Ministri Matoshi ndalon muzikën në festën e ministrisë për respekt ndaj Izet Demajt

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, e ndalon muzikën në mbrëmjen e organizuar për fundëvit me punëtorët e kësaj ministrie.

Kjo është bërë nga Ministri Fatmir Matoshi, për respekt të humbjes së jetës në detyrë të policit të Kosovës në Istog, tashmë të ndjerit Izet Demaj.

Gjatë kësaj mbrëmje ishte planifikuar të kishte edhe muzikë dhe festë, mirëpo ministri Matoshi duke shprehur dhimbjen për vrasjen e policit dhe ish-ushtarit të UÇK-së, Izet Demajt, ka vendosur që të mos ketë muzikë dhe të respektohet kujtimi për të ndjerin.

Ministri ka shprehur dhembje të thellë dhe njëherësh i ka shprehur ngushëllime familjes, kolegëve dhe gjithë qytetarëve të Kosovës për humbjen e rëndë./GazetaAlo/ KultPlus.com

“All I Want For Christmas is You” thyen rekordin e Spotify

Kënga “All I Want For Christmas is You” nga Mariah Carey është shndërruar në këngën me rekordin e klikimeve në Spotify për vetëm një ditë.

Kënga, himn i Krishtlindjeve, me datë 24 dhjetor është klikuar 11 milionë herë në Spotify, duke u bërë kënga më e klikuar në histori në Spotify brenda një dite. Kënga gjithmonë rikthehet në toplista në kohën e Krishtlindjeve, ndërsa është realizuar në vitin 1994. / KultPlus.com

Dilni e pini 70 çaja më 28, 29, dhe 30 dhjetor në Vushtrri

Qyteti i Vushtrrisë cilësohet si vendi ku  “çaji i rusit” është pija më e preferuar. Në këtë qytet ku brenda ditës pihen me dhjetëra gota çaj në çajtore të shumta, nga nesër e deri në fund të këtij viti meraklitë e çajit do të bashkohen përballë Kalasë për ta shijuar çajin jashtë në këto ditë të ftohta dimri.

Për t’i bashkuar vushtrriasit përballë Kalasë janë përkujdesur të rinjtë e Vushtrrisë, të cilët këtë iniciativë e kanë nisur jo vetëm për t’i mundësuar  ta shijojnë çajin gjithë vushtrriasit bashkë por, njëhershit edhe për të iu dal në ndihmë familjeve në nevojë, kjo pasi që të gjitha mjetet monetare që mblidhen në këtë festival do të dhurohen për familjet në nevojë, shkruan rtv21.tv

“Ngrohe vetën me një çaj dhe ofro ngrohtësi për familjet në nevojë”, është edhe motoja e këtij aktiviteti, i cili është duke u organizuar për herë të parë në këtë qytet.

“Çajfest” mban emrin kjo ngjarja që do të filloi me datën 28 deri e do të vazhdojë deri më 30 dhjetor. Siç lë të nënkuptohet edhe nga vet emri, për këto tri ditë banorët do të kenë mundësi të shijojnë çajin, por edhe muzikën që do t’i shoqërojë ata.

Grupi i të rinjve vushtrrias që kanë nisur këtë aktivitet humanitar kanë treguar se këtë aktivitet nuk do ta kishin mundur ta realizonin pa mbështetjen e Komunës dhe disa bizneseve lokale si: Emonagroup, Unioni, Dea, Ariani Company, Apetit Group, Real Market, Korabi Show, FC Forca, Auto Servis “Te Xhaviti”, RB Collection.

Kjo iniciativë humanitare nuk është e para e organizuar nga ky grup i të rinjve, javë më parë ata kanë organizuar një aktivitet në mbledhjen e rrobave, të cilat i kanë dërguar në familjet me nevojë në Vushtrri. /KultPlus.com

‘Të gjitha fatkeqësitë vijnë kur njeriu kërkon të rroj pa fituar, të fitojë pa punuar’

Midhat Frashëri.

Mithat Frashëri u lind më 25 mars 1880 në Janinë; vdiq më 3 tetor 1949 në Nju-Jork, SHBA.
Ishte i biri i Abdyl Frashërit dhe nipi i Sami Frashërit dhe Naim Frashërit. 

Ai është konsideruar si njëri nga intelektualët më të shquar të brezit të vet. 

Mithat Frashëri është marrë me veprimtari publicistike dhe letrare si dhe ka përkthyer disa vepra. Nën drejtimin e tij janë botuar “Kalendari Kombiar”, “Lirija” dhe “Dituria”. Ka shkruar jetëshkrimin për Naim Frashërin, novelat “Hi dhe shpuzë”, studimin mbi shqiptarët dhe të ardhmen e tyre të pagëzuar si “Pritmi i Shqipërisë”, ese socio-politike dhe etnike “Plagët tona” etj. Mit’hat Frashëri ka botuar edhe disa vepra në frëngjisht: “L’affaire de l’Epire (1915), “La population de l’Epire” (1915), “Les Albanais chez eux et a la l’Etranger ” (1919), “Albanis et Slaves” (919). Mit’hat Frashëri ka përkthyer në shqip veprat “Guillaume Tell” të Lamartinit (1898), “Bëje të mirën pa hidhe në det” e Franc Hofmanit (1900), “Robinson Crusoe” e Defosë (1909) dhe “Psikologjia e edukatës” e G. Le Bon (1923).

Një nga thëniet e tij është edhe “Të gjitha fatkeqësitë vijnë kur njeriu kërkon të rroje pa fituar, të fitojë pa punuar”./ KultPlus.com

Intervistë e policit të vrarë për mediumin francez, në kohën kur ishte në UÇK

Pjesëtari i Policisë së Kosovës, Izet Demaj i vrarë sot në Istog ishte pjesëtar i UÇK-së në Koshare.

Në një reportazh të vitit 1999 nga France 3, shihet polici Izet Demaj në tragetin e Bajram Currit.“Ne do ta çlirojmë vendin tonë pa marrë parasysh çfarë çmimi do të paguajmë”, ka thënë ai për mediumin francez.

Kujtojmë se me rastin në fjalë po merren organet e hetuesisë.Të gjitha njësitet policore nga niveli lokal, rajonal dhe ai qendror, kanë dalë në vendin e ngjarjes për të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme policore, fillimisht duke bërë sigurimin e vendit të ngjarjes, sigurimin e personelit dhe qytetarëve, me qëllim të ekzaminimit të vendit të ngjarjes, si dhe hetimit rreth përfshirjes së mundshme edhe të ndonjë personi tjetër të dyshuar./ gazetaexpress/ KultPlus.com

“Pse me ecë nëpër lule, kur mundesh me u grrithë nëpër therra”

Alberina Haxhijaj

Sonte në Prishtinë, në një bisedë mes miqsh në Sonder, organizuar nga ETEA, Melihate (Meli) Qena diskutoi për dashurinë që ka ndaj librit, teatrit e sidomos ndaj kukullave. Ajo po ashtu tregoi edhe për gjendjen e Teatrit Dodona sot, duke kujtuar me nostalgji vitet që kanë kaluar. Mirëpo përveç dashurisë dhe kujtimeve të bukura që shpalosi ajo kritikoi edhe situatën e tanishme të teatrove e veçanërisht Teatrit Dodona, teatrit për të cilin ajo ka dhënë aq shumë nga jeta dhe energjia e saj.

Melihate Qena bisedën e saj e filloi duke e kujtuar Bekim Lumin dhe dëshirën e tij për të punuar me kukulla. Sipas aktores teatri i kukullave të mundëson të jesh më shumë sesa aktor pasi sipas saj, ai apo ajo që arrin ti japë jetë një copë pëlhureje, bën diçka magjike.

“Arti është shpirt, është frymëzim. Unë atë kam arritur që ta shpreh më së miri me kukulla. Me keqardhje po them se arti është jashtëzakonisht i vështirë dhe është e drejtë kur krahasohet me punën e minatorit. Mirëpo pas gjithë punës minatori pastron fytyrën dhe pushon ndërsa artisti, aktori, regjisori, skulptori, nuk arrijnë që të bëjnë gjumin e rehatshëm. Të gjitha idetë, personazhet, e çdo gjë tjetër përpëlitet vazhdimisht në kokën dhe kjo ndoshta edhe e bën të vështirë jetën me një artist nëse nuk e kuptojnë atë”, theksoi ajo.

Kujtojmë se Melihate Qena ka përfunduar studimet në Beograd pasi fitoi bursën nga Teatri i Kosovës. Në klasën e saj që kishte 6 studentë ajo ishte studentja e vetme. Në kohën kur rikthehet në Prishtinë teatri udhëhiqej nga Azem Shkreli. Në pamundësi që të gjente vend në teatër ajo shkon në Mitrovicë, e zhgënjyer që nuk kishte arritur të hynte brenda teatrit. Mirëpo, meqenëse ajo kishte studiuar edhe rusishten arriti që të gjente vend si një mësuese e gjuhës ruse në Mitrovicë. Në këtë qytet ajo ka pasur gjithmonë dëshirë që të formonte një teatër dhe të punonte mirëpo çdo herë duke pasur në mendje aktrimin dhe jo mësimdhënien, një eksperiencë shumë e veçantë e saj e për të cilën ajo nuk ishte përgatitur.

Rusishtja i ndihmoi që të njihej edhe me letërsinë ruse duke bërë që në bibliotekën e saj të zinin vend të rëndësishëm shumë libra të kësaj letërsie. Fyodor Dostoyevsky, Alexander Pushkin, Mikhail Lermontov, Ivan Turgenev janë vetëm disa emra të shkrimtarëve, librat e të cilëve Qena i ka lexuar në lidhjen e saj me rusishten.

Duke u rikthyer te librat ajo u shpreh se kohën e saj më të madhe e ka kaluar në mes të librave. Aty ajo ka gjetur personazhet e saj, një botë të saj ku mendon se secili njeri është i përcaktuar për diçka në jetë.

“Kam ardhur në këtë jetë dhe e kam punuar një punë që e kam dashur. Këtë e kam bërë për ta pasur më të lehtë jetën dhe jo për të lënë gjurmë apo një emër. Problemi im kryesor ka qenë se si unë të ndjehem më mirë edhe pse për mua jeta asnjëherë nuk ka qenë e lehtë dhe nuk e kam pasur lehtë me jetu. Nuk kam qenë e kënaqur, gjithmonë kam dashur më shumë. Në një formë pse me ec nëpër lule, kur mundesh me u grrithë nëpër therra, me u përgjak edhe me vazhdua”, u shpreh ajo.

Tutje për punën e saj si regjisore dhe për lidhshmërinë e regjisë me librin ajo u shpreh se librat arrijnë që të ringjallen në skenë.

“Nëse e lexon librin e lexon vetëm për veten e kur e dramatizon një tekst e bën këtë për një audiencë me të madhe. Unë e kam bërë për një audiencë shumë të ndjeshme e që janë fëmijët. Një audiencë e cila të tregon të vërtetën”, theksoi ajo.

E duke biseduar për fëmijët ajo u shpreh se edhe në Shqipëri por edhe në Kosovë iu referohen fëmijëve si ‘ardhmëria e vendit’ mirëpo bëhet shumë pak pikërisht për ta. Duke kujtuar fillimet e Teatrit Dodona ajo u shpreh se pikërisht ky vend ka shërbyer për edukimin e fëmijëve dhe largimin e tyre nga veset e këqija, e sidomos vjedhja, që në atë kohë e kishte karakterizuar lagjen ku ishte vendosur teatri. Këtu ajo vlerësoi lartë edhe punën që kishte bërë Faruk Begolli.

“Fatkeqësisht kam punuar në një teatër ku nuk kam pasur as dramaturg, as njerëz përreth që me më ndihmu. Është dashur të gjitha me i bo vet. Nuk e di sa i kam bërë mirë e sa keq mirëpo meqenëse e kam pasur sallën plot ndoshta e kam bërë mirë. Mirëpo sot teatri dita e ditës po rrënohet, nuk kemi aktorë, janë vetëm tre. Sot punohet me projekte e që shpesh herë janë rrena dhe dallavere. ‘Ti mua më jep një projekt unë ty një’. Shfaqjet bëhet me rrena dhe dallavere. Realizohet një shfaqje e më kurrë nuk shfaqet. Na u ka mbushur Dodona me skenografi, nuk kemi kah me lëvizë, e shfaqje nuk ka kurrkund. Shfaqja është skenografi, muzikë e të gjitha, mirëpo në esencë duhet më i thënë diçka publikut e ajo nuk po ndodhë”, u shpreh Meli Qena.

Sipas saj për krijimin e kësaj gjendje ka ndikuar fakti se sot nëpër vende kyçe janë njerëzit e patalentuar. Këtu ajo theksoi fjalët e Konstantin Stanislavski. “I patalentuari është shumë i talentuar për të ngulfatur të talentuarin”.

E rritur në mesin e librave, Qena shpesh herë e ka gjetur hapësirën e saj pikërisht tek librat. Ajo akoma ka një bibliotekë të pasur me libra të cilët fatkeqësisht për shkak të mungesës së hapësirës i ka vendosur në një depo për të cilën paguan qiranë dhe shpeshherë i këmben edhe me studentët. E në mesin e gjithë atyre librave dhe shkrimtarëve të ndryshëm ajo çdo herë rikthehet te Ndre Mjeda, Naim Frashëri apo Migjeni.

Madje tregimi i saj i preferuar është “Puthja e Cubit” një tregim i Migjenit të cilin e ka ëndërr që ta realizojë dhe ta kthejë në shfaqje për kukulla. / KultPlus.com

Letërkëmbimet sekrete për pranimin e Shqipërisë në UNESCO

Këtë vit Shqipëria kujton me krenari 60-vjetorin e pranimit të saj në UNESCO. Procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Arsimin, Shkencën dhe Kulturën (UNESCO) për shkak të rrethanave të krijuara në disfavor të saj zgjati mbi 12 vjet, po t’i referohemi dokumentacionit të kohës, që ka zanafillën që nga data e shprehjes zyrtarisht të kërkesës së qeverisë sonë në muajin nëntor të vitit 1946-të.

Dihet se UNESCO është një organizatë e specializuar e OKB-së, në fushën e arsimit, kulturës dhe shkencës, e themeluar vetëm pak muaj pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, më 16 nëntor 1945. Për të siguruar anëtarësinë në këtë organizatë ndërkombëtare të rëndësishme të kohës, vendit tonë iu desh një punë diplomatike e vazhdueshme, që nga viti 1946, kur paraqiti kërkesën e parë dhe vetëm pas pranimit si anëtare e OKB-së, në dhjetor 1955, atëherë procedura e pranimit në Shqipërisë në UNESCO duket se u bë më e thjeshtë.

Aplikimet e paraqitura nga shtetet jo anëtare të Kombeve të Bashkuara për t’u pranuar në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Arsimin, Shkencën dhe Kulturën, bazuar në nenin 2, paragrafi II të Statutit të UNESCO-s, do të transmetoheshin menjëherë nga Sekretariati i Përgjithshëm i kësaj organizate në Këshillin Ekonomik dhe Social të Kombeve të Bashkuara, i cili ishte organi kompetent që rekomandonte pranimin ose refuzimin e kërkesës. Procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në këtë organizatë nuk qe i lehtë për vendin tonë, pasi Mbretëria e Bashkuar ishte kundër aplikimit shqiptar, pasi Shqipëria, sipas saj, ishte i vetmi vend që kishte injoruar në mënyrë flagrante vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare t? Drejtësisë (Rasti i Kanalit t? Korfuzit).

Referuar burimeve arkivore që disponojmë, pavarësisht se vendi ynë Shqipëria miratoi Konventën Themeluese të organizatës, duke i hapur rrugën firmosjes së Konventës, e cila u bë nga përfaqësuesi i Shqipërisë në Paris. Qeveria e Republikës Popullore të Shqipërisë, në bazë të politikave të saj të paqes dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, ka vendosur të kërkojë pranimin e Republikës Popullore të Shqipërisë si anëtare të UNESCO.

Duke dorëzuar këtë aplikim, nga Parisi më 6 tetor 1954, në përputhje me nenin 92 të rregullave procedurale të Konferencës së Përgjithshme, Qeveria e Republikës Popullore të Shqipërisë i kërkoi drejtorit të përgjithshëm të kryejë veprimet e duhura, me qëllim që të vendoset në axhendën e seksionit të ardhshëm të Konferencës së Përgjithshme, e cila do të mbahej në Montevideo në 12 nëntor 1954. Në të njëjtën ditë u dorëzua edhe instrumenti i miratimit të Konventës së 16 nëntorit 1945, te drejtori i përgjithshëm i UNESCO-s dhe kësisoj, Shqipëria u bë anëtare e saj më 16 tetor 1958. Sigurisht në këto përpjekje Shqipëria gjeti edhe miq e dashamirës të saj, të cilët e ndihmuan atë për t’i hapur rrugë progresit dhe përparimit të saj. Një prej tyre ishte edhe z. Luther H. Evans, drejtor i përgjithshëm i UNESCO-s, i cili e mbështeti fort kërkesën e vendit tonë përpara organizmave të Kombeve të Bashkuara.

Anëtarësimi i vendit tonë në organizatën më të madhe të Kombeve të Bashkuara më 16 tetor 1958, duket se e ndihmoi Shqipërinë e atëhershme të luftonte analfabetizmin e trashëguar ndër shekuj robërie në përpjekje për të nxjerrë vendin nga një prapambetje e theksuar ekonomike dhe shoqërore.

Kështu nisi edhe bashkëpunimi ynë tashmë 60-vjeçar i Shqipërisë me këtë organizatë, me dritëhijet e veta, dhe sot ne jemi bërë palë e të gjitha konventave dhe politikave transformuese të UNESCO-s.

Më poshtë po i paraqesim lexuesit për mundësi gjykimi letërkëmbimet e kohës rreth kësaj çështjeje në katër dokumente, të cilat botohen për herë të parë.

Kombet e Bashkuara

Këshilli Ekonomik dhe Social

Aplikim nga Republika Popullore e Shqipërisë

për anëtarësim në UNESCO

Në përputhje me nenin II të marrëveshjes ndërmjet Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsimin, Shkencën dhe Kulturën, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara ka marrë nga Drejtori i Përgjithshëm i UNESCO një letër që e informon atë se Republika Popullore e Shqipërisë ka paraqitur një kërkesë për t’u bërë anëtare e Organizatës.

Bashkëngjitur po Ju dërgohet letra e Drejtorit të Përgjithshëm dhe aplikimi i Republikës Popullore të Shqipërisë që e shoqëron atë.

Deklarata e urgjencës e përmendur në letër përmban të dhënat e mëposhtme:

“Neni II i Marrëveshjes ndërmjet Kombeve të Bashkuara dhe UNESCO-s, vijon si më poshtë:

‘Pranimi i shteteve joanëtare të Kombeve të Bashkuara

Aplikimet e paraqitura nga shtetet joanëtare të Kombeve të Bashkuara për t’u pranuar në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Arsimin, Shkencën dhe Kulturën do të transmetohen menjëherë nga Sekretariati i Organizatës në Këshillin Ekonomik dhe Social të Kombeve të Bashkuara… Këshilli mund të rekomandojë refuzimin e kërkesave të tilla dhe çdo rekomandim i tillë do të pranohet nga Organizata. Nëse, brenda gjashtë muajve nga marrja e një kërkese nga Këshilli, nuk është bërë një rekomandim i tillë, kërkesa do të trajtohet në përputhje me nenin II, paragrafi 2 të Statutit të Organizatës’.

* * * * *

Telegram

Nga Zyra e Marrëdhënieve të Komunuellthit

11 nëntor, 1954

KONFIDENCIALE

Adresuar: Komisionerëve të Lartë t? MB në Kanbera Nr. 1019 dhe Karaçi Nr. 1536, për Delegacionin e MB n?Nju Jork, Delegacionit në Gjenevë, Uashington dhe Montevideo.

Aplikimi i Shqipërisë për pranim në Organizatën Arsimore Shkencore dhe

Kulturore të Kombeve të Bashkuara

Kjo kërkesë do të shqyrtohet nga Këshilli Ekonomik dhe Social i Kombeve të Bashkuara më 19 nëntor.

2. Një aplikim i ngjashëm nga Bullgaria u miratua nga Këshilli më 5 nëntor me dhjetë vota kundrejt gjashtë dhe me dy abstenime, duke përfshirë Mbretërinë e Bashkuar dhe SHBA. Përfaqësues të Australisë dhe të Pakistanit mbështetën dhe gjithashtu folën në favor, edhe pse me pak entuziazëm duke e bazuar mbështetjen e tyre në parimin e universalitetit të anëtarësimit në Kombet e Bashkuara dhe të organizatave t? specializuara.

3. Mbretëria e Bashkuar është kundër aplikimit shqiptar, pasi Shqipëria është i vetmi vend që ka injoruar në mënyrë flagrante vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare t? Drejt?sis? (Rasti i Kanalit t? Korfuzit).

4. Delegacioni i Mbretërisë së Bashkuar ka shpjeguar kundërshtimin e Mbretërisë së Bashkuar ndaj përfaqësuesve të Australisë dhe Pakistanit, të cilët shprehën keqardhje dhe thanë se do të toleronin qeveritë e tyre, duke u kërkuar refuzimin e aplikacioneve. Këndvështrimet përfaqësojnë pikëpamjet e Mbretërisë së Bashkuar siç përcaktohen në paragrafin 2, urgjente për autoritetet australiane /pakistaneze dhe shprehin shpresën se përfaqësuesit e tyre duhet të udhëzohen për të kundërshtuar aplikimin shqiptar.

Artikulli II, paragrafi 2 i statutit t? UNESCO

Në bazë të kushteve të Marrëveshjes ndërmjet kësaj Organizate dhe Organizat?s të Kombeve të Bashkuara mund të pranohen për anëtarësim në Organizatë, me rekomandim të Bordit Ekzekutiv, me dy të tretat e votave të Konferencës së Përgjithshme.

Konferenca e Përgjithshme e UNESCO-s do ta mbajë seancën e saj të tetë nga 12 nëntori deri më 11 dhjetor 1954. Ajo nuk do të mblidhet me deri në vitin 1956. Bordi Ekzekutiv i UNESCO-s, do të mbahet disa ditë para sesionit të tetë të Konferencës së Përgjithshme.

Prandaj, shqyrtimi nga Këshilli Ekonomik dhe Social në seancën e saj të parë të aplikimit të Republikës Popullore të Shqipërisë është e nevojshme për të mundësuar që Konferenca e Përgjithshme e UNESCO të marrë në shqyrtim këtë çështje në sesionin e saj të ardhshëm.

* * * * *

Letër nga Legata në Francë e Republikës Popullore të Shqipërisë, drejtuar Drejtorit të Përgjithshëm të UNESCO

Paris 6 tetor 1954

Kam nderin t’ju informoj se jam i autorizuar nga qeveria ime për t’ju komunikuar për sa në vijim:

Qeveria e Republikës Popullore të Shqipërisë, në bazë të politikave të saj të paqes dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, ka vendosur të kërkojë pranimin e Republikës Popullore të Shqipërisë si anëtare të UNESCO.

Qeveria e Republikës Popullore të Shqipërisë, deklaron gatishmërinë e saj për të vepruar në përputhje me Statutin e Organizatës, të pranojë detyrimet që kjo sjell, si dhe të marrë pjesë në shpenzimet e Organizatës.

Duke dorëzuar këtë aplikim, në përputhje me rregullin (nenin) 92 të rregullave procedurale të Konferencës së Përgjithshme, Qeveria e Republikës Popullore të Shqipërisë i kërkon Drejtorit të Përgjithshëm të kryejë veprimet e duhura, me qëllim që të vendoset në axhendën e seksionit të ardhshëm të Konferencës së Përgjithshme, e cila do të mbahet në Montevideo në 12 nëntor 1954.

Shemsi Totozani

Ministër

* * * * *

LETËR NGA DREJTORI I PËRGJITHSHËM I ORGANIZATËS SË KOMBEVE TË BASHKUARA PËR ARSIMIN, SHKENCËN DHE KULTURËN PËR SEKRETARIN E PËRGJITHSHËM

Paris, 12 tetor 1954

Kam nderin t’ju informoj se kam marrë një kërkesë në datën 6 tetor 1954 nga Republika Popullore e Shqipërisë për anëtarësim në UNESCO.

Po bashkëlidh një kopje të kësaj kërkese dhe unë do të jem mirënjohës nëse do të bënit të mundur që ajo të shtrohet përpara Këshillit Ekonomik dhe Social në sesionin e tij të 17-të, të rifilluar për shqyrtim urgjent. Bashkëlidhur ju dërgoj edhe një deklaratë në mbështetje të kërkesës sime.

Prandaj duhet ta vlerësoj shumë atë, nëse Këshilli Ekonomik dhe Social, duke vepruar sipas nenit 17 të rregullores së tij të procedurës do të konsideronte mundësinë e shtimit të kësaj pike në axhendën e tij dhe të marrjes së tij gjatë rifillimit të seancës së saj.

Luther H. Evans

Drejtor i Përgjithshëm

Dokumentet që publikohen me këtë rast janë marrë nga: “The National Archives”, London, UK/ Bejtullah Destani & Kastriot Frashëri. / KulPlus.com

Ilir Meta dekoron Sterjo Spassen me titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta dekoroi sot shkrimtarin e shquar Sterjo Spasse (pas vdekjes) me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”.

Dekorata u dha gjate simpoziumit shkencor kushtuar “Jetës dhe veprës letrare të Sterjo Spasses”, që u zhvillua në Universitetin “Fan S. Noli” të Korçës në bashkëpunim me Shoqatën Maqedonase “SONCE”.

Motivacioni i nderimit ishte: “Në vlerësim të veprës së shquar në letërsinë shqipe, duke frymëzuar me punën e tij vlerat e larta të dinjitetit njerëzor, qytetar, shoqëror e kombëtar. Për veprimtarinë e tij të spikatur edukative dhe intelektuale, rolin e vyer dhe kontributin e tij etno-kulturor në vendin tonë”.

Pasi mori në dorëzim dekoratën e lartë, i biri i shkrimtarit, Ilinden Spasse theksoi mes të tjerash se: ‘Titulli ‘Kalorës i Urdhrit të Flamurit’ që i jepet Sterjo Spasses nga Presidenti Meta në Korçë, për mua, është një gjetje mjaft e bukur dhe domethënëse, sepse Korça, ka qenë dritarja e parë ku Sterjoja u ndesh me kulturën qytetare, ku ndjeu dorën e ngrohtë të mësuesve të tij të parë, që jo vetëm e mësuan dhe e edukuan, por edhe e orientuan dhe e ndihmuan për të vazhduar më tej në Normalen e Elbasanit. Por Korça, ashtu siç diti ta frymëzonte e ta nderonte në të gjallë, diti edhe ta ligjërojë, qoftë me lajmet në mediat elektronike, qoftë me shkrimet që botoi në shtypin e saj, ashtu edhe me telegramet e vizitat e shumta ngushëlluese që iu bënë familjes së tij. Nga ana simbolike, Sterjoja që tërë jetën punoi me një përkushtim për edukimin dhe emancipimin e brezave të rinj, janë pikërisht këta breza që tani e vlerësojnë dhe e nderojnë herë pas here sipas rastit nëpër mbledhje të ndryshme jubilare. Ndaj nga zemra gjithnjë më buron dy fjalëshi: Faleminderit Korça!”.

Nga Ilir Meta

Me shumë kënaqësi e pranova ftesën për të marrë pjesë në këtë simpozium, që vlerëson dhe nderon jetën e veprën e intelektualit dhe shkrimtarit të madh Sterjo Spasse dhe i përgëzoj sinqerisht dy institucionet organizatore, Universitetin ‘Fan S. Noli’ dhe shoqatën maqedonase ‘SONCE’.

Shqipëria ka gjithmonë nevojë të evidentojë përherë e më shumë dhe të vlerësojë personalitetet e artit, kulturës, shkencës, të cilët nëpërmjet veprimtarisë së tyre kanë kapërcyer të zakonshmen dhe të përditshmen.

Sterjo Spasse është pikërisht një personalitet i tillë.

Ai mbetet shkrimtari, publicisti qytetar e intelektual, i cili ka krijuar vëllimin e vet historik dhe bën pjesë në ato figura që i ka dhënë historisë cilësime të veçanta dhe ka marrë prej saj figurën e paharrueshme të një personaliteti gjurmëlënës.

Sterjo Spasse, për nga vlera e krijimtarisë së tij letrare dhe shoqërore mbetet personaliteti me integritet dhe individualitet, me sqimë dhe cilësi mjaft të larta.

Romani i tij i famshëm ‘PSE’ paralajmëroi krijimin e një letërsie moderne në Shqipëri ndërsa kauza e madhe nëpërmjet kësaj vepre të jashtëzakonshme mbetet preludi i subjektit të çlirimit shoqëror me romanin ‘Ata nuk ishin vetëm’.

Vepra dhe veprimtaria e tij letrare e ka burimin në traditën, historinë dhe kulturën kombëtare dhe ku spikatin virtytet themelore të popullit tonë, që ai, mjeshtërisht i ngriti në vlera arti, nëpërmjet një gjuhë të thjeshtë dhe të pasur dhe nëpërmjet një mendimi të thellë dhe mesazheve të rëndësishme ideore.

Figura e Sterjo Spasses mishëron jo vetëm intelektualin dhe shkrimtarin e spikatur të vendit tonë, por edhe një figurë të pakrahasueshme në nivel ballkanik dhe evropian.

Si bir i shquar i komuniteti maqedonas, Sterjo Spsase u bë frymëzimi dhe ura lidhëse shpirtërore e bashkëpunimit të shqiptarëve dhe maqedonasve .

Jeta, aktiviteti dhe vera e këtij personaliteti të veçantë dhe të shquar është simbioza e përsosur dhe harmonike brenda një njeriu të të dy shoqërive apo popujve në dobi të harmonisë dhe dashurisë.

Ky element spikati veçanërisht në romanet e tij të famshëm ‘Zgjimi’ dhe ‘Pishtarët’, që konsiderohen me të drejtë burimi i thellësive ende të paeksplorueshme të ndërkomunikimit ballkanik.

Sterjo Spasse përbën një shembull ekstremisht të gjallë, që u mëson sot politikës, politikanëve dhe shoqërisë se kufijtë nuk duhen shfrytëzuar për ndarje, por si një mundësi për të ndërtuar një bashkëpunim të qëndrueshme nga pikëpamja njerëzore, intelektuale, kulturore dhe ekonomike.

Sterjo Spasse ishte edhe humanist i madh.

Respekti dhe dashuria e tij për origjinën, e gërshetuar me mjedisin e kultivimit të tij intelektual e bënë atë jo vetëm një njeri të respektuar, por edhe shembull për brezat pasardhës të krijuesve.

Ai studioi në Elbasan e në Korçë, dy qytetet më të shquara në fushën e arsimit. Punoi dhe dashuroi arsimin në këto qytete, jetoi dhe bashkëpunoi me njerëzit më të ndritur të kulturës sonë kombëtare të kohës dhe u bë protagonist i ajkës së kësaj kulture duke u bërë njëkohësisht proverbial më shumë tituj librash dhe përkufizimesh në romanet e tij epope.

Ndaj unë kam vendosur që këtij intelektuali të shquar t’i akordoj sot, në këtë simpozium që mblidhet për nder të tij dhe në qytetin e Korçës, që ai aq shumë e deshi dhe e gdhendi në romanet e tij, titullin e lartë ‘Kalorës i Urdhrit të Flamurit’.

E përjetshme vepra e tij! Sterjo Spasse do të mbetet gjithmonë një dhe i pandarë!”./koha.net/ KultPlus.com

Mirë kish me qenë edhe me vdekë në shtrat

Poezi e shkruar nga Murid Barguti.

Mirë kish me qenë edhe me vdekë në shtrat

Mbi një jastëk të pastër

Rrethuar nga miqtë tanë.

Mirë kish me qenë edhe me vdekë kur

Duart t’i kishim mbledhur mbi gjoks

Të zbrazëta e të zbehta

Pa shenja, pa pranga, pa flamuj

Dhe pa peticione.

Mirë kish me qenë me pasë një vdekje të dlirë e të përkryer

Pa çarje në këmishë

Pa shenja në brinjë.

Mirë kish me qenë me vdekë

Me një jastëk të bardhë e jo me dysheme poshtë fytyrës,

Me duart që pushojnë në duart e më të dashurve

Rrethuar prej infermieresh e mjekësh të kujdesshëm

Pa asgjë për t’u shqetësuar përveç hijeshisë së lamtumirës

Pa e vrarë mendjen për historinë

Duke e lënë këtë botë ashtu siç është

Duke shpresuar se ndonjë herë tjetër, dikush tjetër

Ka me e pru ndryshimin.

“Mall” e Eugent Bushpepës, në 50 këngët më të dëgjuara të vitit

Kënga “Mall” e Eugent Bushpepës dhe performimi i saj në skenën e Eurovizionit në maj të këtij viti, është një prej 50 videove më të klikuara në Youtube – në faqen zyrtare të Eurovizionit në këtë rrjet.

Ky mbetet sukses i madh duke marrë parasysh se në këtë kanal janë të gjitha videot e të gjitha këngëve që janë kënduar në Eurovizion ndër vite, e që janë mbi 2 mijë të tilla.

Sot, në një video të publikuar nga Eurovizioni, “Mall” e Eugentit figuron në pozitën e 42-të, derisa pritet të zbulohen edhe këngët tjera më të klikuara, shkruan KultPlus.

“Mall” e Eugent Bushpepës këtë vit u radhit në vendin e 11-të në Eurovizion, në finalen që u mbajt në muajin maj. Dy këngët tjera më të suksesshme shqiptare në Eurovizion janë “Suus” e Rona Nishliut dhe “The Image of You” e Anjeza Shahinit.

Presim të shohim nëse në 40 këngët më të klikuara të Eurovizionit këtë vit është edhe ndonjë tjetër paraqitje shqiptare. / KultPlus.com

‘Në emër të Allahut të madh, Mëshirëplotit, Amir aga, me respektin tim më të thellë’

Pjesë nga “Gjuetari i Balonave”, kryevepra e Khaled Hosseini

Shpalosa letrën. Ishte shkruar në farsi. Nuk mungonte asnjë pikë, presje, fjalët dalloheshin qartë nga njëra-tjetra. Shkrimi, me qartësinë e vet, ngjante gati fëmijëror. Fillova të lexoja:

“Në emër të Allahut të madh,

Mëshirëplotit,

Amir aga, me respektin tim më të thellë,

Farzana xhan, Sohrabi dhe unë lutemi që kjo letër të të gjejë mirë me shëndet dhe nën dritën e hireve të Allahut. Të lutem jepi falënderimet e mia Rahim Khan, sahibit, që arriti të të sjellë këtë letër. Shpresoj që ndonjë ditë të mbaj në duar një nga letrat e tua dhe të lexoj për jetën tënde në Amerikë. Ndoshta një fotografi jotja do më çelte sytë. I kam folur aq shumë për ty Farzana xhanit dhe Shorabit, se si jemi rritur bashkë, si kemi luajtur dhe si kemi vrapuar nëpër rrugë. Ata qeshin me historitë e me gjithë prapësitë që kurdisnim të dy!

Amir aga,

Afganistani, ashtu si dikur rinia jonë, ka vdekur me kohë. Mirësia është zhdukur nga kjo tokë dhe është e pamundur t’u shpëtosh vrasjeve. Gjithnjë vrasje. Në Kabul mbretëron frika, në rrugë, në stadium, në tregje, është pjesë e jetës sonë Amir aga. Të egrit që sundojnë vatanin tonë, nuk kanë pikë ndjenje njerëzore.

Një ditë, e shoqërova Farzana xhanin në Pazar për të blerë patate dhe naan. Ajo pyeti shitësin sa kushtonin patatet, por ai nuk e dëgjoi, kam përshtypjen se nuk dëgjonte nga njëri vesh. Kështu që ajo e pyeti me zë të lartë dhe befas një taleban i ri u afrua dhe e goditi në kofshë me një shkop druri. E goditi aq fort sa ajo u shemb në tokë. Ai filloi t’i ulërinte dhe ta shante duke i thënë se Ministria e Vesit dhe e Virtytit nuk lejonte që gratë të flisnin me zë të lartë.

Asaj iu bë në këmbë një njollë e madhe mavi për ditë të tëra, por çfarë mund të bëja unë përveç se të rrija dhe të shihja si ma rrihnin gruan? Po të luftoja, ai qeni do të ma kishte hequr një plumb kokës me gjithë qejf! Dhe cfarë do të ndodhte më pas më Shorabin? Rrugët janë plot jetimë të uritur dhe çdo ditë i falem Allahut që jam gjallë, jo pse kam frikë nga vdekja, por sepse gruaja ime ka një burrë dhe djali im nuk është jetim.

Do të doja shumë ta shihje Sohrabin. Është goxha djalë. Rahim Khan sahibi dhe unë i kemi mësuar shkrim e këndim, që ai të mos rritet budalla si i ati. Dhe ka një nishan të hatashëm me llastik!

Nganjëherë e çoj Sohrabin në Kabul dhe i blej karamele. Në Shar-e-Nau është ende një burrë me majmun. Sa herë e ndeshim, i jap të holla, që majmuni të kërcejë për Sohrabin. E mban mend kur uleshim poshtë pemës së shegës dhe lexonim Shahnamah-un?

Erërat e kanë tharë kodrën dhe pema nuk ka bërë kokrra prej vitesh, por Sohrabi dhe unë ende ulemi nën hijen e pemës dhe unë i lexoj pjesë nga Shahnamah-u. Besoj e kupton edhe ti vetë se pjesa e tij e parapëlqyer është ajo që mban emrin e tij: Rostani dhe Sohrabi. Së shpejti ai do të mund të lexojë vetë atë libër. Jam një baba i lumtur dhe me fat.

Amir aga,

Rahim Khan Sahibi është shumë i sëmurë. Kollitet gjithë ditën dhe i kam parë gjak në mëngë, kur fshin buzët. Ka humbur shumë në peshë dhe do të doja të hante nga pak shorva dhe orizi që gatuan Farzana xhani. Por ai ha vetëm nja dy kafshata e kjo, sipas mendjes sime, vetëm e vetëm që të mos i vijë keq Farzana xhanit.

Jam shumë i shqetësuar për këtë njeri të dashur dhe i lutem Zotit çdo ditë për të. Pas ca ditësh do të largohet për në Pakistan, të takojë ca mjekë atje dhe, inshallah, do të kthehet me habere të mira. Por thellë-thellë kam frikë për të. Farzana xhani dhe unë i kemi thënë Sohrabit të vogël që Rahim Khani do të bëhet shëndoshë e mirë. Ç’t’i themi? Është vetëm dhjetë vjeç dhe e adhuron Rahim Khan sahibin. Janë lidhur shumë bashkë. Rahim Khan sahibi e kishte bërë zakon që ta merrte me vete në Pazar për balona dhe biskota, por tani nuk ka më fuqi për këtë.

Kam parë shumë ëndrra këto kohët e fundit. Disa prej tyre janë makthe, kufoma që varen, të dekompozuara mbi fushën e përgjakur të futbollit. Më del gjumi duke m’u marrë fryma dhe qull në djersë. Por, në shumicën e rasteve, shoh ëndrra të mira dhe i falem Zotit për këtë.

Ëndërroj sikur Rahim Khani është shëruar. Ëndërroj sikur djali im do të bëhet njeri i mirë, njeri i lirë dhe i rëndësishëm. Ëndërroj që lulet laëla të lulëzojnë përsëri në rrugët e Kabulit, muzika rubab të dëgjohet përsëri në shtëpitë e samovarit dhe balonat të fluturojnë përsëri në qiell.

Dhe ëndërroj që një ditë ti të vish përsëri në Kabul për të rivizituar tokën e fëmijërisë sate. Në qoftë se kthehesh, do të gjesh një shok besnik që të pret.

Zoti qoftë gjithnjë me ty!

Hasani”

– Khaled Hosseini“Gjuetari i balonave”

‘Ne kemi fatin shpresë e marrëzi’ (VIDEO)

Ia vlen të kujtojmë këngët e mira shqiptare.

2 milion klikime në Youtube dhe mijëra njerëz që e dashurojnë këtë këngë, ka bërë që ajo t’i rezistojë kohës.

Kënga “Fati ynë shpresë e marrëzi” e kënduar nga Aurela Gaçe është gjithmonë një himn i mirë për veshin e atij që e dëgjon dhe e kupton.

Kënga u këndua në vitin 1997, dhe edhe pas tërë këtyre viteve ka arritur të mbetet e dashur për njerëzit, për artdashësit, për muzikantët.

Kënga asokohe u performua në Festivalin e Fundvitit në TVSH dhe përfundoi në vendin e dytë. / KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=kje0k8Ov5DU

Hendbollisti maqedonas braktis ceremoninë, nuk e duron gjuhën shqipe

Hendbollisti reprezentues i Maqedonisë dhe kapiteni i Vardarit Stojançe Stoilov ka braktisur ceremoninë e shpalljes së sportistit të vitit 2018 të Maqedonisë, pasi disa nga fituesit kanë folur edhe në gjuhën shqipe, transmeton Koha.net.

“Po ndihem i turpëruar dhe i poshtëruar” ka shkruar pa turp ai në grupin Viber të reprezentuesve maqedonas, përcjell agjencia serbe e lajmeve beta që thotë t’i ketë cituar mediet lokale.

Sportisti më i mirë i Maqedonisë për vitin e kaluar e ka braktisur ceremoninë solemne pasi përfaqësuesi i shkollës së mesme të Tetovës, pas marrjes së një shpërblimi, foli në gjuhën shqipe.

Kundër gjestit të Stoilovit ka reaguar Federate e Basketobllit e Maqedonisë.

Drejtori i Federatës Vladimir Temelkovski ka deklaruar se gjesti i hendbollistit më të mirë të Mqedonisë për të braktisur ceremoninë pse në të është folur në gjuhën shqipe, është i turpshëm. Ai ia ka përkutjuar atij se titullin e më të mirit vjet e kishte marrë edhe me votat të shqiptarëve.

Fëmijët e mi, me gjasë ju nuk do lindni kurrë!

Fëmijët e mi, Unë sot jam 24 vjeç e pesë muaj e katër ditë dhe kam frikë t’iu them se me shumë mundësi ju nuk do të lindni kurrë. Kam vite që ëndërroj t’iu kem pranë, dy djem dhe një vajzë, por ia që nuk mundem t’iu sjell në jetë sepse kam frikë. Sot nuk mungon asnjë gjë në fakt për t’iu dhënë jetë sepse dhe nëse nuk kam një partner, teknologjia mjekësore ka bërë të mundur të kem fëmijë, por dhe nëse nuk do ishte kjo gjë e mundur fare mirë mund t’iu adoptoja.

Mua më ka mahnitur gjithmonë një ide e tillë. E prapë unë nuk mundem as këtë ta realizoj. Nuk mundem t’ua shpjegoj arsyet saktësisht ashtu siç janë sepse unë realisht nuk i di dhe vetë. Shoh miket e mia më të mira dhe “i kam zili”. Ata kanë në duar krijesat e tyre dhe e shoh në sytë e tyre sa të lumtura janë dhe pse kanë shumë vështirësi ekonomike. Unë nuk jam aq e guximshme sa ta. Nuk ka të bëjë me kushtet ekonomike. Të gjithë shqiptarët të varfër janë. Në Shqipëri nuk ka asgjë të mesme ndaj nuk më shqetëson shumë ideja që mund t’iu lind në një vend ku rroga minimale është 210 mijë lekë të vjetra dhe po aq kushton minimalisht një shtëpi e vogël me qera. E mbaj veten për shumë të zonjën dhe fundja fundit ju me siguri do të lindni në Gjermani e atje do keni një jetë. Sepse nëna juaj nuk e ka patur kurrë një të tillë. Më falni shumë për gjithçka po them në këtë moment, por kjo është e vërteta e ekzistencës time dhe është mirë ta dini përpara se të gjykoni për vendimin tim drastik që shpresoj të ndryshojë përpara se të vdes. Unë jam lindur në një vend pa kohë. Stërgjyshi im nga ana e babit me sa më kanë thënë ka vdekur në kryengritjet e Malit të Zi në 1911 përpara se të shpallej pavarësia. Gjyshërit dhe prindërit e mi kanë jetuar në kohën e shembjes së komunizmit, kurse unë jetoj në brezin e humbur të Shqipërisë. Kjo kohë ka filluar tre vite para se ime më të më sillte në jetë dhe vashdon dhe sot e kësaj dite. E quajnë tranzicion, por në fakt i ka kaluar të gjitha përkufizimet e këtij termi. Ndaj sot iu kërkoj ndjesë që unë nuk mund të mendoj më për ju aq fuqimisht sa dikur. Sepse unë dhe ju jetojmë në kohën e askujt. Kjo është thjesht koha e hiçësisë ku injoranca është vyrtyt dhe formë jetese, e kjo më frikëson më shumë se çdo gjë tjetër. Ndaj iu kërkoj falje që marr guximin të mos guxoj të mendoj më për sjelljen tuaj në jetë, por unë nuk mund t’iu dënoj me një jetë të tillë. Sepse unë nuk jam e zonja më për të ndryshuar asgjë në kohën e askujt e ashtu si unë janë shumë. E kjo ndodh për shumë arsye, por kryesorja se unë e kam humbur totalisht besimin tek vetja dhe besimin që një ditë do e bëjmë Shqiperinë e ju të thoni me krenari “unë jetoj në kohën e dikujt”.

Autore: Flogerta Krypi

“Bretkosa”, drama psikologjik e ish-ushtarit që vuan nga PTSD dhe njerëzve që e rrethojnë

Alberina Haxhijaj

Mbrëmë në skenën e re kamertale të Teatrit AAB është dhënë premiera e shfaqjes “Bretkosa”, në regji të Burbuqe Berishës dhe me aktorët: Ilir Tafa, Donat Qosja, Basri Shala dhe Valmir Krasniqi, shkruan KultPlus.

“Bretkosa” është një dramë psikologjike, historia e të cilës zhvillohet brenda katër mureve të një dyqani të vjetër për qethje. Gjithë drama zhvillohet ditën e bajramit.

 Zeka (Ilir Tafa), është një veteran i luftës i cili vuan nga  Sindroma Post Trauamtike (PTSD). Një njeri të cilin familja e ka lënë pasi që ka qenë i dhunshme. Në anën tjetër është vëllai i tij Toni (Donat Qosja). Ai është një burrë familjar i cili ka humbur punën dhe ngushëllimin e gjen në pijë dhe në kumar.

Vëllai i madh dëshiron ta bind të voglin që të ndryshojë, ndoshta edhe me forcë.  Në mes të gjithë kësaj gjendet miku i tyre, një taksist (Basri Shala) i cili ka ikur gjatë luftës dhe e ka lënë Kosovën. Si dhe shitësi i librave (Valmir Krasniqi).

Tekstin e kësaj shfaqje e ka realizuar autori kroat  Dubravko Mihanović. Shfaqja erdhi mbrëmë në Prishtinë e adaptuar nga regjisorja Burbuqe Berisha duke iu referuar realitetit në Kosovë. Këtë e ka pohuar edhe regjisorja në një prononcim për KultPlus.

“Aktorët i kam zgjedhur duke besuar se ata do të mund ta bartin barrën të cilën e ka kjo shfaqje pasi që kjo shfaqje nuk i takon regjisores por aktorëve. Mendoj që shfaqja do të ketë jetë të gjatë pasi që korrespondon shumë mirë me shikuesin dhe është shfaqja e tyre. Së fundi kam vendosur që të merrem me individin edhe me dramën e tij brenda këtij vendi, dhe kjo ka qenë edhe një sfidë e imja”, theksoi Berisha për KultPlus.

Regjisorja Berisha thekson po ashtu që aktori Ilir Tafa ka qenë promotori i gjithë kësaj shfaqje. Drama merret me problemet e kohës së sotme që janë të njëjta ose të ngjashme edhe në Bosnjë dhe Hercegovinë, Kroaci, por edhe në Kosovë, vende këto ku edhe është realizuar kjo shfaqje. Madje, në Bosnjë aktori Ilir Tafa ka qenë pjesë e filmit të metrazhit të gjatë i cili zbërthen tekstin e skenaristit Dubravko Mihanović. Pas dhjetë viteve, aktori Ilir Tafa është rikthyer përsëri në Kosovës për të sjellë rolin e berberit, një ish-ushtari të UÇK-së.

“Së fundi kam luajtur vetëm në Bosnjë dhe Kroaci dhe për mua kjo ka qenë edhe premierë edhe në kuptimin që jam rikthyer para publikut në Kosovë. Ka qenë e vështirë pasi që rolinuk është i lehtë. Madje mund ta konsideroj si një nga rolet më të vështira që kam luajtur deri tani. Procesi na ka marrë më shumë kohë sesa e kemi menduar kështu që tani i mbetet publikut për ta vlerësuar”, u shpreh Tafa për KultPlus.

Teksti ka më shumë se 10 vite që është pjesë e repertorëve në teatrot të ndryshëm. Prandaj, sipas aktorit Donat Qosja, merita më e madhe i mbetet skenaristit.

“Skenaristi i ka gdhendur këto karaktere jashtëzakonisht mirë dhe na e ka bërë neve aktorëve punën më të lehtë”, ka theksuar ai duke shtuar se shfaqja ka momente mjaft të rëndë e të cilat gjatë provave kanë kërkuar shumë angazhim.

Kjo shfaqje parqet një gërshetim në mes të mungesës së komunikimit dhe pamundësisë për të dëgjuar mendimin e dikujt tjetër. Personazhet frymojnë dhe bashkëjetojnë me realitetin dhe janë në luftë të përhershme me veten e tyre për të bërë ndryshime. Sipas aktorit Basri Shala, shfaqja është e tillë që publiku nuk e ka idenë se çfarë do të ndodh pasi biseda është e tillë, intime por edhe konfliktuoze.

“Jam inkuadruar shumë vonë në projekt mirëpo tema jashtëzakonisht e rëndë, e të cilën e jetojmë edhe sot, si dhe ekipi më kanë bërë që më çdo kusht të pranoj që të jem pjesë e kësaj shfaqje. Ndryshimi i vetëm në këtë shfaqje tek ne është se ajo është përditësuar me elemente tona, të Prishtinës. Përndryshe, kjo shfaqje reflekton Ballkanin, një realitet ballkanas e që vë në pah se gjenerata e re e ka më problem”, u shpreh ai për KultPlus.

Reprizat e shfaqje “Bretkosa” do të jenë më 27 dhe 28 dhjetor duke filluar nga ora 20:00 në Skenën Kamertale të Teatrit AAB./ KultPlus.com

“Shqiptarin e ka prishur mungesa e disiplinës dhe zjarri i padurimit”

Disa thënie për shqiptarët nga Mid’ hat Frashëri.

  1. Kur merr një detyrë, ki disiplinë e durim. Shqiptarin e ka prishur mungesa e disiplinës dhe zjarri i padurimit.

2. Shqiptarët do t’i fitojnë të gjitha betejat, pasi të mbarojnë betejën e fundit mes tyre.

3. Shqiptari prej natyre është kotësidashës, plot vanitet dhe egoizëm. Nuk i pëlqen kurrë të shohë dhe të njohë fajin dhe të metën e tij: i pëlqen kurdoherë të ngarkojë një tjetër.

4. Shqiptarët, megjithëse në pjesën më të madhe myslimanë, nuk e kanë konsideruar veten kurrë turq. Në të kundërtën, ata kishin një nocion të qartë për individualitetin e tyre dhe një hendek i thellë i pengonte ata të ngatërroheshin me racën e pushtuesve.

5. Shqiptarin e ka prishur mosbindja dhe jo bindja. Nis ti më parë të japësh shembullin e bindjes jo të verbër.

6. Hiqe veten si pak të mençur dhe pak të ditur. Mendjemadhësia na ka çmendur gjer më sot.

7. Duhet të kemi kurajo të themi të vërtetën, të bardhës t’i themi të bardhë dhe të zezës – të zezë.

8. Mos e qorto dhe mos e shaj shqiptarin për fajin që ka bërë, se ajo është mënyra më e fortë që ta bësh të këmbëngulë në atë faj. Merre me të mirë dhe shiko ta bindësh, pa pasur as pamjen e të dhënit këshillë.

9. Shqiptari, duke mos qenë i mësuar me jetë politike, dua të them, duke mos pasur gjer më sot shtet, qeveri dhe independencë, s’ka kuptuar dot akoma barrën, detyrat dhe përgjegjësitë që rrjedhin nga një jetë indipendente.

10. Patrikularizma, lokalizma dhe ekskluzivizma tek shqiptari rrëfehen me atë mani që ka secilido të marrë emrin e fshatit ose të qytetit si emër familjeje. Kur piqen dy shqiptarë, pas gëzimit të parë, pyetja esenciale është: nga të kemi zotëri?

11. Shumë herë ideali për shqiptarin është të qenët i zoti, me çdo mënyrë që të jetë. Pa dyshim, duke pasur horizontin të ngushtë, nuk mund të kërkojë veç sukseset e lehta.

12. Vetëm një proverb të mirë di: ”Trimi i mirë me shokë shumë”. Por kur mendoj fjalën e Ali Pashës: dy shqiptarë janë shumë! Atëherë kam dëshirë ta kthej proverbin: ”Trimi i mirë me shokë…pak!”

13. Shpëtimi i Shqipërisë do të vijë me anë të vetes tonë.

14. Mos u hidhëro po të shkoj tjetri para, edhe pse nuk ndenje dot në krye. Zilia na ka lënë të panderuar.

15. Shpesh herë zemërimi ynë vjen jo se kemi të drejtë, po se kemi faj dhe na vjen ligsht që na e shohin të tjerët.

16. Dhembja më e madhe është pikëllimi i brendshëm, jo ai qe rrëfehet. /KultPlus.com

Ç’u mbush mali

Poezi nga Lasgush Poradeci.

Shqipëri! moj nëna ime,
Më ke rritur me thërrime!
Shqipëri! të qofsha falë,
Të kam nënë e më ke djalë
********
Ç’u mbush mali me dëborë,
Ç’u mbush deti me pamporë,
Seç u mbush e shkreta Vlorë
Plot me krushq e me dasmorë,
S’janë Toskë e Malësorë
Me flamur të kuq në dorë
Si dhëndurë me kurorë.
Ç’u zbardhë malet, ç’u zbardhë:
Nga çdo anë seç na ardhë
Shqipëtarët gunë-bardhë,
Seç na ardhë palë-palë
Duke rutulluar malë
Kush më këmb’e kush më kalë
Kush më shpejt, kush më ngadalë;
Kush i lum e kush i gjorë
Kanë zbritur mun në Vlorë,
Mun në Vlorën e lirisë,
N’atë thelb të Shqipërisë. /KultPlus.com

Dua po lufton pabarazinë gjinore në toplistat britanike

Viti 2018 ka qenë vit në të cilin gratë në industritë artistike janë bërë bashkë për të luftuar pabarazinë gjinore.

Një gjë e tillë ka ndodhur edhe në toplistat britanike pasi është ngushtuar hapësira gjinore mes artistëve që kanë qëndruar më së gjati në krye të këtyre top-listave.

Suksesi i këngëtares nga Kosova, Dua Lipa, dhe Jess Glynnet, kanë mundësuar që 49 për qind e këngëve në toplista të jenë zë femre, krahasuar me 35 për qind në vitin 2017.

Artistet kanë qëndruar 310 javë në top 40 këngët më të mira derisa artistët kanë qëndruar 328 javë.

Reperja Cardi B ka qëndruar më së shumti në toplistë. Ajo për 77 javë rresht ka mbretëruar me këngët “Girls Like You” dhe “I Like It”.

Dua është e dyta me 67 javë, e ndjekur nga Jess me 59 dhe Ariana Grande me 58.

Gruaja ime nuk punon…

Kushtuar të gjitha grave që japin jetën e tyre për mirëqenien e familjes së tyre.

(Një bisedë mes një burri dhe një psikologu)

P: Me çfarë merreni, zotëri?

B: Punoj llogaritar në një bankë.

P: Po gruaja juaj?

B: Ajo nuk punon. Është shtëpiake.

P: Kush e përgatit mëngjesin për familjen tuaj?

B: Gruaja ime, sepse ajo nuk punon.

P: Kur zgjohet nga gjumi zakonisht gruaja juaj?

B: Ajo zgjohet herët sepse duhet t’I përgatisë gjërat para se unë të ulem për të ngrënë mëngjes: shtron tavolinën, përgatit drekën për fëmijët që do të shkojnë në shkollë, sigurohet nëse ata janë veshur mirë dhe janë krehur, nëse kanë ngrënë mëngjes dhe kanë larë dhëmbët dhe që kanë marrë mjetet e shkollës me vete.

P: Kush i dërgon fëmijët tuaj në shkollë?

B: Gruaja ime, sepse ajo nuk punon.

P: Pasi i ka dërguar ata në shkollë, çfarë bën ajo?

B: Zakonisht, paguan ndonjë faturë ose ndalon në ndonjë supermarket. Sapo të arrijë në shtëpi, i duhet të bëjë drekën. Bën gati tavolinën, rregullon kuzhinën dhe pastaj merret me larjen e rrobave dhe me pastrimin e shtëpisë. Gjëra të tilla pak a shumë.

P: Në mbrëmje, pasi ktheheni në shtëpi nga puna, çfarë bëni ju?

B: Pushoj, sigurisht. Epo, jam i lodhur pasi punoj gjithë ditën në bankë.

P: Çfarë bën gruaja juaj gjatë mbrëmjes?

B: Ajo bën darkën, na e shërben mua dhe fëmijëve, lan enët, vë në rregull edhe një herë shtëpinë. Pasi i ndihmon fëmijët të përgatiten për gjumë, u jep atyre një gotë qumësht të ngrohtë që ata e kanë shumë qejf, u thotë të lajnë dhëmbët… Kjo është rutina e përditshme e shumë grave në të gjithë botën, nis në mëngjes dhe vazhdon deri në disa orë të natës…

Dhe thonë: “Ajo Nuk punon!”

Të qenit shtëpiake nuk të jep ndonjë diplomë, por të jep një rol kyç në jetën familjare!

Vlerësojeni gruan, nënën, gjyshen, tezen, hallën, motrën , vajzën tuaj sepse sakrifica e tyre është e paçmueshme!

Dikush e pyeti atë: “A je një grua që punon apo thjesht një “shtëpiake”?”

Ajo iu përgjigj: “Unë punoj si gruaja e shtëpisë, 24 orë në ditë. Jam një nënë, jam gruaja, jam vajza. Jam ora me zile, jam kuzhinierja, jam shërbëtorja, jam zonja e shtëpisë, jam banakierja, jam dadoja, jam infermierja. Jam punëtorja udhëzuese, jam oficierja e sigurisë, jam këshëlltarja, jam ngushëlluesja. Nuk kam pushime, madje nuk kam as leje në rast sëmundjeje. Nuk kam asnjë ditë pushim, punoj ditë e natë, jam në krye të detyrës në çdo kohë, nuk marr rrogë. Megjithatë, shpesh dëgjoj frazën: “Por çfarë bën ti gjithë ditën?”

“Gruaja është si kripa: Prezenca e saj nuk vihet re, por mungesa e saj e bën gjithçka pa shije.”

Kukësi, i pari qytet në botë i kandiduar për Çmimin Nobel

Kukësi është qytet në Shqipërinë verilindore, i shtrire në koordinatat 42,09° V, 20,43° L. Është qendra e Qarkut Kukës. Shtrihet në rrëzë të Malit të Gjallicës dhe në breg të Liqenit të Fierzës, në Rrafshin e Lumës. Motoja e qytetit është “Qyteti i mikpritjes dhe bujarisë”.

Në vitin 2000 Kukësi u kandidua për Çmimin Nobel për Paqe me motivacionin e pritjes së mbi 450.000 shqiptarëve nga Kosova të dëbuar nga ushtria, paraushtarakët serbë dhe serbët e armatosur në Kosovë. Në vitin 2010, banorët e Kukësit u shpallën nga USAID, si më të lumturit e Shqipërisë.

Megjithëse zona e Kukësi është një vendbanim i hershëm historik, siç dëshmohet prej varreve ilire të zbuluara në fshatin Kënetë, Kukësi ose Kukësi i Ri është një ndër qytetet më të reja në Shqipëri. /KultPlus.com

E qaj rritjen e fëmijëve të mi!

Nga Emine Bajrami

Sot teksa përqafoja vajzën time të vogël, më erdhi një ndjenjë e çuditshme dhe i thashë: “Ti mos u rrit”!

Pastaj, nisa të mendoj e të flas me veten: Do t’i kërkojmë fëmijët e vegjël, por ata do të rriten. Do të na marrë malli edhe për lodrat e tyre që sot na pengojnë nëpër këmbë, por më nuk do jenë. Do të pajtohemi madje edhe me zënkat e tyre që na turbullonin kokën, por ata do rriten dhe pastaj do të vijnë derte e brenga të tjera.

Prandaj, përqafojini, merrini fëmijët tuaj afër vetes dhe shijojeni ëmbëlsinë e tyre, sepse ata aq shpejtë do të rriten, sa do të të duket sikur asnjëherë nuk kanë qenë të vegjël! E çka nëse vjen mysafir e i gjen lodrat e fëmijëve të shpërndara aty-këtu?

Fëmijët kanë botën e tyre, ëndrrat e tyre, lojën e tyre, e ne si nëna le të jemi të pastërta, të zonja në punët që na përkasin neve, e jo në prishjen lojës sy tyre, imagjinatës e botës së tyre fëmijërore!

Neve sot asgjë nuk na vie e bukur siç na vinte kur ishim fëmijë, ndaj jetojeni periudhën në të cilën gjendeni sepse çdo gjë është kaluese, nuk zgjat përgjithmonë! / KultPlus.com

Ermonela Jaho vazhdon shkëlqimin e saj në Paris me rolin e Violetës

Sopranoja e njohur shqiptare Ermonela Jaho po vijon prezantimin në skenën e Parisit me operën ”La Traviata” të Verdit.

Vepra është shfaqur deri tani në skenën e operës në datat 11, 14, 17, 20, 23 dhe 26 dhjetor. Mbrëmja e fundit do të jetë më 29 dhjetor në Opera National de Paris. Sopranoja ka lajmëruar se kjo vepër këtë muaj në skenën e Parisit merr një rëndësi të veçantë.

”Duke festuar shfaqjen 255 të Traviatës në Opera National de Paris….”, shprehet sopranoja e njohur. Deri tani për këtë vepër sopranoja shqiptare Ermonela Jaho ka marrë vlerësimin e publikut, por dhe të kritikës së huaj për interpretimin e saj. Për shtypin francez, Ermonela Jaho shkëlqeu në Traviatën e Verdit, duke marrë vlerësimet më të mëdha.

Ajo e mishëron aq mirë personazhin e Violetës sa mund të thuhet se së bashku me “Madame Butterfly”, janë absolutisht të preferuarat e saj. Zëri i Ermonelës përshkruhet si një përzierje force dhe brishtësie, që ka magjepsur të pranishmit, një interpretim që siç thotë shtypi francez, do t`i bënte dhe gurët të qanin.

“La Traviata” është një opera e tre akteve nga Xhuzepe Verdit e vendosur në një libret italian nga Francesco Maria Piave. “La Traviata” e Verdit  është bazuar në veprën “Zonja me kamelie” e Alexander Dyma. Opera bën pjesë tek e ashtuquajtura sipas historisë së muzikës triologji popullore, ku bëjnë pjesë tre veprat “Il Trovatore”, “Rigoletto” dhe “La Traviata”, të cilat janë më të shfaqurat në botë, shkruan ata.

Në qendër të veprës është kurtizania Violeta Valery, që për hir të dashurisë me fisnikun Alfredo Germont, braktis jetën prej kurtizaneje. Dashuria e tyre përçahet nga i ati i Alfredos Giorgio Germont, i cili donte një të ardhme më të mirë për të birin. Violeta mbyt dashurinë e saj, duke sakrifikuar veten, gjë e cila e sëmur atë shpirtërisht dhe fizikisht.

Dhe në këtë akt të tretë ajo është në fundin e jetës së saj. Në momentin kur Violeta mendon se ka marrë fund çdo gjë, Anina i jep lajmin e gëzueshëm për ardhjen e Alfredos. Takimi i tyre është pika kulmore e shfaqjes.

Në Rinas shoh lot prindërish për fëmijët që ikin, dhe indiferencën e atyre që na drejtojnë

“Mendja ime asnjëherë nuk i ka mësuar me rregull modelet e avionëve që ulen në pistë, por ajo që më ka bërë gjithmonë të epur ndaj këtij vendi të veçantë, kanë qenë njerëzit…dhe emocioni që shfaqet në fytyrat e tyre në zonën e mbërritjeve, kur hapet dera rrëshqitëse. Ndonjëherë ka gëzim, ndonjëherë ka lot, e ndonjëherë ankth. Por shikimet kanë dritën e pritjes gjithmonë”- shprehet Arlinda Çausholli e cila mban postin e Drejtoreshës së Komunikimit në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës.

Me një eksperiencë të gjatë si gazetare, fushë të cilën nuk e ka braktisur asnjëherë, Arlinda e ka plotësuar veten në vazhdim, në fushën e komunikimit si specialiste, por edhe si shkrimtare.

Sot në “Dita” kemi folur me Çaushollin jo vetëm për profesionin e saj dhe punën që bën tashmë prej më shumë se një dekade, por edhe për mënyrën se si e shikon ajo realitetin në vendin tonë.

“Më shqetëson ashpërsia me të cilën e trajtojmë njëri-tjetrin, më shqetëson mungesa e vizionit për brezin e ri që do të jetë nesër e ardhmja e gjithë Shqipërisë, ndonëse sot është vetëm një përqindje e saj”.

Biseda me Arlindën është e rrjedhshme. Pavarësisht se evidenton probleme, sërish të mbush me qetësi. Ndoshta aftësi e njerëzve kjo që, etikën e komunikimit e kanë pjesë të tyren.

Pesimizmi  dhe mungesa e shpresës janë gjerat që vëren rëndomë në ditët që po jetojmë.

Si mund të dalim nga kjo gjendje? Sipas Arlindës ka ardhur koha që të kemi modele të reja në politikë, në arsim, në vendimmarrje.

Në këtë intervistë në Dita do të njohim më tepër Arlinda Çaushollin, e cila e konsideron Aeroportin si vendin ku zbulon çdo ditë një copëz Shqipërie…

-Arlinda, si është të punosh në aeroport, aty ku shumë vijnë dhe ikin… Duket se aty je vazhdimisht në lëvizje?

Aeroporti është një institucion i veçantë nga çdo anë. Është operacional dhe njerëzor në të njëjtën kohë. Është e vërtetë, jam në lëvizje gjatë gjithë kohës. Por nuk e kam fjalën vetëm fizikisht, por edhe mendërisht, e besoj, kjo është më kryesorja dhe më e shëndetshme se çdo gjë. Punoj për të krijuar një gjë të re në një mjedis ku gjendem çdo ditë prej 12 vitesh.

-A është kjo puna që do dhe çfarë ke mësuar nga gjithë këto vite eksperiencë?

Puna më pëlqen, i shtoj edhe dozat e pasionit që gërshetohen shkëlqyeshëm me komunikimin dhe median. Kam mësuar se fokusi te njerëzit dhe puna me ta më jep kënaqësi dhe rezultate. Fokusi te etika në përgjithësi, të krijon një aureolë, por edhe bosht respekti. Më pëlqen etika, sidomos ta ushtroj në çdo rrethanë.

-Aeroportin ndryshe e quajnë dhe “lëndina  lotëve” po ti  si e shikon këtë vend?

Aeroporti është një zbulim i përditshëm i një copëze Shqipërie që në të vërtetë unë e kam fort për zemër. Mendja ime asnjëherë nuk i ka mësuar me rregull modelet e avionëve që ulen në pistë, por ajo që më ka bërë gjithmonë të epur ndaj këtij vendi të veçantë, kanë qenë njerëzit…dhe emocioni që shfaqet në fytyrat e tyre në zonën e mbërritjeve, kur hapet dera rrëshqitëse. Ndonjëherë ka gëzim, ndonjëherë ka lot, e ndonjëherë ankth. Por shikimet kanë dritën e pritjes gjithmonë.

-A të pyesin shpesh: pse janë biletat kaq të shtrenjta nga Shqipëria?

Padyshim. Sa herë më shohin. Mundohem të shpjegoj se aeroporti nuk shet bileta, dhe as nuk e përcakton çmimin e një bilete. Por nuk pretendoj të bind.

-Po ti vetë, e ke menduar ndonjëherë të largohesh nga Shqipëria?

E kam menduar, si shumë miq të mi.

-Çfarë të ka mbajtur këtu?

Me ka mbajtur dëshira se mund të kontribuoj me gjërat që di, të ndaj përvojën që kam dhe të provoj që njerëz si unë e shumëkush, mund të frymëzojnë.

-Shifrat tregojnë se përqindja e shqiptarëve që duan të largohen nga vendi është e lartë, të duket shqetësuese?

Shumë shqetësuese, por më vjen keq që shqetësohen më shumë prindërit se ata që na drejtojnë. Ky është dhe thelbi i të qenit largpamës nga çdo qeveri që pretendon ta drejtojë Shqipërinë dhe që ka strategji për të ardhmen e saj. Studentëve duhen t’u krijohen kushtet që ata të ndjehen në Shqipëri si në shtëpi të tyre, dhe jo si në shtëpi të huaj. Profesionistëve, t’u lihet liria e të ushtruarit profesion pa ankth dhe pa frikë për të ardhmen, që të mos zhyten në taksa e të plluskojnë nëpër pensione, e të moshuarve t’u vihet në dispozicion rinia studentore, që këtyre të fundit t’u njihet asistenca ndaj moshës së tretë me kredite apo ligjërisht. Është e vetmja mënyrë që të forcohen lidhjet me njëri-tjetrin dhe me veten. Kjo do na bëjë mirë dhe më të shëndetshëm mendërisht dhe moralisht.

-Çfarë raporti ke me udhëtimin, avionin…?

Raport të bukur mendoj. Kur kam mundësi udhëtoj gjithmonë, me çfarëdo mjeti. Udhëtimi është dimension i ri, dhe dimensionet e reja të rrisin e të zgjerojnë horizontin.

-Cili është vendi ku je kthyer më shumë se një apo dy herë sepse të pëlqen shumë?

Kam udhëtuar mjaftueshëm për të kuptuar se nuk ka gjë më të ëmbël se kthimi në shtëpi.

-Arlinda gazetare, shkrimtare, specialiste e komunikimit… si qëndrojnë të gjithë këto bashkë tek ty?

Them se rrinë natyrshëm. Kanë në thelb fjalën, vrojtimin e detajeve dhe krijimin. I lidh etika dhe dëshira për të lënë një gjurmë të mirë.

-Duket sikur janë pjesë që ndihmojnë njëra-tjetrën, sa e ke ndjerë këtë?

Është pothuajse e njëjta fushë. Fushë që do guxim, shumë këmbëngulje, shumë vigjilencë për të parë gjëra që për të tjerët janë të padukshme, kërkon durim dhe shumë energji.

-Sa e rëndësishme është fëmijëria, sa gjurmë lë ajo në jetën e njeriut më pas dhe si ka qenë fëmijëria jote?

Fëmijëria është baza ku rritemi dhe shumëherë e kthejmë kokën pas për ta parë me sytë e tanishëm. Kam qenë më shumë fat se jam rritur me shumë dashuri, me shumë përkushtim, me thjeshtësi për njerëzit dhe me shumë kurajo. Shkodra të jep penelata të bukura që zbukurojnë zemrën dhe mendjen, si çardakët e dikurshëm të shtëpive ku kemi vrapuar.

-Ndërkohë vazhdon të qëndrosh rregullisht në media, je prezente me shkrimet dhe analizat e tua, pas ‘Çizmeve të verdha” do kemi ndonjë libër tjetër?

Po punoj për një libër tjetër që do të ketë në thelb, qëllimin e një trajnimi që bëj prej pesë vitesh, në lidhje me zhvillimin personal, motivimin, këndvështrimin e gjërave dhe komunikimin e mirë si arma më e fortë për një cilësi jete të mirë.

-Arlinda, çfarë të shqetëson në realitetin e sotëm, në Shqipëri?

Më shqetësojnë shumë gjëra. Më shqetëson ashpërsia me të cilën e trajtojmë njëri-tjetrin, më shqetëson mungesa e vizionit për brezin e ri që do të jetë nesër e ardhmja e gjithë Shqipërisë, ndonëse sot është vetëm një përqindje e saj. Më shqetëson mënyra e edukimit dhe mësuesisë që nuk ka lidhje me formimin e njeriut dhe qytetarisë, porse veç me përllogaritje dhe betonim të karakterit pa asnjë ngjyrë dhe krijim. Më shqetëson mungesa e fjalës “humanizëm” dhe veprimet që e karakterizojnë atë, rregullisht, nga një klasë politike dhe njerëzish që bubërrojnë zhurmshëm në arsim, shëndetësi, rend dhe drejtësi. Fluturojnë nëpër universe paralele, kanë humbur lidhjet me realitetin dhe me thjeshtësinë e njerëzve, dhe harrojnë se historia harron kollaj kush nuk e deshi.

-Cila është ajo gjë për të cilën thua: si ka mundësi që kjo gjë nuk ndryshoi në këtë vend?

Raporti që kemi me protestën dhe me votën. Raport në përgjumje dhe objekt pazari.

-Mendon se shoqërinë tonë e ka kapur një pesimizëm në masë?

Në programin tim që quhet “I Përgatitur për të Ardhmen“ – Fit For Future – kanë marrë pjesë diku te 1400 veta. Ky është një program që ka për qëllim të zhvillojë personin, komunikimin, bashkëpunimin qytetar dhe ka si synim të motivojë. Pesimizmi është gjëja e parë që vërehet dhe mungesa e shpresës më trishton akoma më shumë.

-Si mund të dilet nga kjo gjendje?

Ka ardhur koha që të kemi modele të reja në politikë, në arsim, në vendimmarrje. Modelet e reja japin dimensione të reja dhe duhet të kenë në qendër – me vërtetësi – individin që jeton në këtë vend dhe që përpiqet me ndershmëri, duhet të ketë në qendër dashurinë për vendin që të përparojë e të bëhet i jetueshëm në mënyrën më të mirë të mundshme.  Babëzitja kolektive na ka dënuar të gjithëve nga pak dhe na ka verbuar, por do të penalizojë të ardhmen e fëmijëve tanë në rast se nuk gjejmë kurajo dhe dritën e duhur që t’i ndryshojmë gjërat. Protesta e studentëve është test për të gjithë ndërkohë.

-Jo po qëllim ia u bëj këtë pyetje pasi di që ke marr pjesë në formatin “Tedex”  në Itali e Kosovë, një format ky që ka për qëllim të ndajë mesazhe. Cili është mesazhi që do të jepnit në këtë periudhë?

Duhet të ngremë ura dhe të shembim mure. Duhet t’i kthejmë sytë nga njëri-tjetri. E kam fjalën për bazën e gjerë të njerëzve që jetën e mendojnë si unë e si ti, e që respektin shoqëror e njohin dhe përpiqen ta përçojnë, megjithëse kohërat janë në raport të pabarabartë me vlerat.

Besoj fort se pasqyrimi të njëri-tjetri do të zgjojë ndërgjegjen qytetare. E ndërgjegjja fillon të përballojë gjërat e vogla, e më pas arrin të analizojë e të konsiderojë si duhet çështjet e mëdha që përmenda në fillim dhe që na shqetësojnë të gjithëve. Them se hija mbi hije, nuk ndryshon. Drita mbi dritë, reflekton.

Si është kjo periudhë fundviti për ty. Je melankolike apo entuziaste?

Ka qenë periudhë më shumë punë, me shumë ngarkesë, me shumë aktivitete, me shumë rezultate dhe jam e kënaqur për këtë. Unë besoj se edhe melankolinë e kam entuziaste…

Çfarë pret nga 2019-ta?

Pres me krahëhapur çdo gjë. Zakonisht, në mendjen time kam shumë dritare dhe dyer që hapen e mbyllen sipas rastit. E rëndësishme që të mos shërohem nga entuziazmi që përmenda pak më sipër. Im atë thoshte gjithmonë se arti i jetës është që t’i kalosh vështirësitë me entuziazëm. “Në rast se e humb, e ke humbur davanë”. Na e kujtonte shpesh dhe shkëlqimi i syve të tij nuk u shua kurrë nga kjo cilësi e mrekullueshme. Sytë i kishte të mëdhenj, imagjino shkëlqimin….

Të falënderoj shumë për këtë bisedë!

Edhe unë të falënderoj dhe ju uroj festa të mbara sot e gjithmonë.

http://www.gazetadita.al/ne-rinas-shoh-lot-prinderish-per-femijet-qe-ikin-dhe-indiferencen-e-atyre-qe-na-drejtojne/?fbclid=IwAR3ngR2otLrJNibql8ymUTTjZK5KC2HPnr1ekvq5acQSj9csIEEILXXzQUM