Sot 28 vite nga rrëzimi i bustit të diktatorit Enver Hoxha

20 shkurt 1991- Fotot e rralla që dëshmojnë rënien e diktaturës

Pas një varg ngjarjesh që ishin shënuar në qytete të ndryshme të Shqipërisë, gjatë vitit 1990, me karakter protestues kundër regjimit komunist, protestat studentore, nisur më 8 dhjetor 1990, shënuan hapin vendimtar që çoi drejt përmbysjes së diktaturës.

Protestat e para ishin shënuar që në janar 1990, në Tiranë, më tej në Kavajë, Shkodër, Elbasan e Durrës. Ngjarjet e dhjetorit 1990, u pasuan më tej me përshkallëzim të protestave, në fillim të vitit 1991 dhe kulmuan pas grevës së urisë së një grupi studentësh, të cilët frymëzuan gjithë banorët e kryeqytetit, për t’u derdhur në rrugë e për të mësymur sheshin Skënderbej.

Mesdita e 20 shkurtit shënoi një prej akteve më domëthënëse të përmbysjes së regjimit 45-vjeçar komunist, rrëzimin e shtatores së diktatorit Enver Hoxha.

Fotot që sjellim sot në përvjetorin e 28-të, të rënies së regjimit komunist, tregojnë momente të ndryshme të kësaj dite të rëndësishme të historisë së Shqipërisë./kujto.al/ KultPlus.com

Ndërron jetë marinari i puthjes së famshme në Times Square

Ka ndërruar jetë në moshën 95 vjeçare marinari i marinës amerikane, George Mendonsa, i njohur në botë për fotografinë e famshme të puthjes së tij me një vajzë.

Mendonsa vdiq të dielën pas një infarkti në zemër, vetëm disa ditë përpara se ai të mbushte 96 vjet, ka pohuar vajza e tij Sharon Molleur, transmeton Klan Kosova.

Fotografia e famshme e marinarit amerikan, u shkrep kur në 1945 ai puthi një vajzë në sheshin Times Square në New York, në ditën e njohur si e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

Ndryshe 14 gushti njihet si dita kur Japonia kapitulloi zyrtarisht ndaj SHBA-ve, njofton Klan Kosova./ KultPlus.com

Sindikata e RTK’së reagon ndaj tenderit të fituar nga Teuta Krasniqi

Pas raportimeve të fundit për tenderët prej qindra mijëra eurove të fituar nga njerëz të afërt me politikën në Televizionin Publik, ka reaguar sindikata e RTK’së.

Sipas sindikatës, është e pakuptimtë që të paguhen aq shumë për produksione të jashtme, derisa RTK’ja ka rreth një mijë të punësuar. Ndërkaq dje u raportua se një serial i prodhuar nga produksioni i aktores Teuta Krasniqi, e cila është motra e shefit të Grupit Parlamentar të PDK’së, Memli Krasniqi. Shkrimi i plotë: Sindikata e Pavarur e RTK-së reagon ashpër kundër kontratave të reja me kosto të lartë financiare, të lidhura nga menaxhmenti i RTK-së me producentë të pavarur .

SPRTK në vazhdimësi ka alarmuar rreth blerjeve pa kontrollë dhe pa mbulesë financiare të cilat po e dëmtojnë RTK në shkallë të pariparueshme. Madje si Sindikatë kemi kërkuar që në kuadër të ligjit të ri kjo praktikë e dëmshme për RTK-në të ndalohet. Me këto veprime drejtuesit e RTK-së po shpërfaqin hipokrizinë e tyre, duke u ankuar në njërën anë për mungesë të financave si pasojë e moszgjidhjes së çështjes së financimit, e në anën tjetër çdo ditë e më shumë hynë në obligime të reja financiare.

RTK nuk mbrohet me retorikë boshe siç po e bëjnë disa nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, por me veprime konkrete që avancojnë statusin e Transmetuesit Publik. Përmes përfshirjes së familjarëve të tyre në projekte audiovizive të financuara nga buxheti i RTK-së, vendimarrës nga politika po e rrezikojnë seriozisht funksionalitetin e RTK-së. Është e pakupitmtë që RTK të realizojë kaq shumë blerje të produkteve të jashtme televizive, derisa ka rreth 1 mijë të punësuar. Politikat programore të RTK-së do të duhej të orientohen kah personeli i brendshëm i RTK-së i cili ka përvojën, profesionalizmin dhe përkushtimin e duhur për të prodhuar vetë.

Të punësuarit e RTK-së në vend se të përkrahen e të motivohen në punën e tyrë, përkundrazi ndaj tyre po ushtrohet presion si në aspektin e termineve, kohezgjatjes së emisionit, duke i sjellur kështu ata në situatë diskriminuese në raport me emisionet e blera. Po ashtu, presion ndaj të punësuarve po ushtrohet me qëllim të detyrimit të tyrë për të nënshkruar kontratatat e blerjeve në cilësinë e autoritetit kontraktues. SPRTK kërkon nga organet drejtuese të RTK-së, që të distancohen nga këto sjellje ndaj të punësuarve dhe të lihen të lirë ata në ushtrimin e profesionit të tyre konform obligimeve kontraktuale. Të gjitha këto padrejtësi Sindikata do t’i adresojë në organet përkatësë.

Transmetuesit Publik përfshirë RTK-në nuk kanë mundësi financiare por as obligim ligjor që çdo ditë të transmetojnë programe argëtuese të formateve shumë të kushtueshme për buxhetin e tyre. Të bashkangjitur gjeni disa nga kontratat të lidhura muajve të fundit: Serial vendor “ISTAR” nga Teuta production 216 mije euro (11.02.2019) Serial vendor “Gjyshet Milionere” 75 mije euro (18.01.2019) “Rrenjet Tona” 60 mijë euro “Jeta ne Kosove” 112 mijë euro Po ashtu ne proces të tenderimit është shfrytezim i automjeteve me qira në vlerë prej 540 mije euro. (Kosova Sot) / KultPlus.com

Minatorët, dëftimi i lirisë

Poezi nga Halil Matoshi.

Ata flenë në legjendën për tokën e nemun 
Kahmot janë varrosë në ndërgjegjen e pushtetit
Mos i ngani me farsa gjyqesh 
Vorri s’i bindet asni gjyqi, rri gojëhapun i nemitun

Ftyrat e tyne t’percellueme nga e zeza e lignitit 
e sytë si gaca t’mlueme me hi shohin zi
Faqezezë me kollare që thonë pallavra n’Komitet

Edhe nëse në ballë u shuhet llamba e karbitit
Ata shohin krimet tueja 
Dhe me grevë dëshmojnë para gjyqit qe s’u ba kurrë…

Ata janë njerëz të bamë tokë të shkelun nga njeriu
T’ramë n’lloq e t’bamë pis nga pluhun ari që nxjerrin
pra heshtja e tyne dëfton poshtnimin

Janë ba ni me tokën si t’i arrestoni?
Tokën s’e zë asni burg sepse u bindet ligjësive të qarkullimit nëpër trajektoret astrale
ata janë yjësia që dikur ka folë

Ju shkelni mbi ta me makina t’ blindueme ata i futën tokës në gji e sytë e tyne xixa nxjerrin si yjet kur bien
janë mes dy qiejve

buka e tyne e zezë sot nuk u gatue 
ata bash si toka nuk hanë bukë po nxjerrin bukë 
Sofra e tyne e varfun as sot s’u shtrue
Bani grevë urie!?

Ata nuk janë vorrosun n’katakomb
Po janë shkri e ngjitë me metalet
Meteorite kane me u ba e me i therrmue shekujt

Ata janë në fundbotë po ende nxjerrin dritë
Si gaca karbiti
Dhe kudo që minatorët janë në fatkeqësi ose i nxe pesha e tokës
Ata i nxjerrin sytë mbi dhe
Siç ndezin çirinjtë për shenjtorët në secilen kishëz

Ata vdiqen t’gjallë – ideja e lirisë me jetue
Se – e dini çka – thuejse e patëm harrue!??

“Prishtina Jazz Week 2019” vjen me edicionin e dytë

Pas suksesit të edicionit të parë, këtë vit do të organizohet edicioni i dytë i Prishtina Jazz Week, ku përveç performancave të muzikantëve të njohur ndërkombëtare që vijnë nga vendet e ndryshme si: Amerika, Turqia, Hungaria e rajoni, këtë vit gjatë këtyre katër ditëve do të organizohen diskutime, shfaqje të filmit për muzikën Jazz, dhe punëtori që kanë të bëjnë me instrumentet të cilat përfaqësojnë muzikën e lartpërmendur.

Përgjatë viteve të fundit, skena e jazz-it në Prishtinë e ka përjetuar një zhvillim shumë pozitiv, gjë e cila dëshmohet përmes publikimit të disa jazz albumeve origjinale, rritjes së bashkëpunimit në mes të muzikantëve vendor me ata ndërkombëtar, dhe rritjes së interesimit të publikut për evente me muzikë jazz. Ndonëse etja e publikut kosovar, e kryesisht e atij Prishtinas, për muzikë jazz e gjente përgjigjen në festivalin e përvitshëm të quajtur Prishtina Jazz Festival, ndalja e aktivitetit të këtij festivali në tre vitet e fundit e ka lënë një zbraztësi në qytet sa i përket kësaj shtrese në rritje të shoqërisë, dhe një mungesë të theksuar të performansave nga jazz muzikantë botëror në kryeqytet.

Krahas përgjegjës ndaj kërkesës së madhe për muzikë jazz në kryeqytet, ky festival gjithashtu ka për qëllim t’i ekspozojë artistët e rinj kosovar ndaj performancave kulminante të jazz-it nga muzikantë të njohur botërorë, në mënyrë që t’i inspirojë ata për të krijuar dhe për ta përmirësuar artin e tyre.

Këtë vit do të prezantohet edicioni i dytë me emrin “Prishtina Jazz Week 2019”, edicion i cili do të mbahet në hapësirën e ‘Kino Armata’ nga data 4 deri më 7 mars. / KultPlus.com

Shkëlzen Gashi publikon librin “Kosova-Lufta dhe Paqja” me 34 intervista

Publicisti Shkëlzen Gashi së fundmi ka publikuar librin “Kosova-Lufta dhe Paqja”, në të cilin ka përmbledhur 34 intervista të realizuara 15 vite më parë, shkruan KultPlus.

Gashi ka treguar se ky libër përfshin një mori intervistash, të cilat i ka realizuar gjatë kohës sa ishte student në Departamentin e Shkencave Politike në UP. Një pjesë e intervistave flasin për Marrëveshjen e Rambujesë , me pjesëmarrës e kundërshtarë të kësaj marrëveshjeje: Albin Kurti, Fatmir Humolli, Arsim Bajrami, Adem Demaçi, Ramë Buja, Edita Tahiri, Jakup Krasniqi, Enver Hasani, Bujar Bukoshi, Mehmet Hajrizi, Blerim Reka, Fadil Hysaj dhe Hydajet Hyseni. Këto intervista, Gashi  i ka realizuar gjatë verës së vitit 2004.

Po, ashtu ky libër përfshin edhe intervistat që Gashi ka realizuar gjatë vitit 2005 për tema të ndryshme, ku të intervistuarit ishin Azem Vllasi, Bajram Rexhepi, Melihate Tërmkolli, Adem Demaçi, Sylejman Selimi, Nexhmedin Spahiu, Rexhep Selimi dhe Mahmut Bakalli.  Pjesë tjetër e librit përfshin intervistat që Shkëlzen Gashi i ka realizuar në vitin 2006,kryesisht me politikanët e Kosovës, për negociatat për statusin politik të Kosovës me Serbinë, çështjen e decentralizimit dhe të statusit të ‘zonave të mbrojtura’ për kishat dhe manastiret ortodokse të Kosovës. Për shtjellimin e këtyre problemeve ai ka intervistuar: Lutfi Hazirin, Shkëlzen Maliqin, Jakup Krasniqin, Enver Hasanin, Kaqusha Jasharin, Ylber Hysën, Smajl Latifin, Enver Hoxhajn, Muhamedin Kullashin, Adem Demaçin, Veton Surroin dhe Shinasi Ramën.

“Këto intervista, të realizuara para rreth 15 vjetëve, vlerësova se ia vlen të përmblidhen të gjitha në një vëllim me titull “Kosova – Lufta dhe Paqja”, i bindur se mund t’u hyjnë në punë studentëve e studiuesve të shkencave sociale, gazetarëve e analistëve, e edhe politikanëve negociatorë”, ka shkruar në njoftimin e tij Gashi.

Libri përmban 34 intervista, ka 502 faqe, kushton 5 €, dhe gjendet në të gjitha libraritë e Prishtinës: Dukagjini, Artini, Buzuku, Soma…/ KultPlus.com

Filmi që mori 180 mijë euro nga Qeveria e Kosovës, vitin e kaluar nuk kishte kaluar në QKK

180 mijë euro janë ndarë nga rezervat e shtetit për të realizuar një film, e ky vendim i Qeverisë së Kosovës ka ngjallë debat të madh në komunitetin artistik, shkruan KultPlus.

Ky projekt përpos që ka marë rezervat e shtetit, në të njëjtën kohë ka kapërcyer edhe institucionin kryesor që mbështetë bërjen e filmit, Qendrën Kinematografike të Kosovës, institucion që bën thirrjen publike për çdo vit.

“Lojë jete” që mban titullin ky film, që sipas regjisorit Kryeziu do të jetë në kooprduksion amerikan, sipas burimeve të KultPlus, ishte pjesë e garës gjatë vitit të kaluar në QKK, por që juria nuk e kishte kaluar.

Po një shije më të hollë duket ta ketë pasur Qeveria e Kosovës, që përgjatë një mbledhje, me një vendim të shpejt ka aprovuar kërkesën e Kryeziut, që këtij të fundit ti ndahen 180 mijë euro.

Luan Kryeziu, skenarist dhe regjisor i këtij filmi ka deklaruar për KultPlus se kërkesën e tij për ta mbështetur këtë film e ka nisë në shumë institucione të Kosovës, në mënyrë që mos ta humbin rastin për një kooproduksion të këtij niveli.

“Nuk kam pasë kohë me pritë konkursin e QKK-së, se nëse pritnim, e humbnim rastin që të jemi pjesë e filmit”, ka thënë Kryeziu, i cili pretendon se pasi ka marë shumën prej 180 mijë eurove, ai tashmë e ka të garantuar që një pjesë e aktorëve të jenë edhe nga Kosova.  

“Unë punoj projekte që janë në interes të shqiptarëve, dhe kjo u pengon serbëve”, ka thënë Kryeziu.

Ai ka njoftuar se filmi bën fjalë për temë të luftës, ku bëhet fjalë për një grua të rrëmbyer.

Luan Kryeziu ka thënë se është herët të bëhet e ditur për koston e përgjithshme të këtij projekti, dhe sipas tij, nuk duhet të bëhet kaq shumë zhurmë për realizimin e këtij projekti, por, sipas tij, këtij projekti do të duhej ti gëzohen të gjithë.

Ai ka shtuar se xhirimet e këtij filmi do të nisin në shtator të këtij viti, dhe para se të fillojnë xhirimet do të hapet audicioni.

Luan Kryeziu, sikurse që nuk ka bërë të ditur për koston e përgjithshme, ai në të njëjtën kohë ka thënë se është herët të flitet për produksionet që janë pjesë e këtij filmi nga SHBA.

“Së shpejti do të dalim me deklaratë zyrtare”, ka thënë Kryeziu, i cili deklaratën e fundit të MKRS-së, se ata nuk e kanë propozuar në Qeveri për sigurimin e mjeteve nuk ka dashur ta komentojë, por që vazhdon të qëndrojë në verzionine  tij, se kërkesa në Qeveri është bërë po nga MKRS.

“Me rëndësi që filmi po bëhet, dhe do të jetë një pasqyrim i të vërtetës sonë”, ka përfunduar Kryeziu./KultPlus.com

Filmi kontrovers “The House that Jack Built”, nga nesër shfaqet në Shqipëri

“The House that Jack Built”, filmi më i fundit i Lars Von Trierit i cili ka trazuar zemrat e publikut dhe kritikës në Festivalin e fundit të Filmit në Kanë për shkak të vrazhdësisë dhe skenave të dhunës, do të vijë në kinematë shqiptare nga data 21 deri më 28 Shkurt, shkruan KultPlus.

Distributori zyrtar për Shqipërinë është Tirana Film Institute, që po e shpërndan këtë film në vazhdim të projekteve të mbështetura nga programi Media i Creative Europe për promocionin e filmave evropianë.

Në filmin më të fundit të Lars von Trierit interpretojnë në rolet kryesore: Matt Dillon, Bruno Ganz dhe Uma Thurman.

“The House that Jack Built” flet për një vrasës tepër inteligjent, i cili e sheh vrasjen si një formë arti. Filmi i regjisorit danez bazohet përgjithësisht në personazhin e Xhek Kasapit dhe rrëfen me saktësi pjesë të jetës së tij. Xheku (I interpretuar nga Matt Dillon) është vrasës serial me çrregullime obsesive-kompulsive dhe në hark kohor prej 12 vjetësh përshkruan krimet më të tmerrshme, duke u përfshirë në një sfidë në distancë me agjencitë e zbatimit të ligjit.

Filmi horror pushtoi faqet e para të gazetave në Festivalin e Filmit të Kanës, në vitin 2018, kur një turmë shikuesish dolën nga salla pas disa prej skenave më të dhunshme të filmit, por ata që qëndruan, u ngritën në këmbë duke brohoritur në fund të filmit.

Manuel Alberto Claro, një prej drejtorëve të fotografisë më të respektuar të ditëve të sotme dhe që ka punuar në të gjithë filmat e Lars von Trierit që prej vitit 2011, është pjesë e ekipit që punoi me filmin “Shtëpia që ndërtoi Xheku”.

Filmi u shfaq jashtë konkurrimit gjatë Tirana International Film Festival (TIFF 2018), në muajin nëntor, në kinema Millenium.

Historia flet për Jack, një vrasës serial jashtëzakonisht inteligjent dhe përshkruan vrasjet që vërtetë zbulojnë çmendurinë brenda tij./ KultPlus.com

Historia e maternitetit “Nënë Tereza”, si u kryen mbi 14 mijë lindje

Sejdullah Hoxha, i cili në atë kohë kishte qenë udhëheqës i maternitetit “Nënë Tereza”, ka përmendur punën e palodhshme të stafit mjekësor, i cili që nga hapja e maternitetit e deri në vitin 1999 kur edhe ajo është mbyllur kishte realizuar mbi 14 mijë lindje, shkruan gazeta “Zëri”.

Në vitet e ’90-ta, pas dëbimit të punëtorëve shqiptarë nga institucionet publike në vend e sidomos nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës, nënat në regjionin e Prishtinës kishin ngelur pa trajtim adekuat shëndetësor. Për këtë arsye një grup i mjekëve në kuadër të shoqatës humanitare “Nënë Tereza” kishin marrë vendimin që në vitin 1996 të hapnin një maternitet në Prishtinë.

Ky maternitet u hap në shtëpinë e Shaban Sfircës dhe funksionoi deri në qershor të vitit 1999. Sfirca ka treguar për “Zërin” se si kishte marrë iniciativën për të lëshuar shtëpinë e tij për maternitet, derisa është shprehur i lumtur që shtëpia e tij tashmë është shndërruar në muze.

“Iniciativa ka qenë e Anton Çettës në vitin 1994. Ai ka thënë që të bëhen dy dhoma për lindje në oborr. Unë ia kam plotësuar dëshirën atij. Në vitin 1996 është hapur materniteti dhe deri në tri ditë pas bombardimeve ka pasur lindje në këtë objekt. Më 26 qershor të vitit 1999 janë larguar mjekët nga materniteti. Kënaqësia ime shpirtërore ka qenë kur kam parë fytyra të gëzuara edhe në okupim”, ka thënë ai. Për punën që bëhej në maternitet në atë kohë kishte edhe rreziqe.

Sfirca ka treguar se policia serbe kohë pas kohe bënte kontrolle. “Unë i kam thënë policisë që e kam lëshuar me qira shtëpinë, sepse është dashur ashtu të sillem me ta. Më kanë mbajtur një orë ose dy orë dhe më kanë lëshuar, nuk më kanë rrahur”, ka rrëfyer ai.

Sonatë e pakryer një mëngjes me borë

Nga Bajram Mjeku

Po bie shumë borë Ana Livia
përtej xhamave gjithçka duket bosh
e gishtat tu mbi tastaturën e pianos
valsin e Shopenit sollën në Prishtinë.

Trokita gjatë në mur e ti nuk dëgjoje
midis meje e teje sundonte një hon
kur vrava heshtjen që rëndë më trazonte
me hijen tënde vallëzova në sallon.

Piano dhe borë… Ç’trazim i përzier…
me tingujt e sonatës së pakryer në mes
ikën vitet bashkë me kujtimet e trishta
një epokë funebre frymon midis nesh.

Gjithë ditën jam endur nëpër dhomë
dhe nuk dija ç’të bëj me vetveten
përtej murit të gërryente vetmia
siç më gërryente edhe mua njësoj.

Prapë piano më ndjell nga dhoma jote
prapë gishtat tu notojnë mbi tastaturë
sonata e pakryer u nis në udhën e saj
si jeta dhe vdekja që nuk ndalen kurrë.

Shumë borë po bie Ana Livia
më shumë se shi te Barbara e Preverit
vetëm gishtërinjtë tu të hollë
përtej murit që mizorisht na ndanë
më sollën dritë nga thellësia e ferrit. / KultPlus.com

Hoti reagon për 180 mijë eurot që u ndanë për filmin “Lojë jete”

Javën e kaluar, kabineti qeveritar ka marrë vendim për ndarjen e 180 mijë eurove për financimin e realizimit të filmit “Lojë jete”, me skenar e regji të Luan Kryeziut.  Avdullah Hoti nga LDK-ja, që ka qenë edhe ministër i Financave, ka reaguar për ndarjen e këtyre parave që i ka bërë Qeveria e Kosovës nga rezervat e shtetit për filmin e Luan Kryeziut.

Ai nuk i jep vetes të drejtën të vlerësojë rëndësinë e filmit, por thotë se ekziston Qendra Kinematografike e Kosovës për këtë çështje.

Postimi i plotë i Hotit:

Me 12 shkurt 2019, Qeveria e PAN-it ndan 180 mije euro nga rezervat shteterore per nje film. Nuk i jap vetes te drejte te vleresoj rendesine e ketij filmi. Mund te jete i rendesishem per te dokumentuar te kaluaren e hidhur te popullit te Kosoves.

Por, ekziston Qendra Kinematografike e Kosoves qe sipas ligjit “është institucion publik qëndror për kinematografi me qëllim realizimin e politikave kinematografike për interesin publik dhe çdo vit organizon thirrje për subvencionimin e projekteve filmike.”

Ne mbledhje te Qeverise duket nuk kane qene ne dijeni per kete vendim as zv.ministrja e Kultures qe ishte prezente.

Ligji per financat publike i percakton qarte rastet kur ndahen mjete nga rezervat.

Gjykojeni vete se cfare i thone kesaj menyre te shpenzimit te buxhetit.

Altin Basha rikthehet në TKK me një tregim nga qyteti i serenatave

Gili Hoxhaj

Një tekst klasik i dramaturgjisë shqiptare, i shkruar gjatë vitit 1936, në të cilën rrëfehet historia e një familjeje shqiptare të ndodhur në Korçë, do të shfaqet nesër premierë në Teatrin Kombëtar të Kosovës, shkruan KultPlus.

Komedia e shkruar nga satiristi Spiro Çomora, pritet të sjellë në skenë tregimin e ndodhur në qytetin e serenatave, ku dy prindër egoistë kanë synim ta martojnë me çdo kusht vajzën e tyre, duke e vënë atë në situata komike. Kjo dramë e rikthen përsëri Altin Bashën si regjisor në Teatrin Kombëtar të Kosovës, pas suksesit që pati me shfaqjen “I ligu për mend”, me tekst të Gjergj Fishtës.

Drejtori i TKK-së, Agim Sopi në një konferencë për media është shprehur i lumtur që ky sezon po starton me një nga  regjisorët më të mirë shqiptarë dhe rajonal. Ai theksoi se Basha me shfaqjen “I ligu për mend” ka thyer rekordet e publikut në TKK.

“Altini është i njohur për publikun tonë, ka sjell disa shfaqje jashtëzakonisht të suksesshme në TKK, menjëherë pas luftës ka realizuar shfaqjen “Pallati i ëndrrave” , e që për mendimin tim është një nga shfaqjet më të realizuara pas luftës dhe po ashtu shfaqjen “I ligu për mend” që ka thyer të gjitha rekordet e publikut, ne kemi realizuar 50 repriza me sallën e mbushur me publik dhe shfaqje të cilën e kemi ende në repertor”, u shpreh Sopi.

“Mjafton të themi se po vjen regjisori i shfaqjes “I ligu për mend” dhe kaq mjafton për publikun. Unë besoj që edhe kjo shfaqje do të jetë një sukses i ngjashëm, nëse nuk do të tejkalojë suksesin e saj”, u shpreh drejtori artistik Agon Myftari.

Regjisori i shfaqjes, Altin Basha tha se ndihet i kënaqur për ftesat që ka marrë nga Prishtina dhe që pas zbulimit të Fishtës, është i kënaqur që të sjell tekstin e Spiro Çomoras.

Tutje regjisori i shfaqjes Altin Basha tha se teksti trajton disa problematika të cilat rezonojnë edhe sot, siç janë pabarazia sociale, kapja e shtetit, korrupsioni, raportet e biznesit me politikën. Ai tha se kjo vjen si shfaqje me shumë ngjyra dhe spektakulare.

“Ka elemente që rezenojnë  edhe në botën e sotme, ndërsa nga pikëpamja e trajtimit estetik, ne kemi mbetur në vitet 30-të pasi që na tërheqë ajo pamje dhe ai sharm. Nga pikëpamja e trajtimit regjisoriale të formave skenale, të lojës së aktorëve, të lojës muzikore e skenografike, ne provojmë të bëjmë një teatër modern, një teatër të gjallë”, u shpreh Basha.

Kasta e aktorëve të kësaj shfaqje përbehet nga: Luan Jaha, Ilire Vinca, Edona Reshitaj, Ernest Malazogu, Ylber Bardhi, Besart Sllamniku, Adem Karaga, May-linda Kosumoviç, Arta Selimi, Ermal Sadiku, Muhamet Zeka dhe Qëndresa Kajtazi.

Sa i përket kastës së aktorëve, Basha tha se kasti i aktorëve do t’i jap një dimension tjetër artistik  tekstit dhe se gjeografia artistike e stafit prek tri teatrot shqipfolëse.

“Mendoj se kasti i aktorëve do t’i jap veprës një dimension tjetër, një dimension shumë më të fuqishëm artistik, i cili e çon përtej nivelin e komedisë”, theksoi Basha.

Aktori Luan Jaha i cili ka qenë pjesë edhe e shfaqjes “I ligu për mend”, tha se kjo shfaqje është një nga shfaqjet e rralla ku në tekstet kombëtare gërshetohen shumë mirë muzika, skenografia, kostumet dhe publiku.

“Unë ju garantoj që kjo shfaqje është më e mirë dhe shpresoj që të jetë më e shikueshme se “I ligu për mend”. Mirë se vini në teatër”, tha aktori Jaha në konferencën për media që i paraprin shfaqjes.

Ilire Vinca po bashkëpunon për herë të parë me regjisorin Altin Basha por thotë se gjithnjë e ka shijuar punën e tij prej anës së spektatorëve. Bashkëpunimin me Bashen, e cilëson si një dhuratë të bukur.

“Ndjehem shumë mirë që e theva akullin dhe po shpresoj si Luani që në çdo shfaqje të Altinit do të jem”, ka thënë Vinca.

Aktores Edona Reshitaj, ky projekt i ka dhënë një nga eksperiencat më të mira dhe  kjo për faktin se gjatë procesit të shfaqjes, thotë se ka dominuar energjia  pozitive.

“Ajo çka e bën më të veçantë gjithë procesin e kësaj punë është se ne mezi s’kemi pritur që të vijmë në prova. Puna me regjisorin ka qenë super e lehtë sepse ka qenë shumë i qartë në të gjitha indikacionet që na i ka dhënë dhe na ka dhënë përgjigje në çdo pikëpyetje që e kemi pasur”, tha Reshitaj.

Elementet e kësaj shfaqjeje do të sinkronizohen me muzikën të realizuar nga kompozitori, Trimor Dhomi, kurse skenografia  dhe kostumografia vijnë të punuara nga Ilirana Loxha Basha, e cila tha se ndihet si në shtëpi në këtë teatër.

Shfaqja “Karnavalet e Korçës” vjen nesër premierë në Teatrin Kombëtar të Kosovës, duke filluar nga ora 20:00./ KultPlus.com

Karl Lagerfeldin konsiderohet gjeni i modës

Disenjatori gjerman, Karl Lagerfeld, drejtor kreativ i shtëpisë Chanel dhe ikonë e modës tashmë gjysmë shekulli, është ndarë nga ne në moshën 85-vjeçare.

Ka gëzuar statusin e perëndisë ndër vdekatarët në botën e modës, në majën e së cilës ka qëndruar më shumë se 50 vjet. Ka qenë më i famshmi për lidhjen e tij me shtëpinë e modës Chanel në të cilën ka hyrë në vitin 1983.

Brendi rrezikonte të vjetrohej dhe të bëhej monoton para se ai të vinte dhe të shtonte perishane dhe prerje moderne të rrobave nga stofrat e buta, sipas të cilave shtëpia Chanel edhe sot e kësaj dite është e famshme në botë.

Rrobat e zeza sportive, flokë të thinjura të lidhura në bisht dhe syze të errëta dielli e bënin të famshëm dhe unik, transmeton rtk.

– Unë jam si karikaturë e vetvetes dhe kjo më pëlqen. Kjo është maskë, ndërkaq për mua karnavali në Venedik vlen gjatë gjithë vitit, pati deklaruar në një rast.

Instinkti i tij artistik, ndjenja për biznes dhe egoja mbresëlënëse i kanë sjellë sukses të madh në botën e modës ku është nderuar dhe ka futur frikën në konkurrencë, por edhe në modele.

Ka refuzuar të shikojë në të kaluarën, gjë që ka qenë pjesë e personalitetit të tij. Ai është shoqëruar me të rinjtë dhe ka shkuar në ahengje.

Ka pasur dëshirë të madhe të shkojë në piknik me të bijën Kaia Gerber, e cila është vetëm 17 vjeçe, por e cila bashkë me të ka lansuar koleksionin e 2018-s.

Macja e tij, Choupette, gjithashtu është e njohur dhe ka më shumë se njëqind mijë ndjekës në Instagram.

Ka vizatuar kreacionet e veta vetë madje me dorë gjë që sot është e rrallë. Ka pasur pasion të madh ndaj leximit dhe çdo ditë ka lexuar shtypin botëror.

Ka qenë i njohur për qëndrimin e ashpër ndaj modeleve dhe i padurueshëm ndaj të gjithëve të cilët nuk kanë qenë në trend. Shpesh është kritikuar për shkak të gjuhës së tij të ashpër. Ka pushuar nga puna miken më të mirë e cila i ka qenë model, për shkak se është fotografuar pa lejen e tij.

– Unë jam njëfarë lloj nimfomaniaku i modës, ka thënë për veten në vitin 1984.

Është i njohur që ka pirë nga 10 kënaçe Cola dietale në ditë, mirëpo në vitet 2000 ka humbur shumë peshë trupore, sepse ka dashur të bartë pantallona nr. 28.

Ka dashur posaçërisht të vesh pantallona të shtëpisë së modës Christian Dior.

Kur nuk ka punuar asgjë, gjë që rrallë edhe ka ndodhur, Karl është tërhequr në njërën ndër shtëpitë e shumta në Paris, Gjermani, Itali apo Milano, që të gjitha kanë qenë të rregulluar me të njëjtin stil të shekullit të 18-të. / KultPlus.com

Sonte Brit Awards vë përballë Dua Lipën dhe Rita Orën

Brit Awards ka vënë përballë Dua Lipën dhe Rita Orën. Dy këngëtaret me origjinë shqiptare konkurrojnë me njëra-tjetrën në të njëjtën kategori “British Video”.

Dua mbizotëron me 4 nominime ndërsa Rita Ora me 2 nominime.

Ora është nominuar me këngën “For You” në bashkëpunim me Liam Payne dhe me ‘Let Me Love You’.

Ndërsa Lipa me këngët ‘One Kiss’ në bashkëpunim me Calvin Harris dhe ‘IDGAF’.

Ceremonia e ‘Brit Award 2019’ do të mbahet më 20 shkurt në O2 Arena të Londrës.

Lista e plotë e të nominuarve:

British album of the year

  • The 1975 – A Brief Inquiry Into Online Relationships
  • Anne-Marie – Speak Your Mind
  • Florence + The Machine – High As Hope
  • George Ezra – Staying At Tamara’s
  • Jorja Smith – Lost & Found

British female solo artist

  • Anne-Marie
  • Florence + The Machine
  • Jess Glynne
  • Jorja Smith
  • Lily Allen

British male solo artist

  • Aphex Twin
  • Craig David
  • George Ezra
  • Giggs
  • Sam Smith

British group

  • The 1975
  • Arctic Monkeys
  • Gorillaz
  • Little Mix
  • Years & Years

British breakthrough act

  • Ella Mai
  • Idles
  • Jorja Smith
  • Mabel
  • Tom Walker

Critics’ choice

  • Sam Fender
  • Lewis Capaldi
  • Mahalia

British single

  • Anne-Marie – 2002
  • Calvin Harris and Dua Lipa – One Kiss
  • Clean Bandit ft Demi Lovato – Solo
  • Dua Lipa – IDGAF
  • George Ezra – Shotgun
  • Jess Glynne – I’ll Be There
  • RAMZ – Barking
  • Rudimental – These Days
  • Siagla and Paloma Faith – Lullaby
  • Tom Walker – Leave A Light On

British video

  • Anne-Marie – 2002
  • Calvin Harris and Dua Lipa – One Kiss
  • Clean Bandit ft Demi Lovato – Solo
  • Dua Lipa – IDGAF
  • Jax Jones ft Ina Wroldsen – Breathe
  • Jonas Blue ft Jack & Jack – Rise
  • Liam Payne and Rita Ora – For You
  • Little Mix ft Nicki Minaj – Woman Like Me
  • Rita Ora – Let Me Love You
  • Rudimental – These Days

International male solo artist

  • Drake
  • Eminem
  • Kamasi Washington
  • Shawn Mendes
  • Travis Scott

International female solo artist

  • Ariana Grande
  • Camila Cabello
  • Cardi B
  • Christine & The Queens
  • Janelle Monae

International group

  • Brockhampton
  • The Carters
  • First Aid Kit
  • Nile Rodgers & Chic
  • Twenty One Pilots

Brits Global Success Award

  • TBC

British producer of the year

  • TBC  /a.a/j.p/ KultPlus.com

Shpallen projektet fituese në art kulturë dhe trashëgimi për vitin 2019

Ministria e Kulturës, më  4 dhjetor 2018 shpalli thirrjen për projekt-propozime për vitin 2019 në Art & Kulturë dhe Trashëgimi Kulturore, e cila u mbyll në datë 15 janar 2019.

Kolegjiumi i Ministrisë së Kulturës mori në shqyrtim rreth 300 projekt-propozime në art, kulturë dhe trashëgimi kulturore, nga të cilat përzgjodhi 151 projekte fituese.

Edhe në këtë thirrje, ashtu si në vitin e kaluar, interesi për aplikime ka ardhur në rritje me propozime, ide dhe projekte të reja të subjekteve, organizatave, apo shoqatave kulturore.

Kolegjiumi i përbërë me ekspertë të vlerësimit dhe zhvillimit të politikave dhe strategjisë kulturore, vlerësoi si fituese projekt-propozimet që përputhen me kriteret  e shpallura në udhëzuesin i cili shoqëroi thirrjen për projekt-propozime, dhe që shprehin: ide novatore,  garantojnë cilësi dhe profesionalizëm në realizim, qëndrueshmëri dhe vazhdimësi, mundësi për rritjen profesionale të artistit, sjellin zhvillim dhe gjallërim të skenës artistike e kulturore në Shqipëri, si dhe që dëshmojnë respektimin e të drejtës së autorit.

Veçojmë ndër përparësitë edukimin përmes artit dhe kulturës, nxitjen e krijimtarisë artistike dhe përkrahjen e të rinjve për shprehjen e potencialit të tyre krijues e rritjen e mundësive për punësim, shtimin e audiencave, shtrirjen gjeografike dhe kohore, si dhe aftësinë për të thithur fonde nga burime të tjera.

Projektet e përzgjedhura, të cilat mbështeten në mënyrë të pjesshme nga Ministria e Kulturës, garantojnë rezultate të qëndrueshme dhe afatgjata në rritjen e të punësuarve në sektorin e kulturës, në promovimin dhe integrimin e burimeve dhe potencialeve kulturore që kanë fokus dhe përmbajtje:

  • Projekte të edukimit përmes artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore;
  • Projekte në funksion të turizmit kulturor;
  • Projekte që nxisin pjesëmarrjen dhe angazhimin e artistëve të lirë të skenës;
  • Projekte të industrive kreative;

Subjektet, projektet e të cilëve janë përzgjedhur për mbështetje financiare nga Ministria e Kulturës, do të kontaktohen brenda 15 ditëve për të vazhduar me hapat e mëtejshëm.

Lista e plotë e projekteve me fokus art, kulturë dhe trashëgimi kulturore, si më poshtë vijon: /a.a/ /a.g/

https://kultura.gov.al/wp-content/uploads/2019/02/Lista-e-plot%C3%AB-e-projekteve-me-fokus-art-kultur%C3%AB-dhe-trash%C3%ABgimi-kulturore-1.pdf

“Mesjeta ime” e Ag Apollonit, dhe Mesjeta jonë


Shkruan: Besnik Jaha

Concutiunt

Është hera e parë që po shkruaj për Ag Apollonin. Apo, thënë ndryshe, për ndonjë libër të tij. Dhe, kur e mendoj këtë, vërtet çuditem me veten pse deri më sot nuk kam shkruar asgjë për të dhe krijimtarinë e tij. Nuk dua të ndalem në kërkimin e arsyeve dhe arsyetimin apo mosarsyetimin e tyre. Këtë herë vendosa të shkruaj, sepse nuk munda të mos shkruaj. Sepse ai dhe shkrimi i tij më provokuan seriozisht, sa provokimi m’u shndërruar në shqetësim e preokupim, për ta shijuar përsëri artin e tij. Këtë herë po shkruaj edhe për disa arsye të tjera, mirëpo jo që libri i tij i fundit, “Mesjeta ime”, nëse do të shkruash për librin të detyron të shkruash edhe për autorin. Nuk po shkruaj as se ky libër ia ka lehtësuar shkrimin për veprat e autorit edhe kritikës së nemitur shqiptare, që deri më sot veprat e këtij autori i ka parë tamam me frikë, sepse është mësuar të fshihet pas maskës. Këtë herë po shkruaj sepse kritika jonë veprat e këtij autori më shumë i ka parë si shartim mes autorësh, apo a la filan e a la fistek. Ka pasur raste që veprat e këtij autori janë vlerësuar edhe se të shëmtuarën synojnë ta ngrenë në kategori estetike, apo se si shumicë kanë kaluar në citatomani, duke cituar nga librat, këngët, apo filmat. Ka pasur raste që kanë thënë se veprat e këtij autori ndërtohen mbi idenë e refuzimit të tradicionales dhe rebelimit ndaj saj, apo, siç kanë trumbetuar gardianët e moralit, pra se janë amorale dhe thyejnë të gjitha tabutë, apo edhe, siç trumbetojnë gardianët e fesë, se sakralen dhe profanen i shkrin në një, duke e demistifikuar njërën dhe duke e shenjtëruar tjetrën (këtë kritika jonë e ka parë si blasfemi). Krejt këto vlerësime mendoj se kanë qenë të pamenduar mirë, dhe si të këtilla joprofesionale. Këtë herë po shkruaj edhe se libri i tij i fundit, “Mesjeta ime”, na e kujton Mesjetën tonë, për të cilën askush nuk ngre zërin të thotë diçka shpresëdhënëse. Po shkruaj edhe se vepra e këtij shkrimtari na thërret në esencë, e jo në aparencë. Këtë herë po shkruaj edhe se, kur herën e fundit mendova të shkruaj për të, më saktë për novelën “Zazen”, dhe ta interpretoja si metaforë të dhembjes, nuk munda të shkruaj për shkak se qeshë shumë sentimental, dhe vepra e Ag Apollonit nuk ma pranonte sentimentalizmin. Po shkruaj sepse vepra letrare e Ag Apollonit nuk duron mbylljen, vetëkënaqësinë, rënien, pajtimin vetëm me atë që të dhurohet. Sepse si e tillë nuk pranon ndryshimin e esencës, njerëzores. Prandaj edhe dhuron dhembje në rast të asgjësimit të saj. Siç nuk dhurohet në asnjë mënyrë tjetër. Siç nuk shprehet në asnjë formë tjetër. Përveç në letërsi.

Congnitio

Arti është ajo që del nga shpirti. Metin Izeti do të thoshte: arti është ikonë e shpirtit. Shpirti ynë e njeh artin e vërtetë. Dhe kur ta njohë, nuk mund të mos e pëlqejë. “Secili duhet ta dijë se kushti i parë i artit është liria e artistit. Arti është vepër e shpirtrave të lirë…”, vazhdon e thotë Metin Izeti. Shpirti identifikohet me artin. Sepse vetëm arti mundohet të na njohë me veten tonë. Që ta njohim më mirë vetveten.

Letërsia e poetit, dramaturgut, shkrimtarit, kritikut, eseistit dhe përkthyesit Ag Apolloni, është letërsi e krijuar mbi konceptin e lirisë. Ajo nuk e duron kufizimin në forma letrare, mbylljen në tema tradicionale, apo kontrollimin dhe servilizmin në reaksione (kritika e reagime) mediale. Është letërsi e lirë. Dhe jep porosinë se liria është esenca e njeriut të burgosur në këtë botë. Të burgosur në trup. Që për sa të rrojë, synon çlirimin nga idealizmat  dhe metanarracionet që e kanë ngulfatur shoqërinë botërore, në përgjithësi, dhe shqiptare, në veçanti.  

Kjo letërsi, për nga poetika postmoderne, ndërsa për nga përmbajtja dhe ideo-tematika e larmishme, na e heq maskën të gjithëve, maskën pa vrima te sytë, që realitetin e hidhur, Mesjetën tonë, ta shohim dhe ta njohim, dhe të edukohemi që ta ndërrojmë, dhe jo t’i nënshtrohemi e ta pranojmë, duke asgjësuar vetveten. Sepse përreth nesh më shumë se kurrë mungon realiteti. Mungon sinqeriteti, kultura dhe vlera. Kjo letërsi është letërsi që demitizon, dhe gjithçka e kthen në rrafshin njerëzor. “Letërsia mund t’i ndihmojë njerëzit për t’u bërë njerëz”, thotë Tzvetan Todorov. Dhe është pikërisht ky kodi që ndjek letërsia e Ag Apollonit.

Subjektet e veprave të Ag Apollonit janë realë. Ata nuk besojnë në idealizma, sepse jetojnë në një kohë dhe në një vend që në emër të ideales përdhoset çdo ideal. Prandaj, autori rrënon këto idealzima e metanarrativa. Fillimisht duke i bërë subjektet që të dyshojnë në këto projektet, e pastaj duke i mohuar komplet.  

Prandaj, si të këtillë, që mbillte dyshime dhe synonte rrënimin e idealizmave, kritika  shqiptare letërsinë postmoderne (dhe sidomos teorinë), nuk denjoi ta njohë deri vonë. Kështu që, duke mos e njohur si teori, gjithashtu nuk denjoi as të shkruajë për këtë letërsi. Si rezultat, njësoj edhe për letërsinë e këtij autor.

E, sa i përket nivelet intertekstuale, kjo po që tund(o)i gjithë letërsinë shqipe, deri tash të vetëkënaqur me nivelet tradicionale të letërsisë prozaike-narrative. 

Letërsia e Ag Apollonit është letërsi katarsike. Në letërsinë shqipe nuk janë të shumta veprat që të bëjnë të frikësohesh a të mendosh gjatë dhe t’i thuash vetes: pse nuk të ka shkuar mendja më parë për këto gjëra; është e vërtetë kjo, apo trik?; s’i mund të mos kem dëgjuar kurrë për këtë; sa larg qenkemi etj. Janë të rralla veprat që të bëjnë të mendosh gjatë. Veprat të cilat sytë kanë mall t’i lexojnë.

Cultus

Kur e lexova dhe rilexova veprën e fundit të Ag Apollonit, “Mesjeta ime”, disa herë m’u kujtua Friedrich Schiller dhe vepra e tij “Mbi edukimin estetik të njeriut”. Jo se në “Mesjeta ime” ishte cituar ndokund, mirëpo se plotësonte si asnjëherë pamjen dhe nevojën e edukimit estetik të njeriut (dhe specifikisht shqiptarit) me anë të rrëfimit. “Për ta bërë artin shpirti duhet ta braktisë realitetin, dhe me guxim të njerëzishëm të ngrihet mbi nevojën dhe nevojshmërinë;sepse arti është bijë e lirisë, dhe nuk duron ta marrë urdhrin nga nevoja e materies, por nga domosdoshmëria e shpirtrave, thotë Schiller, ndërsa vepra e Ag Apollonit e ndjek këtë braktisje si në strukturë, ashtu edhe në përmbajtje, duke dalë jashtë çdo kufizimi, me idenë e vetme të plotësimit të domosdoshmërisë së shpirtit.

“Mesjeta ime”, që del si causa sui (për shkak të vetvetes), me një strukturë të menduar narrative, njësoj sikurse edhe veprat e tjera prozaike (për shembull: “Zomb”, “Ulurima e ujkut”, “Zazen”), na flet për dhjetë realitete. Dyhotomia semantike që shtrin Ag Apolloni në këtë vepër eseistike na i rikontekstualizon dhjetë koncepte mesjetare, për t’i reflektuar befasisht, siç nuk i pret lexuesi, në kohën tonë. Titulli “Mesjeta ime”, porsa shihet, secilin e çon në shekullin e 11-të. Mirëpo, sa të fillojë leximi, e shohim se fjala është për një tjetër mesjetë. Edhe pse në kapitujt e mëvonshëm asocimi që na lajthit në fillim (pra se fjala është për tjetër mesjetë) edhe na del më në shesh dhe mund të lidhet krejt qartë, sidomos te kapitulli “Templarius”, në plan të përgjithshëm Apolloni luan me këtë parabolë, dhe kështu arrin që në kohën tonë jo vetëm të tregojë historinë, mirëpo edhe ta gjejë të gjallë atë. Mu në mes nesh: si te individi, ashtu edhe te grupi; si te pushteti, ashtu edhe te shoqëria.

Vepra ka dymbëdhjetë kapituj, si për të na i rikujtuar dymbëdhjetë muajt e vitit kalendarik. Apo, dymbëdhjetë muajt sa zgjati shkrimi i librit, siç na jep shenjë vetë autori në fund të librit. Fundja, është prirje e këtij autori që jo vetëm titujt e veprave t’i krijojë mbi bazë ambiguiteti, mirëpo edhe kuptimet e interpretimeve të strukturës dhe përmbajtjes. Mund të jetë që dymbëdhjetë kapitujt të shënjojnë dymbëdhjetë muajt e çdo viti, apo të shënjojnë vetëm dymbëdhjetë muajt e vitit sa zgjati shkrimi i librit, apo edhe të dyja bashkë. Ag Apolloni, siç mëton letërsinë, ashtu edhe e krijon. Letërsia e tij të nxjerr në dyshim çdo gjë. Aty asgjë nuk është e sigurt. Pasiguria njerëzore vërehet në çdo veprim. Vetëm dogmatikët, ata që mendojnë dhe veprojnë verbërisht, vetëm siç thotë dogma e caktuar, apo, siç thotë Ag Apolloni, që lexojnë vetëm një libër, e ndiejnë veten të sigurt. Rruga që sugjeron vepra letrare e Ag Apollonit ka tri korsi: dyshimi; angazhimi; gjetja (të kuptuarit).

Kur hap librin “Mesjeta ime”, dhe sheh nëntitullin “Confessiones”, të shkon mendja te cura te ipsum (shërimi i vetvetes), apo te rrëfimet që të krishterët bëjnë në kishë, për t’i shlyer mëkatet. Dhe domosdo se mendon se edhe në këtë rast fjala ka po atë kuptim. Mirëpo shpjegimi i autorit se nuk është për qëllim rrëfimi katolicist, duke thënë “unë nuk rrëfej mëkatet, por ankthet”, apo edhe duke interpretuar kuptimin e termit me shembuj nga veprat e Shën Augustinit dhe Lev Tolstojit, sikur nuk lë hapësirë për interpretime të tjera. Fundja, nga teksti ne marrim disa shenja se autori e njeh mëkatin, dhe vetë rrëfimi i tij para botës (lexuesit-njeriut, që për të është më i rëndësishëm sesa para priftit apo ikonave), qoftë si pastrim i shpirtit, apo edhe si shprehje e gjendjes. “Edhe unë pendohem për vrasjet. Jo pse i kam bërë, por pse s’i kam bërë. E di se këtë Zoti do të ma shkruajë për mëkat, por edhe pse instinkti ma kërkonte, kultura ma ndalonte”, thotë Apolloni, sikur për të na treguar se është kultura ajo që pastron çdo mëkat, dhe e cila njeh çdo rrëfim.

Content

Pjesa e parë “Ulalume”, që porsa ta lexosh ta kujton poetin amerikan Edgar Allan Poe, shërben si hyrje. Është një paratekst që tregon se personi real, në rastin tonë Ag Apolloni, do të jetë subjekt i diskutimit në vazhdim. E veçantë është profecia që tenton ta shpjegojë dhe arsyetojë me shembuj nga historia njerëzore, se tani është në mes të jetës së tij, në moshën 35 vjeçare, dhe se do t’i arrijë 70. Megjithatë, edhe vetë autori e thotë se ky libër flet për pjesën e parë, ndërsa pjesa e dytë mbetet vetëm shprehje e dëshirës. Ndërkaq, këtë pjesë e përfundon me një maksimë të njohur, “Gnothi seauton” (“Njih vetveten!”), të Sokratit, që na vjen edhe si shprehje e njohjes së vetvetes, mirëpo edhe si porosi e tij për lexuesin.

Kapitulli i dytë, “Obscura”, nis me një klishe. Dhe historia në vazhdim, qoftë si rrëfim, apo vetërrëfim, na e rikujton se kë jemi duke e lexuar. Rrëfimi karakteristik me plot satirë e ironi, siç na tregon edhe titulli, na e jep gjenealogjinë e autorit, të veçantë si vetë autori dhe rrëfimi i treguar prej tij.

Kapitulli i tretë “Vulgus”, shumicën e lexuesve mund t’i nxjerr në lajthitje. “Po ky qenka ditari i këtij”, do të mund të thonë. Në njëfarë mase edhe është ditar, vetëm se jo klasik. Është ditar i karakterit të subjektit, dhe jo ndodhive. Është reflektim i po të njëjtës filozofi letrare: që flet për gjendjen, dhe jo veprat. Këtu lexuesi do të njihet me dy anët që bënë subjektin jomitik, respektivisht me lisin e gjakut dhe me lisin e tamblit. Dhe, për mua, është hera e parë që lexoj një autor kosovar duke trajtuar kaq me takt dhe kaq gjatë gjenealogjinë e tij. Sidomos kur kemi parasysh mungesën e traditës së ruajtjes së dokumenteve dhe të dhënave arkivore. Një prezantim i vendit të fisit të subjektit, Stagovës, na jep një ide se, pavarësisht që subjekti dëshiron të identifikohet jo vetëm me fisin e gjakut, por edhe me atë të tamblit, dhe pavarësisht se të dy anët ishin vulgus, në formimin e tij letrar mund të ketë ndikuar një traditë e Stagovës. Megjithatë, në veprën letrare të Apollonit vërehen dy ndikimet, të shkrira organikisht si një model: këtej filozofia, andej parodia; këtej irona, andej sarkazmi; këtej serioziteti, andej banaliteti. Këtë na e thotë edhe vetë autori: “I lindur mes këtyre dy fshatrave, unë mund të kem marrë diçka nga të dy anët: nga të çarturit dhe nga çërkuzat; nga heshtakët dhe nga llafazanët; nga punëtorët dhe nga dembelët; nga tragjikët dhe nga komikët, me shpresë se s’do të jem shartim tragjikomik.” 

Kapitulli i katërt, “Doktrina”, është kapitulli që përshkruan më mirë se secili motivin që prodhimtarisë letrare të subjektit. Duke treguar ngjitjen nëpër shkallët e jetës, me shumë rënie e lëndime, në realitetin e hidhur kosovar, dhe mungesën e një tradite të vlerësimit real në universitet, shkollë, shoqëri e familje, autori na e paraqet atë që René Guénon e paraqet si zërin e kohës sonë në “Kriza e botës moderne”, ndërsa vetë subjekti si traktat të jetës së tij, me titull “Doktrina e dëshpërimit”. Në paragrafin e parafundit të këtij kapitulli natyrshëm vjen përgjigjja për çdo pyetje që mund të lindë. Këtu dhe kështu, sikur asgjë nuk është se do të na bëjë përshtypje. Çarçafi i dëshpërimit ka mbuluar çdo cep të botës sonë.

Është një autor në letërsinë shqipe që lidhet shumë me udhëtimin. Dritëro Agolli. Kur lexova titullin e kapitullit të pestë, “Pelegrin”, ma kujtoi Agollin. Më saktë poezinë e tij “Pelegrini”, dhe jo më pak edhe poezinë “Gri”. Subjekti ndien dëshpërim për shkak se nuk kuptohet. Poezia e Agollit shtrihej në arsyen e dëshpërimit të subjektit. Shpresa e thyer në këtë vend, ndarjet prej njerëzve të dashur, dhembja dhe trishtimi, si dhe shumë faktorë të tjerë vërtet se gjenden edhe në veprën e Ag Apollonit. “Pelegrini është person i pakuptuar në vend të vet, prandaj është i huaj në dy vende: nga vjen dhe ku shkon.”, thotë Ag Apolloni.

Mirëpo, për dallim prej Agollit, Apolloni pelegrinazh e konsideron çdo udhëtim me qëllim gnostik dhe iluminues. Apolloni kurrë nuk udhëton të bëjë garë. Sepse edhe jetën në udhëtim e sheh si një lloj pelegrinazhi, ndërsa veten si pelegrin. “Garat janë për kuaj, jo për artistët”, citon Béla Bartók.

Alegoria është ajo që më së shumti lidhet me Mesjetën. Dhe, të shkruash një libër me tituj që shënjojnë koncepte mesjetare pa alegorinë, kjo assesi nuk mund t’i ndodhë Ag Apollonit. Duke shpjeguar alegorinë e Dante Aligerit, te Komedia hyjnore, dhe duke interpretuar jo gjatë një ëndërr dhe duke analizuar në detaje një vjershë të gjyshes, Ag Apolloni sikur na flet mjaftueshëm për figurën. Herë-herë ne mendojmë të shprehemi me fjalë, ndërsa paraqitja na shpreh më shumë sesa fjalët, ose e kundërta. Herë-herë i kushtojmë shumë rëndësi diçkaje, ndërsa ajo nuk meritoj aspak, dhe e kundërta. Herë-herë, i harrojmë ata që largohen, dhe argëtohemi me ata që i kemi, dhe që na befasojnë me shpërfaqjen e tyre të vërtetë (pikërisht se te vjersha e gjyshes).

Dhe, pikërisht pas “Allegoria” vjen “Persona” (lat. maskë). A nuk është figura një maskë?! Dhe a nuk është jeta një teatër, dhe ne aktorët?! Ndërrimi i kuptimeve këtu na vjen sikur ndërrim i misionit. Fjala persona (maskë); fjala hipokrit (aktor) etj., japin fillimin e heqjes së maskës së çdo njeriu. “Doktrina e dëshpërimit” e Ag Apollonit na vjen edhe në një varg të këtij kapitulli: “Sot persona (domethënë maska) gjeni kudo e kurdo…” Dhe, si shembull të heqjes së maskës dhe përdorimit të saj, Ag Apolloni po në këtë kapitull flet për maskat që përdori gjatë krijimit të veprave të tij, dhe për ato që është duke i përdorur në vazhdim. Fundja, nuk mund të mos pajtohemi me konceptin e tij se: “Maska e artistit ua heq maskën të tjerëve.”

Po, shtrohet pyetja, a nuk mund të krijojë pa maskë?

“Unë përdor persona për ta gjetur të shenjtën, hyjnoren, që e kemi brenda baltës sonë.”, përgjigjet Ag Apolloni.

Njësoj sikurse “Persona”, edhe te “Schizma” autori na flet për botëkuptimin e tij mbi artin dhe letërsinë, mirëpo këtu më shumë ndalet në skizmat (ndarjet) reale dhe profesionale.

Skizma e parë: Kjo është skizma biblike. 35 vjet të jetuara plus 35 që do të jetohen, përbëjnë një ndarje. Nëse 35 e ndajmë përgjysmë, kemi 17.5, e që shënon kohë kur autori u nda nga vendlindja për të ardhur në kryeqytet. Kjo ndarje edhe shënohet me karakteristikat e veta, si: në vendlindje Michael Jackson, në kryeqytet Eric Clapton.

Skizma e dytë: Kjo është skizma preokupuese. Ndarja e autorit prej babait, që për shkak të kushteve ekonomike detyrohet të marrë udhën e kurbetit, pastaj ndarja nga shokët për t’iu bërë krah familjes, duke u marrë me punë, shënojnë një skizmë të jetës së autorit nga pjesa kur ai merret me shkrime e lexime. Derisa e para karakterizohet me një fije turpi, e dyta domosdo se është e mbushur me krenari. Janë edhe dy ndarje të mëdha në këtë skizmë: vdekja e gjyshit (1997), dhe e babait (2007), apo një ndarje në çdo 10 vjet.

Skizma e tretë: Kjo është skizma profesionale. Ag Apolloni si shkrimtar, dhe Ag Apolloni si profesor. Që të dy ndarjet i karakterizon leximi, dhe jo siç mendon shumëkush këndejpari, se si shkrimtar nuk ka nevojë të lexojë, që të mos ndikohet, apo si mësimdhënës nuk ka nevojë të lexojë, sepse ka lexuar mjaftueshëm.

Skizma e katërt: Kjo është skizma filozofike. Ag Apolloni i dikurshëm tentonte të mbijetonte. Ag Apolloni i tanishëm jep shpresë. Akumulimi i dijes së marrë nga leximet e shumta tani reflekton në edukimin e vetvetes dhe shoqërisë, pas skizmës në para dhe pas lufte, se dikur që luftonim me armikun, tani duhet luftuar me veten.

Kapitulli i tetë, “Templariues”, nga vetë emri t’i rikujton kryqëzatat, Mesjetën. Terrori i kryqëzatave u kthye edhe në shekullin tonë. Është terrorizmi ai që shekullin 21 e ka kthyer në Mesjetë. Dhe, duke treguar shqetësimin e gjyshesh dhe të Amerikës me kthimin e një terroristi në Kaçanik, në realitet tregohet shqetësimi i të gjithëve. Ndërkaq i autorit më së shumti. Dhe jo për shkakun se një terrorist mund të ndërmerrte një sulm, mirëpo për shkakun pse ai ishte bërë ashtu.

Ky kapitull ma kujtoi edhe filozofin francez, Jean Jacques Rousseau, që, ndër të tjera thotë se tëgjitha gjërat që bëri Krijuesi janë të mira, mirëpo çdo gjë degjeneroi nga dora e njeriut. Vërtet është e dhembshme kur gjendjen në të cilën ka rënë njeriu. Duke cituar një filozof të Mesjetës, Toma Akuinin, Ag Apolloni edhe jep diagnozën: “Ruaju nga njeriu që e ka lexuar vetëm një libër!”. Mungesa e leximit shumë të rinj të shoqërisë sonë i kishte bërë të ndikohen e të marrin edhe rrugën që kohën tonë ta kthejë në shekullin 11. Duke parë këtë gjendje, Ag Apolloni sikur na thërret: Leximi është ilaçi i shoqërisë sonë.

“Inquisito” është kapitulli që tregon sëmundjen tjetër më të madhe të kohës sonë: virtualitetin. Qasja e Ag Apollonit ndaj medies në përgjithësi na edukon, dhe po ashtu na thotë që të jemi të vlefshëm, dhe jo të famshëm, të jemi të vitrinës, dhe jo të televizionit, sidomos në kohën tonë, kur për hiçgjë, i hurit e i konopit, ia mësyjnë televizionit vetëm për t’u parë. Sot edhe muzika po vlerësohet vetëm nga shikimi. Si përfundim i kësaj, na vjen edhe diagnoza: “Sëmundja e kohës sonë është fama.”

Dhe, nëse është duke ndodhur ajo që Agu e përmend se Eco e tha në vitin 2005, atëherë ne vërtet se po e harrojmë edhe vetveten. Njihe vetveten tashmë është ndërruar me reklamo vetveten, dhe harroje kush je! “Virtualiteti është vendi ku me bollëk shfaqet varfëria jonë intelektuale, morale, dhe shpirtërore”, thotë Ag Apolloni. Ftesa për t’u kthyer në realitet dhe për ta jetuar atë, është thirrja që buron nga thellësia e dëshpërimit të autorit duke parë shpërdorimin e kohës, asaj që nuk blihet dot, nga e gjithë shoqëria. Edhe më e dhembshme është “ekzekutimi”, inkuizicioni virtual që i bëhet dikujt e shumëkujt nëpër rrjetet sociale. “Turrat e druve tashmë janë zëvendësuar nga analizat dhe komentet e të patruve”, thotë autori, duke djegur në një mënyrë tjetër secilin heretik. Sot njeriu e ka braktisur njeriun. Sot njeriu është vetëm. Edhe nëse nuk është, ai ndihet vetëm. “Solidarizimi virtual tregon se sa të vetmuar jemi.”, thotë Ag Apolloni. Sot të pavlerët ua kanë zënë vendin dhe vlerën atyre që kanë vlerë. Plehrat e realitetit janë kthyer në vlera të virtualitetit. Sepse në realitet nuk kanë asnjë vlerë. Ndërsa në virtualitet paraqiten si ai, ajo, unë, ti… Dhe jetojnë krejt vetëm. Të asocializuar.

Po këtu kemi edhe një vlerësim për kritikën letrare shqipe, e cila më shpesh vlerëson autorët brenda qarkut, pra mbi baza klienteliste, sesa mbi baza profesionale.

“Memento” është kapitulli që shënon fundin e librit, megjithëse në realitet libri mbyllet edhe me një ese tjetër. Siç është karakteristike letërsia e Ag Apollonit, njësoj kërkon edhe lexuesin. Kur e pashë titullin e këtij kapitulli, m’u kujtua filmi me të njëjtin titull, i regjisorit Christopher Nolan, dhe ankthin që më dha derisa e paramendoja veten ashtu. Edhe më shumë m’u plotësua (ri)kujtimi kur dola në faqet e dytë të këtij kapitulli, dhe e pashë se edhe autori e kishte cituar po këtë film. Koha është ajo çfarë jemi. Ndërsa fundi na tregon se kush ishim.

Është koha ajo që të vë në ankth edhe te filmi “Memento”.

Duke përmendur kujtimet nga tri vdekje, atë të gjyshit, atë të babait, dhe atë të gjyshes, dhe për koincidencë për çdo dhjetë vjet, autori sjell kujtimet më të veçanta nga jeta e tij. Secili është më i veçantë se tjetri. Mirëpo, prapë është koha ajo që i bën të mbahen mend, të jenë siç janë. Ndërsa, koha si realitet që na i pakëson ditët e grumbulluara, te Ag Apolloni vlerësohet si përjetim, gjatë të cilit, siç thotë, “duhet të angazhohemi për t’i mbuluar shpenzimit për qëndrimin tonë si mysafirë në këtë botë.”

“Via” është kapitulli që mbyll librin “Mesjeta ime”. Mirëpo nuk mbyllet porosi që lë: se duhet të ecim përpara, për sa të jetojmë, që kur të na vijë vdekja vetëm se të jemi a më të përsosur.      

Compendium

Është e vërtetë se vepra letrare e Ag Apollonit e shkrin në një sakralen dhe profanen, apo ua ndërron esencën, pra herë-herë duke e demistifikuar njërën dhe duke e shenjtëruar tjetrën, e herë-herë edhe duke i lënë siç janë, mirëpo duke i braktisur apo duke i parë si një, mirëpo te veprat e këtij autori kjo vjen si ironizim apo parodizim, si me qasjen e njeriut ndajt tyre, ashtu edhe me ndërrimin e esencën së secilës (çdo gjëje) në kohën tonë. Ag Apolloni, siç e krijon letërsinë, ashtu e do edhe shoqërinë: të lirë. “Një shoqëri që e njeh veten dhe jeton pa maska.”

            “Mesjeta ime”, e Ag Apollonit na porosit që të jemi vetvetja. Ta njohim vetveten, esencën tonë, dhe ta ruajmë esencën e jetës: lirinë. Të jetojmë në realitet, dhe jo në virtualitet. Sepse realiteti jetohet, ndërsa virtualiteti është vetëm një simulim që na dehumanizon. E, ne jemi njerëz, dhe duhet ta ruajmë njerëzoren. Në këtë vepër gjejmë artin e përsosur që del nga dhembja e tmerrshme. Gjithçka lidhet me edukimin: ta dimë kush jemi (ta njohim vetveten), ta njohim realitetin, t’i qasemi dijes, të lexojmë më shumë se një libër, të jemi vetvetja (pa maska), ta njohim dhe ta çmojmë kulturën reale… Dhe, është një porosi thelbësore që del nga të 12 nivelet e këtij libri, e të cilën porosi autori na e jep si rikujtim të modelit të edukimit, e që e ka dhënë edhe si profesor para studentëve të tij: të merremi me esenca, pa çarë kokën për aparenca.

Persekutimi komunist në Shqipëri i dokumentuar në muze

Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri u vendos regjimi komunist, që shkaktoi pasoja të rënda në jetën e qytetarëve të vendit. Gjatë periudhës rreth gjysmë shekullore regjimi i drejtuar nga diktatori Enver Hoxha ekzekutoi, internoi dhe burgosi për arsye politike dhjetëra mijëra shqiptarë në burgjet dhe kampet e internimit në mbarë vendin.

Sot shënohet 28 vjetori i rrëzimit të shtatores së diktatorit Hoxha, që shënoi simbolikisht edhe rënien e diktaturës në Shqipëri.

Burgjet dhe kampet e internimit

Persekutimi komunist në Shqipëri ishte më i përhapur në vendet e vuajtjes së dënimit, në burgje dhe në kampet e internimit, ku të ndëshkuarit vuajtën nga torturat më të rënda, si shkaktimi i urisë deri në vdekje, rrahje me dru dhe kamxhik për shkaktimin e plagëve, përdorimi i rrymës elektrike në trup, djegie me cigare, hedhja nga lartësia, si dhe tortura të tjera.

Në të gjithë vendin gjatë regjimit komunist funksiononin 23 burgje dhe kishte 48 kampe të internimit masiv, vende të cilat u përdorën për të përndjekur dhe ndëshkuar të gjitha ata persona që konsideroheshin kundërshtarë të regjimit, duke përfunduar me fat tragjik.

Sipas të dhënave zyrtare nga institucionet e Shqipërisë, gjatë regjimit komunist 59.009 shqiptarë u internuan në kampe përqendrimi, 7.022 humbën jetën gjatë internimit, 34.135 shqiptarë u burgosën si të dënuar për arsye politike, 984 shqiptarë kanë vdekur në burgjet e regjimit, 6.027 shqiptarë janë vrarë gjatë regjimit komunist në Shqipëri, ndërsa rreth 6.000 rezultojnë si të zhdukur.

Ndërkohë, u dëbuan nga qytetet kryesore dhe zonat kufitare me dhjetëra e mijëra banorë, të cilët konsideroheshin si kundërshtarë apo të rrezikshëm për regjimin, ndërsa u ekzekutuan edhe ata persona që tentonin të kalonin ilegalisht kufirin për t’u arratisur nga vendi.

Në Muzeun Historik Kombëtar të Shqipërisë është hapur që në vitin 2012 edhe një pavijon që i kushtohet persekutimit komunist në Shqipëri, ku janë ekspozuar në mënyrë kronologjike dhe tematike dokumente, fotografi, harta, sende dhe objekte historike që tregojnë gjithë persekutimin e institucioneve të regjimit ndaj shqiptarëve, ndërsa nuk mungojnë as dokumente që tregojnë rrëzimin e regjimit komunist nëpërmjet demonstratave popullore në Tiranë.

Në këtë pavijon që është emërtuar “Pavijoni i terrorit komunist” objektet historike dhe dokumentet janë të ndara në disa kategori që lidhen me torturat dhe mjetet e torturës, përndjekjen e klerit, qëndresën antikomuniste, gjyqet ndaj intelektualëve, proceset gjyqësore, vendekzekutimet dhe në fund rrëzimi i shtatores së diktatorit Hoxha. Të gjitha këto janë pasqyruar nëpërmjet dokumenteve, dëshmive, objekteve të ndryshme, ku përfshihen edhe sende personale të dhuruara nga ish-të përndjekurit politikë apo familjarët e tyre.

Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar të Shqipërisë, Dorian Koçi, për Anadolu Agency (AA) tregon se çdo vizitor qoftë shqiptar apo i huaj i cili e viziton këtë pavijon njihet me një lloj itinerari historik me të shkuarën se çfarë përfaqësonte komunizmi në Shqipëri.

“Ka qenë një interes i vazhdueshëm besoj i gjithë shoqërisë shqiptare pas viteve 90-të për të pasur një trajtim më të hollësishëm të kalvarit komunist dhe sistemit në të cilin shqiptarët jetuan për një kohë të gjatë. Pavijoni i terrorit komunist përfshin pjesën e dhunës që karakterizoi regjimin stalinist shqiptar. Ky është ngritur nga një grup historianësh. Fillon me kronologjinë që nga vendosja e regjimit komunist në Shqipëri, vazhdon me persekutimet e para, gjyqet e hapura komuniste, gjyqin ndaj deputetëve dhe intelektualëve, persekutimet ndaj klerit, si kleri musliman, bektashi, katolik dhe ortodoks, me persekutimin e elitës intelektuale dhe elitës komuniste në Shqipëri”, tregon Koçi.

Nga sendet personale të ish-të përndjekurve dhe të dënuarve përfshihen që nga veshjet, enë të ndryshme, punime, dokumente, e deri dorëshkrime dhe sende të tjera, që janë dhuruar nga vetë të persekutuarit apo nga familjarë të tyre.

Persekutimi ndaj klerit

Gjatë regjimit komunist, kleri pësoi një goditje të rëndë, ku qindra klerikë nga të gjitha besimet u ekzekutuan, dënuan dhe internuan, ndërsa në vitin 1967 autoritetet komuniste mbyllën me dekret të veçantë aktivitetin fetar, vendim ky që u pasua edhe me shkatërrimin e objekteve të kultit, si xhami, kisha dhe teqe.

Propaganda dhe persekutimi kundër klerit filloi që pas vendosjes së regjimit komunist, ku klerikët u shënjestruan nga zyrtarët e regjimit në lidhje me aktivitetet e tyre.

Edhe pse ishin pjesë e trashëgimisë kulturore dhe historike të Shqipërisë, sipas të dhënave zyrtare nga Muzeu Historik Kombëtar, pas këtij viti u mbyllën 740 xhami, 608 kisha ortodokse e manastire, 157 kisha katolike dhe 530 teqe e tyrbe bektashiane, duke u shkatërruar apo përdorur për qëllime tjera. Pasuritë e paluajtshme të komuniteteve fetare kaluan në pronësi të shtetit komunist, ndërsa u ndalua edhe kremtimi i festave fetare.

“Një nga objektivat e sistemit komunist ishte të krijonte të ashtuquajturën parajsë tokësore në kundërshtim me besimet fetare. Edhe përpara vitit 1967, i gjithë kleri musliman, katolik, ortodoks dhe bektashi, pësoi goditje të vazhdueshme të cilat kishin të bënin qoftë me ushtrimin e detyrës së tyre funksionale, qoftë edhe me përkrahjen që në momente të ndryshme kleri u mundua t’i jepte popullsisë që vuante nën regjimin komunist. Kemi sende dhe dëshmi të shumta me lista, emra, të klerikëve të zhdukur nga të gjitha besimet fetare në Shqipëri duke dhënë një pasqyrë të trishtë të asaj se çfarë ishte në të vërtetë komunizmi shqiptar dhe sesi përpiqej të çrrënjoste nëpërmjet dhunës besimet fetare”, shprehet drejtori i Muzeut Historik Kombëtar të Shqipërisë.

Në këtë pavijon janë të ekspozuar edhe fotografi të objekteve të kultit të shkatërruara apo nga objekte kulti të kthyera në destinacion tjetër. Katedralja e Shkodrës ishte kthyer në pallat sporti apo shumë xhami, kisha dhe teqe, u përdorën për qëllime të ndryshme, duke u shkatërruar një pjesë e rëndësishme e trashëgimisë kulturore të shqiptarëve.

Sipas Koçit, pavijoni është i pajisur dhe me dokumentarë të shumtë që janë marrë nga Arkivi Qendror i Shtetit, që pasqyrojnë dhunën e ushtruar nga regjimi komunist në kampe dhe në burgje.

Pavijoni i terrorit komunist tërheq interesin e vizitorëve të shumtë, ku turistët më të shumtë janë nga Polonia, Ukraina, Turqia, Franca, Italia dhe vende të tjera, që kanë interes të njohin nga afër këtë pjesë të errët të komunizmit në Shqipëri.

Rrëzimi i shtatores së diktatorit Hoxha

Protestat antikomuniste që filluan në dhjetor të vitit 1990 nga lëvizja studentore do të kulmonin me rrëzimin e shtatores së ish-diktatorit Enver Hoxha, e cila ishte vendosur në qendër të Tiranës në vitin 1988.

Shtatorja e diktatorit Hoxha u rrëzua më 20 shkurt 1991, gjatë një demonstrate popullore, moment ky që shënon edhe rënien e regjimit komunist në Shqipëri, që për rreth gjysmë shekulli shkaktoi viktima të shumta.

Edhe momentet e demonstratave dhe rrëzimit të shtatores janë pasqyruar në muze. “Populli i Tiranës në mënyrë masive në sheshin qendror rrëzoi monumentin e diktatorit Enver Hoxha duke dhënë mesazhin që komunizmi kishte vdekur në Shqipëri. Me rënien e këtij monumenti ra dhe frika, persekutimet, terrori sepse në një farë mënyre Enver Hoxha e kishte lidhur vetveten me regjimin dhe regjimi komunist ishte identifikuar me Enver Hoxhën”, tregon Koçi.

Ish-diktatori Enver Hoxha (1908-1985) e udhëhoqi Shqipërinë komuniste me dorë të hekurt për rreth 40 vite me radhë. Pas vdekjes së tij sistemi komunist do të drejtohej nga Ramiz Alia, por vetëm për 6 vite, pasi demonstratat popullore dhe ndryshimet që pësuan regjimet komuniste në vitet 90-të në Evropë përfshinë edhe Shqipërinë.

Në Shqipëri për të ndriçuar dhe studiuar periudhën komuniste (1944-1991) janë krijuar disa institucione që kanë në fokus edhe trajtimin e ish-të dënuarve politikë dhe zbulimin e fakteve historike, si Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH), Instituti i Integrimit të Ish-të Përndjekurve Politikë (IIPP), Muzeu Kombëtar i Përgjimeve “Shtëpia me Gjethe” dhe Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit / Fatjon Cuka, AA.

Shkarkohet Drejtori i Arsimit në Prishtinë

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka liruar nga detyra e Drejtorit të Drejtorisë së Arsimit, Jonuz Salihajn.

Lajmin për Express e ka konfirmuar edhe Zëdhënësi i Komunës së Prishtinës, Adonis Tahiri, i cili ka thënë se lirimi nga detyra i Salihajt është bërë me kërkesë të partisë së tij, AAK’së.

“Me kërkesë të partnerit të koalicionit (AAK), z. Salihaj është liruar nga detyra që i është caktuar ne fillim të këtij mandati”, ka thënë Tahiri për Express.

Kujtojmë se në muajin nëntor të vitit 2018, Shpend Ahmeti ka shkarkuar nga detyra dy drejtorë, Nora Kelmendin nga Drejtoria e Kadastrit dhe Arben Vitinë nga Drejtoria e Shëndetësisë, të dy anëtarë të Vetëvendosjes. E pas shkarkimit të tyre, pati dhënë dorëheqje Yll Rugova, nga Drejtoria e Kulturës.

Me lirimin nga detyra të Jonuz Salihajt, aktualisht Komuna e Prishtinës ka mbetur pa drejtor të Drejtorisë së Kadastrit, Kulturës dhe Arsimit, ndërkaq ai i Shëndetësisë është zëvendësuar. / KultPlus.com


Puka me potenciale për zhvillimin e agroturizmit

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot nga Puka se “duhet të vazhdojmë të investojmë në agroturizëm”.

Gjatë takimit publik të ciklit kombëtar “Bashkia që duam”, Kryeministri Rama në bashkëbisedim me banorët tha se “ka filluar të rritet numri i njerëzve që vijnë në Pukë”.

Kryeministri u shpreh se “kemi parë një projekt për të krijuar park aventure për të sjellë të rinj nga vende të tjera. Ky park do të sjellë njerëz, por sa më shumë njerëz do të vijnë më shumë konsum do të ketë, më shumë shitje, më shumë dhoma për të mikpritur. Pra, do të krijohet një lloj ekonomie e një qyteti të vogël turistik”.

Sipas tij, Puka ka shumë potencial e hap pas hapi në këtë drejtim do të shkojmë.

Duke iu referuar opozitës, Rama tha se “këta thonë pse i lyeni dhe rregulloni godinat, se këta janë të bojës, ne jemi të ngjyrave”.

“Jemi në rrugën e duhur, do durim, mund të madh, nuk është fjalë goje”, – tha Rama./k.s/ /a.g/ KultPlus.com

Joan Collins në bisedime për filmin rreth jetës së saj

Joan Collins është në fazat e negociatave për ta sjellë një film në lidhje me jetën e saj të shkëlqyeshme hollivudiane në ekranin e madh.

Aktorja e American Horror Story e ka pasur një karrierë të suksesshme shtatëdekadëshe me rolin e saj të parë të madh si Norma Hart në filmin e vitit 1952, “I Believe in You”.

Ajo vazhdoi të bëhej një yll hollivudian, duke interpretuar së bashku me Bette Davis në “The Virgin Queen” (1955), përpara se të bëhej emër i njohur si personazhi ikonik i viteve ’80, Alexis Carrington Colby, në dramën amerikane Dinasty, duke e luajtur rolin për tetë vjet, shkruan KOHA Ditore.

Derisa Collins ka zbuluar se diskutimet janë në vazhdim e sipër për filmin, ajo nuk ka dashur të zbulojë detaje të tjera.

“Është në negociata të thella”, zbuloi ajo gjatë turneut të saj aktual, ‘Joan Collins: Unscripted’. “Por nuk mund të them më shumë se kaq”.

Ylli i “Benidorm” tha se po diskutohen planet për filmin ku do të luajnë dy aktore në rolin udhëheqës.

“Duhet të jenë dy”, tha 85-vjeçarja. “Një që do të më luajë mua kur jam 25 vjeçe, dhe pastaj një tjetër”.

Collins, e cila e filloi karrierën e saj teatrale në moshën nëntëvjeçare, gjithashtu këmbëngul se dëshiron që “dikush nga Akademia Mbretërore e Artit Dramatik (RADA)” ta luajë atë, meqë edhe ajo kishte vijuar këtë shkollë prestigjioze në vitet e para.

Ajo ishte gjithashtu e hapur ndaj sugjerimit që Emily Blunt do të mundë ta merrte rolin.

Megjithatë, kur bashkëshorti Percy Gibson, 54 vjeç, ia propozoi asaj Catherine Zeta-Jones, Collins nuk dukej se e aprovonte këtë.

“Nuk do të them asgjë”, qeshi ajo. “Pyetja tjetër”.

Petro Marko: E dua Kosovën gjer në dhimbje

PETRO MARKO: E DUA KOSOVËN GJER NË DHIMBJE

Dashuria për kosovarët më lindi në fillim të viteve tridhjetë. Njoha më parë Asim Vokshin, që ishte nëntoger i xhandarmërisë në rrethin e Gjirokastrës, kur unë isha mësues në Dhuvjan të Dropullit, më 1932. Më vonë, nëpërmjet Asimit, në Tiranë njoha Bedri Pejanin, Ali Kelmendin. Dhe në Spanjë njoha shokët e paharruar: Xhemal Kada, Justina Shkupi, Shaban Basha e të tjerë, për të cilët kam folur në shënimet për Spanjën. 
Në Tiranë, pas Çlirimit, njoha Xhafer Vokshin, vëllanë e Asimit, ardhur nga Kosova, partizan gazetar. U lidhëm me miqësi, por lidhjet me të u ndërprenë, kur ai u internua familjarisht. Nuk i zinin këmbët dhé. Ka vuajtur shumë me gjithë familjen me shumë fëmijë. E kam mik dhe shpesh vjen më takon. Djalit të tij të madh ia kam vënë unë emrin Ebro, për kujtim të betejave në Spanjë. 

Gjatë viteve ’70 më erdhën në shtëpi Esat Mekuli, Hasan Mekuli, Rexhep Qosja Ali Aliu, i cili vendosi që të bënte një biografi për mua. Ai shkroi librin “Krijuesi dhe koha” për jetën e veprimtarinë time letrare dhe me atë punë mbrojti doktoratën. 

Kam marrë shumë letra nga lexues të thjeshtë, nga studentë, nga njerëz të artit e të kulturës dhe nga familjarët e heronjve dhe luftëtarëve të Spanjës. Tek unë në Shqipëri erdhën të më takonin: Mahiri, i vëllai i Xhemal Kadës, Luljeta, e bija e Emrush Myftarit, një djalë i mrekullueshëm kosovar, i cili u kthye gjallë nga lufta e Spanjës dhe e gjeti vdekjen në Kosovë nga dora e serbit Milladin. Mahir Kada më telefonoi e më njoftoi se kishte dalë në treg seria e plotë e veprave të mia në Kosovë dhe se duhej të shkoja atje për të marrë shpërblimin që më takonte si shkrimtar, kurse unë në telefon iu përgjigja: “Asnjë shpërblim nuk pranoj, por ato që më takojnë do t’i vini në shërbim të ndërtimit të Shtëpisë së Kulturës me emrin e Asim Vokshit që po ndërtoni.”

Ëndrra ime për të vajtur qoftë edhe një herë të vetme në Kosovë, ku më respektojnë si shkrimtar e si luftëtar dhe më quanin vëlla, nuk u realizua kurrë deri më sot. Mbeti një ëndërr. Këtë dëshirë e kam shfaqur me të gjithë kosovarët. Për çudi, për mua kufiri ishte i papërcaktueshëm. Edhe kjo është një nga dhimbjet e mia. E dua Kosovën gjer në dhimbje, se është Shqipëri!

-Publikuar nga Shkelzen Halimi.

Ndrek Luca, malësori nga Dukagjini që e shndërroi në kult artin skenik

Nga Albert Vataj

Vitet ikin, por emri dhe vepra e të madhit Ndrek Luca mbetet emblematike e traditës së artit skenik shqiptar. Tipat dhe karakteret që ai solli me një mjeshtëri të admirueshme, e kanë shndërruar Ndrek Lucën në një prej korifejve të artit skenik. Rolet e tij, pavarësisht se shumican prej tyre e përbëjnë personazhet negativ, mbeten të papërsëritshëm dhe konkurues përnga niveli interpretativ, plastika dhe origjinaliteti i jetësimit.

Ndrek Luca lindi më 3 shtator 1927 në Dukagjin dhe u shua më 16 janar 1993.

Aktivitetin e tij skenik e filloi në vitin 1950 me Teatrin e Ushtrisë, ku bënin pjesë dhe aktorë të tjerë me emër. Nën drejtimin e regjisores Zina Andri, ai interpreton në dy pjesë teatrale dhe pas një viti kalon në Teatrin Kombëtar si aktor profesionist. Roli i tij i parë është ai i Shpen Gjeto Plakut në dramën “Halili dhe Hajria”. Ishte ky rol, ku spikati talenti i tij dhe i hapi rrugë roleve të tjera për më se 30 vjet në skenë.

Nga viti 1951 e deri në vitin 1987, vit kur doli në pension, Ndrekë Luca realizoi mbi 100 role në skenë.

Filma: “Detyrë e posaçme”, “Komisari i Dritës”, “Oshëtimë në bregdet”, “Dueli i heshtur”, “Prita”, “Njësiti gueril”, “Plagë të vjetra”, “Gjurma”, “Operacion zjarri”, “Shtigje lufte”, “Shpërthimi”, “Në fillim të verës”, “Rrugicat që kërkonin diell”, “Pylli i lirisë”, “Tinguj lufte”, “Thirrja”, “Nga mesi i errësirës”, “Udha e shkronjave”, “Mysafiri”, “Nusja”, “Një natë pa dritë”, “Qortimet e vjeshtës”, “Balada e Kurbinit”, etj.

Teatër: “Halili dhe Hajria”, “Shtatë Shalianët” (aktor dhe autor), “Dragoi i Dragobisë”, “Familja e peshkatarit”, “Trimi i mirë me shokë shumë”, “Toka jonë”, “Arturo Ui”, “Në anën tjetër”, “Otello”, “Orët e Kremlinit”, “Përmbysja”, “Baca i Gjetajve”, “Epoka para gjyqit”.

Çmime: 1976, Medaljon dhe çmim në Festivalin e I të filmit (“Rrugicat që kërkonin diell”, Gani Herri)

1983, Medaljonin e Festivalit të V të Filmit (“Flaka e maleve”, zejtari) 1990, Medaljon në Festivalin e IX të filmit (“Balada e Kurbinit”, pashai)

Dukagjinasi që superonte dhe donte origjinën

Nuk ishte malësori i ashpër që ecte me mentalitetin e kohës, por megjithatë Dukagjinin e kishte të ngulitur thellë në mendje dhe zemër. “Ndreka ka lindur në thelb të varfërisë materiale. Ka lindur në Dukagjin, e më pas ka zbritur në Shkodër”, thotë gruaja e tij, Mimika, duke shtuar se Ndreka gjithmonë ka ndier një detyrim shpirtëror ndaj prejardhjes së tij. “Njerëzit e veriut e kanë pasur derën të hapur dhe rrinin me ditë në shtëpinë tonë, aq sa edhe sot djali, Gjergji, thotë se është dukagjinas”.

Miqtë e paktë të Ndrekës

Qëndronte shumë me njerëzit, por miqtë e ngushtë ishin të paktë. Kishte një shok të ngushtë në Shkodër, një punëtor në Tiranë. Me Petro Markon ishte shumë i lidhur, si dhe kompozitorët shkodranë Çesk Zadeja, Tish Daija, Tonin Harapi etj. Shumë mik kishte edhe Halim Gjakovën, me të cilin hanin çdo mëngjes bukë misri me djathë”, kujton bashkëshortja e aktorit të madh, Mimika, duke shtuar se Ndreka nuk ishte natyrë që pinte dhe ishte tepër familjar.

Kur Luca interpretonte Makbethin

Pavarësisht nga shkollimi si pilot, ai ishte autodidakt në drejtim të artit. Në bibliotekën e tij i gjen të gjithë veprat filozofike të të gjitha rrymave. “Duke lexuar jashtëzakonisht shumë, ishte ai që ishte. Kur u kthye nga studimet në Jugosllavi kishte vetëm valixhe me libra dhe asnjë gjë tjetër”, kujton duke shtuar se edhe më i madh ishte pasioni i tij për skenën. “Edhe kur ka qenë në reanimacion, pasi ka pësuar infarkt mbante “Makbethin” nën jastëk. Jam tmerruar kur e kam parë. Pas tri ditësh shkoi në Shkodër të luante”.

Vlerësimi i vonuar i shtetit

Shteti vendosi ta nderonte, atëherë kur të gjithë e quanin Artist i Popullit, edhe pse nuk ia kishin dhënë këtë titull. E ndjente këtë vlerësim ngado, te njerëzit që e përshëndesnin rrugës dhe tek ata qindra kartolina që i dërgonin, sidomos shqiptarët e Kosovës.

“Vlerësimi shtetëror, megjithatë iu dha, edhe pse me vonesë. Por ka vuajtur shumë për të arritur deri atje. Ishte çdo moment i shqetësuar. Për një natyrë të drejtë, çdo padrejtësi ishte dhimbje. Këtu qe një popull i tërë që i qe bërë një padrejtësi e madhe, e llahtarshme”, thotë Mimika, duke shtuar se Ndreka ishte titanik në forcën e tij.

Komedia “Karnavalet e Korçës” të enjten premierë në TKK

Një tekst klasik i dramaturgjisë shqiptare, i shkruar gjatë vitit 1936, në të cilën rrëfehet historia e një familjeje shqiptare të ndodhur në Korçë, do të shfaqet premierë në Teatrin Kombëtar të Kosovës.

Komedia e shkruar nga satiristi Spiro Çomora, pritet të sjellë në skenë tregimin e ndodhur në qytetin e serenatave, ku dy prindër egoistë kanë synim ta martojnë me çdo kusht vajzën tyre, duke e vënë atë në situata komike, transmeton KTV.

Regjisori Altin Basha, deklaroi se kjo komedi shfaq peizazhin e jetës së një shekulli më parë që zhvillohej në Shqipëri.

Dymbëdhjetë aktorë do të luajnë në personazhet e kësaj shfaqjeje.

Elementet e kësaj shfaqjeje do të sinkronizohen me muzikën të realizuar nga kompozitori, Trimor Dhomi.

“Karnavalet e Korçës” ishte votuar nga Këshilli Drejtues për të qenë pjesë e repertorit të rregullt të TKK-së për vitin 2019.

Premiera e komedisë “Karnavalet e Korçës”, prezantohet më 21 shkurt në Teatrin Kombëtar. /KultPlus.com

Emine Çunmulaj kujton bisedat me Karl Lagerfeld për kulturën shqiptare

Modelja e njohur shqiptare Emine Çunmulaj ka kujtuar përmes një postimi dizejnatorin e Chanel, Karl Lagerfeld i cili vdiç sot në moshën 85 vjeçare, shkruan KultPlus.

“Ju me keni thirrur Maria Callas edhe pse unë nuk e dija se kush ishte ajo. Çfarë nderi ishte të kaloja gjithë ato vite pranë jush dhe rrethuar me kreativitetin tuaj. Faleminderit që ishit njerëzor dhe nuk me keni trajtuar si një varëse për rroba e cila ecën, por gjithmonë keni pyetur për historinë time, kulturën time dhe keni ndarë me mua udhëtimet e juaja dhe shakat”, ka shkruar Çunmulaj.

Ajo po ashtu me miqtë e saj ka ndarë edhe fotografi nga sfilatat e modës kur ishte modele për Chanel./ KultPlus.com