet. Vetëm mosha na ka ndryshuar.

Kush ju ka bërë që t’i shkruani kaq bukur baladat? Stili apo dashuria?

Muzikën e bën Virusi, tekstet i bën ekipi ynë. Kjo nuk do të thotë se nuk bëjmë tekste, pasi të gjitha baladat kanë qenë me sugjerimin tonë. Janë historitë tona.

Ka patur shumë momente të rëndësishme historike në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni përgjatë këtyre dekadave, si kanë ndikuar ato në artin tuaj?

Po normale që ka ndikuar, sipas situatës që ka qenë, ashtu edhe kemi krijuar. Jeta e përditshme është ajo që të motivon të krijosh diçka, qoftë mllefi, qoftë dashuria…

E kujtoni besoj koncertin e madh kur erdhi grupi “Scorpions” në Tiranë?

Ka qenë një moment shumë i vështirë për ne, pasi ndërkohë që shfaqej koncerti, ne në Maqedoni kishim luftën dhe më kujtohet një rast që kur filloi koncerti, pjesa e Scorpions, u ula në publik dhe thirra shoqen time dhe i thashë dëgjojë Scorpions. Dhe ajo tha shumë bukur, por dëgjo ti çfarë po ndodh këtu, në Tetovë. Kishte krisma të mëdha. Ishte një eksperiencë shumë e madhe për ne, që do ta kujtoj gjatë gjithë jetës sime.

Përveç të tjerash keni krijuar edhe një imazh tepër të qëndrueshëm si një grup stoik që i ka rezistuar kohës. Çfarë ju ka mbajtur gjatë për kaq shumë kohësh?

Na ka mbajtur shoqëria, sepse jemi të një qyteti. ka qenë ajo në fillimet që kemi qenë edhe jemi njohur fqamiljarisht. Ndërsa në punë na ka mbajtur korrektësia ndaj punës dhe publikut.

Çfarë do të na këndoni?

Do të këndojmë këngë nga repertori i Elita 5, kemi bërë një përzgjedhje shumë reale duke u bazuar në Youtube, se cilat këngë janë më të kërkuara.
Shpresojmë që edhe publiku t’i këndojë këngët, për mua do ishte dështim koncerti nëse nuk këndojmë bashkë atë natë.
Uroj që atë natë mos e urrej shiun, të kemi një kohë të bukur. por besoj se nuk do të kemi shi. / Gazeta Shqip / KultPlus.com

Viti i ri shkollor nis me 10 ditë vonesë në dy shkolla në kryeqytet

Dy shkolla fillore në kryeqytet, “Elena Gjika” dhe “Pavarësia”, nuk do të fillojnë vitin e ri shkollor të hënën për shkak të renovimeve të papërfunduara.

Lajmin e ka bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë, Jonuz Salihaj, drejtor i arsimit në Komunën e Prishtinës, i cili tha se këto dy shkolla do të fillojnë mësimin 10 ditë me vonesë.

“Për Elena Gjikën kemi pasur disa probleme, është dashur të bëjmë investim 200 mijë euro për shkak të renovimeve. Elena Gjika është objekt i mbrojtur, na kanë penguar 10 ditë duke na vonuar lejen për renovim, prandaj është bërë vonesa”.

“Sa i përket shkollës “Pavarësia” kemi pasur kërkesa të shumta të nxënësve për shkak se është rritur numri i paraleleve të reja, është dashur të shtojmë edhe tri klasa dhe një kabinet”, tha Salihaj.

Salihaj shtoi se ditët e humbura të mësimit do të zëvendësohen deri në fund të vitit shkollor.

Ndahet në Kalkutë çmimi ndërkombëtar ‘Nënë Tereza’

Është ndarë për këtë vit Çmimi Ndërkombëtar Nënë Tereza.

Tradicionalisht, çmimi jepet në fusha të ndryshme. Në fushën e muzikës, për shfrytëzimin e saj në shpërndarjen e paqes nëpër botë, kompozitori nga Banglladeshi – Kaushnik Hossain Taposh dhe personaliteti Farzana Munni kanë marrë çmimin për sivjet.

Çmimin dyshja e morri në Kalkutë, aty ku e kaloi një pjesë të mirë të jetës bamirësja Nënë Tereza.

Dita u bë edhe më e veçantë me rastin e ditëlindjes së 108-të të bamirëses të cilën e njeh bota mbarë.
Dyshja kanë qenë pjesë e Kampanjës “Wind of Change – Music for Peace” e cila bëri për vete 55 artistë nga 33 shtete drejt promovimit të paqes me anë të muzikës.

Në këtë Kampanjë morrën pjesë edhe emrat si Ruslana nga Ukraina, këngëtarja Senan nga Turqia dhe Mekaal Hasan nga Pakistani. / KultPlus.com

Esenini, letër për nënën e munguar

Sergei Alexandrovich Yesenin

Gjallë je, nënoke?
Edhe unë gjallë jam!
Shëndet më paç, shëndet!
dritë e beftë krejt kjo mbrëmje e lum
Izben tënde, që me mall më pret

Thon se je ligur e je tretur
Nga meraku im, por nuk ankon
Se, pështjell me një shall të vjetër
fillikat rrugës shpesh kalon

Dhe kur mugëtirë e kaltër bie
një vegim i zi të kall ty frikë
Sikur në sherr diku në pije
Vjen dikush e ma këput me thikë

Kot e dashur, vuan kaq, besom
Brenga t’i fanit këto ndër sy
S’jam aq pijanec i lig sa thonë
Si do vdes pa të të parë ty?

Unë jam po foshnje, si njëherë
Dhe një shpresë veç ushqej në gji
T’iki nga ky tym e kjo poterë
te shtëpiza jonë aty të vij

Dhe do vij, kur kopshti ynë i bardhë
Anekënd të vishet me blerim
Vetem ti, si tetë vjet më parë
Mos më zgjo aq herët në agim.