Visar Mulliqi, artisti që frymëzohet nga udhëtimet nëpër Kosovë për artin e tij

Alberina Haxhijaj

Me rastin e shënimit të 11 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, Galeria e Ministrisë së Kulturës “Qafa” ka hapur sot dyert e veta për të sjellë para publikut punën e artistit Visar Mulliqi. Kjo hapësirë nuk ka mjaftuar për të sjellë të tërësishme ekspozitën e Mulliqit të titulluar “Origjinaliteti” prandaj një pjesë e pikturave, të formatit të madh janë vendosur në objektin e ish-Rilindjes.

Mulliqi edhe këtë herë i ka qëndruar besnik pikturës abstrakte dhe ngjyrave të cilat i merr nga ambienti rrethues i vendlindjes së tij. Pikturat e reja të Mulliqit kanë një ngjashmëri edhe me punën e kaluar të artistit duke theksuar këtu ekspozitën “100% Origjinal”  të hapur në vitin 2018. Madje ngjyrat e përdorura e që shkrihen mjeshtërisht me njëra-tjetrën të kujtojnë ato të kaluarat e që ishin bazuar në peizazhet panoramike të cilat autori i kishte parë gjatë udhëtimeve nëpër Kosovë. Kjo ngjashmëri vjen si rezultat se edhe kjo ekspozitë është vazhdimësi e ciklit me të cilin artisti ka pesë vite që punon.

“Peizazhesh prej rrethit kosovar që i kam parë gjatë udhëtimeve me makinë e që më kanë lënë mbresa i kam transmetuar në pëlhurë, në mënyrë abstrakte me kontura të figuracionit”, pohon artisti.

Tablotë e realizuara, sipas kuratorit Maliqi edhe pse janë abstrakte, madje paksa edhe kaotike mund të cilësohen edhe si lajmëtare të optimizmit. Kjo vërehet përmes emërtimeve si “Anija e Shpresës”, edhe pse në mes tyre mund të gjejmë edhe “The Big mask” apo “Vallëzimi i ndyer”.

“Edhe në veprat e mëvonshme, në përmasat dhe variacionet e ndryshme, shfaqet ky dualizmi bazik, kombinimi i abstraksionit të lirë dhe ekspresiv me ndërhyrje racionalizuese të figurshmërisë si shënjuese e botës dhe jetës reale. Andaj kompozicionet e Mulliqit deklarohen me dy çelësa: janë psikograme të kërkimit të artit puro me shtytës që dirigjohen nga nënvetëdija, por janë edhe vegime dhe impresione nga jeta dhe natyra, për realizimin e të cilave artisti e vë në veprim përvojën dhe traditën e begatshme figurative të mjeshtërisë prej piktori që di t’i harmonizojë format dhe ngjyrat edhe kur ato janë në dukje imazhe kaotike”,  janë fjalët e Maliqit me të cilat ai e përshkruan këtë ndërthurshmëri.

Por sipas, kuratorit Shkëlzen Maliqi, Mulliqi shkon edhe me tej, ai sintetizon traditën e pikturës abstrakte duke aplikuar në mënyrë indirekte edhe përvojat e taborrit tjetër të modernizmit abstrakt, atë gjeometrik dhe konstruktivist. Një kombinim si ky, i dy rrymave abstakte, nuk është i rrallë në artin bashkëkohorë edhe pse vlerësohet se ka shumë rreziqe. Por piktori Visar Malliqit i realizon mjaftë bukur këto dy kombinime duke marrë aq sa ka nevojë nga këto dy rryma dhe duke sjellë kryevepra,  realizmi i saktë i të cilave dëshmon se emri i tij qëndron lartë në piramidën e artit bashkëkohor në Kosovë.

“Shënimin i 11 viteve si shtet i pavarur ka shërbyer si një motiv shtesë për autorin që të ritheksojë se artin abstrakt nuk duhet konsideruar si të largët dhe alienuar nga realiteti”, thekson kuratori Shkëlzen Maliqi.

Ekspozita “Origjinaliteti” do të qëndrojë e hapur deri më 5 mars. / KultPlus.com

RTK i jep tenderin 216 mijë eurosh aktores Teuta Krasniqi


Radio Televizioni i Kosovës është treguar prapë zemërgjerë me aktoren Teuta Krasniqi.

Aktores në fjalë, RTK i ka besuar 216 mijë euro për të realizuar serialin ‘iStar’ – i cili po transmetohet në këtë televizion.

Krasniqi ka fituar tenderin për ta realizuar serialin, me procedurë ​të negociuar pa publikim të njoftimit të kontratës​.​

Kompania që e ka fituar tenderin e ka emrin ‘Teuta Production Company’ dhe kuptohet që logoja e saj del e para përgjatë transmetimit të serialit.

Në serial luan edhe vetë aktorja Krasniqi.

Në rrjete sociale ka pasur ankesa për faktin se si një serial i tillë dhe një produksion i tillë merr këtë tender dhe këtë shumë të hollash, duke u keqpërdorur kësisoj taksa e qytetarit të Kosovës në projekte të tilla të kushtueshme televizive. / KultPlus.com

‘Zoti nuk ishte i plotfuqishëm, nuk ishte i mëshirshëm, ishte mashtrues…’

(Pjesë nga libri ‘Tri bijat e Evës’ nga ELIF SHAFAK)

Nisi të grindej me Zotin.

Peria grindej për çdo gjë me të, i bënte pyetje për të cilat e dinte se nuk kishte përgjigje të lehta, por prapë i bënte, me zë të ulët, që të mos e dëgjonte askush. I thoshte se ai ishte treguar i papërgjegjshëm që kishte lejuar t`u ndodhnin gjëra aq të tmerrshme atyre që nuk i meritonin. A mund të shihte dhe dëgjonte Zoti përmes mureve dhe hekurave të qelive të burgut? Nëse nuk mundej, atëherë nuk ishte i plotfuqishëm. Nëse mundej dhe prapë nuk bënte asgjë për t’i ndihmuar ata që kishin nevojë, atëherë nuk ishte i mëshirshëm. Sido që të ishte, nuk ishte ashtu siç pretendonte se ishte. Ishte mashtrues.

Zemërimin që Peria nuk ia zbrazte dot së ëmës dhe udhëheqësit të saj shpirtëror Yzymbaz Efendiut, inatin që nuk ia zbrazte dot të atit dhe zakonit të tij të pijes, dhimbjen që ndjente për vëllain e madh dhe lodhjen nga vëllai tjetër, i përziente në një brumë ngjitës dhe ia derdhte me mendje Zotit. Ai brumë piqet në furrën e mendjes së saj, ngrihej ngadalë, fryhej në mes, digjej anëve. Kur moshatarët e saj dukeshin aq të thjeshtë e të lehtë sa balonat në erë, ndërkohë që luanin rrugëve, shkonin në shkollë dhe i merrnin ditët si t’u vinin, Nazperi Nallbantogluja, një vajzë jashtëzakonisht e menduar dhe e mbyllur, kërkonte me ngulm Zotin.

Zoti, një fjalë e thjeshtë me kuptim të errët, Zoti, aq afër sa dinte gjithcka që bëje apo kishe ndërmend ta bëje, e prapë i paarritshëm. Por Peria ishte e vendosur ta gjente një mënyrë. Sepse, përmes një logjike të shtrembëruar të saj, i qe mbushur mendja se, po të bënte bashkë Krijuesin e mamasë dhe Krijuesin e babait, do të arrinte të kthente harmoninë mes dy prindërve. Me një farë marrëveshje lidhur me atë se çfarë ishte dhe çfarë nuk ishte Zoti, do të kishte më pak tension në shtëpinë e familjes Nallbantoglu, por edhe në të gjithë botën.

Zoti ishte një labirint pa hartë, një rreth pa qendër, pjesë të një mozaiku që dukej se nuk përputheshin kurrë bashkë. Sikur ta zgjidhte këtë mister, do t’i jepte kuptim të pakuptimshmes, arsye çmendurisë, rregull rrëmujës dhe, ndoshta, mund të mësonte si të ishte e lumtur.

William Walker tregon gjënë e parë që i bie ndër mend kur viziton Kosovën

Ish-ambasadori i OSBE-së në Kosovë, William Walker, ka rrëfyer për ndjesitë e tij sa herë që vjen në Kosovë e që nuk është se ndodhë rrallë herë.

“Siç mund ta paramendoni, ngjarjet rreth janarit të vitit 1999 ishin ndër çastet më emocionale të jetës time”.

“Për 20 vjetët e ardhshme, pas këtyre ngjarjeve, sa herë që vij këtu më kujtohet ajo kohë. Njerëzit ende duan të flasin me mua për atë kohë”

“Kam një lidhje emocionale me Kosovën, pa dyshim”.

Foto Valerie Plesch

Walker që konsiderohet si miku i madh i kosovarëve ka thënë në një intervistë ekskluzive në Info Magazine se ai përpiqet ta vizitojë Kosovën sa më shpesh, veçanërisht në përkujtimin e masakrës së Reçakut.

“Vij në Kosovë sa më shpesh që mundem. Kjo është hera e dytë që kam ardhur në Kosovë në vitin e fundit. Përpiqem gjithmonë që të vij në përkujtimin e masakrës së Reçakut por këtë vit nuk kam arritur që të vij dhe kjo më ka trishtuar shumë”.

“Ardhja për ta kremtuar Pavarësinë edhe kjo është një gjë shumë emocionale për mua”.

Le Matin 1933: Vrasja e Hasan Prishtinës në Selanik për hakmarrje

Nga Aurenc Bebja*, Francë -19 Shkurt 2019

“Le Matin” ka botuar, të martën e 15 gushtit 1933, në faqen n°3, një shkrim që pasqyron vrasjen e Hasan Prishtinës në Selanik.

Londër, 14 gusht. Telef. Matin.
Raportohet nga Selaniku se Z. Prishtina, ish-kryeministër shqiptar, u vra sot në rrugët e këtij qyteti nga një individ i cili, i fshehur pas një dere, shtiu mbi të tetë herë me revolver, para se kalimtarët të ndërhynin.

I tërbuari, i arrestuar pak më vonë, tha se quhej Hussein Tselio (Hysen Çelo) dhe shtoi se ai kishte vepruar për t’u hakmarrë për dy prindërit e tij të dënuar me vdekje për një krim politik, kur Z. Prishtina ishte ende në pushtet./ KultPlus.com

https://www.darsiani.com/la-gazette/le-matin-1933-vrasja-e-hasan-prishtines-ne-selanik-per-motive-hakmarrjeje/?fbclid=IwAR2lBDsg8dk9KYWUZQqe6CgZqQgDFq0GXTbQWZPyOjlXKtciLTS-vQPfbag

Burimi (Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania) – 

Nita Luci dhe Linda Gusia nesër diskutojnë në Galerinë Motrat

Nesër, të mërkurën e 20 shkurtit, në Galerinë Motrat mbahet një bisedë rreth traditës së çejzit.

Marrë shkas prej hapjes së ekspozitës së artistes Doruntina Ukimeri, biseda do të zhvillohet rreth traditës së çejizit (pajës) e cila ka pësuar ndryshime duke kryer funksione të ndryshme, kryesisht të lidhura me çështjet e trashëgimisë materiale, zbatueshmëria e së cilës mund të konsiderohet si tregues i rendit normativ gjinor dhe patriarkal i funksionimit shoqëror.

Diskutimi trajton marrëdhënien e artit me çështjet që zakonisht interpretohen si diçka që përket tradicionales.

Biseda do të nisë në ora 18:00, me Nita Lucin dhe Linda Gusinë. Nita Luci është ligjëruese në RIT Kosovo dhe në Universitetin e Prishtinës. Linda Gusia është ligjëruese në Universitetin e Prishtinës. / KultPlus.com

Nëna e Rita Orës nuk u përmbahet lotëve kur flet për betejën me kancerin

Nëna e Rita Orës nuk u është përmbajtur lotëve në emisionin “Loose Women” kur ka folur për betejën me kancerin.

Vera Sahatçiu, 55-vjeçare, ka bërë mastektomi pasi u diagnostikua me kancer të gjirit në vitin 2005.

Nëna e tre fëmijëve ishte vetëm 39-vjeçare kur filloi të kalonte nëpër rrugëtimin e “vështirë.

Vera ka folur për largimin nga Kosova dhe për karrierën e suksesshme si mjeke sa ishte në vendlindje.

Rita ishte vetëm një vjeçare kur u shpërngul në Londër me familjen e saj.

“Unë kisha kancer të gjirit në moshën 39-vjeçare dhe fëmijët ishin të vegjël. Djali kishte vetëm shtatë vjet”, ka thënë Vera.

“Ishte e vështirë kalimi në një vend tjetër dhe nuk dija të flisja anglisht. Në vendlindje isha mjeke dhe kisha karrierë të mrekullueshme”, ka shtuar nëna e këngëtares së famshme, Rita Ora.

“Udhëtimi që kisha ishte i vështirë. Në moshë të re, trajtimi shpesh është rigoroz dhe i tejzgjatur”, ka rrëfyer Vera për trajtimin kundër kancerit.

“Kur diagnostikohet më herët, trajtimi bëhet më i thellë dhe më i gjerë. Kisha kimioterapi, radioterapi dhe mastektomi. Më falni pasi ende e kam të vështirë të flas për këtë”, ka thënë ajo derisa nuk u është përmbajtur lotëve.

Gjermania do të shpenzojë 6 milionë euro për 250 vjetorin e lindjes së Beethoven-it

Gjashtë milionë euro është shuma e parave që Gjermania do të shpenzojë vitin e ardhshëm, për 250-vjetorin e lindjes së kompozitorit Ludwig van Beethoven, njoftoi sot Ministria gjermane e Kulturës.

 “Programi ynë në përvjetorin e vdekjes së kompozitorit do ta promovojë Beethovenin përtej kufijve kulturorë”, u tha gazetarëve në Berlin, ministrja për Kulturë, Monika Gruetters.

“Sidomos për të rinjtë, ne duam të përcjellim diversitetin e pabesueshëm, fuqinë dhe imagjinatën që Beethoveni la”, ka thënë Gruetters shkruan JavaNews.

Beethoven vdiq në moshën 56-vjeçare, në vitin 1827. Ai mbetet një nga kompozitorët më me ndikim në botë. I lindur në Bonn, Beethoveni mbeti veçanërisht i famshëm për krijimet e tij edhe kur ishte pothuajse plotësisht i shurdhër në fund të jetës./ KultPlus.com

Adriatik Kelmendi, me 22 shkurt në ‘EU Inspirational Talks’

Adriatik Kelmendi është ndër gazetarët më të mirë në Kosovë.

Ndër vite, ai me profesionalizmin e tij ka arritur të krijojë një karrierë të bujshme në gazetari, si redaktor në Kohën Ditore dhe më pas në KTV.

Me datë 22 shkurt, në Qendrën Informative dhe Kulturore të Bashkimit Evropian në Prishtinë, Adriatik Kelmendi vjen në kuadër të ciklit ‘Inspirational Talks’ – Bisedat inspiruese.

Me fillim prej orës 18:00, Adriatiku do të ndajë me publikun tregimin e tij, se si arriti tërë këto vite të jetë një prej figurave kryesore televizive në Kosovë.

Ai sot është moderator dhe krijues i emisionit RUBIKON, një emision i njohur për trajtimin e temave të realitetit bazuar në mendim kritik dhe mysafirë të ndërtuar në fushat e tyre. / KultPlus.com

Salla e UP-së merr emrin Idriz Ajeti

Salla e Universitetit të Prishtinës ku është mbajtur konsulta gjuhësore e Prishtinës më 1968 dhe ku është themeluar Seminari Ndërkombëtar më 1974, ka marrë emrin Idriz Ajeti, akademikut që vdiq më 13 shkurt të këtij viti, në moshën 102 vjeçare.

Kështu u tha në akademinë përkujtimore të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” kushtuar akademikut Ajeti.

Profesori i shquar, Idriz Ajeti do të kujtohet përherë për angazhimin tij të palodhshëm deri në fund si anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe kryetar i saj në dy mandate si dhe anëtar nderi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. / KultPlus.com

Ka vdekur ikona e modës Karl Lagerfeld

Sot ka ndërruar jetë legjenda e modës Karl Lagerfeld, i cili njihej si një dizajner shumë profesional i  modës në Chanel  dhe Fendi . Ai ka ndërruar jetë në Paris në moshën 85 vjeçare, shkruan KultPlus.

Ai i kishte qenë i sëmurë për disa javë dhe kishte humbur një numër shfaqjesh të modës. I lindur me emrin Karl Otto Lagerfeldt në vitin 1933 në Gjermaninë para luftës, Lagerfeld ndryshoi mbiemrin e tij të parë nga Lagerfeldt, sepse ai besonte se ajo dukej “më komerciale”.

Ai emigroi në Paris si një adoleshent i ri dhe u bë asistent i dizajnit për Pierre Balmain, para se të punonte në Fendi dhe Chloe në vitet 1960.

Ai filloi karrierën e tij të gjatë me Chanel në 1983, një dekadë pas vdekjes së Coco Chanel. Një vit më pas, ai nisi etiketën e emrit të tij.

Lagerfeld ishte i njohur për pamjen e tij të veçantë në vitet e tij të mëvonshme, veshur rregullisht me kostume të errëta. / KultPlus.com

Dua Lipa zbulon se kush qëndron pas suksesit të saj

 Dua Lipa është një prej këngëtareve më të suksesshme në botë. Famën e madhe e mori në vitin 2015 kur publikoi këngën “Be the One” që arriti të dëgjohej dhe në Europë duke u renditur në toplistat muzikore.

Që prej asaj kohe, suksesi i Duas nuk është ndalur. Por kush arriti të zbulonte talentin e saj dhe ta kthejë në një yll? Këtë e ka zbuluar vetë këngëtarja ku shkruan, ”menaxheri im dhe shoku i ngushtë bentap77 i cili i dëgjonte demot e mia që kur isha 17 vjeçe, por pa diçka në mua. Ne ende kemi një rrugë të gjatë për të bërë… por ky ishte një fillim mjaft i mirë për të nisur vitin, mbrëmja Grammy”.

Kujtojmë se në Grammy, ajo u vlerësua me dy çmime. Tashmë mbetet për t’u parë nëse do arrijë të ketë sukses në Brit Awards ku ka marrë katër nominime. 

Aktori Ilir Tafa nis xhirimet për filmin e ri

Aktori Ilir Tafa nis xhirimet për filmin e ri

Aktori kosovar Ilir Tafa do të jetë pjesë e kastit të aktorëve në projektin më të ri filmik “Lulet e kadifenjta” (Kadifice), në një rol të ri, në të cilin është angazhuar nga regjisori Miroslav Ciro Mandiq, i cili jeton dhe vepron në Slloveni.

Filmi që do të jetë prodhim i Shtëpisë Filmike “Relative Pictures”, bazohet në tregimin e autorit boshnjak Xhevad Karahasan, “Në vend të saj, lulet e kadifenjta”. Kështu kanë raportuar mediat boshnjake, sipas së cilave xhirimet e filmit do të nisin në pranverë.

Regjisori Mandiq, njihet për serinë e tij “Surrealistët” (Toplista Nadrealista), ndërsa është fitues i çmimit Grand Prix në Festivalin e Filmit Evropian në Strasburg, për filmin e tij “Jeta e Punëtorëve”.

Ilir Tafa i cili së fundmi përmes një roli brilant në shfaqjen “Bretkosa” iu rikthye skenës teatrore në Kosovë, ka realizuar një varg rolesh të suksesshëm në teatër dhe kinematografi në Bosnjë, Kroaci e Mal të Zi, ndërsa vazhdon të mbetet në listën e aktorëve më të kërkuar në këto vende./KultPlus.com

Elhaida Dani: Italia realizoi ëndrrat e mia, por Shqipëria….

Për Elhaida Danin, Italia është vendi që e bëri të arrinte suksesin, pa marrë parasysh faktin që vinte nga një shtet tjetër, e për këtë ajo shpreh mirënjohje.

Megjithatë për të, Shqipëria është vendi ku ka rrënjët. Këngëtarja ishte e ftuara e dytë e spektaklit “Në kurthin e Piter Pan”, ku fëmijët e pyetën nëse do të rikthehej për të jetuar përfundimisht në Shqipëri.

“Shqipëria është vendi ku unë kam rrënjët, ku unë kam lindur dhe nuk di si do të jetë e ardhmja ime. Ama Italia është ai vend që më dha një mundësi kaq të madhe. Nuk shikoi faktin që unë vija nga një shtet i huaj dhe më dha me të vërtetë suksesin, më realizoi ëndrrat e mia, atë që unë po punoja kaq shumë. Nuk mund të bëj një dallim shumë të madh, por Shqipëria është vendi nga i cili unë vij dhe zemra ime është këtu”, tha artistja shqiptare, e cila aktualisht jeton në Itali.

Dani veçoi eksperiencën e saj në “The Voice of Italy”, si një prej momenteve më të bukura në skenë, një kompeticion ku ajo u shpall fituese.

“Është absolutisht The Voice, është ai vendi ku unë zbulova që kam shumë guxim, përveçse talent. Zbulova që kam shumë guxim, që unë marr rrugët dhe nisem në një shtet të huaj dhe filloj një rrugë nga zeroja. Është the Voice of Italy, është absolutisht kjo skenë”.

Burim Haliti do të përfaqësojë Kosovën në “Ballkan Tage”

Regjisori dhe Producenti Burim Haliti do ta përfaqësojë Kosovën në Fesivalin më të madh kultuor ballkanik “Ballkan Tage”, që do të mbahet në Munich të Gjermanisë, shkruan KultPlus.

 Nga data 5 deri më 31 Mars 2019  në  Munich të Gjermanisë organizohet ngjarja më e madhe kulturore vallkanike “Ballkan Tage”, ku me aktivitetet e tyre kulturore dhe filmike prezantohen të gjitha shtetet ballkanike si Shqipëria, Kroacia, Bosnia, Mali i Zi, Greqia, Kroacia, Maqedonia, Serbia, përfshirë edhe Kosovën.



Nga datat 21,22,23  mars  të këtij viti, regjisori dhe producenti Burim Haliti, është ftuar zyrtarisht nga organizatorët e “BallkanTage” dhe njëkohësisht është përzgjedhur që ta përfaqësojë Kosovën në këtë ngjarje të madhe kulturore në Munich.


Burim Haliti ka vendosur që përpos dy filmave të tij “The interview” dhe“Çlirimi”, të futë brenda programit edhe dy filma të regjisori dhe aktori Bekim Guri “The drop of blood”  si dhe “Silent” , në mënyrë që Kosova të përfaqësohet në mënyrën më të mire para kineastëve ballkanik dhe  atyre gjerman, pasi që të katër këta filma kanë qenë pjesëmarrës edhe në festivale tjera Kombëtare dhe  Ndërkombëtare  ku kanë të fituara shumë çmime kinematografike./ KultPlus.com

Besarta kujton babain e saj Hamëz Jasharin, në datëlindjen e tij

Vajza e Hamëz Jasharit, Besarta ka shfrytëzuar mëngjesin e ditës së sotme për të uruar datën e lindjes së babait të saj.

E mbijetuara e familjes Jashari, në Facebook ka shkruar për babin e saj, duke thënë se ndihet krenare për kontributin e tij që dha për këtë vend.

Besarta ka thënë se Hamza mbahet mend si njeri që bashkoi njerëz për qëllime të përbashkëta.

“Si çdo herë, edhe këtë vit po festojmë ditëlindjen tënde babush. Të tilla raste, po i shfrytëzoj të tregoj për ty babush dhe virtytet tua. Mbahesh mend, si njeri që bashkove njerëz për qëllime të përbashkëta – që sot na bëjnë krenarë. Dyli i vogël, që me mburrje mban nofkën tënde qetësisht po më dëgjon, teksa unë po i tregoj për ty. E mua po më mundon një pyetje “çfarë do të bëje për Kosovën, në rrethana aktuale ku po rritet Dyli?”. Jam e vetëdijshme që përgjigjen duhet kërkuar në kujtimet tona, por një gjë jam e sigurt se tërë jetën ke besuar në popullin tonë, në vlerat tona dhe në të drejtën tonë. Nga ky qëndrim kurrë nuk lëkundemi, këtë ta premtoj babush. Përgjigjen do ta gjej, edhe Dylit do ti tregoj!!! Urime ditëlindja babë. Vajza jote krenare, Besart”, ka shkruar Besarta Jashari në Facebook.

Laviret e duan atdheun më shumë

Poezi nga Bardh Frangu

bota ka kuptim në dy gisht vend
gjeje me busollë të zemrës koleg
ngule lapsin në vijë të përjargur
në emër të atdheut
hidhe një grusht spermë

harroje lakun e lulakun
uçkurin e brekëve të gjata
udhëzimet për natën e virgjër

mësoje artin e të jetuarit lakuriq
mos u beso njerëzve me krevata
laviret e duan atdheun më shumë

Artistja nga Kuvajti ekspozitë me fotografi për mikpritjen e shqiptarëve

Në Tiranë është hapur ekspozita me temë “Shqipëria, buzëqeshja e ndritur e mikpritjes”, e artistes nga Kuvajti, Ebtisam Al-Houti, e cila është bashkëshortja e ambasadorit të Kuvajtit në Shqipëri, Fayez Mishari Al- Jassim

Në ceremoninë e hapjes së ekspozitës në Muzeun Historik Kombëtar të Shqipërisë ishin të pranishëm përfaqësues të Bashkisë së Tiranës, të institucioneve të tjera të vendit, ambasadorë, artistë, si dhe artdashës, të cilët u njohën nga afër me fotot e realizuara nga fotografja kuvajtiane në qytete të ndryshme të Shqipërisë.

Gjatë fjalës së saj në aktivitet, autorja e fotografive, Ebtisam Al-Houti, theksoi se një nga gjërat që i mahnit më shumë vizitorët në Shqipëri është natyra miqësore dhe paqësore e shqiptarit.

“Përvoja ime këtu, e bëri qëndrimin në këtë vend në një nga më të bukurit, me kujtime të paharrueshme. Pata mundësinë të shoh vende të veçanta dhe kënaqësinë të shëtis në qytete dhe fshatra të ndryshme të Shqipërisë, ku u ndjeva vërtet mirë me natyrën e bukur dhe klimën e përshtatshme gjatë gjithë vitit. Më lindi një dëshirë e madhe për të ditur më shumë mbi kulturën shqiptare dhe shqiptarët. Jam thellësisht e bindur se shqiptarët janë bujarë dhe mikpritës dhe kam një ndjesi pozitive se këtë gjë e bëjnë me pastërtinë e zemrës. Ashtu siç thotë dhe shprehja popullore, ‘Bukë e kripë e zemër të bardhë’”, tha Ebtisam Al-Houti.

Ajo u shpreh se si njerëz që ruajnë fort lidhjet familjare, shqiptarët janë bujarë dhe shumë mikpritës dhe se ata dinë se si të bashkëjetojnë në paqe me grupet e ndryshme të shoqërisë.

“Vihet re shumë qartë që shumica e njerëzve në Republikën e Shqipërisë, pavarësisht krahinës dhe fesë që i përkasin, e trajtojnë mikun me nder dhe respekt, si dhe kanë dëshirën për të pasur sa më shumë miq, dhe e presin mikun duke respektuar natyrën e tij. Profeti ynë i shtrenjtë, Muhamedi (a.s.), ka thënë: ‘Kush ka frikë Zotin dhe Ditën e Fundit, le ta nderojë mikun e tij’. Kjo është dhe arsye se përse e kam vënë theksin tek rëndësia e këtyre vlerave të bukura”, tha Al-Houti, e cila me fotot e saj është munduar të nxjerrë në pah këto veçori të shqiptarëve.

Kjo ekspozitë është hapur me rastin e 50 vjetorit të lidhjeve diplomatike mes Kuvajtit dhe Republikës së Shqipërisë.

Ekspozita përmban rreth 40 fotografi që pasqyrojnë aspekte të veçanta nga tradita e mikpritjes së shqiptarëve, veshjet tradicionale, historinë e qyteteve, ndërsa do të qëndrojë e hapur për tre ditë me radhë në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar të Shqipërisë.

“55 shades of gay” sonte në Teatrin “Oda”, para nisjes për në New York

Shfaqja “55 shades of gay” e autorit Jeton Neziraj e regji të Blerta Nezirajt, sonte shfaqet në Teatrin Oda, para nisjes për në New York, shkruan KultPlus.

Shfaqja “55shades of gay” do të udhëtojë për në New York, ku do të ketë nëntë prezentime në teatrin La MaMa,  nga 7 deri më 17 mars.

Me tekst të Jeton Neziraj e regji nga Blerta Neziraj, shfaqja sjellë në kastën e aktorëve Tristan Halilaj, Bujar Ahmeti, Shengyl Ismaili, Semira Latifi, Alketa Sylaj dhe Luan Durmishi (vokal). Skenografia dhe kostumet janë punuar nga: Sebastian Ellrich / Muzika: Irena Popovic / Koreografia: Florian Bilbao.

Qendra Multimedia nga Prishtina, e konsideruar si ‘njëra nga kompanitë teatrore më interesante nga Evropa Juglindore’

[kazaliste.hr]

ka vendosur në skenë, në një trajtim krejtësisht politikisht jo-korrekt, një performancë argëtuese politike dhe provokative, duke prekur çështje që kanë të bëjnë me komunitetin LGBTI.

55 shades of gay është një rrëfim burleskë për politikat rreth LGBTI në Ballkan dhe Evropë. Politikanët lokalë të Ballkanit përpiqen të manipulojnë e mashtrojnë zyrtarët e BE-së, mercenarët humanitarë të NGO-ve ndërkombëtare, e që bukur shpesh shfrytëzojnë terrenin homofob për të vjelur fonde e për të realizuar projektet e tyre sociale e edukative [të tipit të punëtorive e seminareve për mënyrën e përdorimit të kondomëve], ndërsa që zyrtarë të BE–së, duke shfrytëzuar pozitën e tyre superiore financiare e politike, përpiqen t’i nënshtrojnë të gjithë.

“55 shades of gay” shfaqet sonte në Teatrin “Oda”, duke filluar nga ora 20:00./ KultPlus.com

Skulptorja Arjeta Miftari surprizon Tiranën me ekspozitë

Jeta Zymberi

Gjithçka nisi në Prishtinë, për të vazhduar tutje me ekspozita të tjera, deri tek ato jashtë vendit në Berlin e së fundmi edhe në Francë, aty ku skulptorja Arjeta Miftari vendosi që “Hyjneshat” e saj t’i lejë në duart e atyre që e donin atë figurë arti. Ajo u kthye pa hyjneshat e saj në Prishtinë, por me zemrën plot për gjithë atë përkrahje e fjalët e mira që kishte marrë atje, shkruan KultPlus.

Por, si duket Arjeta nuk mund të ju ndahet “Hyjneshave”, ajo sapo është kthyer ka filluar punën për krijimin e skulpturave të reja të cilat tashmë i ka përfunduar.

Këto 10 skulptura i janë përkushtuar feminizmit dhe janë punuar me material rezines dhe nga druri.

Puna për këto skulptura ka filluar me qëllimin e ekspozimit të tyre në Tiranë, atje ku do të shpalosen nesër për publikun. Përveç skulpturave, kësaj radhe, për herë të parë do ekspozohen edhe 40 fotografi gjatë procesit të punës së realizimit të skulpturave dhe poashtu do të ekspozohet edhe një dokumentar për punën e Arjetës dhe 15 fotografi të hyjneshave të realizuara në pëlhurë.

“Kësaj radhe “Hyjneshat” që i kam realizuar i janë përkushtuar feminizmit edhe gruas shtatzëne ku jam munduar ta paraqes në forma të ndryshme. Por duke mos i lënë anash edhe motivet tradicional që i kam realizuar gjithmonë nëpër skulpturat”, ka thënë Miftari për KultPlus.

Ekspozita personale e skulptores Arjeta Miftari e titulluar “Rrugëtimi” do të hapet në Muzeun Historik Kombëtar

Pos këtyre, Arjeta na bën me dije se do të ketë edhe një befasi për publikun e cila mbetet të shihet nesër.

“Kjo ekspozitë është motiv dhe ja kam borxh Tiranës pasi që në vitin 2014 dhe vitin 2018 më kanë përzgjedhë skulptore të vitit dhe duke qenë pjesë e shumë projekteve të konservimit dhe restaurimit nëpër Shqipëri e kam pa të arsyeshme që kësaj radhe të prezantohem në Tiranë që e kam shumë për zemër”, ka treguar Miftari tutje.

Kjo ekspozitë e kuruar nga Skender Boshtrakaj, do të hapet më datë 20 shkurt në ora 18:00 dhe do të qëndroj e hapur për dy javë në Muzeun Historik Kombëtar të Tiranës. / KultPlus.com

Erion Veliaj paralajmëron festë mbështetëse për Jonida Maliqin

I pari i Tiranës, Erion Veliaj ka paralajmëruar një festë mbështetëse për Jonida Maliqin, e cila këtë vit do të marrë rrugën për në Izrael ku do ta përfaqësojë Shqipërinë në festivalin e këngës “Eurovision 2019”, shkruan KultPlus.

Veliaj ka paralajmëruar se do të organizojnë një festë mbështetëse të paparë në sheshin “Skënderbej”.

“Kemi një surprizë të paparë me Jonida Maliqi për Eurovision 2019! Teksa ajo shkon të na përfaqësojë në Izrael, ne do të kemi një festë mbështetëse të paparë në sheshin “Skënderbej”. 🎠😎 FORCA JONÇE! 💃🏻🎶🇦🇱”, ka shkruar Veliaj në profilin e tij në Facebook.

Jonida Maliqi do ta prezantojë Shqipërinë me këngën “Ktheju tokës”, të cilën do ta këndojë në shqip. Kujtojmë se vitin e kaluar, Shqipëria u përfaqësua nga Eugent Bushpepa me këngën “Mall”.

Datat e Eurovision 2019 janë planifikuar të mbahen më 14, 16 maj (gjysmëfinalet) dhe 18 maj (finalja) në Tel Aviv të Izraelit./KultPlus.com

Shkollat franceze zëvendësojnë fjalët “nënë” dhe “baba” me “Prind 1” dhe “Prind 2”

Shkollat franceze kanë vendosur të zëvendësojnë fjalët “nënë” dhe “baba” me “Prind 1” dhe “Prind 2” pas një ndryshimi në një ligj që u miratua në parlament këtë javë.

Konventa e re e emërtimit, ka për qëllim dhënien fund të diskriminimit ndaj prindërve të të njëjtit seks, por kritikët argumentojnë se ajo “dehumanizon” prindërimin dhe mund të çojë në përplasje se kush klasifikohet si “Prind 1”.

Amendamenti i miratuar të martën si pjesë e një plani më të gjerë për të ndërtuar një të ashtuquajtur “shkollë besimi”, gjithashtu do të zbatojë ndjekjen e detyrueshme të shkollës për të gjithë tre-vjeçarët.

“Ky ndryshim synon të thellojë në ligj, larmishmërinë e familjeve të fëmijëve në format administrative të paraqitura në shkollë”, tha Valerie Petit, deputete për partinë e shumicës REM të Presidentit Emmanuel Macron.

Propozimi për të eliminuar termat “nënë” dhe “baba” në favor të një gjuhe më përfshirëse, jo-specifike gjinore ka qenë një diskutim i debatuar që prej vitit 2013, para legalizimit të martesës së personave të të njëjtit seks./hashtag.al

“E bukura e Adriatikut” hap sezonin e kroçerave në Durrës

“La Belle de L’Adriatique” mbërriti sot paradite në Durrës, duke hapur sezonin e turistëve me kroçera në qytetin bregdetar.

Anija me 134 turistë francezë në bord mbërriti nga ishulli i Korfuzit, ndërsa mësohet se gjatë fundjavës së kaluar ajo është ankoruar edhe në Sarandë dhe Vlorë.

Turistët e huaj përveç qendrave arkeologjike dhe historike të Durrësit do të vizitojnë sot edhe qytetin e Tiranës.

Kroçera me gjatësi 111 metra dhe me flamur belg do të ankorohet në Durrës edhe shtatë të shtuna radhazi. Ky është viti i tretë i lundrimit të kroçerës “La Belle de L’Adriatique” drejt Durësit.

Sezoni turistik në portin e Durrësit këtë vit ka nisur më shpejt dhe do të zgjasë mbi 9 muaj. Deri tani në APD është njoftuar mbërritja e 25 kroçerave dhe velierave turistike, të cilat do ta vizitojnë portin e Durrësit nga muaji shkurt deri në nëntor të këtij viti.