Apoloni, 36 478 vizitorë gjatë periudhës janar-gusht 2018

Parku Arkeologjik i Apolonisë është vizituar nga mbi 36 478 vizitorë gjatë muajve janar – gusht 2018.

Sipas shifrave të publikuara nga Ministria e Kulturës, gjatë kësaj periudhe ka pasur një rritje të konsiderueshme të vizitorëve, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2017, ku u vizitua nga 21 117 vizitorë.

Parku Arkeologjik Kombëtar i Apolonisë, përveç vizitorëve që janë në rritje, ofron edhe shërbim cilësor me vendosjen e biletarisë elektronike. Ai është një nga 7 sitet e vendosura në sistem.

Apolonia në Fier është një nga sitet më të rëndësishme të Shqipërisë, por edhe një nga qytetet më të mëdhenj në botën antike. Si një nga 27 Apolonit e pellgut të Mesdheut, ajo paraqet vlerat e trashëgimisë tonë arkeologjike./ KultPlus.com

“Kodi i nderit” së shpejti nis xhirimet në Kosovë, Margarita Xhepa në kastën e aktorëve

“Kodi i nderit”, filmi i metrazhit të gjatë me skenar nga Valton Jakupi dhe Lirie Sahiti, e regji të Valton Jakupit, në muajin tetor nis xhirimet edhe në Kosovës, shkruan KultPlus.

Pas disa ditë xhirimeve në Shqipëri tashmë ky film do të xhirohet edhe në Kosovë, me një kastë aktorësh të njohur për publikun shqipfolës.

Filmi flet për fëmijët jetim binjak, për jetën dhe vështirësitë e tyre në familje të papërgjegjshme.

Në rolet kryesore janë Dijart Sylejmani dhe Lorena Jakupi, ndërsa në rolet e tjera vijnë Margarita Xhepa, Xhevdet Doda, Adem Zhitopotoku, Anita Muriqi, Selam Jusufi, Sulejman Lokaj (i ndjerë) Blerim Hasani, Dafina Restelica, Leonit Maloku, Osman Tahiri, Rei Guri e shumë aktorë të tjerë.

“Skenat me aktorin e madhe Sylejman Lokaj janë kryer para disa muajve shkaku i gjendjes se tij shëndetësore, por për fat të keq që nuk është tashmë në mesin tonë starti i fillimit të filmit do të jetë pak më ndryshe. Por jemi krenar që është në filmin tonë ashtu siç do të jetë gjithmonë në zemrat tona”, ka thënë për KultPlus regjisori Valton Jakupi.

Filmi është prodhim i kompanisë filmike International Film Europe në bashkëpunim me Movi Design dhe Theater Antika. Ass. Regjie do të jetë Anita Muriqi ndërsa xhirimet në Kosovë i janë besuar produksionit filmik Evolution Production nga Bujanoci me drejtor Jeton Ismailin. Filmi nis xhirimet më 3 tetor në fshatin Hodonoc të Komunës së Kamenicës./ KultPlus.com

Aktori Arti Lokaj, në nëntor para producentëve dhe agjentëve në Chicago

Në mesin e një audicioni të rreptë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Arti Lokaj ka arritur të triumfojë.
Aktori i ri nga Kosova ka mahnitur në një audicion në Nju Jork.

Tanimë pjesë e disa filmave në Kosovë, Lokaj ka arritur që të jetë i vetmi i pranuar në mesin e mbi 170 pjesëmarrësve në këtë audicion nga Launchshowcase.

Në muajin nëntor, Lokaj – i cili së fundmi ka qenë pjesë e filmit “Gardhi” nga Lendita Zeqiraj, do të paraqitet para producentëve dhe agjentëve në Chicago për të provuar veten drejt një karriere filmike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Javën e kaluar, performanca e tij ka bërë që ai të përzgjedhet në mesin e 179 fëmijëve tjerë.

Arti Lokaj ka luajtur edhe në “Aga’s House” dhe “Rooftop Story”. / KultPlus.com

Sonte nis Etno Fest 8

Sonte në fshatin Kukaj, nis edicioni i tetë i festivalit Etno Fest, shkruan KultPlus.

Festivali nis me “Riti i stolisjes së nuses ilire” në interaksion me publikun (Muzeu i Kosovës & Etno Fest) me fillim nga ora 17:00 deri në 18:30.

Pas kësaj vjen “MARUBI” studio e fotografimit bardhë e zi me veshje tradicionale, e hapur për publikun e gjerë e kështu me radhë deri në orët e vona të natës, ku në Etno Neja, do të performojë “Melodia e Vjeter” dhe Nezafete Shala.

Në vijim po sjellim të plotë programin e natës së parë të Etno Fest, për të gjithë ata që sonte duan ta kalojnë një natë që të kthen parapa në kohë./ KultPlus.com

Iu dha lamtumira e fundit Aretha Franklinit

Muzikantë, politikanë, celebritë dhe mbështetës u mblodhën të premten në Detroit të Shteteve të Bashkuara për funeralin e këngëtares Aretha Franklin.

E njohur si mbretëresha e muzikës Soul, Franklin ka vdekur këtë muaj nga kanceri. Ajo ka qenë 76 vjeçe.

Funerali u përcoll me performancat e Stevie Wonder, Ariana Grande, Faith Hill dhe Chaka Khan.

Ish-presidenti amerikan, Bill Clinton, ka qenë në mesin e folësve.

Franklin ka kënduar për herë të fundit në nëntor, në një mbrëmje gala në Nju York, shkruan REL. /KultPlus.com