Banesa shkodrane Jubani, thesar i arkitekturës

Banesat shkodrane njihen për vlerat arkitekturore, kulturore dhe historike që ato mbartin.

Gjithnjë e më shumë këto banesa janë në vëmendjen e institucioneve përkatëse për t’i mirëmbajtur, në mënyrë që të ruajnë këto vlera dhe të jenë atraksione të denja turistike.
Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Shkodër bën të ditur se po kryen punime mirëmbajtje në banesën e Mati Jubanit, e shpallur “Monument kulture” në 1973.

“Çdo ditë me monumentet. Punime mirëmbajtje në banesën Mati Jubani, qendra historike e qytetit të Shkodrës. Monument kulture i kategorisë së I”, thekson DRKK, Shkodër.

Shtëpia Muze Zef Jubani, që gjendet në rrugën kryesore të qytetit ose në rrugicën Ndoc Coba, ka një histori afro 200 vjecare dhe është ndërtuar për ti shërbyer familjes shkodrane të Zef Mesit. Në këtë banesë lindi dhe u rrit ylli i skenës teatrore, aktori shkodran Zef Jubani. Shtëpia ka vlera të mëdha etnografike, historike e arkitekturore. Kati i sipërm i ndërtesës ka 5 dhoma, të cilat ndërlidhen njëra me tjetrën përmes një çardaku. Dy nga odat janë pajisur me oxhakë të bardhë tradicional të punuar me mjeshtri në gips, shkruan ata.

Po ashtu nuk mungojnë objekte të tjera karakteristike si djepi në dru të gdhendur e ngjyrosur me motive të ndryshme, ku u rriten të gjithë fëmijët e familjes, por edhe arka e pajës prej drurit me motive të pikturuara./ KultPlus.com

Relikuari i Beratit, pjesë e fondit të Muzeut Etnografik

Një objekt i pazakontë i marrë nga kisha e Vangjelizmoit (Kala), ka qënë pjesë e ekspozitës së Kulturës Popullore në xhaminë e Beqareve e tani është pjesë e fondit të Muzeut Etnografik, Berat.

Nuk ka shumë informacion për të dhe prej nga ka mbërritur në qytetin e Beratit. Është përshkruar nga Bushbek në vitin 1918. Sipas Guntram Koch mendohet që kemi të bëjmë me një relikuar.

Një kuti prej mermeri me përmasa shumë të vogla (gjë jo e zakonshme) pa kapak, i zbukuruar nga të katër anët ndërsa në pjesën e brendshme ndodhet një kryq i ngritur në relief të bëjnë të mendosh se kemi të bëjmë me një objekt kulti të krishterë të periudhës paleokristiane, me një relikuar për mbajtjen e relikeve të një apo disa shenjtorëve, shkruan ata.

Relikuari i Beratit, ky objekt i veçantë për nga madhësia, dekoracioni e forma po sipas Guntram Koch, është i pazakontë dhe nuk gjejmë shembuj të tjerë./KultPlus.com

Nata e dhjetë e Kamerfest me një harmoni të veçantë mes pianos e violençellos

Gili Hoxhaj

Festivali i Muzikës Kamertale – Kamerfest mbrëmë arriti të sjellë koncertin e dhjetë me radhë të titulluar “Udhëtim në Itali”, me bashkimin e një harmonie tingujsh mes instrumentit të pianos nga loja e italianit Maurizio Baglini dhe nga loja e violonçelisti nga Shqipëria Vlorent Xhafaj.

“Kleine Suite op. 23, për violonçello dhe piano” e kompozitorit italian Ferrucio Busonit hapi këtë mbrëmje, ku në lundrimin e tingujve që gjenin bashkimin në sallë, me koordinim në çdo hap të veprës, ata arritën ta mbajnë publikun në lojën e tyre deri në përfundim të kësaj vepre. Pas kësaj, të dy instrumentistët të ulur pranë njëri- tjetrit me një përjetim e prani artistike në secilin tingull e lëvizje sollën zbërthim të veçantë të veprave të kompozitorit Franz Liszt.

“A la capella Sistinia për piano solo” e Franz Liszt i dha mundësinë publikut të Prishtinës të shijojë për pak tërë lojën plot mjeshtëri e precizitet të artistit italian Maurizio Baglini. Qëndrimi i tij me pianon nuk është shumë i afërt, e shkëputja e gishtërinjve të tij nga pianoja nuk ishte e zakonshme. I zhytur tërësisht në lojën e tij, kapërcimi nga një tingull në tjetrin sillte një kontinuitet të një loje të bindshme e plot përqendrim. Mënyra se si shkëputej nga piano e bënte që publiku të ndjente tingujt që ai dhuronte, e mënyra se si e mbante lojën në të bënte që publikun ta marr me vete.

Pianisti i njohur italian Maurizio Baglini, thotë se kishte dëgjuar shumë për Kosovën dhe gjithnjë e ka mbajtur entuziazmi që të vij dhe ta eksplorojë këtë vend dhe këtë shoqëri që e quan multikulturore. Ai thotë se këtu gjen një motiv të veçantë për të luajtur.

“Kosova veçanërisht më jep shumë motivim që të luaj, sinqerisht nuk dua të ju jap komplimente por fuqishëm besoj se këto vende ballkanike do të jenë e ardhmja e Evropës, jo vetëm në kuptimin filozofik, sociologjik por edhe ekonomik. Audienca këtu dhe në Tiranë përben një numër të madh të të rinjve në krahasim me vendet e tjera dhe kjo është shumë inkurajuese”, u shpreh Baglini.

Ai tha se ka luajtur edhe më parë me çelistin Xhafaj dhe thotë se ndonjëherë kanë vizione të ndryshme dhe kjo e bën bashkëpunimin e tyre akoma më pozitiv.

“Ruralia hungarica op.32d, për violonçello dhe piano” e kompozitorit hungarez Erno von Dohnanyi erdhi para përmbylljes së veprës kulminante të kompozitorit të njohur Frederic Chopin. “Sonata për violonçello dhe piano, op. 65” përmes lojës së brendshme solli një gërshetim të magjishëm muzikor tek publiku. Çelisti nga Shqipëria Vlorent Xhafaj, tregoi për rëndësinë e veprave që i sollën mbrëmë publikut të Prishtinës. Ai tha se mbrëmë sollën një repertuar që nuk luhet shumë shpesh por që është shumë i rëndësishëm pasi që vet kompozitorët janë shumë të rëndësishëm, por që disa prej veprave të tyre nuk janë luajtur shumë në histori.

“Për veprat e Liszt për violonçel dhe piano ka një arsye sepse ato nuk kanë qenë të njohura dhe janë zbuluar para dhjetë vitesh dhe mandej janë kompozuar dhe riparë nga disa violonçelist të njohur dhe ka shtatë – tetë vite që luhen edhe në Evropë. Janë vepra të periudhës së vonshme të Liszt, janë vepra të brendshme dhe shumë celebrale pastaj vepra e Dohnanyi është një vepër me tema ballkanike mjaft të forta dhe gati duket si muzika jonë por mjaft e përpunuar mirë sepse kompozitorët e mëdhenj kështu e kanë, e marrin muzikën ashtu siç është bruto dhe e bëjnë një kryevepër më pak prekje të vogla dhe ajo mbetet gjeneratë pas gjenerate dhe bëhet muzikë e njohur edhe për vendet e tjera. Busoni është një kompozitor me ndikim të madh të Bachh dhe çdo vepër e tij është me tema të Johann Sebastian Bach” tregoi Xhafaj.

Ai tha se ndihet i lumtur që për herë të parë performon në Kosovë ndërsa që një kohë të gjatë dëshironte që të luante këtu.

“Sonte salla ishte shumë e ngrohtë dhe u ndjemë shumë mirë. Me instrumentin në të cilin luaj është një instrument i dedikuar muzikës së dhomës (kamertale) si në sonet, kuartet dhe trio dhe për muzikën e ansamblit të vogël dhe luajmë vazhdimisht në festivale të tilla kurse jam shumë i lumtur që festivalet e tilla ka edhe në Kosovë dhe bashkëpunimet mes artistëve nga jashtë, nga Kosova dhe Shqipëria janë më konkrete”, u shpreh tutje Xhafaj.

Veprat që erdhën mbrëmë dëshmuan edhe virtuozitetin e instrumentistit Xhafaj, i cili e nisi dhe e përfundoi mbrëmjen me një afërsi muzikore me publikun e veprat, ndërsa prishtinasit shijuan për herë të parë lojën e tij. Me sytë e mbyllur e në koordinim me pianistin erdhën deri tek vepra e Chopin, të cilën e quajtën kulminante. Kjo vepër është një nga kompozimet e fundit të Chopin.

“Kjo sonatë është vepra e fundit që e ka përfunduar kompozitori, ajo është kryevepër absolute dhe ishte shumë mirë ta përmbyllim koncertin me të”, tregoi Xhafaj për KultPlus.

Një lojë të tillë bindëse e kishte përjetuar edhe publiku i Shqipërisë ku kjo dyshe kishin përformuar dy netët e fundit. Xhafaj tregoi se tash e një kohë të gjatë njihen me pianistin Maurizio Baglini por vetëm vitin e fundit kanë krijuar një raport më të thellë në aspektin e bashkëpunimit muzikor.

“Me pianistin kemi luajtur këtë vit për herë të parë por njiheshim prej 15 vitesh kur unë isha student në Paris dhe ai jetonte në Paris. Tanimë kemi edhe njohje më të thellë muzikore dhe programojmë gjëra në skenë. Poashtu kemi edhe projekte të reja dhe ishte goxha e ndjeshme, pardje kemi luajtur në Tiranë, dje në Durrës dhe sonte jemi në Prishtinë, po e mbajmë atë adrenalinën e koncerteve dhe udhëtimit”, tregoi krejt në fund Xhafaj.

Kamerfest do të vazhdojë edhe sonte me mbrëmjen e 11-të koncertale. Koncerti i sotëm titullohet “Me dashuri nga Austria” ndërsa do të luajnë Erich Oskar Huetter në violoncello dhe pianisti nga Shqipëria Klevis Gjergji.

Koncerti fillon në ora 20:00 në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare./ KultPlus.com

Italianët më të relaksuar se kurrë, ofrojnë pizza në restaurantin e mbushur me ujë (VIDEO)

Ka disa ditë që niveli i ujit në Venedik ka shkuar në 149 cm, gjashtë herë më i lartë sesa rekordi i kaluar, që kur na nisur të bëhen regjistrime të tilla në vitin 1872, duke i shtyrë banorët që të hidhen thellë deri në bel në ujë.

Shumë turistë nuk e kanë humbur shansin për këtë përvojë, të cilët janë parë me çizme duke shëtitur nëpër sheshin e San Marcos.

Venediku njihet për numrin e madh të turistëve të cilët e vizitojnë këtë vend, dhe një pamje e ditëve të fundit është regjistruar edhe në një nga restaurantet e këtij qyteti, ku edhe punëtorët, por edhe mysafirët sillen sikur në ditë të rëndomta, ku shihen duke drekuar, por që të gjithë janë me çizme deri në gju. Për më shumë mund ta ndiqni videon që e ka postuar në rrjetet sociale Hans Post./KultPlus.com

‘Ajo’ i More Raçës me premierë në Festivalin e Kairos

Filmi ‘Ajo’ është përzgjedhur në konkurencë zyrtare në seksionin Cinema of Tomorow në festivalin e kategorisë A Cairo International Film Festival.

Filmi ‘Ajo’ me skenar dhe regji nga More Raça dhe producent Sunaj Raça flet për dhunën në familje, guximin e një vajze të vogël për të shpëtuar vetën dhe nënën e saj. Në filmin Ajo luajnë: Aurita Agushi, Sunaj Raça, Diella Valla, Florist Bajgora, Bekim Mulaj.

Filmi është prodhim i shtëpisë filmike Arena i subvencionuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës.

AJO gjithashtu është në garë për nominim në OSCAR pas përzgjedhjes si njëri ndër finalistët e Manhattan Short Film Festival./ KultPlus.com

Tirana International Film Festival gati për edicionin e 16-të

Tirana International Film Festival është eventi më i rëndësishëm kinematografik që zhvillohet në Shqipëri jo vetëm për nga vjetërsia dhe eksperienca, por edhe për numrin e madh të aplikimeve, aftësinë selektive të filmave, programit të pasur, zbulimeve interesante dhe premierave të filmave më të rëndësishëm në tregun kinematografik sot në botë.

Për këto arsye Tirana International Film Festival pas aplikimit u kualifikua si festival nga Academy of Art and Sciences USA me të drejtën që fituesi i Best Short Live Action/Animation të renditet në listën nga ku do të dalin fituesit e Oscar® për këto kategori. Ky vlerësim e rendit TIFF midis 94 festivaleve më prestigjioze të planetit si: Cannes, Berlin, Venice, Locarno, Sundance, Tribeca, etj. duke i dhënë kështu një shans të madh filmave të prodhuar në Shqipëri, Kosovë, rajon e jo vetëm, të konkurrojnë për këtë çmim të madh.

Ky lajm tërhoqi vëmendjen e regjisorëve dhe producentëve gjë që solli një rritje të ndjeshme të aplikimeve këtë vit në një numër rekord prej 3700 filmash. Komiteti ndërkombëtar i seleksionit të aplikimeve ka sugjeruar 128 filma në competition në kategoritë: Feature, EYE on TIFF (debut feature film competition), Short Live Action, Animation, Student dhe Video Art & Experimental, Documentary, Balkan dhe In Albanian competition. Kliko për Official Competition.

Gjithashtu TIFF ofron edhe këtë edicion një program të pasur special me 127 filma. Për t’u përmendur janë Special Screenings, premiera të siguruara nga distributorët tanë partnerë, që po qarkullojnë pikërisht tani në kinematë e Evropës e të botës si: Don’t Worry, He Won’t Get Far on Foot by Gus Van Sant, Suspiria by Luca Guadagnino, The House That Jack Built by Lars von Trier. Autorë të tillë fitues të çmimeve më të rëndësishme botërore i bëjnë nder TIFF-it dhe e rrisin në mënyrë të ndjeshme kualitetin dhe reputacionin e tij ndërkombëtar. Ekskluzivisht në TIFF do të keni mundësi të ndiqni po ashtu edhe 10 filmat e shkurtër të nominuar në Oscar® 2018.

FOCUS i TIFF këtë vit do të jetë përkujtimi i 50 vjetorit të ngjarjeve të vitit 1968, që ndryshuan botën, por jo ëndrrën për një botë më të mirë e më të drejtë. Prandaj dhe FOR ANOTHER DREAM, ky program me ligjërata dhe filma të asaj epoke, do të vinë për publikun e interesuar në KINO bar çdo mbrëmje nga ora 19:00 me një program të pasur të kuruar nga Federico Rossin, Arbër Zaimi dhe Edon Qesari.

Në vazhdim të nismës së vitit të shkuar TIFF do të ofrojë KIDs program ekskluziv për fëmijët çdo ditë në Teatrin e Kukullave nga ora 10:30, si një investim afatgjatë për të rritur e edukuar audiencat e ardhshme të kinemasë me filmin artistik nëpëmjet projekteve të fituara në Creative Europe për shpërndarjen dhe promovimin e filmave europianë.

Seksioni PANORAMA do të ketë programe të tilla si: GENERATIONs, NEW WORLD, DIVERGENT MINDs, PARADE, REFLECTING ALBANIA dhe DOC+ që përfshijnë në kinema jo vetëm cilësinë artistike, por edhe temat e mprehta sociale e politike.

KLiko për Programin Ditor të TIFF 2018 në Kinema Millenium, Teatri Kombëtar Eksperimental, Teatri i Kukullave dhe KINO bar.

Përveç programit të ngjeshur me filma, mysafirëve dhe të gjithë të akredituarve në TIFF do të kenë mundësi të shijojnë Happy Hours nga VENA, drink & food, çdo ditë ora 19:00 në terracën e kinema Millenium. KINO bar do të jetë vendi më cool i TIFF by Night, ku çdo natë pas programit FOR ANOTHER DREAM do të ofrohen pije speciale lokale e origjinale.KultPlus.com

‘Dua t’iu kërkoj falje të gjitha grave që i kam quajtur të bukura para se t’i quaja inteligjente dhe të forta’

Rupi KaRupi Kaur është një poete, shkrimtare dhe ilustratore. Para 4 viteve ajo publikoi librin e quajtur “Qumësht dhe Mjaltë” – një libër ku gërshetohen proza dhe poezia me temë dashurinë, dhunën, zemrën e thyer dhe feminizmin. Më poshtë sjellim disa thënie nga ajo.

“Dua t’iu kërkoj falje të gjitha grave që i kam quajtur të bukura para se t’i quaja inteligjente dhe të forta.”

“Vetmia është një shenjë dëshpërimi se keni nevojë për vetën tuaj.”

“Unë nuk u largova sepse ndalova së dashuruari, por u largova sepse sa më shumë që rrija me ty, aq më pak e doja vetën.”

“Nëse keni lindur me dobësinë për tu rrëzuar, ju keni lindur me fuqinë për tu ngritur.”

“Mos kërko shpëtim tek ata që të thyen.”

“Çfarë është më e fortë se zemra e njeriut e cila thyhet e thyhet dhe prapë jeton?”

“ Kjo është e vërteta për njerëzit vetjak. Ata luajnë me shpirtrat tanë, për të kënaqur të tyrin.”

“Po dërgoj dashurinë në sytë e tu. Shpresoj që gjithmonë do të shohin mirësinë tek njerëzit. Dhe gjithmonë do të praktikojnë atë.”/KultPlus.com

Medalje e panjohur e porositur nga Ali Pasha

Ky është një medalion i periudhës osmane në shtëpinë e ankandit Kunker, Gjermani. Ajo mendohet se është porositur në 1807 nga Ali Pasha Tepelena ( 1741-1822), sundimtari shqiptar Shqipërisë dhe Greqisë, i cili ishte de facto i pavarur nga Porta e Lartë .

Në kundërshtim me traditën islame, ajo tregon portretin e një gruaje me kostum oriental ose grek. Ajo quhet Mbretëresha [Vasiliki] Hanim. Hollësi të mëtejshme për këtë medalje jashtëzakonisht të rrallë janë të panjohura.

Gjithësesi duket se ka një gabim pasi në vitin 1807, Vasiliqia ishte vetëm 9 vjeç dhe ajo hyri në pallatin e Ali Pashë Tepelenës në vitin 1812. Për këtë arsye, ajo mund të jetë pasqyrimi i një femre tjetër nga oborri i i Ali Pashë Tepelenës.

Imazhi perëndimor i medalionit dëshmon ndikimin e marrëdhënive të ngushta diplomatike që kish filluar Ali Pasha Tepelena me Fuqitë e Mëdha në rajon. Në fillim Franca 1798-1800 dhe pastaj Rusia 1800-1807 zotëronin Ishujt Jonianë, fqinjë të Pashallëkut të Janinës. Ndërkohë që agjentë britanikë si William Martin Leake ishin të pranishëm në rajon.

Në dhjetor 1806, Porta e Lartë i hapi luftë Rusisë dhe Ali Pashë Tepelena nxitoi të përfitonte duke arrestuar konsujt rusë në territoret e veta dhe me artilerinë, që kishte marrë nga francezët u përpoq të sulmonte ishullin e Shën Maurës, por rusët ngritën kundër tij feudalët çamë dhe armatolitë e Thesalisë. Ali Pasha u pajtua me feudalët çamë, kurse i biri i tij Myftari e mbyti në gjak kryengritjen e armatolive në Thesali.

Kur Fransua Pouqueville i emëruar konsull i përgjithshëm i Francës, mbrriti në Janinë në 1806, i solli Ali Pashë Tepelenës dhe premtimin e Napoelonit se do t’i jepte nën administrim ishullin e Korfuzit nëse do të angazhohej në luftë kundër rusëve. Tashmë Ali Pasha Tepelena zotëronte gjithë bregdetin e Çamërisë dhe po shikonte që të merrte në zotërim dhe Korfuzin dhe Ishujt Jonianë.

Paqja e Tilsitit në vitin 1807 midis Francës dhe Rusisë bëri të mundur largimin e rusëve nga ishujt jonianë, zotërimin e tyre sërish prej Francës dhe largimin e rrezikut rus për të minuar pushtetin e Ali Pashë Tepelenës në Epir dhe More, shkruan Gazeta Shqip./ KultPlus.com

“Mielli në damarët tonë”, shfaqja më e mirë në ‘Skupi Festival’

Juria e edicionit të dymbëdhjetë të FNT Skupifestivalit, e përbërë nga Almir Bashoviq, Kushtrim Bekteshi dhe Dimce Nikolovski kanë zgjedhur shfaqjen “Mielli në damarët tonë” si shfaqjen më të mirë për këtë edicion, shkruan KultPlus.

“Mielli në damarët tonë” nga Igor Shtiks dhe me regji të Boris Lijesheviq është në produksion të Teatrit të Luftës nga Sarajeva dhe teatri SARTR.

Juria gjithashtu ka shpërblyer edhe aktoren Ema Andrea nga shfaqja “Nëna dhe fëmija”, e autori Jon Fose me regji të Dino Mustafiq. Ajo është shpërblyer me çmimin special, për interpretimin e veçantë, energjik, elasticitet në interpretim, ku i gjithë arsenali interpretues ishte i përputhshëm ne kreativitetin e personazhit.

FNT Skupifestivalit përfundoi mbrëmë edicionin e tij të 12-të me shfaqjen e fundin ne program “Robëroje veten” nga Teatri i Pavarur “Dhoma e Pritjes”, Cluj-Napoca, Rumani./ KutlPlus.com

Imazhet që shfaqin realitetin e sotëm më së miri

Njerëzimi ka evoluar nga viti në vit dhe bashkë me të, edhe mënyra e jetesës. Teknologjia ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm, për të orientuar mënyrën e jetesës për mbarë botën.

Në ditët e sotme jetojmë një periudhë të artë për teknologjinë, që ka lehtësuar ndjeshëm komunikimin dhe jetesën, transmeton tch.

Gjithsesi problematikat sociale nuk janë zhdukur, thjesht janë zëvendësuar me të tjera të reja.

Më poshtë është një ilustrim fantastik grafik i “Sofiane WallArt”, që përshkruan më së miri botën në ditët e sotme./ KutPlus.com


Daci për Fjalorin Enciklopedik: Redaktorët janë zgjedhur pa asnjë kriter

Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (ASHAK), Nexhat Daci, tha se “Fjalori Enciklopedik” i AShAK-ut, nuk është enciklopedi e Kosovës, por një paradhomë e enciklopedisë që do të bëhet në të ardhmen për Kosovën.

“Vlerësimet e këshillit botues, në krye me akademik Mehmet Krajën, kanë qenë pozitive, gjithmonë me ndonjë vërejtje sepse një projekt i tillë voluminozes për herë të parë është realizuar në Akademi. Gjithmonë projekte të tilla mund të kenë lëshime. E mira e kësaj se ky fjalor nuk përmbyllet me këtë periudhë. Në ndërkohë arrijnë krijues tjerë. Fakti është se opinioni interesohet dhe meriton të ketë sqarime. Unë them me përgjegjësi se kur është vendosur të krijohen forumet është bërë me nguti dhe nuk ka pasur kriter kur janë zgjedhur redaktorët. Kjo është manifestuar gjatë punës, shpeshherë unë nuk jam kyçur aty”, tha ai në një intervistë për televizionin publik.

Sipas tij, Akademia nuk ka qenë e hapur me publikun deri më tani.

“Akademia ka qenë relativisht e mbyllur. Unë kam thënë se Akademia duhet të hapet, por numrat vendosin dhe tani Akademia ka filluar të hapet, për herë të parë është hapur biblioteka e saj për doktorantë e master”, pohoi Daci./ KultPlus.com

Integra padit Mehmet Krajën për shpifje

Organizata Integra ka paditur Mehmet Krajën sipas tyre pasi që ai ka shpifur përmes kanaleve mediale duke shkaktuar dëm të reputacionit të festivalit “Mirëdita dobar dan!”, të organizatës “Integra” si organizatore e festivalit dhe përfaqësuesve të saj.

Padia e tyre ka të bëjë me shkrimin e botuar ditë me parë nga Mehmet Kraja të titulluar “Lehtësia e padurueshme e hipokrizisë” (paragrafi i katërt).

Shkrimi kishte ardhur si reagim i tij ndaj njerëzve të cilët po flasin e komentojnë rreth Fjalorit Enciklopedik./ KultPlus.com

Si u bënë kungujt simbol i festës së Halloweenit

Nata e Shtrigave më 31 tetor, në shumicën e vendeve, festohet si Halloween. Ndërsa kisha e ka karakterizuar këtë praktikë si pagane, të rinjtë në mbarë botën po shijojnë shumë kunguj dhe maskat.

Halloween është një nga festat më të preferuara të fëmijëve dhe të rinjve, kryesisht për shkak të veshjeve dhe ëmbëlsirat që ndahen atë natë. Megjithatë, shumë veta nuk e dinë se si filloi kjo festë dhe pse është kaq popullore sot.

Fillimi i festës së Halloweenit daton që nga shekulli i pestë, kur keltët e lashtë festuan zotin e Diellit dhe zotin e Vdekjes. Më 1 nëntor, ata shënuan fillimin e vitit të ri.

Keltët besonin se atë natë të vdekurit lanë varret e tyre dhe ecnin mbi tokë, dhe për të shmangur ndeshjen me ta, krijuan një zhurmë të madhe dhe u mbuluan me maska të frikshme.

Besohet gjithashtu se të vdekurit po vinin pas ushqimit, kështu që ata mbetën në shtëpitë e tyre, duke lënë fasule ose patate dhe një qiri të ndezur.

Si u bënë kungujt simbol i festës?

Zakoni i hedhjes së kungullit për Halloween daton nga shekulli i 16-të, dhe bazohet në legjendën irlandeze të imagjinatës dhe farkëtarit me emrin Jack.

Jacku ishte një pijanec, i cili pëlqente të bënte shaka të hidhura me njerëzit, dhe pastaj e mashtroi edhe vetë djallin, transmeton ksp. Ai e tërhoqi djallin në majë të pemës dhe ngriti shpejt kryqe rreth pemës pas të cilës nuk mund të zbriste.

Ai e bëri atë të premtonte se nuk do të merrte shpirtin e tij kur të vdiste dhe vetëm atëherë e la të zbriste nga pema. Kur Jacku vdiq, djalli e mbajti premtimin dhe nuk e lejoi të shkonte në ferr. Për shkak të kësaj, Jacku u gjykua në përjetësi për t’u endur në errësirën mes qiellit dhe ferrit ndërsa mbante një bisht, pasi ishte ushqimi i tij i preferuar në jetë.

Meqenëse ishte errët dhe Jacku nuk e dinte se ku po shkonte, ai iu ankua djallit, i cili i dha atij zjarrin e ferrit. Jacku mori gacat dhe i vendosi në bisht për të ndriçuar shtegun në errësirën e përjetshme.

Në fakt, irlandezët nuk kishin kunguj dhe zakonet e gdhendjes së tyre shfaqen vetëm kur ata emigruan në Amerikë.

Në atë kohë, ata hanin patate dhe perime të tjera të ngjashme për të mbrojtur veten nga Jacku, i cili mund të endej në botën e njerëzve të zakonshëm në natën e Halloweenit.

Nata e Shtrigave u përhap nga Amerika në pjesë të tjera të botës, dhe kjo festë shënohet viteve të fundit edhe në Kosovë.

Gjithkush që dëshiron të ketë një maskë origjinale të një makthi duhet t’i kushtojë vëmendje sa vijon: Maska më e popullarizuar për gratë është një magjistare dhe burrat janë më së shumti vampirë. Ata janë të ndjekur nga një pirat, një kloun, një grua mace dhe një djall, ndërsa fëmijët maskohen si princeshë, magjistare, Spider-Man dhe pirat./KultPlus.com

Rita Orës i arrin trofeu nga VMA

Këngëtarja e famshme me origjinë shqiptare, Rita Ora, po vazhdon të marrë çmime nga më të ndryshme.

Ajo tani ka marrë çmimin për vallëzimin më të mirë në videoklip nga MTV Video Music Awards me këngën “Lonely Together” të cilin e bërë në bashkëpunim me DJ e famshëm tashmë të ndjerë, Avicii.

Gjithashtu, Ora ka falënderuar të gjithë ata në MTV dhe ata që janë të përfshirë në këtë këngë duke mos harruar dhe DJ-in Avicii.

“Shikoni çfarë ka arritur sot… çmimi im i VMA-së për ‘Best Dance Video’ me këngën ‘Lonely Together’! Faleminderit të gjithëve nga MTV-ja dhe të gjithë atyre që janë përfshirë në krijimin e këtij videoklipi dhe të kësaj kënge dhe natyrisht faleminderit shokut tonë shumë të talentuar Avicii. Kjo është për ty”, ka shkruar Ora në Instagram./KultPlus.com

Letër nga nëna me pesë fëmijë, për nënat me një e dy…

“Si ia del mbanë?”

Nuk i kam numëruar, por e imagjinoj se këtë pyetje ma kanë bërë diku me qindra herë nënat me një apo dy fëmijë. Unë kam pesë fëmijë, dhe duke gjykuar nga shikimet dhe fytyrat e lodhura që ma bëjnë këtë pyetje, ky numër duket thjesht i pamundur.

“Si ia del mbanë?”

Kjo pyetje besoj ka domethënie të ndryshme për secilën nënë që ma parashtron.

Si arrin të kujdesesh për pesë njerëz të vegjël?
Si arrin të funksionosh me pak gjumë?
Si arrin t’i ruash të mos lëndohen?
Si arrin të gjesh kohë t’i lash rrobat?
Si arrin t’ua plotësosh nevojat materiale?
Si arrin të mos i humbasësh mendtë?

Nëna të një ose dy fëmijëve, unë i kuptoj të gjitha këto pyetje. Dhe e di përvojën tuaj.

Ka disa gjëra që dua t’i dini për mua. Për fëmijët. Për këtë rrugëtim të mëmësisë që e kemi nisur të gjitha.
Nëse askush nuk jua ka thënë ndonjëherë..

1. Ndihesh sikur ke arritur limitin – emocionalisht dhe fizikisht – me aq numër fëmijësh që ke. Kur e kisha vetëm fëmijën tim të parë, qaja në skaj të krevatit si një fëmijë që i ka rënë në tokë akullorja e sapo blerë sepse mendoja se jeta ime kishte marrë fund. Nuk mundja më tepër! Ky fëmijë, që kishte qenë ëndrra ime, kishte dëshirë të zgjohej në mes të natës dhe të ushqehej prej meje. A gjithçka që doja unë ishte të bëja një sy gjumë. Pastaj do të flinte gjithë mëngjesin, përderisa unë laja enët e rrobat, dhe nuk kisha shanse të flija pasdite, kur i kisha kryer të gjitha punët.

Herën e parë që shkova në super market me të, kisha marrë aq shumë gjëra me vete (edhe jastëk i kisha marrë,
njerëz!!!), sa që pasi e ula në karrocën e marketit, bashk me gjërat që kishim, nuk na mbeti vend për ato që do të blenim.

Isha krejtësisht e rraskapitur. Dhe pastaj ai u rrit, u bë një bebe e lëvizshme. Dhe unë mendova se ishte ide e mirë të ngelja prap shtatzënë, kështu që përderisa ai shkatërronte dollapet, gjakosej duke luajtur me vetura, përderisa i hante ulëset, zvarritej shkallëve buzë vdekjes, dhe i lëpinte prizat, unë ndërkohë do të isha duke vjellur. Dhe ai vazhdonte të mos flinte.

Pastaj, 18 muaj pasi ai kishte lindur, erdhi vëllai i tij. Dhe unë nuk e kisha idenë se si dikush mund të kujdesej për dy fëmijë. Kush janë këta lunatikë që kanë një grumbull fëmijë? Si mundem t’i jap gji një të posalinduri dhe ta ruaj fëmijën tjetër të mos e mbysë veten.

E kisha arritur limitin. Kjo ka qenë nga kohërat më të vështira në jetën time – të kujdesesha për një fëmijë, e pastaj 18 muaj më vonë, për dy.

Nëna të një ose dy fëmijëve, ju jeni duke bërë punë të vështirë. Është dërrmuese dhe tërësisht rraskapitëse, dhe t’ia dalësh mbanë kësaj punë është prej gjërave më kërkuese fizikisht, mendërisht, emocionalisht dhe shpirtërisht. E di se e keni arritur limitin – çdo ditë. Dhe jua them këtë jo si dikush që jua rreh shpatullën dhe ju shikon me keqardhje, por si dikush që e di se sa shumë jeni duke punuar dhe sa e vështirë kjo është për ju. Por, ka shpresë. Shkon duke u bërë më lehtë. Jo pse një ditë ju ndizet një poç elektrik, dhe e kuptoni më mirë..

Por sepse..

2. Do ta gjesh rrugën. Rrugën tënde. Jo rrugën e nënës tënde. Jo atë të gjyshes tënde. Jo atë të tezes Lume që të bën presion.
Rrugën tënde.
Ajo që ka funksionuar për nënën tënde dhe tezen Lume, thjesht mund të mos funksionojë për ty. Unë kënaqem duke i dëgjuar përvojat e grave më të moshuara, por i shoshis këshillat, përvojat dhe zgjedhjet e tyre për të gjetur se çka më ndihmon vërtet e çka jo. Jo vetëm që secili fëmijë është i ndryshëm, por edhe nënat janë të ndryshme. Ne nuk jemi të njejta – dikush është më e ngadalshme, dikush më e shpejtë, dikush funksionon me orar e dikush me tahmin, (unë jam kjo e dyta). Me kohë, do t’i njohësh më mirë fëmijët e tu dhe do të krijosh sistem në jetën shtëpiake, dhe do ta gjesh veten. Do ta bësh. Dhe për ta bërë këtë, është shumë e rëndësishme që të mos brengosesh për pritjet e të tjerëve. Bëje atë që të funksionon ty. Tjerat, në mënyrë të sjellshme, injoroi.

Kjo vlen edhe për miqësitë. A e di kush janë shoqet e mia më të mira? Ato në të cilat mbështetem, u besoj, qaj në shpatullat e tyre dhe i ndaj përvojat e mia? Ato janë shoqet e mia të cilat insistojnë, bashk me mua, se nuk ekziston veç një mënyrë për ta bërë një gjë. Unë e kam shumë të vështirë të nis e të ruaj miqësi me njerëz që e kanë gjetur mënyrën e vetme se si bëhet diçka.

“Aaau, i ke dhënë gjalp kikirku në 10 muajsh?”
“Nuk e paske një ditë të caktuar kur i lanë rrobat?”
“Fëmija 3 vjeçar nuk guxon të jetë akoma me pelenë.”
Jo, nuk mund të jemi shoqe. Jo shoqe të afërta. Jo shoqe për t’i qarë hallet.
Përderisa e gjen rrugën tënde, përderisa e gjen ritmin tënd, e bashk me ty vallëzojnë edhe fëmijët e tu, unë kam lajme shumë, shumë të mira..
3. Bëhet më lehtë. Nëse i mbështetesh Zotit.
Unë tani kam pesë fëmijë, dhe ndihem se e kam arritur limitin, ashtu si jam ndjerë kur e kisha një fëmijë edhe dy, edhe tre, edhe katër. Por, amësia është më e lehtë për mua tani sesa më parë. Për një arsye: unë kam më shumë nevojë për Zotin.

Kam nevojë për të në mëngjes, pasdite dhe natën. Kam nevojë Ai të m’i fshijë lotët kur fonshja ime nuk e natën. Kam nevojë Ai të ma qetësojë zemrën kur ia ndërroj çarçafet në ora 2 të natës. Kam nevojë Ai t’i mbrojë fëmijët e mi, sepse unë i kam veç dy duar dhe një palë dy, sepse të rrisësh fëmijë do të thotë të kujdesesh, por edhe në vend të “unë mundem”, të thuash “Zot, ti je me mua.”

Kam nevojë Ai të më ndihmojë të mbështetem tek Ai. Kam nevojë për durimin e tij. Kam nevojë për gëzimin e tij. Kam nevojë për dashurinë e tij.
Zoti më ka mësuar se Ai i do fëmijët e mi më shumë se unë, dhe më ka mbushur me fuqi, urtësi dhe dashuri për fëmijët e mi.

Pra, nëna të një ose dy fëmijëve, kur të pyetni “Si ia del mbanë?”, e di çfarë pyesni. Dhe e di se çfarë ndjeni dhe çfarë ka prapa syve tuaj, dhe kam ecur me këpucët tuaja, dhe jeni duke bërë punë të vështirë, punën e vështirë të amësisë.

Nuk është më e lehtë pse e keni veç një ose dy fëmijë. Por, ashtu siç e gjen rrugën tënde me kalimin e kohës, dhe gjen fuqi te Zoti, bëhet më lehtë.
Dhe bëhet shumë, shumë mirë.

Autore: Sarah Short
Përshtatja: Supergratë©

Erenestina Gjergji Halili merr çmimin ‘Gjergj Fishta’

Poetja dhe studiuesja Erenestina Gjergji Halili ka marrë një çmim në ‘Ditët e Letërsisë Shqipe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës’.

Poetes i është atribuuar çmimi ‘Gjergj Fishta’ në poezi, në kuadër të këtij manifestimi, për ciklin poetik më përmbajtësor, paraqitur në Konkursin e Ditëve të Letërsisë për vitin 2018.

Poetesha Erenestina Gjergji Halili ka kryer studimet e larta universitare në Universitetin e Tiranës, në degën e Gjuhës dhe Letërsisë, si dhe kursin akademik të Gazetarisë.

Ajo është shquar si gazetare e televizionit dhe e mediave të shkruara, kryeredaktore e TVSH, udhëheqëse e producente e politikës. Sot mban gradën Doktor i Shkencave Filologjike dhe ligjëron në Universitetin nga ku nisi rrugëtimin akademik. / KultPlus.com

Ermal Meta ambasador special i MTV-së

“MTV EMA” është një ndër eventet muzikore që mezi priten dhe të gjithë shikojnë ceremoninë e ndarjes së çmimeve dhe spektaklin, por jo shumë kanë mundësi të shohin se çfarë ndodh pas skene.

Ermal Meta do të jetë ambasador special i MTV Itali. Fitues i edicionit të vitit të kaluar në kategorinë “Best Italian Act”, Ermal Meta do të udhëtojë në Bilbao, për të zbuluar të gjitha sekretet e “MTV EMA”, së bashku me Yuri Gordon. Këngëtari shqiptar e bëri njoftimin në faqen e tij në “Facebook”, duke ftuar të gjithë fansat për ta ndjekur në këtë lloj rrugëtimi aventurë.

“MTV EMA 2018” do të zhvillohet në “Bilbao Exhibition Centre”, mbrëmjen e së dielës, më 4 nëntor./KultPlus.com

Naime Beqiraj, pas 31 vitesh fiton sërish çmimin e parë në Festivalin e poezisë në Vushtrri

Poetja Naime Beqiraj me poezinë ‘Mosbindje femnore’, është fituese e Festivalit të 36 të poezisë ‘Takimet e poeteshave shqiptare’, në Vushtrri.

Hapjen e këtij festivali, që tradicionalisht mbahet në Vushtrri, e ka bërë kryetari i Komunës, Xhafer Tahiri, i cili ka vlerësuar se ndjehet shumë i lumtur që qyteti i Vushtrrisë tradicionalisht po arrin të mbledh poetet shqiptare në një manifestim të veçantë të poezisë.

Çmimi i dytë është ndarë poetes Medina Pasoma me poezinë ‘Emri yt’. Ndërsa çmimin e tretë i ka takuar dy poeteve, Blerina Tërbunja dhe Zade Kuçi. Çmimi i debutantes këtë vit i është ndarë poetes së re, Sadije Krasniqi.

Poeti i njohur vushtrrias, Nesim Spahiu, është nderuar me çmimin ‘Mysafir nderi’.

Vlerësimin e poezive e ka bërë juria në përbërje të Vehbi Miftarit kryetar, Elmaze Zaimi dhe Donikë Gashi, anëtare.

Poetja fituese Naime Beqiraj, është ndjerë e lumtur që pas 31 vitesh ka arritur që sërish ta fitojë Festivalin e poezisë./KultPlus.com

Gjuhës shqype

Hilë Mosi

Gjuh’ e ambël, gjuh’ amtare,
Je ambla gjuh’ shqyptare!
Gjuh’ e nalt’ për Perëndi,
T’cilt ndër koh’t që kahmot shkuene
Mbi Tomorr të përdoruene;
Gjuh’ e ambël, plot dashtni!

Gjuh’ e shejt’ e kaq e moçme.
Gjuh’ sakole der n’dit t’soçme,
Shoqen tande kund s’e gjenë!
Zoti ty këtu t’ka çuemun:
T’rrebt’ e t’bukur e t’kulluemun;
Kshtu gjithmon’ ti ke me qenë.

Gjuh’ që t’foli Skendërbegu,
Dhe ndër t’par’ qe Naim Begu,
Që me shkrim t’pat lartësue.
Ty t’kan’ fol’ shum’ kapidana,
Burra t’rrebt si t’ishin zana;
Gjuh’ e rrebt, ti qofsh nderue!

Gjuh’ e bukur si pranvera,
Ti s’do t’quhesh ma: e mjera;
Se na dona ty me t’rritë.
Bashk’ me t’tjerat shoqe tueja,
Se ma s’dona zhele t’hueja
Veç duem ty me t’pa në dritë.

“Jeta nuk ka të bëjë me rrëzimet, por me ngritjet sa herë që rrëzohesh”

25 thënie pozitive:

“Ushqe ëndërrat. Lëri të vdesin urie dyshimet”.

“Zbulo vlerat e tua dhe ndihmoji ata rreth teje të zbulojnë edhe vlerat e tyre, gjithashtu”.

“Ato që ekzistojnë, ekzistojnë, por kjo jo gjithmonë do të thotë se ato janë çfarë duhet të ishin”.

“Heroi për të cilin po pret, është ai që të sheh kur sheh veten në pasqyrë”.

“Gjërat e mëdha ndodhin nga momenti, kur mendon vazhdimisht se si t’i përmirësosh gjërat e vogla”.

“Një ditë e mirë dhe një jetë e mirë janë shpesh sinonime të njëra-tjetrës”.

“Zemra të hapura, mendje të hapura. Mendjet e hapura mund të hapin çdo gjë tjetër”.

“Lumturia është një zgjedhje, jo një shans”.

”Momentet e mia më të vështira janë shpesh mësuesit e mi më të mirë”.

“Besimi është një nxitës i ëndrrave, ndërsa dyshimi një limit i shpejtësisë së tyre”.

“Një ëndërr e bërë realitet është në fakt një vetvete më e realizuar”.

“Kur dashuria është përgjigja, pyetja nuk ka ndonjë rëndësi të dihet”

“Diku në botë, dikush është i lumtur me më pak gjëra nga sa ke ti”.

“Sot, kudo ku je, mbaj në zemrën tënde dashuri, paqe dhe lumturi”.

“Mëngjesi është një mundësi fantastike për të buzëqeshur, për t’u kujdesur, për ta dashur dhe për ta parë veten në një gjendje më të mirë”.

“Një mendje pozitive çon në ndjenja pozitive dhe të dyja çojnë në një jetë pozitive”.

“Në vend që të mendosh për gjërat që nuk ke, fillo të mendosh për ato që ke dhe që dikujt po i mungojnë në këto momente”.

“Është më mirë të jetosh një ditë si një luan se sa 1000 ditë si një qengj”.

“Të jesh i zënë është një zgjedhje. Të jesh i stresuar është një zgjedhje. Të jesh i lumtur është një zgjedhje. Zgjidh
me kujdes”.

“Ka dy mënyra për ta jetuar jetën. Njëra duke menduar se asgjë nuk është një mrekulli dhe tjetra sikur gjithçka është një mrekulli”.

“Unë nuk kam dështuar. Unë thjesht kam gjetur 10.000 mënyra që nuk do të funksionojnë”.

“Nuk janë qeniet më të forta ato që mbijetojnë, as ato më inteligjentet, por ato që i përgjigjen më mirë ndryshimit”.

“Jeta nuk ka të bëjë me rrëzimet, por me ngritjet sa herë që rrëzohesh”.

“Vështirësitë janë ato çfarë sheh një person, kur e largon shikimin nga objektivat e tij”.

“Zgjohu çdo mëngjes me mendimin se diçka e mrekullueshme do të ndodhë”./KultPlus.com

‘Në shkollën e trishtimit jam nxënësja më e mirë’

Anjeza Shahinin shumë moti nuk e kemi parë në skenat shqiptare.

Këngëtarja e cila e para përfaqësoi Shqipërinë në Eurovizion dhe arriti një rezultat të mahnitshëm, ka kohë që nuk ka dalë me një projekt muzikor.

Shahini në repertorin e saj muzikor ka plot këngë të cilat ne i dëgjojmë.

Sonte po e sjellim një bashkëpunim mes Anjezës, Aida Barakut dhe Armend Rexhepagiqit, këngën “Nxënësja më e mirë”. Kënga u këndua para më shumë se dhjetë vitesh në festivalin Kënga Magjike.

Tekstin e këngës e realizoi Baraku, melodinë Armend Rexhepagiqi dhe Anjeza e performoi këngën për të marrë më pas Çmimin e Kritikës. / KultPlus.com

Nesim Maxhuni Quintet me tri koncerte në Stamboll

Jeta Zymberi

Nesim Maxhuni, një prej muzikantëve më të talentuar që Kosova ka, krijuesi i stileve moderne muzikore në vendin tonë, ai i cili muzikën jazz dinë ta sjellë ndryshe, me shumë stil e kreativitet, përveç që është një baterist i rangut botëror është edhe një krijues shumë origjinal. Ai nuk i ka munguar skenës kosovare me prurjet e tij të cilat janë mirëpritur shumë mirë nga publiku, por ai nuk i mungon publikut as me koncerte të ndryshme që i mbanë në vend dhe jashtë tij, shkruan KultPlus.

Kësaj radhe Nesim Maxhuni Quintet do të udhëtojë drejt Stambollit ku do të mbajë tri koncerte në tri jazz klubet më të mira atje. Në këto koncerte Maxhuni do të prezantojë kryesisht muzikën e tij.

“Kam pasur ftesa që disa vite me radhë për të luajtur në klubet më të mira në Stamboll, gjithashtu edhe në New York, por në New York duket të kenë artistët viza dhe ky problem po na shoqëron ende ne kosovarëve, tash ka ardhur kohë për të udhëtuar drejt Stambollit me disa super muzikantë për të promovuar muzikën time atje. Unë kam luajtur disa herë atje, dhe e kam promovuar albumin e dytë në Nardis në vitin 2013”, ka treguar për KultPlus Nesim Maxhuni.

Nesim Maxhuni Quintet përbëhet nga Armend Xhaferi – Guitar, Enver Muhamedi – Bass, si dhe kësaj radhe do të ju bashkohen edhe dy prej muzikantëve më të mirë të Stambollit, Tamer Temel – Ts dhe Kaan Biyikoglu – Piano.

Koncerti i parë do të mbahet më datë 6 nëntor 2018 në Bova Jazz club, për të vazhduar më datë 7 nëntor në Nardis jazz club dhe për ta përmbyllur më datë 8 nëntor në Badau jazz club.

Maxhuni premton tre netë të jashtëzakonshme në kryeqytetin Turk./KultPlus.com

Samantha Fox: Shkaku i reality show kemi shumë vajza të reja që ngjasojnë në njëra-tjetrën

Aktorja e famshme, këngëtarja dhe modelja Samantha Fox akuzoi reality programet e sotme për shkak të rritjes së numrit të vajzave të reja që për tu dukur më bukur, kryejnë operacione plastike.

Samantha arrin në përfundimin se pikërisht kjo është arsyeja pse shumë femra të ditëve të sotme duken si njëjtë.

Ish-modelja dhe këngëtarja është bërë e njohur që në moshën 16 vjeçare, dhe gjatë gjithë karrierës refuzoi propozimet të bëjë disa ndryshime në trup.

Samantha tha për “Fabulous Online” se ende është duke u përpjekur të duket sa më e natyrshme që është e mundur.

“Unë kurrë nuk e kanë konsideruar mundësinë e zbukurimit artificial. Disa gra kanë rritur gjinjtë për tu dukur më bukur dhe kjo është në rregull. Në qoftë se kjo është diçka që do të kënaqë partnerin e tyre kjo është një tjetër histori. Atë që e bëni për tu ndier më mirë, unë ju përkrahi. Unë nuk kisha nevojë kurrë për këto lloj gjërash”, tha ajo, shkruan telegrafi.

“Megjithatë, sot, kur shoh vajzat e reja që rrisin buzët dhe gjinjtë në fillim të njëzetave – unë i fajësoj reality programet. Në fund të gjitha përfundojnë duke i ngjarë njëra-tjetrës”, përfundoi ajo.