Kënga fituese e Eurovizionit i është ofruar paraprakisht Rita Orës

Kënga fituese e edicionit të sivjetmë të Junior Eurovision 2018, ‘Anyone I want to be’ i është ofruar paraprakisht këngëtares shqiptare Rita Ora.

Është interesant se kënga e ka fituar Eurovizionin për fëmijë vetëm para pak javësh, por më parë i është ofruar edhe Rita Orës, dhe para saj edhe Iggy Azalea.

Mich Hedin Hansen, tekstshkrues i këngës, ka treguar se kënga është krijuar para pesë vitesh por edhepse shumë emra kanë treguar interesim, ajo nuk ka arritur të lansohet.

Më vonë, Roksana Wegiel nga Polonia e morri këngën dhe ajo fitoi edicionin e këtij viti të Junior Eurovision, vetëm para pak ditësh.

Kënga kësisoj ka kaluar në një imazh më shumë për fëmijë dhe për adoleshentët. / KultPlus.com

Ka vdekur Rexhep Maksutaj, profesor dhe mbledhës i devotshëm i folklorit

Ka ndërruar jetë Rexhep Maksutaj, një prej mbledhësve më të devotshëm të folklorit.

Në moshën 68 vjeçare Maksutaj ndërroi jetë dje. Ai ishte arsimtar i respektuar në fshatin Isniq.

Baca Rexhë kontibuoi pa masë në gjurmimin e thesarit popullor duke mbledhur dhe dokumentuar gojëdhena, këngë, tradita popullore të cilat me dashuri i transmetonte të gjeneratat e reja.

Në vitin 2012-të ai botoi librin “Isniq through Centuries” – Isniqi nëpër Shekujt, një libër interesant në shqip e serbisht që tregon për këtë pjesë të bukur e të pasur kulturalisht në Kosovë. / KultPlus.com

Marigona Marku zgjedhet ambasadore e Maqedonisë në SHBA

E lindur në Dibër të madhe, znj. Marku në të kaluarën ka punuar në Ministrinë e Jashtme të Maqedonisë.

Kjo përzgjedhje është mëse e merituar pasi në SHBA, gjegjësisht në shtetin e New Yorkut, Komuna e Staten Island për shkak të fluksit të madh të mërgimtarëve dibran është binjakëzuar me Komunën e Dibrës, biles ajo thirret edhe si Dibra e tretë, pas Dibrës së vogël të Peshkopisë.

Në vitin 2011, me rastin e përvjetorit të Ministrisë së punëve të jashtme të Maqedonisë, Marigona Marku, që në atë kohë punonte në Drejtorinë për të Drejtën Ndërkombëtare, mori çmimin tradicional për diplomatin më të mirë të vitit, i cili ndahet çdo vit nga Ministria e Punëve të Jashtme. / KultPlus.com

Kurani me shkronja të qëndisura, vepër e Muhammed Hadrit

Që nga viti 2012, qindra mijëra persona kanë pasur mundësinë ta shohin Kuranin e përgatitur përmes qëndisjes nga siriani Muhammed Maher Hadri, i cili para katër viteve migroi në Turqi për shkak të luftës në qytetin e tij Halep.

Hadri përfundoi punën e tij të qëndisjes së librit të shenjtë në pëlhurë përmes makinës qepëse për një periudhë prej 12 vitesh, nga viti 2000 deri më 2012, ndërsa pas përfundimit, ekspozitën e parë e kishte hapur në Iran.

E përbërë nga 12 vëllime me përmasa 80 centimetra gjatësi dhe 60 centimetra gjerësi dhe të rënda 200 kilogramë, vepra e Hadrit nga viti 2012 është shfaqur në Siri, Liban, Kuvajt, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katar.

Para katër viteve, ai u shpërngul në Turqi për shkak të luftës civile në Siri.

Hadri, i cili aktualisht vazhdon veprimtarinë në Bursa, ua ka mundësuar qindra mijëra personave edhe në Turqi ta shohin veprën e tij përmes ekspozitave në Stamboll, Gaziantep, Trabzon dhe Bursa.

Hadri, baba i tre fëmijëve, i cili ekspozitën e fundit e hapi në qytetin e Bursës, tha për Anadolu Agency (AA) se interesimi i madh për veprën e tij e bën atë shumë të lumtur.

“Kisha bërë shumë prova dhe vazhdova pasi pashë se mund ta bëja. Filloi t’u pëlqejë atyre që e shihnin. Më pas vendosa të shkruaj tërë Kuranin në pëlhurë”, tha Hadri.

Ai tha se pas përfundimit, Kurani është kontrolluar dhe miratuar nga dijetarët sirianë Sheikh Ahmet Enis, Mustafa Xheleddin dhe Muhammed Habesh.

Hadri njoftoi se i janë bërë shumë oferta për ta blerë veprën e tij, por ai thotë se dëshiron që ajo të qëndrojë në Turqi.

“Synoj që Kuranin i përpunuar në mënyrë dekorative të ekspozohet në të gjitha qytetet e Turqisë dhe të shihet nga më shumë njerëz. Qindra mijëra njerëz e kanë parë atë të ekspozuar në shumë shtete dhe qytete”, thotë Hadri.

Krahas fazës së shkrimit, Kurani i punuar nga Hadri ka kaluar edhe në fazën e dekorimit dhe ndarjes në vëllime, shprehet ai.

“Ajo që kam bërë në fakt është art. Gjatë përgatitjes së Kuranit unë përdora makinë të zakonshme qepëse”, njoftoi Hadri.

“Prej katër vitesh jetoj në Turqi dhe dua t’ua mësoj atyre që duan ta mësojnë. Turqia u kushton kujdes të madh gjërave që kanë të bëjnë me Islamin. Meqë e di se Kurani do të ruhet mirë, unë dua që ai të shfaqet në një muze në Turqi”, shprehet Hadri./ KultPlus.com

Muzika Reggae në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-S

Muzika Reggae i është shtuar listës së trashëgimisë botërore të UNESCO-s. Kombet e Bashkuara e kanë konsideruar këtë muzikë si të denjë për tu mbrojtur dhe promovuar. Kjo rrymë muzikore, e cila lindi nga Xhamajka në vitet 1960, falë artistëve si Toots dhe Maytals, Peter Tosh dhe Bob Marley, iu shtua koleksioneve të “trashëgimisë kulturore të paprekshme”.

Unesco e ka vlerësuar muzikën rege si një rrymë socio-politike, sensuale dhe shpirtërore”, që ka depërtuar në të gjithë botën.

Reggae u bë popullor në Shtetet e Bashkuara, por veçanërisht lulëzoi në Britani të Madhe, e cila ishte bërë shtëpia e shumë emigrantëve xhamajkanë që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore.

Përfaqësuesi i kësaj muzike është padyshim Bob Marley, i cili për xhamajkenët është një revolucionar që nëpërmjet këngës zgjonte ndërgjegjen ndër masat kundra anarkisteve në pushtet. Fale koncerteve të shumta sodalitare në Afrikë, ai u bë urë lidhese mes Xhamajkës dhe pjesës tjetër të kontinentit të zi. Por mbi të gjitha ishte zëri i dashurisë romantike dhe vëllazërore në mbarë botën.

UNESCO e ka vlerësuar këtë muzikë si unike dhe më një kontribut të rëndësishëm në botë për çështjet e padrejtësisë, rezistencës, dashurisë dhe njerëzimit, dhe që ka përcjellë mesazhe të forta për njerëzimin./KultPlus.com

Fustani i princeshës Diana nxirret në ankand

Një fustan që Princeshë Diana ka veshur shumë vite më parë gjatë një balloje është nxjerrë në shitje për 100 mijë paund.

24 vite më parë ky fustan është blerë në një dyqan të rrobave të përdorura për 200 paund. Fustani i mëndafshit në ngjyrë fildishi është dizajnuar nga David Emanuel, që ishte edhe dizajnuesi i fustanit të martesës së Dianës.

Princesha e ka veshur këtë fustan gjatë një vizite në Bahrein në vitin 1986. Disa vite më vonë fustani u dhurua në një dyqan të rrobave të përdoruar nga një shtëpiake. Më pas një fustani i Princeshë Dianës në vitin 1994 i ra në sy një asistente dyqani. Duke mos ditur vlerën e tij, ajo pagoi vetëm 200 paund për të. Megjithatë asistentja nuk e veshi asnjëherë dhe gjatë një dokumentari zbuloi se fustani i përkiste Princeshë Dianës dhe vendosi ta nxirrte në ankand./KultPlus.com

Grekët e ofenduan se bëri shqiponjën në mes të Greqisë, reagon Era Istrefi

Shqipëria ka festuar dje ditën e Pavarësisë dhe të shumtë kanë qenë të famshmit shqiptarë që kanë uruar atdheun për festën kombëtare.

Edhe këngëtarja tashmë me famë botërore Era Istrefi ka uruar Shqipërinë me një foto bashkë me Norën ku duken duke bërë shqiponjën me duar. Ato ndodhen në Athinë dhe nga atje kanë vendosur të bëjnë edhe foton që në rrjete sociale po konsiderohet si provokim ndaj Greqisë.

Fansat grekë kanë reaguar menjëherë ndaj kësaj fotoje dhe kanë shpërthyer në ofendime ndaj këngëtares shqiptare.
https://www.instagram.com/p/BqurSQ4DRQJ/
Pas këtyre komenteve ishin të shumtë edhe fansat që e mbështesnin Erën dhe u kapën me faktin se nuk kishte aspak rëndësi vendi ku ishte nëse po uronte vendin e saj në një ditë kaq të rëndësishme.

Edhe vetë këngëtarja ka reaguar gjithashtu ndaj këtyre komenteve aspak të hijshme duke shkruar: “Ndodhem këtu për një udhëtim pune, po festoj Ditën e Pavarësisë ë Shqipërisë këtu. Jam artiste, jo politikane. I dua të gjitha shtetet dhe u uroj të gjithëve paqe dhe mirëqënie. Prandaj nuk ka disrespekt për asnjë. Ka vetëm dashuri dhe respekt për ju dhe vendin tuaj të bukur.Le të qëndrojmë së bashku, të mos lemë asnjë apo asgjë të hyjë mes nesh. Paqe!” . /KultPlus.com

Fillon “Java e Filmit Izraelit” në Kosovë, synon rritjen e bashkëpunimit kulturor në mes të dyja vendeve

Jeta Zymberi

“Java e Filmit Izraelit” ka nisur sonte rrugëtimin për të shpalosur para publikut kosovar filma të njohur nga Izraeli. Kjo ngjarje tradicionale e cila po organizohet për herë të 11-të me radhë është si një përmbushje e nevojës për mirëkuptim në mes të shoqërive në mënyrë që të ketë më shumë njohje midis njerëzve dhe kulturave.E filmi është njëri nga dimensionet që ndihmon që të arrihet ky qëllim. Në këtë rast këmbimin kulturor me Izraelin po e mundëson Bashkësia Hebreje – Bet Israel Kosova në bashkëpunim me Ambasadën e Izraelit në Beograd, shkruan KultPlus.

Në ambientet e Kinemasë ABC njerëzit kishin filluar të vinin e të zinin vendet e tyre ku me një pritje të ngrohtë nga organizatorët gjithçka dukej si fillim i mbarë.

Pasi sallën e kinemasë e zunë njerëzit, aty erdhi edhe kryeministri i Kosovës – Ramush Haradinaj, dhe zëvendësministri Behxhet Pacollli, por edhe këtë vit me ardhjen e saj kishte nderuar këtë manifestim kulturor mysafirja speciale Ambasadorja e Izraelit në Beograd Alona Fisher Kamm.

Në hapjen zyrtare të festivalit, fillimisht fjalën e mori Kryetari i Bashkësisë Hebreje- Bet Israel, Ruzhdi Shkodra i cili e tregoi edhe qëllimin kryesor të këtij organizimi.

“Për të 11-tën herë me radhë po e organizojmë “Javën e Filmit të Izraelit në Kosovë”. Ky organizim bëhet për të vetmin qëllim, për të rritur bashkëpunimin kulturor në mes të dyja vendeve. Edhe ne kemi arritur një herë të organizojmë javën e filmit të Kosovës në Izrael në saje të ndihmës së ish ministrit të jashtëm, Enver Hoxha. Kjo ka ndodhur pikërisht në Jerusalem, ku atje është prezantuar me filmin “Njeriu prej dheu” regjisori ynë Enver Petrovci para një publiku të madh”, ka thënë në fjalën e tij Shkodra, i cili tutje falënderoi të pranishmit që e nderuan këtë ngjarje me ardhjen e tyre.

Tutje fjala iu dha kryeministri të vendit – Ramush Hardinajt i cili vlerësoi marrëdhëniet e Kosovës me Izraelit dhe tha se historikisht kosovarët kanë ndihmuar shumë popullin e Izraelit, në Luftën e Dytë Botërore dhe në të tjera skenare të errëta në historinë jo shumë të largët.

Ambasadorja e Izraelit në Beograd, Alona Fisher Kamm, e cila këtë organizim e hapë për të tretën herë, u shpreh e lumtur që tashmë është bërë traditë të takohen këtu

“Është hera e tretë për mua që e hap këtë organizim, dhe po shoh fytyra që i njoh, e kjo do të thotë se kemi krijuar traditë me këtë organizim. Me anë të këtij festivali po paraqesim aspekte të ndryshme të jetës dhe kulturës së Izraelit, në Kosovë, para audiencës kosovare. Shpresoj që me kalimin e kohës do të forcojmë marrëdhëniet Kosovë-Izrael dhe se mund të bëjmë më shumë në ekonomi, kulturë e në fushat tjera”, është shprehur ambasadorja e cila tutje tregoi se kishte dëgjuar edhe për Besën – ndjenjën e mikpritjes shqiptare, andaj sipas saj ka ardhur koha që të reflektohet mbi solidaritetin në përgjithësi.

Fisher Kamm tutje foli më shumë rreth tre filmave që do të shfaqen gjatë “Javës së Filmit Izraelit” në Kosovë e kështu për ta lënë publikun që vetë ta shijojë e vlerësojë filmin “Saving Neta”, me regji të Nir Bergman i cili ishte përzgjedhur të shfaqej sonte në hapje të “Javës së Filmit Izraelit”.

Ky film i cili përcjellte humor, dramë, dashuri dhe shpresë, tregon historinë e katër grave jeta e të cilave ndryshon
sapo takojnë një burrë me emrin Neta ku fillon një marrëdhënie familjare në jetën moderne.

Filmi është një prodhim i vitit 2016, fitues i shumë çmimeve, dhe me aktorë kryesorë: Rotem Abuhab, Emma Alfi Aharon dhe Naama Arlaky.

“Java e Filmit Izraelit” vazhdon deri me datë 1 dhjetor. Më 30 nëntor me fillim nga ora 15:00 vjen dokumentari i regjisorit Ido Haar “Presenting Princess Shaw”. E më 1 dhjetor me fillim nga ora 15:00 shfaqet filmi i regjisorit Maha Haj “Personal Affairs” ndërsa në terminin e orës 22:00 shfaqet premiera e filmit “Hunter Killer”. / KultPlus.com

Videoja promovuese, Kosova ia huq Republikës

Kryeministri Ramush Haradinaj, e pas tij ministra, ambasadorë e këshilltarë kanë postuar sot një video promovuese të Kosovës në anglisht.

I kanë lutur qytetarët e Kosovës ta shpërndajnë, për siç është thënë përpjekjen për ta treguar fytyrën e vërtetë të Kosovës.

Por, në fund të videos që tregon se ajo është përgatitur nga Ministra e Tregtisë dhe e Industrisë, në anglisht është shkruar “Republc” në vend të “Republic of Kosovo”, raporton KTV-ja.

Në një tjetër video në të kaluarën NewBorn ishte lexuar NewPorn. Qeveritë shpenzojnë miliona për imazhin e Kosovës në mediat ndërkombëtare./KultPlus.com

Të premten mbrëma, ‘S’mund të paguajmë! S’do të paguajmë’ vjen në Gjakovë

Në vitin 1974, performuesi dhe dramaturgu Dario Fo dha premierën e shfaqjes së tij absurde dhe politike, S’do të paguajmë! S’do të paguajmë! Disa muaj më vonë, disa gra italiane u arrestuan për vjedhje të ushqimit prej supermarketeve.

Prokurori i rastit e ndërlidhi edhe Fo-në në gjykim si rrjedhojë e faktit që shfaqja e tij kishte një situatë të ngjashme që kishin qenë si inspirim. Fatmirësisht gjykatësi e liroi Fo-në prej përgjgjësisë nga krimi. Edhepse shfaqja ishte pothuaj dokumentareske, ajo ishte e mbushur me satirë dhe humor të hollë.

Me regjisorja Hana Qena flet rreth shfaqjes, tematikës dhe problematikave krejtësisht aktuale që trajton komedia “S’mund të paguajmë! S’do të paguajmë”, dhe inskenimit të saj në Teatrin e qytetit të Gjakovës.

“Komedia është e bazuar në ngjarje të vërtetë, ka ndodhur në Milano kur janë rritur çmimet, çka autori e ka përjetuar vetë, e pastaj e ka përpunuar në mënyrë komike historinë. Janë shtatë personazhe të cilat i luajnë shtatë aktorë nga Teatri i Gjakovës, të cilët kanë qenë shumë entuziastë dhe të gatshëm për të punuar” tregon Hana për përzgjedhjen e saj.

Aktorët që luajnë në këtë shfaqje janë : Myrvete Kurtishi, Ylber Mehmeti, Vlora Dervishi, Edmond Uka, Edmond Hafizademi, Valon Pallaska dhe Muradije Muriqi.

Në rolin kryesor është Myrvete Kurtishi, ndërsa Edmond Hafizademi luan dy karaktere, është e përcaktuar prej vetë autorit, është roli i rreshterit dhe të inspektorit.

“Komedia që po e inskenojmë, quhet “S’mund të paguajmë!S’do të paguajmë” trajton problematikën e klasës punëtore, në kohën kur rriten çmimet, punëtorët largohen prej punës dhe bëhet një kaos, pak a shumë i ngjashëm me atë në Kosovë, dhe amviset vendosin të mos paguajnë asgjë më shumë se sa kanë paguar më heret, në fakt ato shkojnë edhe më larg, vendosin të mos paguajnë asgjë, por t’i vjedhin produktet që iu duhen. Gjatë shfaqjes kuptohet që personazhet janë të uritur, por jo të uritur për bukë, po për dinjitet dhe respekt në shoqëri” thotë Hana Qena. / KultPlus.com

‘Ditët e Albanologjisë’, edicioni i katërt vjen në dhjetor

Akademia e Studimeve Albanologjike organizon edicionin e IX të veprimtarive “Ditët e Albanologjisë”. Këto veprimtari do të zhvillohen në datat 3, 4 dhe 5 dhjetor 2018, duke filluar nga ora 10.00.

Në datën 3 dhjetor në ambientet e sallës “Aleks Buda” të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, do të zhvillojë punimet konferenca shkencore me temë: “Skënderbeu dhe epoka e tij”. Me datë 4 dhjetor, në sallën “Kostandin Shpataraku”, të Muzeut Historik Kombëtar do të zhvillojë punimet konferenca me temë: “100 vjet gërmime arkeologjike në Shqipëri”. Gjithashtu, po në datë 4 dhjetor, në sallën “Aleks Buda” të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, do të bëhet prezantimi i botimeve të reja, të realizuara gjatë vitit 2018, nga institutet e Akademisë së Studimeve Albanologjike.

Në datë 5 dhjetor, duke filluar nga ora 12:00 në mjediset e Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit do të mbahet ekspozita “Një etnografi për kohën e Skënderbeut”, me kuratore prof. dr. Afërdita Onuzi dhe dr. Ermela Broci.

Po këto ditë në një tjetër aktivitet, në ligjëratën e radhës, prof. dr. Afërdita Onuzi foli për punimin e drurit dhe gdhendjen e tij në zona të ndryshme të Shqipërisë. Ajo bëri një paraqitje të hollësishme të tipologjisë së punimit të drurit, duke filluar nga zbukurimet e tavaneve, deri tek objektet e përdorimit të përditshëm, si: vegla pune, enë kuzhine etj. Po ashtu, një hapësirë e veçantë iu kushtua aplikimit të motiveve të ndryshme në gdhendjet më dru, ku spikasin motivet gjeometrike, motivet floreale, zoomorfe etj. Qendra e Studimeve Albanologjike (sot Akademia e Studimeve Albanologjike) u krijua në kuadër të ristrukturimit të sistemit universitar dhe akademik shqiptar, me vendim të Këshillit të Ministrave, nga bashkimi i katër Instituteve (Arkeologji, Gjuhësi dhe Letërsi, Histori, Kulturë Popullore) dhe i dy njësive kërkimore (Studimi i Artit, Enciklopedia Shqiptare) të ish- Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë.

Krahas kërkimit në fushat e historisë, të arkeologjisë, të antropologjisë kulturore e studimit të artit, të gjuhësisë e të letërsisë, etj., rëndësi të posaçme në punën e ASA marrin hulumtimi, vlerësimi, konservimi dhe promovimi i trashëgimisë materiale e shpirtërore të kulturës së lashtë e të re shqiptare, si një ndër dëshmitë e qenësishme e më shprehëse të identitetit shqiptar.

Filmi ‘Ajo’ i More Raçës merr çmimin e jurisë në Kajro

Filmi “Ajo” me regji nga More Raça ka fituar një çmim prestigjioz.

“Ajo” ka marrë çmimin special të jurisë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Kairo, i cili është festival i kategorisë A.

Në film luajnë aktorët Aurita Agushi, Sunaj Raça, Diella Valla, Florist Bajgora, Bekim Mulaj.

Filmi “Ajo” me producent Sunaj Raçën flet për dhunën në familje, guximin e një vajze të vogël për të shpëtuar vetën dhe nënën e saj.

Filmi është prodhim i shtëpisë filmike Arena i subvencionuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës. / KultPlus.com

‘KOSOVA, një vend me mundësi dhe me shumë ëndrra’

Videot e ndryshme që e promovojnë Kosovën nëpër botë janë të shpeshta.

Një e tillë është lansuar sot. “Kjo është Kosova, sot!” tregon sukseset e vendit të vogël evropian, me plot talente e potencial.

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka nxjerrë një video me emrat Dua Lipa, Rita Ora, Era Istrefi, Arta Dobroshi e Majlinda Kelmendi, njerëz këta që i kanë sjellë suksese Kosovës nëpër botë.

Videoja tregon edhe për zhvillimin ekonomik dhe për rritjen graduale të suksesit në Kosovë në fusha të ndryshme. Kosova, një vend me shumë ëndrra, thotë videoja në fjalë. / KultPlus.com

Serbia e futë në UNESCO këndimin e shoqëruar me lahutë

Në listën e UNESCO-s për mbrojtjen e përkohshme të trashëgimisë së paprekshme janë futur edhe 21 elemente të reja.
Lista Përfaqësuese e Njerëzimit kësisoj është pasuruar edhe me të tjera trashëgimi e pasuri nga vende të ndryshme të botës.

Në mesin e kësaj liste është edhe këndimi me lahutë nga trevat e Serbisë. Shoqërimi me këngë në performimin me lahutë (gusle) është tanimë pjesë e mbrojtur nga UNESCO. Sipas UNESCO-s, performimi me këngë dhe lahutë është i një rëndësie historike dhe kësisoj duhet mbrojtur e promovuar.

Serbia në fakt ka lobuar shumë që ta fusë lahutën e saj në këtë listë. Në Serbi disa organizata janë bashkuar në Unionin e Lahutarëve të Serbisë dhe kanë organizuar disa festival të Lahutës në Serbi, shkruan KultPlus.

Këndimi i shoqëruar me lahutë cilësohet si një mënyrë e shprehjes së identitetit kulturor.

Përhapja gjeografike e Lahutës në vendin përkon me vetë përhapjen e këngëve të kreshnikëve. Lahutën e shohim në Krujë, në Veriperëndim, pastaj Malësi e madhe, Hoti e Gruda, Kelmendi, Kastrati, Rranxat e Shkodrës, Dukagjin, Postrribë, Shllak, Nikaj-Merturi dhe në zonat e Malësisë së Gjakovës.

Përsa i përket prejardhjes së këtij instrumenti K. Tagliavini e nxjerr nga arabisthja el’ ud që do të thotë vegël druri.

Zakonisht këngët me lahutë këndohen në nderim të heronjve, ngjarjeve të së kaluarës, legjendave dhe më rrallë ato janë balada apo këngë humoristike. / KultPlus.com

E shkruar më 28 Nëntor

Mehmet Kraja

Bashkimi kombëtar, bashkimi i Kosovës me Shqipërinë, mund të bëhet vetëm atëherë, nëse Shqipëria respekton vullnetin politik dhe sovranitetin e Kosovës, sepse në të kundërtën bashkimi quhet aneksim.

Para disa ditësh në Pejë ndodhi diçka që nuk kisha dashur të isha bashkëkohës i saj: një gënjeshtër monumentale, e pashembullt dhe e papërsëritshme, e tillë që me hijen e saj të shëmtuar nxin dhe errëson çdo akt të virtytshëm dhe çdo sakrificë sublime për shtetin dhe idealet kombëtare. Që gënjeshtra patriotike panshqiptare të merrte atribute historike, për mbledhjen e përbashkët të dy qeverive, të Kosovës dhe të Shqipërisë, u zgjodh vendi, ku 119 vjet më parë u mbajt Lidhja e Pejës dhe prag-festa e 28 Nëntorit, duke ua lënduar shqiptarëve sentimentin me këtë cirk të shëmtuar, duke ua tallur historinë dhe duke hedhur mbi vlerat e trashëgimisë sonë groteskun morbid të politikës arriviste. Ikonografia e mbledhjes, siç u pa, e mbingarkuar me simbole kombëtare, me pompë dhe akte solemne, përveç se duhej të dëshmonte atë që nuk kishte nevojë të dëshmohej, më shumë duhej të fshihte diçka të madhe, diçka tronditëse për ata që duan të shohin përtej perdes së kuqe dhe hijeve të errëta mbi të: duhej t’u dërgohej një mesazh shqiptarëve, veçmas atyre të Kosovës, që ende besojnë në “dizajne” të këtilla krejtësisht të rreme, se punët e kombit shkojnë mbroth dhe se për këtë kujdesen dy qeveritë, me angazhimet e tyre thellësisht kombëtare. Nuk do mend, mjeshtri i ikonografisë dhe propagandës ishte Edi Rama, një dizajnator me biografi të manipuluar artistike, i cili në shtetin e vet ka dhënë prova bindëse se propagandën e bën më mirë se çdo punë tjetër. Gjithkush e di se mbledhjet e këtilla të përbashkëta të dy qeverive që pesë vjet e këndej as kanë sjellë rezultat dhe as kanë për të prodhuar ndonjë efekt real kombëtar: atyre nuk u besojnë as vetë pjesëmarrësit, por nuk del njeri që t’i ndalë, sepse të gjithë duan të përfitojnë prej tyre, ndonëse po të gjithë e dinë se ky marketing i çmendur i Edi Ramës është vetë keqqeverisja e manipuluar. Në këtë grackë, në grackën e Edi Ramës si mjeshtër i propagandës tashmë ka rënë edhe Qeveria e Kosovës, jo pse kjo qeveri është gjë më e mirë se ajo e Shqipërisë, por thjesht sepse promovimet publike nuk janë specialitet i saj (është më e ngathët, pa elokuencë dhe pa sensin e komunikimit publik), teksa dëshirës për t’u përfshirë në këtë formë të promovimit të gënjeshtërt nuk i reziston dot.

Që Edi Rama e ka kthyer Shqipërinë në një kala gënjeshtrash, këtë kanë filluar ta pohojnë zëshëm edhe ata që deri dje e kanë mbështetur dhe i kanë kryer shërbime nga më të ndryshmet. Në të vërtetë, kjo do të duhej të ishte çështje “e brendshme” e elektoratit të Shqipërisë, i cili, duke ia mbushur kutitë me dy të tretat e votave, duhej ta kishte në vëmendje se është duke prodhuar një mostër politike, që në një ditë jo të largët do të hajë edhe fëmijët e vet. Por tani ndodhi që ambiciet e kësaj mostre janë më të mëdha se vetë Shqipëria: i trimëruar nga vota gati plebishitare e Shqipërisë, ai tashmë synon ta shtrijë marrëzinë dhe papërgjegjësinë e vet tej kufijve të saj, natyrisht as në Greqi dhe as në BE, por aty ku dënglat e tij shiten, qoftë edhe me një çmim dosido, pra në Kosovën e traumatizuar nga frustrimet e saj historike dhe politike. Natyrisht, në rastin e takimit të Pejës, Edi Rama dëshmoi se nuk njeh sovranitetin e Kosovës, nuk e njeh traditën e popullit të vet, nuk di gjë për mirësjellje dhe punën e parë që bëri, shqelmoi derën e shtëpisë mikpritëse dhe, sipas prirjes së tij tashmë të njohur, me këmbët e tij me llucë dhe pëgëra, vandalizoi Kosovën e brishtë dhe fragjile në të gjithë përbërësit e saj. Përballë një Edi Rame të këtillë, që ndihet Zot në Kosovë dhe bëhet pulë para Serbisë dhe Greqisë, qeveritarët e Kosovës, të padijshëm dhe të pazot, të squlltë dhe inferiorë, pa autoritet dhe pa mbështetje elektorale, nuk kanë as guxim e kurajë, por nuk kanë dije dhe as vullnet politik që këtij vandali plangprishës t’i tregojnë derën. Kjo duhej të ndodhte, sepse Edi Rama, sikundër secili lider i Shqipërisë, edhe nëse është ithtar i madh i bashkimit kombëtar, së pari duhet ta respektojë sovranitetin e Kosovës, sepse në të kundërtën bashkimi me të është aneksim (anschluss!). Por, sikundër tashmë e dimë fare qartë, Edi Rama nuk erdhi në Kosovë për gjepurat e tij rreth bashkimit kombëtar dhe as për ta mbështetur Kosovën përpara BE-së, por erdh për të promovuar “partneritetin strategjik me Serbinë”, të Kosovës dhe Shqipërisë, një agjendë kjo e marrë me ngut edhe nga miqtë e tij, Thaçi dhe Vuçiq. Duke proklamuar një partneritet të këtillë, Edi Rama, bashkë me Qeverinë e Kosovës që nuk u distancua prej tij, shkelën vlerat dhe arritjen më të madhe të historisë njëqindvjeçare të Kosovës: nëpërkëmbën partneritetin me Perëndimin, me SHBA dhe NATO-n, duke shpallur aleancën e frikshme me Serbinë dhe Rusinë si mecen i saj.

(Kjo fyerje që i bëhet Kosovës është e pashembullt, është fyerje ndaj historisë së saj të vjetër dhe më të re, është fyerje për dëshmorët dhe heronjtë e saj, për idealet dhe për ardhmërinë e saj. Njeriu habitet, si mund të prodhojë ky vend me një histori të këtillë politikanë kaq të padinjitetshëm, kaq luajalë dhe të nënshtruar ndaj Serbisë, në kohën kur ajo, pasi ka vrarë dhe ka prerë, ka shkatërruar dhe masakruar, ka dhunuar dhe ka turpëruar, pa kompensuar dëm dhe pa kërkuar falje, sërish kërcënon me zhbërjen e pavarësisë së Kosovës. Si është e mundur, pse kaq shpirtgjerë janë politikanët shqiptarë ndaj Serbisë, kur luftën politike mes veti e kanë aq të egër, si askush tjetër?! Atëherë, duhet të jetë diku një interes i tyre suprem, që ua mpin trurin politikanëve tanë, të cilët, edhe pse disa prej tyre dikur kanë luftuar kundër Serbisë, tani bëhen qengja përballë saj. Dihet, përsëritja e historisë te ne është një sindrom që ndjek një cikël fatal dhe se arrivistë dhe bukëshkalë të këtillë ka pasur gjithmonë në të kaluarën tonë: njëqind e ca vjet më parë, Esat Pasha ia dorëzoi Shkodrën Malit të Zi e Serbisë, dhe Rusisë që u rrinte prapa, të cilën më pas mezi ua hoqi nga dora bashkësia e atëhershme ndërkombëtare. Por ky shpjegim patetik-historik nuk mjafton, sikundër nuk mjafton shpjegimi i zakonshëm për mungesën e një reagimi popullor dhe qytetar, i cili do të mbronte vlerat historike dhe demokratike, mungesën e një zëri të fuqishëm që trondit nga themelet dhe shkundullon në gjenezë vetë origjinën e idesë.)

Sido që të jetë, tashmë është krejt e qartë se dy qeveritë, të cilat në Pejë nuk arritën të bënin asnjë gram histori, ia dolën të realizonin një agjendë (të tymtë!) të përbashkët. Qeveria e Kosovës me masat populiste ndaj Serbisë dhe me ndihmën e ikonografisë patriotike të Edi Ramës është duke u përpjekur t’i përballojë pasojat e mosliberalizimit të vizave, të cilat nuk do të hiqen as kësaj radhe, jo vetëm për shkak të qëndrimit cinik të BE-së, të cilin gjithsesi e kemi merituar, por më shumë për shkak të dështimeve lapidare në luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Klasa politike e Kosovës, pozitë dhe opozitë, jo vetëm kësaj radhe, ka dështuar me krejt agjendën e saj evropiane dhe, ç’është akoma më keq, ajo pandeh se duke ikur nga seancat e parlamentit, duke vonuar dhe duke mos votuar ligjet arrin t’ua hedhë pa u lagur masave shtrënguese të BE-së dhe njëkohësisht të mjegullojë ose të davaris disi bindjen tashmë të ngulitur te secili qytetar i Kosovës, se epiqendër e krimit të organizuar dhe korrupsionit është pikërisht klasa politike. Më anë tjetër, Qeveria e Shqipërisë e Edi Ramës, duke i dalë zot Kosovës me “kërcënime” populiste ndaj BE-së (teksa tashmë ia ka caktuar Serbinë si partner strategjik!), përpiqet të përballojë përmes nacionalizmit të zvjerdhur refuzimin gati të sigurt të çeljes së negociatave me BE-në. Ky dështim politik i të dy palëve edhe në të ardhmen pritet të prodhojë bashkime kombëtare, unifikime doganash, heqje taksash, vënie taksash dhe kaçapordhica të këtilla tipike për estradën tonë politike, derisa të kuptohet një herë e mirë se dy shtetet tona ballkanike, përveçse histori dështimesh, ndoshta mund të prodhojnë një ditë edhe ndonjë “histori suksesi”, siç ishte ajo e Sanaderit apo Grujevskit!

Një çështje tjetër, që u duk sikur u vërtit në margjina të takimit të Pejës, por që e dominoi atë me hijen e errët dhe të frikshme, ishte korrigjimi i kufirit ose këmbimi i territoreve me Serbinë, ose e ashtuquajtura marrëveshje historike me Serbinë. Disa analistë dhe medie të Tiranës, akoma luajalë ndaj Edi Ramës, duke dashur ta mbitheksojnë supremacinë intelektuale të kryeministrit të Shqipërisë kundrejt mendjeve të kufizuara të politikanëve kosovarë dhe duke marrë mësim nga paternalizmi historik i Shqipërisë ndaj Kosovës, nuk ngurruan të thoshin se Shqipëria, më në fund, arriti ta merrte në dorë çështjen e Kosovës, jo pse këtë ia besoi vetë Kosova, as pse mund t’ia ketë besuar SHBA-ja dhe BE-ja, siç u përpoqën të gënjenin, por sepse Serbia mund ta ketë zgjedhur si partner të besueshëm Shqipërinë, për ta mbyllur një herë e mirë çështjen e Kosovës, në një kohë që faktori i politik i Kosovës, ose nuk ka mbështetje të brendshme, ose nuk shfaqet i besueshëm kundruall faktorit ndërkombëtar. Ashtu sikundër pritej, Rama u shfaq i paepur, agresiv, arrogant, fjalëpistë në mbështetje të Thaçit dhe Vuçiqit, por pa treguar as kësaj radhe pse është kaq pasionant në mbrojtje të asaj kauze. Në të vërtetë, askush nuk e ka të qartë, ç’i hyn në punë Edi Ramës veriu i Kosovës, pse do me çdo kusht t’ia japë Serbisë këtë pjesë të saj? Që t’i hapë rrugën bashkimit kombëtar? E pabesueshme! Pse, aq naiv dhe i kufizuar të jetë Rama, dhe të mos i ketë dhënë aq mend edhe Thaçit, sa të besojnë që të dy se bashkimi i Kosovës me Shqipërinë do të bëhet me ndihmën e Serbisë? Aspak. Fundja, pse ai nuk i shikon punët e veta me Greqinë, që të mos i shkelet sovraniteti orë e çast nga ultranacionalistët grekë, por vjen në Pejë e Prishtinë dhe i fut shkopinj nën rrotë Kosovës që mezi çapitet. Askush në Kosovë nuk e beson se Rama dhe Thaçi nuk kanë një llogari të fshehtë politike, se angazhimi i tyre nuk është, nuk ka qenë dhe nuk do të jetë kurrë pa prapavijë dhe i motivuar nga ndjenja të sinqerta. Për këtë të gjithë janë të vetëdijshëm. Vetëm se, pikërisht vetëm se, doli krejtësisht e paqartë, si ndodhi që, derisa Rama po përgatitej të promovohej si lider kombëtar, ndoshta pak i turbullt nga mendja, pak i gënjyer dhe euforik nga mbështetja e bashkëmendimtarëve të tij në Prishtinë, derisa kolovitej korridoreve të Klan-Kosovës, Hashim Thaçi, mbase edhe i shantazhuar vërtet nga Gjykata Speciale, me takimet në Uashington tashmë shfaqej i paarritshëm për Edi Ramën: për mirë ose për keq, me lobim të paguar shtrenjtë ose lirë, që të ndahet ose të mbetet e bashkuar, në kancelaritë amerikane Kosovës nuk i referohet më askush përmes Serbisë ose Shqipërisë, dhe as përmes Edi Ramës, natyrisht.
Ndërkaq, nëse është për të besuar se para 25 vjetësh, bashkë me Dobrica Qosiqin e Serbisë ishte angazhuar pa sukses për ndarjen e Kosovës edhe një ambasador i fuqishëm i SHBA-së, Uoren Cimerman, është krejt e besueshme se edhe Thaçi dhe Vuçiqi, pas pak kohe, do të dalin të pikëlluar nga kjo histori.

Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për Gazeta Express.

Me disa aktivitete do të festohet suksesi i grave kosovare në art dhe kulturë

Dhjetori në Qendrën e Informimit dhe Kulturës së Bashkimit Evropian i dedikohet promovimit të punës së gruas kosovare në diplomaci kulturore dhe art me moton ‘Gratë e Kosovës në promovimin e artit dhe kulturës’.

Disa aktivitete do të zënë vend në këtë Qendër për të festuar gruan kosovare dhe suksesin e saj.

Me datë 3 dhjetor do të hapet ekspozita ‘Klithma e heshtjes së gruas’. Mjellma Goranci dhe Shqipe Kastrati, dy artiste të njohura në fushën e artit pamor në Kosovë, do të prezantojnë punën e tyre në dy mediume: pikturë dhe skulpturë. Pikturat e Mjellmës fokusohen në shpalosjen e bukurisë së gruas me anë të ngjyrave më dinamike dhe të ndezura, ndërsa Shqipja përdorë gruan dhe rrobat e saj tradicionale në skulpturat e saj. Puna e saj momentalisht po rrugëton nëpër botë ndërsa portretet e saj po përdoren për të promovuar brendin e njohur të syzeve nga kosovarja Laura Imami.

Me datë 4 dhjetor, në EUICC do të ketë shfaqje të filmit ‘Ajo’ nga More Raça dhe do të pasojë biseda me regjisoren. More Raça është një prej regjisoreve të reja më premtuese në vend, filmi i së cilës aktualisht është përzgjedhur në selektimin e parë të mundur për tu nominuar në kategorinë e filmave të shkurtër në ceremoninë The Oscars. Filmi i saj debutues “Ajo” është shfaqur suksesshëm në disa festivale. Pas shfaqjes së filmit do të pasojë një diskutim me regjisoren Raça.

Me 5 dhjetor vjen paneli i diskutimit. Ky panel do të përqendrohet në gratë lidere në art dhe kulturë në Kosovë, të cilat po i udhëheqin disa prej institucioneve të pavarura kulturore më të rëndësishme në Kosovë, dhe kësisoj po ndihmojnë në diplomacionë kulturore. Në panel do të jenë Besa Luzha – Drejtoreshë e Festivalit ‘Chopin Music Festival’, Nita Deda – Drejtoreshë e Festivalit ‘Dokufest’, Zana Krasniqi – Drejtoreshë e Festivalit Femart, Donika Rudi – Drejtoreshë e Fesrtivalit Remusica, Vjosa Berisha – Drejtoreshë e Festivalit PriFest dhe Arta Bunjaku – Drejtoreshë e Galerisë Kombëtare të Kosovës. / KultPlus.com

Rita Orës i valvitet fustani si Marilyn Monroes (FOTO)

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora, këto ditë po qëndron në Sydney të Australisë.

28-vjeçarja rrëmbeu vëmendjen e të gjithëve me paraqitjen e saj glamuroze në tapetin e kuq të “Cartier’s Precious Cargo Party” në Sydney.

Mirëpo falë një moti me erë, veshja e saj nuk ishte e qëndrueshme, ndonëse u bë më atraktive, shkruan DailyMail, transmeton Telegrafi.

Era frynte në pjesën e prapme të fustanit të saj, duke bërë që këngëtarja të zbulonte më shumë se ç’duhet.

Ajo kishte veshur një fustan të shkurtër ngjyrë gri, i cili kishte material të hapur, dhe kjo ndikonte që veshja e saj të rrëmbehej lehtësisht nga era.

Rita është aktualisht në Australi për të promovuar albumin e saj të dytë, “Phoenix”, i cili u publikua një javë më parë.

Këngëtarja britanike u shfaq në çmimet ARIA në natën e së mërkurës, ku edhe interpretoi këngën e saj hit të albumit, “Let You Love Me”.

Ajo gjithashtu falënderoi fansat e saj australianë në Instagram pas shfaqjes.

“Është kaq e mahnitshme që jam këtu në Australi, nuk dua të largohem!”, shkruajti ajo. /KultPlus.com

28 Nëntori nga ky vit do të përmbyllet me një fotografi të grave të suksesshme

Gili Hoxhaj

Në shënim të Ditës së Flamurit, dje fshati turistik “N’Mal” në Rekë të Allagës në Rugovë, ka qenë nikoqir i disa emrave të njohur të grave të cilat janë bashkuar për të kujtuar rolin e gruas në historinë shqiptare, shkruan KultPlus.

Nën moton “Të festojmë duke kujtuar”, ato përmes veshjeve të trevave të ndryshme shqiptare e këngës kanë përfaqësuar simbolikisht rolin e grave në çlirimin e vendit, një rol ky që historikisht nuk ka qenë edhe shumë i shpërfaqur.

Në një frymë festive e të nderimit të grave, në një ambient të vetëm janë mbledhur: Princesha Elia Zaharia, Anita Haradinaj, Justina Pula, Yllka Mujo, Shpresa Gashi, Dajana Berisha, Adelina Thaqi, Dijana Toska, Blerta Surroi, Vlora Dumoshi, Adriana Matoshi dhe Hana Haradinaj.

Organizatorja e kësaj iniciative Vlora Nikçi ka treguar për KultPlus se me anë të këtij manifestimi kanë kujtuar ato heroina që nuk patën vend në fotografinë e famshme të 28 Nëntorit në Vlorë.

“Përpos veshjeve tradicionale, kemi festuar me këngët tona të vjetra, me ushqimet tona tradicionale dhe duke biseduar për gratë tona heroina dhe përpjekjet e tyre për lirinë e vendit dhe ngritjen e shoqërisë dhe shtetit. E që janë të shumta”, tregoi Nikçi.

Ajo tutje tregoi se është munduar që t’i mbledhë ato gra që janë dëshmuar si të suksesshme në profesionet e tyre dhe njëkohësisht kontribuojnë në fuqizimin e pozitës së gruas në shoqëri dhe në barazinë gjinore.

“Përpos këtyre grave, kanë munguar edhe shumë gra të tjera të cilat ndodhen jashtë vendit duke na prezantuar shkëlqyeshëm në nivel shtetëror”, u shpreh aktorja Vlora Nikçi.

Nikçi krejt në fund ka treguar që ky aktivitet do të jetë tashmë tradicional dhe gjithnjë do të përmbyllet me fotografinë simbolike të festës së 28 Nëntorit. / KultPlus.com

Hartohet projekti për restaurimin e banesës së Selman Tollës

Instituti i Monumenteve të Kulturës ka hartuar projektin për: “Restaurimin e banesës së Selman Tollës”, Fushë – Lurë, Dibër, shkruan KultPlus.

Projekti i miratuar në Këshillin Kombëtar të Restaurimeve parashikon ndërhyrje konsoliduese – restauruese në objekt.

Instituti i Monumenteve të Kulturës mirëpret çdo bashkëpunim dhe mbështetje që kontribuon në ruajtjen e trashëgimisë sonë kulturore./ KultPlus.com

“Shqiponja” e Granitit dhe bashkëshortes së tij bën bujë në mediet britanike

Granit Xhaka dhe bashkëshortja Leonita janë bërë temë e mediave rozë të Britanisë së Madhe.

Futbollisti kishte vendosur të ketë një darkë romantike me të dashurën, me ç’rast edhe ndau disa fotografi prej mbrëmjes.

Ai me këtë rast ka dëshmuar edhe njëherë prej ardhjen shqiptare, duke bashkuar duart me zeshkanen për të formuar simbolin e shqiponjës së shqiptarëve, shkruan The Sun.

Gjesti është një simbol nacionalist, që përfaqëson shqiponjë me dy kokë mbi flamurin kombëtar të Shqipërisë, raporton më tutje mediumi lartcekur.

Ai kujton edhe kohën kur të njëjtën gjë e kishte bërë Graniti së bashku me Xherdan Shaqirin, të cilët ishin golashënuesit e vetëm të fitores së Zvicrës kundër Serbisë me rezultat 2-1.

Familja Xhaka është nga Kosova, ku kryefamiljari, Ragipi kaloi pothuajse katër vjet si i burgosur politik në Jugosllavi për mbështetjen e pavarësisë së Kosovës.

Gjersa fansat serbë kërkuan që futbollistët të ndëshkohen, ata shqiptarë duartrokitën veprimin e Xhakës dhe Shaqirit.

Ndryshe, Granitin do ta shohim sërish në aksion gjatë fundjavës me skuadrën angleze të Arsenalit./KultPlus.com

https://www.instagram.com/p/BqvJ5GpAOgq/?utm_source=ig_embed

Vesa Luma, Aurela Gaçe dhe Elhaida Dani pranojnë Orën e Tiranës

Vesa Luma, Aurela Gaçe dhe Elhaida Dani kanë pranuar sot nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, Orën e Tiranës, shkruan KultPlus.

Dhurimi i orës së kryeqytetit të Shqipërisë, e njohur si ‘Kulla e Sahatit’ është bërë në shenjë nderimi për këngëtaret dhe karrierën e tyre të pasur muzikore. Lajmin e kanë bërë të ditur vet këngëtaret përmes rrjeteve sociale.

“Është një ndjenje e jashtëzakonshme dhe privilegj i madh, të pranoj Orën e Tiranës nga Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Tirana qytet ky që me rriti artistikisht dhe që me dha aq shumë dashuri! Këtë energji dhe dashuri do ta ndaj sonte, bashkë me dy artiste të mëdha e që i dua shumë, siç janë Aurela Gace dhe Elhaida Dani në Sheshin Skënderbej! Ju presim me padurim”, ka shkruar në Facebook, Vesa Luma./KultPlus.com

Shtatë gjërat që na i mëson “Anna Karenina”

“Ana Karenina” është një roman romantik tipik i letërsisë ruse, i shkruar plot me detaje që të mbeten në mendje, por që transmeton edhe një ngarkesë të fuqishme emocionale. Ana, personazhi kryesor i veprës, nuk e gjen veten gjëkundi në martesën e saj dhe, pasi një aventurë jashtëmartesore, e gjen veten në shinat e trenit, e gatshme për t’u vetëvrarë për mëkatin që ka bërë.

Nëse gjatë gjithë veprës personazhi i saj transmetonte neveri për atë që i bënte bashkëshortit, në fund gjithsecili nga ne ndjeu dhimbje për vdekjen e saj. Këtë fuqi për të t’i ndryshuar komplet emocionet e kanë shumë pak autorë. Kujtojmë këtu se të njëjtin efekt na ofron edhe Flaubert me “Zonja Bovari”.

Tolstoy duket sikur e ka tejkaluar veten me romanin “Ana Karenina”, pasi i ka falur botës një kryevepër që ka kryesuar kushedi sa e sa klasifikimeve për librat më të mirë. I nisur me fjalinë “Të gjitha familjet e lumtura janë njësoj, ndërsa familjet jo të lumtura janë të gjitha jo të lumtura në mënyra të ndryshme”, Leo Tolstoy na jep këto mësime përmes kryeveprës së tij:

Jo çdo gjë që shkëlqen, është prej ari
Kur 18 vjeçarja Kiti u përball me dy djem që e pëlqenin, ajo zgjodhi Vronskin, në vend të Levinit. Ajo mendonte se Vronski ishte më i paraqitshëm dhe më sharmant, por pavarësisht se ai flirtoi më Kitin, më pas zgjodhi Anën dhe në fund i la të dyja me zemrën të thyer. Ndërkohë Levini, vërtet duket në fillim personazh antipatik për lexuesin, por në fund rezulton një partner shumë besnik.

Divorci duhet të jetë një zgjedhje e pranuar nga shoqëria
Romani është shkruar në një periudhë, kur divorci konsiderohej një tabu. Divorci ishte e kundërta e lumturisë, prandaj dhe përballë një fakti të tillë, Ana nuk divorcohej dot nga bashkëshorti i saj që nuk e bënte të lumtur.

Por nëse e mendojmë mirë, një paragjykim i tillë për divorcin nga shoqëria e asaj kohe, na bën të mbajmë në duart tona një kryevepër të letërsisë botërore. Imagjinoni pak nëse Ana do të ishte ndarë prej bashkëshortit të saj. Sot nuk do të kishim një vepër të kësaj natyre.

Të martohesh në moshë të re, është një zgjedhje jo tepër e zgjuar
Vitet e fundit është vënë re një rritje e moshës mesatare të martesës. Mosha mesatare e martesës për femrat është 27, kurse për meshkujt 29 (në ndryshim nga 23 për femrat dhe 26 për meshkujt në vitet ’90). Ky është një ndryshim shumë i mirë, pasi të dy partnerët janë më të përgatitur për jetën në çift.

Tolstoy ndoshta nuk e parashikoi këtë tendencë të shoqërisë moderne, por ai ka shkruar në vepër për vështirësitë e martesës në moshë të re. Për të nxjerrë në pah pikëpamjet e tij, autori e vendos martesën e Levinit në moshën 32 vjeçare dhe që në fund të romanit, ai rezulton të jetojë më i lumtur se personazhet e tjerë që martohen më të rinj.

Ne nuk e kemi fuqinë të ndryshojmë “ligjet” e shoqërisë ku jetojmë
Ajo që është pjesë e shoqërisë sonë, kërkon kohë të ndryshojë. Normalisht, “ligjet” arbitrare të shoqërisë ishin të padrejta për Ana Kareninën. Të shqetësohesh për të dalluar “të drejtën” nga “e padrejta” është tunduese dhe mund të jetë më pak produktive, se sa të mendosh për një mënyrë pozitive për të bashëpunuar me situatat e padrejta ekzistuese.

Romanca dhe dashuria e vërtetë ekzistojnë
“Ana Karenina” është natyrisht një tragjedi. Një femër rrezikon gjithçka që ka në emër të dashurisë së vërtetë, dhe arritja e një dashurie të tillë është fatale për të. Pavarësisht fundit tragjik, përgjatë gjithë veprës jepen mesazhe të shumta për dashurinë dhe lumturinë.

Levini dashurohet me Kitin që në momentin e parë që e sheh dhe nuk i ndalon përpjekjet e tij për ta bërë për vete, edhe pse ajo e refuzon. Çifti has vështirësi në momentet e para pas martesës, por në fund, krijon një jetë të lumtur bashkë.

Rutina nuk është e mërzitshme
Levini, që është personazhi më pozitiv në vepër, ndiqte një rutinë të njëjtë dhe ishte i lumtur me këtë pjesë, deri në momentin që miqtë e tij borgjezë e nxisnin të ndryshonte stilin e tij të jetesës. Nëse më parë ai zgjohej shpejt dhe bënte punë fizike, ata e shtynin të shkonte në opera, apo të merrte pjesë në gossip. Këto aktivitete ai nuk i pëlqente aspak, pasi ndihej më mirë me rutinën e zakonshme që ndiqte më parë.

Askush nuk jeton një jetë të lehtë
Levini punonte me fshatarët që kishte punësuar dhe thuhet se Tolstoy ka bërë të njëjtën gjë në kohën e tij. Autori hapi shkolla për fëmijët e bujkrobërve të tij dhe i thurrte punëtorëve lavde për meritat e tyre./bota.al /KultPlus.com

“Copë Copë” u prezantua në Kroaci (FOTO)

Qendra për Art dhe Komunitet – Artpolis me datë 26 nëntor, 2018 në Zagreb, Kroaci ka prezantuar shfaqjen teatrale “Copë Copë”, shkruan KultPlus.

“Copë Copë” është krijuar në vitin 2015 nga regjisorja Zana Hoxha Krasniqi dhe dramaturgia Blerta Zeqiraj që portretizon se sa thellë paradigma patriarkale është e rrënjosur në shoqërinë kosovare, si dhe procesimin e kujtimeve e transformimin e dhimbjes.

Viti 2018 shënon vitin e katërt të prezantimeve të kësaj shfaqje e që atëherë është prezantuar më shumë së 15 herë në Kosovë dhe regjion. Turneu regjional përfshin festivalin “Othello” në Gostivar – Maqedoni, festivali “Mirëdita, Dober Dan” në Beograd – Serbi, javën e kulturës shqiptare në Zagreb – Kroaci, si dhe me datë 11 dhjetor, 2018 do të prezantohet në Tiranë në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”.

Pjesë e performancës janë aktoret: Melihate Qena, Anisa Ismajli, Donikë Ahmeti, Qendresa Kajtazi, Daniela Markaj, Albina Kelmendi dhe Bashkime Sulejmani.

Në kuadër të përfaqësimit të Artpolis në Zagreb me datë 25 nëntor, 2018 është organizuar ligjëratë “Suksesi i gruas shqiptare” me mysafire Melihate Qena dhe Zana Hoxha Krasniqi nga Shoqata e Grave Shqiptare të Zagrebit “Drita”, në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës së Kosovës në Kroaci, me mbështetje nga deputetja shqiptare në Kroaci Ermina Lekaj Prljaskaj dhe Unioni Shqiptar.

Artpolis dhe ekipi i shfaqjes teatrale “Copë Copë” me datë 26 nëntor po ashtu janë takuar edhe me zyrën e ambasadorit kosovar në Kroaci Gëzim Kasapolli ku janë diskutuar sfidat dhe arritjet e kulturës dhe artit shqiptar në Kosovë e Kroaci, si dhe bashkëpunimin në mes tyre në të ardhmen./ KultPlus.com

Me plis në Festivalin e Filmit të Estonisë (FOTO)

Mbrëmë u dha premiera botërore e filmit “Streha mes reve” e regjisorit Robert Budina, në Estoni shkruan KultPlus.

Premiera botërore e këtij filmi është bërë në kuadër të festivalit “Tallin Black Nights Film Festival”, ku ky filmi është në konkurrim zyrtar në edicionin e 22-të.

Ndërsa ajo që ra në sy ishte kasta e aktorëve të cilët pas përfundimit të premierës së filmit u ngjitën në skenë me plis në kokë.

Pjesë e kastës së aktorëve janë: Arben Bajraktaraj, Esela Pysqyli, Bruno Shllaku, Irena Cahani, Osman Ahmeti, Muzbajdin Qamili dhe Virus Shala.

KultPlus, sjellë fotografi nga ky moment./ KultPlus.com